Ballina

Kategori: Shëndeti

  • Obezitetit i duhet një përkufizim i ri – thotë Raporti botëror

    Ekziston rreziku që shumë njerëz të diagnostifikohen si obezë kur nevojitet një përkufizim “më i saktë” dhe “i nuancuar” – thotë një Raport nga ekspertët globalë – shkruan BBC.

    Mjekët duhet të marrin në konsideratë shëndetin e përgjithshëm të pacientëve me yndyrë të tepërt, në vend që të matin vetëm Indeksin e Masës Trupore të tyre (BMI) – thotë Raporti.

    Ata me sëmundje kronike të shkaktuara nga pesha e tyre duhet të diagnostifikohen me “obezitet klinik”, por ata që nuk kanë probleme shëndetësore duhet të diagnostifikohen me “obezitet paraklinik”.

    Më shumë se një miliard njerëz vlerësohet se jetojnë me obezitet në mbarë botën dhe ilaçet për humbje peshe me recetë janë shumë të kërkuara.

    Raporti, i publikuar në revistën “The Lancet Diabetes & Endocrinology”, mbështetet nga më shumë se 50 ekspertë mjekësorë në mbarë botën.

    Ripërkufizimi

    “Obeziteti është një spektër.” – ka theksuar profesori Francesco Rubino, nga “King’s College” në Londër, i cili kryesoi grupin.

    “Disa e kanë dhe arrijnë të bëjnë një jetë normale, të funksionojnë normalisht. Të tjerët nuk mund të ecin mirë ose të marrin frymë mirë, ose janë të lidhur me karrige me rrota me probleme të rëndësishme shëndetësore.” – ka theksuar ai.

    Raporti bën thirrje për një “riformulim” të obezitetit që të bëhet dallimi midis pacientëve me një sëmundje dhe atyre që mbeten të shëndetshëm, por në rrezik të sëmundjes në të ardhmen.

    Aktualisht, në shumë vende, obeziteti përkufizohet si të kesh një BMI mbi 30 – një matje që vlerëson yndyrën e trupit bazuar në gjatësinë dhe peshën.

    Qasja në barna për humbje peshe si “Wegovy” dhe “Mounjaro” është shpesh e kufizuar për pacientët e kësaj kategorie.

    Në shumë pjesë të Mbretërisë së Bashkuar, Shërbimi Kombëtar i Shëndetësisë (NHS) kërkon gjithashtu që njerëzit të kenë një gjendje shëndetësore të lidhur me peshën.

    Por BMI-ja nuk zbulon asgjë në lidhje me shëndetin e përgjithshëm të pacientit, thuhet në Raport dhe nuk arrin të bëjë dallimin midis muskujve dhe yndyrës së trupit ose të llogarisë yndyrën më të rrezikshme rreth belit dhe organeve.

    Ekspertët argumentojnë për një model të ri që shikon shenjat e obezitetit që prekin organet në trup, të tilla si: sëmundjet e zemrës, gulçimi, diabeti i tipit 2 ose dhimbjet e kyçeve dhe ndikimin e tyre të dëmshëm në jetën e përditshme.

    Kjo tregon se obeziteti është bërë një sëmundje klinike dhe ka nevojë për trajtim medikamentoz.

    Megjithatë, njerëzve me “obezitet paraklinik”, në vend të ilaçeve dhe kirurgjisë, duhet t’u ofrohen këshilla për humbje peshe, këshillim dhe monitorim për të zvogëluar shanset e zhvillimit të problemeve shëndetësore. Edhe trajtimi mund të jetë i nevojshëm.

    “Trajtimi i panevojshëm”

    “Obeziteti është një rrezik për shëndetin, ndryshimi është se është gjithashtu sëmundje për disa njerëz.” – ka theksuar profesori Rubino.

    Ripërcaktimi i tij është i arsyeshëm, shtoi ai, që të kuptohet niveli i rrezikut në një popullsi të madhe, në vend të “pasqyrës së paqartë të obezitetit”.

