Ballina

Kategori: Gjykata

  • Video-incizimi i rastit të plagosjes së Pajtim Gashit, mbrojtja e të akuzuarit Shkumbin Sekiraqa kërkon të mos pranohet si provë

    Në gjykimin ndaj Shkumbin Sekiraqës lidhur me akuzën për plagosjen e Pajtim Gashit në mars të vitit 2024, në seancën e së mërkurës më 08.01.2025 janë administruar provat materiale.

    Shkumbin Sekiraqa, djali i Salih Sekiraqës, akuzohet për tri vepra penale: “tentim vrasje”, “armëmbajtje pa leje” e “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Përveç tij i përfshirë në këtë rast është edhe M. H., i cili nga Prokuroria po akuzohet për “ndihmë pas kryerjes së veprës penale”.

    Në seancë u paraqit videoincizimi i ngjarjes kritike, e për të cilën prokurorja Bukurije Gjonbalaj tha se shihen i akuzuari Shkumbin Sekiraqa dhe personi NN duke e goditur të dëmtuarin Pajtim Gashi.

    “Fillimisht shihet i akuzuari dhe personi NN, shihen duke e goditur të dëmtuarin me shqelma. Pastaj i akuzuari Shkumbin Sekiraqa shtien një herë me armë në drejtim të dëmtuarit Pajtim Gashi. Pastaj largohet i dëmtuari, ndërsa i akuzuari Shkumbin largohet me veturën Audi ngjyrë të kuqe A7. Ndërsa, personi tjetër me veturën ‘Pik-up’ ngjyrë e bardhë.” – tha prokurorja Gjonbalaj gjatë shfaqjes së video-incizimit.

    “Është e vërtetë se në video-incizim dëgjohet vetëm një e shtënë. Video-incizmi është hudh nga ‘INSAJDERI’. Mirëpo, nga raporti i ekspertimit nga vendi i ngjarjes janë gjetur shtatë (7) gëzhoja. Ky incizim i cili u pa sot vërtetohet edhe me provat tjera, të cilat janë siguruar gjatë hetimeve, si: deklaratat e dëshmitarëve, deklarata e të dëmtuarit, kartela e regjistrimeve”.

    Lidhur me këtë video-incizim mbrojtësi i të akuzuarit Sekiraqa, avokati Naser Sopjani propozoi që kjo provë të shpallet e papranueshme.

    “Sa i përket video-incizimit që e shikuam sot, ashtu siç deklaroi edhe vetë Prokurorja ky incizim nuk është siguruar përmes urdhëresës së ligjshme. I bie që është marrë pa urdhër. Është siguruar përmes portaleve, të cilat nuk dihet se ku e kanë burimin. E, si e tillë e vlerësojmë që kjo CD duhet të veçohet nga shkresat e lëndës si provë e papranueshme.” – tha avokati Sopjani.

    Ndërsa, prokurorja Gjonbalaj tha se Gjykata video-incizimin e ka marrë si provë të pranueshme, pasi i njëjti ndërlidhet me provat tjera të marra gjatë hetimit.

    Ndërkaq lidhur me këtë Trupi Gjykues mori Aktvendim duke refuzuar propozimin e avokatit Sopjani, me arsyetimin se CD-ja e cila paraqet pamjet nga ngjarja e datës 04.03.2024, e cila është objekt i kësaj çështjeje penale dhe se këto pamje Prokuroria i ka siguruar nga portali “INSAJDERI”, të cilat janë shfaqur publikisht dhe në rrjete sociale. Dhe se nuk ka qenë e nevojshme që për sigurimin e këtyre pamjeve, të lëshohet urdhër i veçantë.

    Tutje, avokati Sopjani propozoi që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet Salih Sekiraqa, babai i të akuzuarit Shkumbin Sekiraqa, me arsyetimin se i njëjti me dëshminë e tij do t’i ndihmojë Trupit Gjykues për ta kuptuar mënyrën se si është kryer vepra penale.

    Trupi Gjykues këtë propozim të avokatit Sopjani e refuzoi duke vlerësuar se dëshmitari i propozuar është i panevojshëm për ndriçimin e kësaj çështjeje penale.

    Me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit Shkumbin Sekiraqa, avokatit Naser Sopjani, seanca e sotme, më 08.01.2025, u ndërpre dhe u caktua e radhës për në muajin shkurt 2025.

    Paraprakisht në seancë ka dhënë dëshminë dëshmitari Skender Hoti, i cili tha se ditën kritike ka qenë duke punuar në objektin “Premtimi” në lokalin e “Alba Market” – duke vendosur qeramikë.

    “Deri sa kam qenë brenda lokalit duke punuar, nga dritarja kam parë dy vetura njëra ‘Audi’ dhe tjetra ‘Pik-up’. Unë kam qenë jashtë në atë moment, pasi po zbraznim materialin. Aty kam vërejtur tre persona afër njëri-tjetrit duke biseduar. Njëri nga ta ka qenë Pajtim Gashi, ndërsa dy të tjerë nuk i kam njohur. S’i kam parë kurrë.” – tha dëshmitari Hoti.

    Dëshmitari Hoti tha se njëri nga personat kishte qenë zeshkan dhe më i plotë, ndërsa tjetri më i gjatë e i hollë dhe se nuk kishte arritur ta dëgjonte bisedën e tyre.

    Dëshmitari Hoti, tutje, tha se pasi kishte hyrë në lokal kishte dëgjuar të shtënat me armë, mirëpo deklaroi se nuk e di sa të shtëna ka pasur.

    “Pas të shtënave kam shikuar jashtë dhe e kam parë Pajtimin duke shkuar drejt zyrës së tij, ndërsa dy personat e tjerë kanë hyrë në veturë dhe janë larguar. Krejt ngjarja ka ndodhur për 1-2 minuta.” – deklaroi dëshmitari Skender Hoti.

    Ky rast po trajtohet nga Trupi Gjykues, i përbërë nga: gjyqtari Naser Foniqi – kryetar, Gëzim Ademi dhe Gazmend Bahtiri – anëtarë.

    I akuzuari M. H. nuk ka pranuar fajësinë; Shkumbin Sekiraqa, i akuzuar për tri vepra penale, nuk e ka pranuar fajësinë.

    Seanca ndaj të akuzuarit Shkumbin Sekiraqa - 08.01.-2025 - FOTO Adile Agushi - KALLXO.com
    Seanca ndaj të akuzuarit Shkumbin Sekiraqa – më 08.01.-2025 – FOTO: Adile Agushi – KALLXO.com

    Dosja e Prokurorisë

    Shkumbin Sekiraqa akuzohet nga Prokuroria e Prishtinës se më 04.03.2024 kishte tentuar ta privojë nga jeta Pajtim Gashin. Ky i fundit mbeti i plagosur.

    “Rreth orës 10:00 në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë, derisa ishte duke lëvizur me një veturë të tipit “Audi” pronë e të pandehurit tjetër M. H., ishte takuar me personin NN i cili lëvizte me një “Pick-up”. I pandehuri Shkumbin Sekiraqa për arsye të panjohura me dashje, me qëllim që të privojë nga jeta të dëmtuarin Pajtim Gashi pas bisedës me NN personin, i drejtohet me fjalë ‘Paja shoq, a po më njeh mua!?’, ku më pas e sulmojnë fizikisht.” – përshkruhet ngjarja e cila ndodhi më 04.03.2024.

    Dosja e Prokurorisë përshkruan edhe se Shkumbin Sekiraqa kishte nxjerrë armën e zjarrit, kishte shtënë në drejtim të Pajtim Gashit, e më pas e kishte goditur në kokë me kondak të armës.

    “Me këto veprime i shkakton lëndime në kokë dhe një plagë në këmbën e djathtë. I dëmtuari (Pajtim Gashi) ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes. I pandehuri (Shkumbin Sekiraqa) ka vazhduar që të gjuajë në drejtim të tij.” – përshkruhet tutje në aktakuzën që ka siguruar KALLXO.com.

