Ballina

Kategori: Gjatë

  • Premtimet e PDK-së për reforma në Drejtësi dhe për investime në rajonin e Prishtinës

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) synon të kthehet në pushtet me premtimet se nuk do të ndikojë në Sistemin e Drejtësisë dhe se do të bëjë hapa specifikë në zbardhjen e krimeve të luftës.

    Herën e fundit kur Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ishte në pushtet, Bedri Hamzës i ishte besuar pozita e Ministrit të Financave. Vite më pas, për herë të parë, njeriut që fitoi më së shumti vota e u zgjodh Kryetar i Mitrovicës së Jugut, u përzgjodh nga partia si kandidat për Kryeministër të vendit.

    Kandidatët e PDK-së për deputetë, Hamzën e shohin si njeri të urtë, me integritet dhe shumë punëtor. Duke u nisur nga këto premisa, ata besojnë që nëse populli “do e furnizojë mjaftueshëm” me vota, Hamza do të jetë Kryeministri i cili do ta reformojë Kosovën në të gjitha fushat. Se a do të arrijë ai t’i marrë votat e mjaftueshme – siç i mori në një Komunë – pritet të shihet pas Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.

    Katër kandidatë për deputetë të kësaj partie: Përparim Gruda, Betim Gjoshi, Ilirik Musliu dhe Leutrim Retkoceri, të gjendur përballë ekipit të “Debat Përnime”, më 13.01.2025, shpërfaqën një pjesë të Programit të tyre për Sistemin e Drejtësisë dhe për investimet në rajonin e Prishtinës. Ata u zotuan se nëse PDK vjen në pushtet, do ta bëjnë Vetting-un, do ta reformojnë Sistemin e Drejtësisë, do të punojnë në zbardhjen krimeve të luftës dhe do ta ndërtojnë unazën e jashtme të Kryeqytetit.

    Kjo parti e djathtë është një prej partive më të mëdha në Kosovë, e cila ka përvojë me pushtetin përgjatë viteve, shpesh është kritikuar “se nuk ka bërë mjaftueshëm” dhe se projektet më të mëdha i ka pasur infrastrukturore.

    Me 110 kandidatë për deputetë për Zgjedhjet që do të mbahen më 09.02.2025, PDK mban numrin 241 me parullën “Kosova mundet ma mirë”.

    Planet për zbardhjen e krimeve të luftës

    Përparim Gruda, kandidati për deputet nga PDK-ja, me profesion jurist, premton se për të zbardhur krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, në Programin e tyre e kanë ndërtimin e një strategjie kombëtare, ndërtimin e një Instituti që do të ketë pavarësi buxhetore, si dhe shtimin e numrit të prokurorëve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë. Se sa mund të shtohet numri i prokurorëve, ai nuk dha shifër konkrete, por tha se këtë do ta bëjnë pas konsultimeve me Këshillin Prokurorial.

    Gruda e quajti si të pamjaftueshëm Institutin për Krimet e Kryera gjatë Luftës, duke e cilësuar si një institut që ka rol vetëm administrativ. Të njëjtin, synojnë që ta shndërrojnë në Qendër kërkimore dhe shkencore – siç është Instituti Albanologjik.

    “Ky Institut do të punojë dhe ndoshta kjo gjeneratë nuk do ta presë mbylljen, por do të punojë shumë gjatë. Jo me i punësuar aty 40 vetë në Administratë, por me ardhë dita kur mbahet një Konferencë ndërkombëtare, ku vijnë profesorë të mirë të drejtës penale e kriminalistikës dhe të realizojnë hulumtime shkencore të cilat botohen në revista shkencore.” – tha ai.

    Kandidati i PDK-së për deputet, Përparim Gruda. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Nëse PDK e merr pushtetin, Gruda paralajmëroj se do të dërgojnë letër tek organizata Human Rights Watch, për të kërkuar që ta tërheqin Raportin në të cilën akuzohen krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe për të njëjtin të kërkojë falje.

    “Një Raport i Human Rights është endur nëpër botë për kinse krimet e UÇK-së, të cilin unë e kam hasur në mijëra punime shkencore, e në fund Drejtori i atij projekti kur ka shkuar në Gjykatë Speciale me dëshmu ka thënë: ‘Po është e vërtetë që nuk kam hetuar në terren, por e kam shkruar ashtu.” – tha ai, duke fajësuar Qeverinë Kurti që nuk ka kërkuar që të tërhiqet një Raport i tillë.

    Të dhënat e KALLXO.com vënë në pah që institucionet e Kosovës kanë vetëm tre prokurorë për hetimin e krimeve të luftës dhe rreth 40 policë hetues – gjë që është e pamjaftueshme që të zbardhen rastet 26 vjet pas përfundimit të luftës.

    Reformimi i Drejtësisë

    Kandidati tjetër për deputet, Betim Gjoshi, po ashtu me profesion jurist, u zotua se Drejtësisë do t’ia ofrojnë të gjitha mundësitë: buxhet të mjaftueshëm dhe kompetencë. Sipas tij, ministri i tyre i Drejtësisë, nëse vijnë në pushtet, nuk do të guxojë që të përzihet në Distemin e Drejtësisë.

    Gjoshi tha se i kanë 14 prioritete në fushën e Drejtësisë.

    “Kemi mësuar shumë nga gabimet me ligjin dhe ia dimë vlerën që ka. Dhe për krahasim me partinë që është në pushtet, kritikat nga mediat dhe shoqëria civile i kemi marrë me sportivitet dhe kemi reflektuar.” – ka deklaruar ai.

    Ndërsa, Përparim Gruda tha se Programi i tyre për Drejtësi parasheh reformimin e Sistemit të Drejtësisë dhe arritjen e dy qëllimeve themelore: e para vënien në funksion të zhvillimit ekonomik dhe e dyta mbrojtja e të drejtave dhe lirive të njeriut.

    Gruda tha se e kanë si synim realizimin e plotë të procesit të Vetting-ut, duke zbatuar me besnikëri rekomandimet e Komisionit të Venecias. Ndërsa, qëllimi tjetër është digjitalizimi i Sistemit të Drejtësisë dhe themelimi i Gjykatës të Punës. Kjo e fundit, sipas tij, do të bëhet me një ligj të veçantë, ashtu që njerëzit të mos presin gjatë që të fitojnë të drejtën për marrëdhënie pune.

    Ai edhe pse nuk ceku shifra konkrete se sa do t’u kushtojë, tha se digjitalizimi do të bëhet në vitin e parë dhe formati i tyre është që të ulen bashkë me prokurorë dhe me gjyqtarë për t’i parë  nevojat e tyre.

    “Nuk mundemi me ditë koston, sepse nuk e dimë ende se cilat pjesë kemi me i digjitalizu. Procesverbalet do të bëhen në mënyrë automatike, marrja në pyetje do të bëhet me video dhe audio. Kostoja është e përballueshme për buxhetin e Kosovës.” – tha ai.

    Digjitalizimin e Sistemit të Drejtësisë, PDK synon ta bëjë më shpejt se Vetting-un.

    Lidhur me Vetting-un, Gruda tha se ky proces do të bëhet pasi të kenë një debat me Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial.

    “Do t’i shohim rekomandimet e Komisionit të Venecias e të diskutojmë me miqtë tanë ndërkombëtarë që munden me na ndihmu. Por, ky nuk do të bëhet kurrë qysh është bërë deri tani, duke e sulmuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës.” – tha ai.

    Se si do të arrijnë të marrin votat e shumicës parlamentare, konkretisht të Listës Serbe, Gruda tha se në Kosovë edhe më herët janë bërë ndryshime kushtetuese, kështu që mund të bëhen edhe tash. Ai beson që Bedri Hamza, si “politikan i ndërgjegjshëm”, mundet ta sigurojë shumicën e nevojshme për ta realizuar këtë proces.

    “Dokumentet për Vettingun që përfshijnë Amendamentet kushtetuese, Ligjin për Vetting-un mundemi t’i bëjmë në vitin e parë. Vetting-un komplet e bëjmë për katër vjet. Kush thotë se bëhet më herët është joserioz, sepse nuk e ka kryer askush aq herët. Nuk bëhet ai proces ashtu.” – tha Gruda.

    Kandidati i PDK-së për deputet, Betim Gjoshi. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Njëjtë beson edhe Gjoshi. Ky i fundit e cilëson Qeverinë Kurti si të paaftë për ta realizuar këtë proces.

    “Partisë në pushtet ia kemi ofruar votat blanco për Vetting. Ia kemi dhënë këshillën e ndihmesën, por ata nuk kanë në gjendje që ta bëjnë një ligj.” – tha ai.

