Ballina

Autor: Veronë Zymberi

  • Kurti në Obiliq: Vetëm për dy vjet, KEK-ut ia kemi shtuar 745 punëtorë të rinj

    Lëvizja Vetëvendosje në vazhdën e aktiviteteve të fushatës për zgjedhjet që pritet të mbahen më 09.02.2025 ka mbajtur tubim në Obiliq. 

    Sipas faqes zyrtare të LVV-së, kandidati për deputet nga kjo parti, Halil Thaçi, ka thënë se gjatë katër viteve në qeverisje është punuar në punësim, barazi, zhvillim dhe sovranitet.

    “Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, u shpreh se ashtu siç është shtëpia për familjen, është edhe shteti për popullin. Ai theksoi se si qeveri kemi zhvilluar ekonominë dhe kemi mbrojtur sovranitetin e Republikës cep më cep territorit”- thuhet në njoftimin e tyre. 

    Sipas njoftimit, kandidati për kryeministër, Albin Kurti, gjatë këtij tubimi ka theksuar se Qeveria e tij ka investuar në KEK dhe në komunën e Obiliqit, duke thënë se kanë hapur vende të reja të punës. 

    “Vetëm për dy vjet, KEK-ut ia kemi shtuar 745 punëtorë të rinj. E prej këtyre 745 punëtorëve të rinj, mbi 400 janë banorë të Kastriotit; pra, më shumë se gjysma e të punësuarve të rinj në KEK janë nga komuna juaj e dashur. Ky nuk është favorizim, kjo është drejtësi, është meritë. Kush më mirë se banorët e Kastriotit e njeh KEK-un dhe terrenin e tij? Kush punon me më shumë zell për KEK-un sesa banorët e Kastriotit? Askush.44 gra, ose 22% e të gjitha grave që punojnë sot në KEK, janë punësuar gjatë mandatit tonë qeverisës. Ndërkaq, në mandatin e ri do të kemi programe të reja, posaçërisht për gra e vajza, për punësim në sektorin e energjisë dhe në KEK. Ne punësojmë në KEK, sepse ne investojmë në KEK”- citohet të ketë thënë Kurti, sot më 20.01.2025. 

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre, me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër, lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues, në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

     

  • Haradinaj: Zëri i çjerrë i Albinit dëshmon panikun që e ka kapur

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës bashkë me partnerët e saj të koalicionit, Nismën Socialdemokrate, Konservatorët, Forumin Intelektual E-30, kanë vazhduar fushatën elektorale në Prishtinë, sot, më 20.01.2025. 

    Përmes një shkrimi, kandidati i AAK-së për deputet, Daut Haradinaj, është shprehur se  “më 9 shkurt do të tregojnë se Kosova fiton”. 

    “Sot, në takim me shtabin zgjedhor në Prishtinë dhe miq e aktivistë të Aleancës në kryeqytet, u dëshmua fuqia dhe mobilizimi që mbizotëron për Kosovën Fituese. Ky mobilizim është garancia jonë se më 9 shkurt do të bëjmë një hap të madh përpara për vendin tonë. Bashkë, më 9 shkurt, do të tregojmë se Kosova fiton”- ka shkruar Haradinaj. 

    Ai, tutje ka shkruar edhe për kryeministrin, Albin Kurti, duke thënë se është në panik. 

     “Zëri i çjerrë i Albinit dëshmon panikun që e ka kapur”- është shprehur Haradinaj. 

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre, me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër, lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues, në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

  • Presidentja Osmani uron presidentin Trump: Kosova mbetet kombi më proamerikan në botë 

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Donald Trumpin, i cili sot, më 20.01.2025, dha betimin si president i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

    Presidenca e Kosovës, në faqen e tyre zyrtare në Facebook, ka publikuar letrën e urimit të Osmanit për Trump, ku thuhet se Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse për rolin historik të SHBA-së gjatë historisë.

    “Përkushtimi i kombit tuaj për të mbrojtur lirinë dhe dinjitetin njerëzor e shpëtoi popullin tonë nga një regjim gjenocidal dhe na frymëzoi për të ndërtuar një Republikë sovrane elastike dhe të begatë. Sot, Kosova qëndron si një aleate dhe partnere krenare e Shteteve të Bashkuara, e udhëhequr nga një vendosmëri e përbashkët për të krijuar një të ardhme më të sigurt” – theksohet ndër të tjera në urimin e presidentes Osmani. 

