Ballina

Kategori: Rajon

  • Vuçiq fal 13 protestues, përfshirë studentë e profesorë

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka marrë 13 vendime për falje, duke përfshirë studentë, profesorë dhe qytetarë të tjerë kundër të cilëve janë zhvilluar procedura penale pas pjesëmarrjes së tyre në protestat e fundit.

    Ky veprim vjen dy ditë pasi Vuçiq njoftoi se do të falte individët e përfshirë në procedura penale pas pjesëmarrjes në protestat që pasuan shembjen fatale të strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona.

    Në një deklaratë të lëshuar nga zyra e presidentit, thuhet se faljet janë dhënë për të gjithë ata që janë arrestuar dhe akuzuar për pjesëmarrje në protestat që kanë ndodhur në Beograd, Novi Sad dhe qytete të tjera në Serbi.

    Faljet përfshijnë individë të akuzuar për shkelje të rendit publik dhe paqes, si dhe për dëmtim të pronës publike dhe private gjatë protestave.

    Sipas njoftimit nga Presidenca, janë falur gjashtë studentë: D. B. nga Novi Sadi, M. M. nga Novi Sadi, M. K. nga Novi Sadi, I. B. nga Pozhega, R. S. nga Sremska Kamenica dhe M. S. nga Zhabali.

    Vuçiq gjithashtu ka falur një dekan – N. J. nga Nishi, dhe R. J. nga Novi Sadi.

    Gjithashtu, janë falur katër drejtorë shkollash: B. M. nga Shabaci, M. E. nga Bogatiqi, M. I. nga Shabaci, S. M. J. nga Shabaci, si dhe një punëtor ndihmës në shkollë, V. M. nga Prokuplja.

    Vendimet për falje janë dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë për procedurat e mëtejshme, thuhet në njoftimin e 29 janarit.

    Valët e protestave, të cilat kanë nxjerrë në rrugë dhjetëra mijëra qytetarë, u nxitën nga shembja e strehës së rinovuar të Stacionit Hekurudhor më 1 nëntor, ku humbën jetën 15 persona dhe dy të tjerë u plagosën rëndë.

    Studentët në bllokadë kanë kërkuar nga autoritetet publikimin e dokumentacionit të plotë mbi rinovimin e stacionit, për të përcaktuar përgjegjësinë penale për aksidentin.

    Ata gjithashtu kërkojnë ndjekjen penale të të gjithë sulmuesve ndaj studentëve dhe profesorëve gjatë protestave pas aksidentit në Novi Sad.

    Presidenti i Serbisë deklaroi më 27 janar se të gjitha kërkesat e studentëve janë përmbushur, derisa studentët po vazhdojnë protestat.

    Kryeministri i Serbisë, Miloš Vuçeviq, dha dorëheqjen më 28 janar, pas sulmit ndaj një grupi studentësh përpara zyrave të Partisë Progresive Serbe në pushtet, dhe të njëjtën ditë dha dorëheqjen edhe kryetari i Novi Sadit, Milan Đurić./ REL

  • Vuçiq i hapur edhe për qeveri të re, edhe për zgjedhje të reja

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të martën se do t’i nisë menjëherë konsultimet me partitë politike për të biseduar nëse do të formohet një qeveri e re brenda 30 ditësh – siç e parasheh ligji – apo do të shpallen zgjedhjet e reja, pas dorëheqjes së Millosh Vuçeviqit nga pozita e kryeministrit të vendit.

    “Jam i hapur për të dyja opsionet. Mund të kemi zgjedhje pas 75 ditësh, muaji prill është më i mundshmi. Nuk do të ketë qeveri të përkohshme”, ka thënë ai, duke shtuar se detyra kryesore e autoriteteve tani është ruajtja e stabilitetit.