    Kurse, për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, Përparim Gruda tha se asnjë ligj nuk i jep asnjë rol Qeverisë në përzgjedhjen e Kryeprokurorit, e nuk duhet të ketë as nëse zgjedhen ata në Qeveri.

    Ai beson që Qeveria Hamza, nëse i merr votat, nuk do të ketë asnjë rol në këtë përzgjedhje, njëherësh zotohet se nëse do të kenë mundësi do të bëjnë edhe intervenim në ndryshimin e Ligjit.

    Pozita e Kryeprokurorit të Shtetit në Kosovë është me ushtrues detyre që nga prilli i vitit 2020, meqë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk e dekretoi Blerim Isufajn në këtë pozitë.

    Vetting-u është një nga çështjet kryesore të përfolura në Kosovë, që sa vite në fushën e Drejtësisë. Ky është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e Drejtësisë.

    Për një temë tjetër, atë të pasurisë së zyrtarëve, Përparim Gruda, tha se PDK është kundër që pasuria e pajustifikueshme të bëhet përmes Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

    Gruda tha se janë për konfiskim të pasurisë, por nga një organ brenda Sistemit Prokurorial, e jo nga një Byro që është organ politik.

    “Byroja është në varësi të Kryeministrit. Nuk duhet me pasë as Kryeministri jonë, se na mundemi me thanë që mundemi me ba, por jo, ajo duhet të jetë brenda Sistemit Prokurorial.” – tha ai.

    Ndërsa, Betim Gjoshi tha se duhet të ndryshohet vullneti politik për Vetting-un.

    Ai deklaroi se në planin e tyre nuk ekziston themelimi i një Byroje si ajo që thotë Qeveria Kurti, por themelimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit.

    “Këta (Qeveria Kurti) krejt ligjet i kanë bërë antikushtetuese për me fitu vota, për me thanë e keqe është Kushtetuesja edhe krejt këta tjerët që nuk po na lajnë më ba çka thotë ‘Albin Baba’.” – tha ai.

    Qeveria e tanishme, thotë Gjoshi, për herë të parë në historinë e Kosovës i ka menaxhuar krejt institucionet në Kosovës, duke i emëruar “prej presidentit e deri te portieri”. Ai përmendi rastin e ish-drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi dhe të ambasadorit në Kroaci, Martin Berishaj.

    “Ka pas kohë të mjaftueshme, nëse ka dashtë me i shti hajnat në burg. Na e kemi një ambasador që Presidentes i vjen marre me dal në foto me ta, i cili ka heq pare me thes prej bankave pa asnjë punëtor për tregti të GEN-it serb. I njëjti është ambasador e ka qenë këshilltar i Kryeministrit. Qysh bre nuk i vjen marre kush e përfaqëson shtetin e Kosovës. Kjo ka tregu që i mirë je veç nëse je vasal i kësaj Qeverie.” – tha ai.

    Më 11.09.2024, Qeveria e Kosovës ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme – pasi Gjykata Kushtetuese kishte gjetur se disa Nene të këtij Ligji nuk ishin në harmoni me Kushtetutën. Ky Ligj ishte dërguar në Kushtetuese nga Partia Demokratike e Kosovës, më 21.02.2023.

    Një tjetër segment i rëndësishëm në fushën e Drejtësisë, që u sfiduan kandidatët për deputetë, është nëse do të themelohet në Kosovë një mekanizëm si në Shqipëri: si Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

    Përparim Gruda tha se si parti do të formojnë një Byro Kombëtare të Hetimit, si mekanizëm që vendoset brenda Sistemit Prokurorial.

    “Aktualisht është e menduar si mekanizëm administrativ, që varet prej shumicës parlamentare. Kjo është katastrofë. Nuk mundet me ndodhë kurrë. Ne duhet ta vendosim brenda organit prokurorial. Kjo siguron që i emëruari nuk është i emëruar i Qeverisë, por i Sistemit të Drejtësisë.” – tha Gruda.

    Planet për rajonin e Prishtinës

    Kandidatët e PDK-së për deputetë kanë prezantuar edhe disa plane investive në rajonin e Prishtinës, që ndërlidhen me qeverisjen qendrore.

    Kandidati Leutrim Retkoceri i cili është asamblist në Komunën e Prishtinës thotë se programi i tyre parasheh “Unazën e Jashtme” të Kryeqytetit me vlerë 400 milionë euro. Edhe pse ajo është filluar më herët, ai thotë se atë do ta bëjë Bedri Hamza, nëse bëhet Kryeministër.

    Kandidati i PDK-së për deputet, Leutrim Retkoceri. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Retkoceri tha se kanë paraparë legalizimin e ndërtimeve, zhbllokimin e miliarda eurove kapital, pastaj shfuqizimin e Ligjit në Tatimin në Pronë, subvencionimin për të gjithë fëmijët me nga 100  euro të cilët nuk mund të regjistrohen në Çerdhet publike.

    “Për uljen e tatimit në pronë nuk mund ta japim një shifër sepse ka prona, palujtshmëri të ndryshme që nuk mund të përkufizohet me një shifër.” – tha ai.

    Kandidati tjetër, Ilirik Musliu, i cili ka qenë Drejtor në Komunën e Prishtinës, tha se në pesë shtyllat programore të PDK-së hyjnë: zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, jeta më e mirë për secilin, arsim për të ardhmen, sistem shëndetësor për pacientin dhe një Kosovë e sigurt dhe e integruar.

    “Stimujt fiskalë janë shumë të rëndësishëm për sektorin privat, për faktin që do ta bëjmë ndryshimin e pagesës së TVSH-së, kemi me e ndryshu këtë praktikë dhe do ta bëjmë  praktikën e pagesës brenda regjionit të Kosovës.” – tha ai.

    Kandidati i PDK-së për deputet, Ilirik Musliu Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Sipas tij, në përjashtim për bizneset të cilat qarkullojnë deri në 10 mijë euro do të bëjnë lirim nga tatimi në fitim për një periudhë të caktuar, për ata që investojnë mbi 500 mijë euro apo deri në 50 punëtorë.

    Përvoja e PDK-së në qeverisje

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka qenë në qeverisje nga viti 2008 deri në vitin 2019, por jo çdo herë si forca kryesore udhëheqëse.

    Nga viti 2008 deri në vitin 2014, PDK udhëhoqi Qeverinë me kryeministër Hashim Thaçin. Ky ishte mandati i parë dhe i dytë i saj.

    Kurse nga viti 2014 deri në 2017, PDK ishte pjesë e koalicionit qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Atëkohë, Kryeministër ishte Isa Mustafa nga LDK, ndërsa PDK mbante postin e Kryeparlamentarit.

    PDK ka qenë pjesë e Qeverisë edhe pas vitit 2017, por jo si forcë kryesore udhëheqëse. Pas vitit 2017 deri në 2019, PDK u rikthye si pjesë e koalicionit qeverisës. Këtë herë me Ramush Haradinajn nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si Kryeministër. PDK mbante disa Ministri dhe poste të rëndësishme në këtë Qeveri.

    Prej atëherë PDK-ja ka qenë vetëm në opozitë. Në Zgjedhjet e vitit 2021, prej të cilave fituese doli Lëvizja Vetëvendosje, PDK zuri vendin e dytë për nga numri i votave, më saktësisht me 16.9%.

    “DebatPërnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    “Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”. 

  • LDK premton në “Debat Përnime” reforma në drejtësi dhe investime kapitale miliardëshe

    Me përvojë të gjatë në qeverisje, por tani nga tabori i opozitës, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), synon që të rikthehet sërish në pushtet me premtimet për digjitalizim të sistemit të drejtësisë, përmbyllje të procesit të Vetting-ut si dhe realizimit të një sërë projektesh kapitale.

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), partia që dikur udhëhiqej nga ish-presidenti, Ibrahim Rugova, për herë të parë synon që ta ulë në karrigen e kryeministrit, liderin e ri të saj, Lumir Abdixhikun.

    Me 110 kandidatë për deputetë, prej tyre një pjesë e madhe figura të reja, synimi i kësaj partie është që kësaj radhe ta marrin mandatin me zotimet se do të bëjnë Kosovën një vend ku politika nuk prek fare sistemin e drejtësisë, me digjitalizim të lulëzuar dhe me projekte të mëdha kapitale.

    Kjo parti e djathtë fushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 e nisi herët dhe investimet në të u dukën dukshëm të mëdha në bazë të asaj që vetë e kanë shpërfaqur. Të ballafaquar me pyetje në “Debat Përnime”, shtatë nga kandidatët e kësaj partie treguan një pjesë të planeve në fushën e drejtësisë dhe për investimet në rajonin e Prishtinës, nëse arrijnë të zënë ulëse në Kuvendin e Kosovës.

