Ballina

Kategori: Gjatë

  • Për çka u gjobit “Koalicioni për Familjen” nga PZAP?

    Më 28.01.2025 profili në rrjetin social ‘TikTok’ me emër ‘Shqiperia zgjohet’ ka publikuar një fotografi/video të bartësit të listës së ‘Koalicioni për Familjen’, Eman Rrahmani, në të cilën shkruhet “ish-deputeti i LVV u dënua me 7000 euro gjobe vetëm se ne nje tubim elektoral deklaroi qe neqoftse do qeveriste ne Kosove nuk do te lejonte kurrë martesat burre me burre e gru me gru”.

    KALLXO.com ka kontrolluar vendimet për dënime të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) që nga nisja e fushatës zgjedhore në Kosovë (11.01.2025) e deri më 31.01.2025.

    Më 28.01.2025, PZAP kishte publikuar vendimin për dënimin me 7,500 euro ndaj subjektit politik ‘Koalicioni për Familje’. Në vendimin e PZAP-së thuhet se dënimi është shqiptuar pas gjuhës së përdorur nga kandidati për deputet, Eman Rrahmani në rrjetin social Facebook.

    “Paneli, pas shikimit të shkresave të ofruara si provë materiale në ankesë, të cilat janë bërë nga Koalicioni për Familjen, respektivisht nga kandidati për deputet Eman Rrahmani në rrjetin social facebook, ku shihet se i njëjti ka postuar deklaratat duke përdorur fjalët “Po thonë që nuk bon me ju thanë “turp” atyre që cenojnë familjen. Turp edhe marre, secilit, organizatë joqeveritare që financon degjenerimin e fëmijeve! Turp dhe marre secilës komunë e secilit kryetar komune që i financon këto organizata, me e prish familjen!””- thuhet në vendimin e PZAP-së.

    Përveç këtij dënimi, ‘Koalicioni për Familje’ që nga fillimi i fushatës zgjedhore është dënuar edhe me tri gjoba të tjera.

    Ky subjekt politik ishte dënuar më 5 mijë euro më 23.01.2025 me arsyetimin se kandidati për deputet Jeton Haxhimustafa në rrjetin social Facebook kishte postuar një deklaratë duke përdorur fjalët “A po e kuptoni se këtu kemi të bëjmë me idiologji dhe se i kemi shumë arsye për t’u përgjigjur masovikisht këtyre bojkotimeve që po i bëhën Koalicionit për Familjen, fillimisht përmes RTK-së dhe tani përmes PZAP-së vetëm që të na detyrojnë të heshtim përballë degjenerimit. Por, përkundrazi, s’ka pushtet që i nënshtrohemi apo na pengoj që t’i themi jo martesës burrë me burrë dhe grua me grua. PIKE!”.

    ‘Koalicioni për Familje’ ishte gjobitur me 4,500 euro të tjera nga PZAP më 22.01.2025 për gjuhën e përdoror të kandidatëve për deputetë, Fatmir Smajli dhe Eman Rrahmani kundrejt komunitetit LGBTI+.

    vendimin e PZAP-së thuhet se gjuha e përdorur nga subjekti politik ‘Koalicioni për Familjen” ndaj LGBTI+ në tubimet zgjedhore në Pejë më datë 17.01.2025, është në kundërshtim me Kodin e Mirësjelljës për Subjektet Politike.

    “…sipas panelit përdorimi i gjuhës së tillë ka për qëllim ofendimin, denigrimin dhe njëherit shihen si shprehje me ngjyrime përçmuese ose nënvlerësuese”- thuhet në arsyetimin e vendimit të PZAP-së.

    Më 23.01.2025, ky subjekt politik ishte dënuar me 1,500 euro nga PZAP me arsyetimin se vendosja e posterit të kandidates Dorontina Kokollari në shtyllën elektrike në Komunën e Suharekës ishte në kundërshtim me dispozitat ligjore.

    Shuma të majme të gjobave ka shqiptuar PZAP kundrejt partive politike që nga fillimi i fushatës zgjedhore. 

    PZAP u ka shqiptuar gjoba në vlerë 125 mijë euro subjekteve politike për shkelje të rregullave zgjedhore që nga fillimi i fushatës zgjedhore, e cila ka nisur më 11.01.2025 e deri më 22.01.2025.

    Sipas vendimeve të publikuara, nga 11 deri më 22.01.2025, Lidhja Demokratike e Kosovës, ishte dënuar me 45 mijë euro për gjashtë raste të ndryshme.

    Me 20 mijë euro ishte dënuar Lidhja Demokratike e Kosovës për krahasimin e kandidates për deputete, Xhenet Syka Kelmendi, e cila e ka krahasuar kandidatin e LVV-së për kryeministër, Albin Kurtin, me Adolf Hitlerin.

    Nga 11 deri më 22.01.2025 Partia Demokratike e Kosovës për 10 ditë fushatë është dënuar gjithsej 44,500 euro për 10 raste të ndryshme.

    Gjoba prej 8 mijë eurosh iu dha PDK-së për shkak të postimit të një video ku shihet Sami Lushtaku duke i quajtur aktivistet e LVV-së ‘zagarë’.

    Deri më 22.01.2025 koalicioni AAK, Nisma Socialdemokrate, Konservatorët, Forumi Intelektual E-30, është dënuar me gjithsej  23,500 euro për tri raste të ndryshme.

    Po ashtu, PZAP për 10 ditë fushatë, nga 11 deri më 22.01.2025 e ka gjobitur me 12 mijë euro partinë Lëvizja Vetëvendosje për katër raste të ndryshme.

    Më 30.01.2025, PZAP e ka dënuar Lëvizjen Vetëvendosje me 8 mijë euro gjobë për pengimin e gazetarëve gjatë fushatës zgjedhore në dy raste të ndryshme. Sipas vendimit, Lëvizja Vetëvendosje me 5,500 euro gjobë është dënuar për pengimin e gazetarëve në tubimin e saj në Malishevë të mbajtur më 25.01.2025.

    Në të njëjtën ditë, më 30.01.2025, PZAP e ka dënuar edhe me 10 mijë euro Lëvizjen Vetëvendosje, për shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike gjatë fushatës zgjedhore.

    Në vendim thuhet se AAK-ja është ankuar se kandidatja për deputete, Donika Gërvalla dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti kanë përdorur gjuhë të papërshtatshme gjatë fjalimit të tyre në një tubim në Deçan, më 26.01.2025.

    “Sipas parashtruesit të Ankesës, gjatë këtij fjalimi, Donika Gërvalla-Schwartz, duke aluduar për Ramush Haradinajn, të njëjtin e quan ‘Gjeneralë të vetëshpallur’ (në shumës), e më pas vazhdon e njëjta ‘Prandaj, unë mendoj që aq më pak meriton respekt kush sakrificën personale apo familjare e përdor për arsyetim për krim, për korrupsion, për vrasje apo mashtrim’” – thuhet në vendimin e PZAP-së.

    PZAP është organ i përhershëm, i pavarur kompetent për të vendosur në lidhje me ankesat e lejuara që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor siç është caktuar me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, Ligjin për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës dhe me Rregullat zgjedhore.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025. Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 09.02.2025.

    Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre

     – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues

     – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet e tjera në fuqi.

    Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

  • Përdorimi i inteligjencës artificiale në shpërndarjen e dezinformatave në kohë fushate

    Materiale të rreme që lidhen me partitë, kandidatët për kryeministër dhe deputetë për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 09.02.2025 në Kosovë, janë shpërnndarë në rrjetet sociale që nga fillimi i fushatës elektorale.

