Ballina

Autor: Shqipron Xhema

  • Fondi sekret i ushtrisë së Kosovës

    Në vitin e fundit të mandatit katërvjeçar, “Qeveria Kurti 2” i ndau 202.8 milionë euro për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Këto mjete u planifikuan për t’u shpenzuar për vitin 2025, më qëllim që ushtria t’i kryejë detyrat me efikasitet të plotë. Kryeministri, Albin Kurti, jo rrallë u krenua se buxheti për ushtrinë ishte rritur nga viti në vit, prej se ai kishte marr drejtimin e Qeverisë.

    “Buxheti i përgjithshëm për Ministrinë tonë të Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë vitin tjetër [2025] do të jetë që në fillim në nivel të 2% të Bruto Produktit Vendor, sipas standardit të NATO-s. Me shtesat përgjatë vitit do ta tejkalojë vlerën prej 208 milionë euro”, pati deklaruar ai, më 31 tetor 2024, kur qe miratuar buxheti 3.6 miliardë eurosh nga ana e kabinetit të ministrave. Derisa këto të dhëna për mbrojtjen dhe sigurinë nuk u klasifikuan si konfidenciale, krejt në fshehtësi po ruhen shifrat e parave të mbledhura në Fondin e Sigurisë, i cili u themelua më 1 mars 2022.

    Në vendimin e themelimit të këtij Fondi thuhet se mjetet do të buxhetohen tek Ministria e Mbrojtjes si buxhet shtesë dhe do të përdoren për mbështetjen e prioriteteve të Qeverisë, duke përfshirë fushën e mbrojtjes dhe sigurisë shtetërore, infrastrukturën e sigurisë, menaxhimin e katastrofave natyrore apo ngjashëm.

    E pyetur nga KALLXO.com, për shumën e mbledhur, donatorët më të mëdhenj dhe nëse paratë e dhuruara vullnetarisht nga qytetarët janë shfrytëzuar deri më tani, kjo ministri ka refuzuar të përgjigjet. “Sa i përket pyetjeve për Fondin e Sigurisë duhet t’i drejtoheni Ministrisë së Financave të cilët janë përgjegjës si për fondin ashtu dhe për ndarjen buxhetore” – ka qenë  përgjigja e Liridona Gashit, zëdhënëse në Ministrinë e Mbrojtjes. Edhe më të mbyllur janë treguar në Ministrinë e Financave. Nga kjo ministri nuk kanë kthyer kurrfarë përgjigje në pyetjet e dërguara nga KALLXO.com, që nga data 20.01.2025.

    Mes “transparencës” dhe “konfidencialitetit”

    Ramadan Ilazi, udhëheqës i Hulumtimeve në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë thotë Fondi është mbuluar nga një fshehtësi e panevojshme. “Neni 120 i Kushtetutës përcakton qartë se fondet publike duhet të mblidhen dhe të shpenzohen në mënyrë transparente e të përgjegjshme, mirëpo Fondi i Sigurisë mbetet një mister për publikun. Të paktën, qeveria duhet të publikojë informacione bazë: kategoritë e përgjithshme të shpenzimeve, shifrat totale të buxhetit dhe raporte periodike—nëse jo për publikun e gjerë, atëherë të paktën për Komisionin Parlamentar përgjegjës për Mbrojtjen” – thotë Ilazi. Në Nenin 120 të Kushtetutës së Kosovës shprehimisht thuhet: “Shpenzimet publike dhe mbledhja e të hyrave publike duhet të bazohen në parimet e llogaridhënies, efektshmërisë, efikasitetit dhe transparencës”.

    Skender Perteshi, Drejtor Ekzekutiv i Institutit ‘Prevent’ thotë se informacionet për Fondin e Sigurisë janë të klasifikuara për shkak të asaj se nëse informacionet e shumës së Fondit apo se për çfarë janë shpenzuar mjetet, mund të cenojnë sigurinë kombëtare. “Në atë buxhet mund të kenë qasje vetëm individët të cilët argumentojnë arsyen pse kërkojnë këtë qasje në ato informata, të cilët janë të pajisur me certifikatë të sigurisë prej nivelit të konfidencialitetit deri tek niveli ‘Top Secret’, nivele që janë të bazuar tek ligji për klasifikimin e informacionit” – thotë Perteshi.