    Doarsa Kica- Xhelili, Shkëmb Manaj, Sibel Halimi, Alban Zogaj, Krenar Xhaferi, Besian Mustafa e Fatlume Jaha, mëtojnë që si parti ta bëjnë Vetting-un, t’i gjejnë zgjidhje “sistemit të pështjellur” të drejtësisë duke e digjitalizuar atë, ta ndërtojnë një Qendër të re Klinike Universitare të Kosovës dhe të investojnë 1.5 miliardë euro për një mandat në rajonin e Prishtinës.

    LDK-ja ka numrin 124 në fletëvotimin e zgjedhjeve që do të mbahen më 09.02.2025.

    A vihet në vend drejtësia me ndryshime teknike?

    Me premtimet që do ta luftojnë korrupsionin pa parulla politike, LDK-ja ka dalë me një program të veçantë për digjitalizimin e sistemit të drejtësisë, madje duke përdorur ndihmën e Inteligjencës Artificiale. Në këndvështrimin e tyre, lëndët gjyqësore po zvarriten për shkak të burokracisë nëpër gjykata e prokurori.

    E pyetur se si do ta luftojnë korrupsionin, kandidatja për deputete, Doarsa Kica-Xhelili, që me profesion është juriste, u shpreh në terma administrativ e lehtësues, se do ta luftojnë duke bërë digjitalizimin e sistemit të drejtësisë. Me planin që e shpërfaqi, ajo tha se do të shihet një transparencë në sistemin e drejtësisë “që nuk e keni parë kurrë më parë”.

    “Zvarritja e lëndëve është një formë e interferimit në sistemin e drejtësisë. Dikush që don me iu zvarritë lënda, mënyrën më të lehtë e ka me zvarritë procesin me gjëra që nuk vërehen dhe duken të parëndësishme. Duke e digjitalizuar sistemin e drejtësisë, ne e lirojmë barrën e akterëve brenda institucionit të drejtësisë që duhet të merren me procese burokratike”- tha Kica-Xhelili.

    Ajo premtoi se LDK do të evitojë hapat proceduralë të panevojshëm. Procedura pararake civile apo shqyrtimi fillestar në penale, sipas saj, do të bëhet në formë virtuale. 

    Kandidatet e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili dhe Fatlume Jaha. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    “Janë disa gjëra që nuk ka nevojë as të jesh në seancë fizikisht. Me hy dhe me pas qasjen në një sistem elektronik se pse një lëndë ka zgjat 20 seanca, e në atë sistem ti ke me i pasë me rend me tikë ato që janë përmbushur: a është dërgu lënda tek pala; a është ftuar eksperti; a është përmbyllur dokumentimi etj”- u shpreh ajo.

    Fajin për gjendjen e sistemit të drejtësisë në Kosovë, ajo ia la procedurave, duke thënë se personat që i marrin shënimet nëpër institucione shkruajnë dhe kështu një lëndë që do duhej të zgjaste 30 minuta zgjat një orë e gjysmë minimalisht. Për të zhdukur këtë problematikë, ajo tha se do ta përdorim Inteligjencën Artificiale. Në fund, sipas saj, do të jenë personat zyrtarë që e konfirmojnë shkrimin e transkriptuar.

    “Kjo i jep kohë më shumë gjyqtarit në një anë me trajtu aspektin profesional të lëndës, e në anën tjetër me kry një lëndë shumë më shpejt. Imagjino që krejt njoftimet që ka ardhë një padi, lëndë, të vijnë në mënyrë elektronike. Kështu i ke në krejt vendet e BE-së”- shtoi ajo.

    Me programin e LDK-së, planifikohet që të përdoret potenciali i AI-së për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve duke investuar 15 milionë euro për Programin Kombëtar të Inteligjencës Artificiale. 

    Sipas Kica-Xhelilit, në Kosovë sistemi i drejtësisë është shndërruar në një monstrum që nuk po funksionon për askënd, pasiqë prokurorët nuk kanë vullnet “kur shahen çdo mëngjes”, e kanë pagën e pamjaftueshme, nuk kanë ekip mbështetës dhe kohën që e kanë për t’u marr me atë që e kanë ekspertizë, duhet të merren me procedura burokratike.

    Bashkëpartiaku i saj, Shkëmb Manaj, poashtu jurist tha që nëse fitojnë mandatin jo që nuk do të zvogëlohen pagat për prokurorë dhe gjyqtarë, por ato do të rriten.

    “Në javën e parë do të bëhet koeficenti 150 euro. Por, te prokuroret dhe gjyqtarët është një çështje tjetër sepse atyre ua kanë zvogëluar pagat dhe na duhet ta kthejmë gjendjen në pikën ku ka qenë sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese”- shtoi ai.

    Ndërsa për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Manaj tha se Këshilli Prokurorial dhe Presidentja e Kosovës është dashtë me i dhënë epilog procesit të përzgjedhjes të Kryeprokurorit.

    “Qeverisja aktuale dikur thoshte që do të shkoj Lumezi e do të vjen Elezi, Lumezi nuk ka shkuar dhe nuk ka ardhur Elezi ende”- tha ai.

    Kandidatët LDK-së, Sibel Halimi dhe Shkëmb Manaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Ndërsa, për Doarsa Kica – Xhelilin, vetë fakti që ka adhur puna që pyetja për Kryeprokurorin t’i bëhet figurave politike, tregon se sa problematike është drejtësia e sotme në Kosovë. 

    “Politika duhet me i mbajë duart larg Kryeprokurorisë, se pikërisht personat që kanë ardhur në krye të atij institutcioni janë persona që nesër kanë me na hetu neve, potencialisht. Larg qoftë, nuk besoj që do të ketë nevojë”- tha ajo.

    Një tjetër segment i drejtësisë i rëndësishëm është edhe çështja e pastrimit të parave, pyetje që kandidatëve iu parashtrua nga Visar Prebreza nga rubrika “Krypometri” në Kallxo.com. Prebreza pyeti se pse në 254 faqet e programit të LDK-së askund nuk figuron pastrimi i parave si terminologji.

    Kica- Xhelili, tha se në programin e tyre nuk përmendet me terma as vrasja e grave, as dhunimi i të miturëve dhe as pastrimi i parave, pasiqë në botëkuptimin e tyre drejtësia nuk mund të shihet si një mënyrë e mikro-menaxhimit, por si diçka e tërësishme. 

    “Nëse e rregullon sistemin e drejtësisë asisoji që ajo me u marrë mirë me vetveten dhe në mënyrë transparent duke ia ofruar të gjitha mekanizmat, atëherë [drejtësia] do të merret edhe me pastrimin e parave, edhe me të gjitha të tjerat. Pra, arsyeja pse nuk është terminologjia, është se nuk kemi parulla populliste në programin tonë politik”- u përgjigj ajo.

    Ndërkaq, kandidati tjetër, Alban Zogaj me profesion ekonomist që njëherësh është nënkryetar i Prishtinës, tha se në program i përmendin shumë terme të tjera që lidhen me luftën ndaj krimit. 

    “Ne e kemi shumë të fokusuar programin tonë në luftën ndaj krimit dhe informalitetit. Në ekonomi pastrimi i parave konsiderohet në pjesën e informalitetit”- tha ai.

    Ndërsa, Shkëmb Manaj tha se këtë segment e kanë paraparë te plani i tyre për ndërtimin e Qendrës Hetimore, e cila sipas tij, është mekanizëm krejtësisht i ri që do të funksionojë si Njësi Speciale e Policisë të Kosovës, e që kontrollohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës. 

    “Pjesë e specializuar e Policisë që menaxhohet drejtpërdrejtë nga Prokuroria e Kosovës. Ne duhet ta largojmë ndikimin politik te çështja e hetimeve. Nuk mund të ketë qendër të hetimeve në kuadër të Policisë, e cila udhëhiqet nga ministri i Punëve të Brendshme që është figurë politike”- shtoi ai.

    Për themelimin e Byrosë për Sekuestrimim e Pasurisë të Pajustikueshme, Kicaj-Xhelili, tha se asgjë dhe askush nuk e ka penguar kryeministrin e vendit dhe Lëvizjen Vetëvendosje ta zgjedhin drejtësuesin e Njësisë për Inteligjencë Financiare, as të themelojë Task-Forcë për luftimin e korrupsionit.  Por, sipas saj, Qeveria nuk ka dashur ta bëj një gjë të tillë edhe pse e ka pasur në duart e veta “mundësinë e artë”. Në vend të kësaj, sipas saj, Qeveria ka zgjedhur ta shtrij ushtrimin e kontrollit.