    Për krijimin dhe shpërndarjen e dezinformatave, për dallim nga fushatat paraprake, tani po përdoret inteligjenca artificiale. Video e fotografi të prodhuara nga inteligjenca artificiale janë prodhuar dhe janë shpërndarë në rrjete sociale, duke përfshirë Facebook-un dhe TikTok-un.

    Më 13.01.2025, faqja në Facebook PDK Nëndega Fshati Oshlan ka publikuar një fotografi në të cilën shihet kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, njëherit kryeministrit aktual Albin Kurtit, i veshur si pelegrin.

    “Po bëhem sikur po falna, vetëm sa për t’ua marrë votat atyre që e quajnë veten myslimanë, pastaj e miratoj edhe ligjin për homoseksualët”- është shkruar në fotografi.

    Pas kërkimit me makinën e kërkimit të imazheve Pim Eyes, KALLXO.com kishte gjetur se fytyra e Kurtit është përdorë për të prodhuar këtë fotografi.

    Përmes kërkimit në Google Lens, po ashtu KALLXO.com evidentoi se e njëjta fotografi është publikuar edhe në disa faqe të tjera, të cilat kishin treguar se fotografia është prodhuar nga Inteligjenca Artificiale.

    Gjithashtu, më 05.01.2025, një profil në Facebook (arkiva) ka publikuar disa fotografi të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

    Në fotografi pretendohet se Kryeministri ka veshur uniformë ushtarake. KALLXO.com, përmes aplikacionit për vërtetësinë e fotografive Hive Moderation ka gjetur se imazhet, kanë mundësi 99.9% se janë prodhuar me Inteligjencë Artificiale.

    Kurse, përmes aplikacionit tjetër PimEyes, KALLXO.com vërtetoi se fytyra e Kurtit është shkëputur nga fotografi tjera për t’i prodhuar fotografit e publikuara.

    Përveç fotografive, përmes Inteligjencës Artificiale janë duke u fabrikuar edhe video të ndryshme, teksa politikanëve u mëveshët zëri i dikujt tjetër.

    Më 28.12.2024, një faqe në Facebook (arkiva & arkiva) ka publikuar një video në të cilën shihet kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe njëherit kandidat për kryeministër, Ramush Haradinaj. Faqja pretendon se Haradinaj thotë “O Albin o djali jonë Vetëvendosja qysh po të shkon”.

    Për të verifikuar këtë video, KALLXO.com ka analizuar materialin dhe ka vërejtur se zëri është shkëputur nga një video me përmbajtje satirike nga grupi humoristik Stupcat, me emër “Stupcat – Gëzuar Pavarësia 2006”.

    KALLXO.com ka kontrolluar  vërtetësinë e videos duke gjetur se është përdorë një fotografi e Ramush Haradinaj e publikuar fillimisht në BBC në autorësinë e Reuters, e cila pas përdorimit të AI është kthyer në video material.

    Sipas të dhënave në internet, kjo fotografi është realizuar më 11.06.2017, derisa Haradinaj ishte duke votuar në Zgjedhjet parlamentare të mbajtura atë ditë në Kosovë.

    Video të prodhuara nga inteligjenca artificiale janë publikuar edhe në TikTok, të cilat mund t’i gjeni KËTU, KËTU dhe KËTU.

    Cili është ndikimi i inteligjencës artificiale në fushatë?

    Përdorim më të theksuar të inteligjencës artificiale në shpërndarjen e dezinformatave gjatë kësaj fushate për zgjedhjet parlamentare në Kosovë, të cilat mbahen më 09.02.2025, ka vërejtur edhe profesori i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli.

    Në këtë fakt sipas tij, mund të ketë ndikuar zhvillimi i fundit i teknologjisë në fushën e inteligjencës artificiale.

    “Përdorimi i inteligjencës artificiale, për dallim nga fushatat e tjera është jashtëzakonisht i madh, ndoshta edhe për shkak të zhvillimit të fundit të teknologjisë sa i përket formave që lidhen me chatgpt dhe krijues të tjerë të përmbajtjes me anë të inteligjencës artificiale. Këto aplikacione të inteligjencës artificiale janë duke u shfrytëzuar në tri çështje: në krijim të përmbajtjes, në krijim dhe në mirëmbajtje të profileve të cilat edhe fotografitë edhe videot edhe përmbajtjen tekstuale e kanë të gjeneruar me inteligjencë artificiale” – tha Zeneli.

    Sipas profesorit universitar, inteligjenca artificiale po përdoret nga secila parti politike, me qëllim që mesazhi i tyre politik të shpërndahet në masë. Ai shtoi se ky fenomen ka ndikim negativ, pasi që mesazhi që shpërndahet përmes inteligjencës artificiale është i rremë.

    “Këtu nuk bëjnë përjashtim asnjëra nga partitë politike. Në observimin qe e kam bërë deri tani secila parti politike ose mbështetës virtual të krijuar me inteligjencë artificiale janë profile të ndryshme në media sociale, në Tiktok e Facebook kryesisht me anë të së cilave shpërndahen mesazhet politike të qytetarët” – shtoi mes tjerash Zeneli.

    Sipas tij, ky fenomen ka ndikim negativ sepse krijon përshtypje e rreme që një kandidat ose një parti politike është e përkrahur nga një masë në media sociale.

    “Po në të vërtetë nuk është ashtu sepse të gjitha këto profile që i diskutuam janë të krijuara me inteligjencë artificiale” – tha ai.

    Duke e quajtur risi teknologjike që ka prekur shumicën e fushave, sidomos ato që ndërlidhen me komunikimin online dhe platformat online, profesori universitar Muhamet Jahiri, përdorimin e inteligjencës artificiale gjatë fushatës zgjedhore e konsideron të rrezikshme.

    Jahiri, njëherit shefi i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se është dashur krijimi i një mekanizmi ligjor për rregullimin e përdorimit të inteligjencës artificiale.

    “Përfshirja e kësaj inteligjence në fushatën zgjedhore është diçka e rrezikshme, jo etike dhe manipulative. Institucionet gjegjëse është dashtë që para ciklit zgjedhor t’i paraprijnë me mekanizma ligjor rregullimit mbi përdorimin e saj në kohë zgjedhjesh, ngjashëm siç kanë vepruar vendet perëndimore, përfshirë edhe ShBA’të. Përdorimi i AI-së në një shoqëri që në esencë gjykimin kritik dhe nivelin e arsimit e ka shumë prapa vendeve të zhvilluara, këtë çështje e bënë edhe më serioze” – tha Jahiri.

    Ai theksoi se dezinformimi përmes AI-së është i vështirë për t’u luftuar dhe evidentuar dhe mbi të gjitha e pa diktuar prej shumicës së qytetarëve.

    “Kjo po përdoret jashtëzakonisht shumë nga ato grupet parapolitike që në esencë janë politike për të denigruar kundërshtarët, për të tërhequr qytetarët e pavendosur e lehtë të arritshëm, por edhe për të përfituar terren politik në zgjedhje”- tha Jahiri.

    Qëllimi i shpërndarjes së dezinformatave përmes inteligjencës artificiale sipas profesorit Jahirit, është përfitimi në rezultat të zgjedhjeve.

    “Qëllimi i përdorimit të saj është që të arrihet tek votuesit që janë preh e këtyre përmbajtjeve të cilët vështirë se mund ta dekonstruktojnë mesazhin e tyre, të prekin anën emocionale të tyre, dhe t’i zhvendosin ata nga problemet reale të tyre, duke iu krijuar përmes AI-së mite të rrejshme, zgjedhje të problemeve, dezinformim përmes kontekstit të rremë dhe formave të tjera manipulative. Qëllimi kryesor është përfitimi në rezultat të zgjedhjeve, propaganda që ata janë zgjedhja e vetme më e mira, denigrimi kundërshtarëve politik, denigrimi e gazetarëve dhe opinionbërësve duke u shitur se këta janë viktima të një fushate nga ta, por edhe për t’i zhvendosur nga problemet reale siç janë mos realizimi i shumë projekteve, inflacioni enorm me te cilën ballafaqohen qytetarët, por, edhe fakti se shumica absolute e subjekteve e sidomos subjektit kryesor në mungesë të prezantimit të një programi katër vjeçar të qeverisjes.”- theksoi profesori universitar, Muahmet Jahiri.

