Pothuajse gjysma e votuesve janë skeptikë se po funksiononin eksperimenti amerikan në vetëqeverisje. 45 për qind prej tyre besojnë se demokracia e vendit nuk po kryen punën e saj si duhet me përfaqësimin e qytetarëve të rëndomtë, kanë treguar të dhënat e sondazhit të kryer nga “New York Times/Sienna College”.
Tri të katërtat e votuesve në Shtetet e Bashkuara thonë se demokracia po kërcënohet, megjithëse perceptimi i tyre për këto shqetësime buron kryesisht prej linjave të ashpra partiake partizane, raporton “The New York Times”. Dhe një hise e madhe e votuesve besojnë se vendi është zhytur në korrupsion, me 62 për qind që thonë se Qeveria po punon kryesisht për hesape të veta dhe të elitave në vend se të merret më shumë me të mirën e përbashkët.
Gërryerja e besimit në sistemin amerikan pothuajse 250-vjeçar të qeverisjes pason katër vjet të sfidave të pashembullta: trazira e dhunshme të përpjekjes për të përmbytur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, vendimi dënues i drejtësisë ndaj ish-presidentit Donald Trump dhe ngulmi i vazhdueshëm i Trumpit që procesi demokratik ishte kurdisur.
Faktorët tjerë
Bashkë me inflacionin e gjatë, luftërat kulturore përçarëse dhe krizat gjeopolitike vetëm sa po thellojnë ndasitë në politikën dhe qeverisjen amerikane, saqë amerikanët besojnë se ato kanë dështuar që t’iu shërbejnë në nivelin elementar.
“Mua madje më duhet të shkoj në një bankë ushqimi, dhe unë e burri kemi paga të dinjitetshme, dhe prapë nuk po mund t’ia dalim në krye me mirëqenien e tre fëmijëve tanë”, ka thënë Tyra Jackson-Taylor, një nëpunëse 51 vjeçe e çështjeve sociale nga Norfolku. “Po kërkohet shumë, unë dhe burri po detyrohemi të punojmë edhe punë shtesë jashtë orarit për t’ia dalë mbanë në fund të muajit”.
Frustrime të tilla kanë së paku 58 për qind e votuesve që besojnë se sistemet financiare dhe politike të vendit duhet të bëjnë ndryshime rrënjësore ose të ketë një përmbytje totale të mënyrës së qeverisjes. Disa kanë hamendje se pse Qeveria nuk është e zonja të vërë dorë për t’iu bërë zgjidhjeve çështjeve sfiduese.
“Unë jam 21-vjeçare – gjithnjë raportohet për të shtëna në ndonjë shkollë”, ka thënë Sarah Washington, nëpunëse e përkohshme në New Orleans. “Duhet të ketë ligje më të ashpra për ata që duan të mbajnë armë, ta zëmë. Dhe ka pasur diskutime sesi mund të bëhet kjo, dhe asgjë ende nuk është ndërmarrë. Ata vetëm flasin për këto dhe pastaj prapë ndodh një tjetër gjuajtje”.
Kush e ka fajin?
Por pavarësisht sfidave dhe mëdyshjeve, shumica e amerikanëve besojnë se procesin e zgjedhjes së liderëve në zgjedhjet e ardhshme. Pothuajse 80 për qind e votuesve – përfshirë një hise të madhe republikanësh, demokratësh dhe të pavarur – besojnë se rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit do të jenë të sakta. Kjo ngritje besimi ëhstë e theksuar krahasuar me dy vjet më parë, kur 70 për qind e votuesve thanë se besonin në rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit për Kongres. Amerikanët kanë thënë se mediat tradicionale dhe mediat sociale kanë fajin për gjendjen e demokracisë, megjithëse republikanët ishin më të prirë që të fajësonin mediat krahasuar me demokratët. Por polarizimi politik po e bën njashtu të veten kur vjen puna te perceptimi i amerikanëve se kush e ka fajin.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com