Ballina

Kategori: Botë

  • Pse ukrainasit kundërshtojnë uljen e moshës të rekrutimit?

    Svitlana Pokalchuk i dërgoi dy djemtë e saj adoleshentë jashtë vendit në mënyrë që të shmangnin shërbimin ushtarak në Ukrainën, kur të arrinin moshën.

    “E di se sa shumë djem më nuk janë në mesin tonë”, tha Pokalchuk për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë. “E shihni Facebook-un, sa njerëz po kërkojnë familjarët e tyre dhe, si nënë, ndiej pikëllim. Thjesht, pikëllim”.

    Ajo nuk është e vetme.

    Shtetet e Bashkuara, mbështetësi kryesor ushtarak i Kievit, i kanë bërë thirrje Ukrainës që të ulë moshën e shërbimit ushtarak nga 25 në 18 vjeç, pasi shteti po përballet me vështirësi që të zmbrapsë forcat ruse, që po përparojnë, për shkak të mungesës së rekrutëve të rinj.

    Kjo ka shtyrë disa familje ukrainase që t’i dërgojnë bijtë e tyre jashtë vendit që të shmangin shërbimin ushtarak.

    “Arsyeja e parë është siguria e tyre”, tha Pokalchuk. “Për një nënë, kjo është gjëja më e rëndësishme. E dyta, është mosha e rekrutimit për shërbim ushtarak. Ata ende janë të rinj dhe nuk ka një trajnim të mirëfilltë ushtarak”.

    Në prill të vitit të kaluar, Ukraina uli moshën e mobilizimit nga 27 në 25 vjeç. Në nëntor, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, e shtyu Ukrainën që ta ulë sërish këtë moshë, kësaj radhe në 18 vjeç. Më 12 janar, Mike Waltz, këshilltari i zgjedhur për siguri kombëtare i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, e përsëriti këtë mesazh.

    “Fëmijët në kasaphane”

    Reagimet në rrugët e Kievit ishin krejtësisht negative.

    “Jam nënë dhe gjyshe dhe jam krejtësisht kundër kësaj”, tha një grua për Current Time.

    “Në moshën 18-vjeçare ata janë fëmijë. Ata do të bëheshin mish për top, fëmijët do të dërgoheshin në kasaphane”, shtoi ajo.

    Një grua tjetër tha se “nuk do të mbetet askush që të bëjë fëmijë”, duke prekur një shqetësim të thellë që është në epiqendër të kundërshtimit të këtij propozimi.

    Grup-mosha nga 18 deri në 25 vjeç është më e dobëta nga demografia e moshës së punës në Ukrainë. Një rënie dramatike e natalitetit në vitet ’90, pas rënies së Bashkimit Sovjetik, vazhdoi edhe në vitet 2000, teksa popullsia u përball me sfida të vazhdueshme ekonomike.

    “Niveli më i ulët i yni i natalitetit ishte në vitin 2001”, tha Oleksandr Hladun, zëvendësdrejtor në Institutin Demografik të Akademisë së Shkencave të Ukrainës. “Ky kontingjent është aktualisht më i vogli. Dhe kjo do të thotë që në 25-30 vjet do të lindin edhe më pak fëmijë”.

    Të dhënat zyrtare kanë zbuluar atë që quhet “hendek demografik”. Në fakt, shifrat reale të popullsisë janë edhe më të ulëta, pasi popullsia u pakësua edhe më shumë nga emigracioni i nxitur fillimisht nga faktorët ekonomikë dhe më pas nga lufta.

    Hladun tha se studimet tregojnë se 25 për qind e nxënësve të shkollave të mesme në Ukrainë dëshirojnë të vazhdojnë studimet jashtë vendit.

    “Ndoshta kjo do të nxisë edhe më shumë banorë që të largohen, të dërgojnë fëmijët e tyre jashtë vendit”.

    Asnjë stigmë

    Rezistenca ndaj rekrutimit në përgjithësi është nxitur nga raportimet për korrupsion në zyrat për rekrutim dhe gjetje të mënyra ligjore përmes lidhjeve me pushtetin për të shmangur shërbimin ushtarak. Vitin e kaluar, hetuesit zbuluan se zyrtarë qeveritarë kishin shmangur shërbimin ushtarak duke pretenduar në mënyrë të rremë se merrnin përftime për shkak të aftësive të kufizuara.

    Një sondazh i publikuar në qershor gjeti se 46 për qind e ukrainasve mendonin se nuk është turp që të shmangej shërbimi ushtarak, ndërkaq 25 për qind e respodentëve nuk ishin në gjendje që t’i përgjigjeshin kësaj pyetjeje.

    Ndoshta për shkak të kësaj atmosfere, reagimi politik për uljen e moshës së rekrutimit ka qenë negativ po ashtu.

    Në dhjetor presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri deklarata të ashpra për gazetarët gjatë një vizite në Bruksel. Problemi, sugjeroi ai, nuk ishte numri i trupave, por armatimet dhe pajisjet e pamjaftueshme.

