Ballina

Kategori: Botë

  • Washingtoni shton masat e sigurisë

    Forcat e agjencive të zbatimit të ligjit dhe të sigurisë në Washington dhe në zonën përreth po mobilizojnë përforcime, ndërsa përgatiten për sigurimin e tre aktiviteteve të rëndësishme në kryeqytetin e vendit. Këto zhvillime vijnë pas sulmit në ditën e Vitit të Ri në New Orleans dhe shpërthimit në kamionin Cybertruck, të kompanisë Tesla, përpara Hotelit Ndërkombëtar Trump në Las Vegas.

    Aktiviteti i parë do të mbahet të hënën (06.01.2025), kur Kongresi i ri mblidhet për të certifikuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, katër vite pas trazirave të 06.01.2021 në Kapitol.

    Aktiviteti i dytë do të jetë funerali shtetëror për ish-presidentin Jimmy Carter, duke filluar me ceremoni që fillojnë të martën (07.01.2025) dhe përfundojnë të enjten (09.01.2025).

    Aktiviteti i fundit do të jetë më 20.01.2025, kur do të inaugurohet presidenti i zgjedhur Donald Trump.

    “Nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë. Kemi tre aktivitete (të veçanta të sigurisë kombëtare) brenda një periudhe prej 15 ditësh”, u tha të premten (03.01.2024) gazetarëve Matt McCool, nga zyra në Washington e Shërbimit Sekret.

    “Por, dua t’ju them se u përshtatemi nevojave. Kemi punuar prej vitesh për aktivitete të tilla. Kështu që do të jemi të përgatitur”, tha ai.

    Megjithë shqetësimet e krijuara pas sulmit në New Orleans dhe shpërthimin në Las Vegas, zyrtarët e sigurisë deri më tani kanë besim se aktivitetet në Washington do të zhvillohen të sigurta.

    “Nuk kemi ndonjë kërcënim të besueshëm apo konkret në lidhje me këto aktivitete”, tha David Sundberg, ndihmës drejtor në zyrën e FBI-së në Washington.

    Agjencitë e zbatimit të ligjit dhe të sigurisë kanë marrë masa të shtuara, duke patur parasysh se qyteti dhe rajoni po përballen me një mjedis me rrezikshmëri të shtuar.

    Shërbimi Sekret tha të premten (03.01.2025) se po sillte agjentë nga i gjithë vendi për të rritur praninë, e cila ishte sidoqoftë në nivelin më të lartë të tre viteve të fundit.

    Departamenti Metropolitan i Policisë së Washingtonit tha se ka shtuar rreth 4 mijë policë nga departamente të ndryshme nga mbarë vendi.

    Garda Kombëtare e kryeqytetit konfirmoi se ka miratuar kërkesa për mbështetje të mëtejshme, përfshirë vendosjen në dispozicion të 500 anëtarëve të tjerë të gardës, për certifikimin e zgjedhjeve në 06.01.2025 dhe oficerët ndërlidhës për funeralin shtetëror.

    Po shqyrtohet edhe një kërkesë shtesë për 7,800 ushtarakë të tjerë nga garda për sigurimin e inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Trump.

    “Një mori masash sigurie, të dukshme dhe të padukshme, do të merren në koordinim, për t’u siguruar mirëfunksionimi i planit gjithëpërfshirës”, tha agjenti i Shërbimit Sekret, McCool.

    Policia e Washingtonit njoftoi se masat e rritura të sigurisë hyjnë në fuqi të dielën (05.01.2025). Oficerë të specializuar do të dislokohen në mbarë qytetin për të qenë në gatishmëri në rast të ndonjë emergjence.

    Policia e Kapitolit, e cila ka 2,400 oficerë dhe punonjës civilë që janë përgjegjës për mbrojtjen e Kapitolit dhe anëtarët e Kongresit, njoftoi se është tashmë më e përgatitur për emergjencat, krahasuar me katër vite më parë./VoA

  • Shtetas maqedonas luftuan për ushtrinë mercenare ruse Wagner

    Prokuroria publike në Maqedoninë e Veriut po heton dy shtetas maqedonas të cilët kanë marrë pjesë në luftën në Ukrainë dhe thuhet se kanë luftuar për grupe paraushtarake ruse kundër Ukrainës, nga të cilët njëri ishte anëtar i ushtrisë private Wagner.

