Ballina

Autor: Veronë Zymberi

  • Jepet tenderi për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë, çmimi mbi 18 milionë euro

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar për dhënie të tenderit për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” në kryeqytet.

    Njoftimi për dhënie të tenderit është publikuar të premten, më 30.01.2025 dhe vlera e këtij tenderi parashihet të jetë 18 milionë e 162 mijë e 896 euro.

    Sipas njoftimit të publikuar në platformën e-Prokurimi, për ndërtimin e këtij sheshi është rekomanduar grupi i operatorëve ekonomikë “Salillari; Gjini Construction Sh.P.K; Hidroterm Sh.P.K”. Data e planifikuar për nënshkrim të kontratës nëse nuk do të ketë ankesa është 05.02.2025.

    Për realizimin e këtij projekti kanë aplikuar katër operatorë.

    Kohëzgjatja e këtij tenderi është maksimumi 360 ditë, siç përshkruhet në dosjen e tenderit.

    Procedura e prokurimit për ndërtimin e sheshit ‘Xhorxh Bush’, ishte pezulluar më 12.09.2024, si shkak i një ankese nga një operator ekonomik në Organin Shqyrtues të Prokurimit, masë kjo e paraparë me ligj.

    Kështu kishte bërë të ditur vetë Komuna e Prishtinës përmes një komunikate të lëshuar për media, pas raportimeve se ishte pezulluar procesi për shkak të shkeljeve ligjore.

    “Dorëzimi i kësaj ankese në OSHP nga operatori ekonomik nuk nënkupton shkelje procedurale e ligjore a as ndalim të aktivitetit të prokurimit, por është masë automatike e paraparë me ligj pavarësisht nëse ankesa është e bazuar apo jo. Pra, çdo herë kur një operator ekonomik parashtron ankesë në OSHP, aktiviteti i prokurimit pezullohet në mënyrë automatike. Kjo është paraparë me nenin 112, paragrafi 1, i Ligjit për Prokurim Publik”- kishte  bërë të ditur Komuna e Prishtinës, nëpërmjet komunikatës së lëshuar më 12.09.2024.

    Ndërsa,  procedurat për ndërtimin e sheshit ‘Xhorxh Bush’ pranë Katedrales, që do të zgjatet deri te Sheshi ‘Zahir Pajaziti’, kishin nisur në gushtin e vitit 2023.

    Sipas të dhënave nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), kostoja e këtij projekti pritet të arrijë në 18 milionë e 400 mijë euro.

    Krijimi i një sheshi të Katedralja ka qenë pjesë e programit qeverisës të Përparim Ramës i cili ka deklaruar disa herë se kjo zgjatje është vetëm pjesa e parë, pasi plani është që sheshi të zgjatet në fazën e dytë deri të Posta e Madhe që më pas lidhet edhe me Xhaminë në Dardani e cila është në ndërtim, derisa gradualisht të vazhdojë deri tek rrethi me flamur në ‘Ulpianë’.

    Krijimi i sheshit te Katedralja është përmendur edhe gjatë qeverisjes së ish-kryetarit, Shpend Ahmeti, projekt ky si pjesë e planit të mobilitetit për Prishtinën.

    Plani i mobilitetit i punuar nga Mott MacDonald në vitin 2019 është plan 12-vjecar që përfshinë disa reforma në infrastrukturën e qytetit, përfshirë shtigjet e çiklizmit, shtrimin e rrugëve të reja, reformim të transportit publik, përfshirë pritoret etj.

     

    https://kallxo.com/komuna/projekti-per-sheshin-xhorxh-bush-pritet-te-kushtoje-mbi-18-milione-euro/

    Shënim: Artikulli është edituar më 01.02.2025, ora 10:43.

  • Kuvendi i Prishtinës miraton lokacionin për ndërtimin e xhamisë në Shkabaj

    Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar lokacionin për ndërtimin e xhamisë në fshatin Shkabaj.