    Asistentët virtualë të krijuar nga inteligjenca artificiale janë bërë shumë të avancuar dhe përdoren në fusha të ndryshme, si shërbimi ndaj klientit, mjekësia, gazetaria dhe edukimi. Disa nga asistentët virtualë që janë zhvilluar dhe po përdoren së fundmi janë ChatGPT (OpenAI); Bard (Google, tani Gemini); Claude (Anthropic); Llama (Meta) dhe DeepSeek i zhvilluar nga kompania kineze DeepSeek AI.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025. Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 09.02.2025.

    Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre

     – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues

     – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet e tjera në fuqi.

    Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

  • Senati i UP-së kthen mbrapsht avancimin e një kandidati në Filozofik, kalojnë tre të tjerë

    Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu në mbledhjen e Senatit të UP-së të mbajtur më 29.01.2025 njoftoi se Fakulteti Filozofik në UP i ka ndjekur procedurat dhe i ka propozuar kandidatët për katër pozitat sipas konkursit të datës 31.05.2023.

    Senati i UP-së në mbledhjen e datës 27.11.2024 i kishte votuar njëzëri tri masa, të cilat i kishte rekomanduar rektori Hajrullahu që të ndërmerren ndaj rastit të konkursit të datës 31.05.2023 të Fakultetit Filozofik, në të cilin u raportua për konflikt interesi të avancimit të tre profesorëve e riemërimit të një asistenteje.

    Pas rezultateve të konkursit të datës 31.05.2023, tre kandidatët: Dorajet Imeri, Mentor Hasani, Avdyl Gashi u avancuan në profesor-asistentë, kurse kandidatja Natyra Agani u riemërua në asistente në Fakultetin Filozofik të UP-së.

    Më 16.08.2024, KALLXO.com publikoi hulumtimin se këta tre kandidatë – Dorajet Imeri, Mentor Hasani e Avdyl Gashi mund ta shihnin anulimin e titullit profesor-asistent në Fakultetin Filozofik, ndërsa Natyra Agani atë të asistentes.

    Sipas hulumtimit, në procedurat e rekrutimit të konkursit të majit të vitit 2023, anëtarët e Këshillit të Fakultetit Filozofik morën pjesë në vendimmarrje të konkursit ku vetë ishin zgjedhur në pozita akademike.

    Se ekziston konflikti i interesit në konkursin e datës 31.05.2023 e kishte konstatuar përmes një opinioni Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) të marrë më 08.08.2024.

    “Në procedurat e ndjekura tani, nuk është ri-shkaktuar konflikt interesi” – ka thënë rektori Hajrullahu, më 29.01.2025.

    Rektori Hajrullahu ka treguar se për disa nga propozimet e Fakultetit Filozofik ka pasur ankesa në Komisionin e ankesave dhe pasi ky Komision ka vendosur, e kanë përcjellë raportin e tyre të Komisioni Këshill-dhënës i rektorit.

    Sipas Hajrullahut, prorektori për mësimdhënie në UP, Naim Jerliu është udhëheqës i Komisionit Këshill-dhënës dhe gjatë mbledhjes së Senatit më 29.01.2025 e ka ftuar që t’i prezantojë gjetjet e tyre.

    Për pozitën numër një të konkursit të datës 31.05.2023, prorektori Jerliu ka thënë se kanë qenë dy kandidatë. Prej tyre, Këshilli i Fakultetit Filozofik në UP ka propozuar kandidaten Natyra Agani për riemërim në pozitën e asistentes.

    Hajrullahu e ka hedhur në votim në Senat riemërimin e Natyra Aganit në asistente dhe më pas ka konstatuar se pozita numër një e konkursit është miratuar njëzëri, pasi nuk kishte vota kundër e as abstenim.

    Për pozitën numër katër të konkursit të datës 31.05.2023, prorektori Jerliu ka njoftuar se kanë aplikuar dy kandidatë dhe i propozuari nga Këshilli i Fakultetit Filozofik është Mentor Hasani në pozitën profesor asistentë. Edhe Hasani është votuar njëzëri nga senatorët.

    Kurse, për pozitën numër 7 të konkursit të datës 31.05.2023, Jerliu ka thënë se ka pasur gjashtë kandidatë që kanë aplikuar. Megjithëse nuk e përmendën emrin e kandidatit të propozuar nga Këshilli i Fakultetit Filozofik për këtë pozitë, sipas informacioneve të KALLXO.com, ky kandidat është Dorajet Imeri.

    Sipas Jerliut, në këtë pozitë është konstatuar nga Komisioni Këshill-dhënës i rektorit se ka nevojë për kompletim të raportit, përkatësisht për respektim të rregullores për avancim, zgjedhje të datës 27.04.2022.

    “Propozimi është që lidhur me këtë pikë, pozitë të konkursit, vlerësimi të kthehet në rishqyrtim në Këshillin e Fakultetit (Filozofik)” – ka thënë Jerliu.

    Pasi ka thënë se trupa Këshill-dhënëse e tij i ka analizuar rastet mirë dhe ka vërejtur se Komisioni recensues nuk ka vepruar në bazë të rregullores për emërime, avancime në fuqi me të cilën është realizuar konkursi, Hajrullahu ka hapur debatin për këtë pozitë të konkursit të datës 31.05.2023.

    Mirëpo, pozita numër 7 e konkursit i ka përplasur rektorin Hajrullahu dhe dekanin e Fakultetit Filozofik në UP, Bekim Baliqi.

    Dekani Baliqi nuk e pa të arsyeshme që pozita numër 7 e konkursit të datës 31.05.2023 të kthehet për rishqyrtim në fakultetin që ai udhëheq. Ky është rishqyrtimi i dytë për këtë pozitë.

    “Dy herë ka kaluar në Komision të ankesave, dy herë janë refuzuar ankesat e kundër kandidatëve edhe nuk ka kurrfarë arsye pasi që dy herë raporti është aprovu nga Këshilli i Fakultetit, gjithashtu edhe nuk është pa asnjë shkelje edhe prej Komisionit vlerësues” – ka arsyetuar mendimin e tij Baliqi.

    Sipas Baliqit, nëse kthehet për rishqyrtim pozita numër 7 e konkursit në Këshill të Fakultetit Filozofik, Senati e zhvlerëson punën dhe mandatin e komisioneve vlerësuese.

    “Ne nuk po e mbrojmë Komisionin (vlerësues), ne faktikisht po e qesim Komisionin para një gjyqi. Pra, nëse ju nuk i besoni Komisionit vlerësues, nëse ju nuk i besoni Këshillit të Fakultetit (Filozofik), atëherë pse pra po e diskutojmë. Unë po mendoj që rasti sikur rastet tjera është shtjerr çdo gjë dhe shpresoj që do ta përballoni sikur rastet tjera edhe këtë rast, për shkak se jemi lodhë edhe diqysh krejt energjia po na shkon veç t’u u marrë me ankesa” – tha Baliqi.

    Hajrullahu ia ka dhënë fjalën prorektorit Jerliu, i cili ka shpjeguar se në raportin e Komisionit vlerësues nuk është aplikuar vlerësimi kuantitativ i aktiviteteve të kandidatëve, të cilët emërohen për herë të parë në thirrjen profesor asistentë.