    “Po ta kishte seriozisht [Albin Kurti] kthimin e parasë publike, duhet me pyet ku i ka Martin Berishaj të hollat e veta. Kthej njëherë paratë e tij pa Byro fare, më pas flasim për Byronë”- tha ajo.

    A do të bëhet Vetting-u?

    Qëllimin e parë dhe kryesor në sistemin e drejtësisë, Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se e ka përmbylljen e procesit të Vetting-ut, “duke u larguar nga parullat e filozofisë politike për drejtësinë”.

    Kica-Xhelili ka premtuar që Vettingu do të përmbyllet si proces gjatë mandatit të tyre të parë, duke e proceduar në një version të kombinuar.

    Ajo thotë se versioni i LDK-së për Vetting-un është që në shkallë të parë të mbyllen amandamentet kushtetuese. Sipas saj, nuk mjafton që Vettingu të bëhet vetëm për krerët e Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial.

    “Më pas do të vazhdojmë me hapin e dytë që është një Vetting i brendshëm, i qëndrueshëm që e veçon sistemin e drejtësisë nga vetë Këshillat në mënyrë të vazhdueshme. Kështu Këshillat e ndërvetësojnë kontrollin e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në mënyrë sistematike”- thotë ajo, duke shtuar se do të bëjnë vlerësim vjetor dhe kontroll sistematik në çdo pesë vjet.

    Nëse nuk voton pakica serbe në Kuvendin e Kosovës, gjë që e pengon procesin e Vettingut, Kicaj-Xhelili, tha se do të “bëjnë diçka”, ngase sipas saj, nuk mund të presin pafundësisht. Ajo thotë se maksimumi i pritjes mund të shkoj 6 muaj deri në 1 vit, në mënyrë që të mbetet hapësirë që të bëhen ndryshimet e nevojshme ligjore.

    “Nëse dojmë me përmbyll Vettingun brenda një mandati, duhet me pas parasysh që nuk mundemi me prit pafundësisht që pakicat mos ta votojnë, edhe në vitin e tretë të na kujtohet se mund të shkojmë me hapin e dytë”- shtoi ajo.

    Duke akuzuar Qeverinë Kurti, Kica-Xhelili, e cila për pak kohë ishte deputete e koalicionit LVV- Lista Guxo gjatë kësaj qeverisje, por më pas kaloi në LDK, tha se tani për tani kanë të bëjnë me një Qeveri që në shumicën e ligjeve ka elemente të kontrollit të pushtetit në drejtësi.

    “Qeveri e cila reformën e drejtësisë e sheh në një fjali ‘po hymë na brenda se qashtu rregullohet drejtësia’”- tha ajo.

    Juristi tjetër i kësaj partie, Shkëmb Manaj pretendon që Qeveria Kurti jo që ka bërë hapa pak, por ka bërë hapa mbrapa në procesin e Vettingut. 

    “Na ka kthyer në hapa mbrapa, dhe cilado Qeveri do të vjen tash, do të kemi një hap mbrapa- se nuk do të ketë Vetting të plotë në sistemin e drejtësisë”- tha Manaj.

    Vettingu është një nga çështjet kryesore të përfolura në Kosovë që sa vite në fushën e drejtësisë. Ky është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.

    Në pritje për zbardhje të krimeve të luftës

    Kosova ka vetëm tre të prokurorë dhe 34-35 policë hetues për rastet e krimeve të luftës. Një numër i tillë vështirëson zbardhjen e rasteve të shumta, përderisa vitet po kalojnë e dëshmitarët po vdesin.

    Shkëmb Manaj, premton se në minimum do të jenë 10-15 prokurorë për këto raste të ndjeshme.

    “Ne menjëherë duhet ta bëjmë një strategji kombëtare e cila aprovohet në Kuvend, që ka afat 5 vjet që t’i trajtojë të gjitha krimet e luftës. Dhe në kuadër të strategjisë, të bëhet buxheti, të rritet numri i prokurorëve dhe policëve. Zbardhjen e krimeve të luftës mund ta bëjmë brenda pak viteve, për shkak se shumica e dëshmitarëve po vdesin e pastaj do të bëhet e pamundshme”- tha ai.

    Ndërkaq, Kica- Xhelili tha se ajo çfarë duhet të bëhet është që politika të kryejë rolin e saj administrues dhe të sigurojë kapacitetet e nevojshme.

    “Shkon e pyet prokurorin dhe gjyqtarin se çka po të duhet që me ma zbardhë këtë lëndë, sa persona po të duhen, sa pare po të duhen, sa prokurorë shtesë po të duhen; cilat institute botërore të duhen për ekspertizë që ne nuk i kemi kapacitetet. Dhe ti ia siguron …”- tha ajo.

    Lufta në Kosovë la shumë viktima, të pagjetur, gra e burra të dhunuar e shumë dëme materiale, që ende nuk janë zbardhur. Me shkas, kërkohet që të merren hapa sa më parë që mos të kalojnë tri dekada nga përfundimi i luftës për t’i dhënë epilog pritjeve.

    Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur e të Serbisë.

    Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kroaci.

    Parandalimi i dhunës ndaj grave

    Kandidatja për deputete nga LDK, Sibel Halimi, e cila njëherësh është drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prishtinës, duke folur në nivel të konstatimeve tha se deri më tani nuk kanë parë asgjë konkrete nga partia në pushtet për ta parandaluar vrasjen e grave. 

    Halimi tha që është ithtare që të përfshijnë një lëndë specifike në sistemin parauniversitar që ka të bëjë më njohuritë mbi gjininë. Poashtu, ajo premtoi që gratë do t’i përfshijnë në tregun e punës, do të ofrojnë politika miqësore, do të përfshijnë ligjin e prindërimit dhe do ta  zhdukin hendekun mes sferës publike dhe private për jetën e grave në Kosovë.

    “Në këtë sistem të drejtësisë që është jashtëzakonisht i brishtë me një diskurs publik i cili denigron të gjitha hallkat e funksionimit të sistemit të drejtësisë natyrishtë që gratë ndihen të pambrojtura dhe janë në një pozitë ku më nuk i besojnë as institucioneve të sigurisë” – tha Halimi.

    Se a do t’i largojnë nga puna policët në Policinë e Kosovës që i kanë rrahur bashkëshortet, Halimi tha se jo vetëm nëse ndodhë akti i dhunës, por edhe në qoftëse përdoret gjuhë denigruese apo atakim emocional do të merren masa.

    Kandidatët LDK-së, Sibel Halimi dhe Shkëmb Manaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Kica- Xhelili përmendi që në fund të vitit 2022, LDK-ja e ka propozuar një rezolutë në Kuvendin e Kosovës që merret pikërisht me çështjen e dhunës ndaj grave, por se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka votuar.

    “Po flasim për të drejtat e njeriut, mirëpo duhet të mos harrohet edhe një gjë, LDK-ja nuk iu përzihet deputetëve të saj se çka votojnë e cka nuk votojnë. Ne jemi parti e djathtë dhe kemi demokarci të skajshme të brendshme dhe deputetët tonë nuk i detyrojmë të votojnë në një mënyrë apo tjetrën”- tha ajo duke thumbuar partinë në pushtet.

    Kurse, kandidatja Fatlume Jaha tha se nuk ka formë më të mirë për t’i fuqizuar gratë se sa t’i fuqizosh ato në aspektin ekonomik.

    “Konsideroj se LDK veçse e ka bërë hapin e parë për ta bërë këtë përmes shkollës tërëditore, sepse ka bërë një lehtësi shumë të madhe për nënat”- tha ajo.

    Kandidatet e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili dhe Fatlume Jaha. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Premtimet për Prishtinën

    Tetë nga 110 kandidatë për deputetë në Kuvendin e Kosovës nga radhët e LDK-së kanë pozita në Komunën e Prishtinës. Në planet e tyre si deputetë, ata parashohin ndryshime që do të shtrihen në rajonin e Prishtinës, e që më së shumti janë investime kapitale.

    Në “DebatPërnime”, që si format në pjesën e dytë koncntrohet në punët që do të bëhen në rajonet e Kosovës, Sibel Halimi, Besian Mustafa, Krenar Xhaferi, Alban Zogaj dhe Fatlume Jaha u zotuan për ndryshime përmes projekteve të mëdha.

    Dokumenti “Rruga e Re”, programi qeverisës i LDK-së, parasheh investime kapitale shtesë prej 5 miliardë eurove për katër vite mandat, me mbi 120 projekte të mëdha në vend,

    Alban Zogaj tha se prej 5 miliardë euro investime kapitale në mandatin e parë, 1.5 miliardë janë të orientuara për rajonin e Prishtinës.