    Prokurorët po ndjekin penalisht shtetas maqedonas të dyshuar se kanë marrë pjesë në luftën në Ukrainë.

    Pjesëmarrja në konflikte të huaja përbën vepër penale në Maqedoninë e Veriut.

    “Sa i përket dënimit të parashikuar për veprën penale ‘pjesëmarrje në ushtri të huaj’, ai mund të shkojë deri në katër vjet”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Publike për Radio Evropa e Lirë.

    Deri më tani, Prokuroria dhe policia nuk japin detaje se sa persona nga vendi kanë shkuar për të luftuar në Ukrainë, e as nëse ekzistojnë organizatorë që rekrutojnë luftëtarë nga Maqedonia e Veriut.

    Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) në më pak se një muaj, ka publikuar njoftime për dy persona që kanë marrë pjesë në anën ruse në luftën në Ukrainë, dhe në to përmendet gjithashtu se një shtetas maqedonas ka vdekur në luftime.

    I fundit është nga 23 dhjetori, ku thuhet se policia po ndjek penalisht shtetasit maqedonas për pjesëmarrje në ushtrinë ruse në konfliktin ushtarak në Ukrainë.

    Bëhet fjalë për një burrë 37-vjeçar nga Shkupi (Lj.B.), i cili së bashku me të ndjerin (T.Sh.), përmes aplikacionit “Telegram”, kishin aplikuar për shërbim në ushtrinë ruse.

    Sipas MPB-së, të dyshuarit kishin udhëtuar për në Rusi në shtator të këtij viti, ku kishin nënshkruar marrëveshje me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës Popullore të Donjeckut, [që Rusia e konsideron si pjesë të saj, por që nuk njihet nga asnjë shtet tjetër në botë], dhe ishin bashkuar me formacionet e tyre ushtarake dhe paraushtarake.

    MPB: Rekrutues përmes internetit

    Pas kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit (Lj.B.), policia gjeti dokumente, veshje taktike dhe sende të tjera që, sipas MPB-së, konfirmojnë përfshirjen e tij në konflikt. Dy të dyshuarve u është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

    Në rastin e parë, të publikuar më 30 nëntor, thuhet se një burrë 28-vjeçar (J.K.) ka udhëtuar në tetor në Moskë me qëllim që të bashkohet me ushtrinë ruse për një shpërblim prej 3.000 eurosh. Pas kthimit në vend, autoritetet maqedonase e arrestuan dhe ngritën aktakuzë kundër tij.

    Sipas hetimeve (J.K.) kishte kontaktuar me një rekrutues përmes internetit dhe pas mbërritjes në Rusi iu kërkua të dorëzonte pasaportën e tij, pas çka, duhet të nënshkruante një marrëveshje dhe të dërgohej për trajnim për të luftuar në Ukrainë.

    Institucionet nuk kanë përgjigje nëse këto janë raste të izoluara apo bëhet fjalë për rekrutime të organizuara të luftëtarëve nga vendi për të marrë pjesë në luftën në Ukrainë.

    Nga MPB-ja shkurt u përgjigjën për Radion Evropa e Lirë se së bashku me Prokurorinë dhe shërbimet e tjera të sigurisë dhe inteligjencës po ndërmarrin veprime për t’i verifikuar informacionet për të gjithë personat të cilët dyshohet se janë pjesë e forcave paramilitare.

    Rastet nuk pranoi t’i komentojë Koordinatori Kombëtar për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftën kundër Terrorizmit, Pavle Trajanov, i cili tha se aktualisht, as ai nuk ka informacione të drejtpërdrejta nga MPB-ja lidhur me numrin e personave nga vendi që marrin pjesë në luftën në Ukrainë.

    Vitet e kaluara ka pasur raste të pjesëmarrjes në ushtri të huaja, përfshirë luftën në Siri, për të cilën Komiteti Kombëtar për Kundërshtimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Terrorizmit ka njoftuar se mbi 140 qytetarë të Maqedonisë së Veriut [përjashtuar fëmijët] kanë udhëtuar ose kanë tentuar të udhëtojnë në Siri ose Irak për t’iu bashkuar grupeve terroriste.

