Ballina

Autor: Valon Fana

  • Ushtroi dhunë psikike ndaj gruas dhe vajzës, arrestohet një person në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të premten në Prishtinë, më 24.01.2025 pasi i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë në vazhdimësi ndaj gruas së tij dhe vajzës.

    I njëjti, sipas forcave të rendit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tij, viktimave femra kosovare” – thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

  • Drenas, gruaja sulmon fizikisht burrin

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një burrë ka denoncuar gruan e tij për sulm fizik.

    Sipas njoftimit, i njëjti ka pranuar edhe tretman mjekësor.

    Rasti, sipas forcave të rendit ndodhi më 21.020.32025 në Drenas.

    Ankuesi mashkull kosovar, ka informuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshortja e tij e dyshuara femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt” – thuhet në njoftim.

  • FSK bën pranimin e Poligonit të Qitjes nga Komanda e Forcave Amerikane për Evropë (EUCOM)

    Forca e Sigurisë së Kosovës ka pranuar një poligoni të qitjes nga Forcat Amerikanë për Evropë. Sipas njoftimit, poligoni gjendet në Babaj të Bokës në komunën e Gjakovës.

    FSK, përmes një njoftimi tha se kjo dëshmon bashkëpunimin e ngushtë mes FSK-së dhe ushtrisë amerikane.

    “Ky poligon, i pajisur me teknologji moderne dhe i licencuar për përdorim, ka kaluar me sukses inspektimet dhe testimet e nevojshme, duke ofruar kushte të sigurta për zhvillimin e aktiviteteve të qitjes me armë. Ky projekt është një dëshmi e bashkëpunimit të ngushtë dhe mbështetjes së Ushtrisë Amerikane për zhvillimin e aftësive të sigurisë dhe mbrojtjes të Forcës së Sigurisë së Kosovës” – thuhet në njoftim.

    Ky është njoftimi i plotë:

    FSK bën pranimin e Poligonit të Qitjes nga Komanda e Forcave Amerikane për Evropë (EUCOM)

    Në kuadër të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot është bërë pranimi i poligonit të qitjes në Babaj të Bokës, Komuna e Gjakovës, një donacion i vlefshëm i Komandës së Forcave Amerikane për Evropë.

    Ky poligon, i pajisur me teknologji moderne dhe i licencuar për përdorim, ka kaluar me sukses inspektimet dhe testimet e nevojshme, duke ofruar kushte të sigurta për zhvillimin e aktiviteteve të qitjes me armë. Ky projekt është një dëshmi e bashkëpunimit të ngushtë dhe mbështetjes së Ushtrisë Amerikane për zhvillimin e aftësive të sigurisë dhe mbrojtjes të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Duke u bazuar në objektivat e Ministrit të Mbrojtjes dhe udhëzimeve të Komandantit të FSK-së në lokacionin e FSK-së, respektivisht në Babaj Bokës nga Rexhimenti i Xhenios Ushtarake të FSK-së është bërë dhe vazhdon të bëhet hapja e rrugëve që është pjesë e tërësisë së investimeve për poligonet të cilat do të ndërtohen gjatë këtij viti dhe në të ardhmen. Poashtu, janë kryer edhe investime tjera nga buxheti i MM/FSK-së në ndërtimin e urave dhe infrastrukturës përcjellëse. Këto investime janë të planifikuara të vazhdojnë edhe gjatë këtij viti dhe viteve tjera. Gjithashtu për ndërtimin e këtyre poligoneve jemi mbështetur nga partnerët strategjik, konkretisht SHBA-të përmes EUCOMIT dhe Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë të cilat koordinohen nga Zyra e Bashkëpunimit të Mbrojtjes (ODC) së Ambasadës Amerikane në Kosovë.

    Poligoni do të përdoret nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe forcat amerikane për zhvillimin e trajnimeve dhe aktiviteteve të tjera të qitjes, duke siguruar që personeli i FSK-së dhe partnerët e saj janë të përgatitur dhe të trajnuar për t`u përballur me sfidat e sigurisë.

  • Senati konfirmon Hegsethin në postin e sekretarit amerikan të Mbrojtjes

    Senati amerikan e ka konfirmuar Pete Hegsethin në postin e sekretarit të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara, pas një votimi të ngushtë natën e së premtes.