    Raporti thotë se gjatësia e belit ose matja e drejtpërdrejtë e yndyrës, së bashku me një histori të detajuar mjekësore, mund të krijojnë pasqyrë shumë më të qartë se BMI-ja.

    Ekspertja e obezitetit të fëmijëve, profesoresha Louise Baur, nga Universiteti i Sidneit, e cila kontribuoi në Raport, ka theksuar se qasja e re do t’i lejojë të rriturit dhe fëmijët me obezitet “të kenë kujdesin më të duhur” – duke reduktuar numrin e mbidiagnostifikuar dhe trajtimin e panevojshëm.

    Në një kohë kur medikamentet që ulin peshën trupore deri në 20% po përshkruhen në shkallë të gjerë, Raporti shkruan se ky “riformulim” i obezitetit “është edhe më i rëndësishëm”, sepse “përmirëson saktësinë e diagnozës”.

    “Financim i kufizuar” 

    Kolegji Mbretëror i Mjekëve ka vlerësuar se Raporti ka vendosur një bazë të fortë “për trajtimin e obezitetit me të njëjtën ashpërsi mjekësore dhe dhembshuri si sëmundjet e tjera kronike”.

    Dallimi midis obezitetit paraklinik dhe atij klinik do të ishte “një hap jetik përpara” dhe “theksoi nevojën për të identifikuar dhe ndërhyrë herët” – duke ofruar kujdesin e duhur për pacientët, shëndeti i të cilëve tashmë është prekur rëndë, vlerëson Kolegji.

    Por, ka shqetësime se presioni mbi buxhetet e Shëndetësisë mund të nënkuptojë më pak para për ata në kategorinë “para-obezë”.

    Profesori Jim Mann, bashkëdrejtor i Qendrës Kërkimore të Diabetit dhe Obezitetit Edgar, në Otago, në Zelandën e Re, ka theksuar se theksi ka të ngjarë të jetë “në nevojat e atyre që përcaktohen si klinikisht të trashë” dhe financimi i kufizuar “ka shumë gjasa” që të përqendrohet për ta.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Pasi Meta hoqi dorë prej verifikuesve të fakteve në mediat sociale do të ketë përmbajtje edhe më të dëmshme: Çfarë t’u thoni fëmijëve tuaj!

    Shumë prindër veçse ishin tepër të shqetësuar për fëmijët e tyre që po u ekspozoheshin informacioneve të rreme dhe përmbajtjeve të dëmshme në mediat sociale, para vendimit të papritur të Meta-s për të hequr dorë prej verifikuesve të saj të fakteve – shkruan Kara Alaimo në një opinion të saj në televizionin amerikan CNN.

    Tani, ka arsye për t’u shqetësuar se gjendja vetëm sa do të përkeqësohet edhe më shumë.

    Të martën, Meta bëri të ditur se po u jepte fund partneriteteve të saj për verifikimin e fakteve në Instagram dhe Facebook në Shtetet e Bashkuara. Në vend të kësaj përdoruesit do të mund të shkruajnë “Community Notes” (Vërejtje Bashkësie) për postimet problematike. Shefi ekzekutiv i Meta-s, Mark Zuckerberg e ka pranuar se si rezultat i kësaj Kompania do të spikatë më pak “gjëra të këqija”, të postuara në platformat e tij.

    Nuk është se të gjitha mediat sociale kalonin nëpër filtra dhe burime të shumta për verifikimin e postimeve të përdoruesve.  Por vendimi i Zuckerbergut e bën edhe më të rëndësishme për fëmijët se çfarë duhet të besojnë dhe çfarë nuk duhet të besojnë në mediat sociale. Prindërit mund të përdorin gjithashtu këtë mundësi për të folur me fëmijët e tyre se çfarë nuk duhet kurrë të shpërndajnë dhe se kurrë nuk duhet të veprojnë me pretendimin se e kanë parë në mediat sociale – pa e verifikuar së pari faktikisht.

