Organizata “Nisma e të Rinjve për të Drejta të Njeriut” (Youth Initiative for Human Rights – Kosovo – YIHR) ka hapur Muzeun e Fëmijëve të Luftës në Prishtinë.
Muzeu i Fëmijëve të Luftës do të jetë një hapësirë kujtese për fëmijërinë e ndërprerë nga Lufta e Kosovës.
Hapja e këtij Muzeu u bë me inaugurimin e Ekspozitës “Loja e ndërprerë”, më 22.01.2025.
Ekspozita përfshin gjësende personale, video-dëshmi dhe eksponate të kuruara që theksojnë përvojat e fëmijëve gjatë luftës së fundit në Kosovë – dedikuar për ruajtjen e kujtimeve të fëmijërisë gjatë luftës në Kosovë.
Gjatë ceremonisë së hapjes së Muzeut të Fëmijëve të Luftës u tha se çdo objekt dhe rrëfim në këtë Ekspozitë shpalos të vërtetat dhe të kaluarën, që s’duhet të lejohet që të bëhet e tashme.
Drejtoresha e Muzeut të Fëmijëve të Luftës, Bjeshkë Guri ka thënë se ky Muze është një përpjekje simbolike që dënon luftën si mjet të dominimit, kurse loja e ndërprerë adreson pikërisht fëmijëri të ndërprera dhunshëm nga lufta.
Ekspozita “Loja e ndërprerë” adreson pikërisht fëmijëri të ndërprera dhunshëm nga lufta dhe fton njerëzit të reflektojnë për të kaluarën – jo vetëm në Kosovë, por edhe në botë.
“Ky Muze është një përpjekje simbolike që dënon luftën si mjet të dominimit dhe dhunës strukturore – duke avokuar për drejtësi sociale dhe paqe të qëndrueshme kudo në botë. Ky Muze na fton që të ndërtojmë një ardhme, ku çdo fëmijë do të mund të jetojë në fëmijëri të lumtur.” – tha Guri.
Kurse, Marigona Shabiu, Drejtoreshë Ekzekutive e YIHR-së në Kosovë, tha se ky Muze u kushtohet fëmijëve të mbijetuar nga lufta e fundit në Kosovë dhe se rrugëtimi për themelimin e këtij Muzeu ka filluar pesë vjet më parë.
“Ky Muze është përpjekje për të ndërtuar ura mes të kaluarës dhe të ardhmes, është një hapësirë për të dëgjuar zëra që shpesh harrohen për të kuptuar dhimbjen e së shkuarës – mësuar nga ajo. Ekspozita ‘Loja e ndërprerë’ trajton në mënyrë direkte një mënyrë simbolike të fëmijërisë, që fëmijët e mbajtur nga lufta e fundit (1998/1999) e përjetuan. Për pesë vjet kemi qenë hapësirë publike për të vendosur Muzeun, por të gjitha përpjekjet tona kanë dështuar, që tregon një mosgatishmëri të institucioneve publike për të mbështetur nisma të tilla.” – tha Shabiu.
Për realizmin e Muzeut dhe Ekspozitës ndihmuan krijuesit, Petrit Halilaj dhe Ervina Halili.
Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e hapjes së Muzeut, Petrit Halilaj tha se shprehja përmes luftës ka qenë fillim i një shërimi shpirtëror.
Ai ka folur edhe për vizatimin e bërë në Kampin e refugjatëve gjatë luftës në Kukës, të cilin ia kërkon edhe ish-kreu i atëhershëm i OKB-së, Kofi Anan, por që Halilaj nuk ia dha.
“Kur Kofi Anan e vizitoi Kampin, e pa vizatimin dhe unë si fëmijë kam besuar se ai vizatim ka me ndiku me ndal luftën. Aq shumë ka pasë rëndësi për mua vizatimi dhe kur ma kërkoi vizatimin, vendosa të mos ia japë. Kështu, çdo vizatim dhe objekt këtu sjell një histori tepër të rëndësishme të luftës të secilit fëmijë të luftës.” – deklaroi Halilaj.
Ndërsa, Ervina Halili, studiuese e poete, tha se sot po i kushtohet rëndësi, jo vetëm arkivimit të ngjarjeve historike dhe dokumentacioneve, por edhe themelimit të Muzeve dhe arkivimit të historive orale.
“Kjo është shumë e rëndësishme, pasi në ditët e sotme kemi mundësi me prezervu edhe përjetimin e individëve që e kanë përjetuar ngjarjen. Kujtimi më i gjallë është kujtimi dhe memoria e fëmijëve.” – shtoi ajo.
Për shkak të mungesës së hapësirave publike, Muzeu i Fëmijëve të Luftës është hapur në një hapësirë private, por themeluesit thonë se Muzeu në këtë hapësirë publike është i përkohshëm dhe nuk do të heqin dorë deri në gjetjen e një hapësire publike për Muzeun e Fëmijëve të Luftës.
Muzeu i Fëmijëve të Luftës / Foto: KALLXO.comMuzeu i Fëmijëve të Luftës / Foto: KALLXO.comMuzeu i Fëmijëve të Luftës / Foto: KALLXO.com
Fushata zgjedhore në Kosovë, e nisur zyrtarisht më 11 janar 2025, po përcillet nga një diskurs i vrazhdë mes rivalëve për kryeministër të ardhshëm të vendit dhe mes kandidatëve që pretendojnë të bëhen deputetë të legjislaturës së re e cila pritet të krijohet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Fjalimet e mbushura me gjuhë të urrejtjes, me ironi dhe me ofendime të ndërsjella mes liderëve të pozitës dhe opozitës, po i lënë në plan të dytë ato që do duhej të ishin thelbësore në garën për pushtet- programet zgjedhore. Partia që ka qeverisur në katër vjetët e fundit- Lëvizja Vetëvendosje, në fakt as që e ka ofruar një program të tillë. Megjithatë, për gjuhën dhe veprimet që nuk janë brenda normave të lejuara, secila prej partive është duke u gjobitur në vazhdimësi.
Lëvizja Vetëvendosje është ndëshkuar me 4 mijë euro nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për gjuhën fyese që ka përdorur lideri i saj, Albin Kurti, gjatë një tubimi në Pejë. “Këtu, qysh e dini edhe ju vet, Ly-Dy-Ky-Hi dhe Py-Dy-Ky-Hi (aludimi në LDK-në dhe PDK-në) janë bashkë në koalicion. Ata mund të jenë nostalgjik për të kaluarën kur kanë keqqeverisur bashkë, por nuk mund të jenë më ëndërrimtarë që mund të përsëritet kjo”, tha Kurti para simpatizantëve të LVV-së, në qytetin rrëzë Bjeshkëve të Nemuna (shih videon e publikuar në TikTok).
Por, s’u ndal me kaq! LDK-në, partinë që drejtohet nga Lumir Abdixhiku, rivali i tij për pozitën e kryeministrit, ai e krahasoi me mizën. “Kur na rastis të dëgjojmë ndonjë udhëheqës të Ly-Dy-Ky-Hit se populli po ka simpati për ta, mua më ngjan me mizën që thoshte se kudo që po shkoj po e presin me duartrokitje”, tha Kurti, duke shtuar më pas se “ato duar që duartrokasin [dihet] se çka janë duke provuar t’i bëjnë asaj mize” (Shih videon e publikuar në TikTok).
Nga krahasimet, megjithatë nuk shpëtoi as ai. Për mënyrën e të folurit dhe gjestikulacionet e tij, kandidatja për deputete nga LDK-ja, Xhenet Syka, shpërndau një video krahasuese me tendencë të përngjasimit me diktatorin nazist, Adolf Hitler. Ky veprim i kushtoi LDK-së, me një gjobë prej 20 mijë euro nga ana e PZAP-së, organit të përhershëm, të pavarur dhe kompetent për të vendosur në lidhje me ankesat e lejuara që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor.
