Ballina

Kategori: Gjatë

  • Rasti ‘sui generis’ në tenderin e Ministrisë e Shëndetësisë, bizneset fshehën emrat pas një emërtimi

    Një rast i rrallë ka ndodhur në tenderin “Furnizimi, implementimi dhe mirëmbajtja e Sistemit Packs dhe RIS të SISH”, në vlerë 3.8 milionë euro, në Ministrinë e Shëndetësisë.

    Nëpër tenderë në institucione publike Kompanitë apo Konzorciumet aplikojnë me emrat e Kompanive që janë bërë bashkë, ndërsa në tenderin 3.8 milionë euro të MSH-së nuk kishte ndodhur një gjë e tillë. Njëri nga Konzorciumet nuk kishte aplikuar me emrat e tri Kompanive, që ishin pjesë e këtij Konzorciumi “Novus” & “Sorsiks International Dooel” & “Sorsix PTY Limited”, por ishte identifikuar me emërtimin “Pacs & Workflow System”.

    Edhe te përgjigjet në kërkesat për rishqyrtim të publikuara në faqen E-prokurimi nga Ministria e Shëndetësisë dhe te Vendimi i MSH-së për anulim të tenderit, ky Konzorcium është identifikuar me emërtimin “Pacs & Workflow System”.

    Se kush “fshihet” pas këtij emërtimi është zbuluar kur Ministria e Shëndetësisë e kishte anuluar tenderin – duke i shpallur të papërgjegjshëm ofertuesit dhe Konzorciumi i përbërë nga “Novus” & “Sorsiks International Dooel” & “Sorsix PTY Limited” ishin ankuar në Gjykatën e Tenderëve.

    Ankesa në Gjykatën e Tenderëve nga ky Konzorcium është deponuar në emër të Kompanisë lidere të këtij Konzorciumi, “Novus”.

    “Është hera e parë që një grup i Operatorëve Ekonomikë identifikohet në këtë formë”

    Udhëheqësi i Prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë, Berat Marmullaku ka thënë se është hera e parë që një grup i Operatorëve identifikohet në këtë formë.

    “Megjithatë duke marrë parasysh se është hera e parë që një grup i Operatorëve Ekonomikë identifikohet në këtë formë dhe Sistemi ia lejon këtë mundësi, rasti do të trajtohet sipas dispozitave ligjore pas pranimit të Vendimit të OSHP-së.” – ka deklaruar Marmullaku.

    Ai më tej ka thënë se nuk është gjetur ndonjë dispozitë ligjore, që e rregullon këtë çështje. 

    “Procesverbali i hapjes së ofertave gjenerohet nga Sistemi, me të dhënat siç ofertojnë Operatorët Ekonomikë dhe në të rast siç ka ofertuar Operatori Ekonomik është gjeneruar procesverbali dhe Sistemi i përcjell të dhënat deri në fund të procedurës në atë formë. Është hera e parë që një grup i Operatorëve Ekonomikë identifikohet në këtë formë dhe sipas Rregullores së Prokurimit, Neni 26, nuk kemi gjetur ndonjë Dispozitë që e rregullon këtë aspekt dhe nuk ka qenë çështje e trajtimit.” – ka thënë Marmullaku.

    Po ashtu, Marmullaku nga MSH vlerëson se në këtë rast nuk ka mungesë të transparencës.

    “Nuk ka mungesë të transparencës. Në përputhje me dispozitat e Ligjit të Prokurimit Publik, të gjitha dokumentet janë të qasshme për publikun në momentin e përmbylljes së aktivitetit të prokurimit.” – ka përfunduar Marmullaku për KALLXO.com.

    Kompania “Novus”, që është udhëheqëse e Konzorciumit të identifikuar me emërtimin “Pacs & Workflow System”, ka thënë për KALLXO.com se emërtimi i Konzorciumit në këtë formë nuk përbën shkelje ligjore. Sipas tyre Ligji dhe Rregulloret përkatëse të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) nuk e parashohin ndalesën për një gjë të tillë.

    “Forma e ofertimit përmes Grupit të Operatorëve Ekonomikë është e lejuar përmes Ligjit të Prokurimit Publik, pasi ky grup i Kompanive dorëzojnë një tender tek Autoriteti Konkurues dhe janë përgjegjëse për implementim. Po ashtu, Rregullorja dhe Udhëzuesi Operativ i Prokurimit Publik, përmes Pikës 27, nuk parasheh ndalesë lidhur me emërtimet e grupeve të Operatorëve Ekonomikë.” – thuhet në përgjigjen e Trëndelina Qerimit, drejtoreshë e shitjes në kompaninë “Novus”.

    Po ashtu, ata kanë potencuar se një Operator Ekonomik nuk shpallet i papërgjegjshëm nëse vendos një emërtim të tillë.

    “Nuk është kërkesë ligjore që të vendosen në emërtim të ofertës emrat e plotë të të gjithë anëtarëve të grupit të Operatorëve Ekonomikë, pasi që ata veçse janë të qasshëm dhe të njohur. Të njëjtën kohë një ofertë nuk shpallet e papërgjegjshme, nëse vendoset një emërtim për grupin e Operatorëve Ekonomikë, si edhe u cek më lart për t’u njohur me një emërtim të përbashkët, kemi vendosur të përcjellim në atë emër.” – theksohet në përgjigjen e “Novus”.

    Ata kanë vlerësuar që nuk ka mungesë të transparencës në këtë rast, pasi të gjitha dokumentet e ndërlidhura me ta mund të jenë të qasshme online.

    “Duke qenë se dokumentacioni lidhur me grupin e Operatorëve Ekonomikë dhe të gjitha dokumentet e ndërlidhura me to janë të qasshme online apo përmes një kërkese të thjeshtë për qasje në dokumente publike tek Autoriteti Konkurues, nënkupton që nuk kemi të bëjmë me një mungesë transparence, por thjeshtë është vendosur për të lehtësuar komunikimin në mes grupit të Operatorëve Ekonomikë si ofertues dhe Autoritetit Kontraktues në këtë procedurë të prokurimit.” – përfundon përgjigjja e “Novus”.

    Një nga Konsorciumet ofertuese në këtë tender “Vepro” & “Botek” kanë thënë se ata si Kompani konkurrente nuk kanë qenë në dijeni se kush ka qenë pas emërtimit “Pacs & Workflow System”.

    “Jo (nuk kemi qenë në dijeni). Ne nuk e kemi kuptuar pas pranimit të procesverbalit të hapjes së saktë se cilat Kompani kanë qenë pjesë e këtij Konzorciumi të deklaruar.” – kanë thënë në përgjigjen e tyre.

    Po ashtu, “Vepro” & “Botek” kanë deklaruar për KALLXO.com se në përvojën e tyre 20-vjeçare nëpër tenderë publikë nuk kanë hasur në ndonjë rast të tillë.

    “Jo, ne nuk kemi pasë ndonjë rast të dytë në përvojën tonë 20-vjeçare nëpër tenderë publikë. Pavarësisht se ne jemi ndër konkurrentët në këtë projekt, përmes kësaj shkrese ju sigurojmë se në asnjë rrethanë nuk kemi asnjë tendencë për ta dëmtuar dikë, por jemi jashtëzakonisht të interesuar që të mbrojmë ligjin dhe vetëm ligjshmërinë në këtë procedurë.” – thuhet në përgjigjen e Kompanisë “Botek”.

    Ata kanë treguar po ashtu se nuk janë identifikuar ndonjëherë me ndonjë emërim tjetër, kur kanë aplikuar nëpër tenderë.

    A është e rregulluar kjo çështje?

    Në rastin e tenderit të Ministrisë së Shëndetësisë, nëse palët e treta kyçen në platformën E-prokurimi për të parë se kush ka dorëzuar ofertat, do të gjejë dokumentet në të cilat njëri nga ofertuesit mban emërtimin “Pacs & Workflow System” dhe pas të cilit nuk dihet se kush qëndron, nëse nuk kërkon qasje në dokumente publike në Ministrinë e Shëndetësisë.

    KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), nëse lejohet një emërtim i përbashkët për Konsorciumin – duke mos zbuluar emrat e Kompanive që janë pjesë të Konzorciumit ofertues në një tender.

    Në përgjigjen e ofruar me shkrim KRPP nuk ka dhënë një përgjigje konkrete në çështjen e ngritur, por ka shpjeguar se rregullat për Grupin e Operatorëve Ekonomikë i përcakton Neni 71 i Ligjit të Prokurimit Publik dhe Neni 26 i Rregullores për Prokurimin Publik. 

    “a) Dorëzon një deklaratë të qartë që të gjithë anëtarët e grupit janë së bashku dhe individualisht përgjegjës për përmbajtjen e tenderit të grupit dhe në rast se grupit i jepet Kontrata, për performancën e Kontratës; b) Dorëzon një deklaratë të nënshkruar nga secili nga anëtarët; c) Një deklaratë e nënshkruar nga të gjithë anëtarët e grupit për të autorizuar partnerin udhëheqës të veprojë në emër të grupit (deklarata elektronike mund të nënshkruhet duke përdorur nënshkrimin elektronik të avancuar, nëse është i aplikueshëm dhe secili anëtar i grupit duhet të jetë i regjistruar në platformën elektronike -kërkesë e cila duhet të përcaktohet në dosje të tenderit). (Nënshkrimi digjital i avancuar nuk është i obligueshëm deri në njoftim zyrtar nga KRPP).” – ka thënë KRPP duke cituar Paragrafët 1 dhe 2 të Nenit 26 të RRPP-së.

    Më tej KRPP ka thënë se “partneri udhëheqës” nënkupton “liderin”, të cilin përmes një deklarate anëtarët e Konzorciumit e autorizojnë për të vepruar në emër të grupit.

    Po ashtu kanë treguar se deklarata e nënshkruar nga të gjithë anëtarët të grupit për të autorizuar partnerin udhëheqës të veprojë në emër të grupit kërkohet në Dosjen e tenderit dhe në njoftimin për Kontratë me qëllim që t’i bëhet e ditur Autoritetit Kontraktues se cili nga anëtarët e Konzorciumit do të jetë lideri i grupit.

    “I cili do të veprojë në emër të grupit në rast të ndonjë sqarimi të mundshëm të ndonjë pjese të tenderit, gjatë procesit të vlerësimit të tenderëve dhe më gjerë për të përfaqësuar grupin e OE-ve në raport me AK-në (në rast të paraqitjes së Kërkesës për qasje apo në rast të  parashtrimit të Kërkesës për rishqyrtim të Vendimit të AK-së), apo në raport me OSHP-në (në rast të parashtrimit të Ankesës në OSHP kundër Vendimit të AK-së).” – theksohet në përgjigjen e KRPP-së.

    Në platformën E-prokurimi palët e treta nuk mund të shohin se kush i ka ngarkuar dokumentet, por këtë mund ta shohë KRPP si përgjegjëse për këtë platformë. KRPP i ka dërguar KALLXO.com si dëshmi një fotografi të Sistemit të E-prokurimit, në të cilën tregohet se përveç Kërkesës për rishqyrtim që është dërguar nga Kompania “Novus” – lidere e Konsorciumit “Novus” & “Sorsiks International Dooel” & “Sorsix PTY Limited”, edhe oferta është dërguar nga Kompania “Novus”.