    Hegseth u konfirmuar në këtë post pasi nënpresidenti amerikan, J.D. Vance, e hodhi votën vendimtare për të kur votimi ishte 50 për dhe 50 kundër tij në Senatin e udhëhequr nga republikanët. Tre republikanë iu bashkuan 47 senatorëve demokratë dhe të pavarur për të votuar kundër tij.

    Hegseth, 44-vjeçar, do ta udhëheqë një organizatë me gati 2.1 milionë gra e burra në uniformë, rreth 780.000 punonjës civilë dhe një buxhet prej 850 miliardë dollarësh.

    Si një ish-veteran i luftës dhe dikur prezantues televiziv në Fox News, Hegseth është zotuar se do ta sjellë një “kulturë prej luftëtari” në Pentagon.

    Gjatë procesit të nominimit, ai u përball me dyshimet a është mjaftueshëm i kualifikuar dhe me akuza se përdor me tepri pijet alkoolike dhe se ka sjellje agresive ndaj grave, por presidenti Donald Trump i qëndroi përkrah.

    Lideri i shumicës në Senat, John Thune, tha se Hegseth, veteran i Gardës Kombëtare të Ushtrisë që ka shërbyer në Irak dhe Afganistan, “do ta sjellë një pikëpamje prej luftëtari” në detyrën më të lartë ushtarake.

    “Ditët e shpërqendrimeve ‘woke’ do të marrin fund”, tha Thune, duke iu referuar iniciativave për shumëllojshmëri, barazi dhe gjithëpërfshirje, të cilat Trump i kundërshton.

    “Fokusi i Pentagonit do të jetë në luftë”, shtoi ai.

    Në deklaratën e tij hapëse para Komitetit të Senatit për Shërbimet e Armatosura më 14 janar, Hegseth tha se programet për shumëllojshmëri, barazi dhe gjithëpërfshirje e politizojnë ushtrinë.

    Senatori Roger Ëicker, kryetar i Komitetit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë se vlerëson Hegsethin si “patriot të vërtetë, komunikues të shkëlqyer dhe agjent të mundshëm të ndryshimit që do të sjellë reforma shumë të nevojshme në Pentagon”.

    Hegseth do të ndihmojë në rikthimin e “paqes përmes forcës”, shtoi ai.

    Hegseth i kishte mohuar akuzat për sjellje abuzive ndaj grave dhe ishte zotuar se, nëse konfirmohej, nuk do të pinte gjatë punës. Por, demokratët mbetën skeptikë dhe qëndruan të bashkuar në kundërshtimin e tyre.

    “Është Pete Hegseth me të vërtetë më i miri që mund të ofrojmë?” tha senatori demokrat Jack Reed, anëtar i rangut në Komitetin e Senatit për Shërbimet e Armatosura, në një fjalim para votimit.

    Lisa Murkowski, Susan Collins dhe Mitch McConnell ishin tre senatorët republikanë që votuan kundër konfirmimit të Hegsethit.

    Murkowski tha në një deklaratë se sjelljet e Hegsethit “bien në kundërshtim të fortë” me atë që pritet nga ushtria.

    “Unë mbetem e shqetësuar për mesazhin që konfirmimi i Hegsethit ua dërgon grave që aktualisht shërbejnë dhe atyre që aspirojnë t’i bashkohen ushtrisë”, shtoi Murkowski.

    Collins tha se pas një diskutimi të gjatë me Hegsethin nuk ishte “e bindur që qëndrimi i tij mbi rolet e grave që shërbejnë në luftime, ka ndryshuar”.

    McConnell, ish-lideri i shumicës në Senat, kishte thënë më herët në një fjalim se do të votonte për t’i konfirmuar në pozicione të larta të sigurisë kombëtare ata kandidatë “e kaluara dhe përvoja e të cilëve i bën ata asete të menjëhershme, jo pengesa”./REL

  • Tentim vraje në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të tentim vrasjes në Prishtinë.

    Rasti, sipas forcave të rendit ndodhi më 24.01.2025 rreth orës 23:00 në rrugën “Xhavit Ahmeti”.

    Viktima mashkull kosovar, ka raportuar se një i dyshuar i panjohur me armë ka goditur xhamin e veturës së tij, me ç’rast ka pësuar lëndime dhe gjatë largimit i dyshuari edhe ka shtënë me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit policore ku kanë gjetur dhe konfiskuar një fishek dhe një gëzhojë” – thuhet në njoftim.

    Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Policia ka njoftuar se rasti është nën hetime.