    “Pikët e kandidatit të propozuar, atij ju kanë shtu dy pikë, d.m.th në kundërshtim me rregulloren. Dhe te kategoria e-pjesëmarrja në konferenca shkencore, numri maksimal i pikëve, i cili qartë me rregulloren e cila është në fuqi me të cilën duhet të bëhet vlerësimi është 5 pikë, kandidatit të propozuar i janë dhënë 7 pikë dhe kjo është e mjaftueshme që të konsiderohet që ky vlerësim duhet të kthehet në rishqyrtim” – ka shtuar Jerliu.

    Hajrullahu i ka garantuar senatorët, se edhe pse bëhet fjalë për Fakultetin prej nga vjen ai, megjithatë, çdo vendim sikur për gjitha rastet tjera duhet të jetë i bazuar në dy parime të cilat janë të panegociueshme – në ligjshmëri dhe meritokraci.

    Hajrullahu ka treguar se senatori i Fakultetit Filozofik, Sejdi Rexhepi ka rastisë që të jetë kryetar i Komisionit vlerësues, kurse dekani Baliqi të jetë anëtar i këtij Komisioni.

    “Kandidati që ne e kemi propozuar i ka plotësuar kushtet të cilat në kohën e Statutit paraprak dhe rregullores për avancime, i ka plotësuar kushtet e nevojshme për avancim” – ka thënë Rexhepi.

    Rexhepi ka vazhduar duke thënë se për këtë rast janë dërguar edhe në hetuesi për krime të rënda.

    Pastaj, ka ndodhur përplasja mes Hajrullahut e Baliqit, pasi Hajrullahu ka përmendur numrin e publikimeve shkencore të kundërkandidatit për pozitën numër 7 të konkursit të datës 31.05.2023, i cili është Artan Mustafa.

    “I vetëm kundërkandidati i jashtëm (Artan Mustafa) ka të arritura shkencore më shumë se kandidati i propozuar (Dorajet Imeri) edhe Komisioni i përbërë nga kryetari i Komisionit, profesori Sejdi Rexhepi, anëtari i Komisionit, profesori Bekim Baliqi edhe anëtarja e Komisionit Jehona Lushaku-Sadriu, këta të katërtit bashkë në podium dora-doraz në aspektin shkencor, nuk munden me ia mujt as në mënyrë kuantitative me Web of Science me Scopus e as në mënyrë kualitative” – ka thënë Hajrullahu.

    Baliqi i është kundërpërgjigjur menjëherë Hajrullahut, teksa vlerësoi se kjo çështje kaloi “në personale”.

    “Nuk është e vërtetë që ka ma shumë, mundemi me hi në Google Scholar, Scopus kudo këqyr, lirisht. E dyta, shumica, absolut e publikimeve që munden me ba, ka të bëjë me p.sh Politika Sociale, tjetra ka të bëjë me Politika Sociale, d.m.th është fushës punës sociale” – ka thënë Baliqi.

    Baliqi më pas i është drejtuar Hajrullahut se po e mbron kandidatin e jo institucionin, por Hajrullahu ia ka mohuar menjëherë duke thënë se po e mbron institucionin.

    “Me këto shpifje na ka çu në Gjykatë neve, na t’u e mbrojtë institucionin, ndërsa ju po e shtini një komision, ma shumë po i besoni një kandidati i cili po shpifë, sesa institucionit. Merrni faktet këqyrni, hini në Google Scholar, këqyrni sa i ka Bekim Baliqi, sa i ka Artan Mustafa” – ka shtuar Baliqi.

    Pasi është shterur debati nga senatorët, Hajrullahu e ka përsëritur votimin për propozimin e Komisionit Këshill-dhënës të tij që pozita 7 e konkursit të kthehet në rishqyrtim në Këshill të Fakultetit Filozofik.

    Në votimin e parë, nga 30 senatorë prezent, kanë votuar 14 për, 6 kundër dhe 3 abstenuan. Pasi u konstatua se nuk votuan të gjithë senatorët, u vendos që votimi të përsëritet.

    Në votimin e përsëritur, Hajrullahu tha se ky votim për Baliqin e Rexhepin lehtas mund të interpretohet në konflikt interesi pasi kanë qenë anëtar të Komisionit vlerësues në këtë rast.

    Para përsëritjes së votimit për propozimin për pozitën numër 7 të konkursit, Baliqi e Rexhepi kanë dalë jashtë sallës ku është mbajtur mbledhja e Senatit në Rektorat.

    Në votimin e përsëritur, 23 senatorë kanë votuar për, 6 kundër e një senator ka abstenuar. Me këtë rast, Hajrullahu ka konstatuar se pozita numër 7 e konkursit të datës 31.05.2023 rikthehet në Fakultetin Filozofik për rishqyrtim.

    Dhe për pozitën numër 9 të konkursit të datës 31.05.2023, në të cilën kanë aplikuar dy kandidatë, nga Këshilli i Fakultetit Filozofik dhe Komisioni Këshill-dhënës i rektorit kandidati Avdyl Gashi është propozuar të zgjedhet profesor asistentë.

    “Konstatoj që u miratu zgjedhja e kolegut Avdyl Gashi për profesor asistent njëzëri” – ka thënë Hajrullahu, pasi është votuar nga senatorët.

    Masat e rekomanduara nga rektori Hajrullahu për konkursin e datës 31.05.2023, të cilat i votoi Senati i UP-së më 27.11.2024 ishin:

    1. Shfuqizimi i vendimeve ekzistuese
    2. Kthimi i rasteve në rishqyrtim. Proceset për secilin kandidatë duhet të rifillojnë nga faza e përcaktuar nga APK, duke eliminuar ndikimet e individëve në konflikt interesi.
    3. Raportimi dhe monitorimi i procesit – Fakulteti Filozofik të raportoj për procesin e rifilluar brenda afatit të caktuar dhe UP ta informojë APK-në për masat e ndërmarra dhe progresin e procesit.

    Dorajet Imeri, Mentor Hasani, Avdyl Gashi dhe Natyra Agani, për të cilët APK kërkoi rishqyrtim të vendimit për avancim dhe riemërim kishin qenë anëtarë të Këshillit të Fakultetit Filozofik. Por të njëjtit po ashtu kanë qenë kandidatë në konkursin e datës 31.05.2023.

    Imeri, Hasani, Avdyli dhe Agani, sipas opinionit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit kanë marrë pjesë në votimin e raporteve të Komisioneve vlerësuese gjatë mbledhjes së Këshillit të Fakultetit Filozofik të datës 27.06.2023. Ata po ashtu kishin qenë pjesëmarrës në dy mbledhje të tjera relevante të Këshillit në këtë proces emërimi.

    Komisionet vlerësuese në Fakultetin Filozofik kishin propozuar për emërim Dorajet Imerin si profesor-asistent për lëndët: Shkrim akademik dhe mendim kritik, Metodat kualitative dhe kuantitative në shkencat politike, Globalizimi dhe integrimet rajonale, Modelet e demokracisë, Administratë Publike krahasuese, Qeverisja elektronike.

    Mentor Hasani ishte propozuar si profesor-asistent për lëndët: Histori botërore moderne I, Histori botërore moderne II, Histori ekonomike e Ballkanit XIX-XX dhe Shqiptarët nën administrimin e perandorisë Osmane.

    Avdyl Gashi ishte propozuar si profesor-asistent për lëndët: Hyrje në sociologji, Shkrim akademik, Puna sociale me familje dhe Puna vullnetare.

    Ndërsa, Natyra Agani ishte propozuar për riemërim në titullin Asistente për lëndët: Psikologji zhvillimore I, Çrregullime psikologjike tek fëmijët dhe adoleshentët, Psikologji zhvillimore II, Interenimet kognitive bihejviorale, Psikologji klinike, Intervenimet në komunitet, Parimet e psikoterapisë dhe këshillim me fëmijë dhe adoleshentë.

