Ballina

Kategori: Rajon

  • Shkup: Qytetarët kërkojnë drejtësi për viktimat e aksidenteve rrugore

    Qindra njerëz kanë protestuar të premten pasdite në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar drejtësi për viktimat e aksidenteve rrugore, dënime më të ashpra për shkaktarë, si dhe rishikimin e vendimeve gjyqësore.

    Protesta, në bulevardin “Aradhet Partizane” në Shkup, vjen pasi një vajzë 22-vjeçare u godit për vdekje nga një veturë në një vendkalim këmbësorësh në kryeqytet, më 29 janar.

    Disa prej protestuesve mbajtën pankarta me mbishkrime si: “Nuk është aksident, është vrasje”, “Prokurorët = bashkëpunëtorë vrasës”.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski tha se përgjegjësia duhet të bjerë mbi të gjithë ata që janë pjesë e sistemit.

    “Zemërimi është i kuptueshëm, mosbesimi në institucione është i justifikuar, por kjo nuk duhet të përfundojë vetëm me shkrimin e statuseve të zemëruara në rrjetet sociale dhe me protesta që do të zgjasin disa ditë. Të gjithë në sistem duhet të mbajnë përgjegjësinë e tyre”, tha Toshkovski.

    Frosina Kalukova, nga fshati Negotinë, komunë e Vrapçishtit, e humbi jetën pasi u godit nga një veturë e drejtuar nga një 20-vjeçar me inicialet V.J.

    Sipas Prokurorisë Publike, i riu nuk kishte patentë shofer, ishte nën ndikimin e alkoolit, tejkaloi shpejtësinë e lejuar dhe kaloi semaforin me dritë të kuqe.

    Prokuroria ka kërkuar paraburgim prej një muaji për 20-vjeçarin.

    “I dyshuari 20-vjeçar, si pjesëmarrës në trafikun e rrugëve publike, ka drejtuar një automjet të tipit ‘Peugeot 207’ në pronësi të babait të tij në korsinë e djathtë të bulevardit. Automjetin e drejtonte pa patentë shofer dhe nën ndikimin e alkoolit me 0,82 promilë prani të alkoolit në urinë, duke rrezikuar jetën e njerëzve”, tha Prokuroria më 30 janar.

    Komiteti i Helsinkit reagoi duke theksuar se fenomeni i mosndëshkimit, i rrënjosur prej dekadash në shoqëri, solli edhe një tragjedi tjetër ku humbi jetën një 22-vjeçare.

    “Një rrëshqitje e tillë në sistemin ligjor tregon qartë mosmarrjen e masave të duhura nga ana e institucioneve për të parandaluar kryerjen e mëtejshme të veprave penale në trafik”, thonë nga Komiteti i Helsinkit.

    Aksidenti i trafikut në të cilin humbi jetën Frosina Kulakova nuk është i pari që shkakton reagime dhe zemërim te qytetarët. Vetëm në të njëjtin bulevard të Shkupit kanë humbur jetën disa të rinjve vitet e fundit.

    Në vitin 2015, studentja Frosina Cekovska u përplas për vdekje nga një shofer 26-vjeçar, i cili po ashtu ishte nën ndikimin e alkoolit dhe drejtonte veturën me shpjetësi më të lartë seç lejohej.

    Në të njëjtin bulevard, por në afërsi të qendrës tregtare City Mall, në janar të vitit 2022 u përplas për vdekje 24-vjeçarja Viktorija Nikolova. Shoferi 22-vjeçar, sipas Prokurorisë, në kohën e incidentit drejtonte automjetin me shpejtësi më të madhe se norma e lejuar.

    V.J. kishte shkaktuar edhe një tjetër aksident trafiku

    Megjithatë, revolta e qytetarëve u drejtua ndaj institucioneve kompetente, pasi personi i dyshuar për aksidentin kishte qenë më herët edhe në paraburgim, si dhe në shtëpi korrektuese, në Tetovë, për një tjetër vepër – prodhimin dhe shpërndarjen e drogave narkotike.

    Ndaj tij Prokuroria kishte ngritur edhe një tjetër kallëzim penal më 2 shkurt të vitit 2023, për një aksident trafiku, në të cilin një person kishte pësuar lëndime të lehta.

