Ballina

Kategori: Gjykata

  • Apeli e kthen në rigjykim rastin e Dushko Arsiqit, i akuzuar për krime lufte në zonën e Prishtinës

    Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj të akuzuarit për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë gjatë vitit 1999, Dushko Arsiq, i cili ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës.

    “APROVOHEN si të bazuara ankesat e të akuzuarit D.A dhe e mbrojtësit të tij av. Nebojsha Vlajiç, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.46/22 i datës 22.03.2024, ANULOHET dhe lënda kthehet në rigjykim dhe rivendosje” – thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

    “Të akuzuarit D.A i vazhdohet masa e paraburgimit deri në vendimin ardhshëm nga Gjykata Themelore – Departamenti Special” – thuhet tutje në vendimin e Apelit.

    Arsiq ishte dënuar nga Gjykata e Prishtinës me 13 vjet burgim.

    Shpallja e aktgjykimit për këtë rast ishte bërë nga gjyqtari Vesel Ismaili në Gjykatën e Prishtinës.

    Kundër vendimit të Gjykatës së instancës së parë ankesë brenda afatit ligjor kishte paraqitur përfaqësuesi i të dëmtuarit Artan Krasniqit, avokati Arsim Krasniqi, për shkak të vendimit lidhur me sanksionin penal, me propozim që Gjykata e Apelit të miratojë ankesën dhe ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar lidhur me sanksionin penal dhe të akuzuarit t’i shqiptojë dënim më të rëndë.

    Po ashtu ankesë kundër vendimit të Gjykatës Themelore kishte paraqitur edhe i akuzuari Dushko Arsiq me pretendimin se ka pasur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, dhe shkeljes së ligjit penal me propozim që Gjykata e Apelit e Kosovës të aprovojë ankesën, ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar, dhe atë ta lirojë në mungesë të provave.

    Ankesë ka paraqitur edhe mbrojtësi i të akuzuarit Dushko Arsiq, avokati Nebojsha Vllaiq, me pretendimin se ka pasur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal dhe për shkak të vendimit mbi sanksionin penal, me propozim që Gjykata e Apelit e Kosovës ta aprovojë ankesën, ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar, ashtu që të akuzuarin ta lirojë në mungesë të provave apo lëndën ta kthejë në rigjykim dhe rivendosje.

    Prokuroria e Apelit me parashtresën e datës 18.06.2024 ka propozuar që ankesa e përfaqësuesit të të dëmtuarit Artan Krasniqit, avokatit Arsim Krasniqi, të hidhet poshtë si e palejuar, ndërsa ankesa e ushtruar nga i akuzuari Dushko Arsiq dhe mbrojtësit të tij, avokati Nebojsha Vllaiq, të refuzohen si të pabazuara, ndërsa aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.

    “Gjykata e Apelit, analizoi aktgjykimin e ankimuar së bashku me shkresat e lëndës, detyrimisht në kuptim të dispozitës së nenit 394 par.1 të KPPR-së, vlerësoi pretendimet ankimore të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij si dhe përgjigjet në ankesat e ushtruara dhe gjeti se: Ankesat e të akuzuarit D.A dhe e av. Nebojsha Vllaiç janë të bazuara, ndërsa ankesa e të dëmtuarit A.K, e paraqitur përmes av. Arsim Krasniqi konsiderohet jo lëndore.” – thuhet në vendimin e Apelit.

    Ky vendim është marrë nga trupi gjykues i përbërë nga Vaton Durguti – kryetar, dhe Bashkim Hyseni dhe Kreshnik Radoniqi– anëtarë.

    Gjetjet e Gjykatës së Apelit

    Gjykata e Apelit pas analizimit të aktgjykimit të ankimuar së bashku me shkresat e lëndës, duke vlerësuar pretendimet ankimore në ankesa, ka gjetur se aktgjykimi i ankimuar është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të pretenduara në ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit dhe në ankesën e të akuzuarit, aktgjykimit i mungojnë arsyet për faktet vendimtare, nuk janë vlerësuar në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirëse dëshmitë dhe provat, nuk janë dhënë shpjegimet e nevojshme lidhur me kontradiktat në përmbajtjen e tyre.

    Në vendimin e Apelit thuhet se sipas pikëpamjes së kolegjit ekzistojnë edhe shkelje në relacion me gjendjen faktike në raport me faktet vendimtare që kanë të bëjnë me identifikimin e të akuzuarit Dushko Arsiq, si dhe me rrethanat se i dëmtuari Artan Krasniqi çka u kishte thënë dëshmitarëve për ngjarjen, se a kishte përmendur emra, se kush e kishte keqtrajtuar nga paramilitarët serbë dhe veprimet që i kishin ndërmarrë ndaj të ndjerit I.Sh.

    “Sipas Kolegjit është e rëndësishme të kujtohet se deklaratat e veçanta të dëshmisë së dëmtuarit Artan Krasniqi, dhe dëshmitarëve të dëgjuar në këtë proces nuk mund të vlerësohen në mënyrë të izoluar, por besueshmëria, saktësia dhe vërtetësia do të çmohet pas vlerësimit të tërësishëm të dëshmive të bëra gjatë hetuesisë dhe në shqyrtimin gjyqësor” – thuhet në vendimin e Apelit.

