Ballina

Kategori: Rajon

  • Gjuriq: Serbia mund të jetë nikoqire e takimit eventual mes Trumpit e Putinit

    Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq tha se Serbia është e gatshme të mirëpresë një takim të mundshëm midis presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

    “Serbia mund të luajë një rol të rëndësishëm si mikpritëse. Presidenti [Aleksandër] Vuçiq ka ndërtuar një reputacion ndërkombëtar, që na mundëson të jemi vend i takimeve të tilla.” – tha Gjuriq për Radio Televizionin e Serbisë.

    Media të ndryshme ndërkombëtare janë duke raportuar ditëve të fundit për mundësinë e një takimi të tillë, derisa Trump – i cili është zotuar se do ta përfundojë shpejt luftën e Rusisë në Ukrainë – pritet ta marrë zyrtarisht detyrën, më 20 janar.

    Kremlini tha të hënën se nuk ka ende ndonjë përgatitje specifike për këtë takim, ndërsa një këshilltar i Trumpit tha se dy udhëheqësit pritet të bisedojnë përmes telefonit në ditët ose javët në vazhdim – raporton Reuters.

    Duke folur për RTS-në, Gjuriq tha se Beogradi mund të bëhet me sukses vend i takimit.

    “Besoj se mund ta japim kontributin tonë dhe të luajmë një rol të vogël, por jo krejtësisht të parëndësishëm dhe t’ua ofrojmë një gjë të tillë partnerëve tanë.” – tha Gjuriq.

    Për gatishmërinë e Serbisë për t’u bërë nikoqire e mundshme e Trumpit dhe Putinit foli një ditë më herët edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    Serbia, aleate e Rusisë, është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

    Javën e kaluar, industria e saj e naftës, NIS e cila në masë të madhe është nën pronësinë e një kompanie ruse, është sanksionuar nga SHBA-ja.

    Por, Gjuriq tha se Serbia i ka marrë të gjitha masat për t’i shmangur trazirat në treg.

    Ai tha, gjithashtu, se Serbia do të nisë Dialogun Strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

    “Kjo është e një rëndësie të jashtëzakonshme për pozicionin ndërkombëtar të Serbisë. Partneriteti e bën të rregullt shkëmbimin ndërmjet institucioneve tona dhe kontribuon në zhvillimin e marrëdhënieve në fushën e ekonomisë, teknologjisë së re, kulturës dhe arsimit, me një numër më të madh të bursave.” – tha Gjuriq.

    Për Zgjedhjet në Kosovë

    Kryediplomati serb foli edhe për Zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Kosovë më 9 shkurt.

    “Është e rëndësishme që populli ynë të mbetet unik dhe që Lista Serbe të marrë pjesë në Zgjedhje, për të treguar se nuk po tërhiqemi.” – tha Gjuriq.

    “Unë vërtet dua që serbët të dalin në Zgjedhje, t’i tregojmë [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti, se nuk dorëzohemi, se nuk largohemi nga institucionet dhe se serbët dhe Serbia nuk tërhiqen.” – shtoi ai.

    Lista Serbe është formuar në vitin 2013 me mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe që atëherë është e vetmja parti që ka mbështetjen e Serbisë për pjesëmarrje në institucionet e Kosovës.

    Përveç Listës Serbe, në garë për dhjetë ulëset e garantuara për serbë në Kuvendin e Kosovës janë edhe pesë subjekte të tjera politike që përfaqësojnë komunitetin serb: Lëvizja Popullore Serbe, Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë; Partia e Serbëve të Kosovës, Demokracia Serbe dhe Nisma Qytetare Drejtësia Popullore./REL

  • Millanoviq rizgjidhet President i Kroacisë – sipas rezultateve fillestare

    Zoran Millanoviq e ka fituar mandatin e dytë si president i Kroacisë të dielën – sipas rezultateve të para pas numërimit të 98.65% të votave.

    Millanoviq, nga partia opozitare Partia Social-Demokrate (SDP), është në rrugën e duhur për t’i fituar 74.58% të votave – sipas numërimit të votave nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Kroacisë.

    Kundërshtari i tij në balotazhin e së dielës, Dragan Primorac, nga partia në pushtet Unioni Demokratik i Kroacisë (HDZ), i ka fituar 25.42% të votave.

    Dalja në Zgjedhjet presidenciale në Kroaci – vendin anëtar të NATO-s dhe Bashkimit Evropian – ishte 44.15% – sipas të dhënave fillestare.

    “Kroaci, faleminderit.” – tha Millanoviq para gazetarëve.

    “Kjo është një ditë e madhe për mua personalisht. Këtë fitore e shoh si njohje për punën time, një lloj besimi i popullit në mua.” – tha ai.

    Roli i Presidentit në Kroaci është kryesisht ceremonial.

    Kreu i shtetit nuk mund të vërë veto ndaj ligjeve, megjithëse ka fjalën e tij në politikat e jashtme dhe në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes.

