Ballina

Kategori: Gjatë

  • Polici mjedisore, central me gaz dhe rritje të subvencioneve: Koalicioni AAK-Nisma për ambientin dhe bujqësinë

    Koalicioni AAK-Nisma, në kuadër të programit zgjedhor premton polici mejdisore, mirëmbajtje të shtretërve të lumenjve, central me gaz dhe rritje të subvencioneve në bujqësi.

    Për mjedis, bujqësi dhe infrastrukturë, koalicioni AAK-Nisma premton ndërtimin e impianteve për ujëra të zeza, mbylljen e Termocentralit “Kosova A”, ndërtimin e një centrali me gaz, polici mjedisore, mirëmbajtje të shtretërve të lumenjve dhe rritje të subvencioneve në bujqësi.

    Smajl Latifi, Fatmir Matoshi dhe Emine Daci-Zejnullahu, kandidatë për deputetë nga ky koalicion fajësuan Qeverinë Kurti për dështime në bujqësi, infrastrukturë dhe mjedis. Sipas tyre, jo që nuk është bërë mjaftueshëm në zhvillimin e këtyre sektorëve, por përkundrazi, projektet kanë stagnuar.

    Të tre këta kandidatët nga rajone të ndryshme të Kosovës, gjatë shpalosjes së programit zgjedhor në “DebatPërnime”, më 30.01.2025, kanë dhënë edhe zotime për realizimin e një sërë projektesh në fushën e mjedisit dhe për zhvillimin e sektorit të bujqësisë.

    Cilat janë zgjidhjet e parapara për mjedisin?

    Fatmir Matoshi, kandidat për deputet nga koalicioni AAK-NISMA, ka përmendur disa prej prioriteteve të koalicionit për përmirësimin e gjendjes mjedisore dhe të energjisë në Kosovë. Këto përfshijnë përmirësimin e kushteve të ujit, ajrit, trajtimin e ujërave të zeza, mbrojtjen e parqeve nacionale, dhe shtimin e rezervave ujore për vendin.

    Sipas tij, “sot veç rreth 10% e ujërave të zeza trajtohen nëpër impiante,” duke theksuar se Kosova është “vend dukshëm më i varfër në Europë për rezerva ujore.”

    Matoshi ka kritikuar Qeverinë Kurti për mungesën e progresit në këtë fushë. Ai ka theksuar se “duhet me fillu sa më parë ndërtimin e rezervuarëve të rinj të ujit” dhe ka pretenduar se në katër vitet e fundit “ne vetëm kemi degju fjalë, lokacione vende ku do të ndërtohen digat (ujëmbledhësit),” por pas disa muajsh, këto lokacione shpalleshin për asfaltim rrugësh. 

    Sipas tij, kjo është një “keqpërdorim i buxhetit dhe një planifikim i keq” që ka dëmtuar zhvillimin e projekteve strategjike.

    Ai tha se kanë plane për ndërtimin e digave të reja në disa pjesë të Kosovës, dukë i cilësuar si shumë të nevojshme për vendin.

    “Ka ende punë që duhet me u bë edhe në aspektin e përgatitjes me plane, me projekte që duhet me u bë për Digën e Dragaçinës, Digën e Skenderajt, Digës në Shusht, në Llapushink dhe digave tjera të ujit që janë jashtëzakonisht të nevojshme për vendin tonë”- tha Matoshi.

    Në lidhje me impiantet e ujërave të zeza, Matoshi ka kritikuar ngadalësinë e ndërtimit të impiantit të Ferizajt dhe tha se kanë planifikuar një impiant te Dheu i Ferizajt.

    Kandidati për deputet, Fatmir Matoshi. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    “Impianti i Ferizajt i ka fondet e siguruara shumë vite më parë nga kredia me qeverinë hungareze, por asnjë lëvizje nuk ka ndodhur”- tha ai.

    Ai gjithashtu ka pretenduar se qytetarët e Kaçanikut verën e kanë jashtëzakonisht të rëndë nga kundërmimet që i shkaktojnë kanalizimet e qytetit të Ferizajt.

    Matoshi ka përmendur edhe Gjilanin dhe Mitrovicën, për të cilat, sipas tij, janë siguruar rreth 55 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për ndërtimin e impianteve të ujërave të zeza, por asnjë prej tyre nuk ka filluar.

    Ai tha se njëjtë ka ndodhur edhe në Prishtinë. Kredia franceze në vlerë prej 86 milionë euro , sipas tij, është miratuar shumë vite më parë, mirëpo ato fonde barten vit pas viti në buxhetin e Kosovës.

    “Ka pas një mosdakordim për sa i përket kolektorëve të mëdhenj në kryeqytet … Ne tani veç se jemi duke e paguar kamatën e asaj kredie. Mjetet barten vit pas viti në buxhet dhe nuk kemi asnjë lëvizje në drejtim të saj”- tha ai.

    Një tjetër çështje që Matoshi e ka ngritur është përdorimi i thëngjillit si lëndë djegëse.

    Ai tha se ka qenë propozues i vendimit që ka ndaluar përdorimin e thëngjillit si lëndë djegëse në institucionet publike në vitin 2018, për shkak se është “jashtëzakonisht i dëmshëm edhe për vetë familjet që e përdorin.”

    Sipas tij, është e nevojshme që Kosova të shkojë në drejtimin e ndalimit të përdorimit të thëngjillit edhe në amvisëri, mirëpo në anën tjetër tha se qymyri duhet të përdoret sepse është pasuri e Kosovës.

    Matoshi gjithashtu ka kritikuar praktikat e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) duke pretenduar se “punëtorët e KEK-ut e kanë marrë thëngjillin dhe e kanë tregtuar në tregun e zi nëpër rrugët e Prishtinës”. Ai ka shtuar se në vitin 2019, ata kanë ndërmarrë “aksion ekskluzivisht për këtë çështje për ta konfiskuar këtë thëngjill.”

    Për energjinë, Matoshi ka theksuar se Kosova ka nevojë për një termocentral të ri dhe për pavarësi energjetike. Sipas tij, Kosova duhet ta ndërtojë centralin me gaz dhe ta mbyll “Kosovën A”.

    Ai ka folur gjithashtu për nevojën për “ndërrimin e filterave” në termocentralet ekzistuese, duke theksuar se 78 milionë euro ishin dhënë grante për përmirësimin e gjendjes së ajrit përmes  vendosjes së filtrave të rinj në Kosovën B, gjë që nuk ka ndodhur.

    “Në vitin 2018-2019 ne e kemi negociuar ndërrimin e filterëve, që kur erdhi kryeministri [Kurti] dilte në Kuvend e thojke jo bojlerat, jo filterat, por ai nuk ka mbërri me i ndërru as filterat as bojlerat”- tha ai.

    Sa i përket vërshimeve, Matoshi ka deklaruar se Kosova është në rrezik edhe nga vërshimet. Me këtë rast, ai ka propozuar përmirësimin e infrastrukturës për mbrojtjen nga vërshimet, duke përfshirë mirëmbajtjen e shtretërve të lumenjve.

    “Ashtu siç veturat kanë rrugën e tyre, edhe uji ka rrugën e vet. Shpesh vërshimet ndodhin për shkak të mospastrimit të shtretërve të lumenjve”- tha ai.

    Për parandalimin e ndotjes së ajrit, Matoshi ka propozuar implementimin e pullës mjedisore për veturat dhe ka theksuar se pas implementimit të saj, mund të flasin për “zgjatjen e afatit për veturat e importuara nga 10 deri në 15 vjet”, duke shtuar se “40 për qind e ndotjes është duke u shkaktuar prej tyre”.

    Një tjetër çështje që u përmend është heqja plastikës nga përdorimi.

    “Plastika është njëra prej prioriteteve tona, qeset e plastikes, shishet e plastikës, vendosja e rikthimit të depozitave në ambalazhin e plastikës, qelqit dhe aluminit, kjo do të jetë një nga prioritetet tona që ka me qenë në fokus nga koalicioni në qeverisjen tonë të ardhshme”- tha Matoshi.

    Smajl Latifi, gjithashtu një kandidat për deputet nga AAK-Nisma, ka theksuar rëndësinë e përmirësimit të kuadrit ligjor dhe institucional për mbrojtjen e ambientit.

    Ai ka thënë se fillimisht duhet ta përmirësohet kuadri ligjor, institucional dhe forcimi i Inspektoratit mjedisor.

    “Policia Mjedisore- duhet ta rrisim numrin e inspektorëve mjedisorë”, tha ai, duke shtuar se ky hap është i domosdoshëm për të siguruar zbatimin e ligjeve mjedisore.

    Latifi ka përmendur gjithashtu se ndërtimi i impianteve të ujërave të zeza është një detyrë urgjente.