    Sipas opinionit të APK-së të datës 08.08.2024, anëtarët e Këshillit të Fakultetit Filozofik nuk kanë pasur të drejtë të përfshihen në vendimmarrje, diskutim dhe votim lidhur me procesin e avancimit dhe riemërimit të tyre.

    KALLXO.com kishte kontaktuar në gusht 2024 secilin prej emrave të përmendur në opinionin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit. Avdyl Gashi nuk është përgjigjur në thirrjet telefonike të redaksisë. Ndërsa, Dorajet Imeri, Mentor Hasani dhe Natyra Agani kishin thënë se ende nuk e kanë pranuar opinionin e APK-së.

    Në një përgjigje për KALLXO.com, më 15.04.2024, Prokuroria e Prishtinës e kishte konfirmuar se ky rast është duke u hetuar nga ta dhe Policia.

     

  • Planet e LDK-së për bujqësinë, infrastrukturën dhe ambientin: Aviokompani, central me gaz dhe mbështetje për bujqit

    Themelimi e një aviokompanie, ndërtimi i një centrali me gaz, përfundimi i projekteve rrugore dhe heqja e akcizës së naftës dhe e normës së interesit të kredive për bujqit, janë disa nga zotimet e LDK-së në bujqësi, infrastrukturë dhe ambient.

    Kandidatët për deputetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) premtojnë se do të përfundojnë rrugët që janë nisur, do të heqin akcizën dhe normën e interesit për bujqit, do të themelojnë një aviokompani e një central me gaz, dhe përgjithësisht do të investojnë 5 miliardë euro për 120 projekte kapitale, në rast se e marrin drejtimin e Qeverisë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. Me programin “Rruga e Re”, të gjitha këto projekte parashihen të realizohen brenda mandatit katërvjeçar,

    Alban Zogaj, Krenar Xhaferi dhe Xhafer Tahiri, në emër të LDK-së u zotuan në “Debat Përnime” më 31.01.2025, se do të investojnë në sektorin e bujqësisë, energjisë dhe infrastrukturës, duke nisur nga përfundimi i punëve të nisura e deri te realizimi i projekteve të reja.

    Përveç investimeve në asfalt, këta kandidatë premtuan se do të ndërtojnë një central me gaz, një Qendër të re Spitalore, do të bëjnë sigurime bujqësore për fermerët dhe do të ulin çmimet e biletave nga Aeroporti i Prishtinës përmes shtimit të kapaciteteve të këtij aeroporti dhe aviokompanisë të cilën e kanë në plan që ta themelojnë.

    Kandidat i LDK-së për kryeministër është Lumir Abdixhiku, ndërsa kundërshtarë në garën e 9 shkurtit e ka kandidatin e Vetëvendosjes, njëherësh kryeministrin aktual Albin Kurti; Bedri Hamzën nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

    Gjithsej 2 milionë e 75 mijë e 868 votues do të kenë të drejtë vote këto Zgjedhje – sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime vetëm në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues.

    Në zgjedhjet parlamentare do të garojnë 27 subjekte politike. Prej tyre 19 janë parti politike, pesë koalicione, dy nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur. Ky është procesi i parë i rregullt zgjedhor në Kosovë, që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

    5 miliardë- 120 projekte

    Në programin “Rruga e Re”, LDK ka planifikuar 120 projekte kapitale me vlerë 5 miliardë euro.

    Kandidati për deputet, Alban Zogaj, thotë se e kanë në plan që çdo vit të investojnë mbi 1 miliardë euro në investime kapitale të cilat kryesisht janë infrastrukturore.

    “Këtu e kam fjalën për projekte të mëdha dhe përfundimin e të gjitha rrugëve që e lidhin kryeqytetin me qytete të mëdha të Kosovës”- tha ai.

    Zogaj u zotua se do ta ndërtojnë me urgjencë autostradën e Gjilanit, magjistralen Prishtinë- Pejë, Unazën e Jashtme në Prishtinë me vlerë 350 milionë euro, do ta përfundojnë magjistralen Prishtinë- Mitrovicë, magjistralen Prishtinë- Podujevë dhe pjesën e projektit Gjakovë-Klinë. Gjithashtu, ai tha se planifikojnë që të ndërtojnë 200 stacione të autobusëve në të gjithë Kosovën.

    “Pritore moderne ku [qytetarët] kanë mundësinë me pas edhe ndriçimin, shitjen e pijeve dhe ushqimit- si në krejt Europën”- tha Zogaj.

    Kandidati i LDK-së për deputet, Alban Zogaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    I pyetur nga Visar Prebreza nga “Krypometri”, se pse 930 milionë euro të parapara me programin e LDK-së, janë për projekte për asfalt, përfshirë edhe ato për shpronësimet për Unazën e Prishtinës, përderisa shumica e investimeve që nga shpallja e Pavarësisë kanë qenë pikërisht në asalft,  Zogaj vlerësoi se afër një 1 miliard euro nuk janë shumë për shkak se “projekti i madh i asfaltimit duhet të ndodhë njëherë e mirë”.

    “Nuk janë shumë për shkak se ne konsiderojmë që rruga është qasje në treg, në spital, në universitet e kryeqytet. Ky vend duhet me përfundu projektin e madh të rrugëve dhe pastaj dalim në pjesët tjera të ekonomisë”- tha ai.

    Zogaj, me profesion ekonomist tha se ende nuk kanë një vendim të prerë nëse do të shtohet tarifa për rrugët, megjithatë tha se meqë rrugët janë ndërtuar prej buxhetit të Kosovës, “ideja deri vonë ka qenë mos me e ngarku qytetarin edhe me një pagesë shtesë”.

    Plani i LDK-së parasheh përfundimin e shpejtë të të gjitha magjistraleve aktuale, me theks të veçantë të magjistrales Prishtinë – Podujevë (50 milionë euro); si dhe magjistrales Prishtinë-Mitrovicë (30 milionë euro).

    Sipas plan-programit, rruga tashmë e nisur Gjakovë-Klinë, sikurse kyçja e Komunës së Vitisë në Gërlicë, do të kenë kosto shtesë rreth 40 milionë euro; përderisa dy rrugët tjera të rëndësisë së veçantë, ajo Pejë-Kullë-Rozhajë dhe Deçan-Plavë do të kushtojnë 30 milionë euro, respektivisht 10 milionë euro për të përfunduar të dyja brenda katër viteve.

    Megjithatë, ai tha se duhet të merret vendimi për tarifë në mënyrë që të mirëmbahen rrugët e mëdha nacionale, sidomos autostradat.

    “Nuk kemi vendim të prerë për këtë punë. Do ta analizojmë mirë se a është koha e përshtatshme për ta vendosur tarifën, por mirëmbajtja e këtyre rrugëve të mëdha duhet të bëhet medoemos me pagesë”- tha ai, duke e vlerësuar se një vendim i tillë nuk është popullor.

    Ai tha se do ta instalojnë modelin e kredive afatgjata për ndërtimin e projekteve të mëdha.

    “Sepse këto projekte do ta kenë jetëgjatësinë me vite të tëra, 30 a 50 vite. Kjo nënkupton që kanë me u shfrytëzu prej gjeneratave të ardhshme. [Andaj] edhe gjeneratat e ardhshme duhet me kontribu në pagesën e këtyre projekteve”- tha ai.

    Zogaj shtoi se ⅕ e buxhetit të planifikuar janë projekte të rrugëve, ndërsa 80 për qind e programit infrastrukturor dhe investime kapitale është i orientuar në sfera tjera.

