Ballina

Kategori: Hulumtim

  • OSHP e vendosi në listë të zezë për falsifikim të vulës dhe nënshkrimit, Prokuroria inicion rast pas interesimit të KALLXO.com

    Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka vendosur në listë të zezë kompaninë “Fortesa SH.P.K” për falsifikim të nënshkrimit dhe vulës së një kompanie tjetër gjatë aplikimit në një tender në Komunën e Gjilanit.

    Edhe përkundër kësaj, as Komuna e Gjilanit e cila ishte inicuese e tenderit e as Organi Shqyrtues i Prokurimit e cila më 08.11.2024 e ka vendosur kompaninë në listë të zezë, nuk e kanë dërguar këtë rast në Prokurorinë e Shtetit.

    Rasti është regjistruar nga Prokuroria e Gjilanit dhe i është ndarë një prokurori vetëm pasi KALLXO.com është interesuar dhe ka dërguar pyetje, gati tre muaj pasi kompania “Fortesa SH.P.K” është vendosur në listë të zezë në lidhje me tenderin e Komunës së Gjilanit për “Rregullimin e rrugëve të arave për nevojat e Bujqësisë”.

    “Referuar pyetjeve tuaja ju njoftojmë se ky rast nuk evidentohet në regjistrat e Prokurorisë Themelore në Gjilan, mirëpo ju informojmë se pas kërkesës suaj lidhur me këtë çështje, Prokuroria Themelore në Gjilan, ka regjistruar këtë rast, i cili mban shenjën PPN.I.21/2025 dhe është ndarë në punë tek një prokuror nga Departamenti i Krimeve të Rënda”- tha për KALLXO.com, Liridona Xheladini, zëdhënëse e Prokurorisë së Gjilanit, më 30.01.2025.

    Pas kërkesës së Komunës së Gjilanit, Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik më 08.11.2024 mori vendim për vendosjen e kompanisë “Fortesa SH.P.K.” për tre muaj në listën e zezë. Në këtë tender, “Fortesa SH.P.K” ishte lidere e Grupit të Operatorëve Ekonomikë, të përbërë nga kompanitë, “AlbaProject” dhe “Auremont”. Por për këta dy të fundit kërkesa e Komunës së Gjilanit për vendosjen në listën e zezë u refuzua nga OSHP.

    Paneli Shqyrtues i Gjykatës së tenderëve konstatoi se kompania “Fortesa SH.P.K.” në tenderin për “Rregullimin e rrugëve të arave për nevojat e Bujqësisë” i iniciuar nga Komuna e Gjilanit më 20.09.2023, ka mashtruar me dokumentacionin e dorëzuar në këtë aktivitet të prokurimit.

    Sipas vendimit të OSHP-së, Komuna e Gjilanit ka dorëzuar prova të mjaftueshme që dëshmojnë se kompania “Fortesa SH.P.K, në këtë aktivitet të prokurimit ka mashtruar/falsifikuar nënshkrimin dhe vulën e kompanisë “Eing COM” në dokumentin e marrëveshjes për bashkëpunim për dhënie me qira të makinerisë së kërkuar në Dosje të Tenderit.

    KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresën e dy kompanive, “Fortesa SH.P.K”, e cila është vendosur në listën e zezë dhe “Eing COM”, nënshkrimi dhe vula e së cilës pretendohet se është falsifikuar. Përkundër se KALLXO.com i ka kontaktuar përmes telefonit dhe emailit më 28, 29 dhe 30.01.2025, kompanitë nuk janë përgjigjur deri në publikimin e artikullit.

    Sipas vendimit të OSHP-së për diskualifikim, kompania “Fortesa SH.P.K” nuk ishte përgjigjur ndaj kërkesës së Komunës së Gjilanit, si Autoritet Kontraktues në tenderin “Rregullimin e rrugëve të arave për nevojat e Bujqësisë”.

    “Nuk i është përgjigjur kërkesës së Autoritetit Kontraktues të datës 20.10.2023” – thuhet në vendim, duke shtuar se më pas Komuna e Gjilanit iu ka shkruar veç e veç kompanive, marrëveshjet për marrjen e pajisjeve me qira me të cilat ishin prezantuar nga “Fortesa SH.P.K”.

    Ndërsa në përgjigjen për OSHP-në, kompania “Fortesa SH.P.K” pretendon se nuk ka dorëzuar dokument me përmbajtje të rreme.

    “Njoftojmë Panelin Shqyrtues se duke pasur provat tona, konfirmojmë se nuk kemi paraqitur asnjë dokument me përmbajtje të rreme apo të falsifikuar ashtu siç pretendon Autoriteti Kontraktues lidhur me këtë aktivitet të prokurimit” – thuhet në përgjigjen e kompanisë “Fortesa SH.P.K”, e cila citohet në vendimin e OSHP-së. Këtë përgjigje ata e kishin dhënë pasi e kanë pranuar njoftimin e OSHP-së të datës 09.02.2024, në lidhje me kërkesën për diskualifikim.

    Kurse kompania “Eing COM” i ishte përgjigjur Komunës së Gjilanit duke konfirmuar se i njëjti dokument nuk është nënshkruar dhe as vulosur nga ta. Kjo përgjigje është përfshirë edhe në vendimin e OSHP-së për diskualifikim të kompanisë “Fortesa SH.P.K”.

    “Marrëveshja e prezantuar nga Grupi i Operatorëve Ekonomikë “Fortesa SHPK” & “N.P Auromont” në aktivitetin e prokurimit të lartshënuar nuk është lidhur, vulosur dhe nënshkruar nga ana e personit të autorizuar të kompanisë “EING COM” dhe si e tillë kjo marrëveshje është inekzistente dhe nuk ka vlefshmëri të marrëdhënies juridike për kompaninë “EING COM”” – thuhet në përgjigjen e datës 24.10.2023 për Komunën e Gjilanit si Autoritet Kontraktues.

    A kanë bashkëpunim Gjykata e tenderëve me Prokurorin e Shtetit?

    Organi Shqyrtuesi i Prokurimit dhe Prokurori i Shtetit nuk kanë bashkëpunim në dërgimin dhe trajtimin e rasteve në të cilat konstatohet se ka falsifikim të dokumenteve.

    Në lidhje me kompanitë e vendosur në listën e zezë dhe bashkëpunimin me Prokurorin e Shtetit, KALLXO.com ka kontaktuar me Agim Sheqirin, ushtrues detyre i kryesuesit të Sekretariatit në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

    Ai e ka konfirmuar se nuk kanë marrëveshje më prokuroritë përkatëse, teksa adresimin e rasteve ku dyshohet për vepra penale, Sheqiri tha se u takon autoriteteve kontraktuese.

