Iniciativa për art dhe kulturë “StoryLab” nga Prishtina, në bashkëpunim me Shkollën e Arteve Digjitale (SODA) në Universitetin e Manchester-it, do të organizojnë një sërë punëtorish në kuadër të projektit “Memory Jam”, me ligjërues nga Kosova dhe Britania e Madhe.
Projekti “Memory Jam” do të mbahet më 8 dhe 20 shkurt, si dhe 4 mars 2025, ndërsa komunikimi në mes të artistëve kosovarë dhe atyre britanikë do të bëhet në mënyrë virtuale.
“StoryLab” përmes një komunikate ka bërë të ditur se punëtoritë në kuadër të projektit “Memory Jam” do të zbulojnë fuqinë e tregimit multimedial përmes “realitetit të shtuar, fotografisë, filmit dhe shkrimit kreativ”.
“Ky projekt bashkon studentë dhe profesionistë të rinj krijues nga Britania e Madhe dhe Kosova (e rajoni), për të zhvilluar punë që eksplorojnë identitetin, memorien dhe hapësirën virtuale. ‘Memory Jam’ eksploron memorien duke ‘i mveshur’ objektet fizike me një ‘kujtesë’ të zgjeruar virtuale, si tekst, audio apo video.” – thuhet në komunikatë.
Po sipas komunikatës pjesëmarrësit e projektit “Memory Jam” do të krijojnë një vepër digjitale, e cila do të ekspozohet online dhe do të publikohet në një revistë.
Takimet e krijuesve në kuadër të “Memory Jam” do të bëhen në mënyrë hibride, online dhe fizike.
Të gjithë pjesëmarrësit nga Kosova do të takohen në “Rezidencën 17” në Prishtinë dhe pjesëmarrësit nga Britania e Madhe do të takohen në SODA, ku të dy palët do të komunikojnë virtualisht.
Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të mbajë të premten, më 31.01.2025, nga ora 19:30, koncert në atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
Koncerti do të dirigjohet nga mjeshtri italian Dario Salvi, ndërsa pjesë e këtij koncerti do të jetë edhe flautisti italian Andrea Griminelli.
“Nën drejtimin e mjeshtrit Dario Salvi, Griminelli do të luajë Koncertin për flaut nr. 1 të Moxartit dhe, më pas, së bashku me flautisten e mirënjohur kosovare Venera Mehmetagaj – Kajtazi, do të interpretojnë kohën e tretë të Koncertit për dy flaute nga Cimarosa”- thuhet në njoftimin e Filharmonisë.
Në këtë mbrëmje, sipas njoftimit, në shënim të 255-vjetorit të lindjes së Beethovenit, orkestra do të interpretojë “Simfoninë e 8-të” të gjeniut klasik, ndërsa gjithashtu do të interpretohet edhe premiera e veprës ‘Rush Hour 2’ nga kompozitori kosovar Lum Halabaku.
Me këtë koncert, siaps njoftimit, do të nisë cikli i koncerteve drejt shënimit të 25-vjetorit të themelimit të Filharmonisë së Kosovës.
Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) ka emëruar jurinë vlerësuese për projektet filmike të metrazhit të gjatë, të cilat kanë aplikuar në konkursin e shpallur në dhjetor të vitit 2024.
Tin Dirdamal, Norika Sefa, Antoneta Kastrati, Thomas Logoreci dhe Alireza Ghasemi, janë emëruar anëtarë të jurisë vlerësues për projektet filmike të cilat kërkojnë mbështetje financiare nga fondet publike.
Më 12.12.2024, QKK-ja ka hapur konkursin për subvencionimin e projekteve filmike të metrazhit të gjatë artistik, por jo edhe për zhanret e tjera të filmit siç kishte vepruar në vitet paraprake.
Ndërsa konkursi u zgjat më 13.01.2025 për 24 orë për shkak të problemeve teknike që kanë hasur aplikuesit gjatë aplikimit në platformën online të QKK-së gjatë datës 12.01.2025.
Dega e baletit e Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë ka shfaqur të mërkurën, më 29.01.2025, premierën e baletit “Transformim”.
Kjo premierë është shfaqur në Teatrin “Oda” në Prishtinë.
Koreografia e shfaqjes është realizuar nga Driton Saqipi, profesor i baletit në këtë shkollë, ndërsa interpretuan nxënësit e kësaj shkolle.
Kjo shfaqje e zhanrit kontemporan është përcjellë me muzikë të emrave të njohur botërore, si: Edith Piaf, Bill Haley, Pan Sonic e Rona Castrioti.
Koreografi Driton Saqipi tha për KALLXO.com se shfaqja “Transformim” është krijuar duke u bazuar në transformimet që po ndodhin në shoqëri në përgjithësi, që nga lojërat e fëmijëve deri tek ato politike.
“Për realizmin e shfaqjes ‘Transformim’ jam inspiruar nga transformimet që po ndodhin çdo ditë në përditshmërinë tonë, si po transformohet dansi, lojërat e fëmijëve deri te transformimet politike. Dansi kontemporan të mundëson të kapësh tema të cilat mund t‘i kapësh dhe përjtosh çdo ditë”- ka thënë Saqipi.
Sipas tij, për vitin e pestë me radhë, kjo shkollë është fokusuar në realizimin e 4 shfaqjeve premierë në vit të zhanrit kontemporan dhe klasik.
Saqipi thotë se me shfaqjen e këtyre premierave nxënësit e shkollës e kanë më të lehtë përballjen me publikun në të ardhmen.
Me shfaqjen “Transformimi” Shkolla “Prenk Jakova” ka shënuar edhe 75 -vjetorin e saj. Në kuadër të Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” që nga 2001 funksionon edhe Dega e Baletit.