    Me këto veprime Shkumbin Sekiraqa – sipas Prokurorisë – ka kryer veprat penale: “vrasje në tentativë”, “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “armëmbajtje pa leje”.

    Shkumbin Sekiraqa në deklarimin e tij në Polici kishte mohuar përfshirjen e tij në rast.

    “Çka kam thënë në Polici është e vërtetë dhe nuk kam tjetër çka të shtoj. Tani nuk dua të deklarohem më. Në Polici ka deklaruar se nuk ka lidhje me rastin që ka ndodhur më 04.03.2024 dhe nuk e njeh të dëmtuarin Pajtim Gashi.” – thuhet tutje në Dosjen e Prokurorisë.

    E Pajtim Gashi, i cili mbeti i plagosur në mars 2024, kishte deklaruar se në datën e lartpërmendur ishte në afërsi të një biznesi familjar.

    “Ka ardhur një person me veturë të kuqe. Personi më është ofru dhe më ka thënë ‘Pse po më këqyrë?’. Ka filluar të më shajë me fjalë banale “Çka k… po më këqyr!”. I kam thënë ‘Nuk jam kah të këqyri, o vlla! Po shko rrugës tande. Ai më ka thënë se ‘Je ka më këqyr shtremtë!’. Pas kësaj ka vazhdu me veturë kah objekti teposhtë. Vetura e ka pasur derën e hapur dhe edhe pse ishte duke vozitur ai e mbante derën çelë. Mandej, pasi që është largu diku 15 metra, e ka ndalë derën, ka dalë nga vetura, është nisur në drejtim të tij; nuk i ka parë asgjë në dorë dhe ka filluar prapë të shajë.” – ka shpjeguar Pajtim Gashi në Prokurori ngjarjen e marsit.

    Gashi kishte treguar për sulmin e më pas edhe për të shtënat me armë.

    “Me sa di ai ka shtënë 5-6 herë. Shkumbin Sekiraqën nuk e njeh, nuk e ka njohur më parë dhe nuk ka pasur asnjëherë probleme me të. Në Polici nuk ka arritur që ta identifikojë Shkumbin Sekiraqën, Pajtim Gashi.” – thuhet tutje në Dosje.

    Si i bashkakuzuar në këtë rast është edhe M. H., i cili ngarkohet se i ka dhënë ndihmë Shkumbin Sekiraqës, pasi është kryer vepra penale duke e fshehur në garazhën e tij veturën Audi A7 e që në deklaratën e dhënë në Polici kishte thënë se të njëjtën veturë e ka shitur.

    Ky rast del të jetë si fillesë e problemit mes familjes Gashi e Sekiraqa, pasi më 01.09.2024 kishte pasur shkëmbim me armë të zjarrit mes disa personave, ku një person kishte ndërruar jetë e pesë të tjerë kishin mbetur të plagosur.

    Si i plagosur në rastin e datës 01.09.2024 është edhe babai i Shkumbin Sekiraqës, Salih Sekiraqa.

    Raportimet e KALLXO.com – LINK 

     

     

  • Prokuroria Speciale planifikon t’i drejtohet Gjykatës për kryeministrin Albin Kurti

    Ndonëse nuk ishte paraqitur dy herë për të dhënë dëshminë e tij për ‘rastin e rezervave shtetërore’, kryeministrit të vendit Albin Kurtit i është bërë thirrja për herë të tretë që të paraqitet në objektin e Prokurorisë Speciale – për të dhënë dëshminë e tij në cilësinë e dëshmitarit.

    Edhe hera e tretë për Prokurorinë ka rezultuar njëjtë si dy thirrjet paraprake, pasi kryeministri i vendit nuk i është përgjigjur pozitivisht edhe thirrjes së tretë për t’u paraqitur para prokurorëve të Prokurorisë Speciale, Milot Krasniqi e Valdet Gashi.

    Më 06.01.2025 dhe më 08.01.2025 KALLXO.com ka dërguar pyetje në Prokurorinë Speciale, lidhur me ftesën për kryeministrin Kurti, por nuk ka pranuar përgjigje.

    Po ashtu KALLXO i ka dërguar pyetje edhe Zyrës së Kryeministrit Kurti të mërkurën, më 08.01.2025 dhe më 30 e 31 dhjetor 2024, por nuk kanë kthyer përgjigje.

    Sipas burimeve të KALLXO.com nga Prokuroria, thirrja e tretë i ishte bërë Kurtit rreth një javë para Vitit të Ri.

    Burimet e KALLXO.com kanë konfirmuar se meqenëse tri herë nuk kanë marrë përgjigje pozitive nga dëshmitari, në këtë rast kryeministri Albin Kurti, prokurorët pritet që të procedojnë tutje – duke bërë kërkesë te gjyqtari i procedurës paraprake që i njëjti të sillet me detyrim për të dhënë dëshminë e tij.

    Sipas informacioneve që posedon KALLXO.com, është planifikuar që procedimi për dhënien e dëshmisë së kryeministrit Kurti të bëhet pasi të mbahen Zgjedhjet qendrore, të cilat janë të parapara të mbahen më 09.02.2025, me arsyen që të eliminohen pretendimet se veprimet po merren për qëllime politike.

    KALLXO.com kishte raportuar më 20.12.2024 se Prokuroria Speciale kishte dërguar një ftesë të dytë në adresë të kryeministrit Albin Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit në ‘rastin e rezervave shtetërore’, por Kryeministri ka ritheksuar gatishmërinë që Prokurorët t’i presë në zyrën e tij.

    Burime brenda Prokurorisë Speciale i kishin thënë KALLXO.com se nuk e zbatojnë formën e kërkuar nga Kryeministri për intervistim, pasi veprimet e tyre ndërmerren në objekt të Prokurorisë.

    Sipas burimeve të KALLXO.com, Prokuroria Speciale do ta përsëriste thirrjen për herë të tretë, të fundit, javën që vjen dhe nëse Kryeministri nuk i përgjigjet, do të kërkojë nga Gjykata një urdhër për ta sjellë atë me forcë në Prokurori.

    Kryeministri Albin Kurti, në një intervistë në emisionin “Rrjedha” me Rron Gjinovcin dhe Shkëlzen Gashin të transmetuar në KTV, më 29.12.2024, akuzoi kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj si “regjisor i kësaj situate”.

    Kurti deklaroi se nuk do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Prokurorisë.

    “Prokurorët kanë ardhur në Kryeministri edhe më herët. Unë guxoj t’ju them ‘S’po vij’, te shohim tash a guxojnë ata të vijnë.” – tha Kurti.

    Ai tutje tha se: “Pikërisht ky prokurori (Blerim) Isufaj, ky është regjisori i një pamjeje kur unë hyj në Prokurorinë e Shtetit dhe prodhohet një lajm ndërkombëtar që Kryeministri hyn në Prokurori të intervistohet për një rast të korrupsionit. Aty nuk thuhet që si dëshmitar. Ky është qëllimi.”

    Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, në Konferencën e fundvitit për media, më 30.12.2024, u përgjigj edhe në lidhje me deklarimin e kryeministrit Albin Kurti se ftesa për të dëshmuar i ishte dërguar nga Prokuroria, me qëllim që të bëhej lajm ndërkombëtar.

    “Unë s’kam asgjë me askënd dhe, me thënë të vërtetën, as nuk e kam shiku çfarë ka thënë.” – u shpreh Isufaj.

    Më 20.12.2024, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu i ka thënë KALLXO.com se ia kanë ritheksuar Prokurorisë Speciale gatishmërinë e Kryeministrit që t’i mirëpresë Prokurorët në Zyrën e tij për intervistim – duke i propozuar tri orare intervistimi, pas pranimit të thirrjes së dytë.

    “Prokuroria Speciale ka përcjellë një ftesë të dytë, në adresë të kryeministrit Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit. Për këtë, kemi propozuar tri orare të takimit. Një për sot dhe dy orare të tjera për javën tjetër.” – ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi Kryeziu.