    Konflikti ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës ka nisur mbi një dekadë më parë, duke filluar nga aneksimi i Krimesë nga ana e Rusisë në vitin 2014 dhe eskaloi në një pushtim të plotë rus kur dhjetëra mijëra ushtarë rusë kaluan kufirin ukrainas në shkurt të vitit 2022.

    Deri tani nuk janë publikuar informacione nga shërbimet e sigurisë së Maqedonisë së Veriut për pjesëmarrjen e shtetasve të saj në këtë luftë. Më shumë raste janë regjistruar në vende si Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi.

    Disa nga të kthyerit nga këto vende dëshmuan se kishin luftuar për njësi me emra të ndryshëm, përfshirë njësi si Volk, batalionin Sudoplatov, por edhe për grupin ushtarak privat rus Wagner që doli nga hija pasi mediat shtetërore ruse filluan ta lavdërojnë çdo ditë për sukseset e mercenarëve të saj në pushtimin e Ukrainës.

    Wagner dhe Ballkani

    Wagner është një ushtri mercenare private, e themeluar në vitin 2014 nga shtetasi rus Yevgeny Prigozhin, i cili ishte i afërt me Kremlinin dhe vdiq në gusht të vitit 2023 në një aksident ajror me avion privat që u rrëzua saktësisht dy muaj pasi njësia e tij organizoi një kryengritje kundër autoriteteve në Moskë. Prigozhin më parë ishte quajtur “kuzhinieri i Putinit” për shkak kontratave të shumta në atë sektor, që kompania e tij kishte me shtetin.

    Mediat në Serbi kanë shkruar për lidhjet e Wagnerit me grupet e djathta në vend që mbështesnin politikën e Kremlinit. Në Beograd u pikturuan edhe murale në mbështetje të këtij grupi.

    Pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, mediumi rus, Russia Today Balkan publikoi një njoftim të Wagnerit për rekrutimin e vullnetarëve të mundshëm, por në atë periudhë nuk kishte informacione të konfirmuara nëse Wagner kishte rekrutuar luftëtarë të rinj nga Serbia.

    Autoritetet në Serbi thanë se po hetonin rastet, ndërsa shqetësimet për përpjekjet e Wagnerit për të rekrutuar ushtarë në Serbi dhe në vende të tjera, i shprehu edhe Departamenti amerikan i Shtetit.

    Lidhje kanë ekzistuar edhe në të kaluarën. Në marsin e vitit 2017 një shtetas serb u dënua me një vit burgim me kusht për pjesëmarrje në konflikt në Ukrainë, në anën e grupit Wagner. Ky ishte një ndër 32 vendimet që Serbia mori kundër luftëtarëve që luftuan në pjesët e pushtuara të Ukrainës.

    Njësia Wagner përballet me akuza të mundshme për krime lufte në Ukrainë, Siri dhe shtete të tjera afrikane, dhe është nën sanksione të Bashkimit Evropian (BE) që nga dhjetori i vitit 2021 për shkelje të të drejtave të njeriut në konflikte të armatosura në mbarë botën. Ajo gjithashtu është në listën e zezë të SHBA-së që nga qershori 2017 për shkak të përfshirjes në konflikte, në lindje të Ukrainës.

    Volk dhe rrjeti Redut

    Në Serbi ka pasur raste ku serbët kanë luftuar për grupe të tjera ruse, siç ndodhi në qershor të vitit 2023, kur disa prej tyre u kthyen nga lufta në Ukrainë, pasi kishin luftuar për njësinë ruse Volk. Para kësaj, ata kishin qenë në trajnime të shkurtra në poligonet pranë Moskës.

    Siç shkruante shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, rasti i këtij grupi është dëshmi e ekzistencës së një sistemi të fshehtë nëntokësor që siguron mbulesë ndërkombëtare për angazhimet nga Ballkani në front, dhe pjesëmarrjen në luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

    Radio Evropa e Lirë pati arritur të intervistojë një nga luftëtarët nga Serbia, i cili ishte angazhuar si mercenar, pasi iu garantua anonimiteti. Dëshmia e tij dha një përshkrim të detajuar të përvojës së tij tetë-mujore gjatë viteve 2022-2023.

