Ballina

Autor: Veronë Zymberi

  • Punime në rrjet, KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të enjten

    Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) njofton se më 16.01.2025 do të kryhen punime të domosdoshme për siguri të sistemit energjetik.

    Si rezultat i kësaj, në disa lokalitete do të ketë ndërprerje të rrymës.

    Ky është orari sipas rajoneve:

    Prishtinë 

    Punime të domosdoshme për siguri të sistemit

    1.

    Nga TS 35/10kV Fushë- Kosova do të ndërprehet:

    Dalja 10kV Fushë-Kosova I (kodi: 15018006) nga ora 10:00 deri 10:15 dhe nga ora 14:15 deri 14:30

    Vendet: Nakarada, Dardhishta, Lismiri dhe lagjja Tërnavët.

    Arsyeja: Krijimi i kushteve të punës pa tension, manipulim me ndarësit e tensionit të mesëm.

    2.

    Në TS 35/10kV Fushë- Kosova do të ndërprehet

    TS 10/04kV Nakarada Kulla (kodi: 15018006054) nga ora  10:00 deri në ora 14:30

    Vendet: rr.Azem Jashanica.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri- rregullimi i ormanit 0.4kV.

    3.

    TS 110/10920)[kV] Prishtina 7 do të ndërprehet:

    NS 10/04kV TS Çagllavica 3 (kodi: 19000085034) nga ora 10:00 deri 12:00

    NS 10/04kV TS Çagllavica 4 (kodi: 19000086035) nga ora 10:00 deri 12:00

    Vendet: Çagllavica- një pjesë.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri, ngarkimi dhe shkarkimi i daljeve 0.4 kV.

     4.

    Nga NS 110/10(20)[kV] Prishtina 5 do të ndërprehet:

    NS 10/04kV TS Llukar te shkolla  (kodi: 13000004025) nga ora 10:00 deri 15:30

    Vendet: Llukar një pjesë.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri, investimi në rrjetin  e tensionit të ulët, shtrirja e kabllos bistek,  shkarkim i daljeve.

    Pejë

    Punime në projekte investive

    1.

    Nga NS 110/10[kV] Deçani do të ndërprehet:

    Dalja 10kV Barani (kodi: 53000002) në dy termine nga ora 09:30 deri 11:30 dhe nga ora 15:00 deri 17:00

    Vendet: Beran, Prapaqai, Berliq, Krushevc i Ri, Rashiq, Gjocajt, Turjaka e Ulët, Vranoci i Madh, Vranoci i Vogël, Baran i Ulët, Qallapek, Kusoriq, Llugagjit dhe Buqani.

    Arsyeja:  Krijimi i kushteve të punës pa tension, largimi i urave të tensionit të mesëm.

    2.

    NS 110/10[kV] Deçani

    Nga Dalja 10kV Barani  do të ndërprehen këta NS nga ora 9:30 deri 17:00:

    NS 10/0.4kV TS -Krysheci 1 Qendra    (kodi: 53000002012)

    NS 10/0.4kV TS-Drenicakët    (kodi: 53000002054)

    NS 10/0.4kV TS-Kryshec- Gërvalla    (kodi: 53000002011)

    Vendet: Krushevcë.

    Arsyeja:  Projekt investiv, implementimi i punëve sipas projektit investiv.

     Prizren 

    Punime nga pala e tretë

    1.

    Nga NS 35/10 kV Prizreni IV do të ndërprehet:

    Dalja 10 kV Bizmuti (kodi: 30033005) nga ora 11:00 deri 16:30

    Vendet: IBPK “Prizreni”, “Shtypshkronja e re”(ETC),   Siprint Shtypshkronja”.

    Arsyeja: Realizimi i sistemit hyrje- dalje sipas pëlqimit elektro-energjetik.

    Mitrovicë

    Punime të domosdoshme për siguri të sistemit

    1.

    Nga NS 110/10 kV Vushtria 2 do të ndërprehet:

    Dalja 10kV Novolani (kodi: 73000005) në dy termine prej orës 10:30 deri 11:00 dhe nga ora 15:30 deri 16:00.