    “Pothuajse në gjithë Kosovën ujërat e zeza derdhen në përrenjtë dhe lumenjtë e Kosovës”- tha ai, duke theksuar se ndërtimi i impianteve të ujërave të zeza dhe i impianteve të menaxhimit të mbeturinave janë detyra që mund të realizohen me buxhetin e Kosovës.

    Ai ka shtuar se mund të gjejnë edhe partnerë seriozë, duke përmendur Bankën Botërore, Komisionin Europian dhe marrjen e kredive të buta, si mundësi financimi për ndërtimin e impianteve, të paktën në shtatë qytetet kryesore të Kosovës.

    Latifi gjithashtu ka përmendur rëndësinë e investimeve për menaxhimin e mbeturinave, duke thënë se që ka fonde edhe për ndërtimin e impianteve të mbeturinave që do të ishin një zgjidhje fatlume afatgjatë për qytetarët e Kosovës.

    Kurse, për energjinë elektrike, Latifi tha se duhet të bëhet gazifikimi i Kosovës me centralin me gaz dhe do të ulen çmimet e pagesës së energjisë elektrike.

    “Në moment kur ke një termocentral me gaz, në momentin kur ke një termocentral me linjit dhe rriten kapacitetet e energjisë nga uji, dielli dhe era, atëherë unë zotohem në emër të koalicionit që mund të kemi një çmim solid, të përballueshëm për ekonomitë familjare, amvisërinë, për biznese dhe për të gjithë sektorin publik dhe privat”- tha ai.

    Planet për bujqësinë

    Emine Daci-Zejnullahu, kandidate për deputet nga AAK, nga ana e saj, ka shprehur shqetësimet lidhur me gjendjen e sektorit të bujqësisë në Kosovë. Megjithatë, ajo nuk dha premtime konkrete se çfarë kanë paraparë si koalicion për bujqësinë.

    Ajo ka pretenduar se rendimenti i bujqësisë në Kosovë është më i ulëti në rajon.

    Daci-Zejnullahu ka përmendur se gjatë kësaj qeverisje nuk është realizuar akreditimi i Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë, gjë që sipas saj, ka rezultuar me humbjen e mundësisë për të përfituar grante nga Bashkimi Europian dhe IPARD-i.

    “Në qoftë se i krahasojmë me vendet në rajon, për shembull Maqedonia e Veriut për katër vite përfitoi 500 milionë euro nga këto grante”- ka thënë Daci-Zejnullahu, duke theksuar dështimin e institucioneve për të shfrytëzuar mundësitë financiare për zhvillimin e bujqësisë.

    Për më tepër, ajo ka pretenduar se ndarja e granteve ka qenë e bazuar “vetëm në shpërndarje,” dhe nuk është përqendruar në “rezultatin ose impaktin që duhet ta kenë këto investime”. 

    Kandidati për deputet, Smajl Latifi. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Ajo ka kritikuar kriteret e vlerësimit që janë aplikuar për grante, duke theksuar se ishin shumë të rrepta dhe se 60% e fermerëve nuk kanë arritur të marrin mbështetje.

    “Ne kemi 78 kritere të vlerësimit që duhet t’i kalojë fermeri-  një burokraci e paparë”- ka shtuar ajo, duke theksuar se këto procedura janë një pengesë për zhvillimin e sektorit.

    Daci- Zejnullahu pretendon se Ministria e Bujqësisë në krye me Faton Pecin ka krijuar “lista të zeza” për fermerët.

    “Si rezultat i mosinstrumenteve të monitorimit të granteve, mbas dhënies, ata krijuan lista të zeza ku fermerët që i hasën që kanë pasur parregullsi në zbatim të granteve, i futën në lista të zeza. Këto lista të zeza i privojnë çdo fermer nga përfitimet trivjeçare të të gjitha përkrahjeve nga dora e shtetit”- tha ajo.

    Sipas pretendimeve të saj, në “listat e zeza” nuk janë futur vetëm fermerët të cilët kanë bërë  keqpërdorime, por edhe ata që nuk kanë arritur ta mbyllin kontratën.

    Kandidatja për deputete, Emine Daci-Zejnullahu. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Lista të tilla të zeza nuk janë bërë publike nga Ministria e Bujqësisë.

    Kandidati Smajl Latifi tha se me “qeverisjen e koalicionit AAK-Nisma”, nuk do të vonohen subvencionet. “Do t’i hapim në mars sepse atëherë duhen. Vonesat janë të papranueshme”- tha ai.

    Latifi tha se do të hapin thirrje për subvencione dy herë në vit dhe do t’i rrisin ato.

    “Do ta mundim korrupsionin përmes rishikimit të thellë edhe nga pikëpamja e efektivitetit, kontrollit, menaxhimit dhe shpërndarjes e mbi të gjitha kritereve, sepse nuk jemi suedezë, as bujqë holandezë. Nuk mund t’i thuhet bujkut në vitin e fundit se duhesh me i pas 15 mijë euro të deklaruara në Administratën Tatimore kur ai nuk ka sigurim bujqësor, nuk ka treg të siguruar, asgjë të sigurt”- tha ai

    Sa i përket çështjes së pronës së Ministrisë së Bujqësisë, në të cilën për shumë vite ishte e vendosur AAK-ja, Emine Daci-Zejnullahu nuk e sheh si një “fitore” të Ministrisë.

    “Në qoftë se ka qenë pronë e Ministrisë së Bujqësisë, ka qenë proces, procedurë që janë liruar objektet e Ministrisë,” ka thënë ajo, duke shtuar se “nuk është që e kemi marrë ne ndonjë pronë nga një shtet fqinj”.

    12.03.2024, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci e pati cilësuar si fitore të radhës vendimin e Shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, për lirimin e një prone publike në dalje të Prishtinës.

    Peci e kishte cilësuar si “fitore” marrjen e këtij objekti nën udhëheqjen shtetërore.

    Kurse, Smajl Latifi në lidhje me këtë çështje tha se Ministria e Bujqësisë dhe Agjensioni Pyjor politikisht ka vepruar “edhe me teke edhe me inate”, pasi që ka pasur një marrëdhënie kontraktuale për objektin.

    “Po sidoqoftë ma mir na ka ra e na ka dalë”- tha ai.

    Latifi pretendon se ka një bllokim të qëllimshëm apo të paqëllimshëm të shumë sipërfaqeve të cilat janë nën menaxhim Agjencionit Pyjor.

    Ndërkohë, si premtim i Fatmir Matoshit ishte mbikëqyrja e Agjencisë për Zhvillimin e Mjedisit dhe ndarja e kompetencave me Agjencinë e Pyjeve.

    “Shumë prona në parqet tona nacionale menaxhohen nga Agjencia e Pyjeve, ndërkohë që Agjencia për Zhvillimin e Mjedisit ka vetëm rol raportues. Kemi një përzierje të kompetencave. Pyjet brenda parqeve nacionale duhet me i marr Agjencia për Zhvillimin e Mjedisit në plotni”- tha ai.

    Përvoja e Aleancës në pushtet

    Në Zgjedhjet e fundit të vitit 2021, AAK fitoi 7.07% të votave. Me këtë zuri 8 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

    Ramush Haradinaj në vitin 2005 ishte për tre muaj Kryeministër i Kosovës. Në atë kohë, ai dha dorëheqje pas 100 ditësh qeverisjeje, pasi u akuzua nga Tribunali i Hagës për “krime lufte”.

    Kjo parti e mori pushtetin edhe njëherë në vitin 2017, por kësaj radhe në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës dhe NISMA-n, i njohur si PAN. Qeveria Haradinaj e filloi mandatin më 09.19.2017, pas humbjes së Isa Mustafës dhe zgjati deri më 3 shkurt 2020 pas humbjes në Zgjedhjet parlamentare të vitit 2019.

    Qeveria Haradinaj ishte formuar gjatë një seance maratonike në Kuvendin e Kosovës, me 61 vota – minimumi që i duhet një Qeverie për ta marrë besimin e deputetëve.

    Votimi i Ekzekutivit kosovar ishte mundësuar falë votave të deputetëve të subjektit politik nga radhët e komunitetit serb, Listës Serbe, e cila u largua më vonë nga Qeveria. Rrjedhimisht, kjo bëri që koalicioni qeverisës që përbëhej nga PDK-AAK-NISMA të mos i ketë votat e duhura për vendimmarrje në Kuvendin e Kosovës.

    AAK në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 garon në koalicion me Nismën, Konservatorët, Forumin Intelektual E30 dhe me Listën Idealin.

    “Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

    RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” tha në nisje të debatit për infrastrukturë, ambient dhe bujqësi se: “Rrugët nuk janë mbërri me u ndreq, mirëpo nashta i kishim falë diqysh nëse e kishin ndreq bile ambientin. Për fat të keq Deponia e Mirashit dhe deponitë e mbeturinave janë në gjendje katastrofale sot e kësaj dite në Kosovë. Asnjëri prej impianteve të ujërave të zeza që ka pasë më u kry nuk është përfundu”.

