Ballina

Kategori: Prokuroria

  • Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu shpalos draft-Planin e punës për vitin 2025

    Kryeprokurori i ri i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu ka mbajtur sot, më 09.01.202, tryezë diskutimi për të shpalosur draft-Planin e punës së kësaj Prokurorie për vitin 2025.

    Kryeprokurori Petrit Kryeziu, i cili mori mandatin e kryeprokurorit në fund të vitit 2024, shpalosi 20 objektivat e Prokurorisë që e udhëheq, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me rritje të transparencës, llogaridhënies, rritjen e cilësisë në punë të prokurorëve në trajtimin e lëndëve, veprat penale të cilat do t’i kenë në prioritet këtë vit dhe të ngjashme.

    Kryeprokurori Kryeziu tha se veprat penale që do të kenë prioritet këtë vit janë veprat penale të korrupsionit, fajdesë, narkotikëve, dhuna në familje dhe vepra penale kundër mjedisit.

    Tutje, Kryeziu tha se do të punojnë më shumë në aplikimin e procedurave alternative, siç janë: ndërmjetësimi, pezullimi i përkohshëm i procedurës penale, marrëveshja për pranimin e fajësisë.

    Gjithashtu i pari i Prokurorisë së Prizrenit tha se do të ketë rritje të sekuestrimit dhe konfiskimit me 18 prokurorë që Prokuroria e Prizrenit i ka aktualisht në punë.

    Kryeziu tha se nuk do të lejohen aktakuza të cilat nuk specifikojnë se çka do të ndodhë me pasurinë e sekuestruar.

    Kryeprokurori tha se do të mbajë takime tremujore me prokurorët e kësaj Prokurorie, për të parë se ku janë në trajnimin e lëndëve dhe se do të skanohen lëndët individualisht për të parë punën apo ngecjet e Prokurorisë në trajnimin e lëndëve.

    “Do të shkoj kohë pas kohe t’i vëzhgojë prokurorët, me i përcjellë seancat. Si Kryeprokuror do të verifikohen edhe Procesverbalet, sa po aplikohen dispozitat e marrjes direkt të pyetjeve.” – tha kryeprokurori Kryeziu.

    Ai e ka mbajtur këtë tryezë të diskutimit me përfaqësues të mediave dhe organizatave joqeveritare. Kryeziu, ndër të tjera, shtoi për këtë draft-Plan të punës së Prokurorisë së Prizrenit se kushdo që është i interesuar mund të dërgojnë komente e rekomandime deri më 14.01.2025.

  • Prokuroria nis mbledhjen e informatave për urën e Badovcit që u lëshua për qarkullim pa u testuar struktura e saj

    Pas raportimit ekskluziv te KALLXO.com, Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar nga Policia e Kosovës të mbledhë informacione për lëshimin në qarkullim të urës te liqeni i Badovcit pa u testuar fare struktura e saj.

    Kjo u konfirmua nga kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi.

    “Po, mund të jua konfirmojmë se Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar nga Policia e Kosovës mbledhjen e informacioneve lidhur me lëshimin e urës në qarkullim pa u testuar” – tha kryeprokurori Gashi për KALLXO.com.

    Më 07.01.2025, KALLXO.com kishte raportuar se ura te liqeni i Badovcit, e cila u lëshua në qarkullim më 31.12.2024, nuk ishte testuar.

    Këtë e kishte konfirmuar vetë kompania “Dreni Inginiering” përgjegjëse  për kryerjen e testimit, duke thënë se ura u lëshua për qarkullim për shkak të festave.

    Në anën tjetër, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, kishte thënë se testimi është vetëm formal sepse ura është stabile meqë ura është ndërtuar me standarde të larta.

    Zëvendësministri Durmishi, megjithatë, përmes një statusi në Facebook, njoftoi se testimi i urës do të bëhet të enjten.

    Testimi i urës që ka gjatësi rreth 40 metra, ishte paraparë në aneks-kontratë, të cilën Ministria e Infrastrukturës e nënshkroi kur punimet ishin në fazën fillestare.

    Sipas paramasës, vetëm testimi i urës do të kushtojë 6,000 euro.