    Megjithatë, ditën ku është miratuar buxheti për vitin 2025, për ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, nuk ka qenë problem të flasë për paratë që janë ndarë për ushtrinë dhe për qëllimin e shfrytëzimit të tyre. “Rritja e dukshme e buxhetit dhe investimi në resurse humane, përgatitje të personelit ushtarakë dhe ngritje të kapaciteteve operacionale përmes investimit në armatime, është tregues i qartë që ky sektor ka vëmendjen e duhur dhe do të fuqizohet në vazhdimësi, jo vetëm për të mbrojtur shtetin por dhe për të kontribuar në çdo operacion ndërkombëtar me qëllim të ruajtjes së stabilitetit dhe paqes”, pati deklaruar Maqedonci.

    Nga komentimet nuk ishte rezervuar as Lëvizja Vetëvendosje. Rritjen e buxhetin për ushtrinë, kjo parti e ka shfrytëzuar edhe për t’i goditur partitë që kanë qeverisur më herët. “Një krahasim i thjeshtë midis ndarjeve buxhetore të vitit 2021 dhe atyre të vitit 2025 tregon qartazi ndryshimin e madh në qasjen ndaj ushtrisë. Më parë, gjatë qeverisjes së Klubit të Stërvjetëruar Politik, ushtria nuk merrte vëmendjen e duhur, siç dëshmojnë rekrutimet e pakta, pajisjet ushtarake të vjetëruara dhe buxheti i ulët”, shkruan në një postim që LVV e kishte publikuar në rrjete sociale më 1 nëntor 2024. Sipas partisë në pushtet, “sot, kjo gjendje ka ndryshuar drastikisht” pasi “janë bërë investime të mëdha në rritjen e numrit të ushtarëve, modernizimin e pajisjeve ushtarake dhe blerjen e sistemeve më të reja të armatimit”. Por, sa i përket Fondit të Sigurisë nuk është thënë gjë!

    Kur, si dhe pse krijohen fondet?

    Ramadan Ilazi ka bindjen se kjo iniciativë e cila u promovua shumë në fillim, duket se është zbehur. Kjo, sipas tij, lë përshtypjen se nuk ka pasur strategji të qartë prapa iniciativës. “Zakonisht kur krijohen fonde të tilla, ato krijohen në një situatë emergjente, kur burimet e qeverisë mund të jenë të pakta, ose nevojiten më shumë burime, siç janë fondet, për të trajtuar një kërcënim në zhvillim”, thotë ai për Kallxo.com.

    “Megjithatë, është e rëndësishme të dihet më dhe të kemi një politikë strategjike të qartë se çfarë është kjo më shumë, për të cilën ne kemi nevojë që publiku dhe palet e tjera të japin kontribute shtesë, përmes një buxheti të dedikuar, dhe për mua kjo nuk ka qenë e qartë deri më tani. Kjo sidomos kur kihet parasysh se qeveria ka pasur suficit buxhetor secilin vit” – shprehet Ilazi.

    Perteshi në anën tjetër thotë se Qeveria ka të drejtë që informacionet për këtë Fond t’i konsideroj si të klasifikuara. “Kjo nuk do të thotë që Qeveria apo institucionet mund t’i keqpërdorin këto fonde apo të ketë dyshime për mënyrën e shfrytëzimit të tyre, sepse edhe Ligji për Klasifikimin e Informacionit dhe Verifikimin e Sigurisë edhe legjislacioni në përgjithësi, ka rregulluar mënyrën se si mekanizmat e kontrollit civil dhe demokratik të sigurisë mund t’i kontrollojnë, monitorojnë dhe menaxhojnë fondet të cilat konsiderohen si të klasifikuara” – thotë Perteshi për KALLXO.com.

    Ai shton se janë Komisionet Parlamentare për Mbikëqyrjen e AKI-së, ai për Mbikëqyrjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, Inspektori i Përgjithshëm i AKI-së, Njësitë e Auditimit të Brendshëm dhe Agjencia për Klasifikim të Informacionit dhe Verifikim të Sigurisë si dhe mekanizma tjerë institucional, të cilët e kanë të rregulluar mënyrën se si menaxhohen dhe mbikëqyren këto fonde.