  • OSHP e vendosi në listë të zezë për falsifikim të vulës dhe nënshkrimit, Prokuroria inicion rast pas interesimit të KALLXO.com

    Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka vendosur në listë të zezë kompaninë “Fortesa SH.P.K” për falsifikim të nënshkrimit dhe vulës së një kompanie tjetër gjatë aplikimit në një tender në Komunën e Gjilanit.

    Edhe përkundër kësaj, as Komuna e Gjilanit e cila ishte inicuese e tenderit e as Organi Shqyrtues i Prokurimit e cila më 08.11.2024 e ka vendosur kompaninë në listë të zezë, nuk e kanë dërguar këtë rast në Prokurorinë e Shtetit.

    Rasti është regjistruar nga Prokuroria e Gjilanit dhe i është ndarë një prokurori vetëm pasi KALLXO.com është interesuar dhe ka dërguar pyetje, gati tre muaj pasi kompania “Fortesa SH.P.K” është vendosur në listë të zezë në lidhje me tenderin e Komunës së Gjilanit për “Rregullimin e rrugëve të arave për nevojat e Bujqësisë”.

    “Referuar pyetjeve tuaja ju njoftojmë se ky rast nuk evidentohet në regjistrat e Prokurorisë Themelore në Gjilan, mirëpo ju informojmë se pas kërkesës suaj lidhur me këtë çështje, Prokuroria Themelore në Gjilan, ka regjistruar këtë rast, i cili mban shenjën PPN.I.21/2025 dhe është ndarë në punë tek një prokuror nga Departamenti i Krimeve të Rënda”- tha për KALLXO.com, Liridona Xheladini, zëdhënëse e Prokurorisë së Gjilanit, më 30.01.2025.

    Pas kërkesës së Komunës së Gjilanit, Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik më 08.11.2024 mori vendim për vendosjen e kompanisë “Fortesa SH.P.K.” për tre muaj në listën e zezë. Në këtë tender, “Fortesa SH.P.K” ishte lidere e Grupit të Operatorëve Ekonomikë, të përbërë nga kompanitë, “AlbaProject” dhe “Auremont”. Por për këta dy të fundit kërkesa e Komunës së Gjilanit për vendosjen në listën e zezë u refuzua nga OSHP.

    Paneli Shqyrtues i Gjykatës së tenderëve konstatoi se kompania “Fortesa SH.P.K.” në tenderin për “Rregullimin e rrugëve të arave për nevojat e Bujqësisë” i iniciuar nga Komuna e Gjilanit më 20.09.2023, ka mashtruar me dokumentacionin e dorëzuar në këtë aktivitet të prokurimit.

    Sipas vendimit të OSHP-së, Komuna e Gjilanit ka dorëzuar prova të mjaftueshme që dëshmojnë se kompania “Fortesa SH.P.K, në këtë aktivitet të prokurimit ka mashtruar/falsifikuar nënshkrimin dhe vulën e kompanisë “Eing COM” në dokumentin e marrëveshjes për bashkëpunim për dhënie me qira të makinerisë së kërkuar në Dosje të Tenderit.

    KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresën e dy kompanive, “Fortesa SH.P.K”, e cila është vendosur në listën e zezë dhe “Eing COM”, nënshkrimi dhe vula e së cilës pretendohet se është falsifikuar. Përkundër se KALLXO.com i ka kontaktuar përmes telefonit dhe emailit më 28, 29 dhe 30.01.2025, kompanitë nuk janë përgjigjur deri në publikimin e artikullit.

    Sipas vendimit të OSHP-së për diskualifikim, kompania “Fortesa SH.P.K” nuk ishte përgjigjur ndaj kërkesës së Komunës së Gjilanit, si Autoritet Kontraktues në tenderin “Rregullimin e rrugëve të arave për nevojat e Bujqësisë”.

    “Nuk i është përgjigjur kërkesës së Autoritetit Kontraktues të datës 20.10.2023” – thuhet në vendim, duke shtuar se më pas Komuna e Gjilanit iu ka shkruar veç e veç kompanive, marrëveshjet për marrjen e pajisjeve me qira me të cilat ishin prezantuar nga “Fortesa SH.P.K”.

    Ndërsa në përgjigjen për OSHP-në, kompania “Fortesa SH.P.K” pretendon se nuk ka dorëzuar dokument me përmbajtje të rreme.

    “Njoftojmë Panelin Shqyrtues se duke pasur provat tona, konfirmojmë se nuk kemi paraqitur asnjë dokument me përmbajtje të rreme apo të falsifikuar ashtu siç pretendon Autoriteti Kontraktues lidhur me këtë aktivitet të prokurimit” – thuhet në përgjigjen e kompanisë “Fortesa SH.P.K”, e cila citohet në vendimin e OSHP-së. Këtë përgjigje ata e kishin dhënë pasi e kanë pranuar njoftimin e OSHP-së të datës 09.02.2024, në lidhje me kërkesën për diskualifikim.

    Kurse kompania “Eing COM” i ishte përgjigjur Komunës së Gjilanit duke konfirmuar se i njëjti dokument nuk është nënshkruar dhe as vulosur nga ta. Kjo përgjigje është përfshirë edhe në vendimin e OSHP-së për diskualifikim të kompanisë “Fortesa SH.P.K”.

    “Marrëveshja e prezantuar nga Grupi i Operatorëve Ekonomikë “Fortesa SHPK” & “N.P Auromont” në aktivitetin e prokurimit të lartshënuar nuk është lidhur, vulosur dhe nënshkruar nga ana e personit të autorizuar të kompanisë “EING COM” dhe si e tillë kjo marrëveshje është inekzistente dhe nuk ka vlefshmëri të marrëdhënies juridike për kompaninë “EING COM”” – thuhet në përgjigjen e datës 24.10.2023 për Komunën e Gjilanit si Autoritet Kontraktues.

    A kanë bashkëpunim Gjykata e tenderëve me Prokurorin e Shtetit?

    Organi Shqyrtuesi i Prokurimit dhe Prokurori i Shtetit nuk kanë bashkëpunim në dërgimin dhe trajtimin e rasteve në të cilat konstatohet se ka falsifikim të dokumenteve.

    Në lidhje me kompanitë e vendosur në listën e zezë dhe bashkëpunimin me Prokurorin e Shtetit, KALLXO.com ka kontaktuar me Agim Sheqirin, ushtrues detyre i kryesuesit të Sekretariatit në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

    Ai e ka konfirmuar se nuk kanë marrëveshje më prokuroritë përkatëse, teksa adresimin e rasteve ku dyshohet për vepra penale, Sheqiri tha se u takon autoriteteve kontraktuese.

    “Ajo çka di është se autoritetet kontraktuese janë njoftuar që çështjen me e dërgu në Prokurori, është obligim i tyre se në fakt ato e kanë njëfarë obligimi, jo vetëm ata por edhe na. Pra nëse konstaton që ka mashtrim duhet të iniciohet rasti në organet e drejtësisë. Autoriteti Kontraktues e ka obligim, nëse ka mashtru ka falsifiku ai me e paraqitë sepse falsifikimi është bërë aty, po supozoj nëse u ba, jo te na. Me Prokurorinë nuk e di që kemi ndonjë bashkëpunim”- theksoi Sheqiri.

    Edhe pse nga OSHP kanë thënë se edhe autoritetet kontraktuese e kanë obligim të dërgojnë rastet e tilla në organet e drejtësisë, Komuna e Gjilanit, e cila e ka dërguar në OSHP kërkesën për vendosjen e kompanisë në listën e zezë për mashtrim, nuk e ka dërguar rastin në prokurori.

    Zyrtari përgjegjës i prokurorimit në Komunën e Gjilanit, Kujtim Bajrami, e ka konfirmuar për KALLXO.com se nuk e kanë njoftuar Prokurorinë për këtë rast, duke shtuar se vendimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit është publik dhe i qasshëm edhe për organet e drejtësisë.

    “Ne si Autoritet Kontraktues, kemi zhvilluar procedurën dhe gjate procedurës kemi paraqitur kërkesë për Organin Shqyrtues të Prokurimit në harmoni me dispozitat e ligjit të Prokurimit Publik dhe për të njëjtën me datë 08.11.2024 është publikuar vendimi i OSHP-së, lidhur me diskualifikimin e OE në fjalë. Pasi që vendimi është publik dhe i qasshëm për te gjitha palët, përfshi këtu edhe Prokurorinë, ne konsiderojmë se një vendim publik mund të merret nga të gjitha palët dhe institucionet kompetente. Andaj edhe ne nuk kemi vepruar tutje”- tha Bajrami më 28.01.2025 për KALLXO.com.

    Zëvendëskryeprokurorja e Prokurorisë së Prishtinës, Elza Bajrami, ka thënë për KALLXO.com se nuk ka ndonjë rast për të cilin dyshohet se ka elemente të veprës penale e që Organi Shqyrtues i Prokurimit i ka njoftuar.

