Ballina

Kategori: Fact-Check

  • Shumë nga 220 të punësuarit e fundit janë nga fshati i Kryeshefit – KEK-u e mban të fshehur listën e të punësuarve

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) pranoi 220 punëtorë të rinj më 06.01.2025. Në ditën e pranimit të tyre në punë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti për disa prej tyre shpërndau kartelat e punës.

    Kurti mori pjesë në këtë ceremoni pak ditë para fillimit të fushatës zgjedhore, e cila filloi më 11.01.2025 për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të 9 shkurtit 2025.

    Në ceremoni përveç Kryeministrit mori pjesë edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe u.d. kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Bekir Gërguri, si dhe kryesuesi i Bordit të KEK-ut, Valdrin Krasniqi.

    Në media dhe në rrjetin social TikTok është folur për këta të punësuar. Aty pretendohet se shumica nga 220 të punësuarit janë nga fshati Bardh, prej nga vjen edhe u.d. kryeshefi i KEK-ut, Bekir Gërguri (shih: këtu, këtu dhe këtu).

    KALLXO.com kishte dërguar pyetje me e-mail për këtë çështje te KEK-u, më 06.01.2025, 14.01.2025, 16.01.2025 dhe 23.01.2025.

    Këto pyetje për punësimet në KEK mbetën pa përgjigje nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).

    Për këtë çështje, KALLXO.com ka biseduar edhe direkt me Bekir Gërgurin, Ushtrues Detyre i Kryeshefit të KEK-ut.

    Në pyetjen se a është e vërtetë që shumë prej 220 të puënsuave në KEK janë nga fshati Bardh, prej nga vjen edhe vetë Gërguri, ai u përgjigj me “Është e vërtetë”.

    “Është e vërtetë, se edhe Mihja Sipërfaqësore e ka emrin Mihja e Bardhit. Nuk e ka emrin Mihja e Prishtinës, por është e Bardhit. Nuk është e vërtetë. Numri 220 është numri i përgjithshëm. Kanë pasë të drejtë më marrë të barabartën secili kandidat, barabartë.” – deklaroi Gërguri për KALLXO.com.

    Ai nuk u përgjigj në pyetjen se sa të punësuar janë nga fshati Bardh – duke drejtuar ekipin që pyetjet të dërgohen te zëdhënësi i KEK-ut.

    Edhe më 23.01.2025, në ditën kur ekipi foli me Gërgurin, pyetje iu drejtuan zëdhënësit të KEK-ut duke kërkuar listën e këtyre të punësuarve dhe se a është e vërtetë që 74 nga 220 të punësuarit janë nga ky fshat. As në këtë ditë, KALLXO.com nuk ka marrë përgjigje.

    Ekipi i KALLXO.com e ka pritur u.d. kryeshefin Gërguri në hyrje të objektit të KEK-ut, për shkak që nuk mori përgjigje ashtu siç edhe tha Gërguri, por ai nuk doli nga dera që hyri në mëngjes.

    Sigurimi i tha ekipit që U.D. Kryeshefi është larguar rreth orës 16:05 ose 16:10. Ekipi e ka pritur para hymjes Gërgurin nga ora 15:20 deri në ora 16:30.

    Historiku i Ndërmarrjes

    Korporata Energjetike e Kosovës sh.a. (KEK sh.a.) është Ndërmarrja kryesore energjetike në Republikën e Kosovës.

    Ajo është e integruar vertikalisht dhe është korporatizuar në fund të vitit 2005. Asetet e Korporatës janë nën pronësi të plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në periudha të ndryshme kohore KEK sh.a. iu nënshtrua ndryshimeve të shumta.

    Për një kohë të gjatë, Sistemi energjetik i Kosovës ka qenë pjesë përbërëse e Sistemit energjetik të ish-Jugosllavisë. Gjatë asaj periudhe, prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë ka qenë i koncentruar në prodhimin e energjisë elektrike nga qymyri (termo) dhe në një sasi shumë të vogla nga uji (hidro).