    Prokurori publik kishte zhvilluar procedurën dhe me pëlqimin e të dëmtuarës kishte marrë një vendim për mosndjekje penale, duke pranuar të paguante një shumë prej 292 eurosh në favor të buxhetit të shtetit.

    Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se së shpejti do të vihet në funksion sistemi “Qyteti i Sigurt”, përmes të cilit institucionet do të mund të sanksionojnë vandalizmin automobilistik në rrugët e Shkupit.

    “Ministria e Punëve të Brendshme po e zbaton këtë si procedurë, dhe së shpejti do të kemi një sistem të tillë që do të sanksionojë këtë lloj vandalizmi. Dhe kjo duhet të ndodhë. Sa herë që të marrim plumba politikë, ne duhet ta instalojmë, ta zbatojmë dhe të marrim një politikë ndëshkuese që do të jetë rigoroze, sepse edhe nëse shpëtojmë një jetë, kemi arritur qëllimin”, deklaroi Mickoski më 31 janar.

    Në anën tjetër, Lidhja Socialdemokrate (LSDM) në opozitë kërkoi dënim maksimal për autorin dhe mbështeti revoltën e qytetarëve.

    “Ne mbështesim kërkesat e qytetarëve për drejtësi dhe siguri më të madhe. Në shenjë solidariteti, Rinia Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) do t’i bashkohet protestës. Është koha për përgjegjësi”, thuhet në deklaratën e LSDM.

    Mickoski kërkoi që të mos politizohet rasti./REL

  • Ministria në Maqedoninë e Veriut, që iu referua Kosovës si “Kosovë e Metohi”, largon njoftimin

    Zëvendëskryeministri me prejardhje serbe, njëherazi edhe ministër për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Maqedoninë e Veriut, Ivan Stoilkoviq e ka tërhequr kumtesën ku Republikës së Kosovës i drejtohej me qasjen serbe, si “Kosova dhe Metohija”, e cila është në kundërshtim me Shkupin zyrtar, që e njeh pavarësinë e Kosovës që nga viti 2008 – shkruan media në Maqedoninë e Veriut, Portalb.mk.

    Zëvendëskryeministri Stoilkoviq ishte zotuar fillimisht se do të përmirësojë komunikimin zyrtar në raport me Kosovën, edhe pse personalisht për të mbetet termi “Kosova dhe Metohija”.

    Megjithatë, siç vërehet nga dita e mërkurë, më 29.01.2025, nga gjurmët në uebfaqen zyrtare të Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive shihet se kumtesa nuk është edituar, por është larguar e tëra, konkretisht nuk ka qasje në linkun ku figuronte ky njoftim.

    Nga Zyra e Zëvendëskryeministrit për Redaksinë e Portalb.mk nuk kanë sqaruar asgjë për këtë veprim, pavarësisht se janë kontaktuar disa herë.

    Kujtojmë se në një komunikatë lidhur me ngjarjen e kampit sportiv “Serbia po ju thërret” në Beograd ku morën pjesë rreth 50 fëmijë nga RMV-ja, të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Maqedoninë e Veriut, Republika e Kosovës prezantohej me emrin me të cilin i qaset shteti i Serbisë: “Kosova dhe Metohija”.

    Ky veprim i Stoilkoviqit hapi debat dhe pati reagime të shumta në opinion, nga analistët, partitë politike shqiptare në RMV. Nga Republika e Kosovës reagoi vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kurse, nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës e përcollën vetëm verbalisht indinjatën përmes Ambasadës në Shkup dhe duke u dërguar Notë autoriteteve në Maqedoninë e Veriut. Ambasada e Kosovës në Shkup dhe Qeveria e Kosovës nuk reaguan për këtë veprim, pavarësisht se Portalb.mk tentoi të marrë qëndrimin e tyre.

    Për këtë rast ka raportuar edhe KALLXO.com.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), për KALLXO.com, pati thënë se sa i përket këtij rasti kanë dërguar Notë te Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, përmes Ambasadës së Kosovës në Shkup.

