Ballina

Kategori: Botë

  • Një tërmet i fuqishëm vret 95 njerëz në Tibet

    Të paktën 95 njerëz kanë vdekur dhe 130 janë lënduar nga një tërmet i fuqishëm që e goditi rajonin bjeshkor të Tibetit të martën në mëngjes, raportojnë mediat shtetërore kineze.

    Shumë njerëz të tjerë kanë ngecur nën rrënoja të shtëpive dhe ndërtesave në këtë rajon në perëndim të Kinës.

    Mediat shtetërore raportuan se 1.000 shtëpi janë dëmtuar në Tibet.

    Tërmeti u ndje edhe në Nepalin fqinj dhe në pjesë të Indisë.

    Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së njoftoi se tërmeti ishte me magnitudë prej 7.1 ballësh dhe goditi në një thellësi prej rreth 10 kilometrash. Kina e regjistroi tërmetin si 6.8 ballësh.

    Epiqendra e tërmetit ishte rreth 75 kilometra në verilindje të Malit Everest, i cili shtrihet në kufirin mes Kinës dhe Nepalit. Kjo zonë është sizmologjikisht aktive, pasi aty përplasen mes vete pllakat nëntokësore të Indisë dhe Eurazisë.

    Rreth 50 lëkundje u dëgjuan në tri orët pas tërmetit, dhe zona turistike e Malit Everest në anën kineze u mbyll si pasojë.

    Rreth 1.500 zjarrfikës dhe shpëtimtarë janë dërguar për t’i kërkuar njerëzit e ngecur nën rrënoja, sipas Ministrisë së Menaxhimit të Emergjencave. Gjithashtu, 200 ushtarë iu bashkuan operacionit të kërkimit, raportojnë mediat shtetërore.

    Lideri i Kinës, Xi Jinping, bëri thirrje për përpjekje të gjithanshme për shpëtimin e njerëzve, minimizimin e viktimave dhe sistemimin e personave që kanë humbur shtëpitë e tyre.

    Ndërkohë, në Nepal, autoritetet u kërkuan zyrtarëve në zonën bjeshkore në afërsi të epiqendrës të shikojnë nëse ka viktima apo dëme.

    Qendra Kombëtare e Operacioneve Emergjente në Kathmandu raportoi se njerëzit në verilindje të Nepalit e ndien tërmetin, por nuk kishte njoftime të menjëhershme për lëndime apo dëme në shtëpi./REL

  • Trump kërkon shtyrjen e shpalljes së dënimit në rastin e blerjes së heshtjes

    Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka kërkuar një gjykatësi në Nju Jork të hënën që ta shtyjë shqiptimin e dënimit ndaj tij në rastin penal të blerjes së heshtjes, në të cilin ai u shpall fajtor vitin e kaluar.

    Avokatët e Trumpit thanë se synojnë t’i kërkojnë Gjykatës së Apelit ta hedhë poshtë vendimin e javës së kaluar nga gjykatësit Juan Merchan për shqiptimin e dënimit më 10 janar.

    Avokatët Todd Blanche dhe Emil Boce i kërkuan Merchanit të mos e shpallë aktgjykimi ndaj Trumpit derisa ata ta bëjnë ankesën në Gjykatën e Apelit. Nëse kjo ndodh, atëherë gjasat janë që aktgjykimi ndaj Trumpit të mos shpallet para inaugurimit të tij më 20 janar.

    Merchan e caktoi të premten si datë për shpalljen e aktgjykimit, por la të kuptohej se Trumpi nuk do të përballet me ndonjë dënim me burgim apo gjobë.

    Trumpi u shpall fajtor në maj për falsifikimin e regjistrave biznesore për të ndikuar jashtëligjshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, përmes pagesave për heshtjen e një aktoreje të pornografisë, e cila tha se kishte kryer marrëdhënie seksuale me të.

    Ai ngarkohej me 34 akuza penale, përfshirë për falsifikimin e 11 faturave, 12 kuponëve dhe 11 çeqe, për ta fshehur pagesën në vlerë prej 130.000 dollarëve që ia kishte bërë Stormy Danielsit për ta blerë heshtjen e saj në lidhje me pretendimet e saj se kishte kryer marrëdhënie seksuale me Trumpin më 2006.