    Gjatë kësaj kohe furnizimi me energji elektrike nuk është bërë vetëm nga Termocentralet e Kosovës, por edhe nga burimet e tjera që prodhonin energjinë elektrike e që ishin të shpërndara në tërë territorin e ish-Jugosllavisë.

    Pas vitit 1999, KEK-u kaloi nëpër disa faza të ristrukturimit dhe ndryshimeve organizative e operative, për të shenjuar së fundmi procesin e ndarjes së plotë dhe më pas edhe të privatizimit të afarizmit të shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike, e cila përfundoi në vitin 2013 dhe tani ky afarizëm është nën pronësi private, me përgjegjësi të plotë ligjore për shpërndarje dhe furnizim të konsumatorëve me energji elektrike.

    Sot, funksion parësor i Korporatës është prodhimi i qymyrit dhe gjenerimi i energjisë elektrike. Për të përmbushur këto dy funksione, KEK-u është i organizuar në dy Divizione qenësore: Divizionin e Mihjeve dhe Divizionin e Gjenerimit. Korporata operon me mihjen sipërfaqësore të linjitit, gjegjësisht Mihjen e Sibovcit Jugperëndimor; dy termocentrale, TC “Kosova A” dhe TC “Kosova B”.

    Funksionet e Korporatës rregullohen përmes politikave të Zyrës së Rregullatorit për Energji të Republikës së Kosovës. Korporata ka të punësuar rreth 4700 punonjës të fushave të ndryshme të operimit.

     

  • Grenell kërkon të dënohet ‘dhuna’ në protestat në Serbi, komuniteti i ‘X’ i thotë se janë më paqësoret në 30 vjetët e fundit

    Richard Grenell, i emëruar nga presidenti amerikan Donald Trump si emisar presidencial për misione të posaçme ka shpërndarë në rrjetin social “X” një video të protestave në Serbi.

    Grenell shkruan se është me rëndësi që të rritet zëri dhe ai të dëgjohet, por sipas tij “të gjithë duhet të dënojmë dhunën dhe të qëndrojmë në protesta paqësore” – shkruante ai më 25.01.2025.

    Megjithatë platforma “X” në të cilën ka shkruar Grenell jep mundësinë e shënimeve (notes) të komunitetit, përmes së cilës lexuesit mund t’i japin kontekst apo t’i demantojnë ngjarjet për të cilat publikojnë personalitete të ndryshme publike.

    Në këto shënime tek shkrimi i Grenellit, komuniteti e ka demantuar zyrtarin amerikan, teksa thotë se këto protesta janë më paqësoret në 30 vjetët e fundit.

    Komuniteti mes tjerash ka sqaruar se kërkesat e stduentëve në Serbi lidhen me aksidentin në Novi Sad vitin e kaluar dhe jo me marrjen e qeverisë.

    “Këto protesta kanë qenë më paqësoret në 30 vjetët e fundit në Serbi. E vetmja dhunë që ka ndodhur është bërë dhe frymëzuar nga Qeveria dhe Presidenti Vuçiq. Lista e kërkesave lidhet me një aksident që vrau 15 persona, jo me marrjen e Qeverisë” – thuhet në shënimet e komunitetit.

    Kurse Grenell ka kërkuar që protestat si proces demokratik të respektohen.

    “Ne nuk i mbështesim ata që minojnë sundimin e ligjit ose që marrin me forcë ndërtesat qeveritare” – ka shkruar tutje ai.

    Tutje ai thotë që nëse nuk duhet ligji apo lideri duhet të punohet që të ndërrohen por jo të përdoret dhuna.

    Studentët në Serbi përmes protestave nga nëntori i 2024-ës, po kërkojnë përgjegjësi institucionale pas vdekjes së 15 personave nga shembja e çatisë në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, më 01.11.2024.