    Në lidhje me rrugët, kandidati Krenar Xhaferi premtoi se Autostrada e Gjilanit do të përmbyllet brenda dy vitesh, e brenda mandatit të parë deri te Dheu i Bardhë.

    “Përveç Urës të Badocit që u përmend 32 metra e gjatë, asnjë punë tjetër nuk është bërë nga Qeveria aktuale”- kritikoi ai Qeverinë Kurti.

    Kurse kandidati Xhafer Tahiri pretendon se arsyetimet e Qeverisë Kurti se është kursyer buxheti i shtetit për këto rrugë, nuk qëndrojnë, pasi sipas tij, qytetarët kanë shpenzuar mijëra euro më shumë në amortizim të makinave për shkak të rrugëve të këqija.

    “Pika e dytë për të hedhur poshtë këtë pretendim është se sa aktakuza për korrupsion janë bërë në këtë periudhë për këto kontrata që ata pretendojnë se ka pasur korrupsion. Përgjigja është zero. Është vetëm arsyetim për të tentuar të mbulojnë paaftësinë e tyre që t’i përfundojnë këto projekte”- tha ai.

    Gjatë debatit, Krenar Xhaferi, përmendi shtimin e numrit të menaxherëve të kontratave në mënyrë që mos të bëhet normë 10 për qindëshi, e cila nënkupton punë shtesë- që pothuajse në shumë projekte aplikohet një gjë e tillë.

    “Prishtina ka më së paku [këso] 10 për qind në krahasim me krejt nivelet tjera. Është fakt kjo që po e përmend së paku në Ministrin e Infrastrukturës, 10 për qindëshet janë shumë evidente”- tha ai.

    Xhaferi pretendon se përderisa Komunën e Prishtinës një kontratë mbikëqyret prej 6 inxhinierëve, nga mbikëqyrësi i menaxherit, menaxheri dhe ekipi profesional, në ministri është vetëm një menaxher për krejt kontratat.

    “Po flasim këtu për mbikëqyrje të asfaltit dhe investimeve infrastrukturore dhe besoj që edhe ajo frymë do të përcillet  edhe në nivelin qendror, sepse duhet të ketë ekip më të madh profesional që secili jep të jep përgjegjësi për fushën e vet”- u shpreh ai.

    Mbyllja e “Kosova A”, ngritja e Centralit me gaz

    Plani më i madh që ka proklamuar LDK-ja në këtë fushatë zgjedhore e që hynë në kuadër të infrastrukturës dhe energjisë është ndërtimi i Centralit me Gaz.

    Sipas programit të LDK-së, lokacioni i centralit të ri do të përcaktohet pas studimit të fizibilitetit, me mundësi serioze të vendosjes në Han të Elezit, Kaçanikut apo dhe Ferizajt.

    Alban Zogaj thotë se këtë Central e kanë në plan ta ndërtojnë me kredi afatgjata, që sipas tij, Banka Europiane për Ndërtim dhe Zhvillim dhe Banka Botërore, Fondi Monetar ofrojnë kredi afatgjatë për këso projekte.

    Kurse, sipas plan-programit, paratë e nevojshme për investim do të sigurohen nga Fondi i Kursimeve Pensionale, me kthim investimi dyfish çfarë ky fond merr tani për tani nëpër tregjet ndërkombëtare.

    “Ne veçse i kemi filluar linjat e para të komunikimit me kompani të mëdha amerikane të cilat do të investojnë në Centralin më gaz, 500 MË, 500 milionë euro”- tha Zogaj.

    Në planin e LDK-së është mbyllja e Termocentralit “Kosova A” dhe rindërtimi i “Kosova B”.

    “Ne mendojmë që kjo është gabim (rindërtimi e dy njësive të ‘Kosova A’). Rindërtimit të “Kosovës B” me ia shtu edhe Centralin me gaz, plus me hap dritare të reja për energji të ripërtritshme në bashkëpunim me sektorin privat”- tha ai kur u pyet nëse janë “pro” ose “kundër” thirrjes së fundit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për rindërtimin e dy njësive të “Kosova A”.

    Kandidati i LDK-së për deputet, Krenar Xhaferi. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Megjithatë, ai tha se nuk do ta anulojnë menjëherë këtë thirrje nëse do të qeverisin, por do ta rishikojnë.

    Për projektin e Brezovicës, Alban Zogaj tha se do ta realizojnë me model të Partneritetit Publiko-Privat (PPP) .

    Ai tha se do të investojnë si Qeveri e si shtet 80 milionë euro në Brezovicë duke e ndërtuar infrastrukturën bazike të teleferikëve dhe të gondolës nga poshtë deri të qendra e skijimit.

    “Por, pjesë tjetër të investimeve, facilitietet e hotelierive, fascilitetet sportive, të akomodimit e kështu më radhë, do t’i ndërtojnë sektori privat edhe firmat private”- tha ai.

    Aviokompani dhe përfundim i hekurudhave brenda Kosovës

    Alban Zogaj tha se në programin e tyre kanë paraparë rehabilitimin e hekurudhave të brendshme, njëherësh do të analizojnë edhe hekurudhën me Durrësin- edhe pse nuk e kanë në program.

    “E kemi rehabilitimin e krejt hekurudhave të brendshme, kjo është prioriteti jonë”- tha ai.

    Kurse, Xhafer Tahiri tha se Qeveria Kurti nuk e ka përfunduar asnjë prej projekteve të rëndësishme brenda Kosovës dhe retorika se do të ndërtojnë hekurudhën me Shqipërinë është thjeshtë një retorikë elektorale.

    Në planprogram, LDK ka shkruar se ka identifikuar tri projekte kryesore që do të ripërcaktojnë përvojën e udhëtimit brenda Kosovës dhe do të forcojnë ekonominë, me total 100 milionë euro.

    Projekti i parë, sipas tyre, është rehabilitimi i linjës hekurudhore Xërxë-Prizren, e cila më pas do të do të lidhte Prishtinën me Prizrenin (përmes Fushë-Kosovës) me një investim prej rreth 25 milionë eurosh. Projekti i dytë ka të bëjë me rehabilitimin e linjës Klinë-Pejë me një kosto prej 22 milionë eurove. Ndërkaq, projekti i tretë ka të bëjë me përfundimin e rehabilitimit të linjës hekurudhore “Hani i Elezit-FushëKosovë”, duke përfshirë edhe rehabilitimin e stacioneve të trenit, përgjatë gjithë linjës.

    “Për shkak të mungesës të zhvillimit për këtë katër vite të kësaj qeverisje, fokusi i madh duhet të jetë të përfundohen projektet e mëdha infrastrukturore të cilat janë bërë tanimë barrë për çdo qytetarë të Kosovës”- tha ai.

    Ndërsa sa i përket çmimit të biletave të aeroplanit nga Aeroporti i Prishtinës që janë më të larta, Zogaj tha se në programin e tyre kanë dhe aviokompainë kosovare e cila do të ndihmojë në këtë drejtim, gjithashtu edhe zgjerimi i kapaciteteve të Aeroportit.

    “Zgjerimi i kapacitetetve e rrit ofertën dhe kështu i zvogëlon çmimet e biletave”- tha ai.

    Zogaj tha se zotohen që qasja e tyre është që monopolet të mos ekzistojnë në ekonominë e tregut të lirë të Kosovës dhe kontratat të analizohen.

    “Nëse një kontratë është nënshkru dhe e ka një afat skadimi nuk mundet me ardhë një Qeveri e re dhe me fillu tani me i rrënu krejt kontratat e reja, andaj do t’i analizojmë kontratat, do të merremi me to në qoftë se se ka shkelje i orientojmë kah organet përgjegjëse”- tha ai.

    Sipas planprogramit “Rruga e re”, parashihet themelimi i aviokompanisë së parë kombëtare, me një flotë avionësh prej 4 deri në 8 sosh, me vlerë të gjithëmbarshme 70 milionë euro.