    “Ajo çka di është se autoritetet kontraktuese janë njoftuar që çështjen me e dërgu në Prokurori, është obligim i tyre se në fakt ato e kanë njëfarë obligimi, jo vetëm ata por edhe na. Pra nëse konstaton që ka mashtrim duhet të iniciohet rasti në organet e drejtësisë. Autoriteti Kontraktues e ka obligim, nëse ka mashtru ka falsifiku ai me e paraqitë sepse falsifikimi është bërë aty, po supozoj nëse u ba, jo te na. Me Prokurorinë nuk e di që kemi ndonjë bashkëpunim”- theksoi Sheqiri.

    Edhe pse nga OSHP kanë thënë se edhe autoritetet kontraktuese e kanë obligim të dërgojnë rastet e tilla në organet e drejtësisë, Komuna e Gjilanit, e cila e ka dërguar në OSHP kërkesën për vendosjen e kompanisë në listën e zezë për mashtrim, nuk e ka dërguar rastin në prokurori.

    Zyrtari përgjegjës i prokurorimit në Komunën e Gjilanit, Kujtim Bajrami, e ka konfirmuar për KALLXO.com se nuk e kanë njoftuar Prokurorinë për këtë rast, duke shtuar se vendimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit është publik dhe i qasshëm edhe për organet e drejtësisë.

    “Ne si Autoritet Kontraktues, kemi zhvilluar procedurën dhe gjate procedurës kemi paraqitur kërkesë për Organin Shqyrtues të Prokurimit në harmoni me dispozitat e ligjit të Prokurimit Publik dhe për të njëjtën me datë 08.11.2024 është publikuar vendimi i OSHP-së, lidhur me diskualifikimin e OE në fjalë. Pasi që vendimi është publik dhe i qasshëm për te gjitha palët, përfshi këtu edhe Prokurorinë, ne konsiderojmë se një vendim publik mund të merret nga të gjitha palët dhe institucionet kompetente. Andaj edhe ne nuk kemi vepruar tutje”- tha Bajrami më 28.01.2025 për KALLXO.com.

    Zëvendëskryeprokurorja e Prokurorisë së Prishtinës, Elza Bajrami, ka thënë për KALLXO.com se nuk ka ndonjë rast për të cilin dyshohet se ka elemente të veprës penale e që Organi Shqyrtues i Prokurimit i ka njoftuar.

    “Prokuroria dhe Organi Shqyrtues i Prokurimit nuk është se kanë ndonjë komunikim te drejtpërdrejtë sa i përket trajtimit te rasteve ku mund të konsumojnë vepër penale dhe të cilat mund të jenë zbuluar apo të krijohet dyshimi i arsyeshëm gjatë procedurave para OSHP-së. Zakonisht në Prokurori, informacionet qe i referohen veprave te mashtrimit ne prokurimin publik vijnë prej Policisë së Kosovës. Kryesisht kjo më tepër është një punë e Autoriteteve Kontraktuese për shkak se edhe vendimet e OSHP-së janë të tilla që ua lënë në dorë Autoriteteve Kontraktuese qe të njëjtat ti njoftojnë organet e rendit gjegjësisht organet e drejtësisë – Policinë, Prokurorinë, nëse ka dyshime për veprime te tilla, falsifikimet e dokumenteve apo mashtrime, tentime te mashtrimit ne prokurim publik. Deri me tani nuk kemi pasur raste te cilat janë paraqitur direkt nga ana e OSHP-së”- tha Bajrami më 28.01.2025 për KALLXO.com.

    Sipas nenit 79 të Kodit të Procedurës Penale, “të gjitha organet publike detyrohen t’i paraqesin veprat penale që ndiqen sipas detyrës zyrtare për të cilat janë informuar ose për të cilat kanë marrë dijeni në ndonjë mënyrë tjetër”.

    Kallëzimi penal i paraqitet prokurorit kompetent të shtetit me shkrim, me mjete teknike të komunikimit ose gojarisht.

    Një rast i bashkëpunimit të një institucioni me Prokurorin e Shtetit për dërgimin e rasteve të dyshuara për vepra penale dhe ndarjen e informacioneve të tjera është Zyra Kombëtare e Auditimit.

    ZKA që nga viti 2018 ka dërguar 143 raste të dyshimta për vepra penale në Prokurorinë e Shtetit. Prej tyre, vetëm në tri raste janë ngritur aktakuza.

  • Gjykata vërteton diskriminimin në pagë të aktorit të Teatrit Kombëtar

    Gjykata Themelore në Prishtinë (GJTHP), Departamenti i përgjithshëm ka vërtetuar diskriminimin në pagë nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndaj aktorit Naim Berisha, anëtar i Trupës Rezidente të Teatrit Kombëtar të Kosovës, për periudhën 01.07.2011 deri 30.04.2015.

    Përmes Aktgjykimit të datës 19.12.2024, GJTHP e ka aprovuar në tërësi si të themeltë Kërkesëpadinë e aktorit Naim Berisha kundër MKRS-së – duke e detyruar këtë të fundit që t’ia paguajë aktorit Berisha diferencën e ndryshimit në pagë për periudhën kohore 01.07.2011 – 30.04.2015.

    Aktgjykimi i datës 19.12.2024 i GJTHP-së vjen pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese – KI137/23, të datës 18. 01.2024, publikuar më 20.02. 2024, përmes së cilës konstatohet se tre Aktgjykimet paraprake të Gjykatës së rregullt – përfshirë Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë (2015), Gjykatës së Apelit (2019) dhe Gjykatës Supreme (2022) – nëpërmjet të cilëve i ishte refuzuar Kërkesëpadia aktorit Berisha, ishin nxjerrë në kundërshtim me Kushtetutën, provat dhe Ligjet e aplikueshme në Kosovë.

    Kushtetuesja, më 19.01. 2024, konstatoi se Aktgjykimi i Supremes ka pasur shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të paraparë me Nenin 31, Paragrafi 1 të Kushtetutës në ndërlidhje me të drejtën për një proces të rregullt të paraparë me Nenin 6, Paragrafi 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

    Vendimi i Kushtetueses bëri që rasti i Berishës të rigjykohet.