    Tutje në vendimin e Apelit thuhet se në rastin konkret i dëmtuari Artan Krasniqi është dëgjuar disa herë, në Polici, Prokurori dhe gjatë shqyrtimit gjyqësor.

    Përderisa në dëshminë e tij rreth ngjarjes është konsistent në përshkrimin e ngjarjes së datës 20.04,1999, në fshatin Butovc, të komunës së Prishtinës, në vendin e quajtur “Varrezat e Maqedoncëve” derisa viktima ka qenë duke ecur, e kanë gjuajtur me pushkë automatike dhe pasi që e kanë goditur e kanë urdhëruar të dëmtuarin Artan Krasniqi, atëkohë 15-vjeçar, që trupin e viktimës B.Sh. ta mbajë në shpinë.

    Megjithatë, sipas vendimit të Apelit, në dëshmitë e tij ka paqartësi për faktin nëse dhe si e kishte njohur më parë të akuzuarin Dushko Arsiq.

    Kolegji mendon si çështje vendimtare për të shqyrtuar në këtë proces është nëse i dëmtuari e ka identifikuar të akuzuarin në mënyrë të saktë dhe të sigurt.

    Në procesverbalin e datës 15.12.2021, në pyetjet e prokurorit, i dëmtuari Artan Krasniqi është përgjigjur se nuk e ka njohur asnjëherë dhe se nuk e ka takuar më parë të pandehurin.

    Në vendim të Apelit thuhet se kur është pyetur nga avokati mbrojtës i të akuzuarit se a e ka njohur të akuzuarin Dushko Arsiq para datës 20.04.1999, apo e keni njoftuar ditën kur ka ndodhur ngjarja e përmendur në këtë rast, i dëmtuari është përgjigjur: “Unë asnjëherë nuk e kam njohur të pandehurin më parë, në momentin kritik unë të pandehurin e kam takuar për herë të parë”.

    Tutje, sipas vendimit të Apelit, kur është pyetur: “A e njeh këtë person nga dita kur të ka sulmuar apo më herët, meqë sot në deklaratë thatë se nuk e keni njohur asnjëherë më parë?”, i njëjti është përgjigjur: “Unë si fytyrë para lufte e kam parë në Kolovicë, por përgjigjja ime ishte në kontekstin se nuk kam pasur asnjë kontakt me të para lufte”.

    Ndërsa tutje në vendim të Apelit thuhet se në deklaratën e dhënë në Polici më 23.09.2021, Artan Krasniqi kur është pyetur t’i sqarojë rrethanat e rastit, ai është përgjigjur: “Para syve të mi është shfaq një fytyrë e njofshme për mua, kojshiu Dushko Arsiq nga lagjja e Kolovicës”.

    Andaj, gjithnjë sipas vendimit të Apelit, lidhur me çështjen e identifikimit, kolegji sjell në vëmendje për të kuptuar dobësitë e përceptimit njerëzor, madje edhe te dëshmitarët në dukje të sigurt, të cilët pretendojnë se kanë identifikuar një të akuzuar, pa pasur mundësinë e mjaftueshme për të vërtetuar vëzhgimet e bëra.

    Po ashtu në vendimin e Apelit  thuhet se i dëmtuari Artan Krasniqi kishte deklaruar se Dushko Arsiq kishte qenë me shami të zezë në kokë, në krah të uniformës ka pasur emblemën me katër C, prej armatimit ka pasur “Kallashnikov”, ndërsa në shpinë “ranac” dhe një qyngë “Zola”, si dhe të veshur ka pasur maicë me ngjyrë me lara sikur uniforma.

    Tutje në vendimin e Apelit thuhet se Gjykata e shkallës se parë thekson: “të dëmtuarit qartë i kujtohen detajet e uniformave, dhe të armatimit të cilët kane bartur paramilitarët e tjerë serbë… dhe të njëjtën deklaratë e ka dhënë në shqyrtimin gjyqësor duke e bindur gjykatën ne kredibilitetin e tij”.

    “Gjykata e shkallës së parë duhet të japë arsye dhe shpjegim ezaurues për rrethanat të cilat e ka parë i dëmtuari – dëshmitari, i cili e përshkruan të akuzuarin “me shami në kokë dhe të uniformuar me maicë me lara..”, rrethana të cilat objektivisht e vështirësojnë identifikimin e një personi, për rrjedhojë mungojnë arsyet se si gjykata arriti në konkludimin për një identifikim të saktë, dhe se cilët ishin faktorët shtesë të cilët i mbizotëronin këto vështirësi në favor të identifikimit” – thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

    “Për rrjedhojë, Kolegji konkludon se Gjykata e shkallës së parë duhet të ketë parasysh nevojën për një kujdes të veçantë kur peshon vlerën provuese të dëshmisë së identifikimit pamor” – thuhet tutje në vendimin e Gjykatës së Apelit.