     

  • Video-incizimi i rastit të plagosjes së Pajtim Gashit, mbrojtja e të akuzuarit Shkumbin Sekiraqa kërkon të mos pranohet si provë

    Në gjykimin ndaj Shkumbin Sekiraqës lidhur me akuzën për plagosjen e Pajtim Gashit në mars të vitit 2024, në seancën e së mërkurës më 08.01.2025 janë administruar provat materiale.

    Shkumbin Sekiraqa, djali i Salih Sekiraqës, akuzohet për tri vepra penale: “tentim vrasje”, “armëmbajtje pa leje” e “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Përveç tij i përfshirë në këtë rast është edhe M. H., i cili nga Prokuroria po akuzohet për “ndihmë pas kryerjes së veprës penale”.

    Në seancë u paraqit videoincizimi i ngjarjes kritike, e për të cilën prokurorja Bukurije Gjonbalaj tha se shihen i akuzuari Shkumbin Sekiraqa dhe personi NN duke e goditur të dëmtuarin Pajtim Gashi.

    “Fillimisht shihet i akuzuari dhe personi NN, shihen duke e goditur të dëmtuarin me shqelma. Pastaj i akuzuari Shkumbin Sekiraqa shtien një herë me armë në drejtim të dëmtuarit Pajtim Gashi. Pastaj largohet i dëmtuari, ndërsa i akuzuari Shkumbin largohet me veturën Audi ngjyrë të kuqe A7. Ndërsa, personi tjetër me veturën ‘Pik-up’ ngjyrë e bardhë.” – tha prokurorja Gjonbalaj gjatë shfaqjes së video-incizimit.

    “Është e vërtetë se në video-incizim dëgjohet vetëm një e shtënë. Video-incizmi është hudh nga ‘INSAJDERI’. Mirëpo, nga raporti i ekspertimit nga vendi i ngjarjes janë gjetur shtatë (7) gëzhoja. Ky incizim i cili u pa sot vërtetohet edhe me provat tjera, të cilat janë siguruar gjatë hetimeve, si: deklaratat e dëshmitarëve, deklarata e të dëmtuarit, kartela e regjistrimeve”.

    Lidhur me këtë video-incizim mbrojtësi i të akuzuarit Sekiraqa, avokati Naser Sopjani propozoi që kjo provë të shpallet e papranueshme.

    “Sa i përket video-incizimit që e shikuam sot, ashtu siç deklaroi edhe vetë Prokurorja ky incizim nuk është siguruar përmes urdhëresës së ligjshme. I bie që është marrë pa urdhër. Është siguruar përmes portaleve, të cilat nuk dihet se ku e kanë burimin. E, si e tillë e vlerësojmë që kjo CD duhet të veçohet nga shkresat e lëndës si provë e papranueshme.” – tha avokati Sopjani.

    Ndërsa, prokurorja Gjonbalaj tha se Gjykata video-incizimin e ka marrë si provë të pranueshme, pasi i njëjti ndërlidhet me provat tjera të marra gjatë hetimit.

    Ndërkaq lidhur me këtë Trupi Gjykues mori Aktvendim duke refuzuar propozimin e avokatit Sopjani, me arsyetimin se CD-ja e cila paraqet pamjet nga ngjarja e datës 04.03.2024, e cila është objekt i kësaj çështjeje penale dhe se këto pamje Prokuroria i ka siguruar nga portali “INSAJDERI”, të cilat janë shfaqur publikisht dhe në rrjete sociale. Dhe se nuk ka qenë e nevojshme që për sigurimin e këtyre pamjeve, të lëshohet urdhër i veçantë.

    Tutje, avokati Sopjani propozoi që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet Salih Sekiraqa, babai i të akuzuarit Shkumbin Sekiraqa, me arsyetimin se i njëjti me dëshminë e tij do t’i ndihmojë Trupit Gjykues për ta kuptuar mënyrën se si është kryer vepra penale.

    Trupi Gjykues këtë propozim të avokatit Sopjani e refuzoi duke vlerësuar se dëshmitari i propozuar është i panevojshëm për ndriçimin e kësaj çështjeje penale.