    Aktgjykimi i Gjykatës

    Më 19.12.2024, GJTHP e ka vërtetuar diskriminimin në pagë për periudhën 4 vjeçare (2011-2015) të aktorit Berisha nga MKRS-ja – duke e obliguar këtë të fundit të paguajë diferencën në pagë, diferencën e kontributit pensional, tatimit dhe kamatën ligjore.

    Më 2012 Berisha kishte ushtruar padi në Gjykatë për diskriminim në pagë, në raport me kolegët e tij.

    Sipas Vendimit të GJTHP-së, MKRS me mospagesën e njëjtë të Berishës në raport me kolegët e tij, ka shkelur të drejtat e tij që kanë të bëjë me kushtet e punësimit dhe pagesës – duke bërë diskriminim të drejtpërdrejtë, përkatësisht duke shkelur Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi.

    “Përfundimisht, Gjykata vlerëson se e paditura (MKRS) me rastin e mospagesës së njëjtë të paditësit, sikurse kolegët e tij për punën e njëjtë ka bërë diskriminim të drejtpërdrejtë ndaj tij – duke e trajtuar në mënyrë më pak të favorshme sesa janë trajtuar të punësuarit e tjerë në pozitat e përmendura.” – thuhet në Aktgjykim.

    Po sipas këtij Aktgjykimi, meqë Gjykata gjeti se e paditura (MKRS) me veprimet e saj ka bërë diskriminim të drejtpërdrejtë ndaj paditësit (Naim Berisha) vendosi të detyrojë të paditurën (MKRS) që paditësit t’ia kompensojë shumën e caktuar sipas Aktgjykimit.

    Rruga e gjatë për drejtësi e aktorit Naim Berisha

    Aktori Berisha tha për KALLXO.com se fatura që i është dashur të paguajë për shkak të përcaktimit të tij për mbrojtje të të drejtave të punëtorëve dhe ligjshmërisë në Teatrin Kombëtar ka qenë shumë e shtrenjtë.

    Diskriminimi në pagë ka thënë ai është vetëm njëri ndër sulmet që atij i janë bërë gjatë kësaj qëndrese për drejtësi.

    “Gjykata më në fund pas 14 vjetëve aprovoi padinë dhe konfirmoi diskriminimin. Kërkimi i drejtësisë në Gjykatë ishte i rëndë, po aq sa diskriminimi. Kjo lëndë është refuzuar fillimisht nga tre instancat e Gjykatës së rregullt – përfshirë Gjykatën Themelore, Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Supreme.” – tha Berisha për KALLXO.com.

    Berisha ka thënë se vetëm pas aprovimit nga Gjykata Kushtetuese dhe shkeljeve që kjo Gjykatë konstatoi, ky rast arriti të marrë rrugën drejt zgjidhjes, i cili pas shqyrtimit të dytë nga Gjykata Supreme u aprovua për të arritur në këtë epilog ku jemi tani, ku Gjykata e faktit, respektivisht Gjykata Themelore në Prishtinë, aprovon padinë – duke e vërtetuar diskriminimin.

    “Vlen të përmendet se nga Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Ministria e Kulturës nëpërmjet gradimeve të paligjshme vazhdoj të jem i diskriminuar, në kundërshtim me përvojën dhe përgatitjen akademike. Madje, TKK  ka mbi një vjet që nuk e zbaton Vendimin e Komisionit të Ankesave të MKRS-së, nëpërmjet të cilit vërtetohet se unë në kundërshtim me përvojën, rrethanat dhe përgatitjen akademike jam kategorizuar në kategori jomeritore.” – ka thënë Berisha.

    Ndërsa MKRS nuk i është përgjigjur interesimit të KALLXO.com – lidhur me Aktgjykimin e GJTHP-së.

    Përgjegjësia për gradimin e aktorëve në TKK bie mbi Këshillin Drejtues të tij. Ky i fundit nuk është përgjigjur në interesimin e KALLXO.com – lidhur me pretendimet e Berishës se ende vazhdon të jetë diskriminuar si aktor i TKK-së, përkatësisht moszbatimin e Vendimit të Komisionit të Ankesave.

    Më 2011 Qeveria miratoi Rregulloren për gradimin dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesionalë të trashëgimisë kulturore. Miratimi i saj i hapi rrugë legalizimit të vendeve të punës edhe të aktorëve të TKK-së. Por, pavarësisht shkollimit superior, përvojës dhe vlerësimeve të larta për interpretim në skenë nga kritika, Berisha diskriminohet në pagë në raport me kolegët e tij, i cili për punën e njëjtë për katër vjet me radhë u pagua dukshëm më pak (gjysmë page), se sa kolegët e tij me të njëjtin status, me të njëjtën përvojë pune dhe me të njëjtën përgatitje akademike.

     

     

  • Rasti ‘sui generis’ në tenderin e Ministrisë e Shëndetësisë, bizneset fshehën emrat pas një emërtimi

    Një rast i rrallë ka ndodhur në tenderin “Furnizimi, implementimi dhe mirëmbajtja e Sistemit Packs dhe RIS të SISH”, në vlerë 3.8 milionë euro, në Ministrinë e Shëndetësisë.

    Nëpër tenderë në institucione publike Kompanitë apo Konzorciumet aplikojnë me emrat e Kompanive që janë bërë bashkë, ndërsa në tenderin 3.8 milionë euro të MSH-së nuk kishte ndodhur një gjë e tillë. Njëri nga Konzorciumet nuk kishte aplikuar me emrat e tri Kompanive, që ishin pjesë e këtij Konzorciumi “Novus” & “Sorsiks International Dooel” & “Sorsix PTY Limited”, por ishte identifikuar me emërtimin “Pacs & Workflow System”.

    Edhe te përgjigjet në kërkesat për rishqyrtim të publikuara në faqen E-prokurimi nga Ministria e Shëndetësisë dhe te Vendimi i MSH-së për anulim të tenderit, ky Konzorcium është identifikuar me emërtimin “Pacs & Workflow System”.

    Se kush “fshihet” pas këtij emërtimi është zbuluar kur Ministria e Shëndetësisë e kishte anuluar tenderin – duke i shpallur të papërgjegjshëm ofertuesit dhe Konzorciumi i përbërë nga “Novus” & “Sorsiks International Dooel” & “Sorsix PTY Limited” ishin ankuar në Gjykatën e Tenderëve.

    Ankesa në Gjykatën e Tenderëve nga ky Konzorcium është deponuar në emër të Kompanisë lidere të këtij Konzorciumi, “Novus”.

    “Është hera e parë që një grup i Operatorëve Ekonomikë identifikohet në këtë formë”

    Udhëheqësi i Prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë, Berat Marmullaku ka thënë se është hera e parë që një grup i Operatorëve identifikohet në këtë formë.

