Ballina

Autor: Valon Fana

  • Durmishi: Të gjitha rrugët janë të kalueshme

    Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka thënë se të gjitha rrugët në Kosovë janë të kalueshme.

    Ai ka bërë thirrje për kujdes gjatë vozitjes për të gjithë ngasësit e veturave.

    “Cep më cep Kosovës, me 19 kontrata aktive, jemi duke punuar në teren gjatë gjithë kohës që qarkullimi në rrugë të jetë sa më i lehtë. Të gjitha rrugët janë të kalueshme me gjithë reshjet e vazhdueshme” – ka shkruar Durmishi.

    “Ju bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të vozisin me kujdes duke respektuar rregullat dhe duke ju përshtatur kushteve në komunikacion” – thuhet në njoftim ku edhe ka publikuar pamje nga terreni.

  • Prizren, policia arreston një burrë për dhunë në familje

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person për dhunë në familje, të premten më 10.01.2025.

    Sipas njoftimit, të njëjtit i është konfiskuar edhe një revole.

    “Pas raportimit se i dyshuari mashkull  kosovar (bashkëshorti) ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj viktimës femër kosovare (bashkëshortes). Viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa nga i dyshuari është konfiskuar një pistoletë me 24 copë fishekë  për të cilën kishte leje. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit  i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje  për 48 orë” – thuhet në njoftim.

  • Verma në Beograd: Sanksionet kundër NIS-it synojnë Rusinë, jo Serbinë

    Sanksionet e Shteteve të Bashkuara (SHBA) kundër Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) synojnë Rusinë, jo Serbinë, tha Richard Verma, zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma, të shtunën në Beograd.

    “Qëllimi [i sanksioneve] është heqja e pronësisë ruse në strukturën e pronësisë, nuk do të ketë pasoja ekonomike nëse hiqet pronësia ruse në firmë”, tha Verma në një konferencë të përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Vuçiq deklaroi se fakti që sanksionet ndaj NIS nuk kanë për qëllim Serbinë është “ngushëllim i dobët”.

    “Sipas llogaritjeve të para, rreth 30 vende janë prekur nga këto sanksione në mënyra të ndryshme – ose subjekte nga ato vende – por kudo bëhet fjalë për asetet, kapitalin dhe interesat ruse”, tha Vuçiq në konferencë.

    Industria e Naftës e Serbisë u sanksionua nga Departamenti i Financave i Shteteve të Bashkuara më 10 janar, pasi është nën pronësinë e kompanisë ruse Gazprom Nefta.

    Të premten, Vuçiq tha se bëhet fjalë për “sanksione të rënda dhe serioze” dhe se kërkohet “largimi i plotë i Rusisë nga pronësia e NIS-it”.

    NIS-i u përfshi në listën e gjashtë kompanive që “janë në pronësi ose kontrollohen, veprojnë ose dyshohet se veprojnë për ose në emër të, drejtpërdrejt ose tërthorazi, Gazprom Nefta”.

    NIS është kompania e vetme në Serbi, e cila merret me kërkimin, prodhimin dhe rafinimin e naftës dhe me prodhimin e gazit natyror.

    Kompania shtetërore ruse, Gazprom Neft, ka shumicën e aksioneve në NIS që nga viti 2008, ndërsa nga viti 2022, aksione ka edhe kompania e saj mëmë, Gazprom.

    Gjithsej, ato kanë 56.15 për qind të aksioneve, kurse 29.87 për qind janë në pronësi të Serbisë.

    Pjesa e mbetur u takon qytetarëve, punonjësve, ish-punonjësve dhe aksionarëve të tjerë më të vegjël.

    Gazprom Neft është nën sanksionet evropiane dhe amerikane, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, por prodhuesi më i madh në botë i gazit, Gazprom, nuk i nënshtrohet embargos së vendeve perëndimore./REL

  • Fillojnë kërkimet në lumin “Drini i Bardhë” për një person të zhdukur

    Policia e Kosovës ka njoftuar se kanë nis kërkimet për një person i cili ishte raportuar si i zhdukur.