    Me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit Shkumbin Sekiraqa, avokatit Naser Sopjani, seanca e sotme, më 08.01.2025, u ndërpre dhe u caktua e radhës për në muajin shkurt 2025.

    Paraprakisht në seancë ka dhënë dëshminë dëshmitari Skender Hoti, i cili tha se ditën kritike ka qenë duke punuar në objektin “Premtimi” në lokalin e “Alba Market” – duke vendosur qeramikë.

    “Deri sa kam qenë brenda lokalit duke punuar, nga dritarja kam parë dy vetura njëra ‘Audi’ dhe tjetra ‘Pik-up’. Unë kam qenë jashtë në atë moment, pasi po zbraznim materialin. Aty kam vërejtur tre persona afër njëri-tjetrit duke biseduar. Njëri nga ta ka qenë Pajtim Gashi, ndërsa dy të tjerë nuk i kam njohur. S’i kam parë kurrë.” – tha dëshmitari Hoti.

    Dëshmitari Hoti tha se njëri nga personat kishte qenë zeshkan dhe më i plotë, ndërsa tjetri më i gjatë e i hollë dhe se nuk kishte arritur ta dëgjonte bisedën e tyre.

    Dëshmitari Hoti, tutje, tha se pasi kishte hyrë në lokal kishte dëgjuar të shtënat me armë, mirëpo deklaroi se nuk e di sa të shtëna ka pasur.

    “Pas të shtënave kam shikuar jashtë dhe e kam parë Pajtimin duke shkuar drejt zyrës së tij, ndërsa dy personat e tjerë kanë hyrë në veturë dhe janë larguar. Krejt ngjarja ka ndodhur për 1-2 minuta.” – deklaroi dëshmitari Skender Hoti.

    Ky rast po trajtohet nga Trupi Gjykues, i përbërë nga: gjyqtari Naser Foniqi – kryetar, Gëzim Ademi dhe Gazmend Bahtiri – anëtarë.

    I akuzuari M. H. nuk ka pranuar fajësinë; Shkumbin Sekiraqa, i akuzuar për tri vepra penale, nuk e ka pranuar fajësinë.

    Seanca ndaj të akuzuarit Shkumbin Sekiraqa - 08.01.-2025 - FOTO Adile Agushi - KALLXO.com
    Seanca ndaj të akuzuarit Shkumbin Sekiraqa – më 08.01.-2025 – FOTO: Adile Agushi – KALLXO.com

    Dosja e Prokurorisë

    Shkumbin Sekiraqa akuzohet nga Prokuroria e Prishtinës se më 04.03.2024 kishte tentuar ta privojë nga jeta Pajtim Gashin. Ky i fundit mbeti i plagosur.

    “Rreth orës 10:00 në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë, derisa ishte duke lëvizur me një veturë të tipit “Audi” pronë e të pandehurit tjetër M. H., ishte takuar me personin NN i cili lëvizte me një “Pick-up”. I pandehuri Shkumbin Sekiraqa për arsye të panjohura me dashje, me qëllim që të privojë nga jeta të dëmtuarin Pajtim Gashi pas bisedës me NN personin, i drejtohet me fjalë ‘Paja shoq, a po më njeh mua!?’, ku më pas e sulmojnë fizikisht.” – përshkruhet ngjarja e cila ndodhi më 04.03.2024.

    Dosja e Prokurorisë përshkruan edhe se Shkumbin Sekiraqa kishte nxjerrë armën e zjarrit, kishte shtënë në drejtim të Pajtim Gashit, e më pas e kishte goditur në kokë me kondak të armës.

    “Me këto veprime i shkakton lëndime në kokë dhe një plagë në këmbën e djathtë. I dëmtuari (Pajtim Gashi) ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes. I pandehuri (Shkumbin Sekiraqa) ka vazhduar që të gjuajë në drejtim të tij.” – përshkruhet tutje në aktakuzën që ka siguruar KALLXO.com.

    Me këto veprime Shkumbin Sekiraqa – sipas Prokurorisë – ka kryer veprat penale: “vrasje në tentativë”, “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “armëmbajtje pa leje”.