Shkaku i gjuhës dhe i veprimeve të aktivistëve nga gjobat nuk ka shpëtuar as Partia Demokratike e Kosovës. Më 8 mijë euro u gjobit kjo parti për shkak se Armend Ahmeti, zyrtar në Komunën e Skenderajt, shpërndau një video në të cilën shihet dhe dëgjohet Sami Lushtaku, kryetari i Degës së PDK-së në këtë komunë duke i quajtur “zagarë” aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje. “T’i çojmë mesazh Albin Kurtit dhe zagarëve të tij” – dëgjohet duke thënë Lushtaku. I biri i tij, Mërgimi është në listën e kandidatëve të PDK-së për deputetë.
PDK ia pa “sherrin” edhe Sekretarit të Degës në Malishevë, Ruzhdi Kryeziut. Në një video të publikuar në rrjetet sociale shihet Kryeziu bashkë me një qytetar që aderon në PDK, me ç’rast ky i fundit e prenë me gërshërë kartelën e anëtarësisë të LVV-së. “Nga sot kthehemi të shtëpia e vjetër, aty ku i kemi rrënjët tona të para dhe nga sot e shkatërrojmë kartelën e populistëve” – thotë i aderuari në PDK. Për këtë gjest, PDK-së iu shqiptua një gjobë prej 2 mijë euro.
I përmbajtur nga përdorimi i gjuhës fyese nuk është treguar as lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, që njëherësh është edhe kandidat për kryeministër nga radhët e koalicionit AAK-Nisma. Që në hapje të fushatës, ai e akuzoi rivalin nga LVV-ja, Albin Kurtin, si “argat të Serbisë dhe Rusisë”. “Nuk dojmë me ba lojna me sigurinë nacionale pas shpinës së aleatëve tonë e në interes të Rusisë e Serbisë nga argati i tyre”, tha ai, duke bërë më pas edhe thirrje: “Shko Albin te prokurori se nuk po dojmë me u vjedh rezervat shtetërore, buka e ushtarit, as te energjia. Shko te prokurori e merri hajnat tjerë se je shef i hajnave”. Kjo gjuhë e Haradinajt i kushtoi AAK-së me gjobë prej 12 mijë euro nga PZAP.
Haradinaj, që bashkë me partnerët e koalicionit garojnë në zgjedhje parlamentare me moton “Direkt në NATO”, e ka cilësuar Kurtin edhe si mercenar. “Shko se neve nuk na vjen marre prej UÇK-së se jemi kanë UÇK dhe kemi luftu për liri. Shko se e ke fy dhe poshtëru nderin e luftëtarit të lirisë. Ti je mercenar, s’është UÇK-ja mercenar, s’ka mercenarë në UÇK, ti edhe soji yt jeni mercenarë- shkoni” – ka thirrur ai.
Një gjuhë ofenduese ndaj opozitës ka përdorur edhe kandidati për deputet nga LVV, Xhelal Sveçla. Aktualisht, ai është ministër i Punëve të Brendshme. Në një tubim në Vushtrri, Sveçla i ka quajtur ‘disa’ anëtarë të ish-qeverive si ‘bërllok’. “Disa bërlloka të partive të vjetra thanë se Policia e Kosovës po sillet si Policia e Millosheviqit në veri. Këta bërlloka a do t’i hedhim në kantën e bërllokut të historisë sonë?” – ka deklaruar Sveçla.
PZAP ka dënuar me 4,500 euro edhe Koalicionin për Familjen pas një ankese të organizatave CEL Kosova dhe Dylberizëm me pretendimin se anëtarët e këtij koalicioni kanë përdorur gjuhe fyese dhe diskriminuese ndaj komunitetit LGBT+, promovimin e përçarjes dhe frikës ndaj qytetarëve si dhe nxitjen e urrejtjes.
Fushata negative me ndikim afatgjatë në shoqëri
Profesori i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Gëzim Qerimi thotë se gjuha e urrejtjes është shndërruar në një nga karakteristikat kryesore të fushatës. Më me vend ai e sheh sikur fushata të ishte orientuar kah shpalosja e programeve, e jo të dominohej nga retorika përçarëse.
“Për fat të keq, gjuha e urrejtjes dhe ajo denigruese nuk është monopol i një partie të vetme. Ajo është përhapur pothuajse nga të gjitha forcat politike, duke u kthyer në një normë të papranueshme të komunikimit publik”, thotë ai.
Megjithatë, sipas tij, gjuha e urrejtjes aktualisht është më e theksuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. “Të dy këta liderë kanë përqafuar një diskurs politik agresiv, duke e ndërtuar fushatën e tyre mbi përplasjet dhe konfrontimin e drejtpërdrejtë, në vend që të ofrojnë zgjidhje për sfidat reale të vendit” – thotë Qerimi.
Profesori universitar shton se kjo sjellje e liderëve politikë reflektohet në rrjetet sociale, meqë militantët e përsërisin këtë gjuhë e madje me raste shkojnë edhe deri te kërcënimet. Andaj, sipas tij, institucionet, mediat dhe shoqëria civile duhet të bëjnë më shumë për të dënuar dhe penalizuar këtë gjuhë. “Nëse kjo tendencë vazhdon, pasojat mund të jenë të rënda për stabilitetin social dhe për besimin e qytetarëve në procesin demokratik” – shprehet ai.
Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dritëro Arifi, negativitetin në fushatë e konsideron si të ‘paparë’. “Mund të themi që fushata nga partia në pushtet ka filluar me një negativitet të pakuptueshëm dhe të paparë duke shpërndarë urrejtje dhe polarizime të panevojshme. Në vend se projekteve elektorale vizionare, aty më shumë është ‘stand up’ komedi në kontekstin negativ dhe një kompeticion ku ministrat këndojnë. Do të duhej të tregoheshin projektet dhe vizioni për vitet 2015 – 2029, por për fat të keq LVV ka ngec në mentalitetin e opozitës” – deklaron Arifi.
Sipas tij, opozita megjithatë ka më tepër koncentrim te përmbajtja dhe oferta. “Partitë opozitare janë më të koncentruara në përmbajtjen dhe ofertën e tyre. Po vërehet angazhim më i madh edhe në organizimin e tubimeve që ato të jenë sa më shumë elektorale” – shton ai.
Sociologu Artan Muhaxhiri në anën tjetër thotë se gjuha e urrejtjes si “stil ekstrem” i diskursit publik ka ndikim tek kategoria e votuesve të cenueshëm, të cilët janë kryesisht dogmatikë dhe pa sens të mjaftueshëm kritik e racional të vlerësimit afatgjatë politik. Kjo kategori e votuesve, sipas tij, shpesh janë edhe të margjinalizuar nga rrjedhat zhvillimore shoqërore.
“Kjo gjuhë shfrytëzohet me qëllim të ndërtimit të rrëfimit të thjeshtëzuar ndarës: ‘Ne dhe Ata/Ato’, ku ‘Ne’ janë personazhet pozitive, kurse ‘Ata/Ato’ negative. Suksesi i saj varet prej rrethanave sociopolitike që dominojnë në kohën e caktuar, si dhe nga shkalla e kërkesës së votuesve që të udhëhiqen prej një lideri/partie me këtë frymë ideologjike e vepruese” – deklaron Muhaxhiri.
“Policia Gjuhësore”
Sociologu Artan Muhaxhiri thotë se duhet të ketë një pajtueshmëri për definicionin e asaj që quhet ‘gjuhë e urrejtjes’. Ndonëse ka disa definicione, sipas tij, kryesisht ‘gjuhë e urrejtjes’ kuptohet kur anëtarët e një kategorie të caktuar shoqërore përçmohen në mënyrë jashtëzakonisht të rëndë identitare, dhe se përbuzja nënçmuese përmban potencial për nxitje të dhunës.
