Ballina

Kategori: Policia

  • Dy të arrestuar e një në kërkim për dhunë në familje

    Katër raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit, teksa dy persona janë arrestuar dhe një tjetër është në kërkim nga Policia.

    Rastet e dhunës janë raportuar, më 20.01.2025, në Prishtinë, Malishevë, Pejë dhe Rahovec.

    Në Kryeqytet raportohet se pas një mosmarrëveshjeje dy të dyshuar: një femër dhe mashkull e kanë sulmuar fizikisht një mashkull tjetër.

    “Lidhur me rastin e dyshuara është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari ndodhet në kërkim policor.” – njoftoi Policia.

    Kurse në Pejë, një femër është sulmuar fizikisht nga një mashkull, teksa viktima ka pranuar tretman mjekësor. Policia bëri të ditur se rasti është në procedurë hetimore.

    Ndërkaq, në Malishevë personi i arrestuar pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, u lirua me procedurë të rregullt. Sipas Policisë, i njëjti dyshohet se e ka sulmuar fizikisht një femër.

    Në Rahovec, personi i arrestuar për “dhunë në familje”, me vendim të Prokurorit, është dërguar në mbajtje.

  • Leposaviq, arrestohet 19-vjeçari i dyshuar për vjedhjen e një veture

    19-vjeçari me inicialet N.K. është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka vjedhur një veturë.

    Siç njoftojnë organet e rendit, rasti është raportuar në stacionin policor në Leposaviq të dielën më 19.01.2025 rreth orës 03:10.

    Me urdhër të prokurorit i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa automjeti pas përfundimit të procedurave policore i kthehet pronarit.

    “Gjatë intervistimit, në prani të avokatit mbrojtës, i dyshuari e ka pranuar kryerjen e veprës penale së bashku me një person tjetër, i cili është identifikuar dhe aktualisht është në kërkim policor. Të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur prokurorit të rastit, ku pas intervistimit me aktvendim të prokurorit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit  për 48 orë”- thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Policia e Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe arrestimin e të gjithë personave që kryejnë apo tentojnë kryerjen e veprave penale.

  • Inspektorati Policor rekomandon shtimin e policëve në Veri në Njësinë e Trafikut Rrugor

    Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar shtimin e policëve në Drejtorinë Rajonale Mitrovicë – Veri, përkatësisht në Njësinë e Trafikut.

    “IPK i rekomandon Drejtorit të Drejtorisë së Personelit, që në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale Policore – Mitrovicë Veriu, të sigurojnë personel të mjaftueshëm për të përmbushur strukturën dhe kapacitetet e Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor – Mitrovicë Veriu.” – thuhet në Raportin e Inspektimit të IPK-së.

    Lista e Personelit të Autorizuar (LPA) ka bërë të ditur se në Mitrovicë të Veriut janë tre rreshterë dhe 30 policë në Ekipe patrulluese, ndërsa në Ekipin e hetimeve janë vetëm tre policë e nuk ka rreshter fare.

    “Nëse e përcjellim individualisht gjendjen sasiore me burime brenda secilës Njësi, pasqyrohet se Njësia e Trafikut Rrugor në Mitrovicë të Veriut ka tre rreshterë – 21 policë më pak krahasuar me Listën e Personelit të Autorizuar. Njësia e Trafikut Rrugor në Mitrovicë – Pejë në Ekipe patrulluese ka pesë policë më shumë.” – thuhet në njoftimin e IPK-së.

    IPK njofton se janë kontrolluar 658 mostra të ngjarjeve, ku ka pasur reagim për dalje në vendin e aksidentit. Në Mitrovicë të Veriut, nga pranimi i informatës në arritjen e tyre në vendin e ngjarjes shënohet kohëzgjatja prej 21 minutash.

    Ndonëse, në Raport thuhet se në përgjithësi zyrtarët policorë të trafikut kanë të kryer trajnimin bazik në fushën e sigurisë së trafikut rrugor. Sipas IPK-së ka prej tyre që nuk kanë trajnime nga fusha e trafikut, për shkak se janë policë të rinj apo të lëvizur nga Njësi të tjera.

    “Nga të gjitha këto Njësi, vetëm 26 zyrtarë policorë kanë të kryer trajnime të avancuara për analizën e aksidenteve, edhe atë: Njësia për Kontrollin e Autostradës – tre policë, ndërsa sa i përket Njësisë së Trafikut Rrugor në Pejë janë trajnuar shtatë policë; në Mitrovicë të Veriut – tre, Mitrovicë të Jugut – dy, Gjilan – pesë, Gjakovë – dy, Ferizaj – një dhe Prishtinë – tre.” – përfundon IPK-ja.