    “Përveç Kërkesës për rishqyrtim që është dërguar nga OE ‘Novus SH.P.K’, edhe oferta është dërguar nga përdoruesi i ‘Novus SH.P.K’ – ‘trendelina.qerimi’, në emër të Grupit të Operatorëve Ekonomikë me emërtimin ‘Pacs and Workflow System’.” – thuhet në përgjigjen e KRPP-së për KALLXO.com.

    Burimi: KRPP

    Kompanitë që marrin pjesë nëpër procese të prokurimit publik duhet të jenë të regjistruara në platformën e prokurimit publik E-prokurimi.

    “Nëpërmjet procesit të regjistrimit përdoruesit krijojnë identitetin e tyre virtual (llogarinë) në Sistemin që lidhet me identitetin e tyre fizik dhe të Organizatës (Autoritetit Kontraktues ose Operatorit Ekonomik) të cilën e përfaqësojnë në Sistem. Përdoruesit që përdorin Sistemin në emër të organizatave të ndryshme duhet të kenë identitet të veçantë virtual, për çdo Organizatë që ata përfaqësojnë.” – thuhet në Paragrafin e parë të Nenit 3 të Rregullores për Prokurim Publik, i cili rregullon Kërkesat për përdoruesit e Sistemit të prokurimit elektronik.

    Ndërsa në Paragrafin e tretë të Nenit 3 të kësaj Rregulloreje tregohet se të dhënat mbi Operatorët Ekonomikë përmbajnë të paktën: emrin, shtetin, numrin e regjistrimit/numrin fiskal/numrin unik identifikues dhe nëse është një person juridik, fizik apo i huaj juridik.

    Kurse të dhënat personale të përdoruesve përbëhen nga emri dhe mbiemri i përdoruesit; e-maili, në të cilin e-mail do të pranojë mesazhet nga Sistemi i prokurimit elektronik, numrin personal të identifikimit, adresën, numrin e telefonit dhe/ose numrin e faksit, emrin e AK/OE (Organizatës) që është i lidhur me përdoruesin, titullin e përdoruesit, fjalëkalimin, emrin identifikues të përdoruesit.

    Në një përgjigje për KALLXO.com, Ardit Dragusha, hulumtues i prokurimit publik në Organizatën “Democracy Plus”, thotë se në bazë të përvojës nuk ka hasur në ndonjë rast ku Kompanitë që janë bashkuar në një Konzorcium të jenë identifikuar me një emërtim të caktuar.

    Dragusha thotë se Ligji i Prokurimit Publik lejon disa Kompani që të bashkohen dhe të paraqesin një ofertë të përbashkët në formën e një Konzorciumi, por sipas tij kur emrat e Kompanive nuk janë publike bien ndesh me transparencën dhe bëhet e vështirë për publikun të identifikojë Kompanitë.

    “Në lidhje me transparencën ekziston rreziku që të mos dihet saktë se për cilat Kompani bëhet fjalë, në qoftë se emrat e Kompanive që përbëjnë Konzorciumin nuk bëhen publike dhe në të njëjtën kohë bëhet më e vështirë për publikun dhe palët e tjera që të vlerësohen përmbushja e kritereve ligjore, financiare dhe teknike të këtij entiteti. Pra, verifikimi bëhet më i vështirë.” – ka thënë Dragusha.

    Ai ka thënë se në të kaluarën kanë ndodhur raste kur Kompanitë janë bashkuar dhe kanë krijuar një entitet juridik, me qëllimin për të ofertuar në një tender të caktuar.

    “Krijimi i një entiteti të ri juridik nga Kompanitë pjesëmarrëse në Konsorcium nuk është i ndaluar – ndonëse për këtë nuk ka definim të saktë ligjor. I tillë është rasti i entitetit juridik “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit Sh.P.K”, që është një subjekt juridik i krijuar për një Kontratë të caktuar publike, të dhënë nga Komuna e Prishtinës – Kompani e cila është krijuar ekskluzivisht për pjesëmarrje në tender, entitet ky që ishte regjistruar më 23 qershor 2023.” – ka thënë Dragusha.

    Si shkoi procedura e prokurimit?

    Më shumë se një vit më herët, më 29.11.2023, ishte shpallur tenderi “Furnizimi, implementimi dhe mirëmbajtja e Sistemit Packs dhe RIS të SISH”, për të cilin Ministria e Shëndetësisë kishte planifikuar 3.8 milionë euro.

    Në këtë tender kanë ofertuar pesë Konsorciume të ndryshme. Konzorciumi i përbërë prej Kompanive “Virtuo” & “Berg” & “Ehs” & “Ledi Med” kishin ofertuar me 3 milionë e 191 mijë e 900 euro.

    Konsorciumi “Cacttus” & “Paxera Health Corp” kishin ofertuar me 3 milionë e 767 mijë e 569 euro. Me 3 milionë e 137 mijë e 702 mijë euro kishin ofertuar Konzorciumi i përbërë prej “Vepro” dhe “Botek”.

    Konzorciumi “Medical Group” & “Shimadzu” kishin ofertuar me 3 milionë e 764 mijë e 500 euro. Kurse, Konzorciumi i përbërë nga Kompanitë “Novus” & “Sorsiks International Dooel” dhe “Sorsix PTY Limited”, nën emërtimin “Pacs and Workflow System”, kishin ofertuar me 3 milionë e 395 mijë e 505 euro.

    Më 18.07.2024, Ministria e Shëndetësisë e kishte anuluar tenderin “për mungesë të ofertave të përgjegjshme”. Ministria kishte konsideruar se në ofertat e tyre, Konzorciumet nuk kanë plotësuar kërkesat e kapacitetit teknik dhe profesional, përkatësisht disa nga anëtarët e stafit dhe kuadrove të ofruara nga secili Konzorcium përkatës nuk i plotësonin kërkesat – sipas Dosjes së tenderit.

    Konzorciumet e udhëhequra nga Kompanitë “Novus”, “Botek” dhe “Virtuo” kishin parashtruar Kërkesë për rishqyrtim në Ministrinë e Shëndetësisë, më 22.07.2024 dhe 23.07.2024.

    Mbi këto Kërkesa Ministria e Shëndetësisë ka vendosur më 26.07.2024. MSH  i ka vlerësuar Kërkesat për rishqyrtim si të pabazuara – duke e lënë në fuqi Vendimin për anulim të tenderit. Pas këtij Vendimi, tri Konzorciumet e udhëhequra nga Kompanitë “Novus”, “Botek” dhe “Virtuo” kanë deponuar Ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

    Më 15.10.2024, Organi Shqyrtues i Prokurimit ka marrë Vendim për të anuluar Vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për anulimin e tenderit dhe për ta kthyer në rivlerësim tenderin.

    Paneli shqyrtues i OSHP-së i ka aprovuar si pjesërisht të bazuara Ankesat e Konzorciumeve të udhëhequra nga “Virtuo O.P” dhe “Botek shpk”. Kurse, ofertat e tyre i ka vlerësuar si të papërgjegjshme, lidhur me mosplotësimin e Kërkesave të kapacitetit teknik dhe/ose profesional të Dosjes së tenderit.

    Po ashtu, është aprovuar si pjesërisht e bazuar Ankesa e “NOVUS” SH.P.K. 

    “Paneli Shqyrtues konsideron se veprimet dhe aktet e AK dhe vlerësimet e ekspertit shqyrtues lidhur me plotësimin ose jo të kushteve të përshkruara si më sipër dhe pohimet ankimore në këtë rast. Raporti i ekspertit shqyrtues përbën bazë që aktiviteti i prokurimit të kthehet sërish në rivlerësim – duke marrë parasysh pretendimet ankimore të OE ankues ‘NOVUS SH.P.K.’.” – theksohet në Vendimin e OSHP-së.

    Pasi ka bërë rivlerësimin e tenderit vetëm për ofertën e “Pacs & Worklow System”, pas të cilit janë Kompanitë “Novus” & “Sorsiks International Dooel” dhe “Sorsix PTY Limited”, Ministria e Shëndetësisë e ka shpallur si të papërgjegjshme ofertën e këtij Konzorciumi.

    Arsyeja e eliminimit sipas Komisionit vlerësues është se Konzorciumi nuk ka zbatuar një projekt nga një shtet i BE-së, siç është kërkuar në Dosje të tenderit; nuk ka zhvilluar produkt në disa arkitektura në shumë faqe apo nuk ka treguar se Sistemi i zhvilluar do të bëjë integrimin me pajisjet me MRI dhe CT.

    “PACS & Workflow System” më pas ka bërë Ankesë në Ministri në lidhje me këtë Vendim, por Ministria e ka refuzuar si të pabazë. Pas refuzimit nga MSH, Konzorciumi ka dorëzuar prapë Ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

    KALLXO.com ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë se pse në dy Vlerësimet për ofertën e Konzorciumit në fjalë, arsyetimet e eliminimit janë të ndryshme. Ministria në përgjigjen me shkrim, më 16.01.2025, ka thënë se Komisioni përkatës ka shqyrtuar kriteret administrative, teknike dhe profesionale.

    Sipas tyre Komisioni kishte vërejtur se disa nga kriteret administrative dhe profesionale nuk kanë qenë të plotësuara dhe për këtë arsye – sipas MSH-së – Vlerësimi i pjesës teknike është konsideruar si i panevojshëm.

    “Herën e parë janë paraqitur për vlerësim pesë oferta, ndërsa sipas Vendimit të OSHP-së në Rivlerësim ka qenë një ofertë dhe Komisioni i dytë ka pasur më të lehtë të vlerësojë ofertën në detaje. Po ashtu, meqenëse lënda është shqyrtuar nga OSHP, Komisioni i dytë e ka pasur më të lehtë të gjejë Pikat e kontestuara nga oferta teknike.” – kanë thënë nga Ministria e Shëndetësisë.

    Përveç Konzorciumit nën emërtimin “PACS & Workflow System”, në MSH është ankuar edhe Kompania “Botek”, me arsyetimin se Ministria është dashur që të bëjë rivlerësimin edhe të ofertës së tyre.

    Por edhe këtë Ankesë Ministria e Shëndetësisë e ka refuzuar, me arsyetimin se OSHP në Vendimin e saj kishte miratuar pjesërisht Ankesën e “Botek” dhe e kishte shpallur të papërgjegjshme – lidhur me mosplotësimin e kërkesave të kapacitetit teknik dhe profesional të Dosjes së tenderit.

    Edhe Kompania “Botek”, si lidere e Konzorciumit “Vepro” & “Botek” e ka dërguar Ankesën në OSHP dhe rrjedhimisht tenderi më 23.01.2025 është pezulluar.