    “Megjithatë duke marrë parasysh se është hera e parë që një grup i Operatorëve Ekonomikë identifikohet në këtë formë dhe Sistemi ia lejon këtë mundësi, rasti do të trajtohet sipas dispozitave ligjore pas pranimit të Vendimit të OSHP-së.” – ka deklaruar Marmullaku.

    Ai më tej ka thënë se nuk është gjetur ndonjë dispozitë ligjore, që e rregullon këtë çështje. 

    “Procesverbali i hapjes së ofertave gjenerohet nga Sistemi, me të dhënat siç ofertojnë Operatorët Ekonomikë dhe në të rast siç ka ofertuar Operatori Ekonomik është gjeneruar procesverbali dhe Sistemi i përcjell të dhënat deri në fund të procedurës në atë formë. Është hera e parë që një grup i Operatorëve Ekonomikë identifikohet në këtë formë dhe sipas Rregullores së Prokurimit, Neni 26, nuk kemi gjetur ndonjë Dispozitë që e rregullon këtë aspekt dhe nuk ka qenë çështje e trajtimit.” – ka thënë Marmullaku.

    Po ashtu, Marmullaku nga MSH vlerëson se në këtë rast nuk ka mungesë të transparencës.

    “Nuk ka mungesë të transparencës. Në përputhje me dispozitat e Ligjit të Prokurimit Publik, të gjitha dokumentet janë të qasshme për publikun në momentin e përmbylljes së aktivitetit të prokurimit.” – ka përfunduar Marmullaku për KALLXO.com.

    Kompania “Novus”, që është udhëheqëse e Konzorciumit të identifikuar me emërtimin “Pacs & Workflow System”, ka thënë për KALLXO.com se emërtimi i Konzorciumit në këtë formë nuk përbën shkelje ligjore. Sipas tyre Ligji dhe Rregulloret përkatëse të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) nuk e parashohin ndalesën për një gjë të tillë.

    “Forma e ofertimit përmes Grupit të Operatorëve Ekonomikë është e lejuar përmes Ligjit të Prokurimit Publik, pasi ky grup i Kompanive dorëzojnë një tender tek Autoriteti Konkurues dhe janë përgjegjëse për implementim. Po ashtu, Rregullorja dhe Udhëzuesi Operativ i Prokurimit Publik, përmes Pikës 27, nuk parasheh ndalesë lidhur me emërtimet e grupeve të Operatorëve Ekonomikë.” – thuhet në përgjigjen e Trëndelina Qerimit, drejtoreshë e shitjes në kompaninë “Novus”.

    Po ashtu, ata kanë potencuar se një Operator Ekonomik nuk shpallet i papërgjegjshëm nëse vendos një emërtim të tillë.

    “Nuk është kërkesë ligjore që të vendosen në emërtim të ofertës emrat e plotë të të gjithë anëtarëve të grupit të Operatorëve Ekonomikë, pasi që ata veçse janë të qasshëm dhe të njohur. Të njëjtën kohë një ofertë nuk shpallet e papërgjegjshme, nëse vendoset një emërtim për grupin e Operatorëve Ekonomikë, si edhe u cek më lart për t’u njohur me një emërtim të përbashkët, kemi vendosur të përcjellim në atë emër.” – theksohet në përgjigjen e “Novus”.

    Ata kanë vlerësuar që nuk ka mungesë të transparencës në këtë rast, pasi të gjitha dokumentet e ndërlidhura me ta mund të jenë të qasshme online.

    “Duke qenë se dokumentacioni lidhur me grupin e Operatorëve Ekonomikë dhe të gjitha dokumentet e ndërlidhura me to janë të qasshme online apo përmes një kërkese të thjeshtë për qasje në dokumente publike tek Autoriteti Konkurues, nënkupton që nuk kemi të bëjmë me një mungesë transparence, por thjeshtë është vendosur për të lehtësuar komunikimin në mes grupit të Operatorëve Ekonomikë si ofertues dhe Autoritetit Kontraktues në këtë procedurë të prokurimit.” – përfundon përgjigjja e “Novus”.

    Një nga Konsorciumet ofertuese në këtë tender “Vepro” & “Botek” kanë thënë se ata si Kompani konkurrente nuk kanë qenë në dijeni se kush ka qenë pas emërtimit “Pacs & Workflow System”.

    “Jo (nuk kemi qenë në dijeni). Ne nuk e kemi kuptuar pas pranimit të procesverbalit të hapjes së saktë se cilat Kompani kanë qenë pjesë e këtij Konzorciumi të deklaruar.” – kanë thënë në përgjigjen e tyre.

    Po ashtu, “Vepro” & “Botek” kanë deklaruar për KALLXO.com se në përvojën e tyre 20-vjeçare nëpër tenderë publikë nuk kanë hasur në ndonjë rast të tillë.

    “Jo, ne nuk kemi pasë ndonjë rast të dytë në përvojën tonë 20-vjeçare nëpër tenderë publikë. Pavarësisht se ne jemi ndër konkurrentët në këtë projekt, përmes kësaj shkrese ju sigurojmë se në asnjë rrethanë nuk kemi asnjë tendencë për ta dëmtuar dikë, por jemi jashtëzakonisht të interesuar që të mbrojmë ligjin dhe vetëm ligjshmërinë në këtë procedurë.” – thuhet në përgjigjen e Kompanisë “Botek”.

    Ata kanë treguar po ashtu se nuk janë identifikuar ndonjëherë me ndonjë emërim tjetër, kur kanë aplikuar nëpër tenderë.

    A është e rregulluar kjo çështje?

    Në rastin e tenderit të Ministrisë së Shëndetësisë, nëse palët e treta kyçen në platformën E-prokurimi për të parë se kush ka dorëzuar ofertat, do të gjejë dokumentet në të cilat njëri nga ofertuesit mban emërtimin “Pacs & Workflow System” dhe pas të cilit nuk dihet se kush qëndron, nëse nuk kërkon qasje në dokumente publike në Ministrinë e Shëndetësisë.

    KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), nëse lejohet një emërtim i përbashkët për Konsorciumin – duke mos zbuluar emrat e Kompanive që janë pjesë të Konzorciumit ofertues në një tender.

    Në përgjigjen e ofruar me shkrim KRPP nuk ka dhënë një përgjigje konkrete në çështjen e ngritur, por ka shpjeguar se rregullat për Grupin e Operatorëve Ekonomikë i përcakton Neni 71 i Ligjit të Prokurimit Publik dhe Neni 26 i Rregullores për Prokurimin Publik. 

