Ballina

Autor: Shqipron Xhema

  • Presidenca e Kosovës mbështet nominimin e Feride Rushitit dhe QKRMT-së për çmimin Nobel për Paqe

    Presidenca e Republikës së Kosovës ka uruar dhe mbështetur nominimin e Feride Rushitit dhe ekipit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) për çmimin Nobel për Paqe.

    Nga Presidenca thonë se QKRMT përveç kontributin në rehabilitimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës ka luajtur rol kyç edhe në ndërtimin e politikat për përmirësimin dhe mirëqenien e statusit të kësaj kategorie.

    “Presidenca e Republikës së Kosovës e uron dhe mbështetë nominimin e QKRMT dhe znj. Feride Rushiti për çmimin Nobel për Paqe dhe e përgëzon atë dhe organizatën QKRMT, të cilën ajo e udhëheq prej disa vitesh. Organizata QKRMT, është mbështetur dhe përkrahur në vazhdimësi nga Presidenca e Kosovës, si dhe, ndër vite, ka qenë ndër partnerët kryesor në organizimin e Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë e po kështu në avancimin e kësaj agjende në Kosovë” – thuhet mes tjerash në njoftimin e Presidencës.

    Në këtë komunikatë është falënderuar edhe deputeti suedez Magnus Jacobsson i cili ka propozuar Rushitin në Komitetin Nominues për çmimin Nobel për Paqe.

    Më 16.01.2025,  Rushti njoftoi se së bashku me Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës (QKRMT) është nominuar nga deputeti i Parlamentit suedez,  Magnus Jacobsson, për çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025.

    Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti deklaroi se nominimi për çmimin Nobel për Paqe për të dhe për organizatën që e drejton është një vlerësim për Kosovën dhe kauzën për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

    “Mbi të gjitha është një vlerësim për kauzën e të mbijetuarve të dhunës seksuale, kauzë kjo e cila që nga viti 1998 kur kam filluar të punojë si mjeke e re me kosovarët që në atë kohë ishin të zhvendosur, i bën të ndjehen mirë, i bën të vlerësuar, dhe shpresojmë ky nominim realisht e nxjerr Kosovën, në një situatë ndërkombëtare, ku zëri i të mbijetuarve të dhunës seksuale ndihet edhe ndërkombëtarit”- tha Rushiti më 17.01.2025.

    Çmimi Nobel për Paqe zakonisht bëhet i ditur në muajin tetor të çdo viti.

    https://kallxo.com/lajm/nominimi-per-cmimin-nobel-per-paqe-rushiti-vleresim-per-kauzen-e-te-mbijetuarve-te-dhunes-seksuale-gjate-luftes/

     

  • I gjendet marihuanë në shtëpi – arrestohet një person në Podujevë

    Në Podujevë janë sekuestruar substanca narkotike, në rrugën ‘Skënderbeu’.

    Sipas Policisë Rajonale të Prishtinës, më 26.01.2025 u arrestua një person në shtëpinë e të cilit u gjetën 132.89 gramë marihuanë dhe një peshore.

    Personi i arrestuar, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje kurse peshorja dhe substanca e dyshuar të jetë marihuanë janë sekuestruar.

    Marihuane, Podujeve, 26.01.2025, foto: PK

  • Gjuhë fyese gjatë fushatës e posterë pa leje – PZAP gjobit partitë politike

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka publikuar 13 vendime që i mori më 25.01.2025.

    Disa ankesa janë konsideruar si të pabaza dhe për disa ankesa, PZAP ka gjobitur partitë politike.

    LVV u gjobit me 4 mijë euro, PDK u gjobit me 6 mijë euro, LDK me 4 mijë euro dhe Koalicioni për Familjen me 5 mijë euro, sipas vendimeve të datës 25.01.2025 që ka publikuar në ueb-faqe.

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka gjobitur Partinë Demokratike të Kosovës me 3 mijë euro gjobë. Gjoba PDK-së i erdhi pas një ankese të LVV-së.

    LVV u ankua se në rrugën ‘Brigada 123’ në Suharekë u identifikuan banerë të Enver Hoxhajt dhe Qefsere Kuqit. PZAP ka gjet se u shfrytëzuan hapësirat publike pa marrë leje nga organet kompetente të komunës, prandaj edhe gjobiti PDK-në.

    4 mijë euro është gjoba që iu dha LDK-së për posterë në të njëjtën rrugë. Posterë të Shemsije Bytyqit, Lumir Abdixhikut, Shaqir Kryeziut, Urim Sukës dhe Selman Kolgecit.

    PZAP gjeti se njësos si PDK, edhe LDK nuk kishte marrë leje për vendosjen e këtyre banerëve.

    Ky organ i hodhi poshtë ankesat LVV-së për subjektin Srpska Demokratija.

    LVV u ankua për banerët e Aleksandër Arsenijeviq në ndërtesat publike në rrugën ‘Kneza Milosa’. PZAP nuk shqyrtoi këtë ankesë për shkak se për këtë rast është vendosur me vendimin Anr. 160/2025 me ç’rast subjekti Srpska Demokratija është gjobitur me 3 mijë e 500 euro.

    Partija Kosovskih Srba është gjobitur me 3 mijë e 500 euro pasi që LVV u ankua për banerët e kësaj partie në disa objekte dhe sheshin e Mitrovicës së Veriut.

    PZAP gjeti se me këtë rast u shfrytëzuan jashtëligjshëm ndërtesat/hapësirat publike, në kundërshtim me nenin 34 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

    LVV-së iu refuzua një ankesë ndaj LDK-së. LVV u ankua se identifikoi disa flamuj të LDK-së në rrugën ‘Drenica’ dhe lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë. PZAP gjeti se LDK kishte leje nga Komuna e Prishtinës për vendosjen e këtyre flamujve.