  • Mungesa e investimeve lë pas dore potencialin turistik të Qendrës së Skijimit në Brezovicë

    Mosmarrëveshjet për kontrollin dhe keqmanxhimi i Qendrës së Skijimit në Brezovicë kanë penguar investimet e nevojshme, pavarësisht potencialit të madh që ofron për turizmin dimëror, si dhe modelin për bashkëpunimin mes serbëve dhe shqiptarëve.

    Bora e mbledhur dhe makinat e parkuara bën që rruga të ishte shumë e ngushtë për autobusin që drejtonte Angjelo Malushi. Kështu që, pasagjerët nga Shqipëria duhej të zbrisnin dhe të ecnin për 45 minuta deri në Qendrën e Skijimit në Brezovicë.

    Makinat e parkuara në njërën anë të rrugës bën që Malushi të kishte nevojë edhe për një ose dy orë të tjera për të kthyer autobusin. “Përballemi rregullisht me sfida këtu.” – tha Malushi.

    Pistat e pjerrëta të Brezovicës dikur shërbyen si rezervë për garat e skiimit në Lojërat Olimpike Dimërore të Sarajevës në vitin 1984 – dekadën e fundit të ish-Jugosllavisë.

    Qendra e Skijimit në Brezovicë / Foto: Denis Sllovinja (BIRN)

    Turistët ende vijnë, por mungesa e bashkëpunimit mes nivelit lokal dhe Qeverisë qendrore kanë penguar përpjekjet për të shfrytëzuar potencialin e plotë të këtij atraksioni malor.

    Infrastruktura e skijimit është e vjetëruar dhe qasja është larg të qenit e përshtatshme për kërkesën. Turistët ankohen për faktin se duhet të ecin larg, për shkak të mungesës së kapaciteteve të parkimit pranë Qendrës së Skijimit.

    “Bazuar në atë që kam parë, rruga duhet të zgjerohet në mënyrë që autobusët të mos bllokohen.” – tha Ermal Bala nga Tirana. 

    Skitari Ylli Hasani tha se Qendra ka nevojë për më shumë skilifte, “sepse teleferikët marrin shumë kohë”, ndërsa Shpend Murseli vuri në dyshim cilësinë e shenjave të pistave.

    “Nuk ka shumë siguri për dikë i cili mund të jetë duke skijuar për herë të parë këtu, mund të humbasin.” – tha Murseli për BIRN.

    Mosmarrëveshje për kontrollin

    Qendra e Skijimit në Brezovicë / Foto: Denis Sllovinja (BIRN)

    E ndërtuar në vitet 1970, Qendra e Skijimit ishte një nga qindra Ndërmarrjet e ‘pronësisë shoqërore’, model korporativ i ish-Jugosllavisë socialiste.

    Pas luftës, kur sulmet ajrore të NATO-s dëbuan forcat serbe dhe Kosova u vendos nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara, këto Ndërmarrje u morën nga Kosova – gjë që Serbia e kundërshtoi ashpër.

    Brezovica u rihap në vitin 2002, e drejtuar kryesisht nga serbët që përbëjnë shumicën në Komunën e Shtërpcës, ku ndodhet Qendra e Skijimit pranë kufirit jugor të Kosovës me Maqedoninë e Veriut. 

    Pistat, disa deri në 2,500 metra të larta dhe që ofrojnë borë për rreth 280 ditë në vit, kryesisht kanë qenë të pandikuara nga tensionet etnike mes serbëve pakicë dhe shumicës shqiptare, që patën shpërthyer dhe herë pas here janë përkeqësuar pas luftës.

    Qendra e Skijimit ka nevojë për miliona euro investime, por përpjekjet për ta privatizuar deri tani kanë dështuar.

    Qendra e Skijimit në Brezovicë / Foto: Denis Sllovinja (BIRN)

    Në vitin 2021, ajo u mor në administrim nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), duke qenë se Qendra ndodhet në park kombëtar nën mbrojtje. Menaxhimi i përditshëm iu delegua Drejtorisë së Parkut Kombëtar të Kosovës “Sharri”.

    Më parë, ajo drejtohej nga Komuna e Shtërpcës.

    “Të tilla probleme si ato që shohim tani nuk kanë ekzistuar kurrë.” – tha Zyra e Kryetarit të Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, anëtar i partisë serbe të mbështetur nga Beogradi, Srpska Lista, në një e-mail për BIRN.

    “Parku Kombëtar lëshon tarifa hyrjeje për automjetet dhe vizitorët, por nuk bëhen investime për të mirëmbajtur ose pastruar zonat e parkimit nga bora.” – u tha nga Zyra.

    “Në fund të çdo sezoni dimëror mbetet një grumbull mbeturinash, të cilat Komuna e Shtërpcës i pastron për arsye mjedisore, pavarësisht se janë nën përgjegjësinë e Drejtorisë së Parkut”.

    Madje, Komuna thekson se nuk ekziston komunikim me nivelin qendror.

    “Bashkëpunimi me autoritetet qendrore lidhur me menaxhimin e Qendrës së Skijimit është inekzistent dhe çdo propozim që i kemi dërguar autoriteteve qendrore është refuzuar pa asnjë konsideratë ose përgjigje nga ana e tyre.” – u tha më tej nga Komuna e Shtërpcës.

    Komuna akuzoi Qeverinë për refuzimin e dhënies së një license për menaxhimin e mbeturinave, e që këtë punë po e kryen një kompani nga Ferizaj.

    Në thelb të mosmarrëveshjes është kontrolli mbi zonën

    “Tokat në Qendrën e Skijimit janë pronë e Komunës së Shtërpcës dhe Komuna e Shtërpcës do të luftojë me mjete ligjore për të menaxhuar Qendrën e Skijimit.” – i tha Komuna BIRN-it.

    Ndërtimet e paligjshme

    Qendra e Skijimit në Brezovicë / Foto: Denis Sllovinja (BIRN)

    Që nga vendosja e Qendrës së Skijimit nën administrim të drejtpërdrejtë në janar të vitit 2021, Agjencia Kosovare e Privatizimit thotë se ka investuar për Ndërmarrjen në shumën prej 211 mijë eurosh.

    “AKP ka mandat të transformojë pronat e NSH-ve (Ndërmarrjeve Shoqërore). Nuk ka as mandat ligjor e as mundësi financiare për të realizuar investime strategjike në infrastrukturë të Qendrës së Skijimit në Brezovicë. Megjithatë, gjatë viteve të fundit AKP ka bërë investime më të vogla, të domosdoshme, për përmirësimin e performancës operative dhe/ose financiare dhe kështu të përgatitet NSH-ja për transformim të suksesshëm.” – u tha nga AKP.

    Agjencia i tha tutje BIRN-it se Brezovica është një rast i veçantë, që kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërmjet organeve lokale dhe qendrore.

    “Për shkak të natyrës së sektorit në të cilin bien asetet e Brezovicës dhe rëndësisë së kësaj Qendre jo vetëm për komunitetin, ku këto asete janë të vendosura gjeografikisht, por edhe për sektorin e turizmit/mikpritjes në nivel kombëtar, nevojitet një qasje e jashtëzakonshme dhe një angazhim i konsiderueshëm – jo vetëm nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, por edhe nga aktorë të tjerë përkatës që kanë interes në këtë çështje.” – tha ajo.

    Qendra e Skijimit në Brezovicë / Foto: Denis Sllovinja (BIRN)

    Megjithatë ajo që ka ecur tutje është ndërtimi i vilave private, në një zonë që duhej të ishte e mbrojtur.

    Një hulumtim i BIRN-it zbuloi se 800 vila dhe hotele janë ndërtuar në mënyrë të paligjshme në Brezovicë, me bashkëpunimin e zyrtarëve të lartë të Komunës, biznesmenëve dhe politikanëve.

    Megjithatë, rajoni dallohet për një arsye tjetër: për harmoninë  etnike në dhe rreth Qendrës së Skijimit.

    “Ndonjëherë bëjmë shaka për mënyrën se si i shqiptojmë ose i kombinojmë fjalët, por e kuptojmë njëri-tjetrin.” – tha Verka, një banore lokale, e cila po ndihmonte një turiste nga Shqipëria të vendoste pajisjet e skijimit.

    Një pjesëtar serb i Policisë së Kosovës foli shqip rrjedhshëm, teksa përpiqej të devijonte trafikun nga zona e parkimit që ishte mbushur.

    Pavarësisht mungesës së investimeve, Brezovica vazhdon të tërheqë numër të madh turistësh.

  • Fuqizimi i marrëdhënieve me aleatët, shtimi i njohjeve dhe anëtarësimet: Zotimet e PDK-së për politikën e jashtme

    Rinegociimi i Marrëveshjes së Ohrit, fuqizimi i marrëdhënieve me aleatët, shtimi i njohjeve të reja dhe iniciativa për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, janë disa nga premtimet e PDK-së për politikën e jashtme.

    Kandidatet për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Ariana Musliu- Shoshi dhe Blerta Deliu- Kodra, kanë kritikuar Qeverinë Kurti për mënyrën se si e ka trajtuar politikën e jashtme në katër vitet e fundit nën drejtimin e ministres së Jashtme, Donika Gërvalla- Schwarz.

    Ato premtuan se me “PDK-në në krye të Qeverisë” do të ndryshojë qasja në këtë sferë, përmes angazhimit në sigurimin e njohjeve të reja dhe në anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare.

    Qëndrim i PDK-së është që mos ta zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit, por ta rinegociojnë atë dhe të mos pranojnë kurrfarë drafti për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe pa u siguruar se gjithçka është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

    Ato janë zotuar për bashkëpunim të ngushtë me administratën e re amerikane, por kanë treguar se brenda partisë i kanë diskutuar disa pika të Marrëveshjes së Uashingtonit, e cila ishte nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, në mandatin e parë të presidentit Donald Trump, më 2020.

    Në pjesën e fundit të “DebatPërnime”, më 28.01.2025, u diskutua për investimet në rajonin e Anamoravës, gjatë të cilit, kandidati për deputet, Granit Berisha theksoi se PDK ka planifikuar ndërtimin e një parku të biznesit afër pikës kufitare me Serbinë.

    Rruga e Dialogut Kosovë- Serbi

    Kandidatja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu Shoshi, ka theksuar se një nga dëmet më të mëdha që i është bërë Kosovës në kuadër të dialogut me Serbinë është pikërisht Marrëveshja e Ohrit.

    E gjitha çka tha përkitazi me çështjet që lidhen me Dialogun Kosovë- Serbi, ishte se do të “rinegociojnë”.

    Ajo ka shpjeguar se ky shqetësim është ngritur nga PDK-ja në Kuvendin e Kosovës dhe në Komisionin për Punë të Jashtme, duke u shprehur se, “kemi kërkuar llogari edhe në Komision për Punë të Jashtme, por marr parasysh që PDK-ja ka pasur vetëm 18 deputetë, e kemi pasur të pamundur që të kemi një fuqi më të madhe legjislative që të kundërshtojmë.”

    Musliu-Shoshi ka theksuar se Marrëveshja e Ohrit ka prekur interesin kombëtar të Kosovës, pasi aty flitet për “Rezolutën 1244”, ndërsa ka shtuar se “njohja e ndërsjellë nuk është në asnjë nen.”