    “a) Dorëzon një deklaratë të qartë që të gjithë anëtarët e grupit janë së bashku dhe individualisht përgjegjës për përmbajtjen e tenderit të grupit dhe në rast se grupit i jepet Kontrata, për performancën e Kontratës; b) Dorëzon një deklaratë të nënshkruar nga secili nga anëtarët; c) Një deklaratë e nënshkruar nga të gjithë anëtarët e grupit për të autorizuar partnerin udhëheqës të veprojë në emër të grupit (deklarata elektronike mund të nënshkruhet duke përdorur nënshkrimin elektronik të avancuar, nëse është i aplikueshëm dhe secili anëtar i grupit duhet të jetë i regjistruar në platformën elektronike -kërkesë e cila duhet të përcaktohet në dosje të tenderit). (Nënshkrimi digjital i avancuar nuk është i obligueshëm deri në njoftim zyrtar nga KRPP).” – ka thënë KRPP duke cituar Paragrafët 1 dhe 2 të Nenit 26 të RRPP-së.

    Më tej KRPP ka thënë se “partneri udhëheqës” nënkupton “liderin”, të cilin përmes një deklarate anëtarët e Konzorciumit e autorizojnë për të vepruar në emër të grupit.

    Po ashtu kanë treguar se deklarata e nënshkruar nga të gjithë anëtarët të grupit për të autorizuar partnerin udhëheqës të veprojë në emër të grupit kërkohet në Dosjen e tenderit dhe në njoftimin për Kontratë me qëllim që t’i bëhet e ditur Autoritetit Kontraktues se cili nga anëtarët e Konzorciumit do të jetë lideri i grupit.

    “I cili do të veprojë në emër të grupit në rast të ndonjë sqarimi të mundshëm të ndonjë pjese të tenderit, gjatë procesit të vlerësimit të tenderëve dhe më gjerë për të përfaqësuar grupin e OE-ve në raport me AK-në (në rast të paraqitjes së Kërkesës për qasje apo në rast të  parashtrimit të Kërkesës për rishqyrtim të Vendimit të AK-së), apo në raport me OSHP-në (në rast të parashtrimit të Ankesës në OSHP kundër Vendimit të AK-së).” – theksohet në përgjigjen e KRPP-së.

    Në platformën E-prokurimi palët e treta nuk mund të shohin se kush i ka ngarkuar dokumentet, por këtë mund ta shohë KRPP si përgjegjëse për këtë platformë. KRPP i ka dërguar KALLXO.com si dëshmi një fotografi të Sistemit të E-prokurimit, në të cilën tregohet se përveç Kërkesës për rishqyrtim që është dërguar nga Kompania “Novus” – lidere e Konsorciumit “Novus” & “Sorsiks International Dooel” & “Sorsix PTY Limited”, edhe oferta është dërguar nga Kompania “Novus”.

    “Përveç Kërkesës për rishqyrtim që është dërguar nga OE ‘Novus SH.P.K’, edhe oferta është dërguar nga përdoruesi i ‘Novus SH.P.K’ – ‘trendelina.qerimi’, në emër të Grupit të Operatorëve Ekonomikë me emërtimin ‘Pacs and Workflow System’.” – thuhet në përgjigjen e KRPP-së për KALLXO.com.

    Burimi: KRPP

    Kompanitë që marrin pjesë nëpër procese të prokurimit publik duhet të jenë të regjistruara në platformën e prokurimit publik E-prokurimi.

    “Nëpërmjet procesit të regjistrimit përdoruesit krijojnë identitetin e tyre virtual (llogarinë) në Sistemin që lidhet me identitetin e tyre fizik dhe të Organizatës (Autoritetit Kontraktues ose Operatorit Ekonomik) të cilën e përfaqësojnë në Sistem. Përdoruesit që përdorin Sistemin në emër të organizatave të ndryshme duhet të kenë identitet të veçantë virtual, për çdo Organizatë që ata përfaqësojnë.” – thuhet në Paragrafin e parë të Nenit 3 të Rregullores për Prokurim Publik, i cili rregullon Kërkesat për përdoruesit e Sistemit të prokurimit elektronik.

    Ndërsa në Paragrafin e tretë të Nenit 3 të kësaj Rregulloreje tregohet se të dhënat mbi Operatorët Ekonomikë përmbajnë të paktën: emrin, shtetin, numrin e regjistrimit/numrin fiskal/numrin unik identifikues dhe nëse është një person juridik, fizik apo i huaj juridik.

    Kurse të dhënat personale të përdoruesve përbëhen nga emri dhe mbiemri i përdoruesit; e-maili, në të cilin e-mail do të pranojë mesazhet nga Sistemi i prokurimit elektronik, numrin personal të identifikimit, adresën, numrin e telefonit dhe/ose numrin e faksit, emrin e AK/OE (Organizatës) që është i lidhur me përdoruesin, titullin e përdoruesit, fjalëkalimin, emrin identifikues të përdoruesit.

    Në një përgjigje për KALLXO.com, Ardit Dragusha, hulumtues i prokurimit publik në Organizatën “Democracy Plus”, thotë se në bazë të përvojës nuk ka hasur në ndonjë rast ku Kompanitë që janë bashkuar në një Konzorcium të jenë identifikuar me një emërtim të caktuar.

    Dragusha thotë se Ligji i Prokurimit Publik lejon disa Kompani që të bashkohen dhe të paraqesin një ofertë të përbashkët në formën e një Konzorciumi, por sipas tij kur emrat e Kompanive nuk janë publike bien ndesh me transparencën dhe bëhet e vështirë për publikun të identifikojë Kompanitë.

    “Në lidhje me transparencën ekziston rreziku që të mos dihet saktë se për cilat Kompani bëhet fjalë, në qoftë se emrat e Kompanive që përbëjnë Konzorciumin nuk bëhen publike dhe në të njëjtën kohë bëhet më e vështirë për publikun dhe palët e tjera që të vlerësohen përmbushja e kritereve ligjore, financiare dhe teknike të këtij entiteti. Pra, verifikimi bëhet më i vështirë.” – ka thënë Dragusha.

    Ai ka thënë se në të kaluarën kanë ndodhur raste kur Kompanitë janë bashkuar dhe kanë krijuar një entitet juridik, me qëllimin për të ofertuar në një tender të caktuar.