    Me 32 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka miratuar lokacionin për ndërtimin e xhamisë në fshatin Shkabaj dhe për ndërtimin e një institucioni parashkollor në këtë fshat.

    Për këtë, Drejtori i Urbanizmit në Prishtinë, Arbër Sadiki, tha se parcela e ndarë për ndërtimin e këtyre dy institucioneve është ende nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), por se thotë se ky vendim i Asamblesë është një parakusht për të pasur mundësi për ta blerë Komuna nga AKP-ja.

    Ndonëse Drejtori i Pronës, Florent Maliqi, nuk ishte i pranishëm në seancë, drejtori Sadiki tha se që nga muaji korrik i vitit të kaluar, ekziston një komunikim mes Komunës së Prishtinës dhe AKP-së ku Komuna ka shprehur vullnetin të blejë  parcelën.

    “Është hapi i parë për të pasë mundësi ligjërisht me e posedu atë pronë, me qenë destinim publik dhe ne sot po e bëjmë destinimin publik”- tha Sadiki.

    Ndonëse kjo pikë e rendit të ditës u kalua për votim nga asamblistët, kritika mori nga asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, i cili deklaroi se janë duke bërë  një veprim që siç thotë ai, kanë mundur ta bëjnë shumë më herët.

    Për këtë, Sveçla përmendi zgjedhjet parlamentare që priten të mbahen  pas disa javësh, e për çka thotë se këto vendime të komunarëve po bëhen për qëllime elektorale.

    “Sot, po e bëjmë një veprim që kemi mujt shumë më herët me e bo, por shyqyr jemi në zgjedhje e i ka ardhë radha me e bo sot. Është përcaktimi i lokacionit, veç po e caktojmë që në ato parcela ka me u ndërtu dikund xhamia, dikund institucioni parashkollor, për shkak së nuk mundemi me nda parcela, të cilat janë në pronësi të dikujt tjetër, s’jem pronarë ne të atyre parcelave”- theksoi Sveçla i VV-së.

    Poashtu, asamblisti tjetër nga AKR në Prishtinë, Gëzim Mehmeti tha se për shkak të mungesës së ndarjeve kadastrale në këtë projekt, meqenëse pronësia nuk është e Komunës, do të ketë vonesa për çështjen e ndërtimit.

    “Mungojnë ndarjet kadastrale, po shihet që pronësia nuk është pronë e Komunës së Prishtinës, është pronë, e cila duhet një marrëveshje mes Komunës së Prishtinës dhe Agjencisë, e cila është kompetente në këtë rast, kjo ka me e zgjatë çështjen e ndërtimit, sepse duhet në aspektin ligjor të merret në konsideratë, por si iniciativë duhet të përshëndetet”- tha Mehmeti.

    Ai shtoi se banorët e kësaj zone duhet të jenë të informuar se në aspektin kohor, përfundimi i këtoj projekti mund të zgjasë.

    Përndryshe, KALLXO.com, më 30.05.2024, raportoi për mungesën e lejes së xhamisë në fshatin Shkabaj, e cila shkaktoi tensione e përplasje mes banorëve dhe Policisë.

    Edhe pse nuk kishin  leje për ndërtim, kjo nuk kishte ndaluar disa banorë të cilët kanë mbledhur para në mënyrë vullnetare dhe kanë nisur ndërtimin e një xhamie në këtë fshat.

    Policia e Kosovës kishte rrethuar objektin në të cilin pretendohet se u nis si xhami në fshatin Shkabaj të Prishtinës, më 30.05.2024.

    Policia kishte asistuar Inspektoratin në rrëzimin e themelit të saj, e cila pretendohet nga banorët se u nis pa leje.

    Raportimet e ekipit të KALLXO.com për këtë ngjarje, mund t’i lexoni në këtë LINK. 

     

     

  • Pakënaqësitë për unifikimin e Trafikut Urban, Rama thotë se ka inicuar bashkëpunim me Komunën e Podujevës 

    Pakënaqësitë për unifikimin e transportit të autobusëve të Trafikut Urban, sidomos të linjave të transportit nga Komuna e Podujevës janë diskutuar në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës, më 31.01.2025.

