Ballina

Autor: Veronë Zymberi

  • Unifikimi i Trafikut Urban nga komuna e Prishtinës, protestojnë kompani të Podujevës

    Pjesëtarë të shoqatës së autobusëve ‘Llapi’ të linjës Podujevë-Prishtinë po protesojnë në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të komunës së Prishtinës për sistem të unifikuar të trafikut urban, përfshirë operatorët privat që lidhin fshatra të komunës.

    Sipas tyre, ky vendim i komunës i dëmton ekonomikisht.

    Si shenjë proteste, pronarët e autobusëve të linjës Podujevë-Prishtinë nuk i kanë lejuar të qarkullojnë autobusët që janë të komunës së Prishtinës.

    Pronari i kompanisë ‘Besart Lines’ që mban linjën 15 Prishtinë-Sharban, e cila ka lidhur marrëveshje me komunën e Prishtinës, thotë se kompanive të Podujevës i’u bën konkurrencë çmimi i biletës kthyese 80 cent.

    “I dëmton Podujevën sepse Prishtina e ka bërë 80 cent biletën kthyese, e nuk hip manej askush me ta. Neve na paguan me kontratë komuna, ata biletën deri në Llugjan e kanë 80 cent, këtu është problemi. Dihet se ka konkurrencë, kjo është marrëveshje e komunës me BERZH”- tha Salih Asllani.

    “Linjat e Podujevës janë në vijë të Ministrisë, ne jemi me komunë. Podujeva është e vetmja që kanë hyrë deri në qytet, tash nuk i lejojnë”- shtoi tutje ai.

    Nga 02.01.2025 qytetarët e Kryeqytetit kanë sistem të unifikuar të transportit publik urban, me bileta të integruara ditore, javore dhe mujore për të gjitha linjat, përfshirë operatorët privatë që po ashtu operinë sipas këtyre kushteve.

    Çmimet e biletave sipas këtij vendimi që aplikohen edhe në linja që lidhin fshatrat me qytetin janë si në vijim:

    • 0.50 cent për një udhëtim të vetëm.
    • 0.80 cent për biletën ditore (vlefshme për të gjitha linjat).
    • 4 euro për biletën javore.
    • 12 euro për biletën mujore për studentë.
    • 13,50 euro për biletën mujore për qytetarë.

    Një biletë e tillë mund të përdoret brenda 12 orëve në secilën linjë të trafikut urban.

    Kallxo.com ka kërkuar deklarim edhe nga Komuna e Prishtinës si dhe përfaqësues të Trafikut Urban, por deri në publikim të këtij lajmi nuk është dhënë përgjigje.

  • Mitrovicë – Instruktori dyshohet se pranoi ryshfet për kalimin e testit me shkrim për patentë-shofer

    Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar dy persona për dhënie dhe marrje të ryshfetit, në Mitrovicë, të enjten, më 15.01.2025. 

    Sipas Policisë, dyshohet se njëri prej të arrestuarve, në cilësinë e instruktorit të vozitjes në një Autoshkollë private, ka pranuar nga i dyshuari tjetër para, me qëllim të lehtësimit të procedurës për kalimin e testit me shkrim për kategorinë B të vozitjes. 

    Ndërkaq, Policia thotë se në cilësi të provave materiale janë sekuestruar 600 euro, para të gatshme dhe dy telefona celularë. 

    “Me urdhër të Prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.” – njofton Policia, më 16.01.2025. 

  • Raportohet e zhdukur një vajzë në Rahovec

    Një burrë ka raportuar në Policinë e Kosovës se vajza e tij është zhdukur. 

    Sipas Policisë, prindi i viktimës ka njoftuar se vajza e tij nga data 13.01.2025 është larguar nga shtëpia dhe se nuk dihet më për vendodhjen e saj. 

    Rasti raportohet të ketë ndodhur në rrugën “Xhelal Hajda”, në Rahovec. 

     

     

  • Policia kërkon ndihmë për të arrestuar një person të dyshuar – FOTO

    Policia e Kosovës po kërkon ndihmën e qytetarëve, për gjetjen dhe arrestimin e një personi të dyshuar.

    Sipas Policisë, i dyshuari kërkohet për veprën penale: “ngacmim dhe asgjësim apo dëmtim i pasurisë”. 

    Duke publikuar fotografinë e tij, Njësiti i Hetimeve të Stacionit Policor – Qendra në Prishtinë bëjnë thirrje, që kushdo që mund ta ketë parë të telefonojë Policinë. 

    “Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e të dyshuarit apo vendodhjes së tij, kontaktoni Policinë në numrin e telefonit: 192.” – thuhet në njoftimin e datës 16.01.2025. 

  • Polonia akuzon Rusinë se po planifikon akte terroriste kundër linjave ajrore në mbarë botën

    Kryeministri polak Donald Tusk akuzoi të mërkurën Rusinë se po planifikon akte sabotazhi në mbarë botën, mes tyre “akte terroriste” kundër linjave ajrore.

    Zoti Tusk i bëri komentet në Varshavë në një konferencë të përbashkët shtypi me Presidentin ukrainas Volodymr Zelenskyy.

    “Nuk do të hyj në detaje, por mund të konfirmoj se ekziston frika se Rusia po planifikon akte terrori kundër linjave ajrore, jo vetëm kundër Polonisë, por në mbarë botën”, tha ai.

    Kremlini i ka hedhur poshtë pretendimet e mëparshme perëndimore se Rusia ka paguar për akte sabotazhi dhe sulme në Evropë.

    Zyrtarët perëndimorë të sigurisë dyshojnë se zbulimi rus qëndron pas një disa komplotesh duke vendosur pajisjeve shpërthyese në aeroplanë që tranportonin mallra e produkte, e që fluturonin drejt Amerikës së Veriut. Mes tyre dy aeroplanë që morën flakë vitin e kaluar në Gjermani dhe Angli, ndërsa po ngarkonin pako për transport.

    Qeveria e Varshavës, me qasje pro Bashkimit Evropian, thotë se Rusia po kryen akte të luftës hibride kundër Polonisë dhe vendeve të tjera perëndimore si hakmarrje për mbështetjen që ato po i japin Ukrainës, në luftën e saj kundër agresionit rus.

    Polonia ka akuzuar Rusinë dhe aleatin e saj Bjellorusinë, për nxitje të një krize emigracioni në kufirin lindor të BE-së me Bjellorusinë, në mënyrë që të krijojë kaos dhe përçarje në Evropë.

    Vitin e kaluar, ministri i jashtëm i Polonisë urdhëroi mbylljen e një prej tre konsullatave ruse në këtë vend, si përgjigje ndaj akteve të sabotazhit, që përfshinin ndër të tjera, zjarrvënie të qëllimta, që siç tha ai, ishin porositur nga Moska./VOA