    “Krijimi i një entiteti të ri juridik nga Kompanitë pjesëmarrëse në Konsorcium nuk është i ndaluar – ndonëse për këtë nuk ka definim të saktë ligjor. I tillë është rasti i entitetit juridik “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit Sh.P.K”, që është një subjekt juridik i krijuar për një Kontratë të caktuar publike, të dhënë nga Komuna e Prishtinës – Kompani e cila është krijuar ekskluzivisht për pjesëmarrje në tender, entitet ky që ishte regjistruar më 23 qershor 2023.” – ka thënë Dragusha.

    Si shkoi procedura e prokurimit?

    Më shumë se një vit më herët, më 29.11.2023, ishte shpallur tenderi “Furnizimi, implementimi dhe mirëmbajtja e Sistemit Packs dhe RIS të SISH”, për të cilin Ministria e Shëndetësisë kishte planifikuar 3.8 milionë euro.

    Në këtë tender kanë ofertuar pesë Konsorciume të ndryshme. Konzorciumi i përbërë prej Kompanive “Virtuo” & “Berg” & “Ehs” & “Ledi Med” kishin ofertuar me 3 milionë e 191 mijë e 900 euro.

    Konsorciumi “Cacttus” & “Paxera Health Corp” kishin ofertuar me 3 milionë e 767 mijë e 569 euro. Me 3 milionë e 137 mijë e 702 mijë euro kishin ofertuar Konzorciumi i përbërë prej “Vepro” dhe “Botek”.

    Konzorciumi “Medical Group” & “Shimadzu” kishin ofertuar me 3 milionë e 764 mijë e 500 euro. Kurse, Konzorciumi i përbërë nga Kompanitë “Novus” & “Sorsiks International Dooel” dhe “Sorsix PTY Limited”, nën emërtimin “Pacs and Workflow System”, kishin ofertuar me 3 milionë e 395 mijë e 505 euro.

    Më 18.07.2024, Ministria e Shëndetësisë e kishte anuluar tenderin “për mungesë të ofertave të përgjegjshme”. Ministria kishte konsideruar se në ofertat e tyre, Konzorciumet nuk kanë plotësuar kërkesat e kapacitetit teknik dhe profesional, përkatësisht disa nga anëtarët e stafit dhe kuadrove të ofruara nga secili Konzorcium përkatës nuk i plotësonin kërkesat – sipas Dosjes së tenderit.

    Konzorciumet e udhëhequra nga Kompanitë “Novus”, “Botek” dhe “Virtuo” kishin parashtruar Kërkesë për rishqyrtim në Ministrinë e Shëndetësisë, më 22.07.2024 dhe 23.07.2024.

    Mbi këto Kërkesa Ministria e Shëndetësisë ka vendosur më 26.07.2024. MSH  i ka vlerësuar Kërkesat për rishqyrtim si të pabazuara – duke e lënë në fuqi Vendimin për anulim të tenderit. Pas këtij Vendimi, tri Konzorciumet e udhëhequra nga Kompanitë “Novus”, “Botek” dhe “Virtuo” kanë deponuar Ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

    Më 15.10.2024, Organi Shqyrtues i Prokurimit ka marrë Vendim për të anuluar Vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për anulimin e tenderit dhe për ta kthyer në rivlerësim tenderin.

    Paneli shqyrtues i OSHP-së i ka aprovuar si pjesërisht të bazuara Ankesat e Konzorciumeve të udhëhequra nga “Virtuo O.P” dhe “Botek shpk”. Kurse, ofertat e tyre i ka vlerësuar si të papërgjegjshme, lidhur me mosplotësimin e Kërkesave të kapacitetit teknik dhe/ose profesional të Dosjes së tenderit.

    Po ashtu, është aprovuar si pjesërisht e bazuar Ankesa e “NOVUS” SH.P.K. 

    “Paneli Shqyrtues konsideron se veprimet dhe aktet e AK dhe vlerësimet e ekspertit shqyrtues lidhur me plotësimin ose jo të kushteve të përshkruara si më sipër dhe pohimet ankimore në këtë rast. Raporti i ekspertit shqyrtues përbën bazë që aktiviteti i prokurimit të kthehet sërish në rivlerësim – duke marrë parasysh pretendimet ankimore të OE ankues ‘NOVUS SH.P.K.’.” – theksohet në Vendimin e OSHP-së.

    Pasi ka bërë rivlerësimin e tenderit vetëm për ofertën e “Pacs & Worklow System”, pas të cilit janë Kompanitë “Novus” & “Sorsiks International Dooel” dhe “Sorsix PTY Limited”, Ministria e Shëndetësisë e ka shpallur si të papërgjegjshme ofertën e këtij Konzorciumi.

    Arsyeja e eliminimit sipas Komisionit vlerësues është se Konzorciumi nuk ka zbatuar një projekt nga një shtet i BE-së, siç është kërkuar në Dosje të tenderit; nuk ka zhvilluar produkt në disa arkitektura në shumë faqe apo nuk ka treguar se Sistemi i zhvilluar do të bëjë integrimin me pajisjet me MRI dhe CT.

    “PACS & Workflow System” më pas ka bërë Ankesë në Ministri në lidhje me këtë Vendim, por Ministria e ka refuzuar si të pabazë. Pas refuzimit nga MSH, Konzorciumi ka dorëzuar prapë Ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

    KALLXO.com ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë se pse në dy Vlerësimet për ofertën e Konzorciumit në fjalë, arsyetimet e eliminimit janë të ndryshme. Ministria në përgjigjen me shkrim, më 16.01.2025, ka thënë se Komisioni përkatës ka shqyrtuar kriteret administrative, teknike dhe profesionale.

    Sipas tyre Komisioni kishte vërejtur se disa nga kriteret administrative dhe profesionale nuk kanë qenë të plotësuara dhe për këtë arsye – sipas MSH-së – Vlerësimi i pjesës teknike është konsideruar si i panevojshëm.

    “Herën e parë janë paraqitur për vlerësim pesë oferta, ndërsa sipas Vendimit të OSHP-së në Rivlerësim ka qenë një ofertë dhe Komisioni i dytë ka pasur më të lehtë të vlerësojë ofertën në detaje. Po ashtu, meqenëse lënda është shqyrtuar nga OSHP, Komisioni i dytë e ka pasur më të lehtë të gjejë Pikat e kontestuara nga oferta teknike.” – kanë thënë nga Ministria e Shëndetësisë.

    Përveç Konzorciumit nën emërtimin “PACS & Workflow System”, në MSH është ankuar edhe Kompania “Botek”, me arsyetimin se Ministria është dashur që të bëjë rivlerësimin edhe të ofertës së tyre.