    Dhe, ja çfarë duhet t’u mësohet atyre:

    Konfirmojeni nëpërmjet mediave të njohura e jo nëpërmjet influencerëve

    Që ta kuptoni nëse një postim në mediat sociale është i saktë, mediat e njohura tradicionale janë një burim i mirë për fillim. “Konsiderojeni nëse mediume të reja të njohura dhe të besueshme informative po raportojnë të njëjtin lajm.” – ka thënë James P. Steyer, Shef Ekzekutiv i “Common Sense Media” – organizatë joprofitabile e cila ndihmon prindërit dhe mësimdhënësit që t’u rrënjosin fëmijëve shkathtësi të të menduarit. “Nëse nuk e bëjnë, nuk do të thotë se nuk është e vërtetë, por nënkupton se duhet të hulumtoni edhe më shumë”.

    Për ta mësuar si t’i kuptoni mbulimet mediatike, prindërit duhet t’i inkurajojnë fëmijët që “të konsumojnë më shumë, e jo më pak lajme” – ka thënë dr. Jingsi Christina Wu, që ligjëron studimet mediatike në Universitetin Ofstra në Long Island në New York. Këtë mund ta bëni edhe nëpërmjet leximit dhe shikimit të lajmeve informative bashkë dhe pastaj t’i diskutoni. Wu ka thënë se sa më shumë që fëmijët dëgjojnë dhe lexojnë lajme, aq më shumë njohuri kognitive do të kenë për t’i interpretuar lajmet.

    Kur vjen puna te vlerësimi i postimeve, Steyer ka thënë se fëmijët duhet të mësohen të shqyrtojnë se kush e ka prodhuar përmbajtjen, nëse iu duket e vlefshme, çfarë motive mund të kenë pasur postuesit dhe çfarë përfitime mund të kenë, ose mund të lëndohen.

    Në veçanti, Wu thotë se fëmijëve duhet t’u tregohet se “influencerët tuaj më me ndikim nuk janë ekspertë”. Prindërit mund të shpjegojnë se është “në rregull të shikosh Tiktokerët, ose YouTuberët tuaj të preferuar për vlerën e tyre argëtuese ose për përvojat e tyre të veçanta, por ata nuk janë ekspertë me kredenciale për faktet dhe edhe ata kanë pikëpamjet e tyre dashakeqe për botën”.

    Ngjashëm, fëmijët (dhe prindërit) nuk duhet të hamendësojnë se diçka është e vërtetë vetëm pse ka marrë shumë shikime ose pëlqime virtuale. “Viraliteti nuk e barazon të vërtetën.” – ka paralajmëruar Wu. Në të vërtetë, ka thënë ajo “lajmet e rreme udhëtojnë më shumë duke përfituar prej instinkteve njerëzore për ndarjen e storieve jonormale”.

    Kujdes prej gabimeve të thashethemeve, përmbajtjeve emocionale dhe algoritmeve

    Të kërkosh gabime të vogla në gjëra, si gërmëzimi dhe gramatika është një tjetër mënyrë për të spikatur postimet e pabesueshme – ka thënë Wu. Ajo ka sugjeruar gjithashtu që të inkurajohen fëmijët që të shohin detajet në fotografi dhe video për shenja që tregojnë se janë manipuluar. Ta zëmë, një dorë me numër të gabuar gishtash është një shenjë se e ka gjeneruar Inteligjenca Artificiale – ka thënë ajo.

    Fëmijët duhet ta konsiderojnë si flamur të kuq, nëse një përmbajtje provokon emocione të forta te ta – ka thënë Steyer. “Keqinformimi dhe dezinformimi krijohen për të nxitur reagime të forta prej njerëzve”.

    Fëmijët duhet të mësohen të mos konsumojnë përmbajtje të pasaktë ose ekstremiste, sepse algoritmet janë të dizajnuara për të treguar se çfarë ata mendojnë se janë, andaj sa më shumë që shikojnë ose përfshihen me tipa të ngjashëm postimesh, aq më shumë ata do të ekspozohen me përmbajtje të ngjashme.