    Shkumbin Sekiraqa në deklarimin e tij në Polici kishte mohuar përfshirjen e tij në rast.

    “Çka kam thënë në Polici është e vërtetë dhe nuk kam tjetër çka të shtoj. Tani nuk dua të deklarohem më. Në Polici ka deklaruar se nuk ka lidhje me rastin që ka ndodhur më 04.03.2024 dhe nuk e njeh të dëmtuarin Pajtim Gashi.” – thuhet tutje në Dosjen e Prokurorisë.

    E Pajtim Gashi, i cili mbeti i plagosur në mars 2024, kishte deklaruar se në datën e lartpërmendur ishte në afërsi të një biznesi familjar.

    “Ka ardhur një person me veturë të kuqe. Personi më është ofru dhe më ka thënë ‘Pse po më këqyrë?’. Ka filluar të më shajë me fjalë banale “Çka k… po më këqyr!”. I kam thënë ‘Nuk jam kah të këqyri, o vlla! Po shko rrugës tande. Ai më ka thënë se ‘Je ka më këqyr shtremtë!’. Pas kësaj ka vazhdu me veturë kah objekti teposhtë. Vetura e ka pasur derën e hapur dhe edhe pse ishte duke vozitur ai e mbante derën çelë. Mandej, pasi që është largu diku 15 metra, e ka ndalë derën, ka dalë nga vetura, është nisur në drejtim të tij; nuk i ka parë asgjë në dorë dhe ka filluar prapë të shajë.” – ka shpjeguar Pajtim Gashi në Prokurori ngjarjen e marsit.

    Gashi kishte treguar për sulmin e më pas edhe për të shtënat me armë.

    “Me sa di ai ka shtënë 5-6 herë. Shkumbin Sekiraqën nuk e njeh, nuk e ka njohur më parë dhe nuk ka pasur asnjëherë probleme me të. Në Polici nuk ka arritur që ta identifikojë Shkumbin Sekiraqën, Pajtim Gashi.” – thuhet tutje në Dosje.

    Si i bashkakuzuar në këtë rast është edhe M. H., i cili ngarkohet se i ka dhënë ndihmë Shkumbin Sekiraqës, pasi është kryer vepra penale duke e fshehur në garazhën e tij veturën Audi A7 e që në deklaratën e dhënë në Polici kishte thënë se të njëjtën veturë e ka shitur.

    Ky rast del të jetë si fillesë e problemit mes familjes Gashi e Sekiraqa, pasi më 01.09.2024 kishte pasur shkëmbim me armë të zjarrit mes disa personave, ku një person kishte ndërruar jetë e pesë të tjerë kishin mbetur të plagosur.

    Si i plagosur në rastin e datës 01.09.2024 është edhe babai i Shkumbin Sekiraqës, Salih Sekiraqa.

    Raportimet e KALLXO.com – LINK 

     

     

  • Prokuroria Speciale planifikon t’i drejtohet Gjykatës për kryeministrin Albin Kurti

    Ndonëse nuk ishte paraqitur dy herë për të dhënë dëshminë e tij për ‘rastin e rezervave shtetërore’, kryeministrit të vendit Albin Kurtit i është bërë thirrja për herë të tretë që të paraqitet në objektin e Prokurorisë Speciale – për të dhënë dëshminë e tij në cilësinë e dëshmitarit.

    Edhe hera e tretë për Prokurorinë ka rezultuar njëjtë si dy thirrjet paraprake, pasi kryeministri i vendit nuk i është përgjigjur pozitivisht edhe thirrjes së tretë për t’u paraqitur para prokurorëve të Prokurorisë Speciale, Milot Krasniqi e Valdet Gashi.

    Më 06.01.2025 dhe më 08.01.2025 KALLXO.com ka dërguar pyetje në Prokurorinë Speciale, lidhur me ftesën për kryeministrin Kurti, por nuk ka pranuar përgjigje.

    Po ashtu KALLXO i ka dërguar pyetje edhe Zyrës së Kryeministrit Kurti të mërkurën, më 08.01.2025 dhe më 30 e 31 dhjetor 2024, por nuk kanë kthyer përgjigje.