    Gjatë mandatit të tij, Millanoviq – një ish-kryeministër populist – e ka kundërshtuar kryeministrin Andrej Plenkoviq, në lidhje me politikat e jashtme dhe publike.

    Kush është Zoran Millanoviq?

    I parë shpesh si gjaknxehtë dhe arrogant, Zoran Millanoviq viteve të fundit ka përdorur gjithnjë e më shumë retorikë populiste dhe shpesh fyese, për të kritikuar Bashkimin Evropian dhe zyrtarët lokalë.

    I diplomuar në Drejtësi, ai ka qenë një nga figurat më dominuese në politikën e Kroacisë për gati dy dekada.

    Një person kalon me biçikletë pranë bilbordeve të kandidatëve për President në Kroaci. Zagreb, 26 dhjetor 2024.

    Si diplomat karriere në Ministrinë e Jashtme gjatë luftës së Kroacisë për pavarësi në vitet 1990, ai më vonë ka shërbyer edhe në misionin e Zagrebit në BE dhe në NATO, në Bruksel.

    Ai ka hyrë në politikë në vitin 1999, duke iu bashkuar Partisë Social-Demokrate (SDP) – dikur parti komuniste – dhe është bërë lider në vitin 2007.

    Millanoviq ka shërbyer si Kryeministër nga viti 2011 deri më 2016.

    Por Qeveria e tij, e cila ka mbikëqyrur anëtarësimin e Kroacisë në BE në vitin 2013, ka dështuar t’i zbatojë reformat shumë të nevojshme – duke shkaktuar ngecje ekonomike.

    Pas humbjes së SDP-së në Zgjedhje, Millanoviq është larguar nga udhëheqja e saj në vitin 2016 dhe është tërhequr nga politika për të punuar si konsulent.

    Tri vjet më vonë, ai është rikthyer si kandidat i kësaj partie për President.

    Gjatë fushatës presidenciale, Millanoviq, 58 vjeç, i cili është marrë me boks në të 20-at e tij, ka arritur ta mbajë kryesisht nën kontroll temperamentin e tij shpërthyes.

    Ai është zotuar se do të jetë një mburojë kundër dominimit të plotë të partisë konservatore, HDZ, e cila udhëhiqet nga rivali i tij prej kohësh, kryeministri Andrej Pllenkoviq.

    Kjo parti ka qenë në pushtet që nga viti 2016.

    “Kroacia nuk do të jetë një vend, në të cilin një njeri vendos për gjithçka.” – ka shkruar ai në Facebook, duke iu referuar Pllenkoviqit.

    Millanoviq është i martuar dhe ka dy djem./REL

  • Bora në malin e Tomorit, Policia ndihmon familjen që mbeti e bllokuar në rrugë – Pamje

    Shërbimet e Qarkullimit Rrugor në Shqipëri kanë arritur t’i dalin në ndihmë një familje, e cila kishte mbetur e bllokuar në rrugën për në malin e Tomorit.

    Për shkak të reshjeve të dendura të borës, vetura me të cilën lëvizte familja 5-anëtarëshe kishte mbetur në rrugë.

    “Familja nga Berati, kishte udhëtuar drejt malit të Tomorit dhe në kthim për shkak të reshjeve të dendura të dëborës, automjeti i tyre kishte xhiruar dhe për pasojë kishte pësuar dëmtime në goma – duke e bërë të pamundur lëvizjen drejt qytetit të Beratit.” – thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

    Shërbimet e Qarkullimit Rrugor i transportuan me automjetin e tyre deri në banesë shtetasit, që ndodheshin në veturën e bllokuar.

    Shërbimet e Qarkullimit Rrugor kanë apeluar për të gjithë drejtuesit e mjeteve nëse udhëtojnë drejt malit të Tomorit, të përdorin zinxhira dhe goma dimërore, të përshtasin shpejtësinë, të mos kryejnë parakalime të gabuara dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore.

    Ata kanë bërë të ditur se borëpastrueset po vijojnë punën në këtë aks rrugor për pastrimin e rrugës.

     

     

     

  • Studentë serbë protestojnë në rrugët e Beogradit

    Dhjetëra-mijëra protestues kundër Qeverisë mbushën rrugët e Beogradit të dielën, duke ndezur dritat e telefonave celularë dhe mbajtur 15 minuta heshtje në nderim të viktimave nga shembja e çatisë së një Stacioni treni – aksident për të cilin i fajësojnë autoritetet.

    Protesta u organizua dhe u drejtua nga studentët e Universitetit shtetëror të Kryeqytetit serb, të cilët kërkojnë daljen përpara Drejtësisë të personave përgjegjës për aksidentin.

    Ata fajësojnë Partinë Progresiste Serbe (SNS) në pushtet të presidentit Aleksandër Vuçiç për korrupsion dhe nepotizëm. Presidenti serb dhe partia e tij i kanë mohuar akuzat.