Pamje nga shfaqja e baletit ‘Transformim’. Foto: KALLXO.com.Pamje nga shfaqja e baletit ‘Transformim’. Foto: KALLXO.com.
Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) ka mbajtur të mërkurën, më 29.01.2025, një mbledhje komemorative me rastin e vdekjes së anëtarit të saj, akademik Minir Dushi, i cili vdiq më 27.01.2025.
Gjatë kësaj mbledhjeje u tha se akademik Dushi gjatë gjithë jetës së tij kontribuoi në zhvillimin e arsimit dhe shkencës në Kosovës, veçmas asaj minerale.
Akademik Mehmet Kraja, Kryetar i ASHAK-ut, tha gjatë fjalës së tij se akademik Dushi ishe anëtar i ASHAK-ut për 50 vjet më radhë dhe se vdekja e tij ka lënë një zbrazëti të madhe në Akademi.
“Akademik Minir Dushi ka marrë pjesë në themelimin e institucioneve më prestigjioze të arsimit. Ai ishte inxhinieri i parë shqiptar që zbriti në galeritë e Trepçës, gjatë hartimit të Enciklopedisë së Kosovës. Më ka bërë përshtypje veçmas, se ai fliste dhe shkruante me një konsideratë të jashtëzakonshme për pasuritë tokësore e nëntokësore së Kosovës.” – tha ai, duke shtuar se ikja e akademik Dushi lë një vend të zbrazët në Akademi i cili, siç tha Kraja, për shumë kohë ishte emblema e këtij institucioni.
Ndërsa, Fetah Podvorica, anëtar korrespondent i ASHAK-ut, tha se akademik Dushi ka dhënë një kontribut në themelimin e Fakultetit të Xehetarisë – Metalurgjisë dhe Institutit të Plumbit dhe Zinkut të Kombinatit “Trepça” etj.
“Akademik Dushi dha kontribut edhe në hartimin Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, ndërsa opusi shkencor i tij arrin mbi 180 Njësi bibliografike.” – tha Podvorica, Sekretari i Seksionit të Shkencave të natyrës në ASHAK.
Një fjalë rasti mbajti edhe djali i akademik Dushit, Baton Dushi. Ai tha se përveç familjes edhe Akademia e humbi anëtarin e saj të familjes akademike.
“Familja juaj e Akademisë humbi kolegun punëtor, derisa familja jonë humbi prindin fort të kujdesshëm dhe shumë punëtor. Respekt, mirënjohje për çdo ditë që prindi ynë gjeti respekt dhe ngrohtësinë tuaj.” – tha Dushi.
Një telegram ngushëllimi për vdekjen e akademik Dushit ka dërguar edhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë.
Biografia e akademik Dushit
Akademik Minir Dushi u lind në Gjakovë në vitin 1929. Shkollën Fillore e kreu në vendlindje, ndërsa Shkollën e Mesme Teknike e mbaroi në Nish (1950).
Studioi në Fakultetin e Xehetarisë në Beograd, ku diplomoi më 1958, ndërsa doktoroi po në Universitetin e Beogradit në vitin 1965.
Një kohë punoi në Minierën e Trepçës, duke ushtruar edhe funksione të ndryshme udhëheqëse në këtë Kombinatin “Trepça”.
Ai ishte ndër themeluesit dhe drejtues i shumë institucioneve mësimore dhe shkencore, si: Shkollës së Lartë Teknike në Mitrovicë (1961-1966), Institutit të Plumbit dhe Zinkut të Kombinatit “Trepça” (1966-1973): Fakultetit të Xehetarisë dhe Metalurgjisë në Prishtinë (1970), e më vonë në Mitrovicë (1975-1979).
Në vitin 1969 u zgjodh profesor inordinar i Fakultetit Teknik të Prishtinës, ndërsa në vitin 1975 profesor ordinar i Fakultetit Xehtaro-Metalurgjik në Mitrovicë, ku ushtroi edhe detyrën e Dekanit për dy mandate.
Me themelimin e Universitetit të Prishtinës (1970) u zgjodh Zëvendësrektor i parë, kurse në vitin 1981 u bë Rektor i këtij Universiteti (1981-1983).
Anëtar korrespondent i ASHAK-ut u zgjodh që nga themelimi i Akademisë në vitin 1975, kurse në vitin 1978 u zgjodh anëtar i rregullt. Në vitin 1986 u bë anëtar i Kryesisë së KSA të Kosovës.
Opusi shkencor i akademik Minir Dushit arrin mbi 180 Njësi bibliografike. Nga fusha e Xehetarisë ka botuar 8 vepra e afro 70 punime shkencore dhe profesionale. Ka të botuara 18 libra shkencorë, nga të cilët 4 tekste universitare, si dhe 14 vepra të tjera të veçanta të botuara nga ASHAK-u dhe Universiteti i Prishtinës.
Akademik Minir Dushi është nderuar me një sërë çmimesh, dekoratash dhe mirënjohjesh. Akademik Minir Dushi ishte veteran i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe ishte shpallur edhe veteran i arsimit të Kosovës.
Në 25-vjetorin e Universitetit të Prishtinës, Senati i këtij Universiteti i dha titullin “Profesor emeritus”, kurse Këshilli Shkencor-Mësimor i Fakultetit Xehtaro-Metalurgjik në vitin 1996 e shpalli “Dekan nderi”.
Varrimi i akademik Minir Dushit bëhet sot, më 29.01.2025, në varrezat e qytetit të Gjakovës, në orën 16:00.
Pamje nga mbledhja komemorative për akademik Minir Dushin / Foto: KALLXO.com