Ballina

Autor: Shqipron Xhema

  • 19 vjet nga vdekja e Rugovës: Osmani dhe ambasadorët e akredituar në Kosovë bëjnë homazhe te varri i tij

    Janë mbushur 19 vjet nga dita kur Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova ka ndërruar jetë.

    Në nderim të jetës dhe veprës së tij, më 21.01.2025, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me ambasadorët e akredituar në Kosovë kanë bërë homazhe te varri i tij në Velani të Prishtinës.

    Pas homazheve, presidentja Osmani ka deklaruar se aleancat që i ka ndërtuar Rugova kanë ndihmuar në çlirimin dhe pavarësimin e vendit.

    “[Presidenti Rugova] Dha një kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e themeleve të forta të shtetit tonë në një kohë jashtëzakonisht të rëndë për popullin tonë, kur po rrezikohej edhe shfarosja e qytetarëve tanë, e popullit të Kosovës. Në atë kohë presidenti Rugova jo vetëm që bëri bashkë të gjithë qytetarët rreth kauzës për liri, pavarësi dhe demokraci, por njëkohësisht u bë zëri i Kosovës në botë duke ndërtuar aleanca të fuqishme të cilat na u deshtën më së shumti në ato kohë të vështira e të cilat rezultuan me intervenimin e NATO-s, i cili edhe e ndihmoi çlirimin e Kosovës. E, pastaj mbështetja e këtyre shteteve mike e ndihmoi edhe pavarësinë e shtetit tonë.” – u shpreh presidentja Osmani.

    Kontributi i Ibrahim Rugovës, siç ka thënë ajo, është dhe do të mbetet udhërrëfyes edhe për brezat që vijnë.

    “Vizioni i presidentit Rugova ishte largpamës. Ai ishte një politikan i jashtëzakonshëm, që i solli politikës dimensionin human të saj – dimension që fatkeqësisht mungonte për një kohë të gjatë, prandaj edhe mbetet jo vetëm shembull i vizionit dhe politikbërjes në Kosovë, por edhe kudo që shkojmë në botë. Jemi mirënjohës për këtë kontribut të tij, i cili do të shërbejë si udhërrëfyes jo vetëm për ne që jemi sot në udhëheqje të Kosovës, por edhe për brezat që do të vijnë pas.” – shtoi presidentja Osmani, e cila në mënyrë simbolike ka shkuar në homazhe me veturën e restauruar të Rugovës.

    Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor të vitit 1944, në fshatin Cërcë të Komunës së Istogut.

    Ai ishte bashkëthemelues i LDK-së dhe Presidenti i parë i Kosovës.

    Vdiq, më 21 janar 2006.

  • Telashe me mbledhjen e mbeturinave në Ferizaj – ‘Pastërtia’ arsyetohet me defekte dhe ngrica

    Disa ankesa nga qytetarë të Ferizajit kanë ardhur në adresën e KALLXO.com, se mbeturinat nuk po mblidhen para dyerve të shtëpive të tyre, gjatë javës që shkoi (13.01.2025 – 17.01.2025).

    Probleme me mbledhjen e mbeturinave janë shfaqur më së shumti në rrugën ‘Reçaku’, ‘Rifat Berisha’, ‘Ejup Statovci’ dhe disa fshatra.

    Nga Kompania Rajonale e Mbeturinave ‘Pastërtia’, përmes një përgjigjeje me shkrim thonë se janë disa arsye pse ka pasur ngecje në mbledhjen e mbeturinave, por si arsye kryesore janë defektet në makineri.

    “Duke filluar nga defektet në makineri, me të cilat jemi ballafaquar edhe për shkak të temperaturave të ulëta, vonesat nga operatori në riparimin e makinerisë deri në sigurimin e pjesëve, ngricat në disa fshatra dhe largësia e transportit të mbeturinave deri në deponitë në Mirash dhe Velekincë – gjë që shkakton vonesa shtesë në krahasim me transportin në kushte të mira rrugore.” – thuhet në mes të tjerash në përgjigjen e KRM ‘Pastërtia’.

    Tutje, nga kjo Kompani thonë se grumbullojnë rreth 80-100 tonelata mbeturina në ditë.

    “Më lejoni t’ju informoj gjithashtu se për rrugët që u përmendën dhe te të cilat kemi pasur ngecje, tashmë shërbimet janë kryer gjatë fundjavës me ekipe shtesë – duke bërë që terreni të stabilizohet dhe t’i afrohemi normalitetit.” – thuhet, tutje, në përgjigjen e KRM ‘Pastërtia’.

    https://kallxo.com/auditim/komuna-e-ferizajt-jep-tender-1-6-milione-euro-per-punet-qe-mund-ti-kryenin-ndermarrjet-publike/

    https://kallxo.com/lajm/pastertia-ne-greve-komuna-e-ferizajt-shpall-gjendjen-emergjente-me-mbeturinat/

    https://kallxo.com/lajm/humbjet-dhe-fitimet-minimale-te-ndermarrjeve-publike-ne-ferizaj/

    https://kallxo.com/komuna/inspektorati-i-punes-gjen-shkelje-ligjore-ne-greven-e-punetoreve-te-krm-pastertia-sindikata-thote-se-jane-te-revoltuar/

    https://kallxo.com/lajm/punonjesit-e-kompanise-pastertia-ne-ferizaj-nderpresin-greven/

  • PZAP gjobit PDK-në me 19 mijë euro

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka dënuar Partinë Demokratike të Kosovës me 19 mijë euro gjoba.

