Ballina

Kategori: Botë

  • Disa aeroporte britanike mbyllin pistat pas borës së madhe

    Një numër aeroportesh në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar mbyllën pistat e tyre të dielën me 05.01.2025, për shkak të borës së madhe dhe akullit.

    CNN shkruan se zona të gjera të Britanisë së Madhe ishin nën paralajmërimet për borë dhe akull të dielën, duke përfshirë pjesën më të madhe të Irlandës së Veriut, pjesën më të madhe të Skocisë dhe një pjesë të madhe të Anglisë qendrore dhe veriore.

    Pothuajse i gjithë Uellsi është nën një paralajmërim të verdhë shiu.

    Autoriteti i Aviacionit Civil tha të dielën në mëngjes se Aeroporti i Mançesterit, aeroporti i tretë më i madh i vendit për nga madhësia e pasagjerëve, kishte mbyllur përkohësisht pistat e tij për shkak të borës së madhe.

    Aeroporti John Lennon i Liverpool-it gjithashtu mbylli përkohësisht pistën e tij të dielën në mëngjes për shkak të borës, përpara se ta rihapte atë në orën 10:15 të mëngjesit.

    Ndërsa Aeroporti Ndërkombëtar i Newcastle tha se reshjet e dendura dhe të vazhdueshme të borës  po shkaktonin ndërprerje në oraret e fluturimeve.

  • Siguria dhe mbrojtja fokusi i presidencës së Polonisë në BE

    Në 1 janar, Hungaria ia kaloi Polonisë stafetën e drejtimit 6-mujor të BE-së, duke ulur kështu siparin e një 6-mujori pararendës të trazuar për Unionin.

    Në vend që të vepronte si ndërmjetës asnjëanës, kryeministri hungarez Viktor Orban, ndoqi një linjë përplasjesh me Brukselin dhe i acaroi partnerët e tij kur kreu vizita surprizë në Moskë, Kiev dhe Pekin – me pretendimin se ishin “misione paqeje” – por për të cilat nuk kishte rënë dakord më parë me shtetet e tjera anëtare.

    “Marrja e presidencës së Këshillit të BE-së nga Poloniapritet të jetë një barazpeshë e asaj që ndodhi në gjashtë muajt e fundit” – parashikon eksperti i Europës Lindore, Kai-Olaf Lang, nga Instituti Gjerman i Çështjeve të Sigurisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, në Berlin.

    Lang i tha DË-së, se presidenca e re do të përqendrohet veçanërisht tek politikat e sigurisë së BE-së dhe marrëdhënieve me Ukrainën dhe Rusinë.

    ‘Askush nuk mund të ma kalojë mua’

    Kryeministri polak Donald Tusk është politikan europian me shumë përvojë. Ai ka mbajtur detyrën e presidentit të Këshillit të BE-së nga 2014-2019 dhe më pas u emërua president i Partisë Popullore Europiane, partisë më të madhe në Parlamentin Europian.

    Pas tetë vitesh qeverisjeje të partisë konservatore “Ligj dhe Drejtësi” (PiS), aleanca politike që Tusk krijoi rreth një vit më parë, e shpalli atë fitues në zgjedhjet e përgjithshme në Poloni.

    Në daljen e parë publike pasi u ul në karrigen e kryeministrittë vendit në dhjetor 2023, ai deklaroi se “Askush nuk mund të ma kalojë në BE”.

    ‘Europa flet gjuhën tonë’

    Presidenca e Këshillit të BE-së është mundësia ideale për Tusk që të tregojë se pretendimi i tij nuk ka të bëjë vetëm me fjalë por edhe me vepra, dhe se pas 20 vitesh si anëtare me të drejta të plota në BE, Polonia nuk është më “nxënëse” por mund t’u tregojë madje edhe më të “moshuarve” se si drejtohet Unioni.

    “Ne jemi të besueshëm. Europa flet gjuhën tonë” – tha Adam Szlapka, ministri polak për BE-në, gjatë fjalës së mbajtur kohët e fundit, teksa po prezantonte përparësitë e vendit të tij gjatë marrjes së presidencës. Szlapka shtoi se vendi i tij është “ekspert i sfidave madhore” me të cilat po përballet Perëndimi.

    Argumente të forta në çështjet e sigurisë

    Prej muajsh, në fjalimet e Tusk kryefjalë kanë qenë thirrjet e tij për t’i shndërruar politikat e sigurisë së Polonisë dhe shteteve të tjera të kahut lindor të NATO-s, politikë të të gjithë BE-së.