    “Prokuroria dhe Organi Shqyrtues i Prokurimit nuk është se kanë ndonjë komunikim te drejtpërdrejtë sa i përket trajtimit te rasteve ku mund të konsumojnë vepër penale dhe të cilat mund të jenë zbuluar apo të krijohet dyshimi i arsyeshëm gjatë procedurave para OSHP-së. Zakonisht në Prokurori, informacionet qe i referohen veprave te mashtrimit ne prokurimin publik vijnë prej Policisë së Kosovës. Kryesisht kjo më tepër është një punë e Autoriteteve Kontraktuese për shkak se edhe vendimet e OSHP-së janë të tilla që ua lënë në dorë Autoriteteve Kontraktuese qe të njëjtat ti njoftojnë organet e rendit gjegjësisht organet e drejtësisë – Policinë, Prokurorinë, nëse ka dyshime për veprime te tilla, falsifikimet e dokumenteve apo mashtrime, tentime te mashtrimit ne prokurim publik. Deri me tani nuk kemi pasur raste te cilat janë paraqitur direkt nga ana e OSHP-së”- tha Bajrami më 28.01.2025 për KALLXO.com.

    Sipas nenit 79 të Kodit të Procedurës Penale, “të gjitha organet publike detyrohen t’i paraqesin veprat penale që ndiqen sipas detyrës zyrtare për të cilat janë informuar ose për të cilat kanë marrë dijeni në ndonjë mënyrë tjetër”.

    Kallëzimi penal i paraqitet prokurorit kompetent të shtetit me shkrim, me mjete teknike të komunikimit ose gojarisht.

    Një rast i bashkëpunimit të një institucioni me Prokurorin e Shtetit për dërgimin e rasteve të dyshuara për vepra penale dhe ndarjen e informacioneve të tjera është Zyra Kombëtare e Auditimit.

    ZKA që nga viti 2018 ka dërguar 143 raste të dyshimta për vepra penale në Prokurorinë e Shtetit. Prej tyre, vetëm në tri raste janë ngritur aktakuza.

  • Dronë, helikopterë e “mbrojtje të mençur”: Planet e partive për sektorin e Sigurisë dhe Mbrojtjes

    Dronë e antidronë, helikopterë e municione, ngritje kazermash e “mbrojtje të mençur”, trajnime, digjitalizim e Vetting. Kush më shumë e kush më pak, secila prej partive dhe secili Koalicion që garon në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, premton investime në fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes.

    Gjatë fushatës zgjedhore që ka filluar më 11.01.2025, Lëvizja Vetëvendosje e cila po synon të fitojë Zgjedhjet dhe ta mbajë pushtetin edhe për një mandat katërvjecar ka premtuar për Policinë dhe institucionet e Sigurisë pajisje të specializuara dhe bashkëkohore, armatim adekuat, si dhe shkollim dhe trajnim të duhur.

    “Do të avancojmë Njësinë e Dronëve dhe Antidronëve për të forcuar mbikëqyrjen dhe gatishmërinë për t’u përballur me format e reja të rreziqeve të sigurisë – duke ndihmuar në hetime, mbrojtje dhe mbikëqyrje të kufirit, si dhe në rritjen e sigurisë publike në përgjithësi.” – thuhet në Programin e kësaj partie.

    Kufijtë sipas LVV-së do të jenë të sigurt dhe do të menaxhohen me teknologjitë më të avancuara. Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit thuhet se do të modernizohet për të garantuar siguri dhe për të lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe njerëzve e për të parandaluar aktivitetet kriminale.

    Për t’i përmbushur objektivat në këtë sektor, LVV premton një buxhet prej mbi 1 miliard eurosh në katër vjetët e ardhshme për Ushtrinë.

    Kjo parti zotohet edhe për funksionalizimin e Fabrikës së Municioneve dhe zhvillimin e industrisë ushtarake të Kosovës.

    Dronët ushtarakë ‘Made in Kosova’ janë premtim tjetër i LVV-së.

    1 mijë gra e vajza synohen që të rekrutohen si ushtarake.

    Një Njësi e Përbashkët me Forcat Ushtarake të Shqipërisë është synim tjetër i kësaj partie, e cila po ashtu synon fuqizimin e Ushtrisë me blerje të armatimit, stërvitjes dhe edukimit brenda vendit në bashkëpunim me vendet partnere.

    Programi i Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse do të zbatohet sipas tyre në tërë vendin, si dhe rezervistët do të kenë armatim dhe trajnim adekuat në rast të mobilizimit.

    Zotimet për digjitalizim të sektorit të Sigurisë

    Partia Demokratike e Kosovës e cila në këto Zgjedhje garon me Bedri Hamzën si kandidat për Kryeministër premton një kornizë gjithëpërfshirëse sigurie, që integron mbrojtjen kombëtare, sigurinë publike dhe parimet e sigurisë njerëzore.

    “Duke përqafuar teknologjitë më të fundit dhe strategjitë vizionare, ne do t’i adresojmë kërcënimet dhe sfidat e reja me masa inovative dhe adaptive që garantojnë sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve. Do ta digjitalizojmë mbarë sektorin e Sigurisë kombëtare dhe Mbrojtjes – duke integruar edhe Inteligjencën Artificiale për t’i rritur kapacitetet për vlerësimin e kërcënimeve në kohë reale dhe planifikimin efikas.” – thuhet në mes të tjerash në Programin zgjedhor të kësaj partie.

    Për planet e PDK-së për investime në Siguri dhe Mbrojtje ka folur në “Debat Përnime” Besa Kabashi-Ramaj.

    “Ne e parashohim që për ngritje të nivelit të mbrojtjes nga kërcënimet e jashtme dhe të brendshme të krijojmë pesë Regjimente, siç kemi planifikuar me partnerët tanë strategjikë SHBA-në dhe NATO-n.” – ka thënë ajo.

    Në lidhje me emergjencat civile, Kabashi-Ramaj ka thënë se PDK parasheh edhe ngritjen e Njësitit të Helikopterëve.

    PDK premton po ashtu investime dhe modernizime në infrastrukturën ushtarake, si dhe ngritjen e Gardës Kombëtare me strukturat e parapara dhe sigurimin e gatishmërisë së tyre.

    “Garda Kombëtare do të rritë gatishmërinë civile të Kosovës, duke bashkuar sektorët ushtarakë dhe civilë për t’iu përgjigjur më mirë kërcënimeve të jashtme dhe emergjencave të brendshme.” – thuhet tutje në këtë Program.

    Sigurim të plotë shëndetësor dhe jetësor për anëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policisë, AKI-së dhe zjarrfikësve është zotimi tjetër i dhënë nga PDK.

    “Do ta rrisim sigurinë publike, duke ristrukturuar Policinë bazuar në të dhënat e popullsisë dhe krimit, si dhe duke investuar në iniciativa për ngritjen e kapaciteteve. Nëpërmjet policimit në komunitet do të ndërtojmë besim dhe do ta nxisim ndërveprimin e rregullt midis Policisë dhe komuniteteve – duke inkurajuar bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit.” – premton PDK-ja.

    “Mbrojtja e mençur”

    Lidhja Demokratike e Kosovës në anën tjetër synon rritjen e partneritetit me NATO-n.

    Buxhetin për Ushtrinë e Kosovës LDK e planifikon përmes rritjes së tij në 2% të Bruto Produktit Vendor.

    Kjo parti planifikon edhe ristrukturimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    “Përbërja e Forcës në planin tonë parashihet të jetë me 6000 pjesëtarë aktivë (sot janë 4000 sosh), 3000 rezervë aktive dhe 20000 rezervë e përgjithshme.” – thuhet në Programin zgjedhor të LDK-së.

    Në kuadër të këtij Programi parashihet edhe edukimi dhe stërvitja e nxënësve të Shkollave të Mesme në fushën e Mbrojtjes.

    LDK premton ndërtimin e katër kazermave ushtarake për FSK-në.

    “Do të riorganizohen Kazermat aktuale, duke ia përshtatur misionit të FSK-së dhe do të rrisim numrin e Kazermave për 4 sosh në regjione të ndryshme të Kosovës. Në Prizren (ish-Kazerma e kontingjentit Gjerman të KFOR-it); në Gjinoc të Suharekës (Kazerma aktuale e KFOR-it); në Gjakovë (Aeroporti i Gjakovës) dhe në Podujevë. Shuma e gjithmbarshme e investimeve në këtë projekt, pra në përditësimin e Kazermave të tanishme dhe në ndërtimin e 4 Kazermave të reja do të jetë rreth 60 milionë euro.” – premton LDK.

    Krahas kësaj LDK planifikon edhe ndërtim të vendbanimeve për personelin ushtarak – duke ndërtuar lagje ushtarake, që do të jetë në shërbim të personelit ushtarak dhe familjeve të tyre.