    Kuvendi i Komunës së Prishtinës po mban mbledhjen e parë të rregullt për këtë vit, ndërsa aktualisht ndodhet në pauzë. 

    Asamblisti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Feim Osmani ngriti për diskutim çështjen e unifikimit të Trafikut Urban nga Komuna e Prishtinës.

    Sipas Osmanit, linjat e fundit të kontraktuara nga Komuna e Prishtinës, me Operatorë privatë, me të cilët thotë se Komuna ka synuar të arrijë shërbimet e transportit publik për banorët e fshatrave që shtrihen përgjatë magjistrales Prishtinë – Besianë, si fshatrat: Trudë, Lebanë, Prugovc, Barilevë, Besi, Rimanishtë, Vranidoll, Teneshdoll, Sharban… janë linja që kanë paraqitur më shumë probleme, sesa që kanë krijuar lehtësira për banorët e këtyre zonave.  

    Osmani iu drejtua kryetarit Rama duke thënë se këto linja janë lëshuar në qarkullim pa ndonjë planifikim paraprak, pa plan të mobilitetit dhe pa marrëveshje me insitucionin, që sipas tij është përgjegjës për rrugët magjistrale. 

    “Duke tentuar të zgjidhet shkel e shko kjo çështje kaq e rëndësishme, Komuna ka nënshkruar Kontrata që kanë implikime të mëdha buxhetore, pa e vrarë fare mendjen se nuk ka pasur të drejtë ta bëjë një gjë të tillë.” – deklaroi Osmani.

    Sipas tij me këtë Vendim të Komunës së Prishtinës nuk janë marrë parasysh edhe konfliktet e dhunshme, që do të mund të ndodhin mes Operatorëve në aksin rrugor Prishtinë – Podujevë. 

    “Autobusët e kontraktuar për trafik urban i keni detyruar të shkojnë nga Prishtina në Teneshdoll dhe nga Prishtina në Sharban me tre ose katër udhëtarë dhe ua keni ndaluar ndaljet nëpër Stacione – duke i  detyruar të futen nëpër vendbanime.” – shtoi Osmani. 

    Ndërkaq, kryetari Përparim Rama në kundërpërgjigje ka thënë se e vetmja gjë që ka ndërmarrë Komuna e Prishtinës është se është bashkuar kostoja e trafikut urban dhe të gjithë Operatorëve privatë në një biletë, në mënyrë që siç tha ai të gjithë qytetarët të mos paguajnë dy herë, por ta kryejnë vetëm një pagesë. 

    Ai tha se ka pasur diskutime me këta Operatorë dhe Komunën e Podujevës, duke thënë se ka inicuar për të bërë një bashkëpunim me ta dhe me zëvendësministrin e Ministrisë së Infrastrukturës, Hysen Durmishin, për të zgjidhur këtë problem, por thotë se fokusi i tij është te qytetarët e Kryeqytetit. 

    Tutje, Rama thotë se janë në pritje të Ministrisë së Infrastrukturës që t’ua caktojë pikat në linjat ndërurbane. 

    Rama pati edhe akuza për Operatorët e Komunës së Podujevës. 

    “Pasi që ne e kemi kriju biletën e përbashkët mes Transportit publik dhe Operatorëve privatë, kemi insistu që t’i përmbahen një orari, i cili është në të mirën e çdo qytetari: edhe në Prishtinë, edhe nëpër fshatra. Edhe kjo ka kriju një pakënaqësi prej Operatorëve të Podujevës. Aty e kemi pasë ne problemin, sepse deri në kohën kur nuk i kemi bashku këto të dyja, Operatorët privatë kanë operu vetëm kur iu ka konvenu.” – deklaroi Rama, të premten, më 31.01.2025. 

    Në anën tjetër, Osmani nga Lëvizja Vetëvendosje akuzoi Ramën për mashtrim, gjersa tha se këto linja nuk qarkullojnë. 