    LVV-së iu refuzua edhe ankesa për banerë të LDK-së në Istog. Ngjashëm si në Prishtinë, LDK kishte marrë leje edhe në Istog.

    3 mijë euro gjobë iu dha PDK-së për shkak të një fotografie të postuar në Facebook nga kandidati për deputet Faruk Bojaxhi, me hapësirat e brendshme dhe të jashtme të Bashkësisë Islame dhe Ipeshkvisë së Prizrenit, për qëllime elektorale.

    PZAP thotë se me promovimin e kandidaturës së tij për deputet me përfaqësues fetar, Bojaxhi ka shkeluar Rregulloren 07/2024.

    LVV-së iu refuzua ankesa ndaj LDK-së në Prishtinë, për banerë në rrugën ‘Ilaz Kodra’ dhe në ‘Kurriz’. LDK kishte pëlqimin nga Komuna e Prishtinës për vendosjen e banerit të kandiatit Florian Dushi.

    Ankesa e LVV-së ndaj PDK-së për posterin e Jakup Nurës në rrugën ‘Ilaz Kodra’ në Skenderaj u refuzua nga PZAP. KY institucion ka gjetur se kjo parti kishte pëlqimin e Komunës për vendosjen e posterit.

    E pabazuar u shpall edhe ankesa e PDK-së ndaj LVV-së për gjuhë fyese dhe denigruese. PDK në Dragash u ankua se asistenti i zyrës administrative të VV-së në këtë Komunë, Asri Qusaj ka përdorur gjuhë fyese në Facebook ndaj partive kundërshtare.

    PZAP thotë se në bazë të dëshmive të dorëzuara nuk mund të verifikohet se në cilën kohë ka ndodhur shkelja e pretenduar.

    LVV u gjobit me 4 mijë euro pas ankesës së PDK-së për një video të kandidatit për deputet Valon Ramadani.

    Në video, Ramadani i drejtohet kundërshtarëve politik me termin ‘hajna’. PZAP thotë se gjuha e tillë është në kundërshtim me nenin 34, pika 1.1 e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

    OJQ-ve Cel Kosova dhe Dylberizëm iu pranua ankesa me ç’rast Koalicionit për Familjen iu shqiptua gjobë prej 5 mijë eurove.

    Gjoba i shkoi këtij koalicioni pas një deklarate të kandidatit për deputet Jeton Haxhimustafa i cili sipas PZAP-së ka bërë shkelje të nenit 34, paragrafit 1, pika 1.11 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

    Ankesa e Kosova Demokratik Turk Partisi kundër vendimit të KQZ-së për miratimin e dizajnit të fletëvotimit dhe broshurës për zgjedhjet, u hodh poshtë si e pasfatshme.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

    Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet e tjera në fuqi.

    Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

  • Dyshohet se vodhi ar e argjend me vlerë mbi 160 mijë euro, Prokuroria kërkon paraburgimin e tij

    Prokuroria Themelore e Prizrenit ka njoftuar se më 24.01.2025 ka arrestuar Sh.H., nga fshati Greme e Ferizajt për shkak të dyshimit të kryerjes së veprës penale “vjedhja e rëndë”.

    Prokuroria ka kërkuar paraburgimin për të arrestuarin.

    I arrestuari dyshohet se më 12.01.2025 rreth orës 03:45 në një argjendari në Prizren, në bashkëveprim me disa persona të tjerë, deri më tani të paidentifikuar kanë vjedhur 3 kilogramë ari dhe 1 kilogram argjend me vlerë prej 168 mijë euro.

    “Pas një planifikimi paraprak dhe koordinimi në mes vete, me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, ia marrin pasurinë të dëmtuarit A.B., (pronar i argjendarisë), në atë mënyrë që duke shfrytëzuar momentin kur në lokalin e të dëmtuarit nuk ishte askush, me përdorim të forcës fizike dhe të pajisur me mjete të përshtatshme e hapin derën e lokalit dhe e dëmtojnë alarmin, ku hyjnë brenda në lokal” – thuhet mes tjerash në njoftimin e Prokurorisë.

    Të dyshuarit i janë kontrolluar objekti i banimit dhe objekte përcjellëse në fashtin Greme. Gjate kontrollit u gjetën prova të cilat jane sekuestruar, mes tyre edhe automjeti me të cilin u krye vepra.

    https://kallxo.com/lajm/dyshohet-se-vodhi-3-kg-ari-dhe-1-kg-argjent-ne-naten-e-vitit-te-ri-ne-prizren-arrestohet-nje-person-nga-nje-fshat-i-ferizajt/

    https://kallxo.com/lajm/detaje-nga-vjedhja-e-rreth-3-kg-ari-ne-nje-argjendari-ne-prizren-dyshohet-se-u-keput-kabllo-e-kamerave-te-sigurise/

  • Aksidentohen tri vetura dhe një traktor në Gllarevë të Klinës, lëndohen pesë persona

    Tri vetura dhe një traktor janë përfshirë në një aksident trafiku rreth orës 11:00 në fshatin Gllarevë të Klinës.

    Si pasojë e këtij aksidenti kanë pësuar lëndime pesë persona.

    Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Pejës, Driton Rugova ka thënë se të lënduarit janë dërguar në QKMF-në e Pejës për trajtim mjekësor.

    “Sot rreth orës 11:00, Policia është njoftuar për një aksident trafiku i cili ka ndodhur në fshatin Gllarevë-Klinë, në këtë aksident ishin të involvuara tri vetura dhe një traktor, dhe si pasojë e aksidentit pesë persona kanë pësuar lëndime trupore, të njëjtit janë dërguar ne QKMF-Klinë për tretman mjekësor” – deklaroi Rugova për KALLXO.com.