Në gjykimin e Dragisha Millenkoviqit, i akuzuar për “krime lufte” në Kosovë, në Gjykatën e Prishtinës në seancën e sotme, më 27.01.2025, ka dhënë dëshminë një dëshmitar.
Dragisha Millenkoviq akuzohet se gjatë kohës së luftës, më 1999, në cilësinë e personit zyrtar në Burgun e Prishtinës dhe Lipjanit ka kryer veprime të cilat cilësohen si: “krime lufte ndaj popullatës civile”.
Në fillim të dëshmisë së tij dëshmitari Enver Gashi bëri të ditur se qëndron mbrapa deklaratës së dhënë me shkrim më 09.02.2023 dhe se i kujtohet se çfarë kishte deklaruar.
Gjatës periudhës së vitit 1998 ai kishte qenë duke punuar në Qendrën Korrektuese në Lipjan deri në shtator 1998, pasi në muajin shtator 1998 i kishin larguar.
“Për çfarë arsye ju kanë largu?” – e pyeti prokurori Atdhe Dema.
“Na i kanë lëshu do Vendime që të shkojmë në Serbi. Ne nuk i kemi pranuar ato Vendime dhe jemi larguar.” – tha Gashi.
Ndërsa gjatë periudhës që kishte qenë në burg si punëtor, ai tregoi se sjellja e gardianëve dhe të burgosurve aty kishte qenë korrekte.
“Me Dragishën kemi punuar bashkë në një kolektiv, edhe pse shpesh nuk na ka ra në ndërrime.” – tha Gashi.
Ndërsa lidhur me sjelljen e Dragishës ndaj të burgosurve në burg, ai tha se nuk kishte dëgjuar që kishte pasur sjellje të këqija. “Po ashtu, nuk di personalisht për sjellje të këqija.” – tha Gashi.
Seanca e sotme u ndërpre, pasi që nuk pati dëshmitarë tjerë për t’u dëgjuar.
Për sot ishte paraparë të dëgjohej edhe dëshmitari Skender Hoti, mirëpo i njëjti nuk ishte i pranishëm.
Trupi Gjykues i cili po gjykon këtë çështje përbëhet nga Kujtim Krasniqi, kryetar i trupit gjykues dhe anëtarët, Rrahman Beqiri dhe Arben Hoti.
Çfarë thotë Dosja e Prokurorisë?
Millenkoviq po akuzohet se në luftën e fundit, në vitin 1999, në cilësinë e personit zyrtar në Burgun e Prishtinës dhe Lipjanit ka kryer veprime të cilat cilësohen si: “krime lufte ndaj popullatës civile”.
Ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës më 21.06.2023, e për arrestimin e tij ishte protestuar në Graçanicë.
Millenkoviq ishte sjellë më 22.06.2023 para Gjykatës së Prishtinës dhe ndaj tij ishte caktuar masa e paraburgimit.
Millenkoviq akuzohet se pasi që janë transferuar të burgosurit nga Burgu i Dubravës në Burgun e Prishtinës dhe Lipjanit i ka detyruar të burgosurit të kalojnë përmes një kordoni dhe të njëjtit i kishte goditur me shkop, grushte dhe shqelma.
Sipas Dosjes së Prokurorisë, të burgosurit në mënyrë sistematike ishin trajtuar në mënyrë çnjerëzore – duke u torturuar, maltretuar, kanosur me jetë e kështu duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe me pasoja në shëndet.
Përveç kësaj mbi të burgosurit – sipas Dosjes së Prokurorisë – ishte ushtruar edhe dhunë psikike.
Këto veprime Millenkoviq akuzohet se i ka kryer në bashkëpunim me tre zyrtarë të tjerë, ndër të cilët ish-drejtori i Burgut të Qarkut të Prishtinës, Lubomir Cimburoviq, si dhe gardianët Predrag Bradiq dhe Milivoje Iliq.
Sipas prokurorit Atdhe Dema, këto veprime janë në kundërshtim me Konventën Ndërkombëtare të Gjenevës.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli, teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.
Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.
Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni në link.