Ballina

Kategori: Teknologji

  • Trump njofton se mund të marrë vendim brenda 30 ditësh mbi të ardhmen e TikTok-ut

    Presidenti amerikan, Donald Trump tha të shtunën se ishte në bisedime me shumë individë për blerjen e platformës TikTok dhe ka të ngjarë të marrë një vendim për të ardhmen e aplikacionit në 30 ditët e ardhshme.

    “Kam folur me shumë njerëz për (aplikacionin) TikTok dhe ka interes të madh për TikTok-un,” u tha Trump gazetarëve në bordin e avionit presidencial ‘Air Force One’ gjatë një fluturimi për në Florida.

    Më herët të shtunën, agjencia e lajmeve Reuters, raportoi se dy persona që janë në dijeni të bisedimeve, thanë se administrata e zotit Trump po punon mbi një plan për të shpëtuar aplikacionin TikTok që përfshin kompaninë amerikane të teknologjisë kompjuterike ‘Oracle’.

    Sipas marrëveshjes që po negociohet nga Shtëpia e Bardhë, kompania mëmë e rrjetit TikTok, ByteDance do të vazhdonte të kishte rol, por mbledhja e të dhënave dhe përditësimi i rrjetit do të mbikqyrej nga kompania amerikane ‘Oracle’, që aktualisht mundëson infrastrukturën për funksionimin e TikTok-ut në Shtetet e Bashkuara.

    Sidoqoftë, në komentet e tij për gazetarët, zoti Trump tha se nuk kishte biseduar me shefin e kompanisë Oracle, Larry Ellison, për blerjen e aplikacionit.

    I pyetur nëse po synohej një marrëveshje me ‘Oracle’ dhe invesitorë të tjerë për të shpëtuar aplikacionin zotit Trump tha se “ Jo nuk është ‘Oracle’. Ka shumë njerëz që po flasin me mua, njerëz të rëndësishëm, mbi mundësinë për ta blerë dhe ka të ngjarë që të marr vendim në 30 ditët e ardhshme. Kongresi ka dhënë 90 ditë. Nëse mund ta shpëtoj Tiktok-un mendoj se do të ishte diçka e mirë”, tha zoti Trump./VOA

  • TikTok rikthehet në SHBA

    Rreth 12 orë pas ndalimit në Shtetet e Bashkuara, TikTok është rikthyer për shumë përdorues, pothuajse sikur të mos kishte ndodhur asgjë, duke ia atribuar kthimin një vendimi të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, për të shpëtuar aplikacionin, raporton CNN.

    TikTok mirëpriti përdoruesit me një njoftim që thoshte: “Faleminderit për durimin dhe mbështetjen tuaj. Si rezultat i përpjekjeve të Presidentit Trump, TikTok është rikthyer në SHBA!”.

    Ky veprim i papritur për të rikthyer aplikacionin ndodhi pasi TikTok u bë i papërdorshëm për amerikanët të shtunën vonë në mbrëmje. Përdoruesit që përpiqeshin ta hapnin aplikacionin në atë kohë, merrnin një mesazh që thoshte se aplikacioni ishte offline dhe u kërkohej të “prisnin për informacione të tjera.”

    “Një ligj që ndalon TikTok është miratuar në SHBA. Për fat të keq, kjo do të thotë se nuk mund ta përdorni TikTok për momentin” – thuhej në mesazhin e TikTok-ut.

    Gjithashtu, aplikacioni nuk ishte i disponueshëm as në Apple dhe Google Play store, së bashku me aplikacionet Lemon8 dhe CapCut, të cilat gjithashtu janë në pronësi të kompanisë mëmë me bazë në Kinë, ByteDance.

    Të dielën në mëngjes, Trump tha se do të nxirrte një urdhër ekzekutiv pas inaugurimit të tij të hënën për të shtyrë zbatimin e ligjit që kërkon ndarjen ose ndalimin e aplikacionit. Brenda pak orësh, qasja në aplikacionin dhe faqen e internetit të TikTok filloi të rikthehej për përdoruesit në SHBA./CNN