    Kryeministri Kurti është thirrur për t’u intervistuar nga Prokuroria si dëshmitar në lëndën “PPS.nr.62/2023”, në një rast që ka të bëjë me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Numri i lëndës që gjendet në thirrjen dërguar Kryeministrit të publikuar nga Kryeziu – përputhet me atë të rastit të rastit të rezervave shtetërore.

    Më 11.12.2024 ishte bërë e ditur që kryeministri Kurti ishte ftuar për të dëshmuar, më 16.12.2024, nga Prokuroria Speciale.

    Ndonëse ftesa e Prokurorisë Speciale ka qenë që kryeministri Albin Kurti të paraqitet për intervistim si dëshmitar më 16.12.2024, në ora 09:30, një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.

    Zëdhënësja e Prokurorisë, Liridona Kozmaqi, në një deklarim para mediave kishte thënë se është informuar nga Kabineti i Kurtit se Kryeministri gjendet në udhëtim jashtë vendit.

    “Sot nga Kabineti i Kryeministrit Kurti, Prokuroria Speciale është informuar se kryeministri Kurti gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet sot. Prokuroria Speciale, konform legjislacionit në fuqi, do ta përgatisë një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti për një datë tjetër.” – kishte thënë Kozmaqi.

    Rasti i rezervave shtetërore

    Të pandehur për rastin e rezervave shtetërore janë: Irfan Lipovica, Hafiz Gara e Ridvan Muharremi. Lipovica e Gara dyshohen për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Ridvan Muharremi për veprën penale “dhënia e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”.

    Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica e Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, ishin arrestuar më 18.08.2023 nën dyshimin për veprat: “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

    Ridvan Muharremi, Irfan Lipovica e Hafiz Gara ishin liruar nga masa e paraburgimit me vendimin e Apelit më 31.08.2023, pasi të njëjtit gjendeshin nën këtë masë nga 19.08.2023.

    Si e dyshuar lidhur me keqpërdorimet e rezervave shtetërore është intervistuar edhe ministrja aktuale e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari më 15.04.2024.

    Çfarë thotë Dosja e Prokurorisë për Ridvan Muharremin?

    Dosja e Prokurorisë për Ridvan Muharremin thotë si ai në periudhën kohore nga muaji shkurt 2022 e në vazhdimësi, me dashje dhe me qëllim të krijimit të kushteve dhe mundësive për realizimin e veprimeve inkriminuese për të pandehurit Irfan Lipovica e Hafiz Gara i ka ndihmuar ata – duke i krijuar kushtet, propozuar e siguruar fillimisht për negocim për furnizim me rezerva shtetërore.

    Prokuroria ka thënë në Dosje se janë propozuar O. E. “Yafe Turizm Insaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli në Bursa të Turqisë për furnizim me grurë dhe “Xanto SP” ZO.O. In, me seli në Gdynia, Poloni për furnizim me vaj luledielli dhe sheqer. E më pas përmes përfshirjes pa autorizim në procesin e negocimit në mes të pandehurve Irfan Lipovica e Hafiz Gara me O. E.  ka luajtur rol kyç në negocimin e kushteve të Kontratave.

    Prokuroria: Lipovica ka lejuar me dijeni të plotë që të anashkalohet procedura e hapur e Prokurimit

    Për zyrtarin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica, në Dosjen e Prokurorisë thuhet se ekzistojnë dyshimet e bazuara se nga muaji shkurt i vitit 2022, në Prishtinë, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, në cilësinë e personit zyrtar, me pozitë zv/sekretar i përgjithshëm, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit të buxhetit të Republikës së Kosovës, ka tejkaluar autorizimet ligjore të parapara për pozitën që e ka ushtruar.

    Kësisoj, sipas Prokurorisë, Lipovica ka lejuar me dijeni të plotë që në kundërshtim me legjislacionin në fuqi të anashkalohet procedura e hapur e Prokurimit publik për blerjen e rezervave shtetërore.

    Në Dosje thuhet se më 25 shkurt 2022 ai ka adresuar në Qeverinë e Kosovës kërkesën për përjashtimin e procedurave të rregullta të Prokurimit, si dhe klasifikimin e kësaj procedure si “sekrete”, me qëllim që ta kufizojë konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit. E më pas, duke u bazuar në një Vendim të Qeverisë së Kosovës, i cili e kishte bazën në kërkesën e kundërligjshme të të pandehurit, ka nxjerrë Vendimin për formimin e Komisionit për Negocimin e Kontratave për furnizimin me mallra të rezervës shtetërore për vitin 2022. Me këtë Vendim, sipas Prokurorisë, është anashkaluar procedura e hapur e Prokurimit publik.

    Në Dosjen e Prokurorisë thuhet se më pas edhe përkundër faktit se krijimi i këtij Komisioni nuk kishte bazë ligjore, i pandehuri në drejtim të funksionimit të këtij Komisioni për Negocim me operatorin ekonomik “Yafe Turizm Inseat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” dhe “Xanto SP” ZO.O. In, kishte anashkaluar në tërësi dy anëtarët e Komisionit. Sipas Prokurorisë, kjo i ka mundësuar të pandehurit Ridvan Muharremi që të luajë rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet MINT dhe operatorit ekonomik, përkatësisht firmave nga të cilat do të siguroheshin produktet e rezervës shtetërore.

    Dosja: Hafiz Gara ka adresuar te Irfan Lipovica kërkesën për përjashtimin e procedurave të Prokurimit

    Për zyrtarin tjetër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Hafiz Gara, Dosja e Prokurorisë thotë se ai nga muaji shkurt i vitit 2022, në Prishtinë, në MINT, në cilësinë e personit zyrtar, në pozitën Drejtor i Departamentit të Rezervave Shtetërore të Mallrave (DRSHM/MINT), me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit buxhetit të Republikës së Kosovës, ka tejkaluar autorizimet ligjore të parapara për pozitën që e ka ushtruar.

    Në Dosje thuhet se në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, më datë 25 shkurt 2022 ka adresuar te Irfan Lipovica kërkesën për përjashtimin e procedurave të Prokurimit, edhe pse e ka ditur se kërkesa e tillë nuk ka bazë ligjore.

    Gjithnjë, sipas Prokurorisë, kjo kërkesë më pas i është adresuar Qeverisë së Kosovës, me qëllim që ta kufizojë konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit, përkundër faktit se ishte nxjerrë Vendimi për formimin e Komisionit për Negocimin e Kontratave për furnizimin me mallra të rezervës shtetërore për vitin 2022, me të cilin është anashkaluar procedura e Prokurimit publik. E më pas ishte anashkaluar edhe Komisioni, i cili ishte krijuar me qëllim të negocimit, porositjes dhe blerjes së produkteve të rezervës shtetërore të grurit, vajit të lulediellit dhe sheqerit. Dosja vazhdon duke thënë se kjo i ka mundësuar të pandehurit Ridvan Muharremi që të luajë rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet MINT dhe O. E., përkatësisht firmave nga të cilat do të siguroheshin këto produkte të rezervës shtetërore, pas të cilave ishin nënshkruar Kontratat me kompanitë në Turqi dhe Poloni për Furnizim.

  • Dy të dyshuarve për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc edhe dy muaj paraburgim

    Gjykata e Prishtinës ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për 2 muaj tjerë dy të pandehurve, Dragisha Viqentijeviq dhe Jovan Viqentijeviq, të dyshuar për sulmin terrorist të kryer më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në zonën e Zubin Potokut.

    Lajmin për vazhdimin e masës së paraburgimit e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

    “Ju njoftojmë se pas Kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të datës 23.12.2014 për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve J. V. dhe D. V., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, më 27.12.2024, ka marrë Aktvendim dhe ka aprovuar Kërkesën e PSRK-së, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurve J. V. dhe D. V., iu vazhdohet në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, për secilin.” – thuhet në Vendimin e Gjykatës së Prishtinës.

    Sulmi terrorist

    Shpërthimi që ndodhi më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut ishte cilësuar nga Qeveria e Kosovës si “sulm terrorist”.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte thënë se sulmi është kryer nga grupe terroriste.