    “Si president i shtetit, unë duhet të propozoj mandatarin për të cilin bindem se ka shumicën në Kuvend. Do t’i filloj konsultimet. Në mendje kam pasur tre ose katër emra, por nuk jam i sigurt që nuk do të shkojmë në zgjedhje. Vetëm pas 10 ditësh, kur t’ju them nëse do të shkojmë në zgjedhje, apo do të zgjedhim Qeverinë e re, do të mund të flas për mandatarin për kryeministër.”

    Presidenti serb ka thënë se ka e pasur shumë të vështirë që të pranojë dorëheqjen e Vuçeviqit.

    “Ai e bënte mirë punën e tij”, ka thënë Vuçiq në një adresim para kombit.

    Millosh Vuçeviq ka dhënë dorëheqje më herët gjatë ditës së martë, në valë e sipër të protestave për incidentin në Novi Sad, në nëntor të vitit të kaluar, ku si pasojë e shembjes së një pllake të madhe betoni janë vrarë 15 persona.

    Dorëheqje ka dhënë edhe kryetari i Novi Sadit, Millan Gjuriq.

    Për më shumë se dy muaj në Serbi, mijëra studentë dhe qytetarë të tjerë kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë e ndodhur në qytetin serb.

    Edhe pas vendimit të Vuçeviqit për dorëheqje, përfaqësuesit e studentëve në Serbi kanë thënë se kërkesat e tyre nuk janë plotësuar dhe kanë paralajmëruar protesta të reja.

    Vuçiq, në anën tjetër, ka përsëritur se të gjitha kërkesat e studentëve janë përmbushur.

    Sipas tij, protestat dhe bllokadat i kanë shkaktuar dëm të madh ekonomisë së Serbisë dhe sektorit të investimeve, dhe njësoj sikurse Vuçeviq ka pretenduar se organizimi është bërë sipas “urdhrit nga jashtë”, por pa përmendur dikë në mënyrë specifike.

    Në natën mes 27 dhe 28 janarit, protestuesit janë përkrahur nga bujqit, të cilët kanë bllokuar me traktorët e tyre rrugë kryesore të kryeqytetit serb, Beogradit. Me kalimin e kohës, zemërimi për vdekjet në Novi Sad është zgjeruar me kërkesa tjera.

    Protestuesit kanë thënë se nuk janë të interesuar në politikë dhe nuk i shohin dorëheqjet si problemin kryesor. Ata insistojnë që institucionet serbe të punojnë siç duhet.

    “Ne do të dëshironim të jetonim në një shtet ku çdo institucion mund të bëjë punën e vet në mënyrë të pavarur, pa korrupsion apo presion të jashtëm”, ka thënë studentja universitare, Jana Llomiq në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

    Lëvizja e studentëve nuk ka liderë. Ata i marrin vendimet me shumicë votash./REL

  • Kryeministri i Serbisë jep dorëheqje

    Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq njoftoi të martën se jep dorëheqje nga posti.

    Dorëheqja vjen pas valës së protestave që kanë përfshirë Serbinë për më shumë se dy muaj – raporton Radio Evropa e Lirë.

    Mijëra studentë dhe qytetarë të tjerë kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë në qytetin e Novi Sadit, ku më 1 nëntor të vitit të kaluar 15 persona humbën jetën nga shembja e strehës në Stacionin hekurudhor.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq tha një ditë më herët se të gjitha kërkesat e tyre janë plotësuar.

    Gjatë atij fjalimi ai kërkoi edhe ristrukturimin e Qeverisë së Serbisë, në krye të së cilës Vuçeviq ishte nga maji i vitit 2024.

    Çka tash?

    Neni 132 i Kushtetutës së Serbisë thotë se Kryeministri e paraqet dorëheqjen te Kryetari i Kuvendit dhe e njofton njëkohësisht Presidentin e Republikës dhe publikun për vendimin e tij.

    Kuvendi, në seancën e parë të radhës, konstaton dorëheqjen e Kryeministrit.

    Mandati i Qeverisë përfundon në ditën e konfirmimit të dorëheqjes së kryeministrit.