    Një prej projekteve të mëdha të kryeqytetit, që është proklamuar edhe nga Lumir Abdixhiku dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama është Unaza e Jashtme e Prishtinës.

    Kandidati për deputet, Krenar Xhaferi, fajësoi Qeverinë Kurti, duke thënë se projekti për Unazën e Jashtme të Qytetit që dy vjet nuk e merr garancionin nga Qeveria e Kurtit.

    “Ky garancion vjen me ditët e para [të qeverisjes së LDK-së] dhe për katër vjet ne e kemi të përfunduar Unazën e Kryeqytetit” – tha ai.

    Zogaj tha se Unaza e Jashtme është një projekt i madh kapital me 350 milionë euro investime, të zotuara për kredi nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e që sipas tij, aktualisht nuk po nënshkruhet nga Qeveria aktuale.

    Kandidatët e LDK-së, Alban Zogaj dhe Besian Mustafa. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    “Projekti i dytë i madh për kryeqytetin është “Qendra Kombëtare e Sportit” me rreth 200 milionë euro investime. Kjo qendër do të ndërtohet në perfieri të Prishtinës dhe i ndihmon Lojërave Mesdhetare që do të mbahen në Prishtinë në vitin 2030”- tha Zogaj, duke shtuar se aty përfshihet edhe Stadiumi Kombëtar me një kosto prej 50 milionë euro.

    Për Spitalin e ri, Zogaj tha se është projekt tjetër i madh që do të zhvendoset nga lokacioni aktual ku është QKUK, e do të ndërtohet në periferi të Prishtinës, me 500 milionë euro investime.

    Sipas tij, projekti i pestë i madh i kryeqytetit është projekti i kogjenerimit, ngrohja qendrore në kryeqytetin e Prishtinës ku parashihet dyfishimi i kapaciteteve në mënyrë që Prishtina në pesë vitet e ardhshme të ketë energji nga ngrohja.

    Tjera projekte që u premtuan nga kandidatët e LDK-së, janë projekti i solareve në vlerë 100 milionë eur, pastaj rruga Prishtinë- Podujevë; rruga Prishtinë- Gjilan; rruga Prishtinë- Mitrovicë; ndërtimi i rrugës Prishtinë- Pejë.

    Zogaj tha se financat për këto investime kapitale do t’i marrin në tri burime të financimit; e para përmes buxhetit; e dyta përmes kredive ndëkombetëre dhe kredive dypalëshe; dhe e treta do ta shtyjnë modelin e Partneritetit Publiko-Privat (PPP).

    Besian Mustafa, i cili ishte ministër i Bujqësisë në Qeverinë Hoti, tha se do ta ndërtojnë centralin me gaz në komunën e Ferizajt përmes fondeve të Trustit Pensional.

    “Nuk është problemi te mungesa e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe financimit ndërkombëtar, por është mungesa e ekzekutimit të këtyre fondeve nga ana e kësaj Qeverie”- tha ai.

    Mustafa premtoi edhe Parkun Teknologjik në dalje të Prishtinës, që sipas tij, do të ketë një sistem që përfshin të gjitha hallkat e zinxhirit të këtyre teknologjive, me një investim prej 30 milionë eurove.

    Sibel Halimi, tha se LDK e ka programin e saj politik për kulturën të ndarë në tri shtylla kryesore; e para ka të bëjë me investimet kapitale që brenda një sistemi 4 vjecar t’i rehatojnë institucionet dhe hapësirat e veçanta për artistët; dhe e dyta ka të bëjë më decentralizimin me institucionet vartëse.

    “LDK do të ndërtoj një Teatër te ri Kombëtar”- tha ajo.

    Përvoja e LDK-së në pushtet

    Lidhja Demokratike e Kosovës më së shpeshti e ka pasur fatin që të jetë në pushtet.

    Pas mbarimit të luftës dhe ardhjes së administratës ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara (UNMIK), u mbajtën zgjedhjet e para në Kosovë, në vitin 2001.

    LDK fitoi shumicën e votave dhe përfaqësoi shumicën e deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Ibrahim Rugova u zgjodh president i Kosovës më 04.03. 2002, dhe LDK-ja formoi qeverinë e parë pas luftës. Rugova ishte president deri në vitin 2006.

    Kjo parti fitoi përsëri zgjedhjet e vitit 2004 në krye me Ibrahim Rugovën. 

    Ndërsa, në zgjedhjet e vitit 2014, LDK arriti të krijonte një koalicion qeverisës me partinë e Hashim Thaçit, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), dhe të formonte një qeveri të re në krye me Isa Mustafën. 

    Në zgjedhjet e vitit 2019, LDK humbi mundësinë për të formuar një qeveri, pasi LVV fitoi më shumë vota. LVV, bëri një koalicion të mundshëm me LDK-në, por marrëveshja u shkatërrua pas disa muajsh kur Qeveria e Kurtit u rrëzua në Kuvend në mars 2020 përmes një Mocioni Mosbesimi. 

    Në këtë situatë, LDK-ja, nën udhëheqjen e Avdullah Hotit, arriti të formonte një koalicion me PDK-në dhe partitë e tjera të vogla.  Në 22.03.2020, Hoti u zgjodh kryeministër i Kosovës.  

    Qeveria Hoti u rrëzua pas një Mocioni të dytë Mosbesimi në Kuvendin e Kosovës.

    Kjo u pasua me zgjedhje të parakohshme të shkurtit të vitit 2021, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje doli fituese.

    Në zgjedhjet e fundit në vitin 2021, LDK-ja fitoi 12.64 % duke u renditur si partia e tretë për nga numri i votave.

     

  • Zotimet e AAK-së në “Debat Përnime” për çkapje të sistemit të drejtësisë- VIDEO

    Përderisa zotimi i saj kryesor është që Kosova të anëtarësohet në Aleancën Veri-Atlantike (NATO), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) synon të bëjë reforma të thella në sistemin e drejtësisë dhe në sektorin e bujqësisë nëse arrin ta marr pushtetin pas zgjedhjeve që do të mbahen më 9 shkurt 2025.

    Dy herë ishte në pushtet, por mandatet i kishte jetëshkurtëra. Si në çdo palë zgjedhje të tjera të përgjithshme në krye me Ramush Haradinajn, edhe kësaj here AAK, mëton që të marr drejtimin e Qeverisë, me zotimet se “do ta tjetërsojë Kosovën për të mirë”.  Me moton “Për Kosovën”, numër 137 dhe me 110 kandidatë për deputetë, AAK në koalicion me Nismën, Konservatorët, Forumin Intelektual E-30 dhe Listën Ideal, një prej qëllimeve kryesore që ia kanë vendosur vetes është që ta bëjnë “Shtetin e së Drejtës”.

    Në ditën e parë të fushatës zgjedhore, katër kandidatë për deputetë të AAK–së, më 11.01.2025, shpërfaqën një pjesë të programit të tyre politik në emisionin “Debat Përnime”, të udhëhequr nga Jeta Xharra, duke vënë në pah planet e tyre, kryesisht për fushën e drejtësisë dhe pjesërisht edhe për atë të bujqësisë. Besnik Tahiri, Arton Demhasaj, Emrije Bashota, Emine Daci- Zejnullahu, e që veç ky i pari është deputet i tanishëm në Kuvendin e Kosovës, duke fajësuar Qeverinë Kurti për dështimet, shfaqen besimin se nëse vijnë në pushtet do ta reformojnë vendin duke nisur nga sistemi i drejtësisë.

    Kandidatët e AAK-së për deputetë në Kuvendin e Kosovës. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Planet për Vettingun “e zvarritur”

    Besnik Tahiri, që në Qeverinë Haradinaj ishte zëvendës i kreut të AAK-së, ka thënë se nuk janë kundër Vettingut në sistemin e drejtësisë, por që ta bëjnë atë, duhet marrë ‘yrrnek’ rekomandimet e Komisionit të Venecias- të kombinuara me qëllimet e tyre si parti politike.

    “Ne kemi qenë më të zëshmit në trajtimin e Vettingut, por jo Vetting-u të bëhet në zyrat e partive politike, me këqyrë kush është i majtë e kush i djathtë, kush i bardhë e kush i zi. Sistemi i Vettingut duhet të bëhet bazuar në raportit të Komisionit të Venecias, që nuk është marr në ligjin në Kuvendin e Kosovës”- tha Tahiri në “DebatPërnime” përballë Jeta Xharrës, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës, debat ky që është i përditshëm për një muaj gjatë fushatës zgjedhore.

    Tahiri tha se nuk mëtojnë  që ta përdorin Vetingun si mekanizëm për të persekutuar njerëz që ne nuk kanë evidencë, por ajo çka do ta bëjnë është që mos të lejojnë ndikime politike. Në këndvështrimin e tij, nuk është aspak e logjikshme që Vettingu të bëhet me votën e deputetëve të partive politike në Kuvendin e Kosovës.