    Fëmijët duhet ta dijnë se kur konsumojnë përmbajtje, krijuesit shpesh përfitojnë prej shikimeve të tyre – ka thënë Dr. Devorah Heitner, bashkautore e “Growing Up in Public: Coming of Age in a Digital World”. Kjo ndodh për shkak se postimet me më shumë klikime ua lejojnë krijuesve të përfitojnë më shumë para nga reklamat.

    Kur u flas prindërve në Shkolla se si ta trajtojnë përdorimin e mediave sociale me fëmijët e tyre, unë sugjeroj që së bashku të konsumojnë përmbajtje të mediave sociale për tema që u interesojnë fëmijëve të tyre. Për shembull, nëse një fëmijë është i interesuar të bëhet veteriner, ai mund të shikojë video nga kopshtet zoologjike në mbarë botën. Pastaj, edhe kur prindi nuk është i pranishëm, algoritmet ka të ngjarë ta ushqejnë fëmijën me postime të ngjashme.

    Flisni hapur me fëmijët

    Wu ka theksuar se prindërit duhet gjithashtu t’i inkurajojnë fëmijët e tyre që të flasin me ta, kur nuk janë të sigurt se si të gjykojnë nëse përmbajtja është e saktë. Edhe nëse prindërit dyshojnë se është e rreme, nuk është ide e mirë ta thuash këtë menjëherë. “Fëmijët mund të ndihen të gjykuar ose të përjashtuar nëse prindërit thjesht përqeshin gjërat ose i fshijnë të gjitha përmbajtjet në internet si të rreme ose të pabesueshme.” – ka paralajmëruar ajo.

    Në vend të kësaj, Wu sugjeroi që prindërit të bëjnë kërkime me fëmijët e tyre. “Kjo qasje e mban dialogun të hapur dhe gjithashtu zbut stresin e të qenit i gjithëdijshëm në çdo kohë.” – ka theksuar ajo. “Kjo gjithashtu u tregon fëmijëve se të mësuarit nuk ndalet kurrë dhe shkrim-leximi mediatik është një muskul që duhet ushtruar.”

    Falë politikës së re të Meta-s, pres që fëmijët të ekspozohen ndaj përmbajtjeve edhe më të rrezikshme në rrjetet sociale. Por prindërit mund t’i mbrojnë fëmijët duke i mësuar se si të vlerësojnë atë që shohin në internet, me qëllim që të dinë çfarë të besojnë dhe si të shmangin postimet problematike.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

     

  • IKSHPK apelon qytetarët të vaksinohen kundër gripit sezonal

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u bën thirrje qytetarëve të vaksinohen kundër Gripit Sezonal.

    Kjo sepse sipas tyre, javën e fundit janë shënuar një intensitet më i rritur i rasteve të raportuara. E me rritjen e rasteve, rritet edhe fluksi qytetarëve që po kërkojnë ndihmë mjekësore në institucionet shëndetësore.

    Duke qenë që sezoni i gripit zgjat edhe për disa muaj, punëtorët shëndetësorë, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike dhe me imunitet të komprometuar, personat mbi 65 vjeç dhe fëmijët e moshës nga 6 muaj deri në 5 vjeç me indikacione shëndetësore janë grupacionet me prioritet.

    “Gripi sezonal është sëmundje akute infektive e cila te një numër i konsideruar i rasteve shkakton komplikime serioze shëndetësore, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike, ndërsa vaksina kundër gripit është mënyra më e mirë për të reduktuar rrezikun e infektimit dhe përhapjen e virusit”- thuhet në njoftim.

    Tutje, IKSHPK njoftoi se Ministria e Shëndetësisë ka siguruar për këtë sezon të gripit 85 000 doza të vaksinës dhe qytetarët mund të vaksiohen në secilën komunë, në qendrën më të afërt të Mjekësisë familjare.