    LDK parasheh Programe që pas pensionimit të pjesëtarëve të FSK-së, ata të integrohen në jetën civile.

    “Këtë do ta arrijë përmes: a) profilizimit dhe trajnimit të pjesëtarëve të FSK-së në fusha të veçanta dhe zhvillimin e tyre në fushat respektive gjatë karrierës ushtarake; b) ndryshimet ligjore që u mundësojnë pjesëtarëve të FSK-së angazhimin në të gjitha fushat e jetës publike – përfshirë edhe në FSK-në (si civil), e sidomos në fushën akademike dhe doktrinore edhe pas pensionimit.” – thuhet tutje në Programin e LDK-së.

    Kjo parti parasheh edhe konceptin “Smart Defence” që parasheh ndihmë reciproke në mes të aleatëve dhe partnerëve në shumë drejtime të fushës së Sigurisë dhe Mbrojtjes.

    “Në marrëveshje me fqinjët e me shtetet mike do të zhvillojmë projekte ‘Smart Defence’. Me Shqipërinë mundet me u arrit Marrëveshja që certifikimi i pilotëve për helikopterë të bëhet në Qendrën e saj simulative. Kurse, mirëmbajtja e automjeteve taktike të prodhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të bëhet në Kosovë. Me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, me Kroacinë munden me u arritë Marrëveshje të përbashkëta për kontrollin e hapësirës ajrore.” – ka thënë Anton Quni në “Debat Përnime”.

    LDK parasheh edhe ngritjen e kapaciteteve për operacione ndërkombëtare – duke krijuar një Njësi Batalion të kombinuar për këto operacione. Kjo Njësi pritet të ketë jetëgjatësi 4-vjeçare, me rotacion. Ky aktivitet sipas LDK-së ka vlerësim fillestar prej rreth 12 milionë eurosh.

    “Direkt në NATO”

    Koalicioni AAK-NISMA-Intelektualët-Konservatorët si premtim kryesor për mbrojtjen e kanë anëtarësimin direkt në NATO.

    Ky anëtarësim pritet të bëhet përmes tri aspekteve kryesore: atij politik, ushtarak dhe ekonomik.

    “Politik: Forcimi i marrëdhënieve me institucionet euroatlantike; përmbushja e obligimeve në Dialog; konsolidimi i demokracisë në Kosovë; përmirësimi i marrëdhënieve me fqinjët. Ushtarak: Ngritja e kapaciteteve luftarake të Ushtrisë së Kosovës; zhvillimi i industrisë mbrojtëse; prodhimi i municioneve dhe pajisjeve të tjera ushtarake; përmirësimi i infrastrukturës ushtarake dhe mbrojtëse civile; rritja e kontributit të Kosovës në angazhimet e NATO-s. Ekonomik: Aktivizimi i resurseve të Kosovës për partneritet ekonomik me vendet e Aleancës.” – thuhet mes të tjerash në Programin e këtij Koalicioni.

    Sipas këtij Koalicioni anëtarësimi do të sjellë edhe zhvillim ekonomik, duke rritur vlerën e resurseve dhe potencialeve të vendit, si dhe do të inkurajojë investitorët e brendshëm dhe të jashtëm.

    “Ne e kemi në Programin tonë edhe sloganin i cili është ‘Direkt në NATO’. Dhe, qëllimisht e kemi bërë këtë, sepse konsiderojmë që pa siguri nuk ka asnjë zhvillim tjetër, që mund të jetë efikas për qytetarët e Kosovës dhe për vendin tonë.” – ka thënë në “Debat Përnime”, kandidati për Deputet nga AAK-ja, Ahmet Isufi.

    Koalicioni për Familjen në anën tjetër premton modernizimin e institucioneve të Sigurisë, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, si dhe përmirësimin e kushteve të jetesës dhe punës për të gjithë ata që kontribuojnë në fushën e Sigurisë.

    Ky Koalicion thotë se fokus do të ketë në intensifikimin e bashkëpunimit mes institucioneve të Sigurisë për të rritur kapacitetet e tyre.

    “Mbikëqyrja, ndërkaq, do të jetë sistematike dhe rigoroze, duke iu dhënë përparësi trajnimeve të rregullta e të avancuara, përmes bashkëpunimit e binjakëzimit me forcat policore dhe institucione të tjera të Sigurisë të shteteve të zhvilluara, që kanë standarde të larta dhe praktika të suksesshme.” – thuhet mes të tjerash në Programin e këtij Koalicioni.

    Reformimi i Policisë

    Koalicioni për Familjen premton edhe reformimin e Policisë së Kosovës.

    “Reforma në Policinë e Kosovës do të fillojë prej Vetting-ut, përkatësisht hetimit të së kaluarës për të gjithë pa përjashtim. Sipas Ligjit dihet se cilat pozita duhet t’i nënshtrohen këtij procesi. Dhe, në të njëjtën kohë, sigurimi jetësor. Ligji është në proces, andaj edhe këtë çështje do ta adresojmë dhe do angazhohemi që ky Ligj të kalojë.” – ka deklaruar në “Debat Përnime” kandidati për Deputet nga Koalicioni për Familjen, Bejtush Gashi.

    Programi i këtij Koalicioni sa i përket Policisë përfshin rritjen e pagave, përmirësimin e kushteve të punës, digjitalizimin e shërbimeve dhe zhvillimin e strukturave organizative për një reagim më të shpejtë dhe efikas.

    FSK-ja sipas Koalicionit për Familjen po ashtu do të transformohet përmes trajnimeve dhe investimeve në pajisje dhe në infrastrukturë.

    Gjithashtu parashihet rritja e integritetit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Kjo përmes garantimit të buxhetit dhe zhvillimit të kapaciteteve teknologjike për të luftuar kërcënimet kibernetike e terroriste.

    Tutje, ky Koalicion parasheh edhe zhvillimin e industrisë private të Sigurisë.

    “Kjo do të përfshijë licensimin e Kompanive të Sigurisë private dhe krijimin e kuadrit ligjor që do të sigurojë që këto Kompani të operojnë në përputhje me standardet etike e profesionale.” – thuhet tutje.

    Koalicioni për Familjen parasheh edhe krijimin e ekipeve të specializuara për siguri që monitorojnë dhe menaxhojnë rreziqet në kohë reale, si dhe investime në infrastrukturë të re dhe rezistente.

    Strategjia e Sigurisë

    Përmirësimi i sigurisë dhe mbrojtjes së vendit parashihet edhe në Strategjinë e Sigurisë së Kosovës 2022-2027.

    Në këtë Strategji parashihet riorganizimi i Policisë së Kosovës.

    “Do të rishikojë organizimin e saj të brendshëm, për të shfrytëzuar burimet njerëzore në mënyrë sa më efikase për të kryer detyrat e rregullta, të veçanta dhe të specializuara policore. Do të themelohet Policia Rezervë, e cila do të mund të angazhohet për ta ndihmuar Policinë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, në rrethana të jashtëzakonshme ose urgjente. Në Policinë e Kosovës do të investohet vazhdimisht në ngritjen dhe në zhvillimin e kapaciteteve, në furnizimin me pajisje të nevojshme për të kryer detyrat e saj operacionale, si dhe në kontrollimin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror.” – thuhet mes të tjerash në këtë Strategji.

    Në këtë Strategji flitet edhe për ngritjen e kapaciteteve të FSK-së, për synimin drejt anëtarësimit në NATO.

    “FSK vazhdon të ngritë dhe të zhvillojë aftësitë dhe kapacitetet luftarake për mbrojtjen e territorit, të mirëmbajë dhe të zhvillojë kapacitetet për mbështetje ushtarake për autoritetet civile, si dhe të kontribuojë në siguri përmes pjesëmarrjes në misione ushtarake jashtë vendit. FSK-ja zhvillon doktrinën, standardet dhe kapacitetet në linjë me ato të NATO-së dhe do të shtojë aktivitetet trajnuese dhe stërvitjet e përbashkëta me vendet e NATO-së, me qëllim të aftësimit për ndërveprim me forcat e armatosura të tyre.” – thuhet në Strategji.

    Në Strategji përmendet edhe synimi i Kosovës që të rritë buxhetin për mbrojtje në 2% të Bruto Produktit Vendor.

    “Republika e Kosovës do të vlerësojë mundësinë për zhvillimin e modeleve të përshtatshme të forcave rezerviste, si dhe atë të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, sipas praktikave bashkëkohore të shteteve perëndimore, në përputhje me rrethanat, kushtet dhe burimet vendore.” – thuhet po ashtu në këtë Strategji.

    Sipas Ligjit të Buxhetit Policia e Kosovës për vitin 2025 ka buxhet prej 152 milionë e 624 mijë e 469 euro.

    Bazuar në të njëjtin Ligj, buxheti për vitin 2025 për Forcën e Sigurisë së Kosovës është 202 milionë e 828 mijë e 715 euro, kurse i përgjithshmi për Ministrinë e Mbrojtjes ku hyn edhe FSK-ja është 207 milionë e 875 mijë e 243.

