Ballina

Kategori: Botë

  • Reuters: Kryeministri kanadez pritet të japë dorëheqje

    Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau pritet se do të bëjë të ditur dorëheqjen, megjithëse ai ende nuk e ka marrë vendimin përfundimtar – ka bërë të ditur për Reutersin një burim i informuar me rrjedhat e Trudeaut.

    Burimi ka folur për Reutersin pasi “Globe and Mail” raportuan se Trudeau pritet që të hënën të ofrojë dorëheqjen si kryetar i Partisë Liberale kanadeze në pushtet, pas nëntë vjetësh në krye të kësaj detyre.

    Reuters ka raportuar të hënën, më 06.01.2025, se burimi ka folur në kushte anonimiteti pasi nuk është i autorizuar të flasë publikisht. Largimi i Trudeaut do të linte partinë pa kryetar në kohën kur sondazhet tregojnë se liberalët do t’i humbin keq Zgjedhjet ndaj konservatorëve në opozitë – në Zgjedhjet që pritet të mbahen kah fundi i tetorit.

    Burimet kanë thënë për “The Globe and Mail” se nuk e dinin përfundimisht se kur Trudeau do ta bëjë të ditur dorëheqjen, porse kanë theksuar se kjo mbase pritet të bëhet në një takim urgjent me grupin parlamentar liberal të mërkurën, më 08.01.2025.

    Ka një numër në ngritje deputetësh liberalë, të alarmuar për një seri sondazhesh të zymta për partinë, të cilët kanë kërkuar publikisht që Trudeau të japë dorëheqjen.

    Zyra e Kryeministrit nuk i është përgjigjur menjëherë kërkesës për komentim jashtë orarit të rregullt të punës. Orari i publikuar rregullisht për punën e Kryeministrit të hënën ka bërë të ditur se ai do të marrë pjesë në një takim virtual kabineti, për marrëdhëniet ndërmjet Kanadasë dhe SHBA-së. Mbetet e paqartë nëse Trudeau do ta lërë menjëherë detyrën apo do të qëndrojë, derisa të zgjidhet një lider i ri i liberalëve – ka raportuar “The Globe and Mail”.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Zgjedhjet gjermane të 2025-tës: Kush prin në sondazhe?

    Mbështetja për SPD-në e kancelarit Olaf Scholz, të Gjelbrit dhe FDP-në ka rënë, derisa partitë opozitare, si CDU dhe AfD, kanë shfrytëzuar momentumin – ka raportuar të hënën, më 06.01.2025, Euronews.

    Skena politike e Gjermanisë po dëshmon një kthesë derisa po zbehet përkrahja për koalicionin “semafori” – duke u theksuar edhe më shumë pas prishjes së aleancës ndërmjet Socialdemokratëve të Scholzit, të Gjelbërve dhe Demokratëve të Lirë (FDP) pro-biznes.

    Njëherësh Unioni Kristiandemokrat (CDU) i së djathtës së qendrës dhe partia bavareze simotër, Unioni Kristiansocial (CSU) kanë vazhduar të kryesojnë në sondazhe, derisa e djathta ekstreme populiste, Alternativa për Gjermaninë (AfD) mbetet partia e dytë më e madhe opozitare.

    SPD-ja e kancelarit Scholzit ka ngelur prapa partisë së madhe opozitare, të prirë prej Friedrich Merzit, kur vjen puna te mbështetja popullore para Zgjedhjeve.

    Zëvendëskancelari Robert Habeck, nga radhët e të Gjelbërve, ka hyrë në garën për Kancelarinë, por partia e tij ka vazhduar të shënojë rënie të përkrahjes pas rënies së koalicionit trepartiak.

    AfD-ja e së djathtës ekstreme, që vazhdimisht ka shënuar ngritje, ka nominuar Alice Weidelin si kandidate për kancelare.

    Megjithatë partia mbetet politikisht e izoluar, derisa partitë tradicionale vazhdojnë të refuzojnë çfarëdo koalicioni me të.

    Prej të majtës, BSË-ja e porsaformuar, e prirë prej Sahra Wagenknechtit, ka materializuar pakënaqësinë populiste – duke diversifikuar edhe më tej mundësitë politike të Gjermanisë.

    Dhe, derisa po afrohen Zgjedhjet e reja, anketimet sugjerojnë një spektër të fragmentuar, pa asnjë parti afër një fitoreje absolute.

    Me gjasë rezultati do të shpije drejt negociatave për formimin e një koalicioni – shenjë e politikës gjermane.

    Sondazhet tregojnë se VDU/CSU janë në pozitë më të mirë për formimin e një koalicioni shumice, por që do t’u duhet edhe mbështetja nga të Gjelbrit ose SPD-ja. Përderisa, koalicioni aktual trepartiak nuk pritet të përtërihet me anketimet që e nxjerrin FDP-në poshtë pragut prej 5% për përfaqësim në Bundestag.