“Në fushatën aktuale për zgjedhjet e 9 shkurtit nuk është krejtësisht e qartë se cili është precizimi i detajshëm institucional i gjuhës së urrejtjes. Ka disa kritere të gjeneralizuara që mund të nënkuptojnë gjëra të ndryshme, kësisoj duke u hapur mundësi opcioneve subjektive interpretative. S’është identifikuar kthjellët vija e cila i ndan përzgjedhjet e mirëmenduara të strategjive politike prej kritereve të pashmangshme të etikës publike”, shpjegon ai.
Muhaxhiri thotë se s’bën të krijohet përshtypja e një “Policie Gjuhësore” që i përkufizon kornizat e nuancave të lirisë së shprehjes së politikanëve në një terren skajshmërisht të komplikuar me simbolika, metafora dhe alegori. “Dita e zgjedhjeve do të duhej të ishte vlerësim i votuesve kosovarë ndaj partive dhe liderëve edhe për këtë aspekt të tyre” – thotë ai.
Për Qerimin, gjuha e urrejtjes e përdorur nga politikanë nuk është e rastësishme. Në fakt, sipas tij, kjo është një strategji e mirëmenduar e partive politike për të manipuluar ndjenjat e qytetarëve dhe për të polarizuar elektoratin. “Kjo gjuhë synon të mobilizojë militantët, duke e paraqitur kundërshtarin politik si një ‘armik’ të vendit dhe të popullit. Kjo strategji, edhe pse mund të sjellë përfitime afatshkurtra për disa parti, në tërësi dëmton rëndë procesin demokratik dhe ndërton një kulturë politike të bazuar në përçarje dhe urrejtje” – shprehet Qerimi.
“Bullizimi verbal dhe sarkazmi tallës”
Gjobat e shqiptuara nga PZAP ndaj partive politike, profesor Arifi i sheh me vend, por thotë se një shoqëri normale nuk ndërtohet në këtë formë. “Dënimet janë të mëritura- ka qenë rast i rënd të krahasohet kryeministri me një diktator. Kjo është ajo që nuk duhet të kalohen në urrejtje pavarësisht nga kush bëhen. Edhe në rastin tjetër kur është dënuar opozita për të njëjtat arsye nuk mund të ndërtojmë shoqëri normale nëse elita politike shprehet në ketë formë” – deklaron Arifi.
Sociologu Muhaxhiri nga këndvështrimi i tij thotë se “qasja e këtillë e instancave që merren me procesin zgjedhor duket se më shumë ka synime parandaluese, për ta minimizuar intensitetin e përdorimit të kësaj retorike në të ardhmen”. “Këtyre ditëve ka pasur raste të bullizimit verbal dhe sarkazmit tallës – për shembull nga Kryeministri Kurti, për ç’gjë edhe është dënuar nga PZAP, që i ka konsideruar ato si ‘gjuhë të urrejtjes’. Kandidatët tjerë për kryeministër nuk janë shquar për fjalë të kësollojta” – thekson Muhaxhiri.
Qerimi në anën tjetër konsideron se përveç ‘elektrizimit’ të masës nga kjo gjuhë e urrejtjes, mund të jetë edhe efekti tjetër, që disa qytetarë të lodhen nga klima toksike dhe mos të marrin pjesë fare në zgjedhje. “Normalizimi i gjuhës së urrejtjes”, sipas tij, hap rrugën për akte të dhunës verbale apo dhe fizike. E kjo pastaj nëse nuk ndalet në kohë, mund të përshkallëzohet deri në konflikte serioze ndërmjet mbështetësve të partive të ndryshme, paralajmëron Qerimi.
“Degradimi i kulturës demokratike, ku gjuha e urrejtjes dominon diskursin publik, partitë dhe liderët politikë nuk ndihen më të detyruar të ofrojnë zgjidhje reale për problemet e vendit. Kjo çon në një degradim të skenës politike, ku gara për pushtet bazohet në sulme dhe manipulime, jo në ide dhe projekte konkrete për qytetarët” – thotë ai. Gjuha e urrejtjes, sipas tij, sjell edhe humbjen e besimit në institucione dhe sistemin demokratik në përgjithësi. Rrjedhimisht rritjen e pasigurisë dhe zhgënjimit tek populli.
Për shkak të thyerjeve të rregullave, në dhjetë ditët e para të fushatës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa u ka shqiptuar subjekteve politike gjoba në shumën prej 125 mijë euro. Bazuar në vendimet e publikuara nga ky organ, e para për nga shuma e gjobitjes është Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila deri më tani është dënuar me 45 mijë euro për gjashtë raste të ndryshme. Partia Demokratike e Kosovës, brenda të njëjtës periudhë është gjobitur me 44 mijë e 500 euro për 10 raste të ndryshme. Koalicioni AAK- Nisma me 23 mijë e 500 euro për tri raste të ndryshme. Dhe, LVV është gjobitur me 6 mijë e 500 euro për dy deklarata të Kurtit, gjatë tubimeve në Pejë dhe Podujevë.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) premton digjitalizimin e Sistemit Shëndetësor, rritjen e pagave të mjekëve për 50%, themelimin e Qendrës për Trajtimin e Personave të Varur nga Narkotikët dhe Alkooli, si dhe barna falas për personat me sëmundje kronike. Nëse vjen në pushtet, kjo parti zotohet se do të themelojë edhe Memorialin e Gjenicidit dhe do të bëjë investime qindra-milionëshe në Rajonin e Prishtinës.
Nëse i fitojnë votat e mjaftueshme për të qeverisur në vend pas Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, kandidatët për deputetë nga radhët e PDK-së zotohen se do të dyfishojnë buxhetin për Shëndetësinë, ta themelojnë Qendrën për Trajtimin e Personave të Varur nga Alkooli dhe Narkotikët, si dhe do ta krijojnë Sistemin Kombëtar të Emergjencave Mjekësore.
Me kandidat për kryeministër, Bedri Hamzën, PDK-ja e cila për një kohë të gjatë kishte udhëhequr Ministrinë e Shëndetësisë premton se nëse rikthehet në pushtet do ta transformojë Sistemin Shëndetësor.
Përveç për Shëndetësinë, pjesëmarrësit e kësaj partie në “Debat Përnime”, më 22.01.2025, premtuan se nën “qeverisjen e PDK-së” do të përfundohen magjistralet për Pejë, Gjilan, Mitrovicë dhe Podujevë dhe do të themelohet Muzeu i Gjenocidit në Prishtinë.
Kandidatët e PDK-së për deputetë. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Prioritetet e PDK-së në Shëndetësi
Kandidatja për Deputete, Mimoza Ahmetaj, me profesion stomatologe, e cila më parë ka qenë deputete dhe ambasadore, thotë se PDK-ja si plan kryesor e ka zgjerimin e gamës së të gjitha shërbimeve shëndetësore, rritjen e cilësisë së shërbimeve për pacientët dhe lehtësimin e barrës financiare që bie mbi pacientët.
Ahmetaj thekson se si PDK synojnë që të përmirësojnë infrastrukturën ekzistuese të institucioneve shëndetësore dhe t’i avancojnë Qendrat Klinike e Spitalet – duke i modernizuar me pajisje të teknologjisë së fundit.
“Objektivë e Partisë Demokratike të Kosovës është që të ofrojmë barna falas për të gjithë pacientët që vuajnë nga sëmundjet e ndryshme kronike, në mënyrë që ta lehtësojmë situatën e tyre materiale dhe ballafaqimin me sëmundjen.” – tha ajo.
Kandidatja për deputete, Mimoza Ahmetaj nga PDK. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Pa specifikuar se çka do të bëjnë për fëmijët me autizëm, ajo tha se synojnë që ta kenë një Program edhe për qytetarët të cilët vuajnë nga problemet në të folur e që kanë nevojë për logopedë.
