Ballina

Kategori: Ligji

  • Prokuroria e Gjilanit ngriti 316 Aktakuza për dhunë në familje gjatë vitit 2024

    Prokuroria Themelore e Gjilanit gjatë vitit 2024 ka ngritur 316 Aktakuza ndaj 360 personave, për “dhunë në familje”.

    Sipas komunikatës së kësaj Prokurorie, gjatë vitit që shkoi në këtë Prokurori kanë qenë 2 mijë e 210 kallëzime penale. Prej tyre 2 mijë e 157 raste janë zgjidhur apo 97% e lëndëve.

    Përmes procedurave alternative, duke përfshirë Urdhrat Ndëshkimorë, janë zgjidhur 40.8% e rasteve – thuhet në njoftim.

    Kjo Prokurori thotë se “është e përkushtuar që të trajtojë me seriozitet të gjitha veprat penale.

  • Plagosja e policit në poligon – Prokuroria kërkon paraburgimin e të miturit dhe të instruktorit

    Prokuroria e Gjilanit ka kërkuar masën e paraburgimit prej një muaji për të miturin i cili dyshohet se ka plagosur zyrtarin policor në një poligon qitjeje, në Pasjak të Novobërdës më 26.01.2025, si dhe të inspektorit i cili ka qenë duke punuar në poligon, kur ka ndodhur rasti.

    Të dy janë ndaluar të dielën nga organet e rendit, pak pasi ndodhi incidenti me armë.

    Policia konfirmoi se dyshohet se të miturit aksidentalisht i ka shkrepur arma dhe ka plagosur policin.

    Po ashtu, KALLXO.com mëson se i mituri i dyshuar për plagosjen e policit ështe 16-vjeçar.

    Të hënën, Policia e Kosovës në Raportin 24-orësh njoftoi se rasti është iniciuar, si: “vrasje në tentativë nga pakujdesia” dhe “rrezikim i sigurisë në vendin e punës”.

    Sipas detajeve të PK-së, rreth orës 19:00 është raportuar se në një poligon të gjuajtjes, të dyshuarit dyshohet se i është bllokuar arma dhe po ashtu dyshohet se nga pakujdesia aksidentalisht i ka shkrepur arma e ka qëlluar zyrtarin policor.

    “Viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Me vendim të Prokurorit është arrestuar personi i dyshuar dhe instruktori i poligonit për gjuajtje, i dyshuari mashkull kosovar dhe të njëjtit janë dërguar në mbajtje.” – thuhej në Raport.

    Si prova materiale lidhur me rastin janë sekuestruar tri armë zjarri, ndërsa Policia theksoi se rasti është nën hetime.

    Por çfarë thotë Ligji për Armë në Kosovë, për mundësinë e shfrytëzimit të poligonit civil për qitje, si dhe moshën e personave që lejohen të përdorin poligonët dhe llojet e armëve?

    Sipas këtij Ligji, Pika 1 e tij përcakton se qitje në poligone civile kanë të drejtë personat fizik që kanë leje të vlefshme për armë, ata të cilët janë në proces të trajnimit praktik, si dhe personat që kanë certifikatë të lëshuar nga organi kompetent për dhënien e provimit profesional për armë përkatëse.

    Neni 18 i këtij Ligji cakton mundësinë e lejes për armëmbajtje. Ndër të tjera ky Nen thotë që leje për armëmbajtje mund të marrë personi fizik i cili plotëson kushtet sipas Nenit 7.

    Neni 7 i këtij Ligji thotë se pëlqimi për blerjen e armës mund t’i lëshohet personit i cili ka mbushur 21 vjeç. Tutje, në këtë Nen specifikohen edhe kërkesat e tjera. Mes të cilave është që personi të posedojë aftësi të plotë ligjore për veprim e aftësi psiko-fizike. “Personi që kërkon lejen për blerjen e armës duhet që të mos paraqesë rrezik për veten, rendin publik e sigurinë publike.”

    Kërkohet që ky person të ketë të kryer testin teorik dhe praktik për përdorimin e armës, të jetë shtetas i Kosovës ose i huaj me qëndrim të përhershëm, si dhe të deklarojë arsyen e blerjes së armës.

    Dallim nga këto rregulla paraqet Neni 42 Pika 11, që lejon përdorimin e armëve sportive.

    Sipas këtij Neni, armë zjarri sportive mund të përdorin personat prej 16 vjeç deri në 21 vjeç.