    “Unë nuk i kam emrat e atyre që e kanë vënë detonimin. Por, unë e di një gjë, se elemente të tilla kriminale, qofshin edhe zyrtarisht anëtarë të Mbrojtjes Civile, Brigadës Civile, ata e kanë mbështetjen dhe dirigjimin nga Beogradi zyrtar.” – kishte thënë Kurti.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e ka mohuar që Serbia ka lidhje me sulmin në kanalin Ibër-Lepenc në Komunën e Zubin Potokut.

    Për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka thënë se është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit, nga 15 deri në 20 kilogramë, i cili dyshohet se është aktivizuar me detonatorë mekanikë, përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme.

    “Si pasojë e këtij sulmi janë shkaktuar dëme të mëdha materiale në kanalin e Ibër-Lepencit, si pasojë e të cilave është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për shumë zona dhe lokalitete, si dhe duke rrezikuar tej mase edhe furnizimin me energji elektrike apo edhe rrezikun me pasoja më të rënda për avari në Sistemin energjetik të Republikës së Kosovës.” – është shprehur Hoxha.

    Pas shpërthimit, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme më 30.11.2024, në ora 01:30.

    Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar. Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit e për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.

    Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë – KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi.

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli njoftoi më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër-Lepencit, kanë arritur që të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.

    Këtë sulm e kanë dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian. Edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Jorn Rohde e ka dënuar, po ashtu, shpërthimin në Zubin Potok.

    Arrestimet në lidhje me sulmin në Ibër-Lepenc

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kryer disa kontrolle në lokacione të ndryshme, gjatë të cilave janë gjetur dhe sekuestruar armë të ndryshme e pajisje tjera, lidhur me rastin e ndodhur më 29.11.2024 në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut, respektivisht në pjesën e kanalit të “Ibër-Lepencit”.

    “Me këtë rast në Stacionin policor janë shoqëruar 10 persona të dyshuar për veprat penale: “rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga Neni 122; lidhur me veprën penale “kryerja e veprës terroriste” nga Neni 129 Par. 1 dhe Neni 128 Par. 1 Nënpar. 1.8 të KPRK; “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve” nga Neni 366 Par. 2 lidhur me Par. 1  të KPRK.” – thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

    Prokuroria Speciale ka thënë se dy të shoqëruarve iu është caktuar masa e ndalimit.

    “Me vendim të Prokurorit, dy prej tyre, me inicialet D. V. dhe D. M., nga komuniteti serb, janë ndaluar. Për personin D. V. është parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, e cila është caktuar nga Gjykata për 1 (një) muaj, kurse i dyshuari D. M. nga Prokuroria është liruar në procedurë të rregullt.” – thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

    Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Dragisha Viqentijeviqit, i arrestuar nën dyshimin se ka marrë pjesë në sulmin terrorist. Caktimin e masës së paraburgimit e ka konfirmuar mbrojtësi i të pandehurit, avokati Millosh Delloviq, i cili ka thënë se klienti i tij nuk e ka pranuar fajësinë.

    Sipas Prokurorisë, me veprimet e tij Viqentijeviq po dyshohet se kreu veprën penale të rrezikimit të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike. Gjatë bastisjes, në shtëpinë e tij, u gjetën edhe armë e municion, për çka Prokuroria po e ndjek edhe për “armëmbajtje pa leje”.

    Ndërkaq, më 02.12.2024, Policia e Kosovës bëri të ditur se më 01.02.2024 ka arrestuar edhe një person të dyshuar për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit.

    Sipas Policisë, i arrestuar është personi me inicialet J. V., nën dyshimin se mund të ketë pasur rol të rëndësishëm në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.

    “Në vazhdimësi të hetimeve lidhur me rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike, por edhe rasteve paraprake, nga njësitë relevante hetimore, në bashkëpunim edhe me njësitë e tjera policore, më 01.12.2024 në orët e mbrëmjes, është arrestuar edhe një i dyshuar J. V., nën dyshimin që mund të ketë patur rol të rëndësishëm në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike.” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Po ashtu, Policia ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit J.V., në të cilën janë gjetur e sekuestruar si dëshmi: katër granate dore, një pushkë gjuetie, mbi pesëqind copë municion të kalibrave të ndryshëm, dy karikatorë të armës AK-47, një karikator i pushkës së gjatë, një radiolidhje, një palë dylbi, një kamerë kamufluese, uniforma ushtarake dhe dokumente të ndryshme.

     

     

  • Dosja – Çka deklaroi Nagip Krasniqi në Polici dhe Prokurori për skandalin në KEK?

    Ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Zyrës së Prokurimit në KEK, Ymer Dragusha dhe Isuf Zejna në cilësinë e përfaqësuesit të kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C” po përballen me aktakuzë nga Prokuroria Speciale.

    Kjo është aktakuza e dytë me të cilën po përballet ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi.

    Sipas dosjes së prokurorisë, i pandehuri Nagip Krasniqi në deklaratën e tij të dhënë në Polici më datën 24.03.2023 dhe në Prokurori më datën 12.09.2023, ka deklaruar se tenderi për riparimin kapital të kalldasë A5, fillimisht ishte shpallur dhe anuluar në vitin 2020 dhe 2021, para se ai të vinte kryeshef ekzekutiv në KEK.

    Tutje sipas aktakuzës ai ka deklaruar se ky tender përsëri është rishpallur në muajin shtator 2022, në dy (2) Lot-e dhe se njëri lot ishte për riparimin e kalldasë dhe kishin ofertuar tri kompani: “Litwin S.A”, “Steag” dhe ‘‘Intering’’.

    Sipas dosjes së prokurorisë ai gjatë mbrojtjes së tij kishte shtuar se “Steag” gjerman në Lot 1 dhe “Litwin S.A’’ Lot 2, kishin dështuar t’i sjellin dokumentet e kërkuara nga autoriteti kontraktues dhe ishin diskualifikuar, ndërsa kishin vazhduar negociatat me operatorin ekonomik ‘‘Intering’’.

    Gjithnjë sipas dosjes së prokurorisë, Krasniqi gjatë deklaratës së tij ka thënë se pasi që të njëjtit ishin tërhequr nga ofertat me arsyetimin se kishin ndryshuar çmimet për shkak të krizës energjetike dhe lufta në Ukrainë, kishin dështuar negociatat me këtë kompani. Mirëpo për shkak të emergjencave dhe situatës së vështirë energjetike, rikthimin në punë të bllokut A5 dhe përfundimin e projektit në afatin kohor kishin ftuar që të tri kompanitë për prezantimin e ofertave.

    “Si kryeshef ekzekutiv gjatë gjithë fazave ka qenë në dijeni sa i përket procesit të hulumtimit të tregut dhe gjithë procesit të zhvilluar nga komisioni i vlerësimit, duke përfshirë ofertat në tender, çmimet dhe kërkesat. Gjatë fazës së negocimit e konfirmon se kishte pasur ndryshime nga drafti i dosjes së tenderit. Gjithashtu thekson së në kohën kur kishte ardhur në pozitën e Kryeshefit ekzekutiv, njësia A5 i kishte kaluar orët e punës standarde”– citohet në aktakuzë të ketë deklaruar Krasniqi.

    “Për shkak të situatës emergjente, kishte qenë interes i korporatës që sa më shpejt të kryhen punët për shkak se për çdo ditë vonese ndërmarrja ka humbur deri në gjysmë milioni euro të hyra në ditë. Kriteret kryesore që kishin kërkuar ishin afati i kryerjes së punëve për 90 ditë e që më së voni ishte data 3 prill 2023 dhe 50% e sigurimit të ekzekutimit”- citohet tutje në aktakuzë të ketë deklaruar Krasniqi.

    Krasniqi po ashtu ka deklaruar se e vetmja kompani që i kishte pranuar këto kushte kishte qenë operatori ekonomik “Litwin S. A’’, mirëpo komisioni i vlerësimit kishte rekomanduar anulimin e tenderit për shkak se i njëjti nuk i kishte plotësuar kushtet. Tutje kishte deklaruar se për shkak se nuk kishin  alternativa tjera dhe pasi i pandehuri Ymer Dragusha i kishte thënë se vendimmarrja dhe përgjegjësia qëndron te ai si kryeshef ekzekutiv, kishte vendosur me proceduar tutje me këtë kompani për nënshkrimin e kontratës, pasi që e njëjta i kishte plotësuar dy kushte kryesore: afatin e kryerjes së punëve dhe 50% të garancionit bankar.