    Lëvizja Vetëvendosje është ankuar në PZAP se PDK ka shkelur Kodin e Mirësjelljes për Subjektet Politike.

    Një Ankesë ka qenë për shkak të vendosjes së një posteri të kandidates për Deputete, Blerta Deliu-Kodra në rrugën ‘Osman Geci’ në Skenderaj. Një tjetër për posterin te rruga ‘Pazari i Vjetër’, po ashtu në Skenderaj. Ankesa e tretë ka qenë për posterin e Mërgim Lushtakut po ashtu te rruga ‘Pazari i Vjetër’ dhe e fundit për posterin e Lushtakut te rruga ‘Osman Geci’.

    Saktësisht është thënë se është shkelur Neni 34, Paragrafi 2 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

    Partia Demokratike e Kosovës është përgjigjur në këto Ankesa – duke thënë se pretendimet janë pabazë.

    Sipas PDK-së, Blerta Deliu-Kodra dhe Mërgim Lushtaku, para fillimit të fushatës, kishte marrë pëlqimin dhe lejen e shfrytëzuesve të hapësirës publike.

    PDK thotë se Deliu- Kodra dhe Lushtaku kanë nënshkruar Kontratë me ‘Foto Kabashi’, për shfrytëzimin e hapësirave reklamuese.

    PZAP ka gjetur se Ankesa është e bazuar për shkak se është konstatuar vendosja e bilbordeve të dy kandidatëve për Deputetë dhe se ka vlerësuar Kontratat e bashkëngjitura nga PDK-ja.

    Kontratat nuk ishin nënshkruar nga Deliu-Kodra, por vetëm nga qiradhënësi ‘Foto Kabashi’ dhe ato nuk kanë vulë të protokolimit.

    Kontratat e Mërgim Lushtakut nuk kanë po ashtu vulë të protokolimit.

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për këto Kontrata thotë që mungesa e vulës së protokolimit nuk jep mundësi të vërtetimit, që ka të bëjë me subjektin që ushtron veprimtari të caktuar dhe rrjedhimisht edhe të drejtën për të dhënë në shfrytëzim hapësirat reklamuese.

    Njëri rast i Deliu-Kodrës i kushtoi PDK-së 4 mijë euro, tjetri 5 mijë e 500 euro. Ngjashëm, njëri rast i Lushtakut i kushtoi PDK-së me 4 mijë euro gjobë dhe tjetri 5 mijë e 500 euro.

    PDK ka afat prej 15 ditësh për të paguar gjobat.

    Vendimin e plotë me numër A48, A49, A50 dhe A51 të PZAP-së mund t’i qasni në këtë vegëz.

  • Presidentja Osmani takohet me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, flasin edhe për anëtarësimin në NATO

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

    Në komunikatën për media të Presidencës thuhet se në takim u fol për fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, me ç’rast u vlerësua mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar në reformat institucionale dhe promovimin e sundimit të ligjit.

    Osmani ka theksuar nevojën e ngritjes së nivelit të bashkëpunimit – si hap drejt anëtarësimit në NATO.

    “Presidentja Osmani falënderoi po ashtu Mbretërinë e Bashkuar për Programin e bursave Chevening dhe diskutoi mundësitë për zgjerimin e shkëmbimeve arsimore e kulturore, si dhe për forcimin e partneritetit në këto fusha.” – thuhet tutje në komunikatë.

    Presidentja kosovare ka folur për rëndësinë e bashkëpunimit për adresimin e sfidave dhe ka dhënë gatishmëri për thellimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve në të gjitha fushat.

  • Qeveria miraton Programin për Reforma në Ekonomi 2025-2027

    Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e saj të 245-të përmes së cilës ka miratuar Programin për Reforma në Ekonomi 2025-2027.

    Kjo mbledhje e Qeverisë u mbajt në mënyrë elektronike më 15.01.2025.

    Qeveria ka miratuar edhe “vendimin për autorizimin e Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve që të aprovojë transferet nga nën-programi “Shpenzimet e Paparashikuara” në ndonjë nën program tjetër në tabelën 3.1 dhe 4.1 të Ligjit Nr. 08/L-332 mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025, për shumat individuale të kërkuara deri në vlerën prej 40 mijë euro”.

    Tabela 3.1 është Buxheti i nivelit Qëndror kurse ajo 4.1 sipas ligjit të cituar nga Qeveria, është tabela e plant të ndarjeve buxhetore të shpenzimeve totale të komunave për vitin 2025.