    Kandidati për deputet i AAK-së, Besnik Tahiri. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Në anën tjetër, Arton Demhasaj, i cili para se të kandidoj për herë të parë si deputet i kësaj partie ishte pjesë e shoqërisë civile, thotë se apriori si parti nuk janë kundër Vettingut, por nuk e shohin të nevojshme që të merren tash me këtë pjesë.

    “Nëse i forcojmë mekanizmat e brendshëm, ndoshta kjo është e mjftueshme dhe ndoshta bëhet i panevojshëm Vettingu”- thotë ai.

    Vettingu është një nga çështjet kryesore të përfolura në Kosovë që sa vite në fushën e drejtësisë. Ky është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.

    Çka do të ndodhë me Blerim Isufajn?

    Me një tematikë më rëndësi me të cilën u ballafaquan kandidatët për deputetë nga AAK-ja është çështja e Kryeprokurorit të Shtetit, Blerim Isufaj, çështje që pikërisht në këtë momentum ka bërë bujë të madhe duke marr si shkas zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me të dhe kryeministrin Albin Kurti. 

    Se çka do të bëjnë me Isufajn nëse vijnë në pushtet, Besnik Tahiri thotë se me këtë  instancë të lartë e shtetit duhet të merret vetëm Këshilli Prokuorial i Kosovës, pasi sipas tij: “nuk është detyrë as Albin Kurtit, as e Vjosa Osmanit, as e Glauk Konjufcës, as e Ramush Haradinajt e as e askujt tjetër me kallzu cili është personi që e emëron Kryeprokurorin”.

    Sipas tij, është e pakuptimtë që Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të sulmohet në vazhdimësi prej kryeministrit dhe ministres të Drejtësisë në foltore të Kuvendit, aty ku fjala e tyre është e mbrojtur ligjërisht.

    “Ajo që është folë për sistemin e drejtësisë dhe kryeprokurorin Isufaj është e turpshme për një demokraci funksionale dhe për një shtet që kërkon llogari. Unë nuk e njoh Blerim Isufajn. Nuk e di kush është. A është i mirë a i keq, është sistemi që e përcakton. Por, deri tani çka është pa është që ai është shumë i guximshëm me adresu çështje”- tha Tahiri.

    Për këtë temë, Arton Demhasaj, u shpreh shkurt që aq më shumë që flasin për sistemin, aq më shumë ky sistem do të jetë i ndikuar politikisht. Kështu që, sipas tij, rruga e tyre është që të flasin sa më pak për këto çështje.

    “Ka ndodhë me shkelje kushtetuese që Presidentja e ka kthy mbrapa një vendim të Këshillit Prokurorial për me emëru Kryeprokuror Blerim Isufajn. Mendoj që është shkelje, dhe këto shkelje nën qeverisjen tonë nuk do të ndodhin”- tha ai.

    Kryeministri Kurti në vazhdimësi ka pasur përplasje me Blerim Isufajn. Së fundmi, kishte deklaruar se nuk i është përgjigjur thirrjes së Prokurorisë Speciale për intervistim si dëshmitar në rastin e rezervave shtetërore, pasi sipas tij, qëllimi është që vetë ai të bëhet lajm ndërkombëtar duke hyrë në objektin e Prokurorisë. Për këtë kryeministri e akuzoi kryeprokurorin Isufaj, të cilin e quajti “regjisor” të asaj pamjeje që Kurti thotë se nuk pranon ta bëj.

    Kurse, kryeprokurori Isufaj, duke mos dashur të japë përgjigje të drejtpërdrejtë rreth këtij pretendimi të kryeministrit Kurti, në një konferencë për media, më 30.12.2024, tha se “të gjithë janë të barabartë para ligjit” dhe se “nuk i interesojnë deklarimet e tilla”.

    “Çkapja” e Këshillave

    Në një vijë më këto tematika, tre deputetët e AAK-së, në planet e tyre për sistemin e drejtësisë, patën kryefjalë rregullimin e Këshillit Prokurorial dhe atij Prokurorial. Sipas tyre, për momentin vërehet një ‘kapje’ e këtyre dy Këshillave nga ndikimi politik, por se këto do t’i çkapin nëse zënë ulëse në Qeverinë e re.

    “Te Këshilli Prokurorial, qëllimi i parë ka qenë me rritë numrin, pastaj qëllimi me ligjin e dytë ka qenë me zvogëlu numrin. Krejt kjo me të vetmin qëllim, jo me reformu- se ne jemi për me reformu, por për me hjek dikë që nuk i ka pëlqyer e me vendos dikë që i ka pëlqyer”- fajësoi Tahiri Qeverinë Kurti.

    Kurse, në Këshillin Gjyqësor, Tahiri tha se i kanë dy tema të rëndësishme. E para, sipas tij, ka të bëj me një ves të keq të gjykatave të Kosovës që parashkruajnë lëndë dhe matjen e reformës në sistemin e gjyqësor.  Sipas tij, e para lidhte me ngritjen e performancës së gjykatave në Kosovë; dhe e dyta lidhet drejtpërdrejtë me integritetin. 

    “Nuk ka evidencë të madhe që ka ndonjë lidhje diku mafioze, kriminale të sistemit të drejtësisë, por më shumë ka me mungesë integriteti, me performancë të dobët, dhe në disa momente me politizim dhe partizim”- shtoi ai.

    Ndërsa, Emrije Bashota zotohet që përveç financave që do të shtohen, do të investojnë në shtimin e kuadrove brenda sistemit të drejtësisë, në mënyrë që në këtë formë të vihet një drejtësi më e shpejt në vend.

    Kandidatja për deputete e AAK-së, Emrije Bashota. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    “Ka nevojë për kuadro të reja në mënyrë që proceset gjyqësore të jenë më të shpejta dhe drejtësia te qytetari të vjen në kohën e duhur”- tha ajo, duke shtuar se një problematikë e tillë ka pasoja zinxhirore.

    Arton Demhasaj, thotë se pavarësinë financiare sistemit të drejtësisë do ia dhënë duke e larguar praktikën që Qeveria dhe Kuvendi të votojnë për buxhetin në sistemin e drejtësisë, po duke i dëgjuar kërkesat që i ka Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial.

    “Ne kemi me investu shumë që performanca e gjyqtarëve dhe prokurorëve mos të mbes vetëm në numra, por të jetë një performancë që përpos numrave të matet edhe pjesa cilësore. Të matet për çdo vit, dhe jo matje me qenë vetëm sa aktakuza i ka ngritur një prokuror, apo sa raste i ka shqyrtuar një gjyqtar, por me qenë edhe një matje cilësore të aktakuzave dhe vendimeve që janë marrë”- tha ai.

    “Kosova nuk ka nevojë për një SPAK”

    Se a duhet që edhe Kosova ta ketë një Strukturë të Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK), sikurse në Shqipëri, që merret ekskluzivisht me këto dy çështje, deputetët e AAK-së besojnë që nuk ka nevojë, pasiqë sipas tyre ekziston Prokuroria Speciale vetëm se “kjo e fundit duhet të profilzohet më mirë”.

    Arton Demhasaj, thotë se në momentin që investojnë në bazë ligjore, në aspektin financiar, por edhe me resurse njerëzore, Prokuroria Speciale vetvetiu është një lloj SPAK-u.  Sipas tij, Specialja i ka këto kompetenca, veç duhet me mbështet në shumë aspekte që ta bëjë punën si në Shqipëri.

    “Specialja mos me pas kompetenca me hetu gjithçka, por me qenë e profilizuar. Në momentin që profilizohet në krimin e organizuar, në korrupsion apo në krimet e luftës atëherë shndërrohet në institucion të profilizuar”- tha ai.

    Kurse, Besnik Tahiri vlerëson se Shqipëria, SPAKU-n e ka themeluar jo për qef, por se e ka pasur parakusht themelor për më ecë përpara. Ai mendon që SPAK-u është mrekullia që i ka ndodhë Shqipërisë.

    “Nëse i lexoni detyrat që i ka SPAK-u dhe i lexoni detyrat që i ka Prokuroria Speciale nuk dallojnë shumë. Ajo që ne dojmë është ta rrisim integritetin e gjykimit, guximin dhe njëkohësisht performancën”- tha ai, duke shtuar se nuk ka qenë kurrë parakusht për Kosovën themelimi i një instance siç është SPAK-u.