    Daniels donte të fliste publikisht për lidhjen e dyshuar seksuale me Trumpin një muaj para zgjedhjeve të vitit 2016, gjë që do t’ia kishte dëmtuar fushatën presidenciale të nominuarit republikan.

    Trump ka thënë se rrëfimi i saj ishte i rrejshëm dhe i ka mohuar të gjitha akuzat./REL.

  • Presidenti austriak mandaton djathtistin ekstrem për formimin e qeverisë

    Presidenti austriak, Alexander Va nder Bellen e ka mandatuar të hënën më 06.01.2025 liderin e së djathtës ekstreme, Partia e Lirisë (FPO) që ta formojë një koalicion qeveritar, pasi përpjekja e centristëve për koalicion pa FPO-në dështoi papritmas në fundjavë – raporton Reuters.

    Njoftimi shënon një kthesë të madhe dramatike për Presidentin, ish-lider i së majtës së Gjelbër, të cilët kaherë kanë qenë kritik ndaj FPO-së dhe janë përplasur me liderin e saj, Herbert Kickl, por pak mundësi mbetën për Van der Bellen pas dështimit të centristëve për krijimin e një koalicioni qeveritar.

    FPO-ja euroskeptike dhe dashamire ndaj Rusisë fitoi Zgjedhjet parlamentare të shtatorit me 29% të përkrahjes së votuesve. Tani do të hyjë në negociata me partnerin e vetëm të mundshëm, Partinë Popullore Konservatore (OVP), me kërkesën që t’i prijë një Qeverie për herë të parë prej themelimit të saj në vitet pesëdhjetë nën drejtimin e një lideri që kishte qenë ushtarak i lartë në SS-in paramilitar elitar të Hitlerit.

    “E kam ngarkuar atë me nisjen e bisedimeve me Partinë Popullore për formimin e një Qeverie.” – ka deklaruar Va nder Bellen në një adresim televiziv pas takimit me Kicklin, duke shtuar: “Nuk e kam ndërmarrë me qejf këtë hap”.

    Dhe derisa Kickl po largohej pas takimit me Presidentin, qindra protestues, përfshirë studentë hebraikë dhe aktivistë të së majtës, e kanë vërshëllyer dhe kanë brohoritur “nazistët jashtë” – duke valuar njëherësh flamuj me slogane “Ne nuk duam një Austri djathtiste ekstremiste”.

    Va nder Bellen e kishte zemëruar FPO-në, duke mos ia dhënë mandatin për formimin e Qeverisë menjëherë pas Zgjedhjeve, meqë asnjë partner koalicioni ishte shfaqur menjëherë për bashkëpunim me të. Mandati i ishte besuar Partisë Popullore konservatore dhe liderit të saj, kancelarit Karl Nehammer. OVP-ja e tij kishte dalë e dyta në Zgjedhje.

    Përpjekjet e Nehammerit për të krijuar një koalicion, së pari trepartiak e pastaj dypartiak, me patitë tjera centriste dështuan në fundjavë – duke e detyruar atë që të jepte dorëheqje.

    Nehammeri ka ngulmuar kaherë se partia e tij nuk do të qeveriste me Kicklin, duke theksuar se lideri i FPO-së beson në teori konspiracioni dhe se përbën kërcënim sigurie. Me tërheqjen e Nehammerit, mund të jetë hequr edhe vija e kuqe – shkruan Reuters. Pasuesi i tij i përkohshëm në krye të OVP-së, Christian Stocker ka thënë të dielën se partia e tij do të jetë pjesë e bisedimeve të udhëhequra nga Kickl.

    “Ne jemi krejt në fillim. Nëse ftohemi në këto bisedime, rezultati i atyre bisedimeve është i hapur.” – ka deklaruar për televizionin ORF, Wilfried Haslauer, guvernatori i shtetit të Salzburgut, njeri me peshë në parti, që kishte qëndruar krah Stockerit në deklarimin e tij para mediave si lider i OVP-së.