    Sipas vendimit të Apelit, dëshmitari Rafet Shala në deklaratën e tij të dhënë në Polici më 07.10.2021 kur është pyetur se “A ka treguar ky djali i ri që ka ardhur në shtëpinë tënde se kush kanë qenë personat që e kanë vrarë vëllain tuaj B.Sh.?”, ai ishte përgjigjur: “Ai më pat thënë që pasi serbët e kishin pasë zënë edhe atë, e kishin pasë maltretuar dhe rrahur, i kishin pasë thënë “herë po të vrajmë e here jo s’po të vrajmë”, por ai i kishte pasë njohur ata serbë? E di që ka përmendur emrat e atyre serbëve, por kurrë nuk mund t’i kujtoj emrat që na pat thënë.”

    Tutje, sipas vendimit të Apelit, në dëshminë e dhënë në Polici më 18.01.2022 kur është pyetur se “A të ka thënë diçka Artan Krasniqi në lidhje me personat që e kanë vrarë vëllain tuaj B.Sh.?”, Rafeti është përgjigjur: “Artan Krasniqi më ka pasë thënë, se serbët e Butovcit e kanë vra”, dhe në pyetjen: “A ka pëmendur Artan Kasniqi ndonjë emër konkret të atyre serbëve, të cilët dyshohet se e kanë varë vëllanë tuaj?”, ai është përgjigjur: “Jo, atëherë mua nuk më ka përmendur ndonjë emër, sepse ai kishte pasë qenë i humbur dhe nga atëherë ai ka mbetë me të meta fizike”.

    Në vendim të Apelit thuhet po ashtu se më tej në shqyrtimin gjyqësor dëshmitari Rafet Shala është pyetur nga prokurori: “nëse të kujtohet, mos ka përmendur ndonjë emër të atyre paramilitarëve ose mos të ka thënë se e njeh dikënd?”, Rafeti ishte përgjigjur: “Me sa më kujtohet, ka thanë me një emër Dushko Arsiq, pasi Artan Krasniqi më tha se ai gaboi e heku maskën dhe pasi e ka hekur maskën, unë e kam njohur. Këto fjalë m’i ka thanë Artan Krasniqi”. Po ashtu kur dëshmitari është pyetur: “më 18.01.2021, kur polici ju ka pyetur Artan Krasniqi a e ka përmend ndonjë emër konkret të atyre serbëve për të cilin dyshoni se e kanë vrarë vëllanë tuaj, si është e mundur që sot thoni që e ka përmendur emrin Dushko Arsiq?”, dëshmitari është përgjigjur: “Nuk m’u ka kujtuar emri në atë moment kur kam qenë në polici, se kam qenë në stres, kurse sot më kujtohet se më ka treguar Artan Krasniqi”. Përsëri kur është pyetur se “ju keni dhënë edhe një dëshmi më 07.10.2021, as atëherë nuk keni përmendur emër, pse atëherë nuk e keni thanë atë emër?”, i njëjti është përgjigjur: “Nuk m’u ka kujtuar se kam qenë në stres”.

    Në gjetjet e Gjykatës së Apelit thuhet se kolegji ka vërejtur se dëshmia e dëshmitarit Rafet Shala ka evoluar në çdo deklarim të tij lidhur me faktin se çka i ka thënë i dëmtuari Artan Krasniqi për vrasjen e vëllait të tij I.Sh.

    “Gjykata e shkallës së parë këtë dëshmi e konsideron si të rëndësishme për të mbështetur dëshminë e të dëmtuarit A.K, në raport me identifikimin e të akuzuarit D.A.” – thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

    Tutje në gjetjet e Gjykatës së Apelit thuhet se aktgjykimi përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, në rigjykim dhe rivendosje gjykata e shkallës së parë posaçërisht të bëjë vlerësimin e dëshmisë së të dëmtuarit Artan Krasniqi, dhe dëshmive të dëshmitarëve të tjerë në raport me identifikimin e të akuzuarit, t’i shpjegoj mospërputhjet dhe paqartësitë në dëshmitë e tyre gjatë hetuesisë dhe shqyrtimit gjyqësor.

    “Aktgjykimi përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par. 2 nënpar. 7 lidhur me nenin 369 par.7 të KPPRK-së, në rigjykim dhe rivendosje gjykata e shkallës së parë posaçërisht të bëjë vlerësimin e dëshmisë së të dëmtuarit A.K., dhe dëshmive të dëshmitarëve tjerë në raport me identifikimin e të akuzuarit, t’i shpjegojë mospërputhjet dhe paqartësitë në dëshmitë e tyre gjatë hetuesisë dhe shqyrtimit gjyqësor, të japë përgjigje në pretendimet lidhur me raportin e ekzaminimit të fragmenteve metalike në aspektin balistik, AFK/2022-3761/3647 i datës 11.11.2022, si dhe të marrë parasysh vërejtjen lidhur me përshkrimin e veprimeve inkriminuese të të akuzuarit të potencuara në këtë aktgjykim në funksion të konkretizimit dhe specifikimit të këtyre veprimeve” – thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

    “Gjykata të kujdeset që përshkrimi faktik i veprimeve inkriminuese në dispozitiv të aktgjykimit, të jetë në pajtueshmëri me provat të cilat janë administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor. Gjykata e shkallës së parë duhet t’i eliminojë shkeljet e sipërcituara, pas vlerësimit të plotë të të gjitha provave një nga një dhe në unitetin e tyre të arrij në përfundime të qarta për faktet vendimtare që derivojnë nga materiali provues, pastaj të vendosë në mënyrë të drejtë e të ligjshme“ – thuhet tutje në vendimin e Gjykatës së Apelit.