“Ne synojmë po ashtu që në kuadër të Programit të ofrojmë edhe kujdesin paliativ, për të gjithë ata të sëmurë që për një kohë të gjatë janë të palëvizshëm. Do të mundohemi që përmes ekspertëve tanë shëndetësorë të profileve të ndryshme të ofrojmë kujdes, në mënyrë që gjendja e tyre të lehtësohet.” – tha Ahmetaj.
Në Program, sipas saj, e kanë edhe krijimin e Qendrës për Trajtimin e Kategorive që Vuajnë nga Varshmëria ndaj Alkoolit apo Përdorimi i Narkotikëve.
E pyetur se a do t’i shkarkojnë të emëruarit në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar (SHSKUK) gjatë qeverisjes Kurti, ajo tha se nuk do të marrin mandatin që të përjashtojnë dikë nga institucioni, por se të gjithë zyrtarët pavarësisht pozitës dhe funksionit do të vlerësohen mbi bazën e performancës që kanë.
“Ne do të kemi ndryshime, aty ku ka nevojë në mënyrë që të përmirësohet performanca.” – është shprehur ajo.
Buxheti për barnat
Buxhetin për Shëndetësinë PDK-ja synon që ta dyfishojë.
Buxheti i plotë për Shëndetësi për vitin 2025 është mbi 75.3 milionë, apo rreth 2.8 milionë euro më shumë se sa në vitin paraprak.
“Ne në start, me rishikimin e buxhetit për vitin 2025, menjëherë do ta rrisim buxhetin, në mënyrë që sadopak të ndihmojmë qytetarët.” – tha Ahmetaj.
Ajo deklaroi se “nën qeverisjen e PDK-së”, barnat do të mbërrijnë lehtë nga depoja deri te pacienti, pasi që e kanë në plan ta digjitalizojnë Sistemin Shëndetësor, si pjesë e Sistemit Informativ Shëndetësor (SISH). E, për sa kohë mendojnë ta bëjnë këtë gjë – nëse arrijnë të qeverisin – ajo nuk dha afate me arsyetimin “se më vonë mund të ma përmendni si argument”.
“Në këtë aspekt mendojmë që planifikimin ta bëjmë se sa pacientë i kemi pasur sivjet në trajtim për sëmundje të caktuara – informata të sakta që merren nga institucionet shëndetësore. Ne do të mund të planifikojmë për vitin e ardhshëm se sa kemi nevojë. Duke planifikuar do të bëhet edhe përpilimi i Listës esenciale të barnave se për çka kemi nevojë.” – tha ajo.
Përveç këtyre, Ahmetaj tha se e kanë në plan edhe krijimin e Sistemit Kombëtar të Emergjencave Mjekësore, që nënkupton që “përmes pajisjeve të ndryshme medicinale, por edhe helikopterëve, të kemi qasje në rast të krizave apo fatkeqësive të ndryshme”.
Një objektiv tjetër që e kanë në plan, ajo tha se është nxitja e prodhimit vendor e produkteve farmaceutike.
“Produktet farmaceutike kryesore në tregun e Kosovës vinë nga importi – gjë që e rrit enorm çmimin e produkteve të tilla dhe normal që është vështirë të ballafaqohemi me blerjen e produkteve të tilla.” – tha ajo.
Kandidati tjetër për deputet, Fatbardh Rexha, me profesion kirurg, beson që i gjithë transformimi i Sistemit Shëndetësor do të arrihet përmes funksionalizmit të Sistemit të Sigurimeve Shëndetësore, digjitalizimit të Sistemit Shëndetësor apo Sistemit Informativ Shëndetësor, si dhe aplikimit të protokoleve mjekësore për profesionistët shëndetësorë.
“PDK synon që përmes buxhetit të saj të rritë edhe gamën e shërbimeve shëndetësore. Po flasim për një qasje, në të cilën planifikohet që në katër vjetët e ardhshme nga buxheti i Kosovës të investohen rreth 1.5 miliardë euro në Shëndetësi; shto këtu, edhe dyfishimin e buxhetit sa i përket furnizimit me barna.” – tha ai.
Kandidati i PDK-së, Fatbardh Rexha. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
PDK-ja e vlerëson se Kosovës i duhet një Ligj i tillë për Rregullimin e Çmimit të Barnave – duke u siguruar që çmimi i barnave të jetë koherent në raport me çmimet e tregut në vend.
“Tregu i barnave duhet të rregullohet konform tregut në Kosovë dhe jo të merren si referencë tregjet e tjera dhe pastaj ato të aplikohen në Kosovë.” – tha ai në lidhje me Ligjin për Barnat.
Ministria e Shëndetësisë, më 23.12.2024, ka publikuar Listën e çmimeve të barnave me detyrim të zbatimit në tregun e Kosovës nga data 01.02.2025.
Përcaktimi i çmimeve të barnave bëhet duke u bazuar në Ligjin për Çmimin e Produkteve Medicinale, i cili e parasheh edhe metodologjinë, e cila thotë se bazë e përcaktimit të çmimit është metodologjia e çmimeve referente të jashtme, të cilat janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kroacia dhe vendi i origjinës së produktit.
Paragrafi 10 i Nenit 9 të Ligjit thotë se “Çmimi me shumicë përbëhet nga vlera e marzhës së qarkullimit me shumicë e shpenzimeve të tjera vartëse, jo më shumë se 7.5%, që llogaritet duke i shtuar çmimit të importit CIP marzhën e qarkullimit me shumicë dhe shpenzimet e ndërlidhura, por jo më shumë sesa vlera e kalkuluar – sipas Paragrafëve 5, 6, 7 apo 8 të këtij Neni”.
Mbikëqyrja e institucioneve shëndetësore?
Me profesion kirurg ortoped, kandidati për Deputet, Pleurat Sejdiu, i cili është drejtor i Odës së Mjekëve të Kosovës, thotë se qëndrimi i parë i PDK-së është zbatimi i pakompromis i ligjeve.
Sejdiu thotë se PDK-ja beson në vetëinspektim, vetërregullim dhe vetëauditim të brendshëm, e jo në inspektime.
“Inspektimi është i brendshëm – gjë që është i paraparë me ligj… Inspektorati Qendror të jetë i pavarur, e jo pjesë e një Ministrie…” – tha ai, duke e lakuar emrin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismajli, i cili e pati nisur auditimin e brendshëm.
Për shtimin e inspektorëve të Shëndetësisë, Mimoza Ahmetaj thotë se një gjë e tillë kërkon kohë. Sipas saj, më lehtë mund të flitet për ndërtimin e një Spitali, për një, dy ose tre vjet, sesa për Inspektoratin shëndetësor, i cili është “proces në vazhdimësi” që kërkon të investohet në kuadro.
Kandidati i PDK-së, Pleurat Sejdiu. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Për disiplinimin e stafit shëndetësor, të cilët shfrytëzojnë kohën e punës në institucionin publik duke punuar në Klinika private, Pleurat Sejdiu tha se kjo çështje është hiperbolizuar, pasi që asgjë nuk i ndalon menaxherët që ta bëjnë kontrollin e personelit – nëse ka nevojë.
“Orari është orar dhe brenda saj është Drejtori apo Menaxheri i parë, që duhet të di çdo gjë. Është vetëm çështje e vullnetit politik, i atyre që drejtojnë dhe ta rregullojnë këtë çështje.” – tha ai, duke shtuar se nuk kanë çfarë të bëjnë tjetër përpos zbatimit të ligjeve ekzistuese.
Sipas tij, çelësi është te bartja e përgjegjësisë te menaxherët, që do duhej të ishin përgjegjës, e jo të bëhet mikromenaxhim nga niveli i Ministrisë, apo SHSKUK-së.