    Presidentja ka shkruar se lidershipi dhe përkushtimi i Trump për të avancuar rrugën e njohjes së ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë është diçka të cilën thotë se e vlerëson dhe se e mbështet me vendosmëri. 

    Osmani ka shkruar se po ashtu do të kontribuojë edhe në paqen e qëndrueshme dhe afatgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe në kontinentin e Europës. 

    “Ne jemi plotësisht të përkushtuar të punojmë së bashku me ju dhe administratën tuaj për të siguruar që ky qëllim të arrihet dhe për të forcuar marrëdhëniet tona të veçanta duke ecur përpara”- shkruan Osmani. 

    Tutje, Osmani në letrën e saj ka thënë se Kosova mbetet kombi më proamerikan në botë.

    “Kosova me krenari mbetet kombi më proamerikan në botë. Populli ynë e vlerëson lidhjen e palëkundur që ndajmë me Shtetet e Bashkuara dhe ka një besim të thellë në vlerat që mishëron kombi juaj i madh. Ne jemi të gatshëm ta zgjerojmë dhe forcojmë këtë partneritet për të mirën e popullit tonë dhe brezave të ardhshëm”- është shprehur Osmani. 

    Donald Trumpi është betuar si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Ai është betuar se do ta ruajë dhe mbrojë Kushtetutën amerikane.

    Është hera e parë prej viteve 1890 që një president që ka humbur një palë zgjedhje rikthehet në Shtëpinë e Bardhë si triumfues dhe bën betimin për një tjetër mandat.

  • Tentim vrasje në Gjakovë

    Një tentim vrasje ka ndodhur në Gjakovë pasditen e së hënës, më 20.01.2025.

    Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, një burrë ka raportuar në Polici se derisa ishte në veturën e tij, është shtënë me armë zjarri nga një automjet në lëvizje. 

    Elezaj tha për KALLXO.com se viktima nuk ka pësuar lëndime trupore.

    Ndërkaq, ai ka thënë se për këtë rast ende nuk ka asnjë person të arrestuar. 

    Ai ka bërë të ditur se njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe se është filluar me hetime për zbardhjen e rrethanave. 

    “Prokurori i Shtetit është informuar për rastin, përderisa jemi të angazhuar për të identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin/it”- ka thënë Elezaj për KALLXO.com. 

  • Ndalohen për 48 orë tre inspektorë të ATK-së, të arrestuar për ryshfet 

    Prokuroria Themelore ne Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda njofton se ka marrë Vendim për ndalimin prej 48 orë, për tre zyrtarët e AKP-së, të dyshuar për marrje ryshfeti.

    Sipas Prokurorisë,  A. GJ., D. N. dhe E. O. dyshohet se në cilësinë e inspektorëve të ATK-së, në periudha të ndryshme kohore dhe në lokacione të ndryshme në Gjakovë, kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë të ndryshëm të bizneseve. 

    Tutje, Prokuroria njofton se janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore – duke u zbatuar edhe masat e veçanta hetimore, ndaj të dyshuarve. 

    “Gjakovë, dhe me urdhëresë të Gjykatës Themelore – Gjakovë, më 20.01.2025, është kryer bastisje në (3) tri lokacione të ndryshme. Prokuroria Themelore në Gjakovë, ndaj të pandehurve A. Gj., D. N. dhe E. Q., brenda afatit ligjor, do të paraqesë Kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente.” – thuhet në njoftimin e datës 20.01.2025. 

    Tre të arrestuarit nga Prokuroria Themelore në Gjakovë nën dyshimet për marrje ryshfeti janë inspektorë të ATK-së.

    https://kallxo.com/lajm/tre-te-arrestuarit-per-ryshfet-jane-inspektore-te-atk-se/

    Këtë për KALLXO.COM e ka konfirmuar zyrtari për komunikim publik i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Drini Domi. Prokuroria Themelore në Gjakovë për KALLXO.com sot, më 20.01.2025, ka njoftuar lidhur me aksionin që rezultoi me tre persona të arrestuar nën dyshime për marrje ryshfeti. Sipas Prokurorisë, pas pranimit të informatës, ndaj të dyshuarve janë ndërmarrë edhe masat e fshehta hetimore.