    Ndërkohë në të gjithë Serbinë është mbajtur të premten (24.01.2025) një grevë e përgjithshme, teksa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar për themelimin e “lëvizjes për popullin dhe shtetin”.

    Greva e përgjithshme ose “mosbindja e përgjithshme civile”, siç e quajnë studentët ndryshe, nënkupton ndërprerje të plotë të punës dhe të çdo aktiviteti tjetër të përditshëm, si: shkuarja në dyqane apo restorante, kinema, teatër e të tjera.

    Në mbajtjen e grevës së përgjithshme, qytetarët janë ftuar nga studentët, të cilët për më shumë se dy muaj bllokojnë fakultetet, duke kërkuar përgjegjësi penale dhe politike për vdekjen e 15 personave në Novi Sad.

    Gjatë protestave, mediat kanë raportuar se një vajzë është lënduar kur një makinë ka goditur një grup studentësh dhe qytetarësh në Novi Beograd. Ajo është dërguar në një qendër të emergjencës për trajtim mjekësor.

    Radio Evropa e Lirë ka raportuar se kërkesat e studentëve për ndalimin e bllokadave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin e 1 nëntorit 2024.

    Ata gjithashtu kërkojnë që sulmuesit e demonstruesve nëpër Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale.

    Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.

    Autoritetet në Serbi pretendojnë se në organizimin e protestave të studentëve janë të përfshira shërbimet e huaja të inteligjencës dhe se mes studentëve ka “mercenarë të huaj”.

    Sipas tyre, këtë e dëshmon fakti se bllokadat e studentëve nuk ndalen, edhe pse kërkesat e tyre janë plotësuar – gjë që hidhet poshtë nga studentët.

    Edhe gjatë adresimit në Jagodinë, Vuçiq pretendoi, pa ofruar dëshmi, se Serbia po sulmohet “nga jashtë dhe brenda”.

    Përndryshe, Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Novi Sad ka ngritur aktakuzë kundër 13 personave në lidhje me shembjen vdekjeprurëse të strehës në Stacionin Hekurudhor të qytetit.

  • Gjuha e urrejtjes si “artileri” në betejën për pushtet

    Fushata zgjedhore në Kosovë, e nisur zyrtarisht më 11 janar 2025, po përcillet nga një diskurs i vrazhdë mes rivalëve për kryeministër të ardhshëm të vendit dhe mes kandidatëve që pretendojnë të bëhen deputetë të legjislaturës së re e cila pritet të krijohet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    Fjalimet e mbushura me gjuhë të urrejtjes, me ironi dhe me ofendime të ndërsjella mes liderëve të pozitës dhe opozitës, po i lënë në plan të dytë ato që do duhej të ishin thelbësore në garën për pushtet- programet zgjedhore. Partia që ka qeverisur në katër vjetët e fundit- Lëvizja Vetëvendosje, në fakt as që e ka ofruar një program të tillë. Megjithatë, për gjuhën dhe veprimet që nuk janë brenda normave të lejuara, secila prej partive është duke u gjobitur në vazhdimësi.

    Lëvizja Vetëvendosje është ndëshkuar me 4 mijë euro nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për gjuhën fyese që ka përdorur lideri i saj, Albin Kurti, gjatë një tubimi në Pejë. “Këtu, qysh e dini edhe ju vet, Ly-Dy-Ky-Hi dhe Py-Dy-Ky-Hi (aludimi në LDK-në dhe PDK-në) janë bashkë në koalicion. Ata mund të jenë nostalgjik për të kaluarën kur kanë keqqeverisur bashkë, por nuk mund të jenë më ëndërrimtarë që mund të përsëritet kjo”, tha Kurti para simpatizantëve të LVV-së, në qytetin rrëzë Bjeshkëve të Nemuna (shih videon e publikuar në TikTok).