“Nëse do menaxhmenti ta zë peshkun në rrjetë është shumë kollaj. Vetëm a duan -nëse ka peshk të tillë.” – tha ai.
Përkitazi me supremacinë e Klinikave private ndaj Sistemit Publik Shëndetësor, Sejdiu thotë se duhet që të fillojë çështja e licensimit dhe akreditimit të institucioneve publike.
Sipas tij, ajo çfarë ka ndodhur deri më tani është mesazhi i dhënë te pacienti nga niveli politik – gjë që nuk duhet. Zgjidhje, sipas tij, është të bëhet akreditimi apo një Kornizë e Kontrollit.
Ndërsa, për zvogëlimin e Listës së pritjes të pacientëve për operime në institucionet publike, Sejdiu tha se ndikojnë tre faktorë: mungesa e stafit të mjaftueshëm të profesionalizuar, mungesa e shërbimeve në nivel rajonal dhe koncentrimi i pacientëve vetëm në Prishtinë.
“Te një pjesë e shërbimeve që duhet të kryhen në Spitale rajonale mungojnë furnizimet bazike të atij Spitali – gjë që e ngarkon nivelin terciar. [Si rrjedhojë] shumica e intervenimeve janë në pritje. Atëherë ndodh që i jepet prioritet një traume dhe shkaktohen këto pritje.” – tha ai.
Sipas tij, duhet të bëhen investime në shërbime të ndryshme edhe në Spitalet e tjera rajonale dhe të bëhet risistematizimi i forcës së punës.
Parandalimi i ikjes së mjekëve nga Kosova
Pleurat Sejdiu thotë se Kosovës nuk i duhet një Qendër e Re me vlerë 500 milionë euro, në vend të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), përderisa çelësi i mbajtjes së mjekëve në Kosovë është investimi në resurse njerëzore. Projekti për Qendrën është i Lidhjes Demokratike të Kosovës – si një ndër premtimet më të mëdha nëse kjo parti vjen në pushtet.
Megjithatë, Sejdiu thotë se Kosova i ka rreth 600 mjekë pa punë, të cilët, sipas planit të tyre, do të sistematizohen.
“Këta mjekë do të punësohen qoftë si mjekë në Klinikë, në Repartet Rajonale apo në Qendra të Mjekësisë Familjare.” – tha ai.
Sejdiu theksoi se rreth 110 mjekë largohen nga vendi nga 170 sa diplomojnë. E gjitha, sipas tij, shkaku i papunësisë.
“Ata kur shkojnë në Gjermani, shkojnë si mjekë në Repart. Përgatiten për fazën e dytë të shkollimit specialistik. Pra, është një fazë përgatitore, por njëkohësisht japin shërbime në Sistem.” – tha ai.
Ndërsa, Mimoza Ahmetaj, zgjidhje për ikjen e mjekëve e konsideron rritjen e pagave, ashtu siç ka thënë kandidati për kryeministër, Bedri Hamza për 50% në vitin e parë.
“Të mos jetë paga arsyeja, pse ata ikin nga vendi.” – tha ajo.
Ndërsa, Fatbardh Rexha tha se nën qeverisjen e PDK-së do të investohet në funksionalizimin dhe modernizmin e Spitaleve Rajonale dhe rrjedhimisht edhe në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.
Plani i PDK-së për sigurimet shëndetësore
Përmes Fondit për Sigurime Shëndetësore, kandidati Fatbardh Rexha synon që të ofrohen shërbime shëndetësore, të mbulohen ato, të rimbursohen shërbimet për kategoritë e caktuara dhe të rimbursohet deficiti me shërbime shëndetësore.
Rexha thotë se sigurimet shëndetësore janë obligative për funksionimin e mirëfilltë të Sistemit Shëndetësor. Sipas tij, baza legjislative ekziston, por si top-prioritet e kanë që të bëjnë funksionalizmin e tyre.
Megjithatë, ai nuk dha ndonjë afat se kur mund ta bëjnë tërësisht këtë punë.
“Nuk mund të themi saktë në mënyrë kohore datën e fillimit, megjithatë do të jetë një punë e jashtëzakonshme që do të bëhet gjatë vitit të parë qeverisës, që në mënyrë komplementare Sistemi Informativ, Protokoli dhe Sistemi i Sigurimeve Shëndetësore të fillojnë së zbatuari.” – tha ai.
Projektligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor u miratua nga Qeveria më 28.08.2024, megjithatë funksionalizimi i tyre është ende larg në horizont.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në fushatën zgjedhore të vitit 2019, kishte premtuar që sigurimet shëndetësore do të funksionalizohen brenda katër vjetëve. Parakusht për funksionalizimin e tyre është zbatimi i Sistemit Informativ Shëndetësor (SISH), për të cilin Vitia pati thënë se merr optimalisht 2 vjet kohë.
Votimi i këtij Projektligji ka qenë në Agjendën legjislative prej vitit 2021. Aktualisht, në Kosovë është në fuqi Ligji për Sigurimin Shëndetësor, i cili u miratua në vitin 2014, mirëpo nuk u zbatua asnjëherë plotësisht.
Funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore është premtim i dhënë e i paplotësuar nga Qeveri të ndryshme për më shumë se një dekadë. Premtime që nuk i përmbushën për sigurimet shëndetësore patën dhënë edhe tre ish-ministra të tjerë të shëndetësisë: Imet Rrahmani, Alush Gashi dhe Ferid Agani.
Investimet në Rajonin 05
Në planin e PDK-së është finalizimi i magjistraleve për në Pejë, Gjilan, Mitrovicë dhe Podujevë.
Kandidatja për Deputete, Eliza Hoxha, me profesion arkitekte, zotohet se do të bëhet funksionalizimi i transportit rrugor përbrenda Prishtinës – përfshirë edhe Unazën e Jashtme me vlerë 400 milionë euro.
Ajo premtoi investime në hekurudha, me fokus linjën e cila do të përfshijë “Portin e Kosovës” – siç quhet me Planin hapësinor të Kosovës Zona e Regjionit 01, që është lidhja e Kryeqytetit me Stacionin kryesor të trenit dhe Aeroportin e Prishtinës.
“Në këtë drejtim normalisht parashihet edhe linja e tramvajit, e cila do t’i funksionalizojë zonat urbane dhe rurale, në lidhje me Aeroportin dhe Stacionin e trenit, që përfshin Lipjanin, Graçanicën, Prishtinën dhe Fushë Kosovën.” – tha ajo.
Kandidatja e PDK-së, Eliza Hoxha. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Hoxha premtoi Qendra për të Moshuarit në Zonat regjionale, investim në Stadiumin Olimpik Kombëtar, restaurimin e objektit të Pallatit të Rinisë, investime në ish-objektin e Boro-Ramizit dhe investime në Salla më të vogla të sportit dhe në Qendrat kulturore komunitare.
“Një gjë tjetër që është paraparë është Memoriali i Gjenocidit. Në këtë pjesë nuk ka një pozicion të caktuar se ku do të jetë. Mirëpo, në këtë aspekt do të bëjmë një debat fillestar me Komunën e Prishtinës, se ku do të ndërtohet ky Memorial.” – tha ajo.
Përvoja e PDK-së në qeverisje
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka qenë në qeverisje nga viti 2008 deri në vitin 2019, por jo çdo herë si forca kryesore udhëheqëse.
Nga viti 2008 deri në vitin 2014, PDK udhëhoqi Qeverinë me kryeministër Hashim Thaçin. Ky ishte mandati i parë dhe i dytë i saj.
Kurse nga viti 2014 deri në 2017, PDK ishte pjesë e koalicionit qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Atëkohë, Kryeministër ishte Isa Mustafa nga LDK, ndërsa PDK mbante postin e Kryeparlamentarit.