    Ilazi thotë se gjatë këtyre katër vjetëve ka qenë pozitive rritja e buxhetit për mbrojtje, ndonëse sipas tij kjo nuk është e mjaftueshme. “Siguria nuk përkufizohet vetëm nga investimet në armatim dhe pajisje. Për këtë arsye, trajnimet, ndërveprimi me NATO-n dhe një qasje e planifikuar e qëndrueshme duhet të jenë përparësi, në vend të një gare njëdimensionale armatimi” – thotë ai.

    Për blerjen e armatimit dhe pajisjeve për institucionet e Sigurisë, Perteshi thotë se ka arsyetim ligjor edhe në Ligjin e Prokurimit Publik, për shkak të interesit kombëtar.

    “Gjatë procedurave për blerjen e pajisjeve të ndryshme, mund të barten informacione sekrete dhe ligji i ka të rregulluara mënyrën se si institucionet mund të negociojnë kontrata apo mund të lidhin kontrata të klasifikuara me operatorë të ndryshëm ekonomikë, qoftë lokal apo ndërkombëtar. Brenda atyre Komisioneve është e rregulluar mënyra se si këto blerje të cilat i shmangen procedurave të rregullta të prokurimit publik mund të shkojnë duke u mbikëqyrur dhe duke garantuar integritet në këtë proces në përgjithësi” – shton Perteshi.

    E Ilazi thotë se Qeveria duhet të ketë qasje më transparente dhe të sigurojë që veprimtaria e Fondit përputhet me objektivat më të gjera të mbrojtjes dhe sigurisë. “Ta bëjë këtë në një mënyrë që respekton njëkohësisht Kushtetutën dhe besimin e publikut, por edhe reflekton edhe strategjinë më të gjerë të sigurisë së vendit në përputhje me qasjen e NATO-s, që është mbrojtja e zgjuar” – përfundon Ilazi.

    Më 01.03.2022 kur u themelua Fondi i Sigurisë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti pati shkruar se Fondi u themelua në përputhje me nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, situatës dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtar.

    “Mjetet e mbledhura financiare synohet të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës që pritet të miratohet nga Qeveria e Republikës se Kosovës”, shkruante Kurti. Fondi, siç thoshte ai, do të përdorej ekskluzivisht për qëllimin e përcaktuar nga qeveria. Gjatë kohës së rezistencës paqësore në vitet ’90-ta ishte krijuar Fondi i 3 përqindëshit, ndërsa gjatë periudhës së luftës, ishte krijuar edhe Fondi “Vendlindja Thërret”. Mënyra e shfrytëzimit të parave të derdhura në këto dy fonde, në vazhdimësi është përcjell me dyshime për keqpërdorimin e tyre.

    Strategjia e Sigurisë e Kosovës 2022-2027 është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 24.10.2022 dhe mund të qaset në këtë vegëz.

    https://kallxo.com/lajm/themelohet-fondi-i-sigurise-se-kosoves/

  • Kurti takohet me Ministrin e Jashtëm të Norvegjisë – flitet për sigurinë e anëtarësimin në NATO

    Kryeministri kosovar, Albin Kurti u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Espen Barth Eide në Davos të Zvicrës.

    Ky takim u zhvillua në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror që mbahet në Davos, nga 20 deri më 24.01.2025.

    “Sot do ta kemi nënshkrimin e Marrëveshjes për EFTA, e cila është një arritje e madhe. Ne kemi patur rritje të konsiderueshme në katër vjetët e fundit, 6% të BPV-së mesatarisht – duke mos shkuar asnjëherë poshtë 4%. Ne duam të vazhdojmë të rritemi, por eksportet janë shumë të rëndësishme. E, eksporti i të mirave dhe shërbimeve është i përfshirë tashmë në EFTA.” – citohet të ketë thënë Kryeministri në fillim të takimit.

    Sipas komunikatës për media të Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka falënderuar Norvegjinë për mbështetjen ndaj Kosovës, me theks të veçantë në anëtarësimin në Organizata Ndërkombëtare dhe rrugëtimin drejt integrimit në BE.