  • LDK premton Agjenci për Mërgatën, rikthim të Ministrisë për Integrime dhe moszbatim të Marrëveshjes së Ohrit

    Zbatim të Marrëveshjes së Uashingtonit e jo edhe të asaj të Ohrit, themelim të Agjencisë për Mërgatës dhe rikthim të Ministrisë të Integrimeve Europiane, janë planet kryesore të Lidhjes Demokratike të Kosovës në politikën e jashtme.

    Kandidatët për deputetë nga LDK-ja zotohen se nëse qeverisë kandidati i tyre për kryeministër, Lumir Abdixhiku, nuk do ta zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit, por do ta zbatojnë Marrëveshjen e Uashingtonit, po që se kjo e fundit hidhet mbi tavolinë.

    Në rrafshin e politikës së jashtme, kjo parti planifikon themelimin e Agjencisë për Mërgatën si dhe rikthimin e Ministrisë për Integrime Europiane, të cilën vetë kjo parti e kishin shuar në kohën e kryeministrit Avdullah Hotit, në vitin 2020.

    Lutfi Haziri, Jehona Lushaku- Sadriu dhe Armend Zemaj e fajësojnë Qeverinë Kurti për “izolim të Kosovës” në fushën e politikës së jashtme, me pretendimin se kjo qeveri i ka prishur marrëdhëniet me aleatët, e ka vënë vendin nën sanksione të Bashkimit Europian, dhe ka stagnuar dialogun në Bruksel.

    Në “Debat Përnime”, më 29.01.2025, këta tre anëtarë të LDK-së, premtuan që do të punojnë për heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës, të ecin në Dialog, dhe t’ia kthejnë Kosovës imazhin dhe besimin tek aleatët.

    Jo Marrëveshjes së Ohrit

    Lutfi Haziri ka kritikuar Marrëveshjen e Ohrit, duke e cilësuar atë si “kthesën më të madhe që i ka ndodhur Dialogut katër vitet e fundit”.

    Ai e ka cilësuar këtë marrëveshje të keqe për Kosovën në katër nene.

    Haziri ka theksuar se qëndrimi i LDK rreth Dialogut Kosovë-Serbi, është se nuk vlen asnjë marrëveshje përderisa nuk ka marrëveshje gjithëpërfshirëse.

    “Nuk vlen dhe nuk implementohet asnjë marrëveshje përderisa nuk implementohet marrëveshja gjithëpërfshirëse. Nuk kemi mbërri te një marrëveshje gjithëpërfshirëse”- tha ai.

    Duke folur për parimet mbi të cilat duhet të vazhdojë Dialogu, Haziri ka deklaruar se në radhë të parë është që bisedimet të vazhdojnë në vende neutrale, ndërmjetësi të mbetet Bashkimi Europian me mandat të OKB-së, dhe garantues të jetë SHBA-ja me rol të sforcuar.

    “Ne nuk jemi ne negociata me Serbinë, Kosova është në bisedime me BE-në dhe SHBA-në”, ka deklaruar Haziri. Ai ka shtuar se “SHBA-ja është në anën tonë dhe ajo e lehtëson procesin.

    Lutfi Haziri, kandidat për deputet nga LDK-ja. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Haziri është shprehur se Kosova nuk ka negociuar kurrë drejtpërdrejt me Serbinë, por ka negociuar me BE-në, nën garancitë e kësaj të fundit, ndërkohë që BE-ja është ajo që negocion me Serbinë.

    “Zotëri Kurti i ka lënë Kosovës bomba të kurdisura në politikën e jashtme e në veçanti në procesin e dialogut”- tha ai.

    Ky kandidat për deputet foli edhe për raportin e Kurtit me Vuçiqin.

    “Vuçiqi dhe Serbia karshi Kosovës nuk kanë bërë asnjë lloj dallimi. Dhe Republika e Kosovës nuk ka bërë asnjë lloj dallimi. Kosova nuk guxon me leju këtë raport që zotëri Kurti e ka ndërtuar. Ai raportin me Vuçiqin dhe Serbinë e ka përvetësuar, e ka personalizuar duke e ndarë si raport të tijin, që nuk është i vërtetë”- tha Haziri.

    Më 18.03. 2023, Kosova dhe Serbia në Ohër të Maqedonisë së Veriut u dakorduan për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të datës 27.02.2023 e nënshkruar në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

    Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

    Marrëveshja e Ohrit përmban afatet e zbatimit të Marrëveshjes bazë, e njohur si ‘Plani Franko-Gjerman’ për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    A do të zbatohet Marrëveshja e Uashingtonit?

    Marrëveshja e Uashingtonit, e nënshkruar më 4 shtator 2020, mbetet një nga dokumentet kyçe të nënshkruara në Shtëpinë e Bardhë.

    Haziri bëri të ditur se janë kontaktuar në lidhje me këtë Marrëveshje, e cila sipas tij, po riaktualizohet me rikthimin e Donald Trumpit në krye të SHBA-së.

    Ish- kryeministri Avdullah Hoti (LDK) dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, arritën në shtator të vitit 2020, marrëveshjen për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit amerikan të asaj kohe, Donald Trump. Ndër të tjera, nga kjo marrëveshje Kosova siguroi njohjen nga Izraeli, ndërsa për një vit stopoi lobimin për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe njohje të reja.

    “LDK e ka të qartë dhe është kontaktuar nga këto nivele (për Marrëveshjen e Uashingtonit) dhe deri të zbardhet në tërësi kjo politikë, ne po presim që roli jonë të jetë determinues në riparimin e dëmeve që ka shkaktuar edhe draft-dokumenti i zotëri Kurtit që është në tavolinë- me gjithë  Marrëveshjen kornizë të  28 shkurtit 2023”- tha Haziri.

    Për më tepër, Haziri theksoi se “ne po presim që ta zbardhin deri në fund këtë qëndrim,” duke u shprehur optimist për një trajtim të mundshëm të këtij dokumenti nga ana e Qeverisë së Kosovës nëse i fitojnë zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

    Ai vuri në dukje se “hapi i dytë është koordinimi me BE-në”, i cili është një element kyç për implementimin e marrëveshjes, duke theksuar se “do të ndodhë një koordinim mes SHBA-së dhe BE-së sa i përket kësaj çështje”.

    “Presidenti Joe Biden e ka konfirmuar dhe legalizuar Marrëveshjen e 4 shtatorit si dokument i cili ka fjet në Shtëpinë e Bardhë 4 vite, për shkak se në radhë të parë Kosova e ka përjashtuar si mundësi implementimin e asaj marrëveshje”- tha ai.

    Sipas tij, Serbia në anën tjetër e ka heshtur këtë dokument. Haziri thotë se janë afër 6 milionë dollarë të mobilizuara në Beograd, tash e tri vite që presin zbatimin e një klauzole të parimit ekonomik që është vendosur.

    Ai gjithashtu theksoi se ky dokument ka një fokus më të theksuar në aspektin ekonomik të normalizimit të marrëdhënieve, sesa me politikën.

    Kurse, kandidatja Jehona Lushaku-Sadriu, ka theksuar rëndësinë e respektimit të të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare që Kosova ka nënshkruar.

    “Si shtet dhe si parti serioze që e trajton politikën e jashtme me seriozitet, dëshirojmë që të gjitha marrëveshjet tona ndërkombëtare që i kemi nënshkruar t’i respektojmë, duke respektuar edhe Kushtetutën e Kosovës”- tha ajo.

    Lushaku-Sadriu gjithashtu ka theksuar se ardhja e Donald Trump në pushtet ka ndryshuar disa prioritete ndërkombëtare, por Kosova duhet të nxjerrë përfitime të mëdha nga kjo marrëveshje.

    “Ne duhet ta nxjerrim më të mirën nga kjo marrëveshje dhe absolutisht që qëndrojmë mbrapa që ta implementojmë secilën pikë që është në të mirën e Kosovës dhe në harmoni me Kushtetutën e Kosovës”- shtoi ajo.

    Rikthimi i Ministrisë të Integrimeve

    LDK-ja synon rikthimin e Ministrisë të Integrimeve Europiane nëse rikthehet në pushtet.

    “Me prioritet do ta bëjmë Ministrinë e Integrimeve Europiane që procesi i menaxhimit të plotësimit të kritereve për anëtarësim në BE të jetë strukturor dhe i organizuar”- tha Jehona Lushaku-Sadriu.

    Ajo fajësoi Qeverinë Kurti për “cenim dhe stagnim” të proceseve integruese, përkatësisht të procesit formal të anëtarësimit të Kosovës në BE.