    “Armë zjarri sportive mund të përdorin edhe personat prej gjashtëmbëdhjetë (16) deri në njëzetenjë (21) vjeç, kurse armë pneumatike dhe armë me hark (tojë apo tetivë) mund të përdorin edhe personat prej dhjetë (10) deri në njëzetenjë (21) vjeç. Vetëm në poligone civile të licensuara për qitje ose në hapësira të tjera të siguruara dhe të caktuara për gara në qitje sportive; vetëm nën mbikëqyrjen e personit të autorizuar, përveç nëse është përcaktuar ndryshe me rregulla të Federatës Ndërkombëtare të Qitjes Sportive ose Federatës Botërore të Shigjetarisë.” – thuhet në këtë Pikë të Nenit 42.

    https://kallxo.com/lajm/zyrtari-policor-plagoset-ne-nje-poligon-qitjeje-ne-rajonin-e-gjilanit-lajm-ne-zhvillim/?fbclid=IwY2xjawIDf8JleHRuA2FlbQIxMQABHZgHUULGqQPOF8vyby8iR7hm1qPEP1N5zsVgAtrc9kfeEWQB0C40KO0mnw_aem_uKaw98zsfRVaRFqIOu7rXw

  • Gjykimi ndaj të akuzuarit për krime lufte, rrëfen dëshmitari që punoi në Burgun e Lipjanit deri në shtator 1998

    Në gjykimin e Dragisha Millenkoviqit, i akuzuar për “krime lufte” në Kosovë, në Gjykatën e Prishtinës në seancën e sotme, më 27.01.2025, ka dhënë dëshminë një dëshmitar.

    Dragisha Millenkoviq akuzohet se gjatë kohës së luftës, më 1999, në cilësinë e personit zyrtar në Burgun e Prishtinës dhe Lipjanit ka kryer veprime të cilat cilësohen si: “krime lufte ndaj popullatës civile”.

    Në fillim të dëshmisë së tij dëshmitari Enver Gashi bëri të ditur se qëndron mbrapa deklaratës së dhënë me shkrim më 09.02.2023 dhe se i kujtohet se çfarë kishte deklaruar.

    Gjatës periudhës së vitit 1998 ai kishte qenë duke punuar në Qendrën Korrektuese në Lipjan deri në shtator 1998, pasi në muajin shtator 1998 i kishin larguar.

    “Për çfarë arsye ju kanë largu?” – e pyeti prokurori Atdhe Dema.

    “Na i kanë lëshu do Vendime që të shkojmë në Serbi. Ne nuk i kemi pranuar ato Vendime dhe jemi larguar.” – tha Gashi.

    Ndërsa gjatë periudhës që kishte qenë në burg si punëtor, ai tregoi se sjellja e gardianëve dhe të burgosurve aty kishte qenë korrekte.

    “Me Dragishën kemi punuar bashkë në një kolektiv, edhe pse shpesh nuk na ka ra në ndërrime.” – tha Gashi.

    Ndërsa lidhur me sjelljen e Dragishës ndaj të burgosurve në burg, ai tha se nuk kishte dëgjuar që kishte pasur sjellje të këqija. “Po ashtu, nuk di personalisht për sjellje të këqija.” – tha Gashi.

    Seanca e sotme u ndërpre, pasi që nuk pati dëshmitarë tjerë për t’u dëgjuar.

    Për sot ishte paraparë të dëgjohej edhe dëshmitari Skender Hoti, mirëpo i njëjti nuk ishte i pranishëm.

    Trupi Gjykues i cili po gjykon këtë çështje përbëhet nga Kujtim Krasniqi, kryetar i trupit gjykues dhe anëtarët, Rrahman Beqiri dhe Arben Hoti.

    Çfarë thotë Dosja e Prokurorisë?

    Millenkoviq po akuzohet se në luftën e fundit, në vitin 1999, në cilësinë e personit zyrtar në Burgun e Prishtinës dhe Lipjanit ka kryer veprime të cilat cilësohen si: “krime lufte ndaj popullatës civile”.

    Ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës më 21.06.2023, e për arrestimin e tij ishte protestuar në Graçanicë.

    Millenkoviq ishte sjellë më 22.06.2023 para Gjykatës së Prishtinës dhe ndaj tij ishte caktuar masa e paraburgimit.