    Ajo ka theksuar se disa aspekte të kësaj marrëveshjeje, si “vetëmenaxhimi dhe vetëfinancimi” duke pasur fjalën për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, janë të papranueshme për PDK-në, përfshirë edhe pikën për Gjykatën e Arbitrazhit.

    Kandidatja e PDK-së Ariana Musliu-Shoshi. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    “Nuk ka marrëveshje që nuk është rinegoicuar. Edhe kjo marrëveshje që ka ardhur nga Albin Kurti mund të negociohet. Pra është mundësi të rinegociohet nëse është një Qeveri e re. Kjo është ajo çfarë ne do të bëjmë”- tha ajo, kur u pyet se çka do të bëj PDK nëse BE kërkon që kjo Marrëveshje të zbatohet si kusht për t’u anëtarësuar në BE.

    “Kështu si e tillë që është, kemi deklaruar edhe më herët, po e them edhe sot, që nuk e zbatojmë”- tha ajo.

    Musliu- Shoshi ka theksuar se në momentin që PDK-ja i ka kundërshtuar disa pika të marrëveshjes, “do të thotë që ne tërhiqemi nga ato nene dhe nuk i zbatojmë.”

    Në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ajo ka theksuar se Asociacioni në asnjë mënyrë nuk është i pranueshëm nëse brenda tij ka kompetenca ekzekutive, sepse sipas saj është i dëmshëm për Kosovën.

    “Po kërkon përgjigje ‘Po’ ose ‘Jo’ nga unë. Por këtë përgjigje nuk e kam, sepse në momentin që Bedri Hamza fiton, do të kemi një rinegociim me palën e BE-së, do të jemi në koordinim me aleatët tanë ndërkombëtarë, do të kemi koordinim të ngushtë me SHBA-në, dhe pastaj të vijmë në konkluzionin se si të veprojmë”- tha ajo kur u pyet nëse Bashkimi Europian kërkon që të hiqen Njësitet Speciale nga veriu.

    Më 18.03. 2023, Kosova dhe Serbia në Ohër të Maqedonisë së Veriut u dakorduan për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit. Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët. Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

    A e ka në plan PDK-ja zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit?

    Ariana Musliu-Shoshi, ka folur për Marrëveshjen e Uashingtonit dhe ka theksuar që PDK-ja e ka diskutuar atë dhe ka vlerësuar se “asnjëherë marrëveshjet që vijnë nga SHBA nuk i kanë sjellë dëm Republikës së Kosovës.”

    Me ardhjen e Trumpit në pushtet nëse shtrohet nevoja për zbatim të kësaj Marrëveshjeje do ta zbatonte PDK-ja, ajo ka shtuar se megjithatë, ka disa pika të Marrëveshjes që janë diskutuar brenda partisë.

    “Kjo nuk është një Marrëveshje e cila është marrëveshje që me qeverisjen e re automatikisht kërkohet të zbatohet,” ka theksuar Musliu Shoshi, duke shpjeguar se prioritetet e politikës së jashtme të SHBA-së me ardhjen e presidentit Donald Trump kanë ndryshuar dhe se “politika në rajon dhe më gjerë ka ndryshuar.”

    Ish- kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, arritën në shtator të vitit 2020 një marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të asaj kohe të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Ndër të tjera, nga kjo marrëveshje Kosova siguroi njohjen nga Izraeli, ndërsa për një vit stopoi lobimin për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe njohje të reja.

    Sipas saj, në këtë situatë, Kosova do të ketë “negociim dhe bashkëpunim të ngushtë” me SHBA-në.

    “Me një bashkëpunim të ngushtë që do të kemi me administratën Trump patjetër që do të shohim se çfarë do të bëjmë”- tha ajo kur u pyet për mundësinë përfshirjes së Liqenit të Ujmanit në tavolinën e Brukselit.

    E pyetur në të njëjtin kontekst edhe për Trepçën, ajo ka deklaruar se kjo çështje është pjesë e një grupi që merret me programin ekonomik dhe nuk e kanë diskutuar në kuadër të politikës së jashtme “nëse Trepça mund të bëhet pjesë e Dialogut”.

    Kandidatja e PDK-së Blerta Deliu- Kodra. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Megjithatë, ajo ka shtuar se “nëse ne si grup e shohim që Trepça do të jetë temë e diskutimit, atëherë do të kemi vendime konkrete dhe të sakta.” Për momentin, ka pohuar ajo, nuk është diskutuar ende. Njëjtë u përgjigj edhe në lidhje me Brezovicën.

    “Në Republikën e Kosovës asnjë pëllëmbë asnjëherë nuk do të diskutohet me Republikën e Serbisë”- tha ajo.

    Më 18.03.2023 ishte arritur Marrëveshja e Ohrit, që është aneksi i Marrëveshjes bazë të datës 27.02.2023 e nënshkruar në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja e Ohrit përmban afatet e zbatimit të Marrëveshjes bazë, e njohur si ‘Plani Franko-Gjerman’ për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Njohjet, anëtarësimet dhe menaxhimi i Ministrisë së Jashtme

    Ariana Musliu- Shoshi, ka theksuar se ka pasur një mungesë të theksuar të përpjekjeve për realizimin e disa ligjeve të rëndësishme që kanë të bëjnë me politikën e jashtme në Qeverinë e Kosovës.

    Ajo ka deklaruar se plot shtatë herë nga viti 2021 deri në vitin 2024, katër ligje që ishin premtuar nga Qeveria Kurti janë shtyrë apo nuk kanë qenë pjesë e programit legjislativ.

    “Është Ligji për Ministrinë e Punëve të Jashtme që është jashtëzakonisht i rëndësishëm; Ligji për Shërbimin e Jashtëm, jashtëzakonisht i rëndësishëm; Ligji për Diasporën; Ligji për Shërbimin e Jashtëm ka pasur nevojë për riamandamentime…”- ka thënë Musliu- Shoshi.

    Ajo ka shtuar se ka pasur nevojë për ndryshime të përmbajtjes së ligjit, duke theksuar se kjo nevojë është rritur pasi Ministria e Punëve të Jashtme “funksionon me një Rregullore e cila nuk është në përputhje me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm.”

    Musliu-Shoshi ka kritikuar edhe mungesën e transparencës në punën e Qeverisë, duke theksuar se në komision parlamentar nuk ka pasur “raportime të rregullta të ministres Donika Gërvalla- Schwarz ashtu siç e parasheh Ligji, e as të zëvdendëskryeministrit, Besnik Bislimi, që ka qenë përgjegjës për Dialogun.

    Ajo pretendon se Kosova është në një pikë që nuk ka asnjë aleat, nuk asnjë njohje dhe asnjë anëtarësim.

    “Pavarësisht se ne si PDK kemi lobuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës që Kosova të jetë anëtare e këtij Këshilli, përveç mundit të madh që kemi pasur si jashtë e si brenda kësaj Asambleje, ne kemi ardhur në pikën që kemi dështuar si shtet”, ka deklaruar Musliu- Shoshi.

    Ajo shtoi se ky dështim ka ardhur pasi “tre krerët e shtetit (Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla) që janë përgjegjës për zbatimin e politikës së jashtme, kanë refuzuar që të kenë partneritet dhe aleanca me shtetet mike të cilat na kanë ndihmuar në vazhdimësi në këtë proces.”

    Ajo përmendi shtetet që kanë qenë mbështetëse të Kosovës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë, Francën dhe Italinë.

    Musliu- Shoshi ka kritikuar gjithashtu mungesën e iniciativave për anëtarësime ndërkombëtare, duke theksuar se Kosova nuk ka ndërmarrë asnjë nismë për t’u anëtarësuar në organizata të rëndësishme si INTERPOL dhe të tjera.

    “Kemi një politikë të jashtme që është totalisht dështim” – ka thënë ajo.

    Ajo ka shtuar se PDK-ja ka një plan të qartë për të ardhmen, duke përmendur si prioritet koordinimin me aleatët ndërkombëtarë për të siguruar që Kosovës t’i largohen sanksionet.

    “Pastaj e kemi zhvillimin e bashkëpunimit të ngushtë me shtetet në rajon, por edhe me shtetet aleate siç janë SHBA dhe ato të BE-së”-  ka thënë Musliu Shoshi.

    Ajo ka përmendur si të rëndësishme edhe njohjet nga pesë shtetet e BE-së që ende nuk kanë njohur Kosovën, duke shtuar se në planin e PDK-së është edhe njohja nga shtetet në Azinë dhe Amerikën, por edhe më gjerë, pasi që për anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, Kosova ka nevojë për mbështetje nga shumë shtete.

    Musliu Shoshi ka theksuar se politika e jashtme e Qeverisë aktuale ka dështuar të trajtojë çështjet e njohjeve dhe anëtarësimeve.

    Drejt zgjedhjeve të reja vendi po shkon pa marrë ulëse në Këshillin e Europës – organizatë për të drejtat e njeriut kjo, që ishte ndër temat më të debatuara në rrafshin e anëtarësimeve, por që mbeti në një farë heshtje të pashpjegueshme. Përafërt, Kosova nuk arriti të sigurojë njohje të reja, as nga pesëshja e BE-së: Greqia, Rumania, Spanja, Sllovakia dhe Qipro. Katër të parat janë edhe anëtare të NATO-s.

    Kandidatja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka shprehur shqetësime lidhur me marrëdhëniet e Kosovës me aleatët ndërkombëtarë.

    Ajo thekson se raportet ndërkombëtare të viteve të fundit kanë shpërfaqur një rënie të madhe të Kosovës në renditjet ndërkombëtare, përfshirë Transparency International.

    Sipas Deliu-Kodrës, Kosova ka humbur pozita të rëndësishme dhe niveli i forcimit të shtetit në arenën ndërkombëtare “është shumë më i ulët se më parë”.

    Një nga çështjet kryesore që ajo thekson është funksionimi i ambasadave të Kosovës, veçanërisht ato në SHBA dhe Bruksel, që janë “me staf minimal dhe kapacitete të kufizuara”.

    Deliu-Kodra shprehet se, për fat të keq, këto ambasada që do duhej të ishin “pikë kyçe për fuqizimin e Kosovës”, janë të paafta të kontribuojnë në forcimin e shtetit, duke përmendur se ambasadorët shpesh deklarojnë se kanë “minimumin e kapaciteteve për të punuar dhe për të fuqizuar më shumë Kosovën”.

    Deliu-Kodra kritikoi qeverisjen e tanishme edhe për mungesën e bashkëpunimit dhe vizitave të rëndësishme me partnerët ndërkombëtarë.

    Ajo vuri në dukje se Kosova nuk ka pasur asnjë vizitë të rëndësishme në Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të kryeministrit Albin Kurti, për sa kohë që janë të rralla vizitat dhe shkëmbimet me institucione kyçe të SHBA-së, “duke minuar mundësinë për të koordinuar të ardhmen tonë euroatlantike.”

    Në lidhje me procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Europian, Deliu-Kodra është e shqetësuar për të ardhmen e këtij procesi.