     

  • Çfarë kishte deklaruar Naim Murseli në Polici dhe në Prokurori?

    Rasti i vrasjes së Liridona Ademajt, më 15.01.2025, ka përfunduar me Aktakuzë ndaj katër personave, duke përfshirë këtu sipas Prokurorisë: bashkëshortin e të ndjerës Naim Murselin, djalin e dajës së tij Kushtrim Kokallën, dorasin Granit Plava dhe Tomë Dodajn, i cili dyshohet se ia kishte shitur armën dorasit.

    Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla e Tom Dodaj janë katër persona që tashmë po akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, nën dyshimin për organizimin dhe vrasjen e Liridona Ademajt – ngjarje që u regjistrua më 29.11.2023, në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

    https://kallxo.com/lajm/aktakuza-naim-murseli-e-mbajti-per-krahu-liridona-ademajn-qe-mos-ti-shmangej-plumbit/

    Rrëfimin e tij për ditën kritike Murseli e kishte filluar se kishin qenë cak i një grabitjeje, kur ai së bashku me fëmijët e tij kanë dalë nga vetura, ndërsa Liridona nuk kishte arritur ta bëjë një gjë të tillë.

    Në Polici, Murseli kishte deklaruar se raporti martesor me bashkëshorten e tij ishte përkeqësuar me elemente të xhelozisë, karakter temperament të Liridonës dhe elemente kontrolluese.

    Tashmë i akuzuari, Naim Murseli përpos në Polici kishte treguar se për problemet që kishte me bashkëshorten kishte biseduar edhe me djalin e dajës së tij, Kushtrim Kokallën.

    Rrëfim ky i cili nga i pandehuri i dytë, Kushtrim Kokalla do t’i ofronte zgjidhje – duke i thënë se “Unë ta zgjidhi këtë punë”.

    Sipas Dosjes së Prokurorisë, Murseli kishte pohuar se kishte pasur një bisedë me Kushtrim Kokallën për një aksident të inskenuar, duke treguar që djali i dajës së tij kishte një shok që ishte në gjendje për ta bërë këtë.

    Sipas Murselit, shoku i Kushtrim Kokallës – sipas Prokurorisë – dorasi Granit Plava insistonte që ta kryente veprën sipas mënyrës së tij duke përjashtuar veten të ketë dhënë ide dhe të ketë planifikuar vrasjen.

    Sipas Dosjes së Prokurorisë, rrëfimi i Murselit në Polici është se në natën kritike kishte ndodhur një takim i rastësishëm në Gjakovë mes Murselit dhe Granit Plavës, pasi Naim Murseli ishte në këtë qytet për kryerjen e punëve personale.

    Dorasi dhe bashkëshorti i Liridona Ademajt – sipas Prokurorisë – rrugëtimin e bën me veturën e Naim Murselit për në restorantin “Liqeni i Dukagjinit”.

    Rruga për në këtë vend kishte hasur me disa probleme për të akuzuarit – përshkruan Prokuroria nga deklarata e Murselit, pasi goma e veturës së tij ishte shpërthyer dhe ishin detyruar të gjenin një gomist për ta rregulluar atë.

    Vendi i quajtur “Dujakes” ishte vendi ku Murseli përshkruan momentin kur dorasi ishte pajisur me armë, pasi pronari i këtij vendi e kishte pyetur Granit Plavën nëse ishte i interesuar për të blerë armë.

    250 euro i ishin dhënë nga Naim Murseli të akuzuarit tjetër, Granit Plavës për ta blerë armën, pasi ky i fundit, sipas deklaratës së Murselit të dhënë në Polici, nuk kishte para me vete për ta blerë armën.

    Me të rregulluar gomën e veturës, Naim Murseli kishte marrë një telefonatë nga bashkëshortja e tij për t’i treguar se ka ardhur në Prishtinë dhe Murseli kishte marrë rrugën për në Prishtinë. Por, që kishte pasur një kërkesë paraprakisht nga Plava që ta dërgojë në vendin e quajtur Kralan.

    Dosja tregon se në këtë vend Plava kishte për të marrë një veturë, ndërsa rruga për në Prishtinë ishte bërë ndaras – secili veç e veç – ishte deklarimi i Murselit në Polici.