    Sistemi zgjedhor proporcional i Gjermanisë ofron një spektër të besueshëm për formim të mundshëm të Qeverisë pas Zgjedhjeve.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Meloni takon Trumpin në Florida

    Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni bëri një udhëtim të papritur në Florida për t’u takuar me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump të shtunën në mbrëmje, në një përpjekje të një prej udhëheqësve kryesorë evropianë për të forcuar lidhjet me Trumpin para se ai të marrë detyrën, më 20.01.2025.

    Detaje nga bisedimet nuk janë bërë publike, por zëvendëskryeministri italian Matteo Salvini tha të dielën se ato mbuluan një sërë çështjesh – përfshirë gjendjen e rëndë të Cecilia Salas, një gazetare italiane e arrestuar muajin e kaluar në Iran.

    “Të lumtë Giorgia Meloni që takove Donald Trumpin për të folur për paqen, bashkëpunimin në industri dhe tregti, sigurinë dhe lirimin e Cecilia Salas.” – postoi Salvini, kreu i partisë së koalicionit Liga, në platformën X.

    Meloni u prit me duartrokitje në Mar-a-Lago, pas një prezantimi të saj nga Presidenti i zgjedhur – sipas videove të shpërndara në mediat sociale nga gazetarët dhe të pranishëm të tjerë.

    “Jam shumë i lumtur që jam këtu me një grua fantastike, kryeministren e Italisë. Ajo vërtet ka triumfuar në Evropë.” – tha Trump, sipas një njoftimi në media.

    Meloni konsiderohet si një partnere e fortë e mundshme për zotin Trump, duke pasur parasysh kredencialet e saj konservatore dhe stabilitetin e koalicionit të krahut të djathtë që ajo udhëheq në Itali që nga fundi i vitit 2022.

    Kryeministrja Meloni ka krijuar gjithashtu një marrëdhënie të ngushtë me miliarderin Elon Musk, një aleat i ngushtë i Trump.

    Tommaso Foti, ministri italian i çështjeve të BE-së dhe rajonale, tha të dielën se takimi, i cili nuk ishte njoftuar paraprakisht, tregoi se Italia mund të shërbejë si “një urë diplomatike midis dy botëve: Bashkimit Evropian dhe SHBA-së”.

    Udhëtimi i zonjës Meloni vjen disa ditë përpara se ajo të takohet me presidentin amerikan, Joe Biden gjatë një vizite në Romë nga 9 deri më 12 janar.

    Trump dhe zonja Meloni ndoqën shfaqjen e një dokumentari që vë në pikëpyetje hetimet penale dhe sfidat ligjore me të cilat u përball John Eastman, një ish-avokat i zotit Trump, i cili luajti një rol qendror në përpjekjet e pasuksesshme të tij për të përmbysur rezultatin e Zgjedhjeve të vitit 2020.

    Një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet Meloni është arrestimi i gazetares Sala në Teheran, më 19 dhjetor. Ajo u arrestua tre ditë pasi Mohammad Abedini, një biznesmen iranian, u arrestua në aeroportin Malpensa të Milanos me urdhër të SHBA-së, nën akuzat se kishte siguruar pjesë dronësh që Uashingtoni thotë se u përdorën në një sulm janarin e kaluar, që shkaktoi vdekjen e tre ushtarëve amerikanë në Jordani. Irani ka mohuar të ketë pasur rol në sulm.

    Meloni është udhëheqësja e fundit e huaj që viziton Presidentin e zgjedhur Trump në Florida, që nga Zgjedhjet e 5 nëntorit.

    Ai është takuar me presidentin argjentinas Javier Milei, kryeministrin Viktor Orban të Hungarisë dhe kryeministrin kanadez Justin Trudeau./VOA

  • SHBA, priten reshjet më të mëdha të dëborës prej një dekade

    Një valë dëbore, akulli, erërash dhe temperaturat në rënie krijuan kushte të rrezikshme për udhëtimin në disa pjesë qendrore të Shteteve të Bashkuara të dielën, pasi një stuhi dimërore pritet të sjellë mundësinë e “reshjeve më të mëdha të dëborës prej një dekade” në disa zona.

    Bora dhe akulli mbuluan rrugët kryesore në pothuajse të gjithë Kansasin, Nebraskën perëndimore dhe pjesë të Indianës, ku Garda Kombëtare e këtij shteti u aktivizua për të ndihmuar udhëtarët e bllokuar në makina. Pritej të paktën 20 cm dëborë, pasi Shërbimi Kombëtar i Motit qarkulloi paralajmërime për stuhi dimërore për shtetet Kansas dhe Missouri.

    Paralajmërimi u shtri edhe në New Jersey për të hënën dhe deri në orët e para të së martës.

    “Për vendet në këtë rajon që do të kenë sasitë më të mëdha të borës, mund të jenë reshjet më të mëdha në të paktën një dekadë”, tha shërbimi i motit të dielën herët.

    Rreth 63 milionë amerikanë banojnë në zonat që mund të preken të dielën, sipas specialistit Bob Oravec, me Shërbimin Kombëtar të Motit.