    Sipas burimeve të KALLXO.com nga Prokuroria, thirrja e tretë i ishte bërë Kurtit rreth një javë para Vitit të Ri.

    Burimet e KALLXO.com kanë konfirmuar se meqenëse tri herë nuk kanë marrë përgjigje pozitive nga dëshmitari, në këtë rast kryeministri Albin Kurti, prokurorët pritet që të procedojnë tutje – duke bërë kërkesë te gjyqtari i procedurës paraprake që i njëjti të sillet me detyrim për të dhënë dëshminë e tij.

    Sipas informacioneve që posedon KALLXO.com, është planifikuar që procedimi për dhënien e dëshmisë së kryeministrit Kurti të bëhet pasi të mbahen Zgjedhjet qendrore, të cilat janë të parapara të mbahen më 09.02.2025, me arsyen që të eliminohen pretendimet se veprimet po merren për qëllime politike.

    KALLXO.com kishte raportuar më 20.12.2024 se Prokuroria Speciale kishte dërguar një ftesë të dytë në adresë të kryeministrit Albin Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit në ‘rastin e rezervave shtetërore’, por Kryeministri ka ritheksuar gatishmërinë që Prokurorët t’i presë në zyrën e tij.

    Burime brenda Prokurorisë Speciale i kishin thënë KALLXO.com se nuk e zbatojnë formën e kërkuar nga Kryeministri për intervistim, pasi veprimet e tyre ndërmerren në objekt të Prokurorisë.

    Sipas burimeve të KALLXO.com, Prokuroria Speciale do ta përsëriste thirrjen për herë të tretë, të fundit, javën që vjen dhe nëse Kryeministri nuk i përgjigjet, do të kërkojë nga Gjykata një urdhër për ta sjellë atë me forcë në Prokurori.

    Kryeministri Albin Kurti, në një intervistë në emisionin “Rrjedha” me Rron Gjinovcin dhe Shkëlzen Gashin të transmetuar në KTV, më 29.12.2024, akuzoi kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj si “regjisor i kësaj situate”.

    Kurti deklaroi se nuk do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Prokurorisë.

    “Prokurorët kanë ardhur në Kryeministri edhe më herët. Unë guxoj t’ju them ‘S’po vij’, te shohim tash a guxojnë ata të vijnë.” – tha Kurti.

    Ai tutje tha se: “Pikërisht ky prokurori (Blerim) Isufaj, ky është regjisori i një pamjeje kur unë hyj në Prokurorinë e Shtetit dhe prodhohet një lajm ndërkombëtar që Kryeministri hyn në Prokurori të intervistohet për një rast të korrupsionit. Aty nuk thuhet që si dëshmitar. Ky është qëllimi.”

    Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, në Konferencën e fundvitit për media, më 30.12.2024, u përgjigj edhe në lidhje me deklarimin e kryeministrit Albin Kurti se ftesa për të dëshmuar i ishte dërguar nga Prokuroria, me qëllim që të bëhej lajm ndërkombëtar.

    “Unë s’kam asgjë me askënd dhe, me thënë të vërtetën, as nuk e kam shiku çfarë ka thënë.” – u shpreh Isufaj.

    Më 20.12.2024, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu i ka thënë KALLXO.com se ia kanë ritheksuar Prokurorisë Speciale gatishmërinë e Kryeministrit që t’i mirëpresë Prokurorët në Zyrën e tij për intervistim – duke i propozuar tri orare intervistimi, pas pranimit të thirrjes së dytë.

    “Prokuroria Speciale ka përcjellë një ftesë të dytë, në adresë të kryeministrit Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit. Për këtë, kemi propozuar tri orare të takimit. Një për sot dhe dy orare të tjera për javën tjetër.” – ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi Kryeziu.

    Kryeministri Kurti është thirrur për t’u intervistuar nga Prokuroria si dëshmitar në lëndën “PPS.nr.62/2023”, në një rast që ka të bëjë me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Numri i lëndës që gjendet në thirrjen dërguar Kryeministrit të publikuar nga Kryeziu – përputhet me atë të rastit të rastit të rezervave shtetërore.