    Kujtojmë se Arsiq nuk e kishte pranuar fajësinë për akuzat e ngritura nga Prokuroria.

    Dosja e Prokurorisë

    Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, Dushko Arsiq së bashku me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe dhe grupe paramilitare, në periudhën e luftës, më saktësisht në muajt janar-qershor 1999 ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Prishtinës.

    Tutje të njëjtit kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, e më pastaj të njëjtave ua kanë vënë flakën me qëllim të dëmtimit të tyre e po ashtu ka marrë pjesë në keqtrajtimin e shqiptarëve dhe disa prej tyre i kanë plagosur e disa prej tyre i kanë vrarë, thuhet në aktakuzë.

    “I akuzuari ka marrë pjesë në ekzekutimin e viktimave, tani të ndjerit B.Sh., ashtu që me 20.02.1999 në fshatin Butovc, derisa viktima ka qenë duke ecur të njëjtin e kanë gjuajtur me arme automatike dhe pasi që e kanë goditur, e kanë urdhëruar të dëmtuarin A.K. që në atë kohë ishte vetëm 15-vjeçar që trupin e B.Sh. ta mbajë në shpinë”- thuhet tutje në aktakuzë.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Dushko Arsiq në po të njëjtë datë dhe vendin e njëjtë fillimisht e ka ndalur të dëmtuarin A.K. që ishte 15-vjeçar, i akuzuari së bashku me ushtarët serbë dhe paramilitarët urdhërojnë të dëmtuarin që të heqë çantën që e ka pasur në shpinë e më pastaj i akuzuari i del prapa shpine dhe e godet të dëmtuarin me tytë të automatikut në pjesën e poshtme të shpinës.

    “Pas goditjes të të akuzuarit i dëmtuari bie në tokë pastaj të njëjtit fillojnë ta maltretojnë, torturojnë dhe keqtrajtojnë fizikisht e psiqikisht. Pastaj i dëmtuari vëren dy persona tjerë të nacionalitetit serb të cilët i njeh, Dragan Niçiq dhe Boban (mbiemri nuk i kujtohet), dhe i dëmtuari i pyet që të dy: “Pse bre kojshi kjo kështu?”. Bobani përgjigjet: “Komsho bre komshija, gje je Amerika’ (Kujt bre fqinj, ku është Amerika, çfarë fqinji)”.

    Sipas aktakuzës, me këto veprime i njëjti ka kryer veprën penale – krime lufte kundër popullatës civile.

  • Gjykimi ndaj të akuzuarit për krime lufte në Ozdrim të Pejës, dëshmitarja rrëfen për vrasjen e prindërve, motrës dhe gjyshes së saj

    Në gjykimin e Millorad Gjokoviqit, i cili nga Prokuroria Speciale e Kosovës akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës së fundit në Kosovë, në seancën e së hënës, 20.01.2025, janë dëgjuar dy dëshmitare.

    I pandehuri Millorad Gjokoviq akuzohet se gjatë viteve 1998-1999 në fshatin Ozdrim të Pejës dhe fshatrat përreth, në kundërshtim me rregullat e së drejtës ndërkombëtare, kishte aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, keqtrajtimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore.

    Dëshmitarja Albina Krasniqi deklaroi se gjatë luftës viteve 1998-1999 ka qenë në fshatin Zahaq, ndërsa në fshatin Ozdrim, në shtëpinë e saj, është kthyer pasi kishte përfunduar lufta.

    Dëshmitarja deklaroi se kur ishte kthyer në shtëpi e kishte parë shtëpinë e djegur dhe vendet ku ishin vrarë familjarët e saj.

    “Aty e kam pa shtëpinë e djegur, aty u kanë dhoma ku janë vra nana edhe motra. Ka pasë shumë plumba. Edhe në korridor u vra baba dhe gjyshja. Një pjesë e korridorit u kanë krejt e gjakosur” – tha ajo.

    Dëshmitarja deklaroi se më 07.05.1999 i ishin vrarë prindërit, motra dhe gjyshja, ndërsa ajo më 17.06.1999  kishte kuptuar për vrasjen e tyre, dhe këtë e kishte kuptuar nga një familjar i saj.

    Dëshmitarja Albina Krasniqi tha se trupat se familjarëve të saj ende nuk janë gjetur.

    Në pyetjen e prokurores Ajshe Ferati se a e kishte kuptuar se kush kanë qenë vrasësit e familjes së saj, dëshmitarja Krasniqi tha se e ka kuptuar dhe se pjesë e asaj vrasje është edhe i akuzuari Gjokoviq.