    “MPJD, përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup, në lidhje me këtë rast ka komunikuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, ku është përcjellë verbalisht indinjata jonë, lidhur me një referencë të papranueshme për Republikën e Kosovës në një faqe zyrtare të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Po ashtu, Ambasada ka dorëzuar Notë, në të cilën përcillet qëndrimi i shtetit të Kosovës lidhur me këtë çështje.” – thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

    https://kallxo.com/lajm/fact-check-lajm/ministria-ne-maqedonine-e-veriut-i-referohet-kosoves-si-kosove-e-metohi-mpjd-shpreh-indinjate/

  • Studentët protestues serbë vazhdojnë marshin drejt Novi Sadit

    Studentët serbë të nisur nga Beogradi, që kaluan natën në Ingjije, rreth 40 kilometra nga Kryeqyteti serb, po vazhdojnë marshin e tyre protestues drejt Novi Sadit, ku do t’iu bashkohen kolegëve të tyre nga ky qytet, për të bllokuar Urat më 1 shkurt.

    Kështu, ata do të shënojnë tremujorin e vdekjes së 15 personave pas shembjes së një strehe betoni në Stacionin e trenave në Novi Sad.

    Pritet që studentët, të cilët u nisën nga Beogradi më 30 janar, të arrijnë në Stacionin e trenave të Novi Sadit rreth orës 19:00.

    Studentët nisën marshin e tyre afër 80-kilometërsh të enjten, rreth orës 10:30, nga Fakulteti i Arteve Dramatike të Beogradit.

    Ata u ndalën për pushim në Batajnicë, Bova dhe Stara Pazova, ku u pritën nga qytetarët dhe shkuan në Ingjije rreth orës 22:00 dhe kaluan natën në tenda në një fushë sporti.

    Studentët e Beogradit planifikojnë të mbështesin kolegët e tyre në Novi Sad, të cilët kanë njoftuar se do të bllokojnë Urat në gjithë qytetin më 1 shkurt, kur bëhen tre muaj që nga tragjedia në Stacionin e trenave të këtij qyteti.

    Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq tha të martën se pjesëtarë të kësaj Ministrie do të ofrojnë siguri për marshin e studentëve – duke i përcjellë edhe me autoambulanca dhe kamionë me ujë të pijshëm.

    Tragjedia në Novi Sad nxiti një valë të protestave masive në mbarë Serbinë – duke nxjerrë në rrugë dhjetëra-mijëra njerëz.

    Në dy muajt e fundit protestat janë udhëhequr nga studentët, të cilët kanë bllokuar dhjetëra Universitete shtetërore. Kërkesa kryesore e tyre është që të ketë përgjegjësi penale dhe politike të autoriteteve për aksidentin në Novi Sad.

    Qeveria dhe presidenti Aleksandër Vuçiq pretendojnë se kërkesat e studentëve janë plotësuar.

    Studentët protestues kanë thënë se Vuçiqi nuk është përgjegjës për përmbushjen e kërkesave të tyre – duke shtuar se kërkesat nuk janë plotësuar dhe ata do të vazhdojnë protestat./REL

  • Rënia e Qeverisë – disfatë për Vuçiqin apo blerje kohe?

    Me dorëheqjen e kryeministrit, a e ka pranuar pushteti në Serbi, i udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq, humbjen?

    Tre muaj pas vdekjes së 15 personave nga shembja e strehës së rindërtuar të Stacionit Hekurudhor në Novi Sad dhe më shumë se dy muaj pas fillimit të protestave të studentëve, kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, dhe kryetari i Komunës së Novi Sadit, Millan Gjuriq, dhanë dorëheqje.

    Aktualisht, Qeveria serbe është në mandat teknik dhe do të vazhdojë ashtu deri në zgjedhjen e një të reje, ose deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

    Vuçeviq dhe Gjuriq nuk dhanë dorëheqje në ditët pas aksidentit, por një ditë pasi një grup sulmuesish rrahën disa studentë në Novi Sad me shkop bejsbolli.

    Tash për tash, nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar se sulmuesit ishin anëtarë të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet – gjë që u spekulua pas deklaratave të Vuçiqit më 28 janar se sulmuesit ishin “djem që dolën nga ambientet e partisë” në Novi Sad.

