Ballina

Autor: Shqipron Xhema

  • Plagosja e policit në poligon – Prokuroria kërkon paraburgimin e të miturit dhe të instruktorit

    Prokuroria e Gjilanit ka kërkuar masën e paraburgimit prej një muaji për të miturin i cili dyshohet se ka plagosur zyrtarin policor në një poligon qitjeje, në Pasjak të Novobërdës më 26.01.2025, si dhe të inspektorit i cili ka qenë duke punuar në poligon, kur ka ndodhur rasti.

    Të dy janë ndaluar të dielën nga organet e rendit, pak pasi ndodhi incidenti me armë.

    Policia konfirmoi se dyshohet se të miturit aksidentalisht i ka shkrepur arma dhe ka plagosur policin.

    Po ashtu, KALLXO.com mëson se i mituri i dyshuar për plagosjen e policit ështe 16-vjeçar.

    Të hënën, Policia e Kosovës në Raportin 24-orësh njoftoi se rasti është iniciuar, si: “vrasje në tentativë nga pakujdesia” dhe “rrezikim i sigurisë në vendin e punës”.

    Sipas detajeve të PK-së, rreth orës 19:00 është raportuar se në një poligon të gjuajtjes, të dyshuarit dyshohet se i është bllokuar arma dhe po ashtu dyshohet se nga pakujdesia aksidentalisht i ka shkrepur arma e ka qëlluar zyrtarin policor.

    “Viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Me vendim të Prokurorit është arrestuar personi i dyshuar dhe instruktori i poligonit për gjuajtje, i dyshuari mashkull kosovar dhe të njëjtit janë dërguar në mbajtje.” – thuhej në Raport.

    Si prova materiale lidhur me rastin janë sekuestruar tri armë zjarri, ndërsa Policia theksoi se rasti është nën hetime.

    Por çfarë thotë Ligji për Armë në Kosovë, për mundësinë e shfrytëzimit të poligonit civil për qitje, si dhe moshën e personave që lejohen të përdorin poligonët dhe llojet e armëve?

    Sipas këtij Ligji, Pika 1 e tij përcakton se qitje në poligone civile kanë të drejtë personat fizik që kanë leje të vlefshme për armë, ata të cilët janë në proces të trajnimit praktik, si dhe personat që kanë certifikatë të lëshuar nga organi kompetent për dhënien e provimit profesional për armë përkatëse.

    Neni 18 i këtij Ligji cakton mundësinë e lejes për armëmbajtje. Ndër të tjera ky Nen thotë që leje për armëmbajtje mund të marrë personi fizik i cili plotëson kushtet sipas Nenit 7.

    Neni 7 i këtij Ligji thotë se pëlqimi për blerjen e armës mund t’i lëshohet personit i cili ka mbushur 21 vjeç. Tutje, në këtë Nen specifikohen edhe kërkesat e tjera. Mes të cilave është që personi të posedojë aftësi të plotë ligjore për veprim e aftësi psiko-fizike. “Personi që kërkon lejen për blerjen e armës duhet që të mos paraqesë rrezik për veten, rendin publik e sigurinë publike.”

    Kërkohet që ky person të ketë të kryer testin teorik dhe praktik për përdorimin e armës, të jetë shtetas i Kosovës ose i huaj me qëndrim të përhershëm, si dhe të deklarojë arsyen e blerjes së armës.

    Dallim nga këto rregulla paraqet Neni 42 Pika 11, që lejon përdorimin e armëve sportive.

    Sipas këtij Neni, armë zjarri sportive mund të përdorin personat prej 16 vjeç deri në 21 vjeç.

    “Armë zjarri sportive mund të përdorin edhe personat prej gjashtëmbëdhjetë (16) deri në njëzetenjë (21) vjeç, kurse armë pneumatike dhe armë me hark (tojë apo tetivë) mund të përdorin edhe personat prej dhjetë (10) deri në njëzetenjë (21) vjeç. Vetëm në poligone civile të licensuara për qitje ose në hapësira të tjera të siguruara dhe të caktuara për gara në qitje sportive; vetëm nën mbikëqyrjen e personit të autorizuar, përveç nëse është përcaktuar ndryshe me rregulla të Federatës Ndërkombëtare të Qitjes Sportive ose Federatës Botërore të Shigjetarisë.” – thuhet në këtë Pikë të Nenit 42.

    https://kallxo.com/lajm/zyrtari-policor-plagoset-ne-nje-poligon-qitjeje-ne-rajonin-e-gjilanit-lajm-ne-zhvillim/?fbclid=IwY2xjawIDf8JleHRuA2FlbQIxMQABHZgHUULGqQPOF8vyby8iR7hm1qPEP1N5zsVgAtrc9kfeEWQB0C40KO0mnw_aem_uKaw98zsfRVaRFqIOu7rXw

  • Kurti nga Deçani: Më 9 shkurt ka referendum me të cilin vlerësohet puna jonë

    Lëvizja Vetëvendosje në kuadër të fushatës zgjedhore, më 26.01.2025 ka mbajtur tubime në Junik dhe Deçan.

    Në tubimin në Deçan, kandidati për kryeministër Albin Kurti deklaroi se në vitin 2025 nuk do të ketë zgjedhje në Kosovë.

    “Në Kosovë nuk do të ketë zgjedhje në vitin 2025, zgjedhje do të ketë në vitin 2029. Në vitin 2025, me 9 shkurt ka referendum me të cilin vlerësohet puna jonë dhe vazhdimi i saj” – deklaroi mes tjerash Kurti.

    Në tubimin e Junikut, kandidati Kurti ka përmendur investimet e Qeverisë e udheheq, në këtë komunë. Sipas tij mbi 10 milionë euro janë investuar në Junik si rrugë, ndriçim publik, shkollë e çerdhe.

    Kurti në Junik u kërkoi votën të gjithëve, sipas tij janë tre Junika.

    “Janë tre Junika. Njëri në Kosovë, njëri nëpër Kosovë edhe është një Junik i tretë në diasporë. Këta tre Junika le të bëhen bashkë për 1000 vota më datën 9 shkurt për numrin 118 dhe brenda 500 mijë zemrave në të gjithë Kosovën cep më cep ”- ka thënë Kurti.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

    Për këto zjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet e tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

  • Punime në rrjet, KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të hënen

    Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) bën të ditur se të hënën, më 27.01.2025, do të kryhen punime të domosdoshme për siguri të sistemit energjetik.

    Si rezultat i kësaj, në disa lokalitete do të ketë ndërprerje të rrymës.

    Ky është orari sipas rajoneve:

    Mitrovicë

    Punime në projekte investive

    1.

    Nga NS 110/10(20) [kV] Skenderaj do të ndërprehet:

    Dalja 10[kV] Qirezi (kodi: 74000004) prej orës 08:30 deri 09:30 dhe 16:00 deri 17:00

    Vendet: Fshatrat: Baks, Dashevc (një pjesë),Gllanasellë, Godanc, Godanc – Lagja: Berbatovci dhe Gërguri,  Gradicë, Gradicë – Lagjja: Bardhi, Dervisholli, Fazliu, Muja, Selmani, Sukaj dhe Uka, Kozhicë, Krasaliq, Krasmirovc, Prelloc, Qirez, Polac – Lagaj: Gruda, Gucati, Hoti