    “Na duhet të nxisim akoma më shumë marrëdhënien tonë me Shtetet e Bashkuara, por Europa duhet të bëhet më e pavarur dhe ‘të qendrojë mbi këmbët e saj’. Ka ardhur koha që t’i japim fund pasigurisë dhe frikës nga Rusia” – tha ai para samitit NB8 të mbajtur në fund të muajit nëntor në Suedi, samit që mbledh 8 shtetet nordike dhe ato të Baltikut.

    Polonia po kryeson, edhe për sa i përket shpenzimeve për mbrojtjen. Aktualisht ajo ia kushton 4.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto sektorit të mbrojtjes dhe synon që në vitin 2025 ta rrisë atë në 4.7%.

    Ky nuk është vetëm një argument i fortë për shtetet e tjera anëtare të BE-së, por edhe temë kryesore në diskutimet e ardhshme me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, i cili po kërkon angazhim më të madh nga partnerët e tij europianë.

    Jo paqe në “kurriz” të Ukrainës

    Tusk është i vendosur për të parandaluar çdo negociatë të mundshme paqeje për dhënien fund të luftës në Ukrainë në kurriz të popullit ukrainas dhe posaçërisht mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Ai kërkon gjithashtu që BE-ja të ketë një ulëse në tryezën e negociatave.

    “Presidenca jonë e Këshillit të BE-së do të jetë bashkërisht përgjegjëse për situatën e negociatave, të cilat mund të nisin këtë dimër” – tha ai në dhjetor. “Ukraina duhet të jetë e pranishme në secilin raund bisedimesh dhe çdo variant apo propozim duhet të pranohet nga miqtë tanë në Kiev” – tha Tusk pas një takimi që pati me presidentin francez Emmanuel Macron në Varshavë në 12 dhjetor 2024.

    Për të qenë e përgatitur për çdo skenar të mundshëm, Polonia po ndërton një linjë mbrojtjeje të quajtur “Mburoja e Lindjes” përgjatë kufirit me Bjellorusinë, dhe kërkon që Europa ta ndihmojë në financimin e saj. Varshava bën gjithashtu pjesë në hapësirën ajrore europiane të mbrojtjes, e njohur gjithashtu si “Mburoja Ajrore Europiane”.

    Qeveria e Tusk mbështet eurobondet për mbrojtjen, por ideja e krijimit të një borxhi të ri në BE është ekstremisht e debatueshme brenda bllokut. Dy shtetet anëtare që e kundërshtojnë në veçanti këtë ide janë Gjermania dhe Holanda.

    Ukraina kërkon të përshpejtojë hyrjen në BE

    Një vit pasi Këshilli i BE-së vendosi të hapë negociatat e anëtarësimit me Ukrainën, Polonia kërkon që të fillojnë bisedimet. Ministri Szlapka sugjeroi që bisedimet mund të nisin nga çështje si: sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe lufta kundër korrupsionit.

    Por teksa Kievi kërkon që bisedimet të nisin në sa më shumë fusha që të jetë e mundur, Varshava nuk dëshiron të nxitohet. Kjo sepse Polonia është sërish në atmosferën e zgjedhjeve: në maj 2025 polakët do të zgjedhin presidentin e ri.

    Rëndësia e zgjedhjeve për qeverinë e koalicionit të qendrës së majtë, nuk mund të nënvlerësohet. Prandaj Tusk nuk e ndërmerr rrezikun e nisjes së ndonjë projekti të ri europian, i cili nuk mund të pritet mirë në shtëpi, dhe mund të përdoret më pas kundër tij nga opozita.

    Kufizime politike të brendshme

    Marrja a mandatit si kryeministër gjatë dhjetorit të kaluar, përkoi me protestat masive të fermerëve kundër importit të grurit nga Ukraina. Bllokadat e tyre u ngritën në kufirin Poloni-Ukrainë dhe Poloni-Gjermani.

    Ukraina po shpreson në një marrëveshje tregtare që do të zgjidhte çështjen e importeve me Bashkimin Europian gjatë viteve të ardhshme. Gjithsesi, duket se nuk ka gjasa që Polonia t’i bëjë lëshime Ukrainës në këtë drejtim.