    Sipas programit të LDK-së, synohet të rikthehet Ministria e Integrimit Evropian, në mënyrë që i gjithë procesi i integrimit europian të ketë një adresë të qartë. Përveç kësaj, Ministria e Integrimit të menaxhojë dhe të koordinojë edhe procesin e bashkëpunimit rajonal dhe të gjitha iniciativat në kuadër të këtij bashkëpunimi (siç është Procesi i Berlinit)

    Jehona Lushaku- Sadriu, kandidatja për deputete nga LDK-ja. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Megjithatë është LDK-ja e cila kur ishte në pushtet me Avdullah Hotin si kryeministër, në vitin 2020 e kishte ka shuar Ministrinë e Integrimit Europian.

    Lushaku-Sadriu ka theksuar se Qeveria për shkak të gjuhës që ka përdorur ndaj shteteve anëtare të BE-së dhe për moskoordinimin në mes këtyre shteteve dhe institucioneve të BE-së, ka cenuar dhe e ka sjellë Kosovën në një pozitë ku jemi vendosur në listën e të sanksionuarve.

    Ajo theksoi se si pasojë e kësaj gjendjeje, Kosova ka humbur qindra milionë euro që mund të kishin hyrë në ekonomi dhe ishin destinuar për zhvillimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore dhe kapitale.

    Sipas saj, edhe mbështetja për reformat gjyqësore ka humbur për shkak të fondeve që duhet të vinin, por janë ndalë si pasojë e sanksioneve.

    “Imagjinojeni Kosova që ka marr deri në 60 milionë euro për vit për reformat gjyqësore, nuk i ka më”- tha ajo.

    Shtetet e Bashkimit Europian ende nuk e kanë një qëndrim unik rreth heqjes së tyre. Masat ndëshkuese u aplikuan në qershor të vitit 2023, e shpresat që ato të hiqeshin sivjet ishin të mëdha në Kosovë.

    Në muajin qershor 2024, kryediplomati i Bashkimit Europian, Josep Borrell, ua kishte dorëzuar vendeve anëtare të BE-së raportin lidhur me masat që i janë vënë Kosovës. Në raport është bërë ishte vlerësimi nëse duhet hequr masat ndaj Kosovës, të vëna për shkak të tensionimit të situatës në veri të vendit në maj dhe qershor të vitit 2023.

    Ajo pretendoi sa ka ambasadorë që janë shkarkuar në mënyrë të jashtëligjshme, duke ndërprerë lidhjet e Kosovës me këto shtete. Në kontekst të kësaj, ajo përmendi edhe komunikimet formale dhe të papërshtatshme nga ministrja e Punëve të Jashtme.

    “Personalisht kam takuar diplomat edhe politikanë europianë që vërtetë nuk kanë dëshirë as ta takojnë ministren tonë të Punëve të Jashtme për shkak të një sjelljeje jo të matur të saj”- tha Lushaku- Sadriu.

    Ajo ka theksuar nevojën për një qasje më të strukturuar dhe të organizuar për menaxhimin e procesit të integrimit europian, duke vënë theksin në prioritetet për ngritjen e përfaqësimit të Kosovës në iniciativat rajonale dhe forcimin e lidhjeve me shtetet e BE-së dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Ndërkaq, Lutfi Haziri tha se do të shfrytëzohen të gjithë mekanizmat në politikën e jashtme që përfshijnë edhe diplomacinë parlamentare dhe të gjitha kanalet tjera politike që të rikthehet besimi në shtetin e Kosovës.

    “Një imazh i cili Kosovën e kthen në një pamje krejt tjetër që e ka pas për shkak se kjo politikë pa vizion, jo që krijoi raporte konfliktuoze në shumë raste me partnerët strategjikë dhe me vendet partnere, por krijoi edhe një raport të ri në dekadën e re. Kjo politikë tashmë është në marrëdhënie të kushtëzuara dhe [raportet] me institucionet e BE-së, SHBA-në dhe NATO-n janë në pikën më të ulët sot”- tha ai.

    Qëndrimi i LDK-së: Shkarkimi i Martin Berishaj

    Në situatën aktuale të diplomacisë kosovare, pyetja për shkarkimin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka bërë jehonë në diskutimet publike.

    Lutfi Haziri, thekson se Kosova nuk mund të përfshihet në skandale të tilla. Qëndrimi i tyre është që Berishaj të shkarkohet.

    “Definitivisht, në ditën e parë njerëzit që kanë pasur probleme me ligjin, njerëzit që janë përfshirë në nivele rajonale, kurdisje tenderësh … Kosova nuk lejon të përfshihet në raporte të këqija”- u përgjigj ai kur u pyet nëse e kanë në plan ta shkarkojnë Berishajn.

    Ai mendon se diplomatët dhe ambasadorët duhet të jenë figura të besueshme dhe të respektojnë standardet më të larta etike, për të shmangur përfshirjen e vendit në çështje të dyshimta.

    Haziri gjithashtu ka theksuar se është e rëndësishme që Kosova të respektojë kuotat dhe ndarjen e të drejtave në politikën e jashtme, duke shtuar se LDK respekton ato kuota të caktuara nga ligji dhe nuk ka kaluar në emërime që tejkalojnë ato kufizime.

    Në ditët e para të administratës, Haziri nënvizon se një nga prioritetet e tij është vendosja e rendit dhe meritokracisë, duke siguruar që diplomatët dhe konsujt të punojnë sipas standardeve të larta dhe të jenë figura të besueshme për qytetarët e Kosovës.

    Nga ana tjetër, kandidati Armend Zemaj, ka shprehur një qëndrim më të ashpër ndaj mundësisë së mbrojtjes së individëve që janë të përfshirë në skandale të korruptuara

    Kandidatët për deputetë nga LDK-ja. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    “Mendoj se as nuk duhet të diskutohet shkarkimi i njerëzve të tillë, sidomos i këtij personi (Martin Berishaj), por hetimet duhet të fillojnë nga ajo që është marrë si temë bazë- nënshtetësia e tij, e rastet tjera- tërheqja e milionave nga bankat”- tha ai.

    Zemaj përmend se kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka premtuar se nuk do të ketë mbrojtje për individë të përfshirë në korrupsion, duke e konsideruar të papranueshme mbrojtjen e atyre që përballen me akuza për krime të organizuara dhe pastrim parash.

    “Jo që shkarkohet që ka aktakuzë, por nuk do të ketë mbrojtje, e para çka është më elementare për një qeveri me duar të pastra. E para, as që diskutohet mbrojtja e njerëzve të tillë dhe e dyta shkarkimi as që diskutohet në LDK”- tha ai.

    Më 29.03.2024, ambasadori Martin Berishaj ka përfunduar intervistimin e tij në Prokurorinë Speciale pas disa orë qëndrim brenda. Berishaj po dyshohet për 3 vepra të ndryshme penale. Berishaj bëri jehonë në vitin 2022, kur u përfol në mediat sllovene nën dyshimin se ka transferuar rreth 600 mijë euro te një kompani private në Mal të Zi.

    Jo Ministri, por Agjenci për Mërgatën

    LDK ka përfshirë në programin e saj krijimin e Agjencisë për Mërgatën, një strukturë që në planet e tyre do të operojë nën përkujdesjen direkte të Kryeministrit.

    Armend Zemaj, theksoi rëndësinë e këtij projekti, duke shpjeguar se Agjencia do të ketë si qëllim kryesor integrimin e mërgatës, forcimin e lidhjeve me Kosovën, nxitjen e investimeve dhe kthimin e trurit.

    Kosova aktualisht ka Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës në kuadër të së cilës përfshihet mërgata.

    Zemaj theksoi se Agjencia do të ketë një rol të rëndësishëm në nivel qeveritar dhe do të mundësojë zhvillimin e një lidhjeje më të fortë mes shqiptarëve.

    Armend Zemaj, kandidat për deputet nga LDK-ja. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Kurse, kandidatja Jehona- Lushaku, tha se Agjencia do të ketë funksion ekzekutiv që merr masa direkte, ndërton relacione me shtetin ku ka mërgatë, zyrtarisht ndan fonde, që bashkë me shtetin ku mësohet gjuha shqipe- të jetë shqipja si gjuhë e zgjedhjes ku jetojnë shqiptarët.

    Zemaj tha se në LDK është formuar gjithashtu një grup i veçantë politik për mërgatën, i cili do të përqendrohet në organizimin e mësimit të gjuhës shqipe, promovimin e ambasadave kulturore dhe krijimin e një kornize investimesh, që sipas tij, do të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të lidhjeve me diasporën.

    “Gjatë verës dhe në pushime tjera, fëmijët që janë lindur dhe rritur në mërgatë kur të vijnë këtu, jo vetëm të njihen me familjarët e tyre në dasma dhe pjesës mortore, por edhe [të njihën përmes] lidhjeve të tyre me edukimin, institucionet dhe ekonominë”- tha ai.

    Për më tepër, LDK ka ndërmend të bëjë dërgimin e librave shkollorë në mërgatë si pjesë të një programi të institucioneve shtetërore.