    Në aktakuzë thuhet se Krasniqi deklaroi që pas këshillimit nga ana e Ymer Dragushës për nënshkrimin e kontratës kishte dhënë urdhër me shkrim për nënshkrimin e kontratës me operatorin ekonomik “Litwin S.A” dhe se gjatë negocimit janë ndryshuar edhe kushte tjera përshirë edhe afatin shtesë 30 ditë si opcional.

    Tutje në aktakuzë thuhet se Nagip Krasniqi ka deklaruar se pas nënshkrimit të kontratës ishin shfaqur pengesa në implementimin e projektit edhe atë për shkak garancionit të ekzekutimit prandaj lidhur me këtë KEK kishte marrë vendim për shkëputjen e kontratës me operatorin ekonomik “Litwin S.A’’.

    Nagip Krasniqi tashmë ka një rast tjetër gjyqësor, në cilësinë e të akuzuarit për pozitën e njëjtë si ish-kryeshef i KEK-ut. Lidhur me aktakuzën e parë Krasniqi nuk kishte pranuar fajësinë, ndërsa rasti është në procedim e sipër.

    Çka thotë aktakuza e re e Prokurorisë Speciale?

    Nagip Krasniqi si kryeshef i KEK-ut, në bashkëkryerje me Ymer Dragushën, ushtrues detyre i drejtorit të Zyrës së Prokurimit, akuzohen se nga nëntori i vitit 2022 e deri në fund të janarit të vitit 2023 kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare – duke i tejkaluar kompetencat që i kanë.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë, tejkalimi i kompetencës është bërë që t’i mundësojnë përfitim personit tjetër, në këtë rast operatorit ekonomik “Litwin S.A”, në rastin e aktivitetit të prokurimit lidhur me “Riparimin kapital të kalldasë së bllokut A5”.

    Tutje sipas Prokurorisë më 27.12.2022, Krasniqi kishte ftuar në zyrë të akuzuarin Ymer Dragusha, duke i kërkuar të njëjtit që të fillohet procedura për hulumtimin e tregut, që të fillohet procedura e negociuar për tenderin për riparimin e kalldasë së bllokut A5. Sipas Prokurorisë, Dragusha e kishte vënë në dijeni Krasniqin se një gjë e tillë është në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik.

    Tutje, Prokuroria pretendon se Dragusha pasi kishte marrë kërkesën nga Krasniqi, i kishte thënë zyrtarit E. T., që t’i ftojë në takim përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë: “Intering”, “Monting Energjitika”, “Litwin S.A”, të cilët operatorë paraprakisht ishin shpallur të papërgjegjshëm në procedurën e hapur të prokurimit.

    Tri ditë më vonë, sipas Prokurorisë, më 29.12.2022, Krasniqi dhe i akuzuari tjetër Dragusha kishin zhvilluar negociata me operatorët ekonomikë lidhur me tenderin “Riparimi kapital i kalldasë së bllokut A5” – pa qenë në Komisionin për vlerësim dhe negocim dhe ende pa u bërë njoftimi për shpallje në faqen E-Prokurimi. Ndërsa, më 16.01.2023, pas përfundimit të negociatave, kanë bërë njoftimin për shpallje duke i eliminuar nga gara operatorët: “Intering”, “Monting Energjetika” dhe duke e favorizuar operatorin “Litwin S.A”.

    Themelimi i Komisionit për vlerësim dhe negocim për “Riparimin kapital emergjent të kalldasë së bllokut A5” ishte bërë katër ditë më vonë. Pikërisht, më 20.01.2023 – prej kur ishte bërë shpallja për njoftimin për kompaninë “Litwin S.A”. Ky Komision – sipas Dosjes – kishte ardhur me një konstatim, më 25.01.2023, se operatori në fjalë nuk i plotësonte kushtet që kërkoheshin në Dosjen e tenderit dhe se nuk i’u kishte përmbajtur premtimeve të dhëna gjatë zhvillimit të negociatave, me ç’rast Komisioni kishte rekomanduar që të anulohet aktiviteti i prokurimit.

    Sipas Komisionit, operatori në fjalë kishte kërkuar të ndryshohen kushtet e tenderit, të zgjatet afati për kryerjen e punëve, të ulet përqindja në penallti dhe të zvogëlohet garancia bankare.

    Ndonëse kryeshefi i asaj kohe, Nagip Krasniqi kishte dijeni për Raportin e Komisionit dhe gjetjet e tij – siç theksohet në Dosje – ai kishte urdhëruar të pandehurin tjetër, Ymer Dragusha që të nënshkruajë Kontratën. Këtë e kishte bërë përmes email-it, më 25.01.2023.  Kontrata ishte nënshkruar më pas, ndonëse ende nuk ishte siguruar garancia bankare, e cila do të ekzekutohej në rast të dështimit të Kontratës.

    Si rezultat i veprimeve të të pandehurve, nga 19.07.2022 e deri më 06.05.2023, blloku A5 ishte jashtë funksionit. Andaj, siç theksohet nga ana e Prokurorisë, KEK-u u detyrua që të importojë energji në vlerë prej 36 milionë euro.

    Me këtë në dispozitivin e parë, Krasniqi dhe Dragusha akuzohen se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

    Tutje, aktakuza vazhdon me dispozitivin e dytë, në të cilin prapë Krasniqi e Dragusha akuzohen se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

    Në këtë dispozitiv, Krasniqi e Dragusha akuzohen, sipas Prokurorisë, se i kanë mundësuar përfitim pasuror personit tjetër – operatorit ekonomik “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit “Angazhimi i një kompanie konsulente ligjore” – në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.

    Krasniqi, sipas Prokurorisë, ishte konsultuar për termat e referencës me të pandehurin, Isuf Zejna që është aksionar i kësaj kompanie ligjore më 02.03.2023 dhe ka kërkuar nga i akuzuari tjetër, Dragusha që të iniciohet procedura e prokurorit e negociuar për angazhimin e konsulentit për këshillime në aspektin ligjor dhe të prokurimit për kryeshefin ekzekutiv dhe stafin e KEK-ut, ndonëse në deklaratën e nevojave dhe përcaktimit të disponueshmërisë së fondeve nuk ishte paraparë – duke e përcaktuar si operator të vetëm kompaninë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”.

    Sipas Prokurorisë, ekzistonin raporte të ngushta shoqërore në njërën anë mes palëve.

    Dosja tutje elaboron se Dragusha përkundër faktit që e dinte se kërkesa e Krasnqit ishte në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, kishte filluar procedurën e prokurimit më 02.03.2023, me titull “Angazhimi i një kompanie konsulentë ligjor”.

    Ndonëse, organi kompetent për komentimin e ligjeve të prokurimit publik kishte lëshuar një rekomandim se duhet të ketë procedurë të hapur, Krasniqi e Dragusha kishin zhvilluar procedurë të negocimit me kompaninë ligjore dhe më 03.04.2023, pas urdhrit të Krasniqit, Dragusha nënshkruan Kontratën me kompaninë ligjore “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, në vlerë prej 60 mijë euro – theksohet në Dosje.

    Aktakuza voluminoze 68-faqëshe në dispozitivin e tretë përsëri akuzon Krasniqin e Dragushën për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje.

    Sipas dispozitivit të tretë nga dhjetori i vitit 2022 e deri më 18.04.2023 Krasniqi në të njëjtën cilësi dhe Dragusha po ashtu në të njëjtën cilësi, duke keqpërdorur detyrën zyrtare kanë tejkaluar kompetencat duke i mundësuar përfitim pasuror personit tjetër, operatorit ekonomik “Ergotem S.A”, duke i shkelur të drejtat personave të tjerë për aktivitetin e prokurimit “Pllaka rrëshiqtëse në PF – kanalet e mullinjëve të thëngjillit”.