    “Vaksinimi mbetet mënyra më efikase për parandalimin e virusit të gripit, ndërsa efekti i saj fillon 1 deri 2 javë pas marrjes, ndërsa mbrojtja vazhdon rreth një vit pas vaksinimit”- theksohet në njoftimin e Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

    Poashtu, IKSHPK u bën thirrje qytetarëve që të zbatojnë edhe masa të tjera parandaluese si: mbajtja e higjienës personale, evitimi i kontakteve të afërta me individë të sëmurë, redukimi i vizitave të familjarëve tek personat e hospitalizuar (SHSKUK, Spitalet rajonale), evitimi i vendeve të mbyllura dhe të mbingarkuara me njerë, ushqimin e shëndetshëm me shumë vitamina, aktiviteti fizik dhe gjumë të mjaftueshëm, personat e sëmurë të qëndrojnë në shtëpi, konsultimi me mjekun për mjekimin me barna kundër gripit, të cilat duhet të merren vetëm me rekomandimin e mjekut.

  • Aty ku mrekullitë dinë t’i bëjnë më të vegjlit e QKUK-së

    Çdo zhurmë monitori në kujdesin intensiv të Klinikës së Neonatologjisë bart peshën e shpresës, por edhe të frikës.

    Qindra fëmijë të lindur para kohe trajtohen çdo vit në këtë njësi të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.

    Shpesh me peshë më pak se një kilogram, ata luftojnë për secilën frymë, ndërsa aparaturat përreth tyre, bashkë me stafin e profesionistëve, punojnë pa pushim.

    “Është punë shumë e ndjeshme, por e bëj me kënaqësinë më të madhe dhe pa përtesë”, thotë infermierja Antigona Ejupi, e cila në mjekimin intensiv neonatal punon për më shumë se 25 vjet.

    Në ditën kur Radio Evropa e Lirë bisedoi me të, në pjesën e parë të dhjetorit, ajo kishte nën kujdesin e saj 6-7 fëmijë të lindur para kohe.

    Në mesin e tyre ishte edhe vajza e Kosovare Pacollit nga komuna e Lipjanit.

    E vogla kishte ardhur në jetë në javën e 27-të të shtatzënisë, ndërsa normalisht do të duhej në javën e 39-të apo 40.

    “Kemi qenë të dyja në rrezik. Kam hyrë me urgjencë në operacion. Falë mjekëve, sot jemi më mirë”, thotë Kosovarja për Radion Evropa e Lirë.

    Vetë e shtrirë në Klinikën e Gjinekologjisë, për më shumë se një javë, ajo mundohej që ta vizitonte të bijën në klinikën tjetër, disa metra larg, së paku një herë në ditë.

    Qante vazhdimisht dhe kërkonte të dinte se si është gjendja e së voglës së saj.

    “Mjekët po më thonë se edhe pak kohë dhe do të ma sjellin vajzën atje ku jam unë në Gjinekologji. Jam shumë e kënaqur me kujdesin e mjekëve dhe të infermierëve këtu”, thotë nëna e pesë fëmijëve.

    Shpresë asaj dhe shumë nënave si ajo u jepte rasti i Hyrmete Llullecit nga Ferizaj, foshnja e së cilës kishte qëndruar një muaj në kujdesin intensiv të Neonatologjisë.

    “Nuk e kam besuar se do të më shpëtojë vajza, sepse lindi me një peshë të vogël, por, falë Zotit dhe kujdesit të mjekëve, sot është mirë. Një muaj ka qëndruar në mjekimin intensiv pa mua, e tash jemi bashkë këtu në repartin e Neonatologjisë”, thotë Hyrmetja, nënë e dy fëmijëve.

    Nga janari i vitit 2024 deri në fillim të dhjetorit, në kujdesin intensiv të Klinikës së Neonatologjisë në QKUK janë trajtuar 1.095 foshnja – në mesin e tyre 785 të lindura para kohe.