    Më 11.12.2024 ishte bërë e ditur që kryeministri Kurti ishte ftuar për të dëshmuar, më 16.12.2024, nga Prokuroria Speciale.

    Ndonëse ftesa e Prokurorisë Speciale ka qenë që kryeministri Albin Kurti të paraqitet për intervistim si dëshmitar më 16.12.2024, në ora 09:30, një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.

    Zëdhënësja e Prokurorisë, Liridona Kozmaqi, në një deklarim para mediave kishte thënë se është informuar nga Kabineti i Kurtit se Kryeministri gjendet në udhëtim jashtë vendit.

    “Sot nga Kabineti i Kryeministrit Kurti, Prokuroria Speciale është informuar se kryeministri Kurti gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet sot. Prokuroria Speciale, konform legjislacionit në fuqi, do ta përgatisë një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti për një datë tjetër.” – kishte thënë Kozmaqi.

    Rasti i rezervave shtetërore

    Të pandehur për rastin e rezervave shtetërore janë: Irfan Lipovica, Hafiz Gara e Ridvan Muharremi. Lipovica e Gara dyshohen për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Ridvan Muharremi për veprën penale “dhënia e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”.

    Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica e Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, ishin arrestuar më 18.08.2023 nën dyshimin për veprat: “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

    Ridvan Muharremi, Irfan Lipovica e Hafiz Gara ishin liruar nga masa e paraburgimit me vendimin e Apelit më 31.08.2023, pasi të njëjtit gjendeshin nën këtë masë nga 19.08.2023.

    Si e dyshuar lidhur me keqpërdorimet e rezervave shtetërore është intervistuar edhe ministrja aktuale e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari më 15.04.2024.

    Çfarë thotë Dosja e Prokurorisë për Ridvan Muharremin?

    Dosja e Prokurorisë për Ridvan Muharremin thotë si ai në periudhën kohore nga muaji shkurt 2022 e në vazhdimësi, me dashje dhe me qëllim të krijimit të kushteve dhe mundësive për realizimin e veprimeve inkriminuese për të pandehurit Irfan Lipovica e Hafiz Gara i ka ndihmuar ata – duke i krijuar kushtet, propozuar e siguruar fillimisht për negocim për furnizim me rezerva shtetërore.

    Prokuroria ka thënë në Dosje se janë propozuar O. E. “Yafe Turizm Insaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli në Bursa të Turqisë për furnizim me grurë dhe “Xanto SP” ZO.O. In, me seli në Gdynia, Poloni për furnizim me vaj luledielli dhe sheqer. E më pas përmes përfshirjes pa autorizim në procesin e negocimit në mes të pandehurve Irfan Lipovica e Hafiz Gara me O. E.  ka luajtur rol kyç në negocimin e kushteve të Kontratave.

    Prokuroria: Lipovica ka lejuar me dijeni të plotë që të anashkalohet procedura e hapur e Prokurimit

    Për zyrtarin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica, në Dosjen e Prokurorisë thuhet se ekzistojnë dyshimet e bazuara se nga muaji shkurt i vitit 2022, në Prishtinë, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, në cilësinë e personit zyrtar, me pozitë zv/sekretar i përgjithshëm, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit të buxhetit të Republikës së Kosovës, ka tejkaluar autorizimet ligjore të parapara për pozitën që e ka ushtruar.

    Kësisoj, sipas Prokurorisë, Lipovica ka lejuar me dijeni të plotë që në kundërshtim me legjislacionin në fuqi të anashkalohet procedura e hapur e Prokurimit publik për blerjen e rezervave shtetërore.

    Në Dosje thuhet se më 25 shkurt 2022 ai ka adresuar në Qeverinë e Kosovës kërkesën për përjashtimin e procedurave të rregullta të Prokurimit, si dhe klasifikimin e kësaj procedure si “sekrete”, me qëllim që ta kufizojë konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit. E më pas, duke u bazuar në një Vendim të Qeverisë së Kosovës, i cili e kishte bazën në kërkesën e kundërligjshme të të pandehurit, ka nxjerrë Vendimin për formimin e Komisionit për Negocimin e Kontratave për furnizimin me mallra të rezervës shtetërore për vitin 2022. Me këtë Vendim, sipas Prokurorisë, është anashkaluar procedura e hapur e Prokurimit publik.