    Sipas njoftimit, kërkimet kanë nisur në lumin “Drini I bardhë”  duke filluar në afërsi të “Urës së shenjt” .

    “Sot  me datë 11.01.2025,rreth orës 11:00 kanë filluar kërkimet për personin Arban Hisari, 26 vjeç, nga Prizreni i raportuar si i zhdukur me datën 24 dhjetor 2024. Në operacionin e kërkimit përveç sektorit Rajonal të Hetimeve të Prizrenit dhe patrullave Policore ngaj Gjakova,  me kërkesë të policisë  merr pjesë e FSK me ekipin e Kërkim Shpëtimit” – ka thënë Shaqir Bytyqi nga Policia e Kosovës në rajonin e Prizrenit.

    https://kallxo.com/lajm/prizren-zhduket-26-vjecari-arban-hisari-policia-kerkon-bashkepunimin-e-qytetareve-per-gjetjen-e-tij/

  • DASH për deklaratën e Vuçiqit për sanksionet ndaj NIS: Nuk ka biznes të zakonshëm me Rusinë

    Me Rusinë nuk ka “biznes të zakonshëm”, tha Departamenti amerikan i Shtetit i pyetur nga Radio Evropa e Lirë rreth deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se sanksionet e SHBA-së ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë, NIS, janë “të rënda dhe serioze”.

    Thesari amerikan tha se ka sanksionuar kompaninë shtetërore ruse, Gazprom Neft dhe Surgutneftegas, me seli në Rusi.

    Kompania NIS u sanksionua për shkak të ashtuquajturit “rrezik sekondar”, do të thotë për shkak të lidhjes me Gazpromin rus.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi në një konferencë për shtyp më 10 janar, pas këtij publikimi nga Departamenti amerikan i Thesarit, se bëhet fjalë për “sanksione të rënda dhe serioze” dhe se kërkohet “largimi i plotë i Rusisë nga pronësia e NIS-it”.

    “Ata nuk lejojnë mundësinë e 49 për qind ose më pak kapital rus”, tha presidenti Vuçiq.

    DASH-i tha për REL-in se Shtetet e Bashkuara “mbeten të përkushtuara për ta penguar gjenerimin e të ardhurave të Rusisë dhe rrjetet e prokurimit dhe ato financiare që Moska i përdor për ta mbështetur luftën e saj kundër Ukrainës”.

    “Ne do të vazhdojmë t’i ndërmarrim të gjitha veprimet e duhura për ta çuar përpara përgjegjësinë për ata që mundësojnë ose përfitojnë nga lufta e paligjshme e Rusisë dhe ta parandalojmë Putinin të përdorë energjinë si mjet shtypjeje”, tha Departamenti i Shtetit në një përgjigje.

    Departamenti amerikan shtoi se “SHBA-ja do të vazhdojë të punojë me partnerë dhe aleatë në mbarë botën për të garantuar sigurinë dhe diversitetin e furnizimeve me energji”.

    NIS është kompania e vetme në Serbi e angazhuar në kërkimin, prodhimin dhe përpunimin e prodhimit të naftës dhe gazit natyror.

    Gazprom Neft ka aksione në NIS, që nga viti 2022. Aksione ka edhe kompania e saj mëmë Gazprom.

    Sipas të dhënave të NIS-it, kompania Gazprom Neft zotëron sot 50 për qind të kapitalit aksionar të NIS-it, Republika e Serbisë zotëron 29.87 për qind të aksioneve, ndërsa kompania Gazprom zotëron 6.15 për qind të aksioneve.

    Pjesa tjetër u takon qytetarëve, punonjësve, ish-punonjësve dhe aksionarëve të tjerë më të vegjël.

    Gazprom Neft është nën sanksionet evropiane dhe amerikane që nga viti 2014, për shkak të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, dhe kompanisë i është ndaluar qasja në tregjet e BE-së dhe SHBA-së.

    NIS-i, përndryshe, zotëron më shumë se 400 pika karburanti në Serbi dhe në vendet e rajonit: Bosnje dhe Hercegovinë, Rumani dhe Bullgari./REL