    Ai shtoi se “është e papranueshme që njerëzit e partisë ta bëjnë këtë, pas thirrjes për dialog”.

    Qendra për Gazetari Hulumtuese (CINS) raportoi se që nga fillimi i protestave, kishte më shumë se 50 sulme ndaj studentëve, përfshirë përplasje nga makinat dhe goditje me shkopinj, grushte e shqelma.

    Në shenjë proteste dhe solidariteti, studentët nisën të enjten një shëtitje dyditore nga Beogradi për në Novi Sad, për të treguar se dorëheqjet nuk janë të mjaftueshme dhe se ata do të vazhdojnë me aksionet e tyre.

    Por, e sigurt është se me dorëheqjen e kryeministrit, ky pushtet në Serbi – tashmë në vitin e trembëdhjetë – ka bërë lëshimin më të madh ndonjëherë.

    Çfarë e pret Vuçiqin dhe qeverisjen e tij?

    Timothy Less, nga Qendra për Gjeopolitikë në Universitetin e Kembrixhit, thotë për Radion Evropa e Lirë se ai e sheh rënien e Qeverisë serbe si dështim të Vuçiqit.

    “Ai pësoi një goditje politike që është, gjithashtu, një pranim i heshtur i përgjegjësisë. Kjo konfirmon akuzat e protestuesve se tragjedia në Novi Sad është rezultat i korrupsionit dhe keqmenaxhimit. Nëse ai do të mund të qëndrojë në pushtet pas kësaj, do të varet prej zhvillimeve të ardhshme në Serbi”, thotë Less.

    Dushan Spasojeviq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, thotë se Vuçiq po luan me kartën e fundit që ka.

    “Dorëheqjet e kryeministrit dhe kryebashkiakut nuk janë një gjë e vogël. Janë, sigurisht, pranim i disfatës dhe fitore për studentët protestues. Por, janë edhe përpjekje për ta tërhequr krizën aty ku ia del më së miri – te partitë politike, Parlamenti dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja”, thotë Spasojeviq.

    Less, në anën tjetër, thotë se Vuçiq është duke zbatuar njëkohësisht dy taktika të ndryshme.

    “E para është sakrifikimi i Qeverisë, me ç’gjë blen kohë për të negociuar ndoshta me protestuesit dhe për të arritur ndonjë zgjidhje. Këtë e sugjerojnë edhe thirrjet e tij për dialog. Nëse kjo nuk i ka sukses, ai qartazi do të shpallë zgjedhje të reja”.

    “Pra, luan me dy skenarë. Nëse i pari nuk i funksionon muajin e ardhshëm, llogarit në fitore në zgjedhje dhe, në atë mënyrë, në shuarjen e protestave”, thotë Less.

    A janë zgjidhje zgjedhjet e parakohshme?

    Spasojeviq supozon se Vuçiq do t’i peshojë opsionet në periudhën e ardhshme dhe do të përpiqet ta zgjedhë atë që është më pak e rrezikshme për të.

    “Nëse vlerëson se blerja e kohës do t’i sjellë dobi, atëherë do të shkojë në një lloj ristrukturimi të Qeverisë. Nëse e sheh se kjo nuk i mjafton, atëherë mund të përpiqet të shpallë zgjedhje, por, në atë rast, do të hyjmë në një krizë të thellë”, vlerëson Spasojeviq.

    Kur Kuvendi i Serbisë konfirmon dorëheqjen e kryeministrit, fillon edhe periudha 30-ditore për zgjedhjen e qeverisë së re.

    Nëse nuk zgjidhet, shpallen zgjedhjet e reja.

    Duke u thirrur në raportet e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe vendas, opozita në Serbi pretendon se nuk ka kushte për zgjedhje të ndershme.

    Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi, në dhjetor të vitit 2023, Misioni vëzhgues i Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) raportoi se fushatën e dominoi pjesëmarrja e presidentit të shtetit, i cili, duke i dhënë mbështetje Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet, krijoi kushte të padrejta.