    Por, s’u ndal me kaq! LDK-në, partinë që drejtohet nga Lumir Abdixhiku, rivali i tij për pozitën e kryeministrit, ai e krahasoi me mizën. “Kur na rastis të dëgjojmë ndonjë udhëheqës të Ly-Dy-Ky-Hit se populli po ka simpati për ta, mua më ngjan me mizën që thoshte se kudo që po shkoj po e presin me duartrokitje”, tha Kurti, duke shtuar më pas se “ato duar që duartrokasin [dihet] se çka janë duke provuar t’i bëjnë asaj mize” (Shih videon e publikuar në TikTok).

    Nga krahasimet, megjithatë nuk shpëtoi as ai. Për mënyrën e të folurit dhe gjestikulacionet e tij, kandidatja për deputete nga LDK-ja, Xhenet Syka, shpërndau një video krahasuese me tendencë të përngjasimit me diktatorin nazist, Adolf Hitler. Ky veprim i kushtoi LDK-së, me një gjobë prej 20 mijë euro nga ana e PZAP-së, organit të përhershëm, të pavarur dhe kompetent për të vendosur në lidhje me ankesat e lejuara që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor.

    Shkaku i gjuhës dhe i veprimeve të aktivistëve nga gjobat nuk ka shpëtuar as Partia Demokratike e Kosovës. Më 8 mijë euro u gjobit kjo parti për shkak se Armend Ahmeti, zyrtar në Komunën e Skenderajt, shpërndau një video në të cilën shihet dhe dëgjohet Sami Lushtaku, kryetari i Degës së PDK-së në këtë komunë duke i quajtur “zagarë” aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje. “T’i çojmë mesazh Albin Kurtit dhe zagarëve të tij” – dëgjohet duke thënë Lushtaku. I biri i tij, Mërgimi është në listën e kandidatëve të PDK-së për deputetë.

    PDK ia pa “sherrin” edhe Sekretarit të Degës në Malishevë, Ruzhdi Kryeziut. Në një video të publikuar në rrjetet sociale shihet Kryeziu bashkë me një qytetar që aderon në PDK, me ç’rast ky i fundit e prenë me gërshërë kartelën e anëtarësisë të LVV-së. “Nga sot kthehemi të shtëpia e vjetër, aty ku i kemi rrënjët tona të para dhe nga sot e shkatërrojmë kartelën e populistëve” – thotë i aderuari në PDK. Për këtë gjest, PDK-së iu shqiptua një gjobë prej 2 mijë euro.

    I përmbajtur nga përdorimi i gjuhës fyese nuk është treguar as lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, që njëherësh është edhe kandidat për kryeministër nga radhët e koalicionit AAK-Nisma. Që në hapje të fushatës, ai e akuzoi rivalin nga LVV-ja, Albin Kurtin, si “argat të Serbisë dhe Rusisë”. “Nuk dojmë me ba lojna me sigurinë nacionale pas shpinës së aleatëve tonë e në interes të Rusisë e Serbisë nga argati i tyre”, tha ai, duke bërë më pas edhe thirrje: “Shko Albin te prokurori se nuk po dojmë me u vjedh rezervat shtetërore, buka e ushtarit, as te energjia. Shko te prokurori e merri hajnat tjerë se je shef i hajnave”. Kjo gjuhë e Haradinajt i kushtoi AAK-së me gjobë prej 12 mijë euro nga PZAP.

    Haradinaj, që bashkë me partnerët e koalicionit garojnë në zgjedhje parlamentare me moton “Direkt në NATO”, e ka cilësuar Kurtin edhe si mercenar. “Shko se neve nuk na vjen marre prej UÇK-së se jemi kanë UÇK dhe kemi luftu për liri. Shko se e ke fy dhe poshtëru nderin e luftëtarit të lirisë. Ti je mercenar, s’është UÇK-ja mercenar, s’ka mercenarë në UÇK, ti edhe soji yt jeni mercenarë- shkoni” – ka thirrur ai.