PDK ka qenë pjesë e Qeverisë edhe pas vitit 2017, por jo si forcë kryesore udhëheqëse. Pas vitit 2017 deri në 2019, PDK u rikthye si pjesë e koalicionit qeverisës. Këtë herë me Ramush Haradinajn nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si Kryeministër. PDK mbante disa Ministri dhe poste të rëndësishme në këtë Qeveri.
Prej atëherë PDK-ja ka qenë vetëm në opozitë. Në Zgjedhjet e vitit 2021, prej të cilave doli fituese Lëvizja Vetëvendosje, PDK zuri vendin e dytë për nga numri i votave, më saktësisht me 16.9%.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”, Jeta Xharra ka deklaruar se askush në KALLXO.com nuk është pasanik, milioner, e le më oligark.
“Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka theksuar ndër të tjera, Xharra.
E, për kandidatët e LVV-së që kanë refuzuar të marrin pjesë në Debat, ajo e ka dhënë “diagnozën”: Politikus Arrogantis Totalis Mendjemadhijensis!
Ndërtimi i Spitalit të Ri në vlerë prej 500 milionë euro, krijimi i kushteve që mjekët të mos ikin nga Kosova, funksionalizimi i Fondit për Sigurime Shëndetësore, si dhe respektimi i Ligjit për Duhanin janë vetëm disa prej zotimeve që tre kandidatë të LDK-së janë zotuar se do të përmbushin në rast se partia e tyre rikthehet në pushtet, pas Zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Me profesion mjekë, tre kandidatë për deputetë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) janë zotuar se nëse partia e tyre i fiton Zgjedhjet parlamentare do ta rrisin buxhetin për Shëndetësinë në 5%, do ta ndërtojnë Qendrën e Re Spitalore dhe do ta ndajnë menaxhmentin e Spitaleve nga Stafi shëndetësor.
Këto tri zotime janë vetëm disa prej atyre që i shpërfaqën këta tre kandidatë në “Debat Përnime”, më 21.01.2025. Në qëllimet e tyre hynë edhe zgjerimi i Listës së Barnave Esenciale, investimet disamilionëshe në aparatura, funksionalizimi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, si dhe ndalimi i ikjes së mjekëve nga Kosova – duke ua rritur pagat e duke iu krijuar mundësi të menjëhershme punësimi, atyre që i përfundojnë studimet.
Në krye me ekonomistin, Lumir Abdixhiku, të cilin LDK-ja e ka kandidat për Kryeministër, ata besojnë se do të arrijnë të bëjnë ndryshime rrënjësore në Sistemin Shëndetësor – duke mos i kursyer akuzat se Qeveria e kryeministrit Albin Kurti nuk ka bërë mjaftueshëm për katër vjetët që shkuan.
LDK që synon rikthimin në pushtet, që nga përfundimi i luftës 1998/1999, është partia e cila më së shumti ka qenë në krye të Qeverisë – krahasuar me partitë e tjera.
Spitali i Ri dhe planet e tjera të LDK-së
Me profesion infektolog, Izet Sadiku tash e disa vite udhëheq Drejtorinë për Shëndetësi në Komunën e Prishtinës. Por, tashmë si i përfshirë në Zgjedhjet e reja parlamentare ai synon të bëhet Deputet në Kuvendin e Kosovës.
Sadiku shpërfaqi prioritetet e tij në emër të partisë për sektorin e Shëndetësisë – duke u nisur nga çështja kryesore, rritja e buxhetit në 5% të GDP-së, nga 3.3% sa është tani.
Mirëpo, projekti më i madh që ka shtruar para vetes kjo parti politike është ndërtimi i Qendrës së re Spitalore në Prishtinë në vend të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), për të cilin ende nuk kanë vendosur për lokacionin se ku saktësisht.
“Ndërtimi i kësaj Qendre do të bëhet në mandatin e parë dhe gradualisht derisa të bëhet Qendra e re Spitalore do të funksionojë Qendra e vjetër, që është tani (QKUK).” – tha Sadiku.
Kurse për pronën aktuale në të cilën është vendosur QKUK, Sadiku tha se do të shfrytëzohet si pronë publike ku ndërtohen hapësira kulturore ose ndonjë Kampus i Shkollave.
Ndërtimi i Qendrës së Re ka qenë një ndër zotimet kryesore e para që ka shpërfaqur Lumir Abdixhiku, ende pa nisur fushata.
Ky projekt është llogaritur të ketë një kosto prej 500 milionë euro.
Kandidati i LDK-së për deputet, Izet Sadiku. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Një çështje që ndërlidhet me këtë është ndarja e menaxhimit të institucioneve shëndetësore nga sektori i Shëndetësisë.
Sadiku tha se do të analizojnë mundësinë e angazhimit të një Kompanie që menaxhon Spitalet, në mënyrë që të largohet politika nga menaxhimi i institucioneve shëndetësore.
Kandidati tjetër për Deputet, Ardian Shala, me profesion kardiolog, konsideron se problemet, siç është mungesa e barnave, kanë lindur pikërisht si pasojë e keqmenaxhimit.
“Unë punoj në Spitalin e Prizrenit dhe kam raste kur për një katetër urinar, pacientët në gjysmënate detyrohen të bredhin barnatoreve, sepse nuk ka. Kjo është pjesa e keqmenaxhimit.” – tha Shala.
Për këtë arsye, ai thotë se duhet të kontraktohen Kompani, pasi që “pa dashur t’i nënçmojë mjekët” beson se ata janë profesionistë të aspektit shëndetësor, ndërsa në pjesën e menaxhimit “kanë çalime”.
Çështje tjetër që është proklamuar në vazhdimësi nga LDK-ja, por edhe nga partitë e tjera është funksionalizimi i Fondit për Sigurime Shëndetësore. Edhe pse ka qenë premtim ndër vite, një gjë e tillë ende nuk është jetësuar, në mënyrë që t’u lehtësohet jeta qytetarëve, e sidomos atyre që kanë nevojë për mjekim jashtë vendit.
Ai tha se sigurimet shëndetësore mendojnë t’i fillojnë në vitin e parë, me përgatitjen e dokumentacionit dhe të legjislacionit.
“Me Ligj 3.5% i jep punëmarrësi dhe 3.5% i jep punëdhënësi. Shuma që mendohet të krijohet nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore është diku 140 milionë euro.” – tha ai.
Vitin e parë të qeverisjes, Sadiku tha se planifikojnë që Qeveria ta rimbursojë Fondin me 140 milionë euro, me qëllim që Fondi të fillojë të ofrojë shërbime qysh në vitin e parë “para se të fillojë grumbullimi”.
Kurse kandidati Ardian Shala, me profesion kardiolog, tha se me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, nëse nuk ka mundësi që mbulimin e shpenzimeve ta bëjë sektori publik, plani është që atë ta bëjë ai privat.
“Njerëzit që kërkojnë lëmoshë për trajtim jashtë vendit, kjo zgjidhet me Fondin për Sigurime Shëndetësore, që nëse nuk ka mundësi sektori publik, atëherë i bën ai privat. Gjithsesi këto shërbime do t’i mbulojë Fondi i Shërbimeve Shëndetësore, i cili është jetik.” – tha ai.
Zgjidhjet për listat e pritjes dhe Listën e barnave esenciale
Izet Sadiku fajëson ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, duke thënë se arsyetimi i tyre është që 70% është mbulueshmëria e Listës esenciale, e që sipas tij, Ministria e ka obligim me Ligj që ta mbulojë 100%.
“Po ju tregoj se në Prishtinë as 50% s’e kanë mbulu asnjë vit dhe ne detyrohemi (të paguajmë) 500 mijë euro. Kur e ndajmë buxhetin, e çojmë në Ministri të Financave. Na thonë: ‘Pse po ndani për barna, sepse ua blen Ministria e Shëndetësisë?’. Mirëpo, ne detyrohemi, se qytetari kur shkon me marrë shërbimin atje, ai nuk e di a është e drejtë e Përparim Ramës apo e Arben Vitisë.” – tha Sadiku nga këndi i Drejtorit të Shëndetësisë.