    “Po, e kam kuptu, ka qenë Çeda, Çedomir mbiemrin nuk e di, pjesë e asaj vrasje është edhe personi këtu”- tha dëshmitarja Krasniqi.

    “Pse po mendon që Çedomiri është vrasësi i familjes tuaj?” – ishte pyetja e radhës nga prokurorja Ferati.

    “Është shume e qartë, se ai gjithmonë ka qenë kundër familjes time, sepse me prindin tim kanë pasë gjithmonë konflikte, sepse ne jemi kanë kojshi”- u përgjigj dëshmitarja Krasniqi.

    Në pyetjen se a e kishte njohur më herët të pandehurin Gjokoviq, dëshmitarja tha se ajo personalisht nuk e ka njohur.

    “Nuk e kam njoftë personalisht unë, po e kam njoftë në bazë të fjalëve të babës, se ka qenë një periudhë në vitin 1998, e di saktë që e ka përmend prindi jem që ky personalisht i ka thanë: “Kam me të vra, kam me të zhdukë me familje’”- tha dëshmitarja Krasniqi.

    Tutje, dëshmitarja Krasniqi tha se të pandehurin nuk e ka njohur me emër, mirëpo e ka njohur me pseudonimin si “Mici”.

    Tutje, në seancë u dëgjua edhe dëshmitarja Elmira Nurkoviq, e cila deklaroi se gjatë vitit 1998 kishte qenë në Mal të Zi, ndërsa në vitin 1999 kishte qenë në Ozdrim në shtëpinë e saj.

    Dëshmitarja Nurkoviq deklaroi se më 07.05.1999 kishte qenë në shtëpi me nënën dhe motrën e saj dhe tha se në shtëpinë e saj kishte ardhur një grup i forcave serbe dhe i kishin kërkuar shtëpitë e Krasniqëve.

    Dëshmitarja Nurkoviq tha se në ditën e shtatë pas ditës tragjike te shtëpia e Z.K.  kishte parë se kishte ardhur një ‘kombi’, ishin sjellë 4 herë dhe kishin sjellë diçka me thasë.

    E pyetur se a e kishte njohur të akuzuarin Millorad Gjokoviq, dëshmitarja Nurkoviq tha së për të kishte dëgjuar dhe e kishte ditur se ku kishte punuar, mirëpo kishte dëgjuar nga një fqinje e saj që i akuzuarit Gjokoviq kishte qenë prezent në ditën kritike, por që ajo personalisht nuk e kishte parë.

    Seanca e radhës për këtë çështje penale është e caktuar për më 21.01.2025.

    Kjo çështje penale po gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga Valon Kurtaj – kryetar dhe dy anëtarët, Arben Hoti dhe Vesel Ismajli.

    Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

    Sipas dosjes së Prokurorisë, i pandehuri gjatë kohës së luftës në Kosovë, gjatë viteve 1998-1999, në fshatin Ozdrim të Pejës dhe fshatrat përreth, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare kishte aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore.

    Sipas aktakuzës, i njëjti tutje kishte dëbuar dhe deportuar dhjetëra civilë shqiptarë si dhe kishte aplikuar masat e mbajtjes në kushte të skllavërisë. Personat që kanë qenë të dëmtuar nga këto veprime të të pandehurit kanë qenë shqiptarë, të cilët nuk kanë marrë pjesë në konflikt.

    Tutje sipas aktakuzës, i pandehuri në mëngjesin e majit të vitit 1999, duke marrë pjesë së bashku me forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, fillimisht e kishin rrethuar fshatin Ozdrim, e pastaj kishin filluar një ofensivë ushtarake-policore.

    Në aktakuzë thuhet se fshati ishte rrethuar e më pas ishte sulmuar nga tri drejtime nga forcat ushtarake-policore serbe. Nga këto veprime kishin mbetur të vrarë gjashtë persona, të cilët ishin civilë të nacionalitetit shqiptar e tre të tjerë kishin mbetur të plagosur. Tre të fundit pas plagosjes ishin dërguar fillimisht në Spitalin e Pejës e më pas sipas aktakuzës ishin ekzekutuar dhe ishin varrosur në fshatin Lutogllavë.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, pesë persona të tjerë gjatë kësaj ofensive ishin vrarë por trupat e tyre asnjëherë nuk janë gjetur dhe sot figurojnë në listën e personave të pagjetur.

    Tutje në aktakuzë thuhet se në po të njëjtin aksion ushtarako-policor, ku bën pjesë edhe i pandehuri, rreth 40 persona u arrestuan të cilët u dërguan në një garazh të quajtur “Shupa e Shemit”,  vend ky i cili gjendej pranë nënstacionit policor në Ozdrim dhe aty të njëjtit ishin mbajtur për rreth 3 ditë në kushte çnjerëzore në kundërshtim me të gjitha rregullat e të drejtës ndërkombëtare.

