Ballina

Autor: Xheneta Murtezaj

  • Kapen dy serbë të cilët hynë ilegalisht në Kosovë, në automjet iu gjetën pako me zogj

    Gjatë patrullimit nga ana e organeve të rendit kanë takuar automjetin e drejtuar nga i dyshuari dhe pasagjeri, të dy serbë, të cilët përmes rrugëve ilegale kanë kaluar ilegalisht kufirin Serbi-Kosovë, si dhe kanë shkaktuar aksident trafiku.

    Policia ka njoftuar se gjatë kontrollit në automjet janë gjetur dhjetë pako me zogj: gjithsej 1600 copë dhe disa pako me gjëra ushqimore.

    Me vendim të Prokurorit, automjeti dhe malli i janë dërguar në Terminalin doganor, ndërsa rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

    Rasti u regjistrua në Banov Do – Zveçan, më 30.01.2025, rreth orës 14:00.

  • Lëndoi këmbën derisa ishte duke luajtur me armë, arrestohet i dyshuari në Istog

    Policia ka njoftuar se është arrestuar një person i dyshuar, për shkak se i njëjti derisa kishte luajtur me një armë kishte lënduar këmbën.

    Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe arma është konfiskuar.

    Rasti ka ndodhur më 30.01.2025, rreth orës 03:20, në fshatin Vrellë në Istog.

    Sipas Raportit policor, rasti po trajtohet si: “përdorim i armës, armëmbajtje pa leje dhe deklarim i rremë”.

     

  • Trainkos zbulon ‘dallaveret’ me arkat fiskale, largon nga puna 12 punëtorë

    Ndërmarrja Publike Trainkos Sh.A. ka njoftuar se ka dyshime për manipulim me arkat fiskale në këtë institucion e që si rrjedhojë dyshohet se i është shkaktuar një dëm financiar prej 230 mijë eurosh.

    Krahas kësaj, Trainkos thotë se ndaj 12 punonjësve është marrë masa disiplinore e shkëputjes së marrëdhënies së punës.

    “Nga Raporti i fundit, të cilin e kemi pranuar nga ENTERNET, dëmi i shkaktuar kalon shumën prej 230 mijë eurosh dhe kjo shumë mund të rritet, meqë janë edhe katër (4) pajisje fiskale të cilat kanë pasur memorie të ndërruar dhe të njëjtat ende nuk i kemi. Pra, Ndërmarrja nuk di se cili mund të jetë dëmi në memoriet e palexuara  dhe shuma totale pas kësaj.” – ka njoftuar Trainkos, më 30.01.2025.

    Sipas tyre, në koordinim me ATK-në janë nxjerrë të dhënat si: prova dhe dëshmitë e dyshimit për aktivitetin e bërë nga disa punonjës përmes arkave fiskale, të cilët gjatë kryerjes së detyrës, pothuajse nga viti 2016 e deri në fundvitin e 2024 kanë ndërhyrë në të dhënat e raportimit – duke resetuar pajisjet dhe duke fshehur të dhënat reale të shitjeve.

    Për këto keqpërdorime të mundshme, Trankos i ka bërë thirrje Prokurorisë që të nisë hetimet.

    “Për dëmin e shkaktuar dhe për memoriet e mbetura pa lexuar, kjo çështje kërkon një hetim nga ana e autoriteteve ligjzbatuese, si dhe ato të hetuesisë, nga të cilat kërkojmë që zyrtarisht të nisin hetimet – duke qenë se vepra e kryer përmban disa elemente të veprave penale të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.” – thuhet në komunikatën e Trainkos të publikuar në Facebook.

  • Vjosa Osmani uron me rastin e Ditës së Australisë

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, i ka dërguar urime guvernatores së përgjithshme Sam Mostyn, kryeministrit Anthony Albanese me rastin e Ditës së Austrialisë.

    Osmani ka deklaruar se Kosova e vlerëson miqësinë e saj me Austrialinë dhe se, mezi presin që të forcohen më tej lidhjet mes dy shteteve.

    “Kosova e vlerëson thellësisht miqësinë e saj me Australinë, të ndërtuar mbi vlerat tona të përbashkëta të demokracisë, lirisë dhe respektit. Ne mezi presim të forcojmë më tej lidhjet e qëndrueshme midis vendeve tona. Paqja, prosperiteti dhe suksesi le të vazhdojnë të lulëzojnë në të gjithë vendin tuaj të bukur” – ka shkruar Osmani në “X”më 26.02.2025

  • Shqipëri, kapet një prej të dyshuarve për kontrabandimin e naftës nga Tunizia

    Policia e Shtetit ka njoftuar se kanë ndaluar njërin nga organizatorët e kontrabandimit nga Tunizia, të 670 000 litrave naftë.

    I ndaluari është E. S., 59 vjeç, banues në Durrës.

    59-vjeçari dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin F. B. (aktualisht në kërkim), ka organizuar kontrabandimin me anije, nga Tunizia, të 670 000 litrave naftë, nëpërmjet fshehjes së sasisë, në balastrat që shërbejnë për balancimin e mjetit lundrues.

    “Gjatë operacionit “Ari i zi”, u arrestuan në flagrancë 3 shtetas dhe u proceduan në gjendje të lirë 5, të gjithë pjesëtarë të ekuipazhit të anijes”- thuhet në njoftimin e policisë shqiptare më 26.01.2025.

    Vijon puna për kapjen e shtetasit F. B., si dhe hetimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat e këtij rasti.

    Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.