    Një gjuhë ofenduese ndaj opozitës ka përdorur edhe kandidati për deputet nga LVV, Xhelal Sveçla. Aktualisht, ai është ministër i Punëve të Brendshme. Në një tubim në Vushtrri, Sveçla i ka quajtur ‘disa’ anëtarë të ish-qeverive si ‘bërllok’. “Disa bërlloka të partive të vjetra thanë se Policia e Kosovës po sillet si Policia e Millosheviqit në veri. Këta bërlloka a do t’i hedhim në kantën e bërllokut të historisë sonë?” – ka deklaruar Sveçla.

    PZAP ka dënuar me 4,500 euro edhe Koalicionin për Familjen pas një ankese të organizatave CEL Kosova dhe Dylberizëm me pretendimin se anëtarët e këtij koalicioni kanë përdorur gjuhe fyese dhe diskriminuese ndaj komunitetit LGBT+, promovimin e përçarjes dhe frikës ndaj qytetarëve si dhe nxitjen e urrejtjes.

    Fushata negative me ndikim afatgjatë në shoqëri

    Profesori i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Gëzim Qerimi thotë se gjuha e urrejtjes është shndërruar në një nga karakteristikat kryesore të fushatës. Më me vend ai e sheh sikur fushata të ishte orientuar kah shpalosja e programeve, e jo të dominohej nga retorika përçarëse.

    “Për fat të keq, gjuha e urrejtjes dhe ajo denigruese nuk është monopol i një partie të vetme. Ajo është përhapur pothuajse nga të gjitha forcat politike, duke u kthyer në një normë të papranueshme të komunikimit publik”, thotë ai.

    Megjithatë, sipas tij, gjuha e urrejtjes aktualisht është më e theksuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. “Të dy këta liderë kanë përqafuar një diskurs politik agresiv, duke e ndërtuar fushatën e tyre mbi përplasjet dhe konfrontimin e drejtpërdrejtë, në vend që të ofrojnë zgjidhje për sfidat reale të vendit” – thotë Qerimi.

    Profesori universitar shton se kjo sjellje e liderëve politikë reflektohet në rrjetet sociale, meqë militantët e përsërisin këtë gjuhë e madje me raste shkojnë edhe deri te kërcënimet. Andaj, sipas tij, institucionet, mediat dhe shoqëria civile duhet të bëjnë më shumë për të dënuar dhe penalizuar këtë gjuhë. “Nëse kjo tendencë vazhdon, pasojat mund të jenë të rënda për stabilitetin social dhe për besimin e qytetarëve në procesin demokratik” – shprehet ai.

    Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dritëro Arifi, negativitetin në fushatë e konsideron si të ‘paparë’. “Mund të themi që fushata nga partia në pushtet ka filluar me një negativitet të pakuptueshëm dhe të paparë duke shpërndarë urrejtje dhe polarizime të panevojshme. Në vend se projekteve elektorale vizionare, aty më shumë është ‘stand up’ komedi në kontekstin negativ dhe një kompeticion ku ministrat këndojnë. Do të duhej të tregoheshin projektet dhe vizioni për vitet 2015 – 2029, por për fat të keq LVV ka ngec në mentalitetin e opozitës” – deklaron Arifi.

    Sipas tij, opozita megjithatë ka më tepër koncentrim te përmbajtja dhe oferta. “Partitë opozitare janë më të koncentruara në përmbajtjen dhe ofertën e tyre. Po vërehet angazhim më i madh edhe në organizimin e tubimeve që ato të jenë sa më shumë elektorale” – shton ai.

    Sociologu Artan Muhaxhiri në anën tjetër thotë se gjuha e urrejtjes si “stil ekstrem” i diskursit publik ka ndikim tek kategoria e votuesve të cenueshëm, të cilët janë kryesisht dogmatikë dhe pa sens të mjaftueshëm kritik e racional të vlerësimit afatgjatë politik. Kjo kategori e votuesve,  sipas tij, shpesh janë edhe të margjinalizuar nga rrjedhat zhvillimore shoqërore.