    Ajo thekson se në takimet e fundit me partnerët e BE-së, Kosova ka marrë “vërejtje të rënda se po humb mundësinë e saj për t’u integruar në Bashkimin Europian.”

    Në lidhje me ambasadorin në Kroaci, Martin Berishaj, Deliu-Kodra tha se nuk ka ndodhur asnjëherë prej kur ajo është në politikë që një diplomat në një shtet kredibil ta vazhdoj mandatin e tij përkundër aferave të shumta korruptive.

    “Dhe, nuk ka ndodhur as edhe një herë që një kryeministër, një qeveri e tërë t’i dal në mbrojtje një njeriu i cili i ka bërë vetëm dëm demokracisë”- tha ajo.

    Deliu- Kodra tha se Partia Demokratike e Kosovës, ose kryeministri i ardhshëm, Bedri Hamza nuk do të lejojnë asnjëherë që në institucione të ketë persona që janë të përfshirë në afera të tilla korruptive dhe që kanë dëmtuar kredibilitetin e Kosovës.

    Më 29.03.2024, ambasadori Martin Berishaj ka përfunduar intervistimin e tij në Prokurorinë Speciale pas disa orë qëndrim brenda. Berishaj po dyshohet për 3 vepra të ndryshme penale. Berishaj bëri jehonë në vitin 2022, kur u përfol në mediat sllovene nën dyshimin se ka transferuar rreth 600 mijë euro te një kompani private në Mal të Zi.

    Kandidatët e PDK-së për deputetë. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Kurse për kontratën e konsulencës me Gani Jakupin, Deliu- Kodra tha se PDK-ja qysh në fillim të mandatit do t’i shfuqizoj të gjitha kontratat të cilat e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës.

    Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN Kosova përmes kërkesës për qasje në dokumente publike ka arritur të sigurojë kontratën e Gani Jakupit e cila është lidhur për periudhën qershor 2023 – qershor 2024.BIRN-it i është ofruar qasje në këtë kontratë pas betejës me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), përmes Agjencisë për Informim dhe Privatësi që të ketë qasje në dokument.

    Sipas dokumentit, çmimi i tërësishëm i kësaj kontrate është 90 mijë euro bruto dhe paguhet në 12 këste të barabarta nga 7 mijë e 500 euro.

    Anëtarët opozitarë në Komisionin parlamentar hetimor për punësimet në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, më 15.11.2024, kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, dosjen e punës hetimore disamuajshe.

    Edhe pse është themeluar qysh në mars të vitit 2024, Komisioni  hetimor parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nuk kishin arritur të gjejnë zgjidhje për mënyrën se si të vazhdojnë punën tutje.

    Planet për Anamoravën

    Granit Berisha, kandidat për deputet nga PDK-ja, vlerëson se Qeveria ka dështuar me investimet dhe projektet për Anamoravën.

    Berisha, ka kritikuar qeverinë për dështimin në realizimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore në rajonin e Anamoravës, duke përmendur se shumë projekte janë nisur, por nuk janë përfunduar, dhe disa nuk janë nisur fare.

    Ai ka theksuar se një nga projektet më të rëndësishme që ka mbetur pas është autostrada Gjilan-Dheu i Bardhë.

    Ai ka shpjeguar se segmenti që lidh Lipjanin me Bresalcin e Gjilanit, i kontraktuar në vitin 2019, ende nuk ka përfunduar, përkundër premtimeve se do të përfundonte vitin e kaluar

    Kandidati e PDK-së Granit Berisha. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    “Njëra nga ato [projekte] është autostrada Gjilan-Dheu i Bardhë. Segmenti i kontraktuar ka qenë prej Lipjanit deri në fshatin Bresalc të Gjilanit, mirëpo punimet aty nuk janë as afër që të përfundohen përkundër faktit që është premtuar se ky projekt do të përfundojë gjatë vitit të kaluar”-  tha Berisha.

    Ai gjithashtu theksoi se qeveria ka vonuar dhe nuk ka përfunduar projekte të tjera, duke përmendur stadiumin e Gjilanit dhe shtratin e lumit në qytetin e Kamenicës.

    “Ka edhe projekte që janë premtuar por që nuk janë përfunduar, e disa nuk janë nisur fare nga kjo qeveri. Një nga to është stadiumi i Gjilanit që ka qenë premtim si investim kapital por nuk ka ndodhur”- u shpreh ai.

    Berisha theksoi gjithashtu se një prioritet i tyre do të jetë përfundimi i autostradës dhe ndërtimi i segmentit të dytë të saj, që lidh Bresalcin deri te Dheu i Bardhë.

    Një tjetër projekt që Berisha vuri në dukje është ndërtimi i një parku të biznesit afër pikës kufitare te Dheu i Bardhë, për të “tërhequr investime dhe zhvilluar sektorin e prodhimit në këtë rajon”.

    “Ndërtimi i një parku të biznesit afër pikës kufitare për shkak të korridorit të Dheut [të Bardhë] dhe lidhjes me Europën, unë mendoj që ka me qenë me shumë interes për kompanitë prodhuese që t’i ndërtojnë fabrikat atje dhe të bëjnë eksportimin e shumë mallrave që mund të prodhohen atje”- tha ai.

    Në fund, Berisha theksoi se qeverisjet lokale të Kamenicës dhe të Gjilanit kanë pasur mbështetje më të madhe nga qeveria krahas komunave të tjera, por këto mundësi nuk janë kapitalizuar siç duhet.

    “Mundësitë që i kanë pasur qeverisjet lokale të Kamenicës dhe të Gjilanit, dhe mbështetja që e kanë pasur nga Qeveria ka qenë më e lartë se në komunat e tjera, siç janë Lipjani ose Ferizaj, mirëpo nuk ka ndodhur një kapitalizim i investimeve infrastrukturore apo investimeve tjera kapitale”- përfundoi ai.

    Përvoja e PDK-së në qeverisje

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka qenë në qeverisje nga viti 2008 deri në vitin 2019, por jo çdo herë si forca kryesore udhëheqëse.

    Nga viti 2008 deri në vitin 2014, PDK udhëhoqi Qeverinë me kryeministër Hashim Thaçin. Ky ishte mandati i parë dhe i dytë i saj.

    Kurse nga viti 2014 deri në 2017, PDK ishte pjesë e koalicionit qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Atëkohë, Kryeministër ishte Isa Mustafa nga LDK, ndërsa PDK mbante postin e Kryeparlamentarit.

    PDK ka qenë pjesë e Qeverisë edhe pas vitit 2017, por jo si forcë kryesore udhëheqëse. Pas vitit 2017 deri në 2019, PDK u rikthye si pjesë e koalicionit qeverisës. Këtë herë me Ramush Haradinajn nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si Kryeministër. PDK mbante disa Ministri dhe poste të rëndësishme në këtë Qeveri.

    Prej atëherë PDK-ja ka qenë vetëm në opozitë. Në Zgjedhjet e vitit 2021, prej të cilave fituese doli Lëvizja Vetëvendosje, PDK zuri vendin e dytë për nga numri i votave, më saktësisht me 16.9%.

    “DebatPërnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

    RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” tha në nisje të debatit për politikën e jashtme se “Donika Gërvalla si ministre e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca si Kryetar i Kuvendit, Vjosa si Presidente, deri tani edhe komplet Qeveria Kurti 2, me gjithë respektin ndaj tyre, janë udhëheqësia e parë pas shpalljes së Pavarësisë që po e përfundon mandatin e plotë pa asnjë njohje të vetme”.

  • Verifikimi i fakteve nga BIRN: A po ia kthen Kosova shpinën varfërisë qysh pretendon kryeministri?

    Prodhimi ekonomik është në rritje dhe shkalla e varfërisë ka shënuar rënie të lehtë, por ekonomia e Kosovës vazhdon të mbetet me të madhe e varur prej konsumit dhe investimeve të diasporës në pasuri të paluajtshme, e asnjëra prej tyre nuk do të krijojnë shumë vende pune ose ta vënë vendin në binarët e prosperitetit real

    Në kohën e fushatës për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025, kryeministri Albin Kurti pretendoi gjatë muajit se Kosova ka bërë “hapa enormë të daljes nga varfëria”.

    “Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) është rritur për 50 për qind krahasuar me vitin parapandemik 2019” – ka thënë ai.

    Megjithatë nuk është bash ashtu, së paku bazuar në të dhënat e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), që sugjerojnë se PBB-ja është rritur për 41.4 për qind ndërmjet viteve 2019 dhe 2024.

    Duke u faktorizuar shkaku i inflacionit, shkalla e vërtetë e vlerësuar e rritjes së PBB-së së Kosovës në 2024 ishte 3.8 për qind, pra më e ulët se 4.8 për qind sa ishte regjistruar më 2019. Hiseja më e madhe e saj kishte ardhur shkaku i konsumit dhe i investimit të diasporës në sektorin e patundshmërive, asnjëra prej të cilave nuk paraqesin bazë të shëndoshë për zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

    Pretendimi i Kurtit u tha disa ditë pasi Jane Sprouster, zëvendësmenaxhere për Kosovë e Bankës Botërore, deklaroi për “Kosova Press” se të ardhurat për kokë banori në Kosovë “mbesin të ulëta” krahasuar me mesataren e Bashkimin Europian dhe se “shkalla e varfërisë mbetet e lartë”, me pak mbi 19 për qind të popullsisë që jetojnë me më pak se pesë euro në ditë.

    Banka Botërore vlerëson se në vitin 2024, shkalla e varfërisë ka rënë 2.2 pikë të përqindjes në 19.2 për qind; në vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Shqipëria ka shkallë më të ulët – 20.1 për qind – porse është përmirësuar më shpejtësi më të madhe se ajo e Kosovës në pesë vitet e fundit.

    Sa për të ardhurat për kokë banori, Kosova ngel prapa pjesës tjetër të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, me një mesatare prej 5.889 euro në vit.

    Në Europë, vetëm Ukraina, e cila është në luftë me forcat pushtuese ruse që nga viti 2022, ka mesatare më të ulët për kokë banori, diku nja 600 euro më pak.

    Kritikat për ngritjet e pagave dhe “lëmoshave” sociale

    Qeveria e Kurtit është e para që do të mbarojë një mandat të plotë katërvjeçar prejse Kosova e shpalli Pavarësinë prej Serbisë më 2008, pothuajse një dekadë pasi ishte shpallur protektorat i Kombeve të Bashkuara pas luftës së viteve 1998-99.

    Stabiliteti ishte rezultat i fitores bindëse në zgjedhjet e fundit parlamentare, por qeveria është kritikuar për dështim për investim në rritje ekonomike dhe, së fundmi për ngritjen e pagave dhe shtesave sociale, për të cilat kritikët i panë me sy të dyshimtë si lëmoshë parazgjedhore.