    Prej këtyre të fundit, 48 kanë lindur në spitalet rajonale të Kosovës dhe në ato private, por që më pas kanë pasur nevojë të trajtohen në Klinikën e Neonatologjisë, thotë për Radion Evropa e Lirë ushtruesi i detyrës së drejtorit të kësaj klinike, Luan Morina.

    “Mbi 50% e punës që bëhet në kliniken tonë, ka të bëjë me lindje të parakohshme. Fatkeqësisht, duhet të them se kemi një rritje të numrit të rasteve ‘premature’, sidomos të këtyre me peshë të vogël”, thotë Morina, por nuk ofron ndonjë shifër specifike se sa apo në cilën periudhë është vërejtur rritja e numrit të rasteve.

    Ai vetëm thotë se foshnjat me peshën më të vogël të trajtuara në mjekimin intensiv neonatal, janë ato nga 500 gramë deri në 999 gramë.

    Gjatë vitit 2024, sipas tij, 61 foshnja kanë lindur mes javës së 22-të dhe 28-të të shtatzënisë dhe prej tyre 57 nuk kanë arritur të mbijetojnë.

    “Është prematuritet i thellë, që, pavarësisht kushteve, kujdesit e gjërave të tjera, është e vështirë të mbijetojnë, sepse bëhet fjalë për një papjekuri totale të foshnjave”, thotë Morina.

    Për infermieren e kujdesit intensiv në Neonatologji, Elvane Ramadani, është një moment tejet i rëndë edhe për stafin, kur bebja nuk mbijeton.

    “Nuk e di se si ta përshkruaj. Por, mundohemi t’u japim shumë forcë prindërve, sidomos nënës, e cila, në njëfarë forme, është më e lidhur me frytin e saj”, thotë Ramadani.

    Vdekshmëria e fëmijëve në Kosovë përmendet si problem serioz edhe në vlerësime të ndryshme ndërkombëtare.

    Raporti i vitit 2023 për progresin e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian ka nxjerrë në pah se 16 në 1.000 fëmijë vdesin para se t’i mbushin 5 vjet, për shkak të sëmundjeve jongjitëse.

    Kjo shifër, sipas raportit, është tri herë më e lartë se mesatarja e BE-së.

    Në raportin e progresit të vitit 2024, ndërkaq, thuhet se “jetëgjatësia në lindje në Kosovë mbetet më e ulëta në rajon dhe shkalla e vdekshmërisë së fëmijëve më e larta në rajon”.

    Por, për dallim nga fundi i viteve ’90, kur shkalla e vdekshmërisë së foshnjave në Kosovë ka arritur në mbi 30 promil – që do të thotë në 1 mijë foshnja të lindura, mbi 30 kanë vdekur – kjo shifër sot është së paku për gjysmë më e vogël, nën 14 promil.

    Stafi shpreh bindjen se në rënien e shkallës së vdekshmërisë, ndër vite, kanë ndikuar: trajtimi me medikamente gjithnjë e më të avancuara, përvoja profesionale dhe edukimi i vazhdueshëm i punonjësve shëndetësorë.

    Për infermieren Antigona Ejupi, një gjë është e sigurt: kujdesi për të porsalindurit është prioritet mbi prioritetet.

    “Edhe kur jam në shtëpi, i thërras kolegët dhe i pyes për rastet – a kanë pasur ndonjë problem, a kanë shtuar peshë… Ne lidhemi shumë me to”, thotë Antigona./ REL

  • Investim 6 milionësh në objektin e QKMF-së në Mitrovicë të Jugut, rruga që të çon aty e papërfunduar – VIDEO

    Projekti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Nexhat Çuni” në Mitrovicë të Jugut i cili u përurua më 06.01.2025 kushtoi plot 6 milionë e 16 mijë e 953 euro.

    Ndonëse Bedri Hamza së bashku me humanistin Halil Kastrati, kryetarin e PDK-së Memli Krasniqi e prenë shiritin për përurimin e kësaj qendreje, hyrja dhe rruga që të çon aty ende nuk janë gati.