    Vendet: Një pjesë e Bukoshit, Novolani, Kolla,Vërnica, Rezniku,Shallci, Druvari dhe Mihaliqi.

    Arsyeja: Krijimi i kushteve të punës pa tension, manipulim me ndarësit e tensionit të mesëm.

    2.

    Nga NS 110/10kV Vushtria 2  do të ndërprehet:

    NS 10/0.4[kV]  TS -TSSH Zhabart (kodi: 73000005028) nga ora 10:30 deri në ora 16:00

    NS 10/0.4[kV] TS -EDONA GRUP SHPK (kodi: 73000005040) nga ora 10:30 deri në ora 16:00.

    Vendet: Një pjesë e Vërnicës.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri – montimi i konzollave të 10kV në projektin TS Zhabar Novolan.

    3.

    Nga TS 110/10[kV] Mitrovica  do të ndërprehet:

    NS 10/04kV  Vaganicë 1 (kodi: 70000001008) nga ora 09:00 deri 14:00

    Vendet: Vaganica- një pjesë.

    Arsyeja:  Ndërprerje për siguri, nxjerrja e një dalje të re, për t’u shkarkuar dalja e mbingarkuar. 

    Gjakovë 

    Punime të domosdoshme për siguri të sistemit

    1.

    Nga NS 110/10 kV Gjakova 2 do të ndërprehet:

    Dalja 10kV Ura Terezive (kodi: 81000004) nga ora 10:30 deri 12:30

    Vendet: fshatrat: Damjan (një pjesë), Fshaj, Kushavec, Muhadër, Pnish, Rogovë, Smaq dhe Ujz.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri, montimi i transformatorëve matës rrymor të hequr nga ekipa e mirëmbajtjes në TS-Rogova 1 (te Kroni) dhe montimi i tensioneve të grupeve matëse në TS- Rogova 16.

    Gjilan 

    Punime të domosdoshme për siguri të sistemit

    1.

    Nga TS 35/10 kV Gjilani I do të ndërprehet:

    Dalja 10kV Malisheva (kodi: 60060018) prej orës 11:00 deri në ora 14:30

    Vendet: Malisheva. Vërbicë e Kmetocit, Capar, Bukovik, Miresh i Vogël, Dobërçan, Kufcë e Poshtme, Te Livadhet e Arapit, ‘MALSIA” – SH.P.K –  Nehat Spahiu,Kmetoc.

    Arsyeja: Rritja e fuqisë së transformatorit për arsyeje  të mbingarkesës, do të rritet fuqia  nga 160kVA ne 250kVA, te TS-133 Vërbicë e Kmetovcit.

  • Biden konfirmon marrëveshjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden konfirmoi të mërkurën arritjen e marrëveshjes së armëpushimit dhe për lirimin e pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit.

    “Mund të deklaroj që marrëveshja e armëpushimit dhe pengjeve është arritur ndërmjet Izraelit dhe Hamasit,” deklaroi Presidenti Biden nga Shtëpia e Bardhë. Ai tha se marrëveshja ishte arritur pas 15 muaj vuajtjesh dhe do të shoqërohet me shtimin e ndihmave humanitare në Gazë.

    “Luftimet në Gazë do të ndërpriten dhe së shpejti pengjet do të kthehen në shtëpi tek familjet e tyre”, tha ai.

    “Sot, pas shumë muajsh diplomacie intensive nga Shtetet e Bashkuara me Egjiptin dhe Katarin, Izraeli dhe Hamasi arritën një marrëveshje armëpushimi dhe për lirimin e pengjeve. Kjo marrëveshje do t’i ndalë luftimet në Gazë, do të shtojë ndihmat shumë të nevojshme humanitare për civilët palestinezë dhe do t’i bashkojë pengjet me familjet e tyre pas më shumë se 15 muajsh”, tha Presidenti Biden nga Shtëpia e Bardhë.