    “Mekanizma efektivë për të parandaluar frikësimin dhe presionin ndaj votuesve nuk u zbatuan”, vlerësoi ODIHR-i.

    Misioni dha, gjithashtu, 25 rekomandime për përmirësimin e procesit zgjedhor, duke përfshirë rishikimin e listave të zgjedhësve dhe parandalimin e abuzimit me burime shtetërore dhe institucione publike.

    Bashkimi Evropian i bëri thirrje Serbisë që t’i zbatojë këto rekomandime në raportin e tij të fundit për progresin e këtij vendi.

    Shumica e partive opozitare, nga të cilat studentët distancohen, janë kundër zgjedhjeve të reja, pasi, sipas tyre, nuk ka kushte të drejta për mbajtjen e tyre.

    Pushteti, në anën tjetër, thotë se kushtet për zgjedhje janë demokratike, ndërsa Vuçiq përsërit vazhdimisht se “pushteti fitohet ekskluzivisht me zgjedhje”.

    “Unë nuk do t’i shmang konsultimet. Vuçeviq tashmë ka nisur bisedimet me Partinë Socialiste të Serbisë dhe Ivica Daçiqin, i cili ka thënë se nuk është pro zgjedhjeve. Ne do t’i vazhdojmë bisedimet me të tjerët”, tha Vuçiq më 28 janar.

    Zgjedhje apo qeveri kalimtare

    Pas rënies së Qeverisë së Serbisë, seanca e Kuvendit në të cilën do të mbahej votëbesimi për ekzekutivin, u shty deri në një njoftim të dytë.

    Partia Përparimtare Serbe, e udhëhequr nga ish-kryeministri Vuçeviq, ka 112 nga 250 deputetët e Kuvendit të Serbisë, ndërsa partneri më i madh i koalicionit, Partia Socialiste e Serbisë, ka 13.

    Koalicioni qeverisës përfshin edhe parti të tjera më të vogla.

    Majin e kaluar, 152 deputetë votuan pro zgjedhjes së qeverisë, ndërsa 61 votuan kundër.

    Spasojeviq beson se qeveria kalimtare është e vetmja rrugëdalje e mundshme nga kriza aktuale. Ai thekson se kjo qeveri me mandat të kufizuar do t’i kishte dy detyra.

    “Një, përmbushja e kërkesave, dhe dy, përgatitja e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, thotë Spasojeviq.

    Qeveria serbe, e cila tani është në dorëheqje, u formua më 2 maj të vitit 2024, me zgjedhjen e Millosh Vuçeviqit kryeministër.

    Më 18 janar, Vuçiq i përsëriti opozitës se nuk do qeveri kalimtare.

    “Nuk ka qeveri të re pa zgjedhje”, tha Vuçiq.

    Zgjedhjet parlamentare në dhjetor të vitit 2023 ishin të 14-tat në Serbi që nga hyrja e sistemit shumëpartiak.

    Zgjedhjet e vitit 2012, të cilat sollën në pushtet Partinë Përparimtare Serbe të Vuçiqit, ishin zgjedhjet e para të rregullta në 15 vjet.

    Çfarë mund të pritet?

    Gjykata e Lartë e Novi Sadit ngriti aktakuzë kundër 13 të dyshuarve për vdekjen e 15 personave dhe plagosjen rëndë të dy të tjerëve në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor.

    Kërkesat e studentëve për ndalimin e protestave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e stacionit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin.

    Ata gjithashtu kërkojnë që sulmuesit e demonstruesve nëpër Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale.

    Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.

    Less beson se Vuçiq do të përpiqet të negociojë me studentët.

    “Ai do të përpiqet të bëjë disa lëshime. Nëse nuk arrin, do të dalë në zgjedhje”, sipas tij.

    Vuçiq tha më 27 janar se të gjitha kërkesat e studentëve janë përmbushur dhe u bëri thirrje atyre që të angazhohen në dialog.