    Vorbulla polare e ajrit tepër të ftohtë zakonisht rrotullohet përreth Polit të Veriut. Njerëzit në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Azi e përjetojnë të ftohtin e tij intensiv kur rrymat e ajrit zhvendosen drejt jugut.

    Studimet tregojnë se ngrohja e shpejtë në Arktik është pjesërisht shkaku për frekuencën në rritje të vorbullës polare që zgjeron ndikimin e saj të akullt.

    Stuhia pritet të përfshijë edhe kryeqytetin Uashington dhe rrethinat e tij.

    Shërbimi Kombëtar i Motit parashikoi nga 20 deri në 30 centimetra dëborë për zonën e Anapolisit, Maryland, me temperatura të mbetura nën zero gjatë gjithë fundjavës.

    Në një deklaratë në rrjetin X, guvernatori i Virxhinias, Glenn Youngkin shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të premten në mbrëmje përpara stuhisë dhe i inkurajoi banorët të votojnë përpara zgjedhjeve speciale që mbahen për këtë shtet të martën.

    Deklarata të ngjashme për gjendjen e emergjencës u bënë në Kansas, Kentaki, Mariland dhe në qytetet qendrore të Illinoisit.

    “Është vërtetë serioze”, tha meteorologu John Gordon në një konferencë shtypi në Louisville, Kentucky./VOA

  • India nuk mbështet një monedhë të përbashkët për vendet e grupit BRICS

    Sipas analistëve në Nju Delhi, India nuk mbështet krijimin e një monedhe të përbashkët për organizatën BRICS të përbërë nga nëntë vende, por po përpiqet të nxisë tregtinë në monedhën e saj.

    Siç njofton nga Nju Delhi, korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anjana Pasricha, Presidenti i ardhshëm amerikan Donald Trump, paralajmëroi rishtazi vendet e BRICS-it që të mos bëjnë përpjekje për ta zëvendësuar dollarin me një monedhë alternative.

    India nuk dëshiron krijimin e një monedhe të përbashkët BRICS, një iniciativë e mundshme që është përballur me një reagim të fortë nga Presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

    Ai ka kërcënuar me vendosjen e tarifave 100% për produktet nga nëntë vendet anëtare të BRICS-it, nëse ky grup zëvendëson dollarin amerikan me një monedhë tjetër, ose mbështet një alternativë tjetër në vend të monedhës amerikane.

    Analistët thonë se mosbesimi dhe dallimet ndërmjet anëtarëve kryesorë të BRICS-it, si India dhe Kina, janë një pengesë e madhe për të kaluar drejt një monedhe të përbashkët.

    “India nuk e mbështet këtë iniciativë. Një monedhë e përbashkët nuk do të ndihmojë askënd; thjesht do të diktonin vendet dominuese si Kina. Pra, është shumë e vështirë të krijohet një konsensus për të patur një monedhë të përbashkët”, thotë eksperti Chintamani Mahapatra, nga Instituti Kalinga për Studimin e Indo-Paqësorit.

    Grupi kryesor i BRICS-it – ku merrnin pjesë Kina, Rusia, India, Brazili dhe Afrika e Jugut – u zgjerua këtë vit me Iranin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Etiopinë dhe Egjiptin. Ideja e një monedhe për grupin BRICS zuri vend në vitin 2022, pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Rusisë pas luftës në Ukrainë dhe tensioneve në rritje mes Perëndimit dhe Kinës.

    Por aleanca e vendeve në zhvillim është shumë e larmishme për ta bërë të zbatueshme një monedhë të përbashkët.

    “Nuk kemi një treg të përbashkët. Nuk kemi ndonjë politikë të përbashkët tregtare. Nuk kemi asgjë të përbashkët”, thotë për grupin BRICS eksperti Mahapatra.

    Megjithatë, India dhe disa vende të tjera të BRICS-it kanë shtuar përpjekjet për të bërë tregëti në monedhat e tyre, për të ulur varësinë nga dollari amerikan.

    “Janë 17 vende që janë identifikuar nga qeveria e Indisë, me të cilët India dëshiron të bëjë tregëti në monedhën rupi, ose në një monedhë dypalëshe”, thotë analisti për tregtinë Biswajit Dhar.

    Ndër këto vende është edhe Rusia. Nju Delhi, i cili nuk iu bashkua sanksioneve amerikane, po paguan për importet masive të naftës ruse në monedhën rupi. Por edhe tregtia në rupi paraqet probleme.

    “India ka një deficit të madh tregtar me Rusinë, që do të thotë se kur India blen shumë naftë dhe paguan në rupi, Rusia nuk di se çfarë të bëjë me sasinë e madhe të rupive që zotëron tashmë”, thotë analisti Dhar.

    Ministri i Punëve të Jashtme të Indisë, Subramanian Jaishankar, ka thënë se largimi nga dollari amerikan nuk është pjesë e politikës ekonomike të Indisë. Kjo, thonë analistët, është për shkak se interesat strategjike të Indisë janë përgjithësisht në linjë me Shtetet e Bashkuara./VOA