    Dragani – identitet i njohur për REL-in – kaloi dy muaj në trajnim dhe gjashtë muaj të tjerë nën kontratë për të marrë pjesë në luftën në Ukrainë, dhe ju dha gazetarëve të REL-it dokumente dhe fotografi që mundësuan konfirmimin e historisë së tij.

    Ai ishte me rekrutë të tjerë serbë për dy muaj trajnim në poligonin ushtarak Alabino, në perëndim të Moskës, ku komandonte një person që prezantohej si Dima dhe një tjetër, oficer i supozuar i GRU-së, që prezantohej si Oleg.

    Dragani tha se kishte marrë 110.000 rubla (rreth 1.215 dollarë) në dorë për secilin nga dy muajt e trajnimit dhe rreth dyfishin e kësaj shume për secilin nga gjashtë muajt e luftës në Ukrainë.

    Dragani vlerësonte se gjatë qëndrimit të tij në Alabino kanë qenë rreth rreth 25 serbë, dhe se supozohej të kishte serbë nga Serbia, por edhe nga Republika Sërpska e Bosnje-Hercegovinës, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, madje edhe një serb nga Franca. Radio Evropa e Lirë atëherë nuk mundi ta konfirmonte këtë informacion në mënyrë të pavarur.

    Dragani tha se “kishte nënshkruar një kontratë gjashtëmujore me një kompani private ushtarake në tendën e Dimës dhe Olegut”, megjithëse për Radion Evropa e Lirë nuk ofroi kopje të kontratës apo fotografi.

    “Në kontratë mund të shihej se nuk kishte asnjë lidhje me Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë, por se ishte kompania private ushtarake 000 Redut”, deklaroi ai për Radion Evropa e Lirë.

    Departamentet hulumtuese të Radios Evropa e Lirë, Systema dhe Schemes, më parë konfirmuan se Rusia në atë kohë përdorte një kompani të quajtur PMC Redut për të rekrutuar dhe dërguar luftëtarë në Ukrainë.

    Drejt luftës pas një trajnimi të shkurtër

    Siç zbuloi Radio Evropa e Lirë, në tetor 2023 njësia Volk ishte një nga 20 formacionet që luftonin në Ukrainë nën emërtimin Redut.

    Dragani pohoi se nuk kishte vërejtje për procesin dy-mujor të trajnimit luftarak, që, sipas tij, zhvillohej nga ora 9:00 deri në orën 17:00, gjashtë ditë në javë, dhe se pas dy muajve në Alabino, ai u përfshi në luftën në Ukrainë, në janar 2023.

    Ai luftoi në betejat pranë Lisiçanskut në rajonin e Luhanskut dhe pranë Avdivkas në rajonin e Donjeckut.

    Dragani gjithashtu tha se gjatë përvojës së tij tetë-mujore ka numëruar rreth 70 serbë të tjerë dhe shtoi se shumë prej tyre janë dërguar në beteja me shumë pak trajnim dhe krejtësisht të papërgatitur për luftë.

    Pas gjashtë muajve në Ukrainë, në qershor 2023, siç tha ai, ishte i zhgënjyer nga ajo që kishte parë në ushtrinë ruse.

    “Nga këndvështrimi im, ‘biznesi dhe korrupsioni lulëzojnë’ dhe ‘rusët, siç i imagjinojmë dhe i konsiderojmë ne serbët, ekzistojnë në një përqindje shumë të vogël’”, tha ai.

    Para se të kthehej në Serbi, Dragani mori një certifikatë të rreme që pretendonte se kishte punuar në ndërtimtari. Atij i është dhënë një dokument që thoshte se kishte punuar për një kompani ndërtimi në Moskë për t’u mbrojtur në rast se autoritetet kufitare serbe dyshonin.

    Batalioni Sudoplatov dhe njësia Sova

    Luftëtarët nga Serbia u janë bashkuar forcave ruse në Ukrainë edhe përmes batalionit me emrin Sudoplatov.