    E nëse e fitojnë pushtetin, a do t’i shkarkojnë bordet e agjensive të pavarura që janë emëruar gjatë qeverisjes Kurti, Tahiri këtë e mohon. Ai thotë se kolektivisht nuk do të shkarkohen. Mirëpo, sipas tij, duhet të merret mësim “prej gabimeve tona që ne i kemi bërë të kaluarën”.

    “Nuk ka logjikë në Bankën Qendrore të Kosovës me shku dikush në punë që u kanë kandidat për deputet”- tha ai.

    Për Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Arton Demhasaj tha se ka qenë kundër, sepse sipas tij është byro që krijohet për ta hetuar pasurinë e kujtdoqoftë e që drejtorin e asaj byroje e zgjedh Kuvendi i Kosovës me një shumicë të thjeshtë.

    Kandidati për deputet i AAK-së, Arton Demhasaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    “Nuk jemi me ja jep në dorë një mekanizëm politikës që ta zgjedh një drejtor. Aty, ajo edhe e komandon .. bëhet më shumë mekanizëm i shantazhit, sesa që bëhet mekanizëm i mirëfilltë që mundet me ndiku në zbardhjen e pasurisë së pajustifikueshme”, tha Demhasaj.

    Ndryshe prej bashkëpartiakut të tij, Tahiri e sheh si shumë të nevojshme që të bëhet një hetim i thellë i secilit zyrtar publik që ka qenë në menaxhim, prej kryetarëve të komunave e ministrave, për të parë “kah e kanë fituar atë pasuri”.

    “Ne jemi për, mirëpo ne jemi kundër që ai mekanizmëm me u kthy në instrument të një drejtori të emëruar në mënyrë që me e deligjitimuar moralisht e politikisht një instancë” – tha ai.

    Më 11.09.2024, Qeveria e Kosovës ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme – pasi Gjykata Kushtetuese kishte gjetur se disa Nene të këtij Ligji nuk ishin në harmoni me Kushtetutën. Ky Ligj ishte dërguar në Kushtetuese nga Partia Demokratike e Kosovës, më 21.02.2023.

    Treni i fundit

    Një nga premtimet që e proklamojnë pothuajse krejt pariitë politike është zbardhja e krimeve të luftës. Mirëpo, vitet po shkojnë e treni po ecë. Kosova i ka edhe pesë vite në dispozicion që të bëjë një zgjidhje përfundimtare e t’i jap epilog kësaj çështje para se të vdesin dëshmitarët e luftës 1998/1999.

    Të dhënat e “DebatPërnime” vënë në paj se tani për tani Kosova ka vetëm tre prokurorë për  çështjen e krimeve të luftës dhe 40 policë që hetojnë.

    Tahiri tha se nuk kanë program veçanërisht për këtë çështje.

    “Për këtë pjesë të them të drejtën nuk e kemi trajtu dhe nuk e dimë për shkak së nuk kemi as evidencë. As nuk ka një raport të mirëfilltë publik që na ka ardhë, mirëpo secila pjesë e krimit do duhej të trajtohet, por ne për këtë nuk kemi program”- tha Tahiri.

    Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur e të Serbisë.

    Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë”. Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci”.

    Pak për bujqësinë

    Tre kandidatët për deputetë të kësaj partie folën shkurt edhe për prioritetet e tyre në fushën e bujqësisë. Në këndvështrimin e tyre, në mënyrë zinxhirore janë kapur në varg shumë probleme pikërisht për shkak se bujqësia nuk ka qenë prioritet për Qeverinë Kurti.

    Me profesion ekonomiste, Emine Daci-Zejnullahu tha se ka fakte që 300 milionë eurot e Qeverisë të tanishme të investuara në këtë sektorin e bujqësisë nuk ka rezultuar me rritjen e GDP-së (Bruto Produkti Vendor). 

    “Sektori i bujqësisë në vitin 2019 ka kontribuar në 7.4 të GDP-së kurse tani nese e shkojmë në vitin 2023 e kemi të njëjtën kjo ka ardhur si pasojë një qasje joprofesionale” – tha ajo.

    Kandidatja për deputete e AAK-së, Emine Daci-Zejnullahu. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Kandidatja për deputete, u zotua se në sektorin e bujqësisë kryesisht do të fokusohen te fuqizimi ekonomik i ndërmarrjeve të vogla, femerëve të vegjël dhe atyre të mesëm.

    Ndërsa, Tahiri tha se në fushën e bujqësisë e para dhe më kryesorja është rritja e subvencioneve për fermer, pasiqë sipas tij, armiku kryesor i Kosovës pas Serbisë është “dobësimi i ekonomisë, dobësimi i prodhimit dhe dobësimi i atyre që bëjnë punë në fushë”.

    “Subvencionimi do të krijohet në mekanizmin jo të dhuratave për miqë e dashamirë, por subvencionimi do të kthehet në pika strategjike”- tha Tahiri, duke shtuar se nëse e marrin Qeverinë do t’i rrisim 20%  më shumë subvencionet se që i ka pas kjo Qeveri.

    Përvoja e Aleancës në pushtet

    Në zgjedhjet e fundit të vitit 2021, AAK fitoi 7.07% të votave. Me këtë zuri 8 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

    Ramush Haradinaj, në vitin 2005 ishte për tre muaj kryeministër i Kosovës. Në atë kohë, ai dha dorëheqje pas 100 ditësh qeverisjeje, pasi u akuzua nga Tribunali i Hagës për krime lufte.

    Kjo parti, e mori pushtetin edhe njëherë në vitin 2017, por kësaj radhe në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës dhe NISMA, i njohur si PAN. Qeveria Haradinaj e filloi mandatin më 09.19.2017 pas humbjes së Isa Mustafës dhe zgjati deri më 3 shkurt 2020 pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019. 

    Qeveria Haradinaj ishte formuar gjatë një  seance maratonike në Kuvendin e Kosovës, me 61 vota – minimumi që i duhet një qeverie për ta marrë besimin e deputetëve.

    Votimi i ekzekutivit kosovar ishte mundësuar falë votave të deputetëve të subjektit politik nga radhët e komunitetit serb, Listës Serbe, e cila u largua më vonë nga Qeveria. Rrjedhimisht, kjo bëri qe koalicioni qeverisës që përbëhej nga PDK-AAK-NISMA, i njohur si PAN, të mos i ketë votat duhura për vendimmarrje në Kuvendin e Kosovës.

  • Kuvendi pezullon punën në heshtje

    Legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës e ka pezulluar punën krejtësisht në heshtje- pa asnjë njoftim e pa asnjë dekret. Ndryshe nga legjislaturat e mëparshme të konstituara pas shpalljes së Pavarësisë më 2008, të cilat janë shpërndarë për shkak të rrëzimit të qeverive, kjo e tanishmja, për herë të parë e ka përmbyllë mandatin në mënyrë të rregullt.

    Rregullorja e legjislativit e përcakton që “Kuvendi e pezullon punën një ditë para fillimit të fushatës për zgjedhjet e rregullta”. E fushata zgjedhore ka nisur më 11 janar dhe do të zgjas deri më 8 shkurt, një ditë para se të hapen kutitë e votimit. Mandati i kësaj legjislature është deri më 22 mars, pikërisht në datën kur mbushen katër vjet nga konstituimi i saj.

    I vetmi trup i Kuvendit që ruan vijimësinë e punës në periudhën transitore nga legjislatura e tetë në të nëntën është Kryesia. Funksionaliteti i kësaj trupe është i rregulluar me aktin i cili e rregullon punën e Kuvendit. “Në rastin kur Kuvendi e pezullon punën për shkak të fillimit të fushatës zgjedhore dhe në rastin kur shpërndahet, Kryetari dhe nënkryetarët vazhdojnë punën deri në seancën konstituive, me qëllim të ruajtjes së vazhdimësisë administrative të punës së Kuvendit”, thuhet në Rregulloren e Punës së Kuvendit.

    Pezullimi i punës së legjislaturës së tetë ka rastisur të ndodh në kohën kur deputetët janë në pushim, pas përfundimit të sesionit vjeshtor të punës. Në rrethana tjera, ata do të duhej t’ia nisnin sesionit pranveror të punës në javën e tretë të janarit. Në kabinetin e kryetarit të Kuvendit nuk kanë treguar nëse deputetëve do t’u lejohet qasja në zyre apo do t’u mundësohet shfrytëzimi i aseteve të Kuvendit, përgjatë kohës së pezullimit të punës.

    Sa i përket çështjeve që janë proceduar në Kuvend, por që nuk kanë përfunduar deri në mbyllje të sesionit të fundit të kësaj legjislature, ato konsiderohen si të paparashtruara për legjislaturën vijuese, gjithnjë duke u bazuar në Rregulloren  Punës. “Kjo nuk gjen zbatim në rastin e ligjit të miratuar nga Kuvendi e të proceduar për shpallje, në rastin e projektligjit të propozuar nga 10 mijë qytetarë si dhe të peticioneve apo referendumeve dhe të atyre punëve, që nuk kërkojnë të merret një vendim nga Kuvendi”, thuhet në Rregullore.