    Në aktakuzë thuhet se të njëjtit ishin privuar nga ushqimi dhe uji i pijshëm, duke i torturuar fizikisht të arrestuarit, e ku pas tri ditëve, vetëm 12 prej tyre ishin liruar. Kurse 28 të tjerët i kishin ndarë në tri grupe, i kishin transportuar në Pejë, në një shtëpi private ku kishte qenë e vendosur komanda e ushtrisë serbe.

    Dosja e Prokurorisë shpjegon se të njëjtit ishin marrë në pyetje duke u torturuar e keqtrajtuar në mënyre mizore deri në momentin kur i kishin dërguar në burgun e Pejës, e nga aty i kishin dërguar në burgun e Leskovcit në Serbi, ku kishte vazhduar tortura dhe deri sa në fund ishin liruar pas përfundimit të luftës me ndihmën e Kryqit të Kuq.

    Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998-1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

    Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë.

    Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim

    Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

    Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

    Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

  • Rënia e kulmit nga ndërtesa e Komunës së Prishtinës – Aktakuzë ndaj dy personave

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 20.01.2025, ka njoftuar se ka ngritur Aktakuzë ndaj Ylber Jasharit dhe Bekim Baftjarajt për rastin e rrëzimit të kulmit të Komunës së Prishtinës.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë gjatë ditës së sotme pas një pune hetimore ka ngritur Aktakuzë ndaj Y. J. dhe B. B., për rastin e rrëzimit të kulmit të Komunës së Prishtinës.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Prishtinës.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri Ylber Jashari akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, si menaxher i Kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re”, në vlerë totale prej 386,096.20 euro me dashje direkte dhe me qëllim duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme të përfitojë dobi pasurore kompania.

    “I pandehuri Y. J. akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, si menaxher i Kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re”, në vlerë totale prej 386,096.20 euro, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka vepruar ne atë mënyrë që me dashje direkte dhe me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të përfitojë dobi pasurore kompania, ka përpiluar Raport dhe ka pranuar se kinse janë kryer punimet e kulmit të ndërtesës së Komunës së Re të Prishtinës. Edhe pse realisht aty nuk ishin bërë punimet sipas Kontratës, në pozicionet 2.2, 2.3, 5.1.5.13 dhe 5.14 – duke ia mundësuar të kryhen pagesat në drejtim të kompanisë. Në këtë mënyrë është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës, në shumën prej 36,450.29 euro, me çka ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

    Tutje, sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri Bekim Baftjaraj akuzohet se në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë, i cili ishte i ngarkuar në kryerjen e punimeve të mbikëqyrjes e kryerjes së punëve ndërtimore dhe përfundimit të punëve ndërtimore “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re” ka vepruar në kundërshtim me standardet profesionale përgjithësisht të pranuara dhe në kundërshtim me kushtet e parapara në Kontratë.

    “Ndërkaq i pandehuri B. B. akuzohet se në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë, i cili ishte i ngarkuar në kryerjen e punimeve të mbikëqyrjes e kryerjes së punëve ndërtimore dhe përfundimit të punëve ndërtimore “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re” ka vepruar në kundërshtim me standardet profesionale përgjithësisht të pranuara dhe në kundërshtim me kushtet e parapara në Kontratë, për sanimin e kulmit të ndërtesës ku gjatë ekzekutimit të Kontratës ka kryer punë tjera, e jo ato sikur në pozicionet 2.2, 2.3, 5.1.5.13 dhe 5.14 të Kontratës së lartcekur, ku ditën kritike për shkak të kushteve atmosferike nga ndikimi i erës një pjesë e kulmit të ndërtesës së Komunës së Re bie në tokë, në pjesën e rrugës, trotuarit dhe objektit përreth – duke lënduar rëndë të dëmtuarën E. U., në këtë mënyrë është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës në shumën prej 36,450.29 euro dhe janë shkaktuar dëme materiale në pesë veturat e parkuara përreth ndërtesës – me çka ka kryer veprën penale Punimet Ndërtimore të Kundërligjshme.” – thuhet, tutje, në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

    Po ashtu, në njoftimin e Prokurorisë është bërë e ditur se Prokurori i Shtetit dhe të pandehurit kanë arritur Marrëveshje për pranimin e fajësisë, si dhe me rastin e ngritjes së Aktakuzës i është propozuar Gjykatës që të pandehurit të obligohen që të kompensojnë dëmin material, në shumën prej 36,450.29 euro që i është shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës, si dhe të ngarkohen me shpenzimet e procedurës penale.

    Një qytetare ishte lënduar e disa vetura ishin dëmtuar nga rënia e një pjese të kulmit të objektit të ri të Komunës së Prishtinës në lagjen “Arbëria” në kryeqytet, një vit më parë. Në vendin e ngjarjes menjëherë kishin dalë ekipe të emergjencës, të zjarrfikësve, të Policisë dhe të Prokurorisë së Prishtinës. Edhe zyrtarë të Komunës dhe të opozitës lokale ishin parë në vendin ku ndodhi rasti.

    https://kallxo.com/komuna/cka-ndodhi-me-kulmin-e-objektit-te-ri-te-komunes-se-prishtines/

    Raportimet tjera – LINK 

  • Gjykimi për vrasjen më 2023 në Podujevë, dëshmitari thotë se dëgjoi fjalët e viktimës para se të vritej

    Në gjykimin ndaj të akuzuarit A. S., se në bashkëkryerje me djalin e tij të mitur kanë privuar nga jeta V. B., në marketin “Interex”, në Podujevë më 2023, në seancën më  17.01.2025, kanë dhënë dëshminë katër dëshmitarë.