    Millenkoviq akuzohet se pasi që janë transferuar të burgosurit nga Burgu i Dubravës në Burgun e Prishtinës dhe Lipjanit i ka detyruar të burgosurit të kalojnë përmes një kordoni dhe të njëjtit i kishte goditur me shkop, grushte dhe shqelma.

    Sipas Dosjes së Prokurorisë, të burgosurit në mënyrë sistematike ishin trajtuar në mënyrë çnjerëzore – duke u torturuar, maltretuar, kanosur me jetë e kështu duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe me pasoja në shëndet.

    Përveç kësaj mbi të burgosurit – sipas Dosjes së Prokurorisë – ishte ushtruar edhe dhunë psikike.

    Këto veprime Millenkoviq akuzohet se i ka kryer në bashkëpunim me tre zyrtarë të tjerë, ndër të cilët ish-drejtori i Burgut të Qarkut të Prishtinës, Lubomir Cimburoviq, si dhe gardianët Predrag Bradiq dhe Milivoje Iliq.

    Sipas prokurorit Atdhe Dema, këto veprime janë në kundërshtim me Konventën Ndërkombëtare të Gjenevës.

    Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

    Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

    Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli, teksa po mbahej në paraburgim.

    Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.

    Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

    Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

    Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

    Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

    Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

    Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni në link.

     

  • Krejt çka ndodhi në seancën e sotme ndaj Naim Murselit dhe të akuzuarve tjerë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt – VIDEO

    I akuzuari në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, Naim Murseli në pyetjen e kryetares së Trupit Gjykues, Fatime Dermaku, për statusin martesor në seancën fillestare, më 27.01.2025, është përgjigjur se: “E kam grun e vrame”.

    Tutje, mungesa e pajisjes me disa prej shkresave të lëndës së avokatit, Ndrecë Dodaj i cili mbron të akuzuarin Kushtrim Kokalla dhe avokati Agron Kuqi i cili mbron të akuzuarin Tom Dodaj, pamundësuan mbajtjen e shqyrtimit fillestar për të akuzuarit e rastit të Liridona Ademajt.

    Në këtë rast, të akuzuar janë: Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava për vrasjen e Liridona Ademajt, kurse Tom Dodaj është akuzuar për import-eksport të armëve.

    Avokati Ndrecë Dodaj deklaroi se nuk i kishte pranuar të gjitha shkresat e lëndës – përfshirë video-incizimet dhe shkresat e tjera të lëndës, për të cilat u demantua nga prokurorja Javorka Perlinqeviq.

    Avokati Dodaj deklaroi se nuk është i gatshëm të vazhdojë këtë seancë, pasi që para se të hynte në seancë e ka pranuar Aktakuzën dhe nuk është në gjendje që ta këshillojë klientin e tij Kushtrim Kokalla.

    Por, Prokurorja e rastit deklaroi se lëndën në tërësi e ka pranuar avokati Skender Gojani, më 22.01.2025. Sipas Perlinvçeviq, avokati Gogajni me kërkesë të Dodajt kishte kërkuar që të marrë lëndën dhe shkresat përcjellëse edhe për kolegun e tij.

    Prokurorja ofroi si dëshmi edhe shkresën e cila ishte nënshkruar nga Skender Gojani, që lënda ishte tërhequr nga Prokuroria edhe për Ndrecë Dodajn.

    Pas këtyre deklarimeve, Skender Gojani i konfirmoi Gjykatës një gjë të tillë, që menjëherë kur kishte marrë telefonatën për ta tërhequr lëndën nga Prokuroria e kishte bërë të njëjtën gjë. Ai shtoi se pas komunikimit me Dodajn nga Prokuroria kishte kërkuar që të marrë lëndën edhe për kolegun e tij, ku sipas avokatit Gojani kolegu i tij ishte njoftuar dy herë për t’u marrë vesh për lëndën – nëse dëshiron ta marrë ose t’ia përcjellë të njëjtit.

    Ndërsa avokati Kuqi deklaroi se nuk e ka pranuar lëndën përmes emailit, pasi që kishte një problem me të dhe nuk ka arritur ta zgjidhë. Por, Prokurorja edhe për këtë pretendim tha se pasi kanë provuar dy herë ta dërgojnë lëndën tek avokati, e kanë parë që emaili është i mbingarkuar dhe e kanë telefonuar me qëllim që t’i bëjë zgjidhje.

    Avokati Ndrecë Dodaj u gjobit nga gjyqtarja Fatime Dermaku me 500 euro, pasi nuk përfilli sipas gjyqtares urdhrat e saj dhe i njëjti ndërpriste gjyqtaren.