    LDK premton që kjo aviokompani – në pronësi publike dhe private – do të sigurojë fluturime të rregullta mes Aeroportit të Prishtinës dhe vendeve me diasporë të theksuar shqiptare.

    “Rreth 100 milionë euro të tjera do të sigurohen nga investimet private, që do të bëhen pjesë e këtij konzorciumi”- shkruan në program.

    Heqja e akcizës, rritja e buxhetit dhe financimi i normës të interesit

    Xhafer Tahiri thotë që për sistemin e ujitjes, LDK ka paraparë investime të menjëhershme në rehabilitimin, fillimisht në sistemin aktualë të ujitjes të tokave bujqësore dhe pastaj ndërtimin e kapaciteteve të reja.

    “Aktualisht në Kosovës kemi vetëm nja 20 mijë hektarë nën sistemin e ujitjes apo vetëm 4.8% e tokës bujqësore”- tha Tahiri.

    Programi i LDK-së parasheh rritjen e buxhetit për bujqësi dhe zhvillim rural për 100 milionë euro për një mandat.  Ndësa për planin e tokave nën ujitje dyfishim të sipërfaqes aktuale, që sipas matjeve të tyre aktualisht janë rreth 20 mijë hektarë të tokës bujqësore.

    Edhe pse nuk është i përmendur specifikisht, Tahiri i cili ka qenë kryetar i Komunës së Vushtrrisë në mandatin e kaluar, tha se kanë pasur në plan ndërtimin e liqene akumuluese që mund të përdoren edhe për ujitje edhe për ujë të pijshëm.

    Ai tha se në rajonin e Vushtrrisë është një projekt që është në kuadër të strategjisë kombëtare për siguri të ujit dhe projekt i studiuar nga Banka Botërore që nga vitet e 70- ta për liqene akumuluese.

    Sipas tij, ky projekt patjetër që do të realizohet në mënyrë që të rritet edhe sipërfaqja e tokës bujqësore nën ujitje edhe të kemi siguri të ujit.

    Kurse, Alban Zogaj potencoi se një prej problemeve me të mëdha aktualisht të zhvillimit bujqësor në Kosovë është mungesa e sigurimeve bujqësore, të cilat premtojnë se do t’i bëjnë.

    Kandidati i LDK-së për deputet, Xhafer Tahiri. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Për këtë, ai tha se duhet të kërkojnë prej kompanive të sigurimit që produktet bujqësore me i fut në gamën e tyre të shërbimeve dhe në qoftë se ka problem, si Qeveri t’i garantojnë ato sigurime.

    Pos saj, Zogaj tha se kanë propozuar heqjen e akcizës për naftën e krejt firmave bujqësore dhe t’i financojnë normat e interesit për fermerët, që nënkupton që shteti të paguajë normën e interesit ndërsa fermerët të marrin kredi për zhvillimin e bujqësisë.

    “Heqja e akcizës e bënë lëndën e parë për bujqësinë të jetë më e lirë dhe kështu i jep mundësi bujqësisë me u zhvillu edhe me pas produktivitet dhe profit me të lartë”- tha ai.

    Xhafer Tahiri e sqaroi çështjen e formalizimit duke shtuar se do të krijohet një fond i veçantë nga Qeveria e Kosovës që garanton normën e interesit përmes fondit kreditor dhe garantimit të fondit.

    Se qysh do të ndalet korrupsioni në dhënien e granteve, Tahiri tha se “hajnia është hajni- edhe atëherë, edhe tani, edhe në të ardhmen dhe do të merr dënimin e merituar sipas ligjit dhe asnjëherë nuk do të merr mbrojtjen e Qeverisë”.

    Tahiri tha se për Rajonin 02- Mitrovicën, programi i LDK-së përfshin një numër të projekteve të rëndësishme që lindin si nevojë që kanë qytetarët e këtij rajoni.

    Ai tha se projekti më i rëndësishëm është përfundimi sa më shpejt i rrugës Prishtinë-Mitrovicë.

    “Kjo rrugë tani për tani është përfunduar vetëm deri në fshatin Nadakofc. Ju dhe mediat tjera keni raportuar për problemet e kualitetit të punimeve i cili është bërë nga ngutia që ka pas Qeveria për ta prerë një shirit, që të ketë të paktën një projekt të përfunduar për këtë fushatë”- tha ai.

    Përvoja e LDK-së në pushtet

    Lidhja Demokratike e Kosovës më së shpeshti e ka pasur fatin që të jetë në pushtet.

    Pas mbarimit të luftës dhe ardhjes së Administratës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara (UNMIK) u mbajtën Zgjedhjet e para në Kosovë, në vitin 2001.

    LDK fitoi shumicën e votave dhe përfaqësoi shumicën e deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës më 04.03. 2002 dhe LDK-ja formoi Qeverinë e parë pas luftës.

    Kjo parti fitoi përsëri Zgjedhjet e vitit 2004, në krye me Ibrahim Rugovën, i cili ishte President deri në vitin 2006.

    Ndërsa, në Zgjedhjet e vitit 2014, LDK arriti të krijonte një koalicion qeverisës me partinë e Hashim Thaçit, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të formonte një Qeveri të re në krye me Isa Mustafën.

    Në Zgjedhjet e vitit 2019, LDK humbi mundësinë për të formuar një Qeveri, pasi LVV fitoi më shumë vota. LVV bëri koalicion me LDK-në, por Marrëveshja u prish pas disamuajsh kur Qeveria e Kurti u rrëzua në Kuvend në mars 2020, përmes një Mocioni Mosbesimi.

    Në këtë situatë, LDK-ja, nën udhëheqjen e Avdullah Hotit, arriti të formonte një koalicion me PDK-në dhe partitë e tjera të vogla. Më 22.03.2020, Hoti u zgjodh Kryeministër i Kosovës.

    Qeveria Hoti u rrëzua pas një Mocioni të dytë Mosbesimi në Kuvendin e Kosovës.

    Kjo u pasua me Zgjedhje të parakohshme të shkurtit të vitit 2021, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje doli fituese.Në Zgjedhjet e fundit në vitin 2021, LDK-ja fitoi 12.64 % – duke u renditur si partia e tretë, për nga numri i votave.

    “Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

    RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” tha në nisje të debatit për infrastrukturë, ambient dhe bujqësi se: “Rrugët nuk janë mbërri me u ndreq, mirëpo nashta i kishim falë diqysh nëse e kishin ndreq bile ambientin. Për fat të keq Deponia e Mirashit dhe deponitë e mbeturinave janë në gjendje katastrofale sot e kësaj dite në Kosovë. Asnjëri prej impianteve të ujërave të zeza që ka pasë më u kry nuk është përfundu”.

     

  • Treguesit identifikojnë progres në parandalimin e terrorizmit

    Një grup profesionistësh nga institucione të ndryshme të Kosovës të përfshirë në fushën e parandalimit dhe luftimit të terrorizmit kanë vlerësuar nivelin e përmbushjes së strategjisë kundër terrorizmit në vend.

    Të dhënat e grupit që ka punuar gjatë muajit dhjetor kanë konstatuar se rreth 65% e aktiviteteve janë përmbushur në plotëni.

    Strategjia shtetërore për Parandalimin dhe Luftimin e Terrorizmit është baza e aktiviteteve të cilat institucionet e vendit i realizojnë në punën e terrorizmit.

    Aty parashihen aktivitete në parandalim dhe luftim të terrorizmit të ndara në katër shtylla strategjike.

    Strategjia vlerësohet çdo vit në kuadër të një procesi ku të gjithë aktorët raportojnë për përmbushjen e aktiviteteve të tyre.