    Naim Murseli tregon në Polici se gjatë tërë rrugës e kishte mbrapa me veturë Granit Plavën deri në afërsi të shtëpisë, ku edhe kishin pasur kontakt. “Unë tash e di çka bëjë” – kishte deklaruar t’i ketë thënë Murselit, Granit Plava.

    Naim Murseli ka thënë tutje se së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët kishin marrë rrugën për në restorantin “Etno House”.

    Murseli tha se në këtë restorant kishin darkuar, por që në asnjë moment nuk e kishte vërejtur që në restaurant kishte qenë edhe dorasi. Ky i fundit i kishte dërguar bashkëshortit të Liridonës një foto, për ta dëshmuar prezencën e tij në atë lokal.

    Me të përfunduar drekimin, Murseli kishte marrë një shkrim nga Granit Plava duke i thënë që ‘Unë dola nga lokali’.

    Në Polici Murseli kishte thënë që rrugën e kishte vazhduar për në shtëpinë e tij, kur në një moment kishte dalë i maskuar Granit Plava me armë drejtuar kah vetura e tyre.

    “Edhe pse isha në dijeni për prezencën e tij, unë asnjëherë nuk kam besuar në të vërtetë se Graniti do të marrë veprime për vrasje.” – ishin fjalët e Naim Murselit të dhëna në Polici, pas vrasjes së Liridona Ademajt.

    Me të parë Granit Plavën të armatosur dhe të maskuar, Murseli ka thënë se ka ngritur duart lart dhe shton t’i ketë thënë Liridona Ademajt që t’ia japë të gjitha gjërat çfarë kërkon.

    Murseli rrëfen të ketë dalur nga vetura, duke arritur ta hapte edhe derën e fëmijëve të tij e duke i thënë Liridonës “Largohu nga vetura”.

    Me t’u larguar disa metra nga vetura, Murseli kishte thënë në Polici, se ka dëgjuar një krismë – duke mos e parë se çfarë ka ndodhur.

    I akuzuari tregon se me dy fëmijët e tij kishte vrapuar për të kërkuar ndihmë nga shtëpitë përreth, por nuk kishte arritur të bënte një gjë të tillë.

    Kur ishte pyetur sërish se si kishte ikur nga vendi i ngjarjes, i njëjti është përgjigjur se pasi kishte dëgjuar krismën, personi me maskë e kishte ndjekur me veturë dhe kishte tentuar ta godasë, mirëpo i njëjti i ishte shmangur.

    Më pas Murseli ka rrëfyer se ka shkuar te një dyqan pranë vendit, ku ka ndodhur vrasja – duke i thënë se a ke dikë që mund të rri me fëmijët e mi, derisa ai të shkojë te vendi i ngjarjes.

    Gjendja e rëndë emocionale në ato momente, sipas deklarimit të Murselit në Polici, e frika e së kaluarës kriminale të Granit Plavës kishin qenë arsyet pse nuk ia kishte zbuluar identitetin dorasit në Polici.

    “Ndihem shumë i lumtur që dorasi është arrestuar dhe rasti po shkon drejt zbardhjes. Nga ana ime, jam betuar që do të tregojë të vërtetën.” – ishin fjalët e Naim Murselit tutje në Polici.

    Naim Murseli, në deklaratën e dhënë në Polici, ka deklaruar se motivi i tërë kësaj ngjarjeje ka qenë ‘presioni i lartë nga bashkëshortja, xhelozia; një jetë e vështirë ka ndikuar shumë keq në psikikën time, deri në atë masë sa unë kam dalë nga vetvetja’.

    Një problem i rëndë i kishte paraprirë kësaj ngjarjeje, kur bashkëshortes së Naim Murselit i ishin dërguar disa fotografi të disa mesazheve të Naim Murselit dhe të një afërmeje.

    Pas këtij rasti – sipas Murselit – ishte shtuar kontrolli nga ana e bashkëshortes së tij.

    Sipas Naim Murselit me Granit Plavën në kontakt kishte rënë përmes të pandehurit Kushtrim Kokalla dhe gjithsej ishin mbajtur tri takime.

    Naim Murseli ka treguar në deklaratën e dhënë në Polici se pasi ishte kryer vepra ai kishte qëndruar në hotelin “Swiss Diamond”, ku të nesërmen kishte shkuar te familja e të ndjerës.

    Naim Murseli ka thënë tutje se në Suedi kishin një biznes të përbashkët, por që nuk ishte aktiv. Murseli ka thënë tutje se ai dhe bashkëshortja e tij kishin sigurim jetësor.