    Paraprakisht, Dodajt iu shqiptua vërejtja me shkrim për të njëjtat arsye, pasi Dodaj insistonte të merrte fjalën, por që Dermaku nuk ja jepte fjalën avokatit.

    Meqenëse dy avokatë u deklaruan që nuk kishin shkresat e lëndës, Gjyqtarja njoftoi se nuk ka kushte për të vazhduar gjykimin, pasi do të dëmtoheshin të drejtat e të akuzuarve. Në këtë seancë parashihej që Prokurorja të lexonte Aktakuzën, kurse të akuzuarit të deklaroheshin lidhur me fajësinë.

    Seanca e radhës për këtë rast u caktua më 31.01.2025.

    https://kallxo.com/lajm/deshton-seanca-fillestare-ndaj-naim-murselit-dhe-te-akuzuarve-tjere-ne-rastin-e-vrasjes-se-liridona-ademajt-pamje/

    “E kishte mbajtur për krahu në mënyrë që të mos iu shmangte plumbit.” – kështu e përshkruan ngjarjen Prokurorja e rastit të vrasjes së Liridona Ademajt, derisa tregon veprimet e Naim Murselit, ish-bashkëshortit të viktimës, në natën kritike kur u krye krimi në një fshat të Prishtinës.

    Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla e Tom Dodaj janë katër persona, të cilët tashmë po akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, nën dyshimin për organizimin dhe vrasjen e Liridona Ademajt – ngjarje që u regjistrua më 29.11.2023, në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

    KALLXO.com ka arritur që të sigurojë Aktakuzën e plotë të ngritur nga prokurorja, Javorka Prlinçeviq. Kjo e fundit madje në një Konferencë që u thirr nga kryeprokurori Zejnullah Gashi tha se vonesa e Aktakuzës është si shkak i disa dokumenteve dhe kërkesave që ka kërkuar nga Suedia, për të zbardhur motivin që qëndroi mbrapa vrasjes.

    Prokurorja e rastit ka përshkruar se Naim Murseli planifikoi vrasjen e bashkëshortes së tij për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore. Prej këtyre problemeve – siç përshkruhet edhe në Aktakuzë – kishte lindur edhe dëshira për hakmarrje nga ana e Naim Murselit ndaj bashkëshortes së tij.

    Gjithmonë sipas Aktakuzës, pas datës 25.06.2022, kur ishte paguar një polisë e sigurimit jetësor në emër të Liridona Ademajt në vlerë prej 3 milionë kruna suedeze, me qëllim që pas vrasjes Murseli të përfitojë dobi financiare.

    Këtë plan Dosja e përshkruan se Naim Murseli e ndau me djalin e tezës së tij Kushtrim Kokallën dhe se ky i fundit kishte refuzuar që të kryejë vrasjen, por tutje ka gjetur personin e tretë, Granit Plavën me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin.

    Gjithmonë sipas Dosjes, më 29.11.2023, në orët e mesditës, Naim Murseli bashkë me Granit Plavën blejnë një armë të tipit ‘Zastava” me ngjyrë të zezë, nga Tom Dodaj, në vlerë 280 euro.

    E në të njëjtën ditë, Dosja shpjegon se në intervalin kohor: 20:11-20:18 minuta, në vendin me të cilin paraprakisht ishte dakorduar Naim Murseli me Granit Plavën – plan të dakorduar të cilin e kanë inskenuar që të duket si grabitje e armatosur – është kryer edhe vrasja.

    Në Dosje shkruhet se Naim Murseli e kishte lajmëruar fillimisht Granit Plavën me drita të veturës, më pas e kishte kapur për dore Liridona Ademajn, që të mos i shpëtojë plumbit, pasi u shkrep nga Plava. E, që tutje Naimi ka dalë nga vetura me fëmijët dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Me të gjitha këto veprime që ka kryer Naim Murseli, Prokuroria e ka ngarkuar atë me veprën penale të “vrasjes së rëndë”.

    I pandehuri i dytë është Granit Plava, i cili sipas Prokurorisë në ditën kritike në intervalin kohor: 20:11-20:18 minuta, në fshatin Bërnicë, pas marrëveshjes paraprake që kishte bërë me Naim Muselin, Dosja përshkruan se kreu vrasjen në formë të maskuar, kishte shtënë në drejtim të viktimës, e cila për pasojë edhe ka vdekur. E për të gjithë këtë rast, Plava do të kompensohej me një shumë prej 30 mijë eurosh.