    Në komunikatë thuhet se u bisedua rreth sfidave të përbashkëta të sigurisë dhe adresimit të tyre.

    Kurti ka folur për rëndësinë e anëtarësimit në NATO. Kjo krahas rreshtimit të Kosovës përkrah shteteve të BE-së dhe NATO-s në dënimin e agresionit rus në Ukrainë dhe mbështetjes së sanksioneve ndaj Rusisë.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me dy ministret: atë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe të Ekonomisë, Artane Rizvanolli po marrin pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

    Shoqata Evropiane e Tregtisë së Lirë (EFTA) është një organizatë ndërkombëtare që promovon tregtinë e lirë dhe bashkëpunimin ekonomik ndërmjet shteteve të saj. EFTA ka si qëllim heqjen e barrierave tregtare dhe lehtësimin e fluksit të mallrave dhe shërbimeve midis vendeve anëtare. Organizata është e ndryshme nga Bashkimi Evropian (BE), megjithatë ajo bashkëpunon ngushtësisht me BE-në përmes Marrëveshjeve të ndryshme.

    Prej 20 deri më 24 janar 2024, derisa Konferenca e Davosit mbledh lojtarët kryesorë ekonomikë dhe përfaqësuesit qeveritarë, Kosova ka hapur hapësirën e saj “House of Kosovo”, kryesisht fal dy zhvilluesve të suksesshëm të patundshmërive, Esat Lika nga fshati Carrabreg në Kosovë dhe Ertion Axha nga Durrësi në Shqipëri.

    Këta dy merren me biznesin e patundshmërive dhe ia kanë dalë të sigurojnë një shesh prej 11.500 metrash katrorë të një ish-Sanatoriumi, që ndodhet rreth 800 metra larg prej Sallës së Kongresit të FEK-ut, me synim ta kthejë në një resort luksoz.

    https://kallxo.com/lajm/kurti-ne-forumin-ekonomik-ne-davos-do-te-nenshkruaje-marreveshjen-me-shtetet-e-efta/

  • Delegacioni presidencial i Kosovës në inaugurimin e Trumpit thekson rëndësinë e bashkëpunimit me SHBA-në

    Presidenca e Kosovës ka njoftuar se delegacioni i saj ka marrë pjesë në aktivitetet e organizuara me rastin e inaugurimit të presidentit amerikan, Donald Trump.

    Siç thuhet nga Presidenca, ky delegacion ka marrë pjesë në “Ceremoninë e Betimit të Presidentit Trump në Capitol Hill, tubimin e mbajtur para Ceremonisë së Betimit në Capital One Arena, Ballon e Komandantit Suprem, Ballon Presidenciale ‘The Liberty Ball’, Ballon ‘Black Tie and Boots’ të organizuar nga Texas State Society, Midwest Galla, pritjen e organizuar nga Dr. Miriam Adelson, Tilman Fertitta, Sylvie Legere & Todd Ricketts e Mark Zuckerberg, si dhe në Shërbesën e Lutjeve Kombëtare në Washington National Cathedral”.

    Në komunikatën e Presidencës thuhet se delegacioni është takuar me disa zyrtarë të lartë, senatorë, kongresistë, njerëz të biznesit dhe nga sfera të tjera.

    Gjatë takimeve me zyrtarë amerikanë thuhet se u theksua edhe rëndësia e vizitave të ndërsjella dhe rëndësia e bashkëpunimit për ruajtjen e sigurisë në rajon.

    “Gjatë këtyre aktiviteteve, ata kanë pasur mundësinë të bisedojnë me: kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan, Mike Johnson; të nominuarin e presidentit Trump për Drejtor të CIA-s, John Ratcliffe; kongresistin dhe kryesuesin e Nënkomitetit për Evropë në Komitetin për Politika të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve, Keith Self; kongresistin, Chip Roy; kongresistin, Ronny Jackson; senatorin, John Cornyn, kongresistin, Ted Cruz; guvernatorin e Teksasit, Greg Abbott; guvernatoren e Ioëa, Kim Reynolds; ambasodorin e nominuar të presidentit Trump në NATO, Matt Ëhitaker; zëvendësguvernatorin e Teksasit, Dan Patrick; prokurorin e Përgjithshëm të Teksasit, Ken Paxton; ish-sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg; senatoren e Teksasit, Angela Paxton; këshilltarin lokal, Gino Mulliqi dhe ish-kongresistin Jack Fields. Si dhe, përfaqësues të shumtë të mërgatës.” – thuhet në komunikatën e Presidencës.