    Nëse dështojnë Zgjedhjet ka gjasë të ketë Zgjedhje të parakohshme dhe anketimet tregojnë se FPO-ja vetëm sa ka ardhur duke e ngritur mbështetjen prej shtatorit.

    OVP-ja dhe FPO-ja kanë tejkaluar dallime për disa çështje – përfshirë ashpërsimin e masave ndaj emigrantëve.

    Çështja më sprovuese në bisedimet e centristëve megjithatë ishte ulja e deficitit buxhetor, që pritet të tejkalojë tavanin e përcaktuar nga BE-ja prej 3% të prodhimit ekonomik të viteve 2024 dhe 2025.

    Përderisa dy partitë bëjnë thirrje për ulje taksash, FPO-ja është zotuar se do të mënjanojë disa prej interesave të OVP-së, si Oda e fuqishme e Tregtisë. Ato janë përplasur edhe për kundërshtimin e FPO-së ndaj ndihmës për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë dhe për planet aktuale për një sistem raketor të mbrojtjes.

    Va der Bellen ka thënë vazhdimisht se do të jetë i kujdesshëm që të sigurojë “themelet e demokracisë” – përfshirë respektimin e të drejtat e njeriut, mediat e pavarur dhe anëtarësimin e Austrisë në Bashkimin Europian.

     

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Kongoja ekzekuton 102 ‘banditë urbanë’ – 70 të tjerë në radhë, thonë zyrtarët

    102 burra janë ekzekutuar nga Qeveria e Kongos gjatë javës së kaluar dhe 70 të tjerë pritet të ekzekutohen, ka bërë të ditur ministri i Drejtësisë në një deklaratë për Agjencinë amerikane të lajmeve AP – ka raportuar televizioni CNN.

    Në deklaratë thuhet se burrat, prej 18 deri në 35 vjeç, ishin plaçkitës të armatosur dhe “banditë urbanë”, të njohur nga vendasit si “Kulunas”, të cilët janë ekzekutuar në Burgun e zonës perëndimore të Kongos në Angenga. 45 të tjerë ishin vrarë në fund të dhjetorit dhe 57 të tjerët janë ekzekutuar gjatë 48 orëve të fundit – thuhet në njoftimin e së dielës.

    Një fluturim me 70 burra të tjerë nga Kinshasa kanë arritur në Angenga, por Qeveria nuk ka komentuar statusin e të burgosurve.

    Ministri i Drejtësisë, Mutamba, i cili po monitoron ekzekutimet, ka thënë të dielën vonë se “një tufë e tretë do të ekzekutohet, kështu që dy të parat janë kryer me masën e ekzekutimit me ‘dënim me vdekje’”.

    Vendimi i Qeverisë për të zbatuar dënimin me vdekje ka ngjallur ndasi. Disa e kanë mirëpritur masën si mjet për të rikthyer sundimin e rendit dhe sigurisë në qytete, derisa të tjerë janë shprehur të shqetësuar për rreziqet e abuzimit dhe të shkeljeve të të drejtave të njeriut.

    “Ne e mirëpresim këtë Vendim prej Ministrit, sepse do të ndihmojë t’i jepet fund krimit urban. Që prej orës tetë të mbrëmjes e tutje, ju nuk mund të lëvizni lirisht për shkak se keni frikë se mund të bini në duar të një ‘Kuluna’.” – ka thënë Fiston Kakule, banor i qytetit lindor Goma.

    Espoir Muhinuka, aktivist i të drejtave të njeriut, ka paralajmëruar për mundësinë e ekzekutimeve jashtëgjyqësore dhe ka bërë thirrje për respektim strikt të procedurave juridike dhe garancive themelore. Ai druan se presioni politik mund të çojë drejt dënimeve të padrejta dhe ekzekutimeve arbitrare.

    “Situata në Republikën Demokratike të Kongos është e ndërlikuar dhe kërkon qasje multidimensionale. Lufta kundër bandave duhet të zhvillohej krahas përpjekjeve për ta luftuar varfërinë, papunësinë dhe përjashtimin social, që shpesh janë faktorë që i kontribuojnë krimit.” – ka thënë ai.