    Por më 24.01.2024 dhe më 01.02.2024 Murseli krejt këto çka i kishte thënë në Polici, para Prokurorit të Rastit, i ka mohuar duke thënë se ishte i maltretuar fizikisht dhe ishte nën presionin e tyre.

    Murseli kishte deklaruar tutje se ka paraqitur rast në IPK për sjelljet e policëve gjatë marrjes në pyetje, por që nuk kishte bashkangjitur asnjë provë.

    Naim Murseli lidhur me këtë rast ishte intervistuar në Polici dhe në Prokurori, gjithsej pesë herë.

    Raportimet e KALLXO.com – LINK

  • Prokuroria e Prishtinës konfirmon se nuk qëndron prapa bastisjeve në objektet e strukturave paralele

    Prokuroria e Prishtinës përmes një komunikate për media, më 15.01.2025, ka njoftuar se Prokurori i Shtetit nuk ka autorizuar kryerjen e bastisjeve nga ana e Policisë në disa lokacione, për shkak të dyshimit se ekzistojnë struktura paralele.

    Tutje, përmes komunikatës është bërë e ditur se nuk ka pasur ndonjë kërkesë zyrtare me shkrim për kryerjen e këtij aksioni nga ana e institucioneve gjegjëse, si dhe nuk është ofruar kurrfarë prove para Prokurorit të Shtetit në mënyrë që të krijohet dyshimi se është duke u kryer ndonjë vepër penale, e cila bie në kompetencën e Prokurorisë Themelore.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë, me qëllim të transparencës dhe sqarimit të opinionit publik, njofton se lidhur me rastin e kryerjes së kontrolleve dhe bastisjeve në disa lokacione për shkak të dyshimit se ekzistojnë struktura paralele, Prokurori i Shtetit sqaron opinionin publik se nuk ka autorizuar kryerjen e kontrollit apo bastisjes në këto lokacione, për shkak se nuk ka pasur ndonjë kërkesë zyrtare me shkrim për kryerjen e këtij aksioni nga ana e institucioneve gjegjëse, për çka edhe nuk është ofruar kurrfarë prove para Prokurorit të Shtetit, për t’u krijuar dyshimi i bazuar se është duke u kryer ndonjë vepër penale që bie nën kompetencën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.” – thuhet në komunikatë.

    Po ashtu përmes komunikatës, Prokuroria ka njoftuar se nuk janë përfillur procedurat e nevojshme të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale e që në rastin konkret pra nuk është mundur të lëshohet çfarëdo autorizimi.

    “Prokurori i Shtetit duke pasur parasysh faktin që me këtë rast nuk janë përfillur procedurat e nevojshme të përcaktuara decidivisht në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, nuk ka mundur që në rastin konkret të lëshohet çfarëdo autorizimi.” – thuhet në komunikatë.

    “Prokurori i Shtetit është i gatshëm dhe i përkushtuar në ndjekjen e veprave penale dhe kryerësve të tyre, gjithmonë duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, si dhe duke u bazuar në parimin e barazisë dhe mosdiskriminimit të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.” – thuhet tutje në komunikatë.

    Në anën tjetër zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni tha për KALLXO.com se për bastisjet në objektet e strukturave paralele në rajonin e Mitrovicës, Prokuroria e Mitrovicës është informuar vetëm nga Policia – teksa kërkesë zyrtare nuk ka pasur.

    https://kallxo.com/lajm/prokuroria-e-mitrovices-pret-kerkesen-e-policise-per-bastisjet-ne-rajonin-e-mitrovices/

     

    KALLXO.COM, më 15.01.2025, ka raportuar se Policia e Kosovës kreu bastisje në disa Komuna të Kosovës, ku u mbyllën rreth 30 objekte të strukturave paralele.

    Por KALLXO.com mëson se Prokuroria e Prishtinës ka refuzuar kërkesën për bastisje në lokacionet e këtij rajoni dhe megjithëkëtë aksioni kishte vazhduar.

    Burime të KALLXO.com bëjnë të ditur se Policia e Kosovës bëri kërkesë në Prokurori për të kryer bastisje, por jo duke prezantuar kërkesë me shkrim, por kishin kërkuar urdhrin përmes telefonit.

    Një gjë e tillë është refuzuar nga ana e kryeprokurorit të Prokurorisë së Prishtinës, Zejnullah Gashi.

    Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla njoftoi se në mëngjesin e së mërkurës janë mbyllur Komuna paralele të Serbisë, si dhe Posta e Zyra Tatimore, në dhjetë Komuna të ndryshme të vendit.

    Aksionet i zhvilluan në Komunën e Lipjanit, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skenderajt.