    Ato përfshinin një “shtesë” prej 100 eurosh në fundvit për pensionistët dhe fëmijët, kumtuar nga Kurti më 22 dhjetor, dhe një ngritje pensioni prej 20 për qind në tetor. Këtë muaj, Kurti bëri të ditur një ngritje tjetër prej 20 për qind për “kategoritë të lidhura me luftën”; familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, veteranët e luftës, viktimat e dhunës seksuale të luftës, viktimat civile të luftës dhe familjet e tyre.

    Hykmete Bajrami, ish-ministre Financash nga radhët e LDK-së në opozitë, i ka përshkruar masat si “skemë e korrupsionit publik”.

    Shtesa prej 100 eurosh veçanërisht duken “më shumë si një shpërndarje e parave në kohë fushate, sesa si një masë e bazuar në analizë dhe targetim social”, ka deklaruar në dhjetor Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësisë (IKD), për Radio Europën e Lirë. Këto shtesë përbëjnë “asistencë të përkohshme”, ka thënë ai, “por nuk përbëjnë një politikë publike të mirëfilltë dhe të qëndrueshme”.

    Më herët në gusht, Kurti kishte thënë se Qeveria e tij kishte rritur pagën minimale në 350 euro nga 170 euro për personat ndërmjet 35 dhe 65 vjeç dhe 130 për ata nën 35 vjeç. Në fund të tetorit, zyrtarëve publikë iu premtua një rritje prej 55 eurosh duke nisur nga janari.

    Ekspertët atëherë i deklaruan BIRN-it se dyfishimi i pagës minimale mujore para taksave me gjasë nuk do të ketë efekt të rëndësishëm në ekonomi duke pasur parasysh se paratë do të shpenzohen kryesisht për nevoja elementare sesa për të përshpejtuar rritjen ekonomike.

    Visar Vokrri, ekonomist në grupin e pavarur të mendimit, Instituti Riinvest, në Prishtinë, ka thënë për BIRN-in se ngritja minimale u duk si “një masë e mirëmenduar e fushatës parazgjedhore nga qeveria”, e kalibruar për t’i kënaqur punëtorët pa i frikësuar pronarët e bizneseve “për të treguar se qeveria po bën ndryshime pozitive”.

    Masat pasuan ndryshime të ngjashme të mëhershme në mandatin e qeverisë, si shtesa e përmuajshme financiare për prindërit që kanë fëmijë nën 16 vjeç, duke nisur nga 10 e 30 euro në muaj.

    Megjithatë, varfëria dhe kostoja e jetesës mbeten shqetësime të vërtetë për shumë kosovarë.

    Në raportin e korrikut 2023 të Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP) nxirrej përfundimi se “krahasuar me vitin 2021, në vitin 2023 një shtesë prej dhjetë për qind e familjeve të anketuara po jetonin poshtë pragut prej 1.85 eurosh në ditë kur shtohen edhe ngritjet e çmimeve”.

    Në vitin 2023, BIRN-i raportoi për një ngritje të kostos së përjavshme mesatare të shportës familjare në 82 euro krahasuar me 62 euro në vitin 2021.

    Rritja e paqëndrueshme ekonomike

    Në raportin ekonomik të vjeshtës 2024 për Ballkanin Perëndimor, Banka Btërore shkruante për Kosovën: “Modeli i rritjes ekonomik i Kosovës bazohet kryesisht në konsum dhe investim ndërtimtarie, të financuar theksueshëm prej diasporës së vendit”.

    “Investimet e huaja të drejtpërdrejta në vitin 2024 vazhdojnë të rriten, por mbesin kryesisht të qendërsuara në patundshmëri”.

    Në një verifikim të fakteve në shtatorin e vitit 2023 pasi Kurti pretendoi se kishte dyfishuar investimet e huaja të drejtpërdrejta, BIRN-i raportoi se të dhënat tregonin se pothuajse dy të tretat e investimeve të huaja të drejtpërdrejta në vitin 2022 shkuan në patundshmëri, specifikisht në blerjen e pronave prej shqiptarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, dhe jo në sektorë të lidhur tradicionalisht me krijim të vendeve të punës ose rritjes ekonomike.

    Bazuar në të dhënat e Bankës Qendrore, periudha ndërmjet janarit dhe shtatorit 2024 rezultoi me 657.3 milionë euro investime të huaja të drejtpërdrejta, një rritje prej 6.2 për qind, ose 38.5 milion euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023 kur patundshmëritë gjithashtu kishin tërhequr shumicën e investimeve, apo rreth 71 për qind.

    “Këto nuk janë investime të qëndrueshme, por investim diaspore në blerje patundshmërish”, ka thënë për BIRN-in në shtator 2023 Emrush Ujkani, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Europianë në Kosovë, një shoqatë e investitorëve të huaj të mëdhenj.

    Sipas Bankës Botërore, “rritja e konsumit privat (9.7 për qind në vit) pati kontributin më të madh” për PBB-në dhe “në anën e ofertës, taksat të lidhura me produktet e konsumit kontribuuan më së shumti rritjes ekonomike”./BalkanInsight.com

  • Emisarë specialë për njohje dhe dërgim të draftit të Asociacionit në Kushtetuese: Plani i Koalicionit AAK-Nisma për politikën e jashtme

    Angazhimi i 10 emisarëve specialë për njohje, reforma rrënjësore në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe zbatimi i krejt obligimeve të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë në Bruksel, janë disa nga premtimet zgjedhore të Koalicionit AAK-Nisma, në aspektin e politikës së jashtme.

    Haki Abazi, Fatmir Matoshi dhe Labinot Gjini, kandidatë për deputetë nga Koalicioni AAK, Nisma, Konservatorët, Forumin Intelektual E-30 dhe Lista Ideal, premtojnë që nëse do të vijnë në pushtet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, do ta reformojnë politikën e jashtme.

    Për ta, politika e jashtme dhe diplomacia në katër vitet e fundit në krye me ministren e Jashtme, Donika Gërvalla- Schwarz, ka dështuar në çdo segment, duke nisur nga mungesa e njohjeve dhe e anëtarësimeve e deri te dobësimi i marrëdhënieve me aleatët e ngushtë.

    Me kryefjalë anëtarësimin në NATO, këta tre kandidatë shpërfaqen edhe disa ide për zhvillimin e kësaj fushe.

    Në “Debat Përnime”, më 27.01.2025, ndër të tjera, ata shprehen qëndrimin për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese. Krahas kësaj, treguan se në planin e tyre është edhe angazhimi 10 diplomatëve specialë për të fituar njohje të reja të shtetit. Njëherësh, këta tre kandidatë për deputetë shpalosën programin për reforma në Ministrinë e Punëve të Jashtme si dhe bënë të ditur kërkesën për 20 ulëse për mërgatën në Kuvendin e Kosovës.

    10 emisarë specialë për politikën e jashtme

    Koalicioni AAK-Nisma e cilëson anëtarësimin në Aleancën Veri- Atlantike si mision themelor edhe në aspektin e politikës së jashtme. Përveç saj, ky koalicion si hap kryesor e sheh edhe anëtarësimin në Bashkimin Europian.

    Premtim tjetër i tyre është një reformë e thellë në Ministrinë e Jashtme duke përmbledhur brenda vetës katër shtylla kryesore: njohjet e reja, sigurinë e mbrojtjen, marrëdhëniet tregtare dhe zhvillimin ekonomik dhe diplomacinë kulturore.

    Kandidati për deputet, Haki Abazi, shprehet i brengosur për gjendjen në të cilën gjendet Kosova në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai pretendon që MPJD, për katër vite ka punuar me një urdhëresë administrative dhe nuk ka sjell asnjë një ligj të vetëm në Parlamentin e Kosovës.

    Abazi, gjatë minutazhës së tij, shfrytëzoi kohën për të bërë fushatën kundër qeverisjes së Vetëvendosjes, pjesë e së cilës ishte për disa vjet edhe ai vet, qoftë në Qeveri, qoftë në Kuvend. Ndërsa në pjesën tjetër, ai tregoi edhe disa nga pikat kryesore që i ka përgatitur AAK-Nisma për të zhvilluar politikën e jashtme.

    “Në muajin e parë është premtuar që do të sillet Ligji për shërbimin diplomatik, ku do të rregullohen të gjitha procedurat dhe funksionimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, përfshirë edhe fuzionimin e Ministrisë së Diasporës”- tha ai.

    Kandidati për deputet, Haki Abazi. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Abazi pretendon se vendimet që janë marr nën qeverisjen e ministres Donika Gërvalla- Schëarz për diplomatët janë bërë me çelës politik. Sipas tij, edhe ata diplomatë që kanë kaluar përmes Komisionit për Punë të Jashtme, të cilin vetë e ka udhëhequr për dy vite, kanë qenë njerëz politik.

    “Kanë qenë njerëz politik duke i eliminuar të gjithë profesionistët dhe si rezultat asnjë njohje, asnjë progres në anëtarësim në mekanizma ndërkombëtarë, institucione ndërkombëtare siç është UNESCO, INTERPOL”- tha ai.

    Abazi tha se si koalicion zotohen që asnjëherë gjatë mandatit, nëse e fitojnë, nuk do të ketë “hidhërime fëmijërore” ku njerëzit kryesorë që bartin përgjegjësi për ta dizajnuar politikën e jashtme dhe për ta implementuar atë, të mos jenë në “divergjencat që kemi parë në këtë katër vjeçar”.

    Ai tha se kanë pasur raste të shkruara me dokumentacion në Komisionin e Punëve të Jashtme, që është i obliguar sipas ligjeve dhe Kushtetutës të bëjë intervistimin e kandidatëve të cilët nuk e kanë kaluar këtë procedurë, dhe sipas tij, është tejkaluar vendimi i Komisionit për shkak të lidhjeve politike.

    “Unë po flasë për procedurën. Nëse nuk keni treguar lojalitet të plotë ndaj mekanizmave që kanë marrë vendim prej presidentes deri të kryeministri, ka qenë e pamundur që kandidati-kandidatja të vendoset në pozitën e ambasadorit”- tha ai.

    Abazi tha se për Koalicionin AAK-Nisma, vlerësimi i përformancës është çështja kryesore, pasi që sipas tij, nuk është problemi tek ambasadorët, por tek mungesa e fokusit dhe prioriteteve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të mekanizmave tjerë që e kanë për detyrë të angazhohen.

    “Është bërë diplomaci egocentrike e njerëzve pa analizë dhe pa fokus. Rjedhimisht askush në shërbimin e jashtëm nuk duhet të frikësohet prej diskriminimit …, por duhet të jenë të gatshëm që jo njëherë në vit ata të takohen sa për sy e faqe nëpër hotele të Prishtinës, po të jenë aktivisht në dizajnimin e politikave të jashtme dhe implementimin e tyre në vendet ku ata veprojnë”- tha ai.

    Në planet e tyre, Abazi tha se kanë që të vendosen 10 emisarë specialë për njohje, për vendet e BE-së dhe në kontinetet që ka vende që ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet.

    “Ne planifikojmë t’i kemi 10 emisarë specialë për njohje, një për vendet e BE-së dhe [të tjerët] në kontinentet [tjera], pasi kemi vende që ende nuk e kanë njohur [Kosovën], e që duhet të kemi një angazhim special”- thotë Abazi.