    Krasniqi, sipas Prokurorisë, disa muaj para se të bëhej njoftimi në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik për aktivitetin e njëjtë, i kishte ftuar në mënyrë të kundërligjshme përfaqësuesit e operatorit “Ergotem S.A”, me qëllim që të zhvillohet një vizitë në punishtet e KEK-ut. Tutje, i urdhëron zyrtarët përgjegjës që t’ia dërgojë kësaj kompanie specifikat teknike të tenderit, ende pa u bërë shpallja e tenderit.

    Kështu, sipas Prokurorisë, më 15.12.2022, Krasniqi i shkruan të pandehurit, Dragusha dhe e urdhëron që për tenderin që do të shpallej më 16.12.2022 të ftohet operatori ekonomik “SBB” dhe “Ergotem S.A” – duke përcaktuar paraprakisht konkurruesit/ofertuesit e tenderit dhe pastaj që në të njëjtën datë të bëhet shpallja e njoftimit për Kontratë.

    Pas përfundimit të procesit të vlerësimit të ofertave nga ana e Komisionit, operatori “Ergotem S.A” shpallet fitues i tenderit. Para nënshkrimit të Kontratës, kjo kompani kërkon nga KEK-u që të ndryshohen kushtet e tenderit lidhur me garancinë bankare, nga 50 % sa ishte në Dosje të tenderit të zbritet në 10% . Kështu nga dy të pandehurit pranohet kjo kërkesë, por duke e rritur pakëz vlerën e përqindjes në 15 % – duke u nënshkruar Kontrata më 07.04.2023 nga Dragusha. Kurse, më 18.04.2023, nënshkruhet nga Krasniqi në vlerë prej mbi 1 milion euro.

    Sipas Dosjes së Prokurorisë, më 25.01.2023, në Prishtinë, me dashje, në bashkëkryerje në cilësinë e personave zyrtarë, i pandehuri Nagip Krasniqi si kryeshef ekzekutiv i KEK-ut  dhe Ymer Dragusha si ushtrues detyre i drejtorit të Zyrës së Prokurimit (ZEP), më 25.01.2023, në Prishtinë kanë tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim që t’i mundësojnë përfitim personit tjetër, në këtë rast operatorin ekonomik ‘’Tuv Hellas’’ dhe t’ua shkelin të drejtat personave të tjerë, ashtu që me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit në procedurë të negociuar, i emërtuar si “Blerja e shërbimeve për mbikëqyrjen e implementimit të projektit, dizajni, furnizimi dhe kryerja e punëve lidhur me dilatimin e kalldave B1 dhe B2 në TC Kosova B”, në tenderin me nr. të prokurimit KEK-23-348-2-1-5, kanë vepruar në kundërshtim të plotë me rregullat e përcaktuara me LPP.

    Në aktakuzë thuhet se, më 24.01.2023, ende pa u bërë shpallja e njoftimit për tender, i pandehuri Nagip Krasniqi i kishte shkruar të pandehurit, Ymer Dragusha dhe kundërligjshëm e kishte obliguar që të kontaktonte me operatorin ekonomik “Tuy Hellas” dhe ta ftonte që të aplikonte për tender të negociuar. Mirëpo, zyrtarët e KEK-ut e kishin njoftuar fillimisht të pandehurin, Nagip Krasniqi se ky veprim ishte në kundërshtim me Nenin 7 të LPP. Përkundër, kësaj i pandehuri Krasniqi thuhet në aktakuzë përmes e-mail-it e kërcënon zyrtarin A.K se do ta largojë nga puna nëse nuk vepron sipas urdhrave të tij.

    Në aktakuzë, tutje, thuhet së nën kërcënim dhe presion, zyrtarja Myrvete Gërguri e kishte kontaktuar kompaninë në fjalë dhe i kishte ofruar  udhëzime të nevojshme se si të aplikojë në tender. Krejt kjo një ditë para shpalljes së tenderit, sepse më 25.01.2023 ishte bërë njoftimi për shpalljen e tenderit në E-Prokurim.

    Po ashtu, në aktakuzë thuhet se përkundër njoftimit nga zyrtarë përgjegjës se nuk mund të zhvillohet procedurë e negociuar në rastin e këtij tenderi, të pandehurit e kishin shpërfillur njoftimin dhe kishin vazhduar me procedurë të negociuar vetëm me operatorin ekonomik ‘”TUV Hellas’’, të cilin sipas aktakuzës veçse e kishte përzgjedhur i pandehuri Nagip Krasniqi ende pa u shpallur tenderi.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se gjatë procedurës së negocimit në mënyrë të kundërligjshme të pandehurit i kishin bërë favor këtij operatori: kriterin tenderues të garancionit bankar nga 50% në 10% dhe përkundër faktit se operatori ekonomik kishte mungesë të dokumentacionit në Dosjen e tenderit për pikat tenderuese, si: referenca për punë, diplomat e ekspertëve dhe certifikata ISO 9001.

    Në aktakuzë përshkruhet se bazuar në faktin se gjatë procedurës së negocimit i pandehuri, Nagip Krasniqi personalisht disa herë kishte pasur kontakte telefonike me përfaqësuesin e këtij operatori dhe duke qenë në dijeni për mangësitë që operatori ekonomik kishte në raport me kushtet e tenderit, vendosën që të nënshkruajnë Kontratë me këtë operator në vlerë prej 628,425.00 euro më 30.03.2023.

    Andaj, me këtë në bashkëkryerje e kishin kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Po ashtu, sipas Dosjes së Prokurorisë, i pandehuri Nagip Krasniqi prej muajit korrik deri më 25.11.2022, në Prishtinë me dashje në cilësinë e personit zyrtar si kryeshef ekzekutiv i KEK-ut duke keqpërdorur detyrën zyrtare në aktakuzë thuhet se kishte tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që t’i mundësonte përfitim personit tjetër. Pra, në këtë rast operatorit ekonomik “Bahri Asllan & FAM” dhe ua shkel të drejtat personave të tjerë, në këtë rast pra operatorit ekonomik “Takraf” dhe i shkatoi dëm buxhetit të Kosovës – ashtu që me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit në procedurë të negociuar i emërtuar si “Punë shtesë në riparimin e ekskavatorit E9 – Montimi i shtratit sferik”, me numër të prokurimit ‘’KEK-22-11643-5-2-5’’ kishte shkelur rëndë rregullat e përcaktuara me LPP, në atë mënyrë që fillimisht kishte urdhëruar aktivitet prokurimi të lartcekur.

    Gjithnjë, sipas aktakuzës, pastaj ai kishte zhvilluar të ashtuquajturën “faza fillestare të negociuara’’ me operatorin ekonomik  “Bahri Asllan & FAM”. Mirëpo, për shkak të kushteve të negocimit i kishte pezulluar negociatat me këtë operator dhe kishte hapur negociata të reja me operatorin ekonomik “Takraf”, me të cilin pas disa takimeve më 26.07.2022, sipas aktakuzës, arriti një marrëveshje e cila nuk u ekzekutua menjëherë, për shkak të kushteve në terren. Andaj u shty deri në krijimin e kushteve atmosferike.

    Në aktakuzë përshkruhet se përkundër faktit që me operatorin ekonomik “Takraf” kishte një marrëveshje të dakorduar siç u përshkrua më lartë, i pandehuri Nagip Krasniqi përmes zyrtares së tij i ka dërguar e-mail operatorit ekonomik  “Bahri”.

    Andaj, sipas dosjes së Prokurorisë, me këtë në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Tutje, në dispozitivin e gjashtë të aktakuzës i pandehuri, Nagip Krasniqi po akuzohet se në periudhën kohore 2022-2023, në Prishtinë, me dashje, në vazhdimësi, në cilësinë e personit zyrtar si kryeshef ekzekutiv i KEK-ut ka zbuluar fshehtësi zyrtare lidhur me procedurat e prokurimit të cilat po zhvilloheshin në KEK.

