Ballina

Kategori: Botë

  • Rumania dhe Bullgaria bëhen anëtare të plota të Zonës Schengen

    Rumania dhe Bullgaria janë bërë edhe zyrtarisht anëtare të plota të Zonës për lëvizje të lirë Schengen, duke iu bashkuar vendeve të Bashkimit Evropian, plus disa shteteve tjera, banorët e të cilave mund të lëvizin lirshëm pa kryer kontrolle të pasaportës.

    Fishekzjarrët kanë shpërthyer në qiell në mesnatë në zonën kufitare bullgare, ruse teksa ministrat e Brendshëm të Bullgarisë dhe Rumanisë i kanë hequr simbolikisht barrierat në Urën e Miqësisë mbi lumin Danub.

    Kjo pikë kalimi është rrugë e madhe transiti për tregti ndërkombëtare.

    “Ky është moment historik”, ka thënë kryeministri bullgar, Dimitar Glavchev.

    “Nga Greqia në jug, deri në Finlandë në veri, dhe gjithë rrugën për në Portugali, do të mund të udhëtohet pa kufij”.

    Kontrollet në kufijtë detarë dhe ata ajrorë janë hequr qysh prej marsit të vitit 2024 për këto dy shtete, mirëpo kontrollet tokësore kanë vazhduar derisa Austria nuk ka hequr dorë nga një veto që e ka përdorur, meqë ka shprehur shqetësime për mundësinë e rritjes së migrimit të paligjshëm.

    Kufijtë në mes të Francës, Gjermanisë, Belgjikës, Holandës dhe Luksemburgut, janë hequr më 1985. Zona Schengen tani mbulon 25 prej 27 vendeve anëtare të BE-së, si dhe Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën.

    Irlanda dhe Qiproja nuk janë anëtare të Zonës Schengen./ REL

  • Vdes shoferi që përplasi automjetin në turmën e njerëzve në New Orleans duke vrarë 10 persona, FBI po heton rastin

    Burime të BBC konfirmuan se vozitësi i dyshuar që u përplas me automjet me turmën e njerëzve në New Orleans (SHBA) ka vdekur derisa, shkaku nuk dihet ende.

    FBI është duke e hetuar sulmin e mëngjesit të sotëm në New Orleans, të cilësuar si ‘akt terrorizmi’.

    10 persona kanë mbetur të vdekur dhe 35 të lënduar pasi një përplasi automjetin e llojit ‘pick-up’ në një turmë të madhe njerëzish.

    Incidenti ndodhi rreth orës 03:15 të orës lokale (09:15 sipas Europës Qendrore).

    Në një konferencë për shtyp, FBI sqaroi se mjete shpërthyese ishte gjetur në vendin e ngjarjes. BBC

    Përgatiti: Ardita Zeqiri/Kallxo.com

  • Polonia synon avancimin e procesit të zgjerimit gjatë kryesimit të BE-së

    Polonia për herë të dytë, prej kur është bërë anëtare e Bashkimit Evropian, ka marrë përsipër Presidencën e BE-së, duke filluar nga dita e parë e vitit 2025. Ky vend merr kryesimin e radhës nga Hungaria, ndërsa pas gjashtë muajsh do t’ia dorëzojë këtë Danimarkës, e cila do të kryesojë me bllokun evropian në gjysmën e dytë të vitit.

    Krahas prioriteteve tjera, sikurse siguria e bllokut evropian, ruajtja e kufijve të BE-së, energjia dhe migracioni, për Poloninë do të jetë prioritet edhe zgjerimi i Bashkimit Evropian. Këtë e kanë thënë shumë zyrtarë të lartë të Polonisë nëpër takime në të cilat i kanë shpalosur prioritetet e kryesimit të tyre gjashtëmujor.

    Edhe Hungaria, e cila përmbylli kryesimin e saj në fund të vitit 2024, konsideron se ka arritur një sukses të konsiderueshëm në procesin e zgjerimit, gjë që e kanë pranuar edhe disa diplomatë të Bashkimit Evropian.

    Në fund të Presidencës së saj, Hungaria arriti të ndërmjetësojë në Këshillin Evropian një pajtueshmëri për hapjen e disa kapitujve në negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, dhe mbylljen e disa kapitujve në negociatat e Malit të Zi për anëtarësim në BE.

    Kjo u konsiderua si sukses dhe dëshmi se procesi i zgjerimit po hyn në një fazë më dinamike dhe se, nëse vendet kandidate do të shënojnë progres në përmbushjen e kritereve, do të ketë avancim konkret në këtë proces.

    Përkundër përpjekjeve, Hungaria nuk arriti të sigurojë hapjen e një grup kapitulli në negociatat e anëtarësimit të Serbisë në BE, sepse me këtë nuk u pajtuan disa vende anëtare. Në procesin e zgjerimit vendimet për të hapur apo mbyllur kapituj miratohen vetëm me konsensusin e të gjitha 27 vendeve anëtare.

    Në këtë proces të diskutimeve vendi që ka kryesimin e radhës e luan rolin e një ndërmjetësi të sinqertë dhe të paanshëm.