    Por edhe këtë Ankesë Ministria e Shëndetësisë e ka refuzuar, me arsyetimin se OSHP në Vendimin e saj kishte miratuar pjesërisht Ankesën e “Botek” dhe e kishte shpallur të papërgjegjshme – lidhur me mosplotësimin e kërkesave të kapacitetit teknik dhe profesional të Dosjes së tenderit.

    Edhe Kompania “Botek”, si lidere e Konzorciumit “Vepro” & “Botek” e ka dërguar Ankesën në OSHP dhe rrjedhimisht tenderi më 23.01.2025 është pezulluar.

  • Afat të shkurtuar, kritere diskriminuese në tenderin për ujësjellësin në fshatin Batushë të Graçanicës

    Më datën 03.10.2024 në platformën elektronike për prokurim “E-prokurimi”, Komuna e Graçanicës si autoritet kontraktues inicioi tenderin për rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit në fshatin Batushë, faza e parë.

    Rehabilitimi i ujësjellësit në këtë fshat ishte paraparë me Planin e prokurimit për vitin 2024 dhe garancia për disponueshmërinë e fondeve ishte siguruar për vlerën e parashikuar të Kontratës deri 55,000 euro.

    Fondet në vlerë 30,000 euro ishin siguruar nga Komuna e Graçanicës dhe 25,000 euro të tjera nga Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”.

    Mirëpo, më 04.10.2024, Komuna e Graçanicës e anuloi këtë aktivitet të prokurimit.

    Ndonëse në njoftimin për anulimin e këtij aktiviteti nuk jepen arsye, përveç se ndërprerja e aktivitetit të prokurimit është e nevojshme për shkak të ngjarjeve dhe/apo arsyeve objektive dhe të demonstrueshme të cilat janë jashtë kontrollit të autoritetit kontraktues dhe të cilat kanë qenë të paparashikueshme në kohën e inicimit të aktivitetit të prokurimit.

    Në përgjigje për KALLXO.com, Komuna e Graçanicës tregon më shumë për arsyet e anulimit të këtij tenderi.

    “Procedura e mëparshme në sistemin e prokurimit elektronik ka qenë vetëm 1 ditë. Në përgjigje të Njësisë Kërkuese të Komunës së Graçanicës dhe Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, të cilët kërkuan që kriteret për aftësi profesionale dhe teknike, si dhe Aneksi 7 të ndryshohen për t’iu përshtatur natyrës së projektit. Zyra e Prokurimit, në përputhje me këto kërkesa, ka rishpallur këtë procedurë tenderimi si Ritender.” – thuhet në përgjigjen e Komunës.

    Komuna shkurton afatin për pranim të tenderëve

    Përpjekjet e Komunës që ky projekt të rezultojë me Kontratë bëri që projekti të ritenderohet. Komuna përdori procedurën e hapur të prokurimit dhe si kriter për dhënie të Kontratës u vendos çmimi më i ulët.

    Afati për pranimin e tenderëve ishte i përshpejtuar. Sipas thirrjes, data për pranimin e tenderëve ishte 21.10.2024, ndërsa thirrja për Kontratë në “E-prokurimi” u publikua më 14.10.2024 që  rezulton me afat prej 7 ditësh.

    Për dallim nga kërkesat ligjore ku për tenderët me vlerë të mesme të cilit i përket edhe ky tender, afati për dorëzimin e ofertave është 20 ditë, ndërsa i afati i shkurtuar 10 ditë.

    Afati i përshpejtuar për këtë aktivitet të prokurimit u justifikua se u bë për shkak të Memorandumit në mes të Komunës së Graçanicës me Ujësjellësin Rajonal “Prishtina” dhe vonesat në përgatitje të dokumentacionit.

    “Kjo procedurë është shpallur me procedurë të përshpejtuar, sepse Memorandumi ndërmjet Komunës së Graçanicës dhe Ujësjellësit Rajonal ”Prishtina” është nënshkruar vetëm në fillim të shtatorit. Gjithashtu, projekti ishte i ndarë në faza, kështu që përgatitja e dokumentacionit të projektit për fazën e parë mori kohë dhe u desh të përfundonte sa më shpejt procedura e tenderit për të filluar zbatimin e projektit në vitin 2024.” – thuhet në përgjigjen për KALLXO.com.

    Për më tepër, sipas Ligjit të LPP-së, secili autoritet kontraktues, në publikimin e aktivitetit të prokurimit publik është i obliguar të lë një periudhë kohore për pranimin e ofertave nga operatorët ekonomikë. Afatet dallojnë në bazë të vlerave të parashikuara të Kontratës.

    Ndërsa, rregullat e posaçme për mundësimin e shkurtimit të afateve kohore parashihen atëherë “nëse kërkojnë zbatimin e një aktiviteti të prokurimit në raste urgjente; (ii) e bëjnë të pamundur respektimin e afateve kohore të përcaktuara në Nenin 44 të këtij Ligji, ose nëse është e aplikueshme edhe në Nenin 45 të këtij Ligji.

    Kritere diskriminuese

    Komuna e Graçanicës kishte vendosur kritere diskriminuese – duke kufizuar kështu konkurrencën.

    Në Dosjen e tenderit, te specifikimet teknike u kërkuan mjetet pune, si: bulldozherë, eskavatorë, kamionë, ngarkues, makina për prerje të asfaltit dhe të betonit të kapaciteteve dhe tonazheve të ndryshme.

    Kundrejt këtyre kritereve të përcaktuara, përkatësisht mjeteve të kërkuara, ky tender pezullohet për shkak të paraqitjes së një Kërkese për rishqyrtim të Vendimit.

    Kërkesa e operatorit ekonomik Intact Sh.P.K ishte që të korrigjohet Aneksi 7 i listës së mjeteve, pasi kishte kërkesa për makineri me kapacitete të mëdha, për dallim nga natyra e punës.

    Kjo Kërkesë u pranua si pjesërisht e bazuar – thotë Komuna e Graçanicës për KALLXO.com.

    “Kemi marrë një Kërkesë për sqarimin e tenderit. E kemi pranuar këtë Kërkesë si pjesërisht të bazuar. Në bazë të kësaj Kërkese kemi përshtatur disa specifikime teknike, kryesisht Aneksin 7 të Dokumentit të Tenderit, kemi shpallur Formularin Standard B54 për korrigjimin e gabimeve në njoftimin e publikuar dhe kemi shtyrë hapjen e tenderit për 10 ditë të tjera.” – thuhet në përgjigjen e Komunës.