    Kryeministri i Katarit Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani gjithashtu njoftoi se marrëveshja e armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit do të hyjë në fuqi të dielën. Sipas tij, negociatorët po punojnë me Izraelin dhe Hamasin për hapat që duhet ndërmarrë drejt zbatimit të marrëveshjes.

    Palestinezët festuan nëpër rrugët e Gazës, ku po përballen me krizë humanitare për shkak të mungesës së ushqimeve, ilaçeve dhe karburanteve.

    “Jam e lumtur, po qaj, po janë lot gëzimi”, tha Ghada, një nënë palestineze e pesë fëmijëve.

    Familjarët e pengjeve izraelite dhe miqtë e tyre po ashtu e pritën me gëzim lajmin e armëpushimit.

    “Ne, familjet e 98 pengjeve, e mirëpresim me gëzim të jashtëzakonshëm dhe me lehtësim marrëveshjen për të na i kthyer të dashurit tanë në shtëpi”, thanë ata përmes një deklarate.

    Presidenti Joe Biden gjithashtu vlerësoi “punën e fortë të diplomacisë amerikane” për arritjen e marrëveshjes.

    “Kam paraqitur kornizën e saktë të këtij plani më 31 maj 2024, pas së cilës ai u mbështet unanimisht nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së”, theksoi Presidenti Biden. “Diplomacia ime nuk pushoi kurrë në përpjekjet për ta realizuar këtë.”

    Komentet e Biden erdhën pakë kohë pasi presidenti i zgjedhur Donald Trump në një postim në mediat sociale pretendoi se fitorja e tij në zgjedhje ishte ajo që solli marrëveshjen.

    Presidenti i zgjedhur Trump mbështet marrëveshjen e armëpushimit

    Presidenti i zgjedhur Donald Trump përshëndeti marrëveshjene e armëpushimit në Rripin e Gazës, e cila përfshinë lirimin e një pjese të pengjeve përmes një postimi në rrjetin e tij social Truth Social.

    “Ne kemi një marrëveshje për lirimin e pengjeve në Lindjen e Mesme. Ata do të lirohen së shpejti. Faleminderit!”, thuhet në postimin e Presidentit të zgjedhur Trump.

    I dërguari i posaçëm i Presidentit të zgjedhur Trump iu bashkua këshilltarit të Presidentit Biden për Lindjen e Mesme në bisedimet e zhvilluara në Doha të Katarit.

    “Marrëveshja epike e armëpushimit u bë e mundur për shkak të fitores sonë historike në nëntor, që sinjalizoi të gjithë botën se administrata ime kërkon paqe dhe marrëveshje të nogociuara për të garantuar sigurinë e të gjithë amerikanëve dhe aleatëve tanë”, thuhet në postimin e zotit Trump. “Jam i gëzuar që pengjet amerikane dhe izraelite do të kthehen në shtëpi dhe do të bashkohen me familjet dhe të dashurit e tyre”.

    Presidenti i zgjedhur Trump u zotua javën e kaluar se nëse nuk do të arrihej një marrëveshje armëpushimi para fillimit të mandatit të tij, atëherë Hamasi do të përballej me pasoja të mëdha.

    Zoti Trump gjithashtu tha se i dërguari i tij për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff do të vazhdojë “të punojë ngushtë me Izraelin dhe aleatët tanë për t’u siguruar që Gaza kurrë të mos bëhet strehë e sigurtë për terroristët”.

    Komentet e Biden erdhën pakë kohë pasi presidenti i zgjedhur Donald Trump në një postim në mediat sociale pretendoi se fitorja e tij në zgjedhje ishte ajo që solli marrëveshjen.

    Netanyahu: Marrëveshja e armëpushimit ende nuk është arritur

    Zyra e Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se marrëveshja e armëpushimit me Hamasin ende nuk është arritur dhe se detajet e fundit të kësaj marrëveshje ende janë duke u shqyrtuar. Njoftimi nga zyra e tij vjen pasi një numër ndërmjetësish thanë se Izraeli dhe Hamasi kishin rënë dakord për një marrëveshje armëpushimi në Gazë dhe lirimin e dhjetëra pengjeve pas luftës 15 mujore.