    Tash pritet që Polonia të vazhdojë aty ku kanë mbetur disa dosje nga Hungaria, përfshirë edhe hapjen e kapitujve me Serbinë. Këtë e kishte premtuar edhe kryeministri i Polonisë, Donald Tusk gjatë një vizite në Beograd në vjeshtën e vitit të shkuar.

    Se zgjerimi do të jetë prioritet i BE-së gjatë kryesimit të Polonisë është shkruar edhe në programin e Qeverisë polake për kryesimin e saj gjatë gjashtë muajve të ardhshëm. Polonia beson se paralelisht me hapat konkretë me vendet kandidate, në formën e hapjes apo mbylljes së kapitujve, gjatë këtyre muajve do të ketë avancim edhe në reformat e brendshme të BE-së për t’u bërë gati për të pranuar vende të reja anëtare.

    “Zgjerimi është instrumenti më i mirë i mundshëm për Bashkimin Evropian për të forcuar dhe promovuar paqen, demokracinë, sundimin e ligjit dhe prosperitetin në Evropë. Vendet e reja anëtare forcojnë potencialin konkurrues dhe të rritjes në tregun unik, krijojnë mundësi të reja ekonomike për qytetarët dhe bizneset. Zgjerimi është, po ashtu, edhe kanali më efikas për promovimin e vlerave evropiane, me në krye demokracinë dhe sundimin e ligjit, dhe forcimin e stabilitetit në fqinjësinë tonë”, thuhet në programin e Presidencës polake të BE-së.

    “Qëllimi i Presidencës polake është të bëjmë progres në procesin e zgjerimit, edhe në drejtim të lindjes edhe me Ballkanin Perëndimor, në përputhje me angazhimin e vendeve që synojnë anëtarësimin në BE, dhe në bazë të parimit të meritave individuale. Duhet të konsolidojmë procesin e reformave në vendet kandidate, të ruajmë besueshmërinë në Bashkimin Evropian dhe të forcojmë sigurinë e Evropës”, thuhet në këtë dokument që është bazë për veprimin e Presidencës polake në krye të BE-së.

    Polonia është një ndër vendet më aktive të BE-së në thirrjet për sanksione ndaj Rusisë dhe për ndihmë ndaj Ukrainës. Ky vend promovon edhe avancimin e Ukrainës në procesin e integrimit në BE, sikurse edhe të Moldavisë. Këto dy shtete, krahas Gjeorgjisë, u janë bashkuar vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë në procesin e zgjerimit në BE. Nga të gjitha dhjetë vendet e përfshira në proces, vetëm Kosova nuk ka status kandidati. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në fund të vitit 2022, kur kryesimin e BE-së e kishte Çekia.

    Por, aplikimi i Kosovës nuk është shqyrtuar akoma nga Këshilli i BE-së. Diplomatët evropianë në Bruksel thonë se nuk mund të parashihet nëse në rastin e Kosovës do të ketë lëvizje nga ana e BE-së gjatë Presidencës së Polonisë, sepse kjo do të varet edhe nga procesi i dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë. Në anën tjetër, gjithnjë e më shumë po flitet për suspendimin e procesit të zgjerimit me Gjeorgjinë, pasi Qeveria e këtij vendi ka ndërmarrë disa hapa dhe ka miratuar ligje që shkojnë në kundërshtim me parimet e BE-së.

    Krahas avancimit të vendeve nga procesi i zgjerimit pritet që pikërisht gjatë Presidencës polake të nisin edhe diskutimet politike për reformat e Bashkimit Evropian që janë të nevojshme për zgjerim.

    “Presidenca do të vazhdojë punën në procesin e reformave të brendshme të BE-së për të realizuar prioritetet afatgjate, për të siguruar funksionimin e duhur të politikave të BE-së dhe për të siguruar kapacitetet e nevojshme për veprim në realitetin e ri gjeopolitik dhe duke pasur parasysh zgjerimin në të ardhmen. Ne do të fokusohemi në nevojat për t’u bërë gati për anëtarë të rinj duke përmbushur edhe ambiciet e përmendura në agjendën strategjike”, thuhet në programin e Polonisë për kryesimin me BE-në.

    Presidenca polake pret që edhe Komisioni Evropian të dalë me një analizë të hollësishme të para-anëtarësimit, dhe që për këtë të ketë edhe debat në Këshillin Evropian. Shumë liderë të BE-së kanë thënë se procesi i zgjerimit duhet të shkojë paralelisht edhe me procesin e reformave të brendshme të unionit, pasi me strukturën e tashme ligjore BE-ja do ta kishte të vështirë të funksionojë me më shumë se 30 vende anëtare në të ardhmen. Por, pos debateve joformale deri tash nuk ka pasur nisma zyrtare në këtë drejtim.

    Mundësia që në mandatin e ardhshëm pesëvjeçar të Komisionit të ri Evropian të ketë zgjerim, ka bërë që tash të nisin edhe diskutimet në BE për t’u bërë gati për arritjen e këtij qëllimi.