    Radio Evropa e Lirë (REL) zbuloi detaje për dy luftëtarë me emrat e koduar “Sava” dhe “Dunav” të cilët pretendojnë se kanë qenë pjesë e këtij grupi dhe se u janë bashkuar forcave ruse në Ukrainë.

    Batalioni Sudoplatov është themeluar në shtator të vitit 2022 si një njësi vullnetare pro-ruse që operon në jug të Ukrainës, në territorin e Zaporizhias, i cili aktualisht është nën pushtimin rus.

    Emri i batalionit vjen nga Pavel Sudoplatov, një ish-anëtar i shërbimeve të inteligjencës së Bashkimit Sovjetik (BRSS) gjatë sundimit të Stalinit, i cili mori pjesë në likuidimin e nacionalistëve ukrainas në fund të viteve 1930.

    Ndër rastet në Bosnje dhe Hercegovinë për të cilat raportuan mediat ishte për njësinë Sova – njësi kjo që luftonte në anën ruse kundër forcave ukrainase në lindje të vendit.

    Njësia pretendonte se ishte themeluar nga Aleksandar Velimiroviq nga Banja Luka, i cili më parë quhej Ljubisha Bozhiq. Ai në fund të vitit 2023 shkroi se njësia tashmë kishte njëqind ushtarë të trajnuar./REL

  • Scholz kritikon komentet “çoroditëse” të Muskut

    Kancelari gjerman, Olaf Scholz, i ka dënuar komentet “çoroditëse” të miliarderit Elon Musk, dhe mbështetjen e tij të hapur për partinë gjermane të ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AFD).

    Musk, burri më i pasur në botë – që ka mes tjerash në pronësi edhe platformën X, të njohur më parë si Twitter – i ka sulmuar liderët evropianë përmes një serie postimesh në rrjetin social që kontrollon.

    I pyetur për ndërhyrjen e Muskut – i cili e ka quajtur Scholzin ‘budalla jokompetent’, ndërsa presidentin gjerman ‘tiran kundër demokracisë’ – kancelari gjerman ka thënë në fundjavë për revistën Stern se është e rëndësishme të ruhet qetësia para zgjedhjeve të parakohshme, që do të mbahen në Gjermani më 23 shkurt.

    “Në Gjermani, gjithçka po zhvillohet sipas dëshirave të qytetarëve tanë, dhe jo komenteve çoroditëse të një miliarderi amerikan”, ka thënë Scholz përgjatë intervistës.

    “Presidenti gjerman nuk është një tiran kundër demokracisë, dhe Gjermania është demokraci e fortë dhe stabile, pavarësisht se çfarë thotë Musku”.

    Scholz ka thënë se mbështetja e Muskut për AfD-në e ekstremit të djathtë është “shumë më problematike sesa këto ofendime”.

    Alternativa për Gjermaninë, që është duke dalë e dyta, pas konservatorëve, sipas sondazheve, “bën thirrje për lidhje më të ngushta me Rusinë dhe dëshiron dobësim të lidhjeve transatlantike”, ka thënë Scholz.

    AfD e ka pranuar këtë javë se është në kontakt të rregullt me Elon Muskun.

    Kancelari gjerman ka thënë se është takuar me Muskun në mars të vitit 2022, në hapjen e fabrikës së makinave Tesla në qytetin e Brandenburgut, “në kohën kur dega lokale e AfD-së protestonte kundër tij”.

    Gjermania nuk është shënjestra e vetme e Muskut në Evropë, kontinentin ku shumë qeveri veçse janë duke u përballur me rritje të popullzimit dhe të djathtës ekstreme.

    Këtë javë, Musk ka bërë thirrje për rrëzim të kryeministrit britanik, Keir Starmer nga pushteti.

    Ai ka diskutuar në dhjetor me kryeministrin hungarez, Viktor Orban dhe e ka quajtur Bashkimin Evropian si jodemokratik.

    Ai është mbështetës entuziast i kryeministres Giorgia Meloni, e cila njihet si liderja me qasjet më të djathta prej vitit 1945 në Itali.