    Plani i dytë, sipas tij, është që të krijohet Agjencioni për Zhvillim Ndërkombëtar ku mund të merren iniciativa me vendet që mund të mos e njohin e Kosovën, “por ne mund të ju ndihmojmë në aspekte të ndryshe ku Kosova i sheh si prioritet”.

    Në lidhje me ambasadorin në Kroaci, Martin Berishaj, Haki Abazi tha se AAK-ja nuk e ndjek askënd politikisht për veprimet jolegale që ka bërë, por inkurajon prokurorin ta përfundoj këtë tregim “se çfarë ka ndodhur me atë transfer financiar, a ka qenë apo nuk ka qenë ky emër i përfshirë në tregti e energjisë me Serbinë.”

    Abazi tha se në momentin kur e shohin që aty ka informacion, fakte edhe të dhëna të vërteta, Berishaj do të suspendohet menjëherë.

    Ndërkaq, kandidati Fatmir Matoshi tha se Kosova në politikën e jashtme është në një situatë ku Presidentja e vendit Vjosa Osmani, nuk dëshiron ta takojë ambasadorin e akredituar gjatë vizitës në Kroaci.

    “Partia në pushtet edhe presidentja e kanë ndërtuar vetë këtë lloj diplomacie dhe në mungesë të politikës së jashtme vendosin agjentë tregtarë të energjisë elektrike nëpër pozita të ambasadorëve”- tha Matoshi.

    Drejt zgjedhjeve të reja vendi po shkon pa marrë ulëse në Këshillin e Europës – organizatë për të drejtat e njeriut kjo, që ishte ndër temat më të debatuara në rrafshin e anëtarësimeve, por që mbeti në një farë heshtje të pashpjegueshme. Përafërt, Kosova nuk arriti të sigurojë njohje të reja, as nga pesëshja e BE-së: Greqia, Rumania, Spanja, Sllovakia dhe Qipro. Katër të parat janë edhe anëtare të NATO-s.

    Përmirësimi i marrëdhënieve me aleatët

    Haki Abazi vlerëson se ka pasur një vakum të plotë në marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në.

    “Para disa ditësh u ktheva nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjendja jonë atje është ne alarm për shkak të vakumit të plotë, keqpërdorimit të marrëdhënieve që kemi pasë e kemi me SHBA-në dhe mungesën e plotë të sinqeritetit me të cilën kryeministri e ka udhëhequr politikën e jashtme bashkë me zonjën Gërvalla”- tha ai.

    Abazi pretendon se ministrja Gërvalla në momentin e tranzicionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pra pas kalimit të pushtetit nga demokrati, Joe Biden, në duart e republikanit Donald Trump, gjatë ditës së inaugurimit më 20.01.2025, ka shpenzuar mijëra euro e nuk ka realizuar asnjë takim të vetëm. Sipas tij, Gërvalla është kthyer në Kosovë pa dhënë llogari se çfarë ka ndodhur në SHBA.

    “Kemi huqje totale të katër viteve të bashkëpunimit me administratën Biden, që ka qenë administratë e Partisë Demokratike dhe mund ta merrni me mend se si mund të duket skenari nëse e udhëheq po kjo strukturë Kosovën, se çfarë do të jetë raporti me administratën Trump”- tha ai.

    Kosova është duke negociuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të blerë helikopterë ushtarakë.

    Ndërsa, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka marrë dritën e gjelbër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në blerjen e helikopterëve, radarëve dhe mbrojtjes ajrore – kishte deklaruar Ministria e Mbrojtjes me 15.01.2025.

    Siç thekson Minstria, kjo është konfirmuar nga vizita zyrtare në SHBA e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedoncit.

    “Mbështetja e SHBA-së përbën një shtyllë të rëndësishme për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e Kosovës, si një vend me vizion euroatlantik. Mirënjohje të thellë për aleatin tonë të përhershëm, SHBA-në, për ndihmën dhe besimin e vazhdueshëm.” – citohet ministri Maqedonci, në postimin e publikuar më 15.01.2025 nga Ministria e Mbrojtjes.

    Në lidhje me këtë çështje, Abazi pretendon se kjo është një kërkesë e zotim i ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, që është vendos në tavolinë në vizitën e fundit të tij, mirëpo “nuk ka asnjë hap konkret për këtë çështje”.

    “Mirëkuptimi i SHBA-ve ekziston, por sanksionet janë të heshtura. Për një vit nuk kemi lëvizje sa i përket furnizimit që ato të jenë në Kosovë”- tha ai.

    Njëjtë tha për sanksionet e Bashkimit Europian, që sipas tij, nuk ka asnjë ecje drejt heqjes së tyre.

    Kandidati Labinot Gjini tha se qasja partiake ka ndikuar në të gjitha sferat e politikës së jashtme.

    “Simbolika më fortë ishte kur zoti Kurti mori pjesë në tribunat e Partisë Demokrate të Bidenit. Kjo qasje është e tërësishme në çdo raport përtej Prishtinës, duke ia filluar me Tiranën siç e mbani në mend, kishte vajtur për të bërë fushatë edhe si kryeministër në Tiranë, edhe si kryeministër në Shkup”- tha ai.

    Gjini pretendon se kryeministri Kurti para se të jetë kryeministri i një shteti, ai është vetëm një kryetar i një partie që pesë vjetët e fundit mendon që ta shtrijë Vetëvendosjen nëpër botë dhe ne mërgatë.

    Dërgimi i draft-statutit të Asociacionit në Kushtetuese

    Dialogu Kosovë- Serbi është një nga pikat më të nxehta të politikës në Kosovë.

    Abazi tha se të gjitha obligimet që ka Kosova në këtë proces, do të jenë në agjendën e zbatimit, pa e prekur Kushtetutën e Kosovës dhe pa e prekur integritetin territorial.

    “Krejt obligimet që Kosova i ka marrë duhet t’i zbatoj, sepse janë dakordime tripalëshe. Kur them tripalëshe është Kosova, Bashkimi Europian dhe SHBA-të. Këto janë zotime që Kurti i ka bërë në Bruksel dhe në Ohër para BE-së dhe SHBA-së”- tha ai.

    Abazi tha se statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet të dërgohet me shpejtësi në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim, siç thotë ai “për të ja hequr lakun edhe kurthin Kosovës dhe për të ia hapur rrugët e negociatave me katër vendet e NATO-s që nuk e kanë njohur Kosovën”.

    Se a e lejon AAK-ja që të diskutohet Trepça në tavolinë me Serbinë, Abazi tha jo.

    “Dialogu ka prodhuar çfarë ka prodhuar- janë obligimet e Kosovës. Janë obligimet e Serbisë të mbikëqyrura nga BE dhe SHBA. Do insistojmë që dialogu të kthehet në mekanizëm bilateral ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”- tha ai.

    Ndërkaq për Marrëveshjen që është nënshkruar nga ish-kryeministri Avdullah Hoti me Donald Trumpin gjatë mandatit të kaluar, Abazi tha se qëndrimi i tyre është që çdo gjë që ngritet nga administrata e Presidentit Trump të ulen me seriozitetin me të madh të mundshëm t’i japin fokusin e duhur.

    Kandidati për deputet, Fatmir Matoshi. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Kurse, Fatmir Matoshi konsideron që Qeveria në krye me Vetëvendosjen është tallur me Dialogun.

    “Tallja me dialogun edhe përdorja e dialogut për poenë politik e popullizëm, normalisht që e ka sjellë Kosovën në këtë situatë”- tha ai.

    Sipas tij, LVV-ja për këto katër vite dialogun e ka përdorur që të realizojë fotografi në tavolinat e Brukselit, ku nuk zgjaten duart mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

    Në mars të vitit 2025, bëhen dy vite qëkur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri kosovar dhe presidenti serb, ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.

    Dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

    Marrëveshja me 11 nene, ndër tjera parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut. Megjiithatë kjo marrëveshje ende ka mbetur e pazbatuar.

    Kosova dhe Serbia janë në bisedime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011.Ky proces fillimisht kishte nisur për çështje teknike, për të kaluar më pas në nivel politik. Edhe pse janë nënshkruar marrëveshje, shumica prej tyre nuk janë zbatuar, ndërsa dialogu vazhdon të shihet herë si i “vdekur” e herë në “komë”.

    Sanksionet e BE-së

    Kandidati për deputet, Fatmir Matoshi, ka komentuar masat që Bashkimi Europian ka vendosur ndaj Kosovës, duke thënë se ato janë të padrejta, por se arsyet që kanë çuar në to janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Qeverisë.

    Matoshi theksoi se “duhet kërkuar përgjegjësi te Qeveria e Kosovës, sepse Kosova asnjëherë më parë nuk ka pasur masa të tilla”.

    Ai po ashtu theksoi se transformimi i FSK-së në Ushtri ishte një tjetër moment kur Kosova kishte mbështetje, veçanërisht nga SHBA, dhe se “Javelinat ishin pjesë e asaj marrëveshjeje, për të cilën është dakorduar që Ushtria e Kosovës të njihet nga ushtria më e madhe në botë, ajo e SHBA-së”

    Në lidhje me këto masa, Matoshi tha se qytetarët e Kosovës po i vuajnë pasojat, ndërsa përgjegjësia për situatën aktuale, sipas tij, është ekskluzivisht e Qeverisë së Kosovës.

    “Përgjegjësia për masat që kemi sot është ekskluzivisht e Qeverisë së Kosovës. Paramendojeni se çfarë mund të kishte ndodhur pas ngjarjeve të Banjskës dhe ne ende të përballemi me këto masa” – shtoi ai.

    Kandidatët për deputetë nga AAK-ja. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Për të bindur BE-në për heqjen e masave, Matoshi ka propozuar disa hapa. Ai ka rekomanduar që Qeveria e Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, duhet të ndalojë takimet e padobishme për të bërë fotografi me delegacionet serbe dhe të ulet sinqerisht me partnerët ndërkombëtarë.

    “Kosova duhet të ulët dhe të flasë sinqerisht me ata që ka pasur gjithmonë marrëdhënie të drejtpërdrejta dhe të besueshme”, tha Matoshi.

    Ai ka theksuar gjithashtu se një vend që mbahet me Njësi Speciale nuk mund të quhet i sigurt.

    “Sot, kushdo që thotë se ka siguri në veri të Kosovës, e ka gabim. Aty ka siguri vetëm për shkak të pranisë së Njësisë Speciale. Po të kishte siguri të vërtetë, Policia e rregullt do të patrullonte në atë territor, ashtu siç ndodh në pjesët e tjera të vendit,” përfundoi Matoshi.

    Kurse, Haki Abazi ka theksuar se një prej gabimeve më të mëdha të kryeministrit Kurti ishte fakti që, sipas pretendimeve të tij, ai nuk iu ka përgjigjur thirrjes së ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kur janë ndërmarrë veprimet në veri.

    “Skandali- që u tha edhe në Uashington, është që kur janë bërë veprimet në veri, kryeministri nuk e ka kapur telefonin kur është thirrur prej ambasadorit të SHBA-së” – tha Abazi.