    Sipas aktakuzës, këto fshehtësi i pandehuri Krasniqi i ka ndarë me personin jozyrtar, përkatësisht me Dejona Mihalin, e cila nuk mban asnjë pozitë zyrtare në administratën shtetërore e për të cilat informata i pandehuri Krasniqi kishte qasje si rezultat i detyrës së tij dhe të cilat nuk ishin publike. Mihali është pjesë e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

    Në aktakuzë thuhet se, më 02.07.2022, i pandehuri Krasniqi, gjatë komunikimeve në rrjetin social “WhatsApp’’ me znj. Mihaili i ka dërguar informatën lidhur me dyshimin për abuzimin e energjisë elektrike nga ana e KESH-it sipas marrëveshjes së datës 24.06.2022 në mes të KEK dhe KESH.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se më 22.04.2022, i pandehuri Krasniqi gjatë komunikimeve në rrjetin social “Signal’’ i ka dërguar znj. Mihali dy dokumente për eksportet e energjisë elektrike për muajin mars-prill 2022. Pas pranimit të lajmit nga ana e saj lidhur me publikimin e një informacioni nga portali “Reporteri’” me titullin ‘’Kompania GEN e lidhur me ambasadorin Berisha mori 4.2 milion euro nga Kosova për dy muaj të krizës energjetike’’.

    Sipas aktakuzës thuhet se i pandehuri Krasniqi, më 24.02.2022, gjatë komunikimeve në rrjetin social “Signal’’ i ka dërguar Mihalit një dokument me titull “Agjenda e takimit të datës 09.02.2023’’, në të cilën janë të përfshira pikat kryesore, si dhe termat e referencës për prokurimin e titulluar “Shërbime të Konsulencës Ligjore dhe Rregullatorët’’.

    Tutje, thuhet se me datën 12.04.2023, i pandehuri i lartcekur gjatë komunikimeve në rrjetin social “Signal” i ka dërguar Mihalit një draft-autorizim për angazhimin e një konsulenti të jashtëm për asistencë teknike për sektorin e fushëveprimit të KEK-ut, përkatësisht angazhimin e ekspertit G.B.

    Gjithnjë, sipas aktakuzës, thuhet se më 04.08.2022, gjatë komunikimeve i pandehuri Krasniqi në rrjetin social “Signal’’ i ka dërguar Mihalit, Kërkesën drejtuar Qeverisë së Kosovës, përkatësisht kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe ministrave të Qeverisë për plotësim/ndryshimin e vendimit për shpalljen e emergjencës energjetike.

    Sipas aktakuzës, më 29.09.2022, gjatë komunikimeve në rrjetin social “WhatsApp’’ me anëtarët e të njëjtit grup i pandehuri Krasniqi e ka dërguar tabelën me të dhënat/çmimet e gjashtë (6) tenderuesve të cilët kanë ofertuar për aktivitetet e prokurimit “Riparimi kapital i kalldasë” dhe “Riparimi kapital i turbinës dhe gjeneratorit”.

    Tutje, në aktakuzë, thuhet se më 13.10.2022 gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘”WhatsApp’’ në grupin ku bënte pjesë Mihali, i pandehuri Krasniqi e ka dërguar informatën të cilën e ka pranuar nga anëtari i Komisionit të vlerësimit dhe negocimit S.I., në lidhje me tenderin me numër KEKC-22-287-51, përkitazi me ofertat e ofruara nga operatorët ekonomikë. Si dhe, komunikime të tjera në këto platforma.

    Tutje, sipas aktakuzës, i pandehuri Krasniqi po akuzohet se më 16.05.2022 gjatë komunikimeve në rrjetin social “Signal’’ i ka dërguar Mihalit një komunikim-foto me shkrimin e tre emrave dhe pozitave të zyrtarëve në KEK: D.B, E.T. dhe M.K., pas të cilës e njëjta i kthen përgjigje dhe për secilin veç e veç i jep informata për profilin e secilit nga të lartcekurit.

    Me këtë, i pandehuri Nagip Krasniqi po akuzohet se e ka kryer veprën penale “zbulimi i fshehtësisë zyrtare”. Në dispozitivin e shtatë të aktakuzës i pandehuri, Isuf Zejna në cilësinë e përfaqësuesit të kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C” po akuzohet se në periudhën kohore dhjetor 2021 deri në prill të vitit 2023, në Prishtinë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit personal, e ka ndihmuar të pandehurin Nagip Krasniqi që në cilësinë e Kryeshefit ekzekutiv i KEK-ut ta keqpërdorë detyrën zyrtare në lidhje me tenderin me numër KEK-23-1630-2-2-5, i titulluar “Angazhimi i një kompanie konsulente ligjor”.

    Në aktakuzë thuhet se, më 14.02.2023, i pandehuri Zejna i ka ndihmuar të pandehurit, Nagip Krasniqi në përgatitjen e termave të referencës për tenderin në të cilin ishte vetë pjesëmarrës.

    Sipas aktakuzës thuhet se fillimisht i pandehuri Krasniqi ia dërgon një draft të termave të referencës të pandehurit Zejna, e më pastaj i pandehuri Zejna ia kthen të njëjtin draft të pandehurit Krasniqi. Ndërsa, ky i fundit draftin e dërgon te Zyra e Prokurimit në KEK dhe u kërkon inicimin e këtij aktiviteti të prokurimit me procedurë të negociuar.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se me të kuptuar lidhur me këtë procedurë KRPP i shkruan KEK-ut shkresën përmes së cilës e rekomandon se kjo procedurë duhet të zhvillohet me procedurë të hapur, me qëllim të rritjes së transparencës dhe konkurrencës.

    Në aktakuzë thuhet se Nagip Krasniqi për shkak të raporteve të ngushta me të pandehurin, Isuf Zejna e injoron këtë rekomandim dhe më 03.04.2023 e nënshkruan Kontratën me operatorin “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, respektivisht me të pandehurin, Isuf Zejna – duke e shpërblyer me shumën prej 60.000.00.

    Me këtë i pandehuri, Isuf Zejna po akuzohet se ka kryer veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale: “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Raportimet e KALLXO.com – LINK 

  • Dosja – Komunikimet e Nagip Krasniqit me Dejona Mihalin, çka deklaroi kjo e fundit në Prokurori?

    Ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi po përballet edhe me një tjetër aktakuzë që ka të bëjë me veprën penale: “keqpërdorim i detyrës zyrtare”. Aktakuza e fundit ndaj tij mban datën 30.12.2024. Krasniqi tashmë ka një rast tjetër gjyqësor, në cilësinë e të akuzuarit për pozitën e njëjtë si ish-kryeshef i KEK-ut.

    Dosjen që ka siguruar KALLXO.com përshkruhet se Dejona Mihali ishte ftuar në Prokurorinë Speciale më 20.09.2024 në cilësinë e dëshmitares për t`u intervistuar në lidhje me hetimet që po zhvilloheshin ndaj Nagip Krasniqi si kryeshef i KEK-ut, në bashkëkryerje me Ymer Dragushën (ushtrues detyre i drejtorit të Zyrës së Prokurimit) për çka edhe tani po akuzohen se nga nëntori i vitit 2022 e deri në fund të janarit të vitit 2023 kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare – duke i tejkaluar kompetencat që i kanë.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë, tejkalimi i kompetencës është bërë që t’i mundësojnë përfitim personit tjetër, në këtë rast operatorit ekonomik “Litwin S. A.”, në rastin e aktivitetit të prokurimit lidhur me “Riparimin kapital të kalldasë së bllokut A5”.

    Ndonëse aktakuza është ngritur ndaj tre personave, në këtë rast në pyetje u mor edhe Dejona Mihali, koordinatore e komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje (LVV). Ajo është përmendur në aktakuzën që ka ngritur Prokuroria Speciale për Nagip Krasniqin, si dëshmitare në lidhje me krizën energjetike në Kosovë.

