Ballina

Kategori: Sport

  • KB Trepça – finalisti i parë i Kupës së Kosovës në basketboll

    Në palestrën “Minatori” në Mitrovicë më 29.01.2025 është zhvilluar xhiro e dytë e gjysmëfinales për të përcaktuar finalistin e parë për Kupën e Kosovës në basketboll.

    Finalisti i parë është KB Trepça.

    KB Trepça ka mposhtur KB Sigal Prishtina me rezultat 84:66.

    Ndërsa, nesër, më 30.01.2025, nga ora 18:30 zhvillohet ndeshja mes KB Bashkimi dhe KB Vëllaznimi për finalistin e dytë të Kupës së Kosovës.

  • Atdhe Nuhiu emërohet Ndihmëstrajner i Ekipit kombëtar të Kosovës në futboll

    Ish-futbollisti i Kombëtares së Kosovës në futboll, Atdhe Nuhiu është emëruar Ndihmëstrajner i Ekipit kombëtar të Kosovës në futboll.

    Lajmin e ka bërë të ditur Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), përmes një komunikate për media – duke thënë se vendimi ka qenë i presidentit Agim Ademi.

    “Atdhe Nuhiu, me karrierë të suksesshme si futbollist, tashmë ka fituar përvojë edhe si trajner në skuadrën austriake SC Rheindorf Altach. Emërimi i tij në stafin e përzgjedhësit Franco Foda pritet të sjellë mundësi të reja për zhvillimin e tij dhe për sukseset e Kombëtares A.” – thuhet në njoftim.

    Ndërsa gjatë javës së kaluar, në pozitën e Ndihmëstrajnerit të Kombëtares U21 është emëruar Hekuran Kryeziu, ndërsa i Kombëtares U19, Anel Rashkaj.

  • Federata e Xhudos së Kosovës zgjedhë bordin e ri në krye me Agron Kukën 

    Federata e Xhudos së Kosovës njofton se ka zgjedhur bordin e ri të Federatës në Kuvendin e Rregullt dhe Zgjedhor për vitin 2024. 

    Përmes një njoftimi, të lëshuar sot, më 25.01.2025, thuhet se kryetar i Federatës është rizgjedhur Agron Kuka.

    “Të gjitha pikat e rendit të ditës u miratuan gjatë mbledhjes së Kuvendit të Rregullt.Pas përfundimit të këtij Kuvendi, u mbajt edhe Kuvendi Zgjedhor, ku z. Agron Kuka u rizgjodh Kryetar i Federatës”- njofton Federata e Xhudos së Kosovës. 

    Ndërkaq, përveç Kukës, në njoftimin e tyre bëhet e ditur se anëtarët e rinj të bordit janë: Remzi Begu – Nënkryetar i Parë, Anton Cena – Nënkryetar i Dytë, Driton Kuka – Anëtar, Majlinda Kelmendi – Anëtare, Fatos Tabaku – Anëtar, Mustafë Veseli – Anëtar, Linda Cena – Anëtare dhe  Distria Krasniqi – Përfaqësuese e Sportistëve.

    Federata njofton se dy anëtarët e tjerë do të emërohen nga Kryetari i Federatës, në përputhje me statutin e Federatës. 

    Tutje, në njoftim thuhet se në këtë kuvend mori pjesë edhe anëtari i Bordit të Komitetit Olimpik të Kosovës, Musa Selimi.

  • Federata e Boksit të Kosovës largohet nga IBA, anëtarësohet në ‘World Boxing’

    Komiteti Olimpik i Kosovës njofton se Federata e Boksit të Kosovës është larguar nga Asociacioni Ndërkombëtar i Boksit (IBA) dhe se i është bashkuar federatës ndërkomëbatrë të quajtur “World Boxing”. 

    Përmes një njoftimi të tyre, thuhet se ky ndryshim i anëtarësisë është bërë me qëllim që boksi të mbetet në programin olimpik të Lojërave Olimpike pas përjashtimit të IBA-së nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC). 

    Ndër të tjera, ata thonë se IOC pritet se në të ardhmen e afërt të njoh  federatën ndërkombëtare “World Boxing” si federatën e vetme ndërkombëtare të boksit, e cila deri më tani ka 68 anëtarë.

    “Komiteti Olimpik i Kosovës përgëzon delegatët dhe FBoxK-në për vendimin e marrë, që dëshmon vullnetin dhe gatishmërinë e komunitetit të boksit për të vazhduar mbetjen në programin olimpik të sportit tonë me traditë dhe tashmë edhe me suksese ndërkombëtare”- është bërë e ditur në njoftimin e datës 25.01.2025. 

  • Ish-futbollistët Anel Rashkaj dhe Hekuran Kryeziu marrin pozita të rëndësishme në Kombëtaret U19 dhe U21 të Kosovës

    Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se Anel Rashkaj ka marrë detyrën e ndihmëstrajnerit të Kombëtares U19, ndërsa Hekuran Kryeziu do të jetë ndihmëstrajner i Kombëtares U21.

    “Anel Rashkaj dhe Hekuran Kryeziu – dy nga ikonat e Kombëtares së Kosovës rikthehen në role të reja në Federatën e Futbollit të Kosovës, këtë herë si ndihmëstrajnerë në ekipet kombëtare! Mirësevini në shtëpinë tuaj për një kapitull të ri dhe të rëndësishëm për futbollin e Kosovës!” – thuhet në njoftimin e FFK-së, më 20.01.2025.

    Para këtij postimi, Adil Maliqi njoftoi se po ka dhënë dorëheqje nga pozita e trajnerit të Kombëtares U19. Maliqi ka shkruar se ishte vendim i “detyrueshëm”, pasi sipas tij nuk kanë arritur të gjejnë një zgjidhje të përbashkët me Federatën.

    “Dua të falënderoj nga zemra Federatën e Futbollit të Kosovës dhe Kryetarin për besimin dhe mundësinë që më dhanë të udhëheq këtë grup të mrekullueshëm. Lojtarët ishin frymëzim i përditshëm për mua dhe prindërit e tyre, që ishin gjithmonë mbështetës, janë një shtyllë e rëndësishme e suksesit të tyre. Një falënderim i veçantë shkon për tifozët tanë të zjarrtë “Dardanët”, të cilët na qëndruan pranë në çdo sekondë dhe nuk reshtën së na dhëni forcë.” – ka shkruar Maliqi, më 20.01.2025, në “Facebook”.

    Aktualisht, Afrim Tovërlani është trajner i Kombëtaes U21 të futbollit.

    https://kallxo.com/lajm/adil-maliqi-jep-doreheqje-nga-pozita-e-trajnerit-te-kombetares-u19/