    Pasi që Kuvendi ta konfirmojë dorëheqjen e Kryeministrit, Presidenti i Republikës është i detyruar të fillojë procedurën për zgjedhjen e Qeverisë së re.

    Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Qeverinë e re brenda 30 ditëve nga data e dorëheqjes së Kryeministrit, Presidenti i Republikës është i detyruar të shpërndajë Kuvendin dhe të shpallë Zgjedhjet e reja.

    Kërkesat e studentëve

    Kërkesat e studentëve për ndalimin e bllokadave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin e 1 nëntorit 2024.

    Ata kërkojnë gjithashtu që sulmuesit e demonstruesve nëpër Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale.

    Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për Universitetet./REL

  • Italia dërgon në Shqipëri 49 emigrantë

    Një anije e marinës italiane ka arritur më 28 janar në Shqipëri me 49 emigrantë në bord, të cilët u shpëtuan në ujërat ndërkombëtare.

    Në Shqipëri atyre do t’iu procedohen aplikimet për azil dhe më pas ata do të dërgohen në Qendrën në Gjadër.

    Kjo është përpjekja e tretë për strehimin e emigrantëve në Shqipëri, pasi paraprakisht Gjykatat italiane kishin ndaluar një gjë të tillë.

    Ministria e Brendshme italiane nuk ka specifikuar nacionalitetin e emigrantëve të cilët u dërguan në Portin e Shëngjinit, por mediat në Itali kanë raportuar se bëhet fjalë për persona nga Bangladeshi, Egjipti, Bregu i Fildishtë dhe Gambia.

    Përpjekja për procesimin në Shqipëri vjen pas dy përpjekjesh të dështuara tetorin dhe nëntorin e kaluar, kur gjykatësit italianë refuzuan të miratonin Urdhra për ndalimin e dy grupeve të vogla emigrantësh në Qendrat e ngritura në Shqipëri, sipas një Marrëveshjeje mes Italisë dhe Shqipërisë. Gjykatat vendosën se vendet e origjinës së emigrantëve nuk ishin të sigurta për ta, nëse aplikimet për azil do t’iu refuzoheshin dhe emigrantët do të ktheheshin në shtetet e tyre.

    Rastet janë dërguar në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, e cila më herët ka vendosur se azilkërkuesit nuk mund t’iu nënshtrohen procedurave të përshpejtuara që mund të çojnë në riatdhesim – nëse shtetet e tyre të origjinës nuk vlerësohet se janë plotësisht të sigurta.

    Seanca dëgjimore për këtë rast në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë është caktuar për 25 shkurt.

    Qeveria e kryeministres italiane Giorgia Meloni është zotuar se do të rihapë dy Qendrat për Emigrantë në Shqipëri, pasi ato mbeten bosh pas Vendimeve të Gjykatave italiane.

    Qëndrimi i Melonit është mbështetur pjesërisht nga një Vendim i Gjykatës së Lartë të Italisë në dhjetor, në të cilin gjykatësit italianë thanë se nuk mund të zëvendësojnë politikat e Qeverisë sa i përket Vendimit se cilat shtete janë të sigurta për riatdhesimin e emigrantëve, të cilëve u është refuzuar Kërkesa për azil.

    Ky Vendim lejon që Gjykatat e niveleve më të ulëta të bëjnë përcaktime të tilla, në bazë të shqyrtimeve të rasteve individuale, pa vendosur për politikën e përgjithshme.

    Emigrantët priten të regjistrohen në Qendrën e pritjes në Portin e Shëngjinit dhe më pas të dërgohen në Qendrën e Strehimit në Gjadër.

    Marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët, e arritur në nëntor të vitit 2023, lejon që deri në 3.000 emigrantë të kapur nga rojet bregdetare italiane në ujërat ndërkombëtare çdo muaj të strehohen në Shqipëri, ku do t’iu nënshtrohen procesit të verifikimit për marrjen e mundshme të azilit në Itali.