    Në Dosjen e Prokurorisë thuhet se më pas edhe përkundër faktit se krijimi i këtij Komisioni nuk kishte bazë ligjore, i pandehuri në drejtim të funksionimit të këtij Komisioni për Negocim me operatorin ekonomik “Yafe Turizm Inseat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” dhe “Xanto SP” ZO.O. In, kishte anashkaluar në tërësi dy anëtarët e Komisionit. Sipas Prokurorisë, kjo i ka mundësuar të pandehurit Ridvan Muharremi që të luajë rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet MINT dhe operatorit ekonomik, përkatësisht firmave nga të cilat do të siguroheshin produktet e rezervës shtetërore.

    Dosja: Hafiz Gara ka adresuar te Irfan Lipovica kërkesën për përjashtimin e procedurave të Prokurimit

    Për zyrtarin tjetër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Hafiz Gara, Dosja e Prokurorisë thotë se ai nga muaji shkurt i vitit 2022, në Prishtinë, në MINT, në cilësinë e personit zyrtar, në pozitën Drejtor i Departamentit të Rezervave Shtetërore të Mallrave (DRSHM/MINT), me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit buxhetit të Republikës së Kosovës, ka tejkaluar autorizimet ligjore të parapara për pozitën që e ka ushtruar.

    Në Dosje thuhet se në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, më datë 25 shkurt 2022 ka adresuar te Irfan Lipovica kërkesën për përjashtimin e procedurave të Prokurimit, edhe pse e ka ditur se kërkesa e tillë nuk ka bazë ligjore.

    Gjithnjë, sipas Prokurorisë, kjo kërkesë më pas i është adresuar Qeverisë së Kosovës, me qëllim që ta kufizojë konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit, përkundër faktit se ishte nxjerrë Vendimi për formimin e Komisionit për Negocimin e Kontratave për furnizimin me mallra të rezervës shtetërore për vitin 2022, me të cilin është anashkaluar procedura e Prokurimit publik. E më pas ishte anashkaluar edhe Komisioni, i cili ishte krijuar me qëllim të negocimit, porositjes dhe blerjes së produkteve të rezervës shtetërore të grurit, vajit të lulediellit dhe sheqerit. Dosja vazhdon duke thënë se kjo i ka mundësuar të pandehurit Ridvan Muharremi që të luajë rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet MINT dhe O. E., përkatësisht firmave nga të cilat do të siguroheshin këto produkte të rezervës shtetërore, pas të cilave ishin nënshkruar Kontratat me kompanitë në Turqi dhe Poloni për Furnizim.

  • Dy të dyshuarve për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc edhe dy muaj paraburgim

    Gjykata e Prishtinës ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për 2 muaj tjerë dy të pandehurve, Dragisha Viqentijeviq dhe Jovan Viqentijeviq, të dyshuar për sulmin terrorist të kryer më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në zonën e Zubin Potokut.

    Lajmin për vazhdimin e masës së paraburgimit e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

    “Ju njoftojmë se pas Kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të datës 23.12.2014 për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve J. V. dhe D. V., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, më 27.12.2024, ka marrë Aktvendim dhe ka aprovuar Kërkesën e PSRK-së, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurve J. V. dhe D. V., iu vazhdohet në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, për secilin.” – thuhet në Vendimin e Gjykatës së Prishtinës.

    Sulmi terrorist

    Shpërthimi që ndodhi më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut ishte cilësuar nga Qeveria e Kosovës si “sulm terrorist”.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte thënë se sulmi është kryer nga grupe terroriste.

    “Unë nuk i kam emrat e atyre që e kanë vënë detonimin. Por, unë e di një gjë, se elemente të tilla kriminale, qofshin edhe zyrtarisht anëtarë të Mbrojtjes Civile, Brigadës Civile, ata e kanë mbështetjen dhe dirigjimin nga Beogradi zyrtar.” – kishte thënë Kurti.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e ka mohuar që Serbia ka lidhje me sulmin në kanalin Ibër-Lepenc në Komunën e Zubin Potokut.