    “Kjo gjuhë shfrytëzohet me qëllim të ndërtimit të rrëfimit të thjeshtëzuar ndarës: ‘Ne dhe Ata/Ato’, ku ‘Ne’ janë personazhet pozitive, kurse ‘Ata/Ato’ negative. Suksesi i saj varet prej rrethanave sociopolitike që dominojnë në kohën e caktuar, si dhe nga shkalla e kërkesës së votuesve që të udhëhiqen prej një lideri/partie me këtë frymë ideologjike e vepruese” – deklaron Muhaxhiri.

    “Policia Gjuhësore”

    Sociologu Artan Muhaxhiri thotë se duhet të ketë një pajtueshmëri për definicionin e asaj që quhet ‘gjuhë e urrejtjes’. Ndonëse ka disa definicione, sipas tij, kryesisht ‘gjuhë e urrejtjes’ kuptohet kur anëtarët e një kategorie të caktuar shoqërore përçmohen në mënyrë jashtëzakonisht të rëndë identitare, dhe se përbuzja nënçmuese përmban potencial për nxitje të dhunës.

    “Në fushatën aktuale për zgjedhjet e 9 shkurtit nuk është krejtësisht e qartë se cili është precizimi i detajshëm institucional i gjuhës së urrejtjes. Ka disa kritere të gjeneralizuara që mund të nënkuptojnë gjëra të ndryshme, kësisoj duke u hapur mundësi opcioneve subjektive interpretative. S’është identifikuar kthjellët vija e cila i ndan përzgjedhjet e mirëmenduara të strategjive politike prej kritereve të pashmangshme të etikës publike”, shpjegon ai.

    Muhaxhiri thotë se s’bën të krijohet përshtypja e një “Policie Gjuhësore” që i përkufizon kornizat e nuancave të lirisë së shprehjes së politikanëve në një terren skajshmërisht të komplikuar me simbolika, metafora dhe alegori. “Dita e zgjedhjeve do të duhej të ishte vlerësim i votuesve kosovarë ndaj partive dhe liderëve edhe për këtë aspekt të tyre” – thotë ai.

    Për Qerimin, gjuha e urrejtjes e përdorur nga politikanë nuk është e rastësishme. Në fakt, sipas tij, kjo është një strategji e mirëmenduar e partive politike për të manipuluar ndjenjat e qytetarëve dhe për të polarizuar elektoratin. “Kjo gjuhë synon të mobilizojë militantët, duke e paraqitur kundërshtarin politik si një ‘armik’ të vendit dhe të popullit. Kjo strategji, edhe pse mund të sjellë përfitime afatshkurtra për disa parti, në tërësi dëmton rëndë procesin demokratik dhe ndërton një kulturë politike të bazuar në përçarje dhe urrejtje” – shprehet Qerimi.

    “Bullizimi verbal dhe sarkazmi tallës”

    Gjobat e shqiptuara nga PZAP ndaj partive politike, profesor Arifi i sheh me vend, por thotë se një shoqëri normale nuk ndërtohet në këtë formë. “Dënimet janë të mëritura- ka qenë rast i rënd të krahasohet kryeministri me një diktator. Kjo është ajo që nuk duhet të kalohen në urrejtje pavarësisht nga kush bëhen. Edhe në rastin tjetër kur është dënuar opozita për të njëjtat arsye nuk mund të ndërtojmë shoqëri normale nëse elita politike shprehet në ketë formë” – deklaron Arifi.

    Sociologu Muhaxhiri nga këndvështrimi i tij thotë se “qasja e këtillë e instancave që merren me procesin zgjedhor duket se më shumë ka synime parandaluese, për ta minimizuar intensitetin e përdorimit të kësaj retorike në të ardhmen”. “Këtyre ditëve ka pasur raste të bullizimit verbal dhe sarkazmit tallës – për shembull nga Kryeministri Kurti, për ç’gjë edhe është dënuar nga PZAP, që i ka konsideruar ato si ‘gjuhë të urrejtjes’. Kandidatët tjerë për kryeministër nuk janë shquar për fjalë të kësollojta” – thekson Muhaxhiri.