    Ai ka theksuar se Qeveria Kurti ka krijuar një narrativë të rrejshme duke u përpjekur t’i manipulojë qytetarët.

    “Llogaritni çka jemi t’u i ba popullit t’u e rrejt, ose që e ka rrejt për katër vite, se të gjithë qenkan gabim, por ne nuk qenkemi gabim. Të gjithë ata që na kanë njohur, të gjithë ata që na kanë çliruar, të gjithë ata që na kanë ndihmuar e na ndihmojnë me ndërtuar shtetin tonë qenkan gabim, dhe në formën e popullizimit më të ulët tentohet të helmohet qytetari dhe populli i Kosovës kundër partnerit strategjik” – theksoi ai.

    Më tej, Abazi ka theksuar se situata është e lidhur me interesa më të mëdha që e tejkalojnë çështjen e Kosovës.

    Ai theksoi se Serbia ka nënshkruar disa marrëveshje strategjike me fuqitë ndërkombëtare të cilat e bëjnë Serbinë më dominante në Ballkanin Perëndimor.

    “Serbia ka nënshkruar marrëveshje strategjike me SHBA-në për energjinë, me Francën për kapacitete ushtarake dhe me Gjermaninë për litiumin. Këto marrëveshje, të cilat janë bërë me partnerët tanë që na kanë ndihmuar dhe vazhdojnë të na ndihmojnë, po e bëjnë Serbinë më të fuqishme në rajon”- theksoi ai.

    Sipas Abazit, masat që po vendosen ndaj Kosovës janë pasojë e veprimeve joserioze dhe populliste të Qeverisë Kurti, që po tenton të manipulojë me sentimentin publik për të arritur te votat.

    Abazi ka folur edhe për nevojën e kthimit të demokracisë në komunat e Kosovës, veçanërisht në veri.

    “Çfarë do të bëj Aleanca është që të kthehet te demokracia. Secila komunë e Kosovës meriton të ketë përfaqësuesin e vetë që zgjidhet në bazë të ligjit zgjedhor dhe numrit të votave që përfaqëson. Edhe komunat e veriut duhet të kthehen te demokracia,” ka thënë ai.

    Abazi ka theksuar se periudha e pasigurisë dhe krizës që po kalon Kosova ka pasur pasoja negative, duke përfshirë rënien e turizmit.

    “Për shkak të krizës, 25 përqind më pak turistë kemi në vitin 2024 sesa në vitin 2023. Kjo është humbje për hotelet, për prodhuesit bujqësorë, për produktet tona dhe për të ardhurat nga turizmi”- pretendoi ai.

    Ai gjithashtu ka theksuar se kjo situatë ka shkaktuar një domino-efekt negativ për projektet e turizmit, duke përmendur si shembull zhvillimin e Brezovicës.

    Sipas Abazit, Qeveria Kurti, duke u përpjekur të krijojë një marrëdhënie me Serbinë, ka bërë që serbët në veri të jenë më të rëndësishëm se shumica e shqiptarëve në jug.

    Masat ndaj Kosovës ishin vendosur si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët e rinj nisën punën e tyre në komunat në veri, pas zgjedhjeve që u bojkotuan nga serbët lokalë. Ndër masat e BE-së është edhe suspendimi i përkohshëm i punës së trupave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

    Kosova, po ashtu, nuk ftohet në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale janë suspenduar, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Masat tjera janë suspendimi i programimit të fondeve për Kosovën në kuadër të IPA 2024 (Fondet e Para-Anëtarësimit).

    Koncepti i 20 ulëseve të diasporës

    Kandidati për deputet, Labinot Gjini, i cili ka jetuar 37 vite në Francë e është kthyer të jetojë në Kosovë që tri vite, ka theksuar rëndësinë e përfaqësimit të diasporës në Kuvendin e Kosovës, duke propozuar 20 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

    Ideja që ai shtroi është që të zëvendësohen me ato të komuniteteve joshumicë. Ai këtë ide fillimisht e ka paraqitur si koncept të tij, e jo pjesë të programit të AAK-së, por pa përjashtuar mundësinë që mund të bëhet pjesë e programit.

    Ai sugjeroi që diaspora të ketë përfaqësues të vetë dhe mundësinë e një vote të dyfishtë.

    Gjini gjithashtu u shpreh se 20 ulëset për minoritetet nuk kanë më kuptim, pasi ato ishin krijuar pas luftës dhe për integrimin e grupeve të caktuara.

    Nga numri prej 20 ulëseve në Kuvendin e Kosovës, dhjetë janë të garantuara për përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë. Ndërkaq, dhjetë ulëse të tjera janë të garantuara për pakicat joserbe. Prej tyre tri ulëse i takojnë komunitetin boshnjak, dy ulëse për komunitetin turk, për përfaqësuesit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian nga një ulëse, si dhe një ulëse shtesë për njërën nga këto bashkësi, e cila fiton më së shumti vota. Një ulëse i takon komunitetit goran.

    “Duhet të kthehet Ministria e Diasporës, por unë do kisha thënë diçka edhe më ndryshe. Diasporës duhet t’i ndahen njëzet ulëse në Kuvend, dhe ata të kenë udhëheqësit e vetë, një votë të veçantë, mund ta bëjmë me votë të dyfishtë, por të paktën të kenë përfaqësuesit e vetë nga mërgata. Ato ulëse ose mund të merren – gjë që sot nuk ka sens që të kemi 20 ulëse për minoritetet”- tha Gjini.

    Kandidati për deputet, Labinot Gjini. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Gjini tha se një gjë e tillë mund të ndërrohet në bashkëpunim me minoritetet. Ulëset për komunitetet joshumicë në Kosovë janë ta garantuar me Kushtetutën e Kosovës. Andaj, një ndryshim i tillë nënkupton edhe ndryshim të Kushtetutës.

    Kur nga ekipi i “Debat Përnime” Gjini u pyet disa herë se si do ta bëjnë një gjë të tillë përderisa kërkohet ndryshimi i Kushtetutës, ai tha se mund ta ndryshojnë sistemin.

    “Në atë moment që do të kemi siguri dhe je i anëtarësuar në mekanizma ndërkombëtarë, nuk është e pamundur të ndërrohet sistemi, se nuk ka sens më që t’i kemi 20 ulëse të minoriteteve”- tha ai.

    Kurse, kur u pyet përsëri se a është kjo një ide e tij apo është pjesë e programit të AAK-së, Gjini u shpreh se në AAK e kanë lirinë që të shtojnë anekse në programin zgjedhor.

    “Në Aleancë ne nuk e kemi një shef qysh është Dejona Mihali e cila na dikton programe, ide e koncepte. Zoti Haradinaj ka bërë me bashkëpunëtorët e tjerë në koalicion ku thotë se ky plan-program është bazë. Do të thotë ju mund të shtoni anekse sa të doni. Në qoftë se e them unë, o do të bëhet program, ose është në program”- u shpreh ai.

    Në lidhje me këtë ide të bashkëpartiakut të tij, Haki Abazi e qartësoi duke sqaruar se anëtarësimi i Kosovës në NATO përmes planit të aksionit nuk ka lidhje me heqjen e ulëseve për minoritetet në Kuvend.

    “Anëtarësimi në NATO është një proces që ka planin e aksionit të tij, por nuk ka asnjë lidhje me përfaqësimin e komuniteteve në Kosovë,” ka thënë Abazi.

    Duke u munduar ta “përmirësojë” Gjinin, ai mohoi pohimet për mundësinë e heqjes së ulëseve për minoritetet, duke theksuar se “jo, absolutisht nuk do të hiqen (ulëset e komuniteteve). Nuk e tha një gjë të tillë.”

    Kurse Gjini, e arsyetoi deklaratën e tij duke thënë se Kosova duhet ta përmirësojë vazhdimisht infrastrukturën e saj.

    “Nuk thashë se duhet t’i përjashtojmë, por në bashkëpunim me ta të gjejmë forma të reja, për shkak se i kemi tejkaluar format e vjetra”- tha ai.

    Mërgata e Kosovës shpesh bën një votë kryesisht emocionale, e cila nuk është e territorializuar, çka do të thotë se individët që jetojnë jashtë vendit nuk janë të lidhur realisht me interesat dhe problemet që ka vendi, beson Gjini.

    Sipas tij, ky absolutizëm që ushtrohet mbi mërgatën shqiptare përmes popullizmit dhe kërkesës për një votë emocionale është një fenomen që duhet ndaluar.

    Ai shton se Albin Kurti, bashkë me “emisarët e tij”, po tentojnë të ndajnë thellësisht shqiptarët e Kosovës nga ata të Shqipërisë, duke e filluar këtë ndarje që nga ambasadat.

    “Zotëri Kurti bashkë me emisarët e tij në mërgatë janë duke e ndarë shqiptarinë, thellësisht mërgatën e Kosovës me atë të Shqipërisë”- tha ai.

    Gjini gjithashtu ka theksuar se Kosova është e izoluar në politikën e jashtme sepse i ka izoluar ambasadat e veta.

    Përvoja e Aleancës në pushtet

    Në Zgjedhjet e fundit të vitit 2021, AAK fitoi 7.07% të votave. Me këtë zuri 8 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

    Ramush Haradinaj në vitin 2005 ishte për tre muaj Kryeministër i Kosovës. Në atë kohë, ai dha dorëheqje pas 100 ditësh qeverisjeje, pasi u akuzua nga Tribunali i Hagës për “krime lufte”.

    Kjo parti e mori pushtetin edhe njëherë në vitin 2017, por kësaj radhe në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës dhe NISMA-n, i njohur si PAN. Qeveria Haradinaj e filloi mandatin më 09.19.2017, pas humbjes së Isa Mustafës dhe zgjati deri më 3 shkurt 2020 pas humbjes në Zgjedhjet parlamentare të vitit 2019.

    Qeveria Haradinaj ishte formuar gjatë një seance maratonike në Kuvendin e Kosovës, me 61 vota – minimumi që i duhet një Qeverie për ta marrë besimin e deputetëve.

    Votimi i Ekzekutivit kosovar ishte mundësuar falë votave të deputetëve të subjektit politik nga radhët e komunitetit serb, Listës Serbe, e cila u largua më vonë nga Qeveria. Rrjedhimisht, kjo bëri që koalicioni qeverisës që përbëhej nga PDK-AAK-NISMA të mos i ketë votat e duhura për vendimmarrje në Kuvendin e Kosovës.

    AAK në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 garon në koalicion me Nismën, Konservatorët, Forumin Intelektual E30 dhe me Listën Idealin.

    “DebatPërnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. 

    RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com. 

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” tha në nisje të debatit për politikën e jashtme se “Donika Gërvalla si ministre e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca si Kryetar i Kuvendit, Vjosa si Presidente, deri tani edhe komplet Qeveria Kurti 2, me gjithë respektin ndaj tyre, janë udhëheqësia e parë pas shpalljes së Pavarësisë që po e përfundon mandatin e plotë pa asnjë njohje të vetme”.