    Zyra e Kryeministrit Netanyahu tha përmes një deklarate se ka ende detaje të pazgjidhura dhe shpresonte se “zgjidhja e tyre do të përfundonte sonte”

    Marrëveshja pritet të ndërprej përkohësisht luftimet dhe jep shpresë për përfundimin e njërit prej konflikteve më të përgjakshme mes Izraelit dhe Hamasit, që destabilizoi tërë Lindjen e Mesme dhe nxiti protesta nëpër gjithë botën.

    Paraprakisht, zyrtarë pranë bisedimeve njoftuan më herët të mërkurën se Izraeli dhe Hamasi arritën marrëveshje për armëpushim në Gazë, pas konfliktit 15 muajsh me dhjetëra mijëra vikatima dhe që tronditi Lindjen e Mesme.

    Qeveria e Izraelit do të votojë për marrëveshjen ditën e enjte, sipas një zytari qeveritar izraelit.

    Marrëveshja, e cila ende nuk është shpallur zyrtarisht, parasheh një fazë fillestare të armëpushimit prej gjashtë javësh dhe përfshin një tërheqje graduale të forcave izraelite nga Gaza dhe lirimin e pengjeve që po mbahen nga Hamasi në këmbim të palestinezëve të burgosur nga Izraeli, i tha një zyrtar agjencisë së lajmeve Reuters.

    Marrëveshja vjen pas përpjekjeve të vazhdueshme për të ndërmjetësuar një marrëveshje nga Egjipti dhe Katari, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

    Marrëveshja u arrit në prag të inaugurimit të Presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump, që do të mbahen me 20 janar.

    Hamasi i tha agjencisë Reuters se delegacioni i tij u ka dorëzuar ndërmjetësve miratimin e grupit militant për marrëveshjen e armëpushimit dhe për kthimin e pengjeve.

    Marrëveshja parasheh futjen e 600 kamionëve me ndihma humanitare çdo ditë në Gazë , 50 prej të cilëve me karburant, ndërkohë që gjysma e tyre do të dërgohen në pjesën veriore të Gazës.

    Negociatat për fazën e dytë të marrëveshjes pritet të fillojnë para ditës së 16 të fazës së parë dhe pritet të përfshijnë lirimin e të gjitha pengjeve të mbetura, si dhe të ushtarëve izraelitë të marrë peng nga Hamasi. Negociatat do të trajtojnë edhe armëpushimin e përhershëm dhe tërheqjen e plotë të ushtarëve izraelitë./VOA

  • Lista Serbe: Punonjësit e institucioneve serbe do të vazhdojnë të paguhen

    Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, deklaroi se të gjithë punonjësit e institucioneve paralele serbe, që u mbyllën më 15 janar nga autoritetet kosovare, do të vazhdojnë të marrin paga dhe se kjo parti “do të vazhdojë të luftojë me të gjitha mjetet dhe t’i fitojë zgjedhjet për të mbrojtur popullin serb”.

    Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt, dhe Lista Serbe është i vetmi opsion politik në mesin e komunitetit serb që ka mbështetjen e Beogradit për të marrë pjesë në to.

    Lista Serbe, pas mbylljes së shumicës së institucioneve që veprojnë në sistemin serb në jug të Ibrit nga Qeveria e Kosovës me mbështetjen e policisë, mbajti një takim të Kryesisë dhe nxori disa përfundime.

    Disa prej tyre, sipas Ellek, janë që të vazhdojnë konsultimet me Serbinë për hapat e mëtejshëm dhe të kërkojnë shpjegime nga komuniteti ndërkombëtar “përse mbështesin veprimet e [kryeministrit të Kosovës Albin] Kurtit”.

    “Ndoshta përkohësisht mund të mbyllin ndërtesat, por nuk mund ta ndalojnë ndihmën e shtetit të Serbisë, as nuk mund ta ndalojnë Listën Serbe që të kujdeset për popullin e saj dhe të marrë pjesë në këto zgjedhje”, tha ai.