Sipas tij, të gjitha Komunat e kanë këtë problem, pasi nuk furnizohen mjaftueshëm me barna nga Ministria e Shëndetësisë.
Se a do ta vendosin terapinë hormonale për personat LGBTQ+ në Listën esenciale të barnave, Ardian Shala tha se e kanë në plan të përfshijnë kategorinë e moshës së shtyrë, por nuk e përjashtojnë mundësinë edhe për kategori të tjera.
“Dhe pse jo, të përfshijmë edhe shumë kategori të tjera që i përmendet (komuniteti LGBTQ+). Terapia hormonale – kjo ka qenë diskutim i madh edhe më herët dhe ne do të bëjmë çmos që këtyre njerëzve që kanë nevojë të jashtëzakonshme t’ua sigurojmë një terapi të duhur. Pra me pagesë, me mbulim nga shteti.” – tha ai.
Edhe për Listën e barnave esenciale si zgjidhje ata ofruan funksionalizimin e Fondit për Sigurime Shëndetësore.
Në lidhje me përcaktimin e çmimit të barnave, kandidati i LDK-së, Ekrem Hyseni, me profesion onkolog, thotë se është pro që të jetë i përcaktuar çmimi i tyre, e jo në bazë të nevojave të tregut.
“Janë dashtë 12 orë që me dalë që ka qenë propagandë e Ministrit, ku gazetari del live. E merr një ilaç që e prezanton si çmim, që nuk ka qenë real si i prezantuar nga politikëbërësit.” – tha ai.
Sipas tij, për të bërë përcaktimin e çmimit, duhet partnerët të jenë njohës të mirë të tregut vendas e botëror dhe të merren çmime referente.
“Jam i sigurt që ka me u rregullu edhe çmimi i barnave. Kanë me kushtu ma lirë dhe ka me qenë disponueshmëria e barnave më e lartë.” – tha ai.
Qytetarët e Kosovës detyrohen të presin me muaj e deri në vite, për t’u operuar për shkak të listave të gjata të pritjes në Spitale publike.
Gjetjet e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2024 shpërfaqën fotografi të fletoreve dhe të shënimeve, në të cilat regjistrohen pacientët nëpër lista të pritjeve. Disa prej të cilave janë të gjata deri në katër vjet në QKUK. Një prej faktorëve kontribues në rritjen e numrit të pacientëve në lista të pritjes është evidentuar të jetë mungesa e ekspertizës së mjekëve në fusha të caktuara – duke ngarkuar QKUK-në, si Qendër referente.
Kandidati Ekrem Hyseni, duke u nisur nga përvojat që ka, tha se disa Klinika e kanë listën e pritjes më të gjatë.
“Nëse flasim për listën e pritjes për ndërrimin e protezave keni të drejtë…” – u përgjigj ai.
Kurse, Ardian Shala premtoi se këto lista do të tkurren përmes investimeve mbi 100 milionë euroshe në aparatura të ndryshme spitalore.
Duke i përkitur sferës së Kardiologjisë, Shala tha se vetëm në sektorin e tij, pacientët presin për intervenime në arterie koronare mbi një vjet.
“Është e dhimbshme nëse një familjar i dikujt pëson diçka të papritur, që nuk kemi dëshirë ta themi, e ne të mos jemi të zotë ta zbresim këtë listë të pritjes të paktën në një javë, ose me heq fare.” – tha ai.
Sipas tij, kuadrot dhe mundësitë ekzistojnë.
Kandidati i LDK-së për deputet, Ardian Shala. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
“Ne nuk duhet ta shohim sektorin privat si kundërshtar, por si partner. Sepse, fundi i fundit është një Sistem i cili edhe me Sistemin Informativ Shëndetësor (SISH) do të rregullohet.” – tha ai.
Ekrem Hyseni tha se do ta funksionalizojnë SISH-in që të jetë i mundur edhe implementimi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Funksionalizimi i plotë i Sistemit Informativ Shëndetësor dhe sigurimeve shëndetësore, si dy prej elementeve kyçe në Shëndetësi vazhdojnë të mbesin vetëm premtime të dhëna ndër vite nga Qeveri të ndryshme për më shumë se një dekadë.
Hyseni tha se përmes SISH-it e me “work stacion” puna do të jetë e matshme dhe për secilin do të nxirren rezultatet e punës, por njëkohësisht edhe mospuna.
Parandalimi i ikjes së mjekëve
LDK-ja beson që përmes rritjes së pagave, përmirësimit të kushteve dhe sigurimit të vendeve të punës, deri diku mund të arrijnë të ndalojnë mjekët që të mos largohen nga Kosova në drejtim të shteteve perëndimore.
Ekrem Hyseni, duke e quajtur këtë punë të thjeshtë, thotë se “nëse do me i mbajt mjekët në Kosovë nuk mundesh me i lidh, por e vetmja lidhje që mundesh me i ba është me ia rrit pagën dhe me ia përmisu kushtet e punës”.
“Ja siguron një mjeku të ri pas studimeve që ka me fillu punë në gjashtë muajt e parë dhe e dyta, specializimi në dy vjetët e para pas përfundimit të studimeve me financim nga shteti. Këto i kemi në Program. Pa kushte ikin edhe mjekët gjermanë në Norvegji.” – thotë ai, duke shtuar se këto janë pjesë e Programit të tyre.
Megjithatë, ai thotë se nuk mjafton koeficienti në 150 euro, por rritja do ta vazhdojë njëherazi me rritjen ekonomike.
“Deri diku është e dinjitetshme (paga me rritje), por nuk them kurrë që është e mjaftueshme as për bujkun, as për mjekun e as për inxhinierin. Por duhet me ba mundësi, me i adaptu këto kushte për me i trajtu me kushte të dinjitetshme dhe me i josh me qëndru (mjekët).” – thotë ai.
Kandidati i LDK-së për deputet, Ekrem Hyseni. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Ndërkaq, Ardian Shala e sheh si zgjidhje që mjekët e ri të punojnë në Kosovë e të mos largohen, që sapo ta përfundojnë diplomimin të punësohen në Qendra të Mjekësisë Familjare, që e kanë edhe si kusht stazh për specializim.
Duke paraqitur shifra, Shala tha se vetëm në vitin 2024, 106 mjekë e kanë lëshuar Kosovën, ndërsa për pesë vjetët e fundit mbi 600. Ai tha se rritjen e pagave do ta bëjnë qysh në javën e parë.
Për studentët që kanë përfunduar Mjekësinë, Shala thotë se kanë planifikuar të krijojnë menjëherë kushte punësimi për ta. Dhe, posa ta përfundojnë punësimin, të krijohet sistemi për specializime.
“Për shkak të mungesës të anesteziologëve shumë operime sot presin. Për shembull në Kirurgjinë Vaskulare presin tri vjet për operim. Dhe për atë është gjithmonë arsyetimi që nuk ka anesteziologë.” – tha ai.
Ndërkaq zgjidhja që ofroi Izet Sadiku është që të forcohen Spitalet regjionale.
“Më herët Kirurgjia në Mitrovicë ka qenë më e fortë se në Prishtinë. Pulmologjia në Pejë ka qenë më e fortë se në Prishtinë. Tu i forcu Spitalet regjionale edhe bëjmë zhvillim ekonomik, edhe distribuojmë punëtorët atje.” – tha ai.
Kritikat për rinovimet në QKUK
Kandidati Ekrem Hyseni kritikoi rinovimet që janë bërë gjatë këtij mandati në QKUK – duke premtuar ndërtimin e Spitaleve të tjera.