    Prej kohësh, Zelensky u bën thirrje aleatëve perëndimorë të Kievit që të rrisin furnizimet me armë për Ukrainën.

    “Më tregoni ju lutem: nëse një person është para jush, pa armë, çfarë dallimi ka nëse ai është 20 apo 30 vjeç nëse ai nuk është i armatosur? Nuk ka kurrfarë dallimi”, tha presidenti ukrainas.

    Por, Zelensky po ashtu e ka pranuar se ushtria ka nevojë për ushtarë të rinj dhe videot ku shihen rekrutuesit duke tërhequr zvarrë burrat nga rruga, vënë në pah këtë problem.

    Presioni politik mund ta detyrojë Zelenskyn që ta ndryshojë mendjen. Trump veçse e ka bërë të qartë se ai nuk është i prirë të mbështesë Ukrainën ushtarakisht dhe dëshiron të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, për të negociuar për paqe.

    Teksa Zelensky, tenton të jetë në anën e mirë të Trumpit, ai mund të detyrohet të bëjë disa lëshime./REL

  • Rikthimi i energjisë bërthamore

    Sipas parashikimeve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë në vitin 2025, prodhimi i energjisë bërthamore duket se do të thyejë rekorde.

    Kërkesa mbarëbotërore për energji elektrike po rritet jashtëzakonisht shumë – Qendrat e të Dhënave për Inteligjencën Artificiale kanë p.sh. nevojë të jashtëzakonshme për energji. Por për shkak të krizës klimatike kërkohen energji që prodhohen pa shkaktuar emetime të larta. Kjo është arsyeja pse Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) në Paris parashikon një rilindje të energjisë bërthamore.

    Sipas IEA-së prodhimi i energjisë elektrike nga flota botërore prej gati 420 reaktorësh bërthamorë do të arrijë një nivel të ri rekord këtë vit.

    Ky është rezultati i një studimi të publikuar së fundmi nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë.

    Prodhimi i energjisë elektrike nga energjia bërthamore po rritet

    IEA parashikon që deri në vitin 2025 prodhimi i përgjithshëm i energjisë bërthamore do të arrijë rreth 2,900 teravat në orë. Kjo përbën rreth gati dhjetë% të prodhimit të përgjithshëm të energjisë elektrike. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, termocentralet bërthamore kanë prodhuar në vitin 2023 2,742 teravat orë dhe në vitin 2024 2,843 teravat orë.

    Këtë vit prodhimi i energjisë bërthamore do të jetë “më i larti në histori” – tha shefi i IEA-s, Fatih Birol për Agjencinë e lajmeve AFP. “Ne po hyjmë në një epokë të re të energjisë bërthamore.”

    Në mbarë botën janë në ndërtim e sipër reaktorë me kapacitet 70 gigavat. Interesi për energjinë bërthamore është më i madh, sesa ka qenë që nga kriza e naftës në vitet 1970. Më shumë se 40 vende po përpiqen të zgjerojnë kapacitetet e tyre për prodhimin e energjisë bërthamore – tha IEA./DW

  • Kinës i bie numri i popullsisë për të tretin vit me radhë

    Popullsia e Kinës ka rënë për të tretin vit me radhë më 2024, me numrin e vdekjeve që po ia marrin anën atyre të lindjeve dhe ekspertët druajnë se trendi mund të thellohet edhe më shumë në vitet e ardhshme – ka raportuar të premten, më 17.01.2025, Agjencia e lajmeve Reuters.

    Zyra Kombëtare e Statistikave ka bërë të ditur se numri i përgjithshëm i banorëve në Kinë ka shënuar rënie prej 1.39 milion banorësh. Në vitin 2023 Kina numëronte 1 miliard e 409 milionë banorë, ndërkaq në vitin 2024 numri ka rënë në 1 miliard e 408 milionë banorë.

    Të dhënat e së premtes, më 17.01.2025, kanë fuqizuar shqetësimet se ekonomia e dytë më e madhe në botë do të ketë telashe, meqë pritet të bjerë numri i punëtorëve dhe konsumatorëve. Çmimet e ngritura për kujdesin e pleqve dhe përfitimet pensionale pritet t’ia shtrëngojnë edhe më fort rripin ekonomisë kineze, derisa Qeveria edhe ashtu po përballet me borxhe të qeverive lokale.

    Numri i përgjithshëm i lindjeve i Kinës ishte 9 milionë e 54 mijë, krahasuar me 9 milionë e 20 mijë më 2023. Numri i lindjeve është rritur në 6.77 për njëmijë banorë më 2024, krahasuar me 6.39 për njëmijë banorë më 2023.

    Numri i vdekjeve më 2024 ishte 10 milionë e 930 mijë, krahasuar me 11 milionë e 100 mijë më 2023.

    Shkalla e lindjeve e Kinës ka shënuar rënie për dekada me radhë, si rezultat i politikës një çift-një fëmijë – zbatuar nga viti 1980 deri më 2015, por edhe si pasojë e urbanizimit.