    Ekspertët besojnë se iniciativat politike të Muskut janë krejtësisht të lidhura me interesat e tij politike./REL

  • Baerbock: BE-ja nuk do të financojë islamizimin e Sirisë

    Bashkimi Evropian do t’i vëzhgojë nga afër lëvizjet politike në Siri dhe do të jetë afër këtij shteti nëse synon paqen në të ardhmen, por nuk do të përkrahë islamizimin e Sirisë, ka thënë ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.

    Ajo, së bashku me homologun e saj francez, Jean-Noël Barrot, kanë udhëtuar të premten në Siri, në emër të BE-së, për të parë situatën nga afër.

    Duke u deklaruar për mediat gjermane, Baerbock ka thënë se BE-ja po pret që të shohë se çfarë po ndodh në Siri, pas disa vjetëve të shtypjes absolute nën udhëheqësinë e Bashar al-Assadit, i cili është rrëzuar nga pushteti një muaj më parë.

    “Por, natyrisht, ne në Evropë nuk do të jemi financues të islamizimit të shoqërisë”, ka thënë ajo.

    Baerbock dhe Barrot janë takuar me liderin de facto të Sirisë, Ahmed al-Sharaa përgjatë vizitës.

    Baerbock ka thënë për media gjermane se përshtypja e saj e parë është se shoqëria është e përçarë në Siri.

    “Në njërën anë, ka shpresë për liri pas aq shumë vjetëve të luftës civile, torturës dhe shtypjes. Në anën tjetër, shumë persona janë të shqetësuar që shpresat do të vdesin për gratë dhe minoritetet etnike. Kjo më është bërë e qartë”, ka thënë ajo.

    Mirëpo, sipas saj, lideri i ri sirian, ia ka pranuar që e kupton situatën e re, dhe që synon të adresojë çështjen e pjesëmarrjes së grave në jetën publike.

    Regjimi brutal i Assadit është rrëzuar nga grupi Tahrir al-Sham (HTS), pasi gati 14 vjetësh luftë civile, si pasojë e së cilës janë vrarë mbi 500.000 njerëz dhe janë zhvendosur miliona tjerë.

    HTS është organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Assadi dhe familja e tij janë në Rusi, pas azilit që u është miratuar direkt prej presidentit rus, Vladimir Putin.

    Përgjatë regjimit të Assadit besohet se dhjetëra mijëra njerëz janë arrestuar padrejtësisht, janë torturuar dhe vrarë.

  • Edhe pas 23 vjetëve të euros, gjermanët ende këmbejnë marka

    Edhe pas gati një gjysmë shekulli të prezantimit të valutës euro, gjermanët vazhdojnë të këmbejnë shuma të mëdha të parave të ish-valutës së tyre, markës, tregojnë të dhënat zyrtare.

    Sipas Bankës Qendrore të Gjermanisë, Bundesbank, rreth 53 milionë marka gjermane [rreth 27.2 milionë euro] janë këmbyer më 2024.

    Gjermania është një prej gjashtë shteteve – bashkë me Austrinë, Irlandën, Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë – që u mundësojnë qytetarëve që valutat e mëparshme t’i këmbëjnë me euro.

    Valuta euro ka hyrë në fuqi zyrtarisht më 1 janar të vitit 2002 dhe 20 vende të Bashkimit Evropian kanë nisur ta përdorin.

    Kosova e përdor gjithashtu euron, ndonëse nuk është pjesë e Bashkimit Evropian.

    Ky vend ka aplikuar për anëtarësim në bllokun evropian më 2022, por aplikimi i saj nuk është shqyrtuar ende.

    Ndonëse kanë kaluar më shumë se 20 vjet, Bundesbank vlerëson se marka në vlerë të mbi 6 miliardë eurove kanë mbetur pa u këmbyer.

    Megjithatë, një pjesë e tyre është thënë se mund të mos këmbehen kurrë pasi janë në duart e koleksionistëve nëpër botë.

    “Marka gjermane është njohur ndërkombëtarisht si valutë, dhe është përdorur edhe jashtë Gjermanisë”, ka thënë anëtari i Bankës Qendrore Gjermane, Burkhard Balz, për agjencinë e lajmeve dpa.

    “Me siguri nëpër botë ekzistojnë sasi të mëdha të parave të gatshme në marka gjermane”, ka shtuar ai./ REL