Ai premtoi që brenda mandatit do ta funksionalizojnë plotësisht Spitalin e Ferizajit.
“Le të me thotë dikush që është rinovu Gjinokologjia dhe ndonjë lehonë duhet me udhëtu 40 metra, për me shku në banjo. Le të më thotë që është rezultat i mirë dhe unë po e pranoj.” – tha Hyseni.
Sipas tij, ardhja e VV-së në pushtet me suficit buxhetor në Shëndetësi dhe me vendimmarrje 100% e ta cilësojnë sukses të madh është nonsens.
“Pse dështoi Qendra Emergjente që ka mbet sot vetëm në tulla. Aty, vetëm për informatë, kanë dështuar 6.6 milionë euro vetëm vitin 2024 dhe kanë kaluar në suficit? Ndërtimi i institucionit në Shtime 2.6 milionë suficit. Kush e ka ndalë? Cila ka qenë pengesa e Qeverisë?” – pyeti Hyseni.
Sipas tij ka pasur një menaxhim të dobët të parasë publike gjatë qeverisjes Kurti – duke e quajtur mashtrim të madh premtimin e LVV-së për Spitalin e Podujevës.
Kandidatët e LDK-së për deputetë. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Sipas tij, të gjitha rinovimet të udhëhequra nga Ministria e Shëndetësisë janë shumë herë me të shtrenjta në të njëjtin institucion – krahasuar me rinovimet e udhëhequra nga SHSKUK.
“Merre çmimoren e Kontratës së rinovimit të Emergjencës dhe Gjinekologjisë, d.m.th. Ministria e Shëndetësisë e ka menaxhuar rinovimin e Gjinokologjisë. Ndërsa, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar (SHSKUK) e ka menaxhuar rinovimin e Emergjencës.” – tha ai.
Hyseni thotë se shumë prej shërbimeve shëndetësore që merren në institucione private dhe në institucione jashtë Kosovës janë shërbime që kryhen edhe në QKUK, ose në Spitale regjionale. Por, sipas tij, humbja e besimit në institucione publike është “defekti i madh”.
Ai përmend një rast, të cilin e cilëson edhe si dezinformatë, e që pretendon se është “shërbyer nga vetë kryeministri [Kurti]”, ku është thënë se në vitin 2016 furnizimi (me citostatikë) ka qenë 30%, për sa kohë që Raporti zyrtar i SHSKUK-së ka thënë se është 86%. “Kjo është një nga arsyet që unë e them që nuk duhet të jetë metodologji e punës propaganda.” – thotë ai.
Gjatë vitit 2024 në QKUK janë rinovuar disa Klinika – përfshirë ajo e Gjinekologjisë, Radiologjisë, Oftamologjisë, Onkologjisë, Klinika Emergjente dhe Kardiokirurgjia.
Ndër të tjera, Ekrem Hyseni përmendi edhe ish-ministrin Rifat Latifi që drejtoi Ministrinë e Shëndetësisë, kur ministri Arben Vitia kandidoi për Kryetar të Prishtinës.
Për Latifin ai zgjodhi fjalët më të mira, e për të cilin tha se flet me shumë respekt, sepse ka dëshmuar se do që Kosova të bëhet më mirë.
“Rifat Latifi nuk u gjet në ambient pune në Ministrinë e Shëndetësisë. Ka deklaru që ka pasë ambient toksik pune, që i bie, nga pozitat menaxheriale ai nuk ka mundur me i zbatu politikat shëndetësore për të cilat ka ardhur. As vizionin e tij si një profesionist i përgatitur.” – tha Hyseni.
Për mungesën e inspektimit, Hyseni tha se qysh në muajin e parë do të bëhet inspektimi për mbikëqyrjen e nivelit të pastërtisë.
“Ne do t’i zbatojmë Rekomandimet e tyre (Inspektoriatit), sepse nuk kemi mekanizëm tjetër qysh me e përmirësua Sistemin.” – tha ai.
Ndërsa për Ligjin për Duhanin, ai tha se qysh në gjashtëmujorin e parë, së bashku me Komunat, do të bëjnë një plan për të filluar ndërprerjen e pirjes se duhanit në hapësira publike.
Përvoja e LDK-së në pushtet
Lidhja Demokratike e Kosovës më së shpeshti e ka pasur fatin që të jetë në pushtet.
Pas mbarimit të luftës dhe ardhjes së Administratës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara (UNMIK) u mbajtën Zgjedhjet e para në Kosovë, në vitin 2001.
LDK fitoi shumicën e votave dhe përfaqësoi shumicën e deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës më 04.03. 2002 dhe LDK-ja formoi Qeverinë e parë pas luftës.
Kjo parti fitoi përsëri Zgjedhjet e vitit 2004, në krye me Ibrahim Rugovën, i cili ishte President deri në vitin 2006.
Ndërsa, në Zgjedhjet e vitit 2014, LDK arriti të krijonte një koalicion qeverisës me partinë e Hashim Thaçit, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të formonte një Qeveri të re në krye me Isa Mustafën.
Në Zgjedhjet e vitit 2019, LDK humbi mundësinë për të formuar një Qeveri, pasi LVV fitoi më shumë vota. LVV bëri koalicion me LDK-në, por Marrëveshja u prish pas disamuajsh kur Qeveria e Kurti u rrëzua në Kuvend në mars 2020, përmes një Mocioni Mosbesimi.
Në këtë situatë, LDK-ja, nën udhëheqjen e Avdullah Hotit, arriti të formonte një koalicion me PDK-në dhe partitë e tjera të vogla. Më 22.03.2020, Hoti u zgjodh Kryeministër i Kosovës.
Qeveria Hoti u rrëzua pas një Mocioni të dytë Mosbesimi në Kuvendin e Kosovës.
Kjo u pasua me Zgjedhje të parakohshme të shkurtit të vitit 2021, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje doli fituese.
Në Zgjedhjet e fundit në vitin 2021, LDK-ja fitoi 12.64 % – duke u renditur si partia e tretë, për nga numri i votave.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të“Debat Përnime”, Jeta Xharra ka deklaruar se askush në KALLXO.com nuk është pasanik, milioner, e le më oligark.
“Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka theksuar ndër të tjera, Xharra.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Sekretarin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Marco Rubio për marrjen e detyrës.
Në “X” Osmani ka shkruar se Kosova mezi pret të punojë me Rubion, për të forcuar aleancën në mes dy shteteve e për të adresuar sfidat.
“Kosova mezi pret të punojë me ju për të forcuar aleancën tonë të qëndrueshme, për të promovuar vlerat tona të përbashkëta dhe për të adresuar sfidat e kohës sonë së bashku. Në emër të popullit të Kosovës ju uroj suksese në këtë rol të rëndësishëm.” – ka shkruar presidentja Osmani, më 21.01.2025.
Congratulations @MarcoRubio on your unanimous confirmation as the 72nd U.S. Secretary of State.
Kosovo looks forward to working with you to strengthen our enduring alliance, promote our shared values, and address the challenges of our time together.
Marco Rubion si Sekretar i Shtetit do të jetë Shefi i parë hispanik i diplomacisë amerikane.
Mediat amerikane kanë raportuar gjatë ditëve të kaluara, se me këtë vendim Trump synon ndër të tjera ta ruajë votën hispanike, që sipas sondazheve ishte fort e rëndësishme në shtatë shtetet amerikane të fushëbetejës zgjedhore, që përcaktuan fitoren e tij kundrejt demokrates Kamala Harris.
Rubio, i cili është i informuar me rrjedhat politike në Europë – përfshirë Ukrainën dhe Ballkanin – ishte përfshirë edhe në zhvillimet politike të Kosovës në raport me fqinjët dhe botën edhe gjatë Presidencës së parë të Trumpit, kur diskutohej mundësia e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.