    Qysh ka ndodhur edhe në Japoninë dhe Korenë e Jugut fqinje, edhe në Kinë është rritur numri i atyre që po zhvendosen nga fshatrat në qytete, ku kushtet e jetesës janë më të shtrenjta.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Pakistani dënon ish-kryeministrin Khan me 14 vjet burgim për ryshfet

    Një Gjykatë pakistaneze e ka dënuar ish-kryeministrin Imran Khan me 14 vjet burgim, të premten, më 17.01.2026, në një rast korrupsioni për tokë – ka njoftuar transmetuesi lokal ARY News – njofton Reuters.

    Vendimi për këtë çështje, më i madhi për sa i përket keqpërdorimit financiar me të cilin u përball Khan, u shqiptua nga një Gjykatë antikorrupsion në një burg në qytetin garnizon, Rawalpindi, ku Khan është i burgosur prej gushtit 2023.

    Ish-ylli i kriketit, 72 vjeç, ishte paditur me akuzat se atij dhe gruas së tij iu dhurua tokë nga një magnat i pasurive të paluajtshme gjatë mandatit si Kryeministër, gjatë viteve 2018- 2022, në këmbim të favoreve të paligjshme.

    Khani dhe gruaja e tij, Bushra Bibi ishin deklaruar të pafajshëm. Shpallja e Vendimit u vonua tre herë – së fundmi edhe të hënën pas bisedimeve ndërmjet Qeverisë dhe partisë së Khanit.

    Bushra Bibi, e cila është në fund të 40-ave dhe ishte liruar me kusht, u dërgua në paraburgim pasi u shpall fajtore për të njëjtin rast – ka raportuar Geo News.

    “Ndërsa ne presim një Vendim të detajuar, është e rëndësishme të theksohet se, rasti i ‘Al-Qadir Trust’ kundër Imran Khanit dhe Bushra Bibit nuk ka ndonjë bazë të fortë dhe detyrimisht do të rrëzohet.” – ka shkruar në një deklaratë krahu i mediave i partisë së Khanit në Pakistan, Tehreek-e-Insaf.

    Vendimi është pengesa më e madhe për Khanin dhe partinë e tij, që nga rezultati çuditërisht i mirë në Zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024, kur kandidatët e saj, të cilët u detyruan të konkurronin si të pavarur fituan shumicën e mandateve, por nuk arritën shumicën e nevojshme për të formuar një Qeveri.

    I burgosur që nga gushti 2023 Khan është përballur me dhjetëra raste, duke filluar nga akuzat për ryshfet dhe shpërdorim pushteti, deri te nxitja e dhunës kundër shtetit, pasi u hoq nga detyra në një votëbesim parlamentar në prill 2022.

    Ai ose shpallej i pafajshëm, ose i pezulloheshin dënimet në shumicën e rasteve, me përjashtim të njërit, bazuar mbi akuzën e nxitjes së mbështetësve për të sulmuar nëpër objektet ushtarake gjatë protestave kundër arrestimit të tij, më 9 maj 2023.

    Mbështetësit i kanë udhëhequr disa protesta të dhunshme që nga incidentet e 9 majit.

    Ai është gjykuar brenda burgut për arsye sigurie.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Izraeli do ta aprovojë Marrëveshjen e armëpushimit dhe pengjeve – thotë Zyra e Netanyahut

    Kabineti izraelit do t’ia japë aprovimin përfundimtar ujdisë me grupin militant palestinez, “Hamas”, për armëpushim në Rripin e Gazës dhe për lirimin e pengjeve – ka bërë të ditur të premten, më 17.01.2025, Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu – raporton Agjencia e lajmeve Reuters.

    Në vetë Gazën, aeroplanët izraelitë kanë vazhduar sulmet e intensifikuara dhe autoritetet palestineze kanë thënë se të enjten janë vrarë 86 persona një ditë pas arritjes së Marrëveshjes.

    Me ndasitë e kahershme që janë të dukshme në mesin e Ministrave, Izraeli ka shtyrë takimet e pritura për të enjten kur Kabineti pritej të votonte paktin – duke fajësuar “Hamasin” për rigrupim.

    Por në orët e hershme të mëngjesit të së premtes, zyra e Netanyahut ka thënë se aprovimi do të jetë i menjëhershëm.

    “Kryeministri Benjamin Netanyahu është informuar prej ekipit negociues se Marrëveshjet janë arritur me pajtimin për lirimin e pengjeve.” – ka njoftuar Zyra Kryeministrore, në një deklaratë të shkruar.

    Kabineti i Sigurisë do të takohet të premten para një takimi të krejt ekipit qeveritar, për ta aprovuar Marrëveshjen e ndërmjetësuar në Katar, për të cilin rol kritik kanë pasur Administrata e presidenti amerikan, Joe Biden dhe ajo e presidentit të zgjedhur, Donald Trump.

    Marrëveshja parashihet të hyjë në fuqi më 19 janar – një ditë para inaugurimit të Trumpit president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com