RRUFE

Aktakuzë ndaj dy personave për keqpërdorim të detyres zyrtare dhe legalizim të përmbajtjes së rreme

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë kundër dy personave të pandehur për keqpërdorim të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar si dhe legalizim të përmbajtjes së rreme.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehurit H.Rr. akuzohet se ka kryer e veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar“, ndërsa i pandehuri L.V. veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.

“I pandehuri H.R., akuzohet se në katër raste në vitet 2016-2017, në cilësinë e zyrtarit të gjendjes civile në Komunën e Vushtrrisë, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo personave tjerë, si dhe shkeljes së drejtave të personave tjerë, ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, në atë mënyrë që në kundërshtim me Ligjin për gjendjen civile, Ligjit për shtetësinë e Kosovës dhe udhëzimet administrative ka regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile katër persona, me të dhëna fiktive, pa qenë të regjistruar në librat amëz të lindjes, dhe kështu i ka pajisur kundërligjshëm me numër personal dhe dokumentacion”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ndërsa, i pandehuri L.V., akuzohet se “me datë 19 qershor 2017, në zyrën e regjistrimit civil, ka vënë në lajthim organin kompetent, zyrën e regjistrimit civil në Komunën e Vushtrrisë dhe ka vërtetuar një çështje të pa vërtetë në atë mënyrë që pa qenë i regjistruar në librat amëz të lindjes në gjendjen civile, me dokument të falsifikuar ka arritur të regjistrohet dhe të marrë numrin personal dhe të pajiset me dokumentacion”.

Prokurori i Shtetit, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit t`i shpallë fajtor për veprat e kryer penale dhe t’i dënojë sipas ligjit.


Postuar

nga