    Gazetarëve iu drejtuan edhe kryetarët e organeve të përkohshme komunale të Vushtrrisë dhe Lipjanit, të cilët veprojnë në sistemin serb, Millan Kostiq dhe Millan Joksimoviq.

    Kostiq deklaroi se 60 punonjës të komunës serbe të Vushtrrisë nuk do të mbeten pa paga dhe se “Kurti nuk i ka frikësuar”.

    Joksimoviq tha se komuna e Lipjanit ka ofruar shërbime për rreth 10.000 qytetarë dhe se këta nuk do të privohen nga shërbimet, as nuk do të mbeten pa paga 150 punonjës nga buxheti i Serbisë.

    Përndryshe, Kostiq dhe Joksimoviq janë edhe deputetë të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, por që nga nëntori i vitit 2022 kanë bojkotuar seancat, duke shkuar vetëm për t’u nënshkruar çdo gjashtë muaj për të mos humbur mandatet dhe pagat.

    Kur u pyetën nga gazetarët se si deputetët e Listës Serbe kanë mbrojtur interesat e komunitetit serb gjatë dhjetë vjetëve të fundit dhe sa herë janë paraqitur për të folur për problemet, zyrtari i Listës Serbe, Igor Simiq, fillimisht shprehu pakënaqësi për “pyetje jashtë teme”.

    Më pas shtoi se ai ka folur në Kuvendin e Kosovës dhe se Lista Serbe do të vazhdojë të luftojë për interesat e popullit serb dhe për praninë e Serbisë. Ai tha se në nëntor 2022 morën vendimin për t’i lënë institucionet e Kosovës për të tërhequr vëmendjen e opinionit ndërkombëtar ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës, konkretisht për heqjen e targave serbe.

    Në një pyetje shtesë nëse kishin arritur qëllimin dhe pse tani hyjnë përsëri në garë për mandate deputetësh, Simiq u përgjigj: “Duket se nuk po i qëndrojmë temës, ju lutem bëni pyetje që lidhen me mbylljen e organeve të përkohshme”.

    “Në këtë mënyrë po largoni vëmendjen nga diçka që është e rëndësishme për serbët, sepse mbyllja e dhjetë komunave që punonin në sistemin serb rrezikon jetën normale të dhjetëra mijëra serbëve. Besoj se edhe ju keni interes për popullin serb”, tha Simiq.

    Ai theksoi se do të gjendet një mënyrë që asnjë qytetar të mos privohet nga shërbimet që ofrojnë institucionet serbe dhe se janë në konsultime për të arritur këtë.

    Disa punonjës të institucioneve serbe të mbyllura tashmë shkojnë në punë në zyra alternative të vendosura në kontejnerë të zinj pranë pikave kufitare Bërnjak, Jarinjë dhe Merdare.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në mes të shtatorit paralajmëroi hapjen e “zyrave moderne” nga ana serbe e pikave kufitare. Ai premtoi gjithashtu rritje të pagave për të gjithë ata që udhëtojnë, që të mbulohen shpenzimet e tyre.

    Igor Simiq theksoi gjithashtu se Serbia ndan fonde të mëdha për paga, pensione apo pagesa të tjera, nga të cilat përfitojnë rreth 75.000 qytetarë nga Kosova.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar njoftoi se nuk i ka dhënë leje Policisë së Kosovës për bastisjen e lokacioneve në komunat në jug të Ibrit për shkak të dyshimeve se në to funksiononin institucione paralele serbe.

    Ndërkohë, policia u përgjigj se kanë vepruar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet përkatëse të Kosovës, Ministrinë e Administratës së Vetëqeverisjes Lokale dhe Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

    Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Gjermania e kanë kundërshtuar të mërkurën vendimin e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele serbe në vend, duke thënë se ato ndikojnë në synimet e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik.