    Polonia është gjithashtu një kundërshtare e vendosur e marrëveshjes së tregtisë së lirë me Amerikën Latine dhe me shumë mundësi do të bëjë gjithçka ka në dorë për të parandaluar marrëveshjen përpara se ajo të vihet në zbatim. Në këtë çështje, Varshava ka në krah aleatë të fuqishëm, përfshirë Francën.

    Një ndryshim i mundshëm i traktateve europiane për të lejuar më shumë vendime të shumicës brenda BE-së, është gjithashtu temë e debatueshme në Poloni, që do të thotë se nuk është përparësi e presidencës polake. Opozita vendase konservatore e sheh këtë plan si një shpërbërje të shtetit polak.

    “Jo, ne nuk do të punojmë në këtë drejtim, pra në ndryshimin e traktateve. Nuk mendoj se Këshillit i intereson kjo temë” – deklaroi për Agjencinë Polake të Lajmeve (PAP), ambasadorja polake në BE, Agnieszka Bartol.

    Ndikimi i situatës në Gjermani dhe Francë

    Tusk është gjithashtu shumë skeptik për Marrëveshjen e Gjelbër Europiane, e hartuar nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

    Marrëveshja kërkon pakësimin e emetimeve deri në 0 të gazit serë brenda BE-së, brenda vitit 2050.

    Tusk tha se “ambiciet naive për të shpëtuar të gjithë planetin” po pengojnë konkurrencën e Europës në botë. “Dekarbonizimi nuk mund të arrihet përmes deindustrializimit,” shtoi ministri Szlapka, duke paralajmëruar se toleranca e qytetarëve ndaj politikave klimatike po zvogëlohet.

    Presidenca polake në Këshillin e BE-së përkon me krizat e brendshme politike si në Gjermani, ashtu edhe në Francë. Tusk dëshiron të përdorë dobësinë e dy superfuqive europiane për të forcuar statusin e vendit të tij.

    “Polonia po tregohet jashtëzakonisht proaktive për sa i përket pozicionimit të saj. Megjithatë, koalicionet me shtetet nordike dhe baltike nuk do të jenë të mjaftueshme” – paralajmëron eksperti i Europës Lindore, Lang.

    “Polonia do të paraqitet si një vend pro-Europian që është i gatshëm për t’u dhënë formën e duhur gjërave” – shton Lang. ” Por Polonia do të shohë vazhdimisht se ngërçet ekonomike dhe politike në Gjermani dhe Francë do të jenë pengesë për Europën dhe zhvillimin e saj”/DW/.

     

  • Vendosen tarifa për hyrje me makinë në qendër të Nju Jorkut

    Zyrtarët e Nju Jorkut kanë vendosur tarifë për makinat që hyjnë në qendër të qytetit – masa e parë të tillë në ndonjë qytet në Shtetet e Bashkuara.

    Shoferët e makinave do të paguajnë 9 dollarë në ditë, dhe tarifa do të dallojë varësisht prej mjetit ngasës dhe orarit të qarkullimit.

    Hyrja do të jetë me pagesë në qarkun e parkut qendror, dhe pjesën e vizituar aq shumë nga turistët, rreth ndërtesës Empire State, afër Sheshit Times, dhe qarkut financiar – Ëall Street.

    Kjo skemë synon t’i zvogëlojë problemet e mëdha me trafik në Nju Jork dhe të mbledhë miliarda dollarë për rrjetin publik të transportit, ndonëse është kritikuar ashpër nga banorët e Nju Jorkut, përfshirë presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, i cili është zotuar se do t’i japë fund kësaj skeme kur të marrë zyrtarisht pushtetin këtë muaj.

    Kundërshtime të mëdha kanë pasur edhe asociacionet e kompanive të taksive.

    Vitin e kaluar, qyteti i Nju Jorkut është shpallur qyteti me zonën urbane më të ngarkuar, për të dytin vit me radhë.

    Makinat në qendrën e qytetit, Manhatan, kanë vozitur me shpejtësi 17 kilometra në orë, në periudhën e pikut të qarkullimit/RadioEvropaeLirë/.

     

  • Dështojnë negociatat në Austri

    Partitë politike austriake OVP dhe SPO nuk arritën as një ditë negociatash së bashku. Të shtunën pasdite palët u takuan për negociata në Vjenë. Ndërsa në mbrëmje, OVP hoqi dorë jo vetëm nga netociatat, por kancelari i Austrisë Karl Nehammer tha se do të japë dorëheqje dhe do të largohet nga kreu i partisë.