    Dëshmitari Osman Shabani, i cili deklaroi se punon për një firmë tjetër, ndërsa në ditën kritike më 11.09.2023 në marketin “Interex”  kishte qenë diku rreth orës 12:00 dhe se kishte qenë te vendi i frigoriferave.

    “Unë kam qenë në punë te frizat, dhe kur ka ndodhë rasti kam qenë me shpinë ka frizat në telefon me dorë dhe i kam ni krismat, të shtënat dhe e kam kthy kryt, në anën e majtë e kam parë rastin”- tha ai.

    Tutje i njejti tha se e kishte parë edhe momentin e vrasjes të tani të ndjerit.

    “E kam parë personin tani të vrarin duke thënë ‘Pashë Zotin mo!’, këtë ia ka thënë vrasësit. Ai ka vazhdu veç me gjujtë me armë”- tha tutje dëshmitari Shabani.

    Shabani më tej deklaroi se i kishte dëgjuar se janë shkrepur 7-8 plumba, dhe pastaj pas shkrepjes së këtyre plumbave ai kishte ikur.

    Dëshmitari Shabani për të ndjerin deklaroi se e kishte njohur me nofkën “Dhija”, për emrin e tij deklaroi se nuk e kishte ditur, ndërsa për të akuzuarin A.S., deklaroi se nuk e kishte njohur më parë.

    Në këtë seancë, dëshminë e ka vazhduar edhe bashkëshortja e të ndjerit V.B., dëshmitarja Lirie Sylejmani.

    Dëshmitarja Sylejmani gjatë deklarimit të saj tha se “nuk ka asnjë fuqi që mund të ndryshojë faktin se A., (i akuzuar) e ka orintuar djalin e vet drejt neve.”

    Sylejmani tha se bashkëshorti i saj e ka njohur të akuzuarin A.S., ndërsa djalin e tij jo.

    Ndërsa e pyetur për rasportet e të ndjerit me të akuzuarin A.S., dëshmitarja tha se i ndjeri me të akuzuarin nuk ka pasur raporte me të, përveç një incidentit në vitit 2022, por që nuk ka dijeni pse ka ndodhur ai incident, përveç se ka njohuri se bashkëshorti i saj ka qenë prezent në atë incident.

    Në këtë seancë janë dëgjuar edhe Nafije Pllana dhe Ahmet Pllana.

    Dëshmitarja Nafije Pllana deklaroi se ditën kritike ka qenë duke punuar në marketin “Interex” në Podujevë  në sektorin e pemëve, ndërsa ka qenë e kthyer me shpinë në pjesën kur ka ndodhur rasti.

    Pllana tha se rastin nuk e kishte parë, vetëm se kishte dëgjuar krismën e armës dhe kishte ulur kokën dhe pastaj e kishte parë një grua të plagosur në tokë.

    Tutje dëshmitarja Pllana deklaroi se në momentin kur ka ndodhur rasti të gjithë kanë bërtitur pasi nuk e kanë ditur se çfarë ka ndodhur.

    Dëshmitari Ahmet Pllana deklaroi se diku rreth apo pas orës 12:00 kishte qenë duke punuar me bashkëshorten e tij në marketin “Interex” në Podujevë dhe diku gjatë asaj kohe ishin dëgjuar disa të shtëna.

    Pllana deklaroi se nuk i kujtohet nëse ka parë diçka përveç që kishte dëgjuar të shtënat.

    Tutje, dëshmitari Pllana tha se pas këtyre të shtënave ata ishin nisur të shkojnë në pjesën e hyrjes të marketit.

    “Ne pasi kemi shku te dera hymjes kanë pushu të shtënat. Me kolegët e tjerë dhe me bashkëshorten time Nafijen,  jemi kthyer edhe unë kur jam kthy kam pa një grua të shtrirë duke u permeqatë (në gjende të rëndë), kur e kam pa që nuk po mundet me mbajtë kokën e kam kapë një thes me fara, i kam thënë mos e qit kokën në pllaka, dhe i kam thënë mos lëviz se tash vijnë organet e rendit”- deklaroi dëshmitari Pllana lidhur me rastin.

    Pasi ishte përfundimi i orarit të punës seanca e sotme 17.01.2025 u ndërpre. Seanca e radhës për këtë çështje penale është e caktuar për në muajin shkurt 2025.

    Kjo çështje penale po udhëhiqet nga Fatime Dërmaku – kryetare dhe antarët Gent Beka dhe Sulltane Hoti.

    Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

    Sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari A.S.  me qëllim të hakmarrjes e për shkak të një konflikti që kishte pasur më herët gjatë vitit 2022 me tani të ndjerin V.B. dhe Sh.R., i pandehuri ka porositur djalin e tij, të miturin L.S., që ta privojë nga jeta tani të ndjerin V.B., duke kontribuar thellësisht në privimin nga jeta të tani të ndjerit V.B., e duke rrezikuar edhe jetën e personave të tjerë.

    Sipas Prokurorisë, më 11.09.2023, rreth orës 11:30, i pandehuri A.S. me djalin e tij të mitur L.S. shkojnë në kafiterinë e marketit ‘Interex’ në Podujevë nga ku vëzhgojnë rrugën “Zahir Pajaziti”.

    Rreth orës 12:20, vërejnë tani të ndjerin V.B. se hyn në marketin “Interex’” së bashku me bashkëshorten e tij, tani të dëmtuarën L.S., dhe fëmijën e tyre katërvjeçar.

    Në aktakuzë thuhet se A.S. me të miturin L.S. dalin nga restoranti i marketit, duke zbritur shkallëve.

    A.S. e orienton të miturin L.S. në drejtim të të ndjerit V.B., i cili vihet në ndjekje të tij.

    Ndërkaq, A.S. vazhdon për të dalë nga objekti.

    Në momentin kur tani i ndjeri V.B., së bashku me bashkëshorten e tij, të dëmtuarën L.S. dhe fëmijën e tij, arrin te sektori i produkteve të qumështit i mituri L.S. i afrohet nga mbrapa, nga afërsia fillimisht shtie dy herë në drejtim të V.B. (e qëllon në shpinë dhe në qafë).

    Sipas dosjes, njëra nga predhat e tejshkon trupin e tani të ndjerit V.B. dhe e qëllon edhe të dëmtuarën, bashkëshorten e tij, L.S.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se L.S. kishte filluar të ikte në momentin kur kishte dëgjuar krismën.

    I mituri L.S. kishte nxjerrë nga çanta revolen tjetër, me të cilën qëllon edhe 4 herë në kokë tani të ndjerin V.B.

    Ky i fundit, tanimë ishte i shtrirë në tokë.

    Si pasojë e këtyre të shtënave nga arma e zjarrit V.B. vdes në vendin e ngjarjes, kurse e dëmtuara L.S. dërgohet në QKUK për shkak të plagëve të rënda që pëson.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, menjëherë pas të shtënave, i mituri L.S. me shpejtësi del nga marketi “Interexi” dhe largohet këmbë në drejtim të panjohur.

    I pandehuri A.S. afrohet te vetura e tipit “Mercedes E 200”, të cilën e kishte parkuar përballë “Interex”-it dhe shkon në shtëpinë e vet, që gjendet në fshatin Gllamnik të Podujevës, ku edhe është arrestuar nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

    Gjatë bastisjes, në shtëpinë e tij janë gjetur e sekuestruar: një pistoletë dhe një pushkë gjuetie me dylbi me leje për mbajtje me 62 fishekë të pistoletës si dhe 20 fishekë të pushkës së gjuetisë e dy antiplumba.

    Me këtë i pandehuri A.S. akuzohet se në bashkëkryerje me të miturin L.S. ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë

  • Si u kap me drogë shoferi i Gjykatës Themelore të Prishtinës?

    Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak M. P., i cili po dyshohet për posedim të narkotikëve. I njëjti është shofer i Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Këtë për KALLXO.COM e ka konfirmuar, zëdhënësi i Gjykatës së Prizrenit, Marcel Lekaj.

    “Gjykata Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm, më datë 15.01.2024, ndaj të pandehurit M. P., ka aprovuar kërkesën e Prokurori të Shtetit, dhe ka marrë aktvendim duke i caktuar masën e arrestit shtëpiak, e cila mund të zgjasë deri më 13.02.2025, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”– thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Prizrenit.

    Gjykata me rastin e caktimit të arrestit shtëpiak, ndaj të pandehurit M. P. ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se i njëjti me dashje dhe pa autorizim ka poseduar narkotikë, substanca psikotrope ose analoge të shpelluara të rrezikshme.

    “Më datën 13.01.2025 rreth orës 19:10min, në Prishtine, saktësisht në rr. Xhemajl Mustafa në lagjen Dardania, i pandehuri M. P., me dashje dhe pa autorizim ka poseduar narkotikë, substanca psikotrope ose analoge të shpallura të rrezikshme e në kundërshtim me nenin 9 dhe 14 të Ligjit për Barnat Narkotike, Substanca Psikotrope dhe Prekursorë Nr.02/L-128, dhe atë narkotikun e llojit Marihuanë me peshë 8.71gr dhe Kokainë me peshe 0.26gr, në atë mënyrë që natën kritike njësia policore, gjatë kontrolleve rutinore tek i pandehurit M. P., është gjetur një sasi e substancës së dyshuar narkotike, e cila substancë narkotike sekuestrohen nga ana e zyrtarëve policor”– thuhet në përgjigjjen e Gjykatës së Prizrenit.

    Kallxo.com ka provuar të marrë një përgjigje nga avokati i të dyshuarit M.P., Agim Kabashi, mirëpo i njëjti nuk është përgjigjur.