    Studentët e Universitetit shtetëror në Beograd, Kragujevc dhe Nish kanë pezulluar mësimet për javë të tëra, duke kërkuar publikimin e të gjitha dokumenteve që lidhen me rinovimin e Stacionit të shembur, si dhe ndjekjen penale të zyrtarëve përgjegjës për fatkeqësinë.

    Çdo ditë përpara Fakulteteve të tyre studentët bllokojnë trafikun për 15 minuta, për të përkujtuar 15 viktimat.

    Tenda prej betoni e çatisë së Stacionit të trenit, e rinovuar kohët e fundit, u shemb më 1 nëntor – duke u marrë jetën 14 individëve dhe plagosur tre të tjerë. Një i plagosur humbi jetën më vonë.

    Udhëheqësit e opozitës dhe qytetarët serbë kanë zhvilluar protesta të vazhdueshme – duke thënë se aksidenti ishte rezultat i korrupsionit dhe nepotizmit qeveritar.

    Qeveria e koalicionit i mohon akuzat, ndërsa Presidenti Vuçiq ka thënë se individët përgjegjës duhet të japin llogari.

    “Kemi vite që jemi të pakënaqur. Jemi këtu për të shprehur revoltën tonë ndaj autoriteteve dhe për të mbështetur studentët.” – tha protestuesja Tamara Kovaçeviç./VOA

  • Veriu i Shqipërisë përfshihet nga temperaturat e ulëta dhe reshjet e borës

    Temperaturat e ulëta dhe reshjet e borës kanë përfshirë gjatë ditës së sotme të gjithë zonën malore në veri të Shqipërisë, duke krijuar probleme në qarkullimin rrugor, por edhe në jetesën e mijëra banorëve.

    Autoritetet njoftuan se, për shkak të reshjeve të dendura të borës, është ndërprerë qarkullimi në disa prej akseve të rëndësishme rrugore si aksi rrugor Fushë Arrëz-Iballë, aksi rrugor “Bypass-Qafë Murrizë” në Dibër dhe aksi rrugor Kir- Shosh në Bashkinë e Shkodrës. Të bllokuara mbeten edhe një numër i madh i rrugëve rurale në Bashkitë: Shkodër, Pukë, Fushë-Arrëz, Kukës dhe Dibër.

    Gjatë paradites së sotme, më 12.01.2025, ka patur vështirësi në qarkullimin e automjeteve përgjatë Rrugës së Kombit, në segmentin nga Tuneli i Kalimashit deri në pikëkalimin kufitar të Morinës.

    10 borëpastruese, të firmave kontraktore, punojnë pa ndërprerje në këtë segment të rëndësishëm rrugor, që lidh Shqipërinë me Kosovën, në përpjekje për të shmangur bllokimin dhe lehtësuar lëvizjen e automjeteve dhe udhëtarëve. Borëpastrueset po punojnë edhe në akset e tjera rrugore, si atë Bogë-Theth dhe në Vermosh të Malësisë së Madhe.

    Për shkak të kushteve të rënduara atmosferike dhe rreziqeve te mundshme, Policia ka shtuar praninë e efektivëve të Policisë rrugore dhe patrullave të përgjithshme në segmentet më problematike – me qëllim monitorimin e qarkullimit të automjeteve, parandalimin e aksidenteve dhe ndihmën për përdoruesit e rrugës në nevojë.

    Temperaturat e ulëta, era e fortë dhe reshjet e dëborës kanë krijuar probleme edhe në furnizimin me energji elektrike. Thuajse të gjitha Bashkitë e zonës veriore raportuan gjatë ditës së sotme ndërprerje të energjisë. OSHEE njoftoi se grupet e saj të specialistëve ndodhen në terren për riparimin e defekteve, por vazhdimi i reshjeve të dëborës dhe stuhitë e erës e kanë vështirësuar së tepërmi punën për riparimin e shpejtë të linjave të dëmtuara të energjisë.

    Zona malore në veri të Shqipërisë përballet, thuajse çdo vit, me vështirësitë e shkaktuara nga moti gjatë periudhës së dimrit. Terreni malor, bllokimi i herëpashershëm i rrugëve që lidhin fshatrat me rrugët kombëtare, shoqëruar me nivelin e lartë të varfërisë dhe investimet e pakta, në krahasim me pjesën tjetër të vendit, vazhdojnë të nxisin largimin e banorëve, sidomos të rinjve, drejt zonave të ulëta të vendit dhe emigrimit.

    Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, përgjatë periudhës 2011-2023, Qarku i Shkodrës ka pësuar një rënie të popullsisë me 28.3%, ndërsa Qarku i Kukësit me 27.3% – duke regjistruar kështu rënien më të madhe të popullsisë përgjatë 12 vjetëve të fundit./VOA