    Qerimi në anën tjetër konsideron se përveç ‘elektrizimit’ të masës nga kjo gjuhë e urrejtjes, mund të jetë edhe efekti tjetër, që disa qytetarë të lodhen nga klima toksike dhe mos të marrin pjesë fare në zgjedhje. “Normalizimi i gjuhës së urrejtjes”, sipas tij, hap rrugën për akte të dhunës verbale apo dhe fizike. E kjo pastaj nëse nuk ndalet në kohë, mund të përshkallëzohet deri në konflikte serioze ndërmjet mbështetësve të partive të ndryshme, paralajmëron Qerimi.

    “Degradimi i kulturës demokratike, ku gjuha e urrejtjes dominon diskursin publik, partitë dhe liderët politikë nuk ndihen më të detyruar të ofrojnë zgjidhje reale për problemet e vendit. Kjo çon në një degradim të skenës politike, ku gara për pushtet bazohet në sulme dhe manipulime, jo në ide dhe projekte konkrete për qytetarët” – thotë ai. Gjuha e urrejtjes, sipas tij, sjell edhe humbjen e besimit në institucione dhe sistemin demokratik në përgjithësi. Rrjedhimisht rritjen e pasigurisë dhe zhgënjimit tek populli.

    Për shkak të thyerjeve të rregullave, në dhjetë ditët e para të fushatës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa u ka shqiptuar subjekteve politike gjoba në shumën prej 125 mijë euro. Bazuar në vendimet e publikuara nga ky organ, e para për nga shuma e gjobitjes është Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila deri më tani është dënuar me 45 mijë euro për gjashtë raste të ndryshme. Partia Demokratike e Kosovës, brenda të njëjtës periudhë është gjobitur me 44 mijë e 500 euro për 10 raste të ndryshme. Koalicioni AAK- Nisma me 23 mijë e 500 euro për tri raste të ndryshme. Dhe, LVV është gjobitur me 6 mijë e 500 euro për dy deklarata të Kurtit, gjatë tubimeve në Pejë dhe Podujevë.

  • Dyshimet për fletvotime të plotësuara në rrjete sociale – Prokuroria autorizon Policinë të nis hetimet

    Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se ka autorizuar Policinë e Kosovës që të hetoj rastet e dyshuara për veprën penale ‘Cenimi i fshehtësisë së votimit’.

    Prokuroria thotë se do të ndaloj çdo qytetar që tenton të ndikoj apo të keqpërdorë votën e lirë.

    Përmes këtij njoftimi ftohen qytetarët që të bashkëpunojnë me Prokurorinë dhe t’i përcjellin informatat në lidhje me keqpërdorimin e votës së lirë.

    “Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit informon opinionin publik se Prokurori i Shtetit ka filluar angazhimin në mbrojtjen e votës së lirë për qytetarët e Republikës së Kosovës, për zgjedhjet nacionale që do të mbahen më 9 shkurt 2025”– thuhet mes tjerash në komunikatë.

    Në rrjete sociale janë duke qarkulluar disa video dhe video në të cilat po mbushen fletvotime apo shfaqen fletvotime të plotësuara për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që mbahen më 09.02.2025.

    Videot shpërfaqin mbushjen e fletvotimeve për parti politike të ndryshme.

    Videot dhe fotografitë mund t’i qasni këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu.

    Rreth kësaj çështjeje, KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve por që deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk ka pranuar përgjigje.

  • Ministria në Maqedoninë e Veriut i referohet Kosovës si “Kosovë e Metohi”, MPJD shpreh indinjatë

    Një komunikatë e publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë për Marrëdhënie Ndërkomunitare në Maqedoninë e Veriut, ka zgjuar indinjatë te autoritetet e Kosovës, por pavarësisht reagimeve, ajo nuk është hequr nga faqja e ministrisë së shtetit fqinj. Në atë komunikatë, Kosova është shënuar si “Kosovë e Metohi”, një term që e përdorin zyrtarët në Serbi, të cilët edhe e kontestojnë pavarësinë e shtetit më të ri në Europë.