    Për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka thënë se është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit, nga 15 deri në 20 kilogramë, i cili dyshohet se është aktivizuar me detonatorë mekanikë, përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme.

    “Si pasojë e këtij sulmi janë shkaktuar dëme të mëdha materiale në kanalin e Ibër-Lepencit, si pasojë e të cilave është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për shumë zona dhe lokalitete, si dhe duke rrezikuar tej mase edhe furnizimin me energji elektrike apo edhe rrezikun me pasoja më të rënda për avari në Sistemin energjetik të Republikës së Kosovës.” – është shprehur Hoxha.

    Pas shpërthimit, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme më 30.11.2024, në ora 01:30.

    Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar. Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit e për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.

    Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë – KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi.

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli njoftoi më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër-Lepencit, kanë arritur që të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.

    Këtë sulm e kanë dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian. Edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Jorn Rohde e ka dënuar, po ashtu, shpërthimin në Zubin Potok.

    Arrestimet në lidhje me sulmin në Ibër-Lepenc

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kryer disa kontrolle në lokacione të ndryshme, gjatë të cilave janë gjetur dhe sekuestruar armë të ndryshme e pajisje tjera, lidhur me rastin e ndodhur më 29.11.2024 në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut, respektivisht në pjesën e kanalit të “Ibër-Lepencit”.

    “Me këtë rast në Stacionin policor janë shoqëruar 10 persona të dyshuar për veprat penale: “rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga Neni 122; lidhur me veprën penale “kryerja e veprës terroriste” nga Neni 129 Par. 1 dhe Neni 128 Par. 1 Nënpar. 1.8 të KPRK; “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve” nga Neni 366 Par. 2 lidhur me Par. 1  të KPRK.” – thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

    Prokuroria Speciale ka thënë se dy të shoqëruarve iu është caktuar masa e ndalimit.

    “Me vendim të Prokurorit, dy prej tyre, me inicialet D. V. dhe D. M., nga komuniteti serb, janë ndaluar. Për personin D. V. është parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, e cila është caktuar nga Gjykata për 1 (një) muaj, kurse i dyshuari D. M. nga Prokuroria është liruar në procedurë të rregullt.” – thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

    Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Dragisha Viqentijeviqit, i arrestuar nën dyshimin se ka marrë pjesë në sulmin terrorist. Caktimin e masës së paraburgimit e ka konfirmuar mbrojtësi i të pandehurit, avokati Millosh Delloviq, i cili ka thënë se klienti i tij nuk e ka pranuar fajësinë.

    Sipas Prokurorisë, me veprimet e tij Viqentijeviq po dyshohet se kreu veprën penale të rrezikimit të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike. Gjatë bastisjes, në shtëpinë e tij, u gjetën edhe armë e municion, për çka Prokuroria po e ndjek edhe për “armëmbajtje pa leje”.

    Ndërkaq, më 02.12.2024, Policia e Kosovës bëri të ditur se më 01.02.2024 ka arrestuar edhe një person të dyshuar për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit.

    Sipas Policisë, i arrestuar është personi me inicialet J. V., nën dyshimin se mund të ketë pasur rol të rëndësishëm në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.

    “Në vazhdimësi të hetimeve lidhur me rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike, por edhe rasteve paraprake, nga njësitë relevante hetimore, në bashkëpunim edhe me njësitë e tjera policore, më 01.12.2024 në orët e mbrëmjes, është arrestuar edhe një i dyshuar J. V., nën dyshimin që mund të ketë patur rol të rëndësishëm në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike.” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Po ashtu, Policia ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit J.V., në të cilën janë gjetur e sekuestruar si dëshmi: katër granate dore, një pushkë gjuetie, mbi pesëqind copë municion të kalibrave të ndryshëm, dy karikatorë të armës AK-47, një karikator i pushkës së gjatë, një radiolidhje, një palë dylbi, një kamerë kamufluese, uniforma ushtarake dhe dokumente të ndryshme.