    KALLXO.com ju sjell pamje të infrastrukturës së dobët që dukej, para se pacientët të mbërrijnë tek  objekti i përuruar të hënën më 06.01.2025.

    Fjalën hyrëse e kishte drejtori i Shëndetësisë së Komunën e Mitrovicës së Jugut, Fahri Shabani, i cili shpjegoi se para ndërtimit të këtij objekti, kjo QKMF ka funksionuar në një ndërtesë të stërvjetëruar me kushte shumë të papërshtatshme të punës dhe me vështirësi të madhe të qasjes për pacientë.

    Sipas tij, objekti i vjetër kishte hapësira të ngushta dhe të pamjaftueshme për nevojat e QKMF-së sepse në të njëjtën ndërtesë funksiononin edhe ambulancat specialistike të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës. Tutje ai potencoi se çka do të ofrojë tashmë QKMF-ja e re.

    “QKMF-ja e re është ndërtësë moderne me 8500 metra kator. Ka bodrumin, e cila ofron kushte shumë të mira të punës, hapësira të mjatueshme dhe qasje shumë të lehtë për pacientët. Këtu do të ofrohen shërbimet e shëndetësisë primare pra mjekësisë familjare, stomatologjisë, urgjencës, laboratorit të analizave, vaksinimit, shërbimet radiologjike pëfshirë mamografinë, barnatoren qëndrore, depon e barnave, këshillimore për sëmundjet kronike, hapësirat për aktivitetet e edukimit shëndetësorë, hapësira të mjaftueshme për aktivitete arsimore dhe edukative të nxënësve, studentëve dhe specializantëve. Do të kenë biblotekën, arkivën, sallat për trajnime e hapësirat për pushim”- tha Shabani.

    Sipas drejtorit, vlera totale e investimit për ndërtimin e kësaj qendreje shëndetësore, përfshirë rregullimin e oborrit është 6 milionë e 16 mijë e 953 euro. Teksa shtoi se 80% e shumës është donacion i shoqatës “Jetimat e Ballkanit” sipas tij “një dhuratë kjo për qytetin e Mitrovicës”.

    Ndërsa humanisti nga shoqata “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati kishte një këshillë për stafin e pacientët.

    “Uroj të ketë sa më pak pacientë. Ju lutem mirëmbajeni si shtëpinë tuaj. Uroj që të keni jetë e shëndet, të tilla projekte të mëdha me i realizu për Kosovën tonë të dashur. Mitrovicë e gëzofshi!”- tha Kastrati.

    Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza tha se ky projekt u realizua falë fushatës “Jetimat e Ballkanit” duke e cilësuar si simbol të transfromimit të kujdesit parësor shëndetësor.

    “Qendër moderne e pajisur me aparatet e nevojshme që të vijnë në shprehje te dëshira juaj për të ofruar shërbimet më të mira për qytetarët. Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Mitrovicë nuk është vetëm një objekt i thjeshtë, ai është simbol i transfromimit të kujdesit parësor shëndetësor në Kosovë dhe i përmbushjes të premtimeve që u japim qytetarëve tanë”- tha kryetari.

    “Punësuam mbi 100 profesionistë të rinj për t’i fuqizuar ekipet shëndetësore në shëndetin parësor. Ndërtuam katër qendra familjare të reja. Në Iliridë, Koshtovë, Frashër e Stan Tërg. Renovuam nëntë qendra mjekësore në zonat urbane dhe rurale. Kemi rritur buxhetin për subvencione të shpenzimeve për barna dhe trajtime mjekësore duke ndihmuar mbi 2700 qytetarë me një fond prej 300 mijë eurosh”- përfundoi Hamza.

     

    Përurimi i QKMF-së “Nexhat Çuni” në Mitrovicë, 06.01.2024
    Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

     

    Përurimi i QKMF-së “Nexhat Çuni” në Mitrovicë, 06.01.2024
    Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

     

    Përurimi i QKMF-së “Nexhat Çuni” në Mitrovicë, 06.01.2024
    Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com