    Institucionet e Kosovës i konsiderojnë të paligjshme ato të Serbisë dhe mbyllja e tyre filloi në fillim të vitit 2024.

    Përveç organeve të përkohshme komunale dhe ndërmarrjeve të tyre publike, u mbyllën edhe Posta e Serbisë në veri, Banka Postare Kursimorë, Thesari i Bankës Kombëtare, Drejtoria e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Rrethi Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe të tjera. Kryesisht kanë vazhduar të funksionojnë vetëm institucionet arsimore dhe shëndetësore, të cilat në zonat serbe gjithashtu punojnë në sistemin serb./REL

  • Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, vizituan fabrikën e helikopterëve në SHBA

    Në përmbyllje të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, dhe komandanti i FSK-së, gjeneral Bashkim Jashari, kanë vizituar fabrikën e helikopterëve.

    Ministria e Mbrojtes njofton se ata kanë vizituar fabrikën “Sikorsky – Lockheed Martin”, ku prodhohen helikopterë të ndryshëm, ndër të cilët edhe helikopterët “Black Hawk”, që ushtria e Kosovës do t’i ketë në flotën e mbështetjes ajrore.

    “Ministri Maqedonci së bashku me Gjeneral Jasharin takuan menaxhmentin e kësaj kompanie, ku diskutuan për opsionet e përfshirjes së helikopterëve në inventarin e Forcës së Sigurisë së Kosovës”- thuhet në njoftimin e datës 15.01.2025. 

    Sot, Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka marrë dritën e gjelbër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për blerjen e helikopterëve, radarëve dhe mbrojtjes ajrore.

    Maqedonci dhe Jashari po qëndrojnë për vizitë zyrtare në SHBA nga data 13.01.2025. 

    Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se gjatë kësaj vizite Maqedonci ka zhvilluar takime të nivelit të lartë në Departamentin e Mbrojtjes, në Departamentin e Shtetit dhe në Senatin e SHBA-së. 

    https://kallxo.com/lajm/ministri-i-mbrotjes-dhe-komandanti-i-fsk-se-priten-nga-ndihmes-sekretari-i-mbrojtjes-per-nato-dhe-europe-ne-shba/

    https://kallxo.com/lajm/ministri-i-mbrojtjes-dhe-komandanti-i-fsk-se-udhetojne-per-ne-shba/

     

  • Molliqaj: Nol Nushi është arrestuar në kufirin Kosovë – Maqedoni e Veriut

    Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka thënë se sekretari i përgjithshëm kësaj partie, Nol Nushi, është arrestuar në kufirin Kosovë – Maqedoni e Veriut, sot, më 15.01.2025. 

    Përmes një shkrimi në Facebook, Molliqaj nuk ka sqaruar nëse Nushi është arresuar nga Policia e Kosovës apo nga ajo e Maqedonisë së Veriut. 

    Sipas tij, pengimi dhe më pas arrestimi i Nushit është bërë me qëllim “për t’i lodhur aktivistët”.

    “Noli çdo ditë është në Prishtinë, banesë e zyrë. Si u bë që gjetën kufirin për ta penguar e arrestuar? Nga kush ky urdhër? Ky stil arrestimi ka veç një shpjegim: lodhja e aktivistëve. Kjo metodë përherë këtë funksion ka pasur. Nuk bëhet fjalë për këmbënguljen e drejtësisë”- ka shkruar Molliqaj. 

    Tutje, kryetari i PSD-së ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Nushit, duke thënë se këto veprime janë arbitrare. 

    “Në ndërkohë që Noli është ndaluar për një rast të vitit 2016, sa ishte aktivist në VV, nuk kemi dëgjuar raste të aktivistëve që janë në VV të jenë ndaluar a penguar. Kërkojmë lirim të menjëhershëm, si dhe hetim të këtyre veprimeve arbitrare”- ka thënë Molliqaj. 

    KALLXO.com ka kontaktuar me Policinë e Kosovës për të konfirmuar arrestimin e Nushit dhe është në pritje të një përgjigjeje zyrtare.