Ballina

Kategori: Sport

  • Adil Maliqi jep dorëheqje nga pozita e trajnerit të Kombëtares U19

    “Shpesh, rrethanat na vendosin përballë vendimeve që zemra nuk dëshiron t’i pranojë, por arsyeja i kërkon.” – me këtë fjali ka nisur Adil Maliqi postimin njoftues për dorëheqjen e tij, nga pozita e trajnerit të Kombëtares U19 të Futbollit të Kosovës.

    Maliqi ka shkruar se ishte vendim i “detyrueshëm”, pasi sipas tij nuk kanë arritur të gjejnë një zgjidhje të përbashkët me Federatën.

    “Dua të falënderoj nga zemra Federatën e Futbollit të Kosovës dhe Kryetarin për besimin dhe mundësinë që më dhanë të udhëheq këtë grup të mrekullueshëm. Lojtarët ishin frymëzim i përditshëm për mua dhe prindërit e tyre, që ishin gjithmonë mbështetës, janë një shtyllë e rëndësishme e suksesit të tyre. Një falënderim i veçantë shkon për tifozët tanë të zjarrtë, “Dardanët,” të cilët na qëndruan pranë në çdo sekondë dhe nuk reshtën së na dhëni forcë.” – ka shkruar Maliqi, më 20.01.2025, në “Facebook”.

    “Krenohem me sukseset që kemi arritur së bashku – suksese që janë jashtëzakonisht të vështira për t’u realizuar, veçanërisht kur përballesh me sfida të shumta. Por, pavarësisht çdo pengese, arritëm të tregojmë se puna, përkushtimi dhe bashkëpunimi janë çelësi i suksesit.” – shtoi ai.

    Adil Maliqi, një ish-futbollist dhe trajner në disa klube në Zvicër, është përzgjedhur më 16.05.2023 trajner i Kombëtares U19 të Kosovës në futboll.

    Maliqi, i cili ka lindur dhe është rritur në Zvicër, ka të përfunduar Akademinë e futbollit “Grasshopper Club Cyrih” dhe atë të “Fc Winterthur”. Si futbollist, Maliqi ka qenë aktiv në Ligën e Parë të Zvicrës deri në vitin 2012.

     

  • Vëllaznimi triumfon ndaj Trepçës në palestrën “Minatori”

    Vëllaznimi dhe Trepça janë takuar në javën e 17-të të Superligës së Basketbollit të Kosovës.

    Gjakovarët fituan me rezultat 78:72 ndaj KB Trepça në palestrën “Minatori”.

    Pjesa e parë i takoi mysafirëve me rezultat 39-34.

    Ndërsa pjesa e dytë ishte vendimtare që ekipi nga Gjakova të dalë fitues i kësaj sfide me rezultat 78:72.

    Xehtarët kanë 5 humbje dhe 12 fitore, ndërsa skuadra nga Gjakova ka 9 fitore dhe 8 humbje.

  • SC Gjilani aranzhon ndeshje miqësore me ekipin kombëtar të Koresë së Veriut

    Klubi i futbollit SC Gjilani ka njoftuar se gjatë janarit të këtij viti do të zhvillojë një ndeshje miqësore me ekipin kombëtar të Koresë së Veriut.

    Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media, në të cilën janë zbuluar kundërshtarët në ndeshjet miqësore, të cilat SC Gjilani do t’i zhvillojë në kuadër të fazës përgatitore në Turqi, para fillimit të stinorit pranveror.

    Sipas njoftimit, SC Gjilani do t’i zhvillojë gjithsej katër ndeshje miqësore.

    Më 18.01.2025 do të luajë kundër FC Kaysar dhe më 22.01.2025 do të luajë kundër FC Elimai, të dy këto ekipe nga superliga e Kazakistanit.

    Më pas, më 25.01.2025 do të luajë kundër FC Krumovgrad nga Bulgaria.

    Dhe më 28.01.2025 do të luajë kundër Kombëtares A të Koresë së Veriut.

    Në një përgjigje për KALLXO.com, Drlion Sylejmani, zëdhënës i SC Gjilanit, ka thënë se miqësorja me ekipin e Koresë së Veriut është aranzhuar përmes një agjencie.

    “Zakonisht në fazë përgatitore kur të vijmë, merret një kompani, një agjenci që na gjen kundërshtarët për ndeshjet miqësore” – ka thënë Sylejmani përmes telefonit.

    Ai ka thënë se edhe në të kaluarën ekipi i Gjilanit ka zhvilluar ndeshje miqësore me ekipet, shtetet e të cilave nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.

    Aktualisht SC Gjilani gjendet në vendin e gjashtë të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll, me 21 pikë të tubuara pas 18 ndeshjeve.

    Lider i Superligës është ekipi tjetër nga Gjilani, KF Drita me 40 pikë, 7 më shumë se vendi i dytë, KF Ballkani.

  • Nis përballja KB Prishtina – KB Trepça për gjysëmfinalen e Kupës së Kosovës

    Sonte (15.01.2025) është duke u zhvilluar përballja e parë ndërmjet KB Prishtina dhe KB Trepça në kuadër të gjysëmfinales së Kupës së Kosovës në basketboll. 

    Gjysmëfinalet zhvillohen me sistemin vajtje-ardhje dhe cila skuadër është më e  mirë në dy takimet kualifikohet në finalen e madhe.

    Në të njëjtën kohë në Gjakovë po zhvillohet gjysëmfinalja tjetër ndërmjet KB Vëllaznimi dhe KB Bashkimi.

    KALLXO.com publikoi një video, e cila tregon se një grup i tifozëve të KB Prishtina nuk e respektoi himnin e Kosovës, i cili u intonua para fillimit të ndeshjes.

     

  • Barcelona dhe Real Madridi në kërkim të trofeut të parë të vitit

    Futbollistët e Real Madridit dhe Barcelonës do të luajnë sonte – 12.01.2025 në stadiumin “King Abdullah” në Jeddah finalen e Superkupës së Spanjës, të cilën do ta drejtojë gjyqtari Jesus Gil Manzano.

    Të mërkurën, Barcelona eliminoi Athletic Bilbaon me fitoren 2:0 në gjysmëfinale, ndërsa Reali mundi Mallorca 3:0.

    Rekord me trofe i kësaj gare është Barcelona me 14 tituj, ndërsa Reali ka vetëm një më pak dhe mund të barazojë me një fitore të mundshme sonte.

    Këto dy skuadra tashmë janë takuar një herë këtë sezon kur Barcelona tronditi dhe fitoi 4:0 në xhiron e 11-të të La Ligës në Santiago Bernabeu.

    Mirëpo, skuadra e Carlo Ancelottit u rikuperua ndërkohë dhe kaloi Barcelonën në kampionat, e cila hyri në krizë.

    Reali ka avantazh në përballjet ndaj Barcelonës, pasi klubi Mbretëror ka 105 fitore kundrejt 101 fitoreve të katalanasve në garat zyrtare me 52 barazime.

    Nuk ka probleme të reja në stafin e lojës së dy skuadrave dhe për këtë ndeshje do të garojë përfaqësuesi spanjoll Dani Olmo, i cili më në fund është regjistruar me sukses te Barcelona.

    Sfida mes Realit dhe Barcelonës zhvillohet me fillim nga ora 20:00. /Telegrafi