Gjykata e Prishtinës ka vendosur lidhur me rastin e Andi Pajzitit, i akuzuar për vrasjen e K.R., në lokalin “Bon Vivant”, në Prishtinë, më 2023.
Për veprën penale “vrasje në gjendje të tronditjes së fortë mendore” Andi Pajaziti është liruar nga akuza. Ndërsa, për veprën penale “armëmbajtje pa leje” është dënuar më 2 vjet burgim dhe në këtë dënim do t’i llogaritet edhe qëndrimi në paraburgim.
Dënimi me burgim të njëjtit do t’i ekzekutohet në afat prej 15 ditësh, pasi Aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.
Shpallja e Aktgjykimit është bërë nga gjyqtari i vetëm gjykues, Eroll Gashi.
“Për Dispozitivin e Parë lirohet nga ky Dispozitiv i kësaj Aktakuze, sepse ka rrethana që e përjashtojnë përgjegjësinë penale, përkatësisht veprimet e të pandehurit janë në kuadër të mbrojtjes së nevojshme. Ndërsa, për Dispozitivin e Dytë “armëmbajtje pa leje” është shpallur fajtor dhe për këtë vepër është dënuar me 2 vjet burgim, i cili dënim do të ekzkutohet në afat prej 15 ditësh nga dita kur ky Aktgjykim të bëhet i formës së prerë.” – tha gjyqtari.
Gjyqtari Gashi bëri të ditur se me Aktvendim të veçantë të akuzuarit i ndërpritet masa e paraburgimit.
“Të akuzuarit me Aktvendim të veçantë i ndërpritet masa e paraburgimit. Në dënimin e shqiptuar ‘me burgim’, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 05.08.2023 deri më 31.01.2025. Ashtu që në atë mënyrë që një ditë e qëndrimit në Paraburgim do të barazohet në një ditë me burgim.” – theksoi gjyqtari.
Andi Pajaziti më 18.07.2024 në seancën e shqyrtimit fillestar kishte deklaruar se e pranon fajësinë për “armëmbajtje”, por për “vrasje në gjendje të tronditjes së fortë mendore” nuk e pranon, pasi i njëjti tha se ka vepruar në vetëmbrojtje.
“Për veprën e parë penale ‘vrasje në gjendje të tronditjes së fortë mendore’ nuk ndihem fajtor, sepse ajo vepër është kryer në vetëmbrojtje, kurse për ‘armëmbajtje’ e pranoj.” – kishte deklaruar Andi Pajaziti.
Gjyqtari ka urdhëruar edhe shkatërrimin e armës.
“Gjykata urdhëron konfiskimin e përhershëm të armës të tipit ‘SMITH’ e kalibirit 9mm. Pas plotfuqishmërisë së këtij Aktgjykimi, e njëjta duhte të shkatërrohet nga Policia në bashkëpunim me Prokurorinë Themore në Prishtinë, pasi të vërtetohet se e njëjta nuk është përdorur në ndonjë rast tjetër penal.” – tha gjyqtari.
Si ishte kryer vrasja sipas Prokurorisë?
Sipas Dosjes së Prokurorisë, rasti kishte ndodhur më 04.08.2023, rreth orës 23:15, ku paraprakisht ishin të ulur i pandehuri, i cili gjendet në arrati, Dukagjin Likaj, bashkë me tani të ndjerin K.R.
Dosja përshkruan se Likaj ishte ai i cili e kishte ftuar të akuzuarin Andi Pajaziti të ulet te tavolina e tyre.
Pas tensionimit të situatës – sipas Prokurorisë – ishte sigurimi Hisni Gecaj ai i cili ishte munduar ta qetësojë situatën, por nuk kishte arritur.
Dosja e Prokurorisë përshkruan se tashmë i ndjeri K.R. e kishte sulmuar me shishe dy herë në kokë të akuzuarin Pajaziti.
Pas këtij sulmi, i akuzuari e kishte nxjerrë armën nga brezi nga ana e djathtë, për shkak të tronditjes së fortë mendore – si përshkruhet në Aktakuzë “pa fajin e tij, pa menduar për pasojat”, shtie me armë zjarri, me ç’rast e godet tashmë të ndjerin K.R.
Sipas Dosjes së Prokurorisë armën e kishte nxjerrë edhe Dukagjin Likaj. Gjatë kësaj kohe ia kishte mbajtur dorën sigurimi Hisni Gecaj, kurse arma ishte e drejtuar në drejtim të të akuzuarit Pajaziti.
Dosja thotë se Dukagjin Likaj ka shtënë me armë në drejtim të të pandehurit Pajaziti, me ç’rast e “ka lënduar në bërrylin e dorës së majtë” dhe si të tilla bëjnë pjesë në lëndime të rënda trupore, me pasoja të përhershme shëndetësore.
Vdekja e K.R. – sipas Prokurorisë – ka ardhur si pasojë e gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme, e cila ka çuar në shok hemorragjik, si pasojë e predhës së armës së zjarrit.
Arma e cila është përdorur – sipas Prokurorisë – është tip “Smith” e kalibrit 9mm.
Për këtë i akuzuari përveç kryerjes së vrasjes akuzohet edhe për “armëmbajtje pa leje”.
Pajaziti është duke qëndruar nën masën e paraburgimit. Pajazitit i ishte shqiptuar masa e paraburgimit më 07.08.2023, së bashku me të dyshuarit, Hisni Gecaj dhe Gëzim Zakuti.
Por, Gecaj dhe Zakuti ishin liruar nga kjo masë, pas kërkesës së Prokurorisë.
Sipas Prokurorisë në këtë rast në rrezik ishin jetët e personave të tjerë, të cilët kishin pësuar lëndime trupore nga predhat e armëve të zjarrit.
Të plagosur të tjerë kishin mbetur edhe Andi Pajaziti e Hisni Gecaj, ndërsa plagëve të armës së zjarrit nuk kishte arritur t’u mbijetonte K.R., i cili kishte vdekur në QKUK.
13 persona sipas Prokurorisë ishin lënduar nga gotat e thyera të qelqit, gjatë përpjekjes për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.