    Kallxo.com gjeti se Komuna e Graçanicës kishte hequr makineri të kapaciteteve të mëdha, Kërkesat si: buldozerë me peshë min. 14 ton – max 16 ton; ekskavatorë min 120 kw – max 125 kw; ngarkues min 135kw  – max 140 kw; cilindër jovibrues me peshë min 11 t – max 13 t; Cistern (Autobot) për karburante u konsideruan kërkesa të larta dhe diskriminuese.

    Korrigjimi i gabimeve vuri në pah kriteret diskriminuese dhe jo të nevojshme, të vendosura nga Komuna e Graçanicës.

    Dokumenti për pezullimin e tenderit, vetëm në serbisht

    Përkundër se Komuna e Graçanicës në përgjigjen e saj thotë se dokumentet e tenderit dhe njoftimet e tjera janë përgatitur në gjuhën shqipe dhe serbe. KALLXO.com evidentoi raste, dokumente që ishin vetëm në gjuhën serbe.

    Ndryshe nga Vendimi i cili ishte përgatitur në të dyja gjuhët: shqip dhe serbe, dokumenti për pezullimin e aktivitetit të prokurimit i cili përgatitet kur parashtrohet Kërkesë për rishqyrtim të Vendimit, në platformën elektronike “E-prokurimi” u gjet se ishte i përgatitur vetëm në gjuhën serbe.

    Po ashtu, edhe te Formulari për informata shtesë dhe korrigjimi të gabimeve njoftimi për korrigjim të gabimeve nuk ishte plotësuar si duhet. Te Neni 4 i këtij Formulari, saktësisht te Neni 4.2.3. “Teksti i cili duhet të përmirësohet/shtohet në njoftimin origjinal.” – është i plotësuar vetëm në gjuhën serbe.

    Mungesa e këtij dokumenti apo e ndonjë informate edhe në gjuhën shqipe, mund të përbëjë diskriminm për palët e interesuara dhe publikun të cilët nuk e flasin serbishten.

    Lidhur me përdorimin e gjuhëve më dokumentet e prokurimit evidentohet në Nenin 13 të Ligjit për Prokurim Publik, ku thuhet, po citoj: ”Autoriteti kontraktues do t’i përgatisë të gjitha dosjet e tenderëve, njoftimet, ftesat dhe dokumentet e tjera që janë publikuar ose u janë dhënë operatorëve ekonomik, gjatë ushtrimit të një aktiviteti të prokurimit që shpien drejt dhënies së një Kontrate ose Konkursi të projektimit me vlerë minimale, të vogël dhe të mesme në gjuhën shqipe dhe serbe…”.

    Ligji i jep mundësi, po ashtu, autoritetit kontraktues t’i përgatisë dokumentet në fjalë edhe në gjuhën angleze.

    Për këtë projekt është pranuar vetëm një ofertë për këtë procedurë tenderimi. Sipas Komunës është përgatitur procesverbal për hapjen e tenderit më 28.10.2024 dhe është publikuar në sistemin E-prokurimi, të njëjtën ditë, në orën 13:52, ndonëse ky proces…

    Kontrata në vlerë 39,992.50 euro iu dha operatorit ekonomik NNT ABC SH.P.K.

  • Ekskluzive: Ura e Badovcit u lëshua në qarkullim pa u testuar – VIDEO

    355 ditë pas nënshkrimit të kontratës, ura e re mbi liqenin e Badovcit u asfaltua. Megjithatë, edhe pse u lëshua për qarkullim, nuk dihet për stabilitetin e strukturës së saj.

    Në urën tek liqeni i Badovcit, tash e tetë ditë kalojnë autobusë, kamionë e vetura. Por, struktura e urës nuk është testuar. Këtë e ka pranuar vetë kompania e cila e ka ndërtuar urën.

    Nga kompania “DRENI INGINERING” e cila është përgjegjëse për kryerjen e testimit, thonë se ura është hapur për qarkullim për shkak të festave të fundvitit.

    “Unë e bëj testimin e urës, nuk është kryer. Kemi dashtë me e lëshu për qarkullim për shkak të festave dhe në një afat tjetër bahet testimi i urës”- tha Adnan Lushtaku për KALLXO.com.

    Kurse, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, kur u pyet se pse ura është lëshuar për qarkullim pa u testuar struktura e saj, tha se testimi është vetëm formal sepse ura është stabile.

    “Dëgjo, duheni me e pyet menaxheren e kontratës, por ura testohet gjatë gjithë fazës se ndërtimit, do të thotë merren atestet paraprake sepse është material. Sasia e armaturës që vendoset aty, çfarë marke e betonit vendoset aty. Merren mostrat edhe dihet se a është ajo markë e beton a jo, a është ajo klasë e armaturës a jo, nëse gjatë këtyre fazave është vendos armatura, është vendos betoni sipas projektit, natyrisht që ura është stabile. Ai testimi është vetëm formal” tha ai për KALLXO.com.

    KALLXO.com tentoi të flasë edhe me menaxheren e kontratës, Florije Pajazitin, por deri në publikimin e storjes nuk ishte e qasshme.

    Testimi i urës që ka gjatësi rreth 40 metra, ishte paraparë në aneks kontrate të cilën Ministria e Infrastrukturës e nënshkroi kur punimet ishin në fazën fillestare. Sipas paramasës, vetëm testimi i urës do të kushtojë 6000 euro.

    Kurse, për testimin e urës së Ibrit që lidhë Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut, që u bë në gusht të vitit 2024, e cila vazhdon të jetë e mbyllur për automjete, Ministria e Infrastrukturës pagoi 9 mijë e 640 euro.

    Ura që shtrihet në magjistralen Prishtinë – Gjilan, ishte mbyllur në fund të muajit prill të vitit 2023. Më pas, më 17.05.2023, Ministria e Infrastrukturës kishte asfaltuar bypass-in, që shfrytëzohej si rrugë alternative, deri në përfundimin e Urës.

    Ndërsa, në tetor të vitit 2023, kishin filluar procedurat e prokurimit për ndërtimin e Urës së re. Kontrata “Ndërtimi i urës në rrugën nacionale N25.2, segmenti Prishtinë – Gjilan, lokacioni te Liqeni i Badovcit” është nënshkruar më 10.01.2024. Vlera e Kontratës së nënshkruar me kompaninë fituese “Dreni Inginiering” ishe 468 mijë e 522 euro.