    “Gjatë periudhës raportuese Janar 2024 – Dhjetor 2024, grupi punues vlerëson se 65% e aktiviteteve të parapara janë zbatuar plotësisht, 14% pjesërisht dhe 21% nuk janë realizuar”- thuhet tutje në përgjigjet e Ministrisë së Punëve të Brendshme e cila e koordinon këtë strategji.

    Sipas tyre, bazuar në rezultatet e arritura, implementimi i Planit të Veprimit për vitin e dytë (Janar – Dhjetor 2024) ka qenë i suksesshëm dhe tregon një progres të konsiderueshëm në zbatimin e objektivave strategjike.

    Institucionet e Kosovës, bashkë edhe me organizata jo-qeveritare që funksionojnë në Kosovë, kanë të ndara detyra e përgjegjësi për të punuar në drejtim të identifikimit, luftimit, rehabilitimit e riintegrimit të personave që janë konsideruar të cenueshëm nga ekstremizmi i dhunshëm.

    Në bazë të strategjisë së miratuar, Kosova përveç që sfidohet me forma të tjera të aktiviteteve terroriste dhe edhe ajo me motive nacionaliste dhe politike, gjithashtu edhe me tendenca për të ndërhyrë në rendin kushtetues të Kosovës nga shtetet jomiqësore, vendi përballet edhe me terrorizmin me motive fetare.

    Ndonëse format e terrorizmit tashmë kanë pësuar ndryshime, strategjia thotë se institucionet kanë ndërmarrë veprime si në aspektin e rregullimit ligjor e institucional, ashtu edhe në punën me komunitetin për të zhvilluar një qasje bashkëpunuese për t’u kundërvu ndaj këtyre ideologjive dhe narrativave që përhapen nga grupet, lëvizjet apo organizatat terroriste.

    Strategjia ka paraparë që kohëve të fundit, rreziku nga radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm me motive fetare që shpie në terrorizëm është në ulje, ndërkohë që rreziku nga aktivitetet dhe sulmet eventuale me elemente të radikalizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit me motive politike apo nacionaliste është në rritje.

    Kjo situatë është vlerësuar të jetë veçanërisht në veri të vendit, përmes sulmeve ndaj policisë, barrikadave, krimit dhe mbajtjes së organizatave ilegale si dhe të armatosura me qëllim përdorimin e tyre për kundërvënie të dhunshme dhe sulme ndaj policisë dhe institucioneve të tjera.

    Sulmet e fundit të cilat prekin formë të ekstremizmit të dhunshëm janë edhe rasti i Banjskës dhe ai i sulmit me eksploziv që ndodhi në nëntor të vitit 2024 në kanalin Ibër-Lepenc duke prekur kështu direkt infrastrukturën kritike.

    Shpërthimi që ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut ishte cilësuar nga Qeveria e Kosovës si “sulm terrorist”.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se sulmi ishte kryer nga grupe terroriste.

    “Unë nuk i kam emrat e atyre që e kanë vënë detonimin. Por, unë e di një gjë, se elemente të tilla kriminale, qofshin edhe zyrtarisht anëtarë të Mbrojtjes Civile, Brigadës Civile, ata e kanë mbështetjen dhe dirigjimin nga Beogradi zyrtar.”– kishte thënë Kurti.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka mohuar që Serbia ka lidhje me sulmin në kanalin Ibër- Lepenc në komunën e Zubin Potokut.

    Për sulmin në kanalin e Ibër- Lepencit, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit, nga 15 deri në 20 kilogramë, i cili dyshohet se është aktivizuar me detonatorë mekanikë përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme.

    Cilat aktivitete përfunduan e çka mbeti pa u zbatuar sipas Planit të Veprimit?

    Institucionet e Kosovës përfshirë këtu edhe organizatat jo-qeveritare Janë të obliguara që në baza tre mujorëshe të raportojnë në Sekretariatin e Strategjive që është në kuadër Ministrinë e Punëve të Brendshme.

    Në kuadër të planit të veprimit, në vitin 2023 përqindja e personave të identifikuar që janë përfshirë në programin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për Rehabilitim dhe Riintegrim ishte 71%, në vitin 2024 ishte rritur përqindja për 4. Në vitin 2025 synimi është që të jenë më shumë se 80%, rritja e përfshirjes së personave të cenueshëm në programin e rehabilitimit dhe riintegrimit.

    Në Kosovë aktualisht është i themeluar një mekanizëm multidisipniarë në Han të Elezit ndërsa synimi për vitin 2024 ishte themelimi i tre mekanizmave ndërsa për vitin 2025 numri të shkojë në gjashtë mekanizma referues të cilët kanë për detyrë fuqizimin e përfshirjes së rolit të nivelit lokal në riintegrim dhe rehabilitim.

    Në vitin 2024 janë realizuar 12 trajnime të zyrtarëve të nivelit lokal dhe qendror në lidhje me identifikimin e faktorëve të ndryshëm që qojnë drejtë ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie drejt te terrorizmi.

    Deri më tani në kuadër të aktiviteteve për planin e veprimit për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm që shpie në terrorizëm janë krijuar edhe grupi që bën identifikimin e literaturës që konsiderohet me përmbajtje radikale dhe esktremiste si dhe është bërë edhe lista vjetore me literaturë me përmbajtje të tillë.

    Një tjetër aktivitet që pritet të nis në vitin 2025 kur të gjindet edhe mbështetësi apo donatori është edhe implementimi i analizës së kurrikulave për tekstet shkollore deri sa ky aktivitet hynë te plani i veprimit për identifikimin e rrethanave që qojnë në ekstremizëm të dhunshëm.

    Bazuar në programet jashtë kurrikulare me nxënës dhe punëtorë të shkollave me qëllim të edukimit për parandalimin e formave të ekstremizmit, gjatë vitit 2024 në çdo komunë në bazë të raportimit është organizuar programi ‘Pluralizmi dhe promovimi i diversitetit përmes edukimit”.

    Një nga aktivitetet që parashihet në planin e veprimit që është shtyrë për vitin që jemi aktualisht është edhe Zhvillimi i programeve te veçanta ne nivelin universitar, me theks te veçantë te Fakultetit i Edukimit, Shkencat sociale dhe Gazetari për identifikimin e rrethanave që qojnë në ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizëm që shpie në terrorizëm.

    Për përkrahjen financiare të aktiviteteve të të rinjve për parandalimin e ideologjive ekstremiste në komunitetin e tyre në bazë të raportimit, Ministria e Arsimit nuk kishte ndarë buxhet.

    Numri i trajnimeve me zyrtarë të qendrave për Punë Sociale, ligjërata për grupet e cenueshme për kundër narrativat, kampe te mendimit kritik priten që të implementohen edhe gjatë vitit 2025.

    Përgjatë vitit të kaluar, janë mbajtur edhe takime në kuadër të planit për aktivitetin e informimit të Këshillave të Prindërve për identifikimin e formave të hershme të ekstremizmit të dhunshëm përmes takimeve. Trajnime u mbajtën edhe për psikologët për ndërhyrje të hershme për të mbrojtur të rrezikuarit nga radikalizmi.

    Në vitin 2024 është hartuar edhe doracaku për identifikimin e hershëm të shenjave të radikalizmit në burgje, doracak ky i cili është shpërndarë në 200 kopje deri më tani. Ky dokument u dedikohet punonjësve të burgjeve.

    Një pjesë e rëndësishme e aktiviteteve në strategji janë implemetnuar nga organizata të shoqërisë civile të cilat operojnë në këtë fushë. OJQ-të kanë zhvilluar programe të trajnimeve, programe të komunikimit strategjik, programe mediale trajtim të personave të rikthyer dhe përkrahje financiare për familjet e tyre.