    Në këtë publikim flitet për pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit dhe ministrit për Marrëdhënie Ndërkomunitare në Maqedoninë e Veriut, Ivan Stoilkoviç në kampin e sportit “Serbia të thërret ty”, i mbajtur mes datave 1-11.08.2024 në Serbi.

    Në pjesën e publikimit ku përmenden fëmijët që kanë marrë pjesë në këtë kamp, Kosova është shënuar si “Kosova dhe Metohija”.

    Ndonëse njoftimi nuk ka datë të publikimit, ministri Stoilkoviç, më 08.08.2024 njoftoi për pjesëmarrjen e tij në këtë kamp.

    Për këtë çështje është diskutuar edhe në disa postime në TikTok (shih këtu, këtu dhe këtu), prandaj për të kuptuar pse Kosovës iu referua me “Kosova dhe Metohija” nga një Ministri e Maqedonisë së Veriut, KALLXO.com ka drejtuar pyetje në Ministrinë e Punëve të Jashtme të këtij shteti, megjithatë deri në publikimin e këtij artikulli, kjo ministri nuk ka kthyer përgjigje.

    Ngjashëm si në MPJ-në e Maqedonisë së Veriut, KALLXO.com ka drejtuar pyetje edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, për të marr qëndrimin e shtetit rreth këtij rasti, njëherësh për të kuptuar nëse është komunikuar me Qeverinë maqedonase për këtë çështje.

    Në MPJD thonë se e kanë përcjell verbalisht indinjatën dhe përmes Ambasadës në Shkup u kanë dërguar notë autoriteteve në Maqedoninë e Veriut.

    “MPJD, përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup, në lidhje me këtë rast ka komunikuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, ku është përcjellë verbalisht indinjata jonë lidhur me një referencë të papranueshme për Republikën e Kosovës në një faqe zyrtare të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Po ashtu, Ambasada ka dorëzuar notë, në të cilën përcillet qëndrimi i shtetit të Kosovës lidhur me këtë çështje” – thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

    Ambasada e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, nuk u është përgjigjur pyetjeve të Kallxo.com përkitazi me rastin.

    Për postimin nga zëvendëskryeministri dhe ministri për Marrëdhënie Ndërkomunitare, Ivan Stoilkovic, zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti ka thënë është votuar për interpelancë ndaj tij.

    “Ne nuk e mohojmë se Stolkovic-i është përfaqësues i serbëve dhe nuk pretendojmë ta bëjmë shqiptar e as të mendojë si ne. Takimi i parë i Kryeministrit Mickovski ka qenë me Kryeministrin Kurti. Takimi i parë i përbashkët i kësaj Qeverie ka qenë me Qeverinë e Republikës së Kosovës në Prishitinë, kështu që nuk mund të vemë paralele në mes të Stoilkoviçit dhe politikave të Qeverisë për Open Balkanin apo kundër Open Balkanit” – ka deklaruar Mexhiti.

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, më 18.11.2024, në konferencë për media pas mbledhjes së përbashkët të Qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, deklaroi se qëndrimi i vendit që ai e dhëheq për Kosovën është i qartë.

    “Nuk ka nevojë ta përsërisim tërë kohën sepse do ta humbim esencën nëse e bëjmë këtë. Kjo që ndodh sot dhe paraprakisht në Shkup, në vet fillimin e pavarësisë së Kosovës, që e bëri Qeveria e Maqedonisë me pranimin e pavarësisë së saj është e qartë. Parametër i qartë se cili është qëndrimi ynë” – kishte deklaruar Mickoski më 18.11.2024.

    Republika e Maqedonisë së Veriut (Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, që quhej në atë kohë), ka njohur pavarësinë e Kosovës më 09.10.2008, bazuar në Listën e Njohjeve të publikuar nga MPJD.