    Marrëveshja pesëvjeçare është thënë se do t’i kushtojë Italisë 160 milionë euro në vit.

    Sipas Marrëveshjes, procedurat për emigrantët do të kryhen në dy Qendra.

    Qendra e parë në Shëngjin do të përdoret për procedura të identifikimit të emigrantëve, ndërsa Qendra e dytë në Gjadër, rreth 20 kilometra larg Portit, do të shërbejë për strehim të tyre derisa të procesohen Kërkesat për azil.

    Qendrat do të funksionojnë sipas Ligjit italian, me staf italian të sigurisë, ndërsa gjyqtarët do t’i mbajnë seancat përmes video-lidhjes nga Roma.

    Emigrantët të cilët fitojnë azil do të mirëpriten në Itali, ndërkaq atyre që iu refuzohet Kërkesa për azil, sipas Marrëveshjes, do të riatdhesohen drejtpërdrejt nga Shqipëria.

    Aktivistët për të drejtat e njeriut kanë kritikuar Marrëveshjen – duke thënë se krijon një precedent të rrezikshëm.

    Deri më tani gjatë këtij viti 3.704 emigrantë kanë arritur në Itali, apo dyfish më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur ishin 1.305 imigrantë.

    Vitin e kaluar 66.317 imigrantë arritën në Itali, apo 58% më pak se viti paraprak. Shumica e emigrantëve ishin nga Bangladeshi, Siria, Tunizia dhe Egjipti – sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme italiane./REL

  • Vuçiq thotë se janë plotësuar të gjitha kërkesat e studentëve dhe zotohet për falje

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka pretenduar se janë plotësuar të gjitha kërkesat e studentëve, nisur nga publikimi i gjithë dokumentacionit rreth rindërtimit të stacionit hekurudhor në Novi Sad, e deri te falja e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave.

    Në një adresim publik më 27 janar, ai ka thënë se do të publikohen edhe dokumentet tjera, dhe kështu shteti do të ofrojë “gjithçka që ka”.

    “Nuk ka më dokumentacion që ka të bëjë me rindërtimin e stacionit hekurudhor”, ka thënë Vuçiq.

    Ai, gjithashtu, ka thënë se është i gatshëm të nënshkruajë faljen e të gjithë studentëve dhe profesorëve, ndaj të cilëve janë nisur procedura penale, pas arrestimit të tyre në protesta.

    Protestat kanë nisur pas shembjes së një cope të madhe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor, duke lënë të vrarë 15 persona dhe duke plagosur rëndë dy të tjerë.

    Duke folur për kërkesat e studentëve për ndjekjen penale të përgjegjësve për sulmet ndaj studentëve, profesorëve dhe qytetarëve tjerë në marshe dhe protesta, Vuçiq ka thënë se janë iniciuar raste kundër 37 individëve.

    Sa i përket përfshirjes së zyrtarëve qeveritarë në sulme, Vuçiq ka thënë se “ekziston vetëm një rast në Beogradin e ri” dhe që beson se “tashmë është zgjidhur”.

    Kur ka folur për kërkesën për rritje të buxhetit për 20 për qind për edukimin e lartë, presidenti serb ka thënë se studentët e kanë ndryshuar kërkesën për të përfshirë rritje të pagave të profesorëve dhe zvogëlim për 50 për qind të tarifave studentore, dhe që shteti tashmë ka vendosur të plotësojë edhe këtë kusht.

    Sipas tij, kjo do t’i kushtojë shtetit rreth 73 miliardë dinarë.

    “Pyetja është nëse të gjitha këto që kemi përmbushur do të jenë mjaftueshëm që dikush të thotë se ‘të gjitha kërkesat janë përmbushur’. Nuk jam i sigurt, por shpresoj të jetë ashtu. Por, jam i sigurt që kjo do të nisë një dialog në shoqëri, dhe që dikush prej rektorëve dhe dekanëve, dhe të gjithë të tjerët të nisin të flasin, të niset dialogu dhe kështu të nisë shërimi i shoqërisë sonë”, ka thënë Vuçiq.

    Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka thënë në konferencë të përbashkët me Vuçiqin se i ka ftuar të gjithë rektorët, dekanët, profesorët dhe studentët e universiteteve dhe fakulteteve në Serbi që të shkojnë në Qeveri dhe të diskutojnë për kërkesat e studentëve, që sipas tij, janë plotësuar në tërësi.

    Vuçiq ka thënë të hënën se do t’i dërgojë një kërkesë Qeverisë serbe “për ristrukturimin më urgjent dhe më masiv të mundshëm”.

    “Sepse në këto kohë të vështira politike, është bërë e qartë se kush është i gatshëm të punojë dhe të luftojë, kush jo, dhe duke pasur këtë parasysh, pres që më shumë se 50 për qind e ministrave të shkarkohen dhe zëvendësohen në një ristrukturim shumë, shumë urgjent”, ka thënë Vuçiq më 27 janar.

    Ai ka thënë se në tre muajt e fundit, pas aksidentit në stacionin hekurudhor në Novi Sad – në të cilin kanë vdekur 15 persona – është krijuar një atmosferë që nuk është në të mirë të askujt.

    “Në këta tre muaj, ne kemi dëgjuar shumë akuza kundër trupave shtetërore, thirrje për përmbysje të shtetit, kemi dëgjuar deklarata shumë të papërgjegjshme, jo vetëm nga opozita, por edhe nga ne në pushtet”, ka thënë ai.

    Presidenti serb ka thënë se ka biseduar me përfaqësues qeveritarë dhe që ata “kanë deklaruar se kanë dëshirë të dëgjojnë palën tjetër” [studentët që po protestojnë] dhe që dëshirojnë dialog dhe bisedë.

    Studentët vazhdojnë bllokadën 24-orëshe

    Vuçiq, kryeministri serb, Millosh Vuçeviq dhe kryetarja e parlamentit Ana Bërnabiq, i janë adresuar publikut në ditën kur studentët kanë organizuar bllokadë 24-orëshe në njërën prej pikave kryesore të trafikut në Beograd.

    Bllokada 24-orëshe është organizuar tri ditë pasi mijëra njerëz i janë bashkuar thirrjes për grevë të përgjithshme.

    Studentët, që janë bllokuar punën e më shumë se 60 fakulteteve për më shumë se dy muaj, janë duke kërkuar përgjegjësi penale dhe politike për 15 vdekjet e shkaktuara nga incidenti në Novi Sad.

    Përfaqësuesit qeveritarë kanë thënë paraprakisht se të gjitha kërkesat e studentëve janë plotësuar.

    Akademikët, në anën tjetër, kanë thënë se kërkesat e tyre janë plotësuar pjesërisht dhe që pezullimi i punës do të vazhdojë deri në njoftimin e radhës.

    Më shumë se 5.000 profesorë universitarë në Serbi kanë mbështetur bllokadën e studentëve.

    Përmes një peticioni ata dënojnë tentimet e Qeverisë për t’i frikësuar studentët – duke i bërë publike të dhënat e tyre personale, apo edhe duke dërguar agjentë të agjencive qeveritare në shtëpitë e tyre apo të prindërve të tyre.

    Zyra e Prokurorit të Lartë në Novi Sad ka paditur 13 njerëz lidhur me incidentin e nëntorit.

    Në mesin e tyre janë edhe ish-ministri për Ndërtim, Transport dhe Infrastrukturë, Goran Vesiq, asistentja e tij Anita Dimoski, si dhe ish-drejtorja e kompanisë publike infrastrukturore, Jelena Tanaskoviq.

    Dhjetë prej të paditurve janë në mbajtje, Vesiq është në arrati, ndërsa Tanaskoviq dhe Dimoski janë në arrest shtëpiak./REL.