    Ai tha se është duke u bërë publikimi i mëtejmë i dokumentacionit për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit dhe kjo, sipas tij, do të thotë se shteti “ka dhënë gjithçka që ka”./REL

  • “Duam drejtësi”, studentët nisin marshin 80-kilometërsh nga Beogradi në Novi Sad

    Studentët në Beograd filluan një marsh 80 kilometra nga Beogradi në Novi Sad, me qëllim që t’i mbështesin kolegët e tyre nga Novi Sadi në bllokimin e të tri Urave në atë qytet, me afrimin e shënimit të tremujorit të tragjedisë në Stacionin hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona.

    Vala e protestave të studentëve, të cilat kërkojnë përgjegjësi për rënien e strehës së Stacionit hekurudhor, më 01.11.2024, në Novi Sad, ka më shumë se dy muaj që po vazhdon – raporton N1.

    Studentët ftuan qytetarët të cilët janë të interesuar t’iu bashkohen në marsh.

    Më 30.01.2025, në ora 10:30 marshi ka filluar me pjesëmarrësit duke thirrur “Duam drejtësi”.

    Nikola Marçetiq, student në Fakultetin e Arteve Muzikore, ka thënë për N1 se kanë sjellë gjëra që janë të nevojshme për një udhëtim të tillë.

    “Ka një çantë gjumi, ka çorape, ushqim e kështu me radhë.” – tha Marçeviq.

    Shoqata e qytetarëve “Kryengritja e Gjelbër” ka dhuruar 100 mijë dinarë për studentët pjesëmarrës në bllokadën në Leskovc, për të mbuluar një pjesë të nevojave dhe shpenzimeve të tyre elementare gjatë periudhës së bllokadës.

    Ata ftuan Shoqata të tjera, si dhe sipërmarrës në Leskovc, që ta përkrahin këtë iniciativë. Shoqata vlerësoi se kjo është në interes të të gjithë qytetarëve, sepse lufta për një shoqëri më të mirë dhe më të drejtë është përgjegjësi e përbashkët.

    Prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara po ashtu erdhën për të mbështetur studentët.

    Studentja Isidora, e cila është në mesin e studentëve që do të jenë pjesë e marshit për N1 ka thënë se është gati për marshin 80-kilometërsh.

    “Studentët nga Novi Sadi na kanë ftuar dhe kjo është edhe një shenjë e solidaritetit dhe mbështetjes studentore. Studentët nga Novi Sadi vijnë shpesh në Beograd dhe ne jemi tani duke shkuar tek ata për të treguar se sa seriozë dhe këmbëngulës jemi.” – thotë Isidora.

    Parlamenti studentor i Fakultetit Juridik të Universitetit të Beogradit ka njoftuar se nga buxheti vjetor i atij Parlamenti janë dhuruar 2.5 milionë dinarë për studentët e atij Fakulteti, për blerje të vakteve të ngrohta dhe ujit të pijshëm gjatë marshit.

    Instituti i Shkencave Sociale të Beogradit dhe Instituti i Shkencave Ekonomike njoftuan se mbështesin studentët, kërkesat e të cilëve, sipas tyre, janë shprehje e shqetësimit për të ardhmen.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq tha se Policia do të sigurojë plotësisht rrugën e ecjes së studentëve, e cila fillon para Fakultetit të Arteve në Beograd, më 30.01.2025 dhe përfundon nesër,  më 31.01.2025, në mbrëmje para Stacionit hekurudhor në Novi Sad – njoftoi MPB-ja e Serbisë.

    Katër kërkesat e përbashkëta të të gjithë studentëve protestues janë:

    • Publikimi i dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit hekurudhor në Novi Sad
    • Hedhja poshtë e akuzave ndaj studentëve dhe të rinjve të arrestuar dhe të ndaluar gjatë protestave për rënien e strehës në Stacionin e trenit në Novi Sad
    • Ngritjen e kallëzimit penal ndaj sulmuesve të studentëve dhe pedagogëve dhe ndjekjen e tyre
    • Rritja e buxhetit të Serbisë për shpenzimet e institucioneve shtetërore të arsimit të lartë me 20%

    Përfaqësuesit e Qeverisë, të udhëhequr nga presidenti Aleksandër Vuçiq, disa herë kanë njoftuar se janë plotësuar të gjitha kërkesat e studentëve. Por, nga ana tjetër studentët thonë se kërkesat ende nuk janë plotësuar./N1