    Përgjatë afro katër vjetëve, Legjislatura e tetë i ka miratuar 282 ligje, ndërkohë që kanë mbetur në procedurë të shqyrtimit edhe 45 projektligje. Një numër i konsiderueshëm i ligjeve të miratuara përgjatë këtij mandati kanë përfunduar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Vetëm në muajin dhjetor të vitit 2024, Grupi parlamentar i PDK-së i ka dërguar 16 ligje në këtë institucion. Në periudha të mëhershme ishin dërguar edhe shtatë të tjera nga partitë opozitare. Kryeministri, Albin Kurti, i cili synon të marrë edhe një mandat si shef qeverie, nuk i ka kursyer kritikat ndaj Kushtetueses me pretendimin se kjo gjykatë po i pengon në veçanti reformat në drejtësi.

    Në mesin e vitit të kaluar, kjo gjykatë i pati shpallur në kundërshtim me Kushtetutën disa nene të Ligjit për Byronë për Konfisikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Për Kurtin, Kushtetuesja me aktgjykimet e saj kishte zgjedhur që “të vonojë ndjekjen e krimit dhe të vonojë reformën. “Të dy këto ligje si reforma thelbësore për sistemin e drejtësisë dhe luftimin e korrupsionit u konsultuan edhe me Komisionin e Venedikut. Komisioni i aprovoi të dy këto, jo vetëm për shkak të qëllimit që kishin, pra luftimin e korrupsionit por edhe siguronin pavarësi në KPK e dobi publike karshi pasurimit të pabazë kriminal e individual”, pati thënë ai.

    Por, nuk është vetëm opozita dhe Gjykata Kushtetuese që i dolën “pengesë” Kurtit në përmbushjen e agjendës legjislative. Për herë të parë pas afro katër vjetësh mandat në krye të shtetit, presidentja Vjosa Osmani, më 18.11.2024 i ka kthyer në Kuvend Ligjin për Këshillin e Sigurisë dhe Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, nën arsyetimin se disa nene të tyre janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

    Me Rregulloren e Punës së Kuvendit, parashihet që në rastet kur Presidentja e kthen një ligj në Kuvend, Kryeparlamentari ia dërgon atë menjëherë Komisionit përgjegjës-raportues, i cili përgatit Raportin për seancë plenare brenda katër javëve nga dita e pranimit të tij. Por, ky afat ka kaluar qysh më 19.12.2024. Rregullorja e specifikon se në rast se Kuvendi nuk e përmbys veton e Presidentes përmes votimit, atëherë konsiderohet se nuk ka ligj.

    Me Kushtetutë parashihet që mandati i Kuvendit mund të vazhdohet vetëm në raste të Gjendjes së Jashtëzakonshme për masa emergjente të mbrojtjes ose në rast të rrezikut ndaj rendit kushtetues ose sigurisë publike të Republikës së Kosovës. Megjithatë, zgjatja e mandatit zgjat vetëm për aq sa zgjat Gjendja e Jashtëzakonshme.

    Seanca për konstituimin e legjislaturës së re, që do të dal nga zgjedhjet e 9 shkurtit, thirret nga kreu i shtetit brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve. Në rast se presidentja nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë, atëherë Kuvendi mblidhet vetë në ditën e 30-të.

  • Diaspora nisi të votojë për Zgjedhjet në Kosovë, para se disa parti t’i publikojnë Programet zgjedhore

    Mërgimtarët kanë nisur të votojnë përmes postës për Zgjedhjet parlamentare në Kosovë, para se disa prej partive politike në vend t’i bëjnë  publike Programet me të cilat synojnë t’i fitojnë këto Zgjedhje.

    Pavarësisht kësaj, një pjesë e bashkatdhetarëve do ta vënë votën në zarf, veç në bazë të zotimeve që i kanë dëgjuar nga të preferuarit e tyre, nëpër emisione televizive, nëpër tubime apo edhe në rrjete sociale. 

    Për Xhevrije Statovcin, shqiptare e Kosovës e cila jeton në Ahen të Gjermanisë qe 22 vjet, është e rëndësishme që ta shohë Programin e Partisë para se të votojë për kandidatët për deputetë, mirëpo meqë ende nuk janë publikuar Programet e plota, asaj i ka mjaftuar t’i ndjekë pjesë-pjesë premtimet e deritashme.

    Mesazhi për votim nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) Statovcit i ka arritur pikërisht më 09.01.2025 – ditën kur u hap votimi për diasporën.

    Për Kallxo.com, ajo thotë se sapo ta gjejë rastin e parë pas përfundimit të orarit të punës, bashkë me bashkëshortin e saj dhe nënën e tij do ta kryejnë procesin e votimit.

    Diaspora mund të votojë me postë deri më 08.02.2025. Pjesa tjetër e mërgimtarëve të regjistruar kanë të drejtë të votojnë nëpër Ambasada dhe Konsullata në shtetet përkatëse ose të udhëtojnë për votim në Kosovë më 09.02.2025.

    Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka bërë të ditur se janë hapur kutitë postare në 23 shtete të ndryshme, si: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut, Norvegji, SHBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi, Mbretëria e Bashkuar dhe Zvicër. Gjithashtu, janë treguar adresat e kutive postare, nëpër vendet përkatëse.

    Për Statovcin, edhe pse është shtetase e Gjermanisë qe më shumë se dy dekada, kjo është vetëm hera e dytë që e ka shfrytëzuar të drejtën e votës nga vendi ku jeton. Për shkak të angazhimeve të tjera ka vendosur që të mos presë derisa të publikohet Programi për ta hedhur votën, meqenëse e ka ndarë mendjen se cila parti i përmbush qëllimet e saj.

    “Unë në Kosovë nuk jetoj qe sa vjet, por po du me fitu dikush që ia shohim hajrin krejt. Nuk është që kam pa krejt çka kanë plan me ba nëse fitojnë. Po, deri diku, sa me vendos me ia qitë votën e di.” – tha ajo në bisedë për KALLXO.com.

    Por, të dy nuk e përjashtojnë rëndësinë që ka leximi i Programeve zgjedhore para se të hedhin votën.

    Deri më tani, secila prej katër partive të mëdha politike kanë publikuar nëpër rrjete sociale pjesë të Programeve të qeverisjes apo i kanë proklamuar përmes mediave e tubimeve nëpër Komuna të ndryshme. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) janë dy subjektet që i kanë publikuar Programet e plota në uebfaqet e tyre. 

    Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në një përgjigje për KALLXO.com ka deklaruar që Programin do ta publikojnë pas disa ditësh. E Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk u është përgjigjur as telefonatave e as mesazheve në lidhje me këtë çështje.

    Për Valon Beqiraj, shqiptar i Kosovës i cili jeton në Siegburg të Gjermanisë, votimi përmes postës do të jetë hera e parë, sikundër që Zgjedhjet e zënë për herë të parë në një shtet tjetër për shkak se ka vetëm tri vjet që jeton atje.

    Ky proces atij i duket interesant dhe më i lehtë sesa të udhëtojë në Kosovë apo të votojë në objekte të misioneve diplomatike. Ai nuk e ka lexuar Programin e Partisë që do, por nuk e sheh si problem të madh meqenëse, sipas tij, ia di misionin qe sa kohë.

    “Ma mirë me votu me postë, se ma lehtë. Edhe kohën ta kursen. E Programin s’e kam lexu, po ia njoh misionin Partisë.” – tha ai për KALLXO.com.

    Procesi i votimit jashtë vendit do të zhvillohet në 17 Ambasada dhe 15 Konsullata, në 19 shtete të ndryshme të botës. Numri i qytetarëve, sipas të dhënave të KQZ-së, të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues. Prej shumës totale, 84 mijë e 525 prej tyre kanë zgjedhur të votojnë përmes postës.

    Të dhënat e regjistrimit të popullsisë të vitit 2024, nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, vënë në pah se në diasporë jetojnë rreth 550 mijë kosovarë.

    Gjithsej 2 milionë e 75 mijë e 868 votues do të kenë të drejtë vote këto Zgjedhje – sipas të dhënave të KQZ-së. Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime vetëm në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues.

    Në Zgjedhjet parlamentare do të garojnë 27 subjekte politike. Prej tyre 19 janë parti politike, pesë koalicione, dy nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur. Ky është procesi i parë i rregullt zgjedhor në Kosovë, që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.