    Zgjerimi i fundit i BE-së kishte ndodhur në vitin 2013 me anëtarësimin e Kroacisë. Kroacia pati nënshkruar Traktatin e anëtarësimit në BE në pjesën e dytë të vitit 2011, pikërisht kur kryesimin e radhës e kishte Polonia. Edhe atëherë kryeministër i Polonisë ishte Donald Tusk, i cili përsëri është kthyer në atë post. Ndërkohë pas anëtarësimit të Kroacisë në BE nga blloku është larguar Britania e Madhe, duke e kthyer numrin e vendeve anëtare në 27 sa ka sot/RadioEvropaeLirë/.

  • Ngasësi në New Orleans ishte i vendosur për të kryer masakër, thotë policia

    Të paktën 10 persona kanë vdekur dhe 30 të tjerë janë plagosur për shkak të përplasjes së një kamioni në turmë në rrugën Burbon të Nju Orllinsit të mërkurën, kanë bërë të ditur autoritetet.

    Sulmi ka ndodhur në një zonë shumë të popullarizuar për turistët.

    Zyrtarët për zbatim të ligjit i kanë thënë agjencisë së lajmeve Associated Pres se i dyshuari për incidentin me kamion dhe të shtëna në një turmë, është i vdekur, pas përleshjes së armatosur me policinë.

    Kryeinspektorja Anne Kirkpatrick ka thënë se incidenti ka nisur rreth orës 3:00 të mëngjesit, sipas kohës lokale dhe që ngasësi e ka drejtuar kamionin në rrugën Burbon me shpejtësi të madhe.

    Kirkpatrick ka thënë se burri ka shpërfaqur “sjellje të qëllimshme” dhe ka tentuar të godasë sa shumë njerëz.

    Ajo ka paralajmëruar që numri i viktimave mund të ndryshojë.

    Ajo ka thënë se Byroja Federale e Hetimeve (FBI) do të marrë përsipër hetimet për incidentin.

    Agjentja speciale e FBI-së, Althe Duncan, ka thënë se e incidenti “nuk është terrorist”.

    Sipas saj, në skenën e incidentit janë gjetur “pajisje shpërthyese të improvizuara”, dhe ka porositur publikun të qëndrojnë larg zonës.

    Shkaqet e incidentit nuk dihen ende/RadioEvropaelirë/.

  • Trupat ushtarake franceze do të largohen nga Bregu i Fildishtë

    Bregu i Fildishtë ka bërë të ditur se trupat ushtarake franceze do të tërhiqen nga ky shtet i Afrikës Perëndimore, duke zvogëluar kështu ndikimin ushtarak të ish-fuqisë koloniale në rajon.

    Në adresimin vjetor, presidenti i Bregut të Fildishtë, Alassane Ouattara, ka thënë se ky vendim është reflektim i modernizimit të forcave të armatosura të shtetit.

    Ndaras, Senegali, i cili muajin e kaluar ka bërë të ditur se Franca do t’i mbyllë bazat ushtarake në territorin e tij, ka konfirmuar se tërheqja do të kompletohet në fund të vitit 2025.

    Në Bregun e Fildishtë është i pranishëm kontingjenti më i madh i trupave ushtarake franceze në Afrikën Perëndimore.

    Aty janë rreth 600 ushtarë, ndërsa 350 të tjerë në Senegal.

    “Kemi marrë vendim në mënyrë të bashkërenduar për tërheqje të forcave franceze nga Bregu i Fildishtë”, ka thënë presidenti Ouattara.

    Ai ka thënë se një batalion ushtarak, që drejtohet nga ushtria franceze, do t’iu dorëzohet trupave vendore.

    Franca, rregulli kolonial i së cilës ka përfunduar në vitet ’60 në rajonin e Afrikës Perëndimore, veçse i ka tërhequr ushtarët nga Mali, Burkina Faso dhe Nigeri, pas puçeve ushtarake në këto shtete, dhe rritjes së sentimentit kundër Francës.

    Këto tri vende i kanë forcuar lidhjet me Rusinë, prej kur i kanë dëbuar trupat ushtarake prej rajoneve të tyre.

    Qeveria e Çadit – aleat kyç i Perëndimit në luftën kundër militantëve islamikë në rajon – i ka dhënë fund papritur bashkëpunimit me Francën në nëntor.

    Ka sinjale se Franca ka më pak se 2.000 trupa në Xhibuti dhe Gabon.

    Vëzhguesit politikë besojnë se Franca është duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të rikthyer ndikimin politik dhe ushtarak në Afrikë.

    Për më shumë se tri dekada pas pavarësimit nga Franca, Bregu i Fildishtë është njohur për harmoninë fetare dhe etnike, si dhe ekonominë e zhvilluar mirë.

    Megjithatë, një rebelim i armatosur më 2002 e ka ndarë shtetin në dysh.

    Pavarësisht jostabilitetit aktual, Bregu i Fildishtë është eksportuesi më i madh i kokrrave të kakaos, dhe qytetarët e vet gëzojnë të hyra më të mira, në krahasim me vendet tjera në rajon/RadioEvropaeLirë/.