    “Do të tërhiqem nga posti i kancdelarit dhe kryetarit të Partisë Popullore në ditët e ardhshme dhe do të mundësoj një tranzicion të rregullt të pushtetit”, tha ai.

    Nehamer më parë paralajmëroi nga forcimi i krahut radikal politik në Austri.

    “Është bindja ime e thellë që radikalët nuk ofrojnë zgjidhje për asnjë problem të vetëm, por mbijetesën e tyre e sigurojnë vetëm nga përshkrimi i problemeve”, tha Nehammer.

    “Kjo është e keqe për Austrinë dhe për njerëzit në vendin tonë.”

    Djathtistët radikalë në Austri kanë fituar më së shumti vota në shtator, por Nehammer ka refuzuar gjithmonë të bëjë koalicion me ta. Tani është e paqartë nëse OVP dëshiron të negociojë një qeveri me FPO, por pa Nehammer.

    Negociata me djathtistët radikalë apo zgjedhje?

    A do të ketë tani një koalicion me FPOdhe çfarë mund të ndodhë më pas? Konsulenti politik austriak Thomas Hofer sheh dy mundësi.

    “Tani që Nehamer është larguar de fakto, do të sigurohet një tranzicion i rregullt. Nëse dikush mendon se ka një bazë tjetër për diskutim me FPO, kjo është një mundësi. Mundësia tjetër janë zgjedhjet e reja.”

    Mediat e këtij vendi të BE-së po spekulojnë madje me rikthimin e ish-kancelarit Sebastian Kurz. Hofer e konsideron këtë mundësi si joreale. Por ai sipas disa burimeve është i interesuar. Analistët megjithatë më shumë e shohin si reale mundësinë tjetër, mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

    Shikuar nga sondazhet e tanishme, kjo më së shumti do t’i shkonte në favor të djathtës radikale në vend. Tani presidenti Alexandar Van der Bellen duhet të deklarohet për gjendjen dhe pas konsultimeve me partitë politike të gjejë zgjidhjen më të mirë për Austrinë. Van der Bellen ia ka dhënë më parë mandatin kancelarit aktual Karl Nehammer për formimin e koaliiconit të ri, por ai ka dështuar/DW/.

  • Clinton, Soros dhe Bono në mesin e të nderuarve me Medalje të Lirisë

    Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, miliarderi, George Soros, pjesëtari i grupit U2, Bono, aktorët, Denzel Ëashington dhe Michael J Fox, futbollisti, Lionel Messi, dhe redaktorja e revistës Vogue, Anna Ëintour, janë disa prej figurave që janë nderuar me medaljen më të lartë civile amerikane nga presidenti në shkuarje i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

    Përmes një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë, ata e kanë pranuar Medaljen Presidenciale të Lirisë.

    Këtë vit janë nderuar 19 persona nga bota e kulturës, politikës dhe aktivizmit.

    Shtëpia e Bardhë kanë thënë se personalitetet janë zgjedhur për “punën e mirë që kanë bërë dhe kontributin e jashtëzakonshëm për botën”.

    “Së bashku keni lënë gjurmë të pashlyeshme, e them këtë me sinqeritet, keni lënë gjurmë të pashlyeshme në shtetin tonë”, ka thënë Biden.

    Hillary Clinton ka qenë edhe kandidate e demokratëve në garën presidenciale më 2016.

    Bono, emri i vërtetë i të cilit është Paul David Heëson, është nderuar me çmimin më të lartë kulturor edhe në Francë, Ai njihet për fushën që bën kundër varfërisë dhe mbështetjen e ofruar për të infektuarit me virusin HIV.

    Shtëpia e Bardhë ka thënë se filantropi miliarder, dhe donatori i madh i demokratëve, George Soros, “ka mbështetur organizata dhe projekte nëpër botë që kanë forcuar demokracinë, të drejtat e njeriut, edukimin dhe drejtësinë sociale”.

    Nderimi me këtë medalje është traditë e krijuar prej ish-presidentit John F Kennedy.

    Çmimi jepet me diskrecion të presidentit, por edhe me këshillën që i japin panelet e jashtme.

    Në të kaluarën me këtë medalje janë nderuar sportistja Simone Biles, aktorja e shpërblyer me çmim Oscar, Michelle Yeoh dhe themeluesi i kompanisë Apple, Steve Jobs/RadioEvropaeLirë/.