    Dënimi me vdekje në Kongo është çështje e ndjeshme. Shteti afrikan e kishte shfuqizuar më 1981, por e riktheu më 2006. Ekzekutimi i fundit u bë më 2003, por në marsin e vitit 2004 Qeveria kongoleze njoftoi rikthimin e ekzekutimeve të rënda – megjithëse ishte menduar se dënimi me vdekje do të zbatohej vetëm për personelin ushtarak të akuzuar për tradhti kombëtare.

    Në maj, tetë ushtarë ishin dënuar me vdekje për dezertim prej fushëbetejës dhe në korrik 25 ushtarë të tjerë u dënuan për shkelje të ngjashme. Nuk raportohet se ndonjëri prej tyre është ekzekutuar.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Çka është virusi HMPV që po përhapet në Kinë?

    Rritja e rasteve me virusin metapneumovirus (HMPV) në Kinë ka ngjallur frikë për përhapjen e këtij virusi edhe në vende të tjera.

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njoftoi të hënën qytetarët e vendit me informacione thelbësore lidhur me këtë, me qëllim rritjen e masave të kujdesit parandalues. Instituti nuk tregoi nëse në Kosovë ka raste me HMPV.

    Metapneumovirusi njerëzor (HMPV) është virus respirator i cili shkakton simtoma të ngjashme me gripin dhe ftohjen, por ai mund ta rrisë rrezikun apo të shkaktojë më shumë komplikime, si bronkiti apo pneumonia – posaçërisht te të moshuarit dhe fëmijët e vegjël.

    Kjo sëmundje është e së njëjtës familje si virusi respirator sincicial (RSV) dhe është shfaqur që nga viti 2001, kur u identifikua për herë të parë në Holandë.

    Ky virus përhapet gjatë sezoneve të ftohta.

    Pse u bë lajm HMPV-ja?

    Në Kinë është raportuar për rritjen e rasteve me virusin HMPV në javët e fundit.

    Qendra Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve i ka paralajmëruar qytetarët e vet të kujdesen për higjienën dhe shëndetin.

    Ajo, gjithashtu, ka hedhur poshtë pretendimet online se Spitalet janë mbushur me pacientë dhe se ka frikë për një pandemi të ngjashme si ajo e COVID-19.

    Kush rrezikohet nga HMPV-ja?

    Simptomat e HMPV-së janë të ngjashme me ato të gripit apo të ftohjes.

    Rastet e rënda mund të rezultojnë me bronkit ose pneumoni – veçanërisht te foshnjat, të moshuarit dhe njerëzit me imunitet të dobësuar.

    Njerëzit me kushte paraprake të mushkërive, si astma, sëmundja pulmonare obstruktive kronike (COPD) ose emfizema janë në rrezik më të shtuar për pasoja më të rënda.

    Si përhapet?

    HMPV-ja ka shumë mundësi të përhapet nga personi i infektuar te të tjerët përmes kollitjes e teshtitjes, kontaktit të ngushtë personal, si puthja, prekja ose shtrëngimi i duarve; prekja e objekteve ose sipërfaqeve që kanë virusin mbi to dhe më pas prekja e gojës, e hundës ose e syve.

    Si të parandalohet përhapja e HMPV-së?

    Për të parandaluar përhapjen dhe për t’i ulur rreziqet e shkaktuara nga patogjenët respiratorë duhet të ndiqen masa të thjeshta.

    Këto masa përfshijnë qëndrimin në shtëpi kur jeni të sëmurë, ndjekjen e këshillave mjekësore për kujdesin, mbajtjen e maskave në hapësira të mbushura me njerëz ose të ajrosura dobët, mbulimin e kollës e teshtitjes me pecetë ose bërryl të përthyer.

    Gjithashtu larja e rregullt e duarve, shmangia e prekjes së syve, hundës ose gojës me duar të palara ndihmojnë në parandalimin e këtij virusi.

    Aktualisht nuk ka trajtim specifik ose vaksinë për HMPV dhe kujdesi mjekësor është kryesisht simptomatik. Virusi zakonisht kalon vetë./REL