    “Këto linja nuk qarkullojnë. Ti po thua se ato janë duke u mbajtë, mirëpo ato shkojnë nga Prishtina drejt në Teneshdoll dhe nga Prishtina në Sharban, pa u ndalë dhe pa i marrë banorët nëpër Stacionet përkatëse.” – tha Osmani.

    Kryetari i Prishtinës tha se janë në pritje të një përgjigjeje të zëvendësministrit të Ministrisë së Infrastrukturës, Hysen Durmishi, për të treguar se ku mund të ndalen autobusët: edhe në zonat ndërurbane, edhe të trafikut urban – duke thënë se është çështje javësh, derisa ky problem me Operatorët e Komunës së Podujevës të zgjidhet përgjithmonë. 

    “Po më vjen keq për fjalorin që po e përdor. S’ka kurrfarë mashtrimi këtu. Ka përmirësim në secilën pjesë të Kryeqytetit, nëse dalin probleme gjatë përmirësimit, siç i kemi tash me linjat ndërurbane. Ne kemi marr iniciativë të menjëhershme për përmirësimin e kushteve, pikërisht për qytetarët e këtyre zonave, të Kryeqytetit e të gjitha. Derisa ata i kanë pagu dy bileta, tash i paguajnë vetëm dy.” – shtoi Rama në seancën e rregullt të Kuvendit të Prishtinës.  

    Nga 02.01.2025 qytetarët e Prishtinës kanë sistem të unifikuar të transportit publik urban, me bileta të integruara ditore, javore dhe mujore për të gjitha linjat – përfshirë Operatorët privatë, që po ashtu operon sipas këtyre kushteve.

    Çmimet e biletave – sipas këtij Vendimi – që aplikohen edhe në linja që lidhin fshatrat me qytetin janë si në vijim: 0.50 cent për një udhëtim të vetëm; 0.80 cent për biletën ditore (e vlefshme për të gjitha linjat); 4 euro për biletën javore; 12 euro për biletën mujore për studentë; 13,50 euro për biletën mujore për qytetarë. Një biletë e tillë mund të përdoret brenda 12 orëve në secilën linjë të trafikut urban.

    Ndërkaq, më 16.01.2025, pjesëtarë të Shoqatës së autobusëve “Llapi”, të linjës Podujevë – Prishtinë patën protestuar në shenjë pakënaqësie ndaj Vendimit të Komunës së Prishtinës për sistem të unifikuar të trafikut urban – përfshirë Operatorët privat që lidhin fshatra të Komunës.

    Sipas tyre ky Vendim i Komunës i dëmton ekonomikisht. Si shenjë proteste, pronarët e autobusëve të linjës Podujevë-Prishtinë nuk i kanë lejuar të qarkullojnë autobusët që janë të Komunës së Prishtinës.

  • Lipjan – Një grua raporton se është dhunuar

    Një grua më 27.01.2025 ka raportuar në Policinë e Kosovës se është dhunuar nga një burrë. 

    Ndërkaq, Policia njofton se rasti ka ndodhur në Lipjan, më 25.01.2025. 

    Viktima thuhet se ka marrë trajtim mjekësor. 

    I dyshuari sipas Policisë është arrestuar, ndërsa me vendim të Prokurorit është liruar në procedurë të rregullt. 

  • Arrestohet burri në Deçan, dyshohet se i shiti në treg të zi tri pistoleta

    Policia e Kosovës ka arrestuar një burrë në Deçan, pasi dyshohet se ka shitur në treg të zi tri pistoleta, të cilat i kishte me leje. 

    Rasti raportohet të ketë ndodhur në Deçan, dje më 28.01.2025. 

    Sipas Policisë, i dyshuari kur është intervistuar ka deklaruar se dyshon se dy të panjohur kanë depërtuar me forcë në shtëpinë e tij, me ç’rast edhe i kanë vjedhur armët e shitura. 

    “Me vendim të Prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. Rasti nën hetime.” – njofton Policia, sot më 29.01.2025.