    “Ne do ta rikthejmë jo si pjesë vullnetare por institucionale dërgimin e librave në mërgatë”- tha Zemaj.

    Përvoja e LDK-së në pushtet

    Lidhja Demokratike e Kosovës më së shpeshti e ka pasur fatin që të jetë në pushtet.

    Pas mbarimit të luftës dhe ardhjes së Administratës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara (UNMIK) u mbajtën Zgjedhjet e para në Kosovë, në vitin 2001.

    LDK fitoi shumicën e votave dhe përfaqësoi shumicën e deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës më 04.03. 2002 dhe LDK-ja formoi Qeverinë e parë pas luftës.

    Kjo parti fitoi përsëri Zgjedhjet e vitit 2004, në krye me Ibrahim Rugovën, i cili ishte President deri në vitin 2006.

    Ndërsa, në Zgjedhjet e vitit 2014, LDK arriti të krijonte një koalicion qeverisës me partinë e Hashim Thaçit, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të formonte një Qeveri të re në krye me Isa Mustafën.

    Në Zgjedhjet e vitit 2019, LDK humbi mundësinë për të formuar një Qeveri, pasi LVV fitoi më shumë vota. LVV bëri koalicion me LDK-në, por Marrëveshja u prish pas disamuajsh kur Qeveria e Kurti u rrëzua në Kuvend në mars 2020, përmes një Mocioni Mosbesimi.

    Në këtë situatë, LDK-ja, nën udhëheqjen e Avdullah Hotit, arriti të formonte një koalicion me PDK-në dhe partitë e tjera të vogla. Më 22.03.2020, Hoti u zgjodh Kryeministër i Kosovës.

    Qeveria Hoti u rrëzua pas një Mocioni të dytë Mosbesimi në Kuvendin e Kosovës.

    Kjo u pasua me Zgjedhje të parakohshme të shkurtit të vitit 2021, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje doli fituese.Në Zgjedhjet e fundit në vitin 2021, LDK-ja fitoi 12.64 % – duke u renditur si partia e tretë, për nga numri i votave.

    “DebatPërnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

    RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” tha në nisje të debatit për politikën e jashtme se “Donika Gërvalla si ministre e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca si Kryetar i Kuvendit, Vjosa si Presidente, deri tani edhe komplet Qeveria Kurti 2, me gjithë respektin ndaj tyre, janë udhëheqësia e parë pas shpalljes së Pavarësisë që po e përfundon mandatin e plotë pa asnjë njohje të vetme”.

     

  • Gjykata vërteton diskriminimin në pagë të aktorit të Teatrit Kombëtar

    Gjykata Themelore në Prishtinë (GJTHP), Departamenti i përgjithshëm ka vërtetuar diskriminimin në pagë nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndaj aktorit Naim Berisha, anëtar i Trupës Rezidente të Teatrit Kombëtar të Kosovës, për periudhën 01.07.2011 deri 30.04.2015.

    Përmes Aktgjykimit të datës 19.12.2024, GJTHP e ka aprovuar në tërësi si të themeltë Kërkesëpadinë e aktorit Naim Berisha kundër MKRS-së – duke e detyruar këtë të fundit që t’ia paguajë aktorit Berisha diferencën e ndryshimit në pagë për periudhën kohore 01.07.2011 – 30.04.2015.

    Aktgjykimi i datës 19.12.2024 i GJTHP-së vjen pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese – KI137/23, të datës 18. 01.2024, publikuar më 20.02. 2024, përmes së cilës konstatohet se tre Aktgjykimet paraprake të Gjykatës së rregullt – përfshirë Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë (2015), Gjykatës së Apelit (2019) dhe Gjykatës Supreme (2022) – nëpërmjet të cilëve i ishte refuzuar Kërkesëpadia aktorit Berisha, ishin nxjerrë në kundërshtim me Kushtetutën, provat dhe Ligjet e aplikueshme në Kosovë.

    Kushtetuesja, më 19.01. 2024, konstatoi se Aktgjykimi i Supremes ka pasur shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të paraparë me Nenin 31, Paragrafi 1 të Kushtetutës në ndërlidhje me të drejtën për një proces të rregullt të paraparë me Nenin 6, Paragrafi 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

    Vendimi i Kushtetueses bëri që rasti i Berishës të rigjykohet.

    Aktgjykimi i Gjykatës

    Më 19.12.2024, GJTHP e ka vërtetuar diskriminimin në pagë për periudhën 4 vjeçare (2011-2015) të aktorit Berisha nga MKRS-ja – duke e obliguar këtë të fundit të paguajë diferencën në pagë, diferencën e kontributit pensional, tatimit dhe kamatën ligjore.

    Më 2012 Berisha kishte ushtruar padi në Gjykatë për diskriminim në pagë, në raport me kolegët e tij.

    Sipas Vendimit të GJTHP-së, MKRS me mospagesën e njëjtë të Berishës në raport me kolegët e tij, ka shkelur të drejtat e tij që kanë të bëjë me kushtet e punësimit dhe pagesës – duke bërë diskriminim të drejtpërdrejtë, përkatësisht duke shkelur Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi.

    “Përfundimisht, Gjykata vlerëson se e paditura (MKRS) me rastin e mospagesës së njëjtë të paditësit, sikurse kolegët e tij për punën e njëjtë ka bërë diskriminim të drejtpërdrejtë ndaj tij – duke e trajtuar në mënyrë më pak të favorshme sesa janë trajtuar të punësuarit e tjerë në pozitat e përmendura.” – thuhet në Aktgjykim.

    Po sipas këtij Aktgjykimi, meqë Gjykata gjeti se e paditura (MKRS) me veprimet e saj ka bërë diskriminim të drejtpërdrejtë ndaj paditësit (Naim Berisha) vendosi të detyrojë të paditurën (MKRS) që paditësit t’ia kompensojë shumën e caktuar sipas Aktgjykimit.

    Rruga e gjatë për drejtësi e aktorit Naim Berisha

    Aktori Berisha tha për KALLXO.com se fatura që i është dashur të paguajë për shkak të përcaktimit të tij për mbrojtje të të drejtave të punëtorëve dhe ligjshmërisë në Teatrin Kombëtar ka qenë shumë e shtrenjtë.

    Diskriminimi në pagë ka thënë ai është vetëm njëri ndër sulmet që atij i janë bërë gjatë kësaj qëndrese për drejtësi.

    “Gjykata më në fund pas 14 vjetëve aprovoi padinë dhe konfirmoi diskriminimin. Kërkimi i drejtësisë në Gjykatë ishte i rëndë, po aq sa diskriminimi. Kjo lëndë është refuzuar fillimisht nga tre instancat e Gjykatës së rregullt – përfshirë Gjykatën Themelore, Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Supreme.” – tha Berisha për KALLXO.com.

    Berisha ka thënë se vetëm pas aprovimit nga Gjykata Kushtetuese dhe shkeljeve që kjo Gjykatë konstatoi, ky rast arriti të marrë rrugën drejt zgjidhjes, i cili pas shqyrtimit të dytë nga Gjykata Supreme u aprovua për të arritur në këtë epilog ku jemi tani, ku Gjykata e faktit, respektivisht Gjykata Themelore në Prishtinë, aprovon padinë – duke e vërtetuar diskriminimin.

    “Vlen të përmendet se nga Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Ministria e Kulturës nëpërmjet gradimeve të paligjshme vazhdoj të jem i diskriminuar, në kundërshtim me përvojën dhe përgatitjen akademike. Madje, TKK  ka mbi një vjet që nuk e zbaton Vendimin e Komisionit të Ankesave të MKRS-së, nëpërmjet të cilit vërtetohet se unë në kundërshtim me përvojën, rrethanat dhe përgatitjen akademike jam kategorizuar në kategori jomeritore.” – ka thënë Berisha.

    Ndërsa MKRS nuk i është përgjigjur interesimit të KALLXO.com – lidhur me Aktgjykimin e GJTHP-së.

    Përgjegjësia për gradimin e aktorëve në TKK bie mbi Këshillin Drejtues të tij. Ky i fundit nuk është përgjigjur në interesimin e KALLXO.com – lidhur me pretendimet e Berishës se ende vazhdon të jetë diskriminuar si aktor i TKK-së, përkatësisht moszbatimin e Vendimit të Komisionit të Ankesave.

    Më 2011 Qeveria miratoi Rregulloren për gradimin dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesionalë të trashëgimisë kulturore. Miratimi i saj i hapi rrugë legalizimit të vendeve të punës edhe të aktorëve të TKK-së. Por, pavarësisht shkollimit superior, përvojës dhe vlerësimeve të larta për interpretim në skenë nga kritika, Berisha diskriminohet në pagë në raport me kolegët e tij, i cili për punën e njëjtë për katër vjet me radhë u pagua dukshëm më pak (gjysmë page), se sa kolegët e tij me të njëjtin status, me të njëjtën përvojë pune dhe me të njëjtën përgatitje akademike.