    Dosja e prokurorisë, tregon se Nagip Krasniqi e Dejona Mihali kishin biseduar disa herë përmes platformave sociale, kryesisht në rrjetet “Signal” e “Whatsapp”. Mihali në dëshminë e saj në Prokurori Speciale ka deklaruar se e kishte takuar Nagip Krasniqin një apo dy herë në lidhje me krizën energjetike në Kosovë.

    “Nagip Krasniqi e kishte njohur në kuadër të këtij komiteti nga viti 2009-2010 si ekspert të kësaj fushe. Ndërkaq, pas emërimit të të njëjtit si kryeshef ekzekutiv në KEK, e kishte takuar një apo dy herë dhe kishin diskutuar lidhur me krizën energjetike”- thuhet në dosjen e prokurorisë.

    Mihali gjithmonë sipas aktakuzës, kishte dëshmuar se në emër të Lëvizjes Vetëvendosje kishte kërkuar informacione mbi gjendjen energjetike dhe se përmes platformave sociale WhatsApp, Signal, Viber, email dhe telefon kishte komunikuar disa herë, për gjendjen energjetike, komunikime lidhur me disa sinjalizime nga persona anonim që kishin marrë lidhur me remontin e TC Kosova A, por edhe disa artikuj nga portalet online.

    “Të  gjitha këto komunikime me të pandehurin janë zhvilluar në grupin e tyre në WhatsApp, ku ishin edhe Kryeministri, zv.Kryeministri, Ministrja e Ekonomisë, Ministri i Financave, si dhe këshilltari i Ministres së Ekonomisë”- kishte deklaruar Mihali, theksohet në aktakuzën ndaj Nagip Krasniqit.

    Më tutje në dosje thuhet se Mihali kishte sqaruar se ‘shkëmbimi i informacioneve ishte brenda një grupi kolegial dhe të bashkëpunimit të mëhershëm dhe se nuk kishte të bënte me pozicione, duke shtuar se kjo ishte puna e saj e përditshme si koordinatore e Lëvizjes – duke qenë se kishte marrë pjesë në hartimin e programit qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje’.

    Aktakuza të cilën e kanë punuar prokurorët specialë, Fikrije Fejzullahu dhe Ilir Morina, shpjegon se i akuzuari tashmë Nagip Krasniqi në periudhën kohore 2022-2023, në Prishtinë, me dashje, në vazhdimësi, në cilësinë e personit zyrtar si Kryeshef Ekzekutiv i KEK-ut, ka zbuluar fshehtësi zyrtare lidhur me procedurat e prokurimit të cilat po zhvilloheshin në KEK duke i ndarë me personin jo zyrtar, përkatësisht me Dejona Mihalin, e cila nuk mban asnjë pozitë zyrtare në administratën Shtetërore e për të cilat informata Krasniqi kishte qasje si rezultat i detyrës së tij dhe të cilat nuk ishin publike.

    Tutje në aktakuzë përmenden edhe kohë të ndryshme të komunikimit mes Krasniqit e Mihalit për çka edhe thuhet se është kryer vepra penale e zbulimit të fshehtësisë.

    Në dosje thuhet se më datën 02.07.2022, në ora 20:21, gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’WhatsApp’’, me Mihaili, i ka dërguar informatën lidhur me dyshimin për abuzimin e energjisë elektrike nga ana e KESH-it sipas marrëveshjes së datës 24.06.2022 në mes të KEK dhe KESH.

    Një tjetër komunikim është ai i datës 22.04.2022, në ora 18:25, kur Krasniqi gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’Signal’’ i ka dërguar Dejona Mihalit dy dokumente për eksportet e energjisë elektrike për muajin mars – prill 2022, pas pranimit të lajmit nga ana e saj lidhur me publikimin e një informacioni nga portali ‘’Reporteri’’ me titullin “Kompania GEN e lidhur me ambasadorin Berisha mori 4.2 milionë euro nga Kosova për dy muaj të krizës energjetike”.

    Më datë 24.02.2022, në ora 07:59, gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’Signal’’ Krasniqi i ka dërguar Mihailit një dokument me titull “Agjenda e takimit të datës 09.02.2023’’, në të cilën janë të përfshira pikat kryesore si dhe termat e referencës  për prokurimin e titulluar “Shërbime të Konsulencës Ligjore dhe Rregullatorët’’.

    Dosja thotë se më datën 12.04.2023, në ora 16:25, gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’Signal’’ i ka dërguar Dejona Mihali, një draft-autorizim për angazhimin e një konsulenti të jashtëm për asistencë teknike për sektorin e fushëveprimit të KEK-ut, përkatësisht angazhimin e ekspertit G. B.

    Më e datën 04.08.2022, në ora 15:59, sipas aktakuzës gjatë komunikimeve në rrjetin social  ‘’Signal’’ i ka dërguar Dejona Mihalit, kërkesën drejtuar Qeverisë së Republikës së Kosovës përkatësisht kryeministrit të Kosovës dhe ministrave të Qeverisë për plotësim/ndryshimin e vendimit për shpalljen e emergjencës energjetike.

    Më datën  29.09.2022, në ora 13:48, gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’WhatsApp’’ me anëtarët e të njëjtit grup, Krasniqi e ka dërguar tabelën me të dhënat/çmimet e gjashtë (6) tenderuesve të cilët kanë ofertuar për aktivitetet e prokurimit: Riparimi kapital i kalldasë dhe Riparimi kapital i turbinës dhe gjeneratorit.

    Tutje në aktakuzë thuhet se më datën 13.10.2022 , në ora 17:17, gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’WhatsApp’’, në grupin ku bënte pjesë Dejona Mihali, Krasniqi e ka dërguar informatën të cilën e ka pranuar nga anëtari i komisionit të vlerësimit dhe negocimit Skender Isufi, në lidhje me tenderin me numër KEKC-22-287-51, përkitazi me ofertat e ofruara nga operatorët ekonomik si dhe komunikime tjera në këto platforma.

    Një tjetër komunikim është ai më datën 16.05.2022, gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’Signal’’ Nagip Krasniqi i ka dërguar Dejona Mihalit, një komunikim-foto me shkrimin e tre emrave dhe pozitave të zyrtarëve në KEK: D. B., E. T. dhe M. K., pas të cilës e njëjta i kthen përgjigje dhe për secilin veç e veç i jep informata për profilin e secilit nga të lartcekurit.

    Me të gjitha këto veprime që ka kryer Nagip Krasniqi prokurorët Fikrije Fejzullahu dhe Ilir Morina kanë akuzuar se i njëjti ka kryer veprën penale zbulim i fshehtësisë zyrtare duke i dhënë informacione Dejona Mihalit deri sa e njëjta nuk posedonte asnjë post shtetëror.

     

    Ndryshe në aktakuzën e re e cila përmban shtatë diapozitiva (pika) të aktakuzës, Nagip Krasniqi mbi supe mban gjashtë prej tyre. Në katër prej pikave të aktakuzës, Krasniqi në bashkëkryerje me Ymer Dragushën akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa në pikën e shtatë, Isuf Zejna akuzohet për ndihmë në keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    KALLXO.com mëson se i akuzuari, Ymer Dragusha ka marrë statusin e dëshmitarit bashkëpunues.

    Këtë cilësi, Dragusha e ka arritur më 19.05.2023 për katër veprat penale për të cilat akuzohet në bashkëkryerje me Krasniqin.

    Pas arritjes së marrëveshjes, Prokuroria është pajtuar që t’i propozojë gjykatës që Dragushës t’i caktohet dënimi me kusht në kohëzgjatje prej 2 viteve, me qëllim që ky dënim të mos ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepra të tjera penale gjatë periudhës së verifikimit në kohëzgjatje prej 2 viteve.

    https://kallxo.com/lajm/skandali-me-milionat-ne-kek-i-bashkakuzuari-ben-marreveshje-me-prokurorine/

     

     

    Aktakuza e fundit ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, mban datën 30.12.2024.

    https://kallxo.com/lajm/dosja-e-prokurorise-ndaj-nagip-krasniqit-cka-thote-aktakuza-e-re-per-ish-kryeshefin-e-kek-ut/