    Tutje, thuhet se në takime u përcollen urimet e presidentes Vjosa Osmani për presidentin Trump dhe u konfirmua angazhimi i Kosovës për avancimin e raporteve bilaterale.

    Delegacioni i Presidencës që mori pjesë në këto aktivitete përbëhej nga ambasadori i Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli; shefja e Stafit të Presidentes, Learta Hollaj dhe këshilltarja për Politikë të Jashtme, Rejhan Vuniqi.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk ka marrë pjesë në Ceremoninë e Inaugurimit të presidentit amerikan, Donald Trump më 20.01.2025.

    Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani, kishte thënë për KALLXO.com që Osmani ka marrë ftesë nga anëtarë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara (Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve).

    Mirëpo, Kupina më 18.01.2025 pati deklaruar se duke u bazuar në traditën protokolare, shumica e vendeve përfaqësohen në këto Ceremoni nga ambasadorët e tyre të akredituar në Washington D.C, kështu që ka deleguar një delegacion nga Presidenca.

    “Duke e vlerësuar këtë ngjarje si një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet në mes Kosovës dhe SHBA-ve, Presidentja ka vendosur ta dërgojë një delegacion të Kabinetit të saj, i cili së bashku me ambasadorin në SHBA, Ilir Dugolli do ta përfaqësojnë Kosovën në aktivitetet inauguruese të datave 19-21 janar.” – tha Kupina, më 18.01.2025.

    https://kallxo.com/lajm/mori-ftese-nga-tre-kongresmene-por-nuk-do-te-shkoje-osmani-dergon-delegacion-ne-inaugurimin-e-trumpit/

  • Takimi i fundit si emisar i BE-së – Lajçak bisedon me Vuçiqin për Dialogun

    I dërguari special i Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka njoftuar se është takuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, si takim i fundit në pozitën aktuale të Lajçakut si emisar.

    Takimi i tyre ka ndodhur në Davos të Zvicrës, ku po mbahet Forumi Ekonomik Botëror.

    Lajçak thotë se me Vuçiqin kanë folur për gjendjen e Dialogut.

    “Në takimin tonë të fundit të pozitës sime aktuale, presidenti Vuçiq dhe unë folëm për situatën në Dialog. Theksova se Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 hapi rrugën përpara drejt normalizimit. Progresi i mëtutjeshëm është në interes të Serbisë, Kosovës dhe të ardhmes së tyre BE.” – shkroi Lajçak në platformën X.

    Lajçakut i skadon mandati si emisar për Dialogun, më 31.01.2025.

    Në media është raportuar se përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas ka vendosur që diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen të jetë përfaqësues i posaçëm për Dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

  • Grabitje e armatosur në Prishtinë, të dyshuarit ishin të maskuar

    Një grabitje ka ndodhur në një institucion mikrofinanciar në rrugën “Enver Maloku”, në Prishtinë.

    Zëdhënësja e Policisë Rajonale të Prishtinës, Flora Ahmeti ka konfirmuar se rasti ka ndodhur më 21.01.2025, rreth orës 12:30.

    “Pas marrjes së informacionit, Policia ka dalë në vendngjarje dhe bazuar në informacionet e para dyshohet se dy persona të dyshuar/maskuar nën kërcënim të armës kanë grabitur një shumë parash.” – deklaroi Ahmeti për KALLXO.com.

    Tutje, ajo shton se njëri nga të dyshuarit është arrestuar pak minuta pas raportimit të rastit.

    “Personi i dyshuar aktualisht po intervistohet, përderisa hetuesit janë në kërkim të personit të dytë, të cilin tashmë e kanë identifikuar.” – shton Ahmeti.

    Të dyshuarit e këtij rasti – sipas Policisë – dyshohet se janë të përfshirë edhe në një grabitje tjetër të datës 17.01.2025, në rrugën “Agim Ramadani”, në Prishtinë.