    Sipas Dosjes së Prokurorisë, Plava ishte afruar drejtpërdrejt me viktimën dhe të njëjtën e ka qëlluar me armë, derisa krahun viktimës po ia mbante ish-bashkëshorti i saj, që të mos i shmangej plumbit.

    Arma që ishte përdorur në rast ishte gjetur në shtëpinë e të akuzuarit tashmë Granit Plava, në fshatin Cermjan në Gjakovë. Sekuestrimi i armës u bë pas bastisjes, që u krye në shtëpinë e të dyshuarit.

    Plava nga Prokuroria ngarkohet me veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “posedim i armës pa leje”.

    I akuzuari i tretë është Kushtrim Kokalla, djali i tezës së Naim Murselit. Dosja tregon se Kokalla kishte refuzuar të kryente vrasjen, por që më pas kishte gjetur Granit Plavën dhe i kishte prezantuar Naim Murselit.

    Edhe Kokalla ngarkohet me veprën penale të vrasjes së rëndë. E i pandehuri i katërt në këtë rast është Tom Dodaj. Ai po ngarkohet për “furnizim me armë” të tre të dyshuarve të parë, të cilët planifikuan dhe kryen vrasjen.

    Raportimet tjera nga KALLXO, lidhur me këtë rast, mund t’i lexoni këtu: LINK.

  • Policit të dyshuar për aksidentin me fatalitet i caktohet masa e ndalimit për 48 orë, aktualisht gjendet duke u trajtuar në Spital

    Polici i cili dyshohet se ishte duke vozitur dhe nga mospërshtatja e shpejtësisë shkaktoi aksidentin me fatalitet në rrugën Mitrovicë-Pejë në fshatin Çubrel, ku mbetën të vdekur tre persona, i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

    Por këtë masë polici do ta mbajë në Spital, për shkak se është duke u trajtuar pas lëndimeve që ka marrë në aksidentin që ndodhi më 26.01.2025, rreth orës 19:00 në mbrëmje.

    KALLXO.com ka kontaktuar me zëdhënësin e IPK-së Arbër Beka, i cili konfirmoi vendimin për ndalimin.

    “Parimisht, Prokurori i ka caktuar vendimin për ndalim, por polici vazhdon që të jetë në Spital në trajtim mjekësor.” – tha Beka.

    KALLXO.com mëson në anën tjetër se zyrtarët policorë janë të Njësisë Speciale Kufitare nga Peja dhe të njëjtit ishin duke shkuar në punë në Mitrovicë.

    Në aksidentin në Çubrel një burrë dhe dy gra vdiqën, ndërsa katër policët që ishin me automjetin e Policisë duke udhëtuar kanë marrë lëndime trupore.

    Inspektorati Policor i Kosovës, sot më 27.01.2025, njoftoi se kanë rekomanduar suspendimin e policit, si masë administrative fillestare për të trajtuar aksidentin që u regjistrua.

    Në njoftimin e IPK-së thuhet edhe se deri tek aksidenti erdhi mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës në të cilën ishin duke udhëtuar zyrtarët policorë dhe në një rast rruga kalon në korsinë tjetër dhe godet veturën civile.

    Kryetari i Skenderajt Fadil Nura ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave.

    “Situata është rënduar pas aksidentit në Çubrel, me tri viktima deri tani të konfirmuara nga Policia e Kosovës. Thellësisht i prekur nga ky aksident ku u shuan tri jetë. Zoti ua lehtësoftë dhimbjen familjeve!”- kishte shkruar Nura.

    Për rastin kishte shkruar edhe Kryeministri i Kosoves, Albin Kurti.

    “Lajmi për aksidentin e trafikut ku 3 persona humbën jetën në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë na jep dhimbje të madhe… Konsideroj se shumë shpejt do të kemi një pasqyrë edhe më të plotë për rastin, ndërkohë që marr shkas për të bërë thirrje për kujdes të përgjithshëm në komunikacionin automobilistik, për të evituar sa më shumë fatkeqësitë”- kishte shkruar Kurti.

    Për këtë aksident janë publikuar video te shumta edhe në TikTok (shih këtu dhe këtu), prandaj KALLXO.com e ka vizituar vendin ku ka ndodh aksidenti dhe detajet mund t’i shikoni në videon e bashkangjitur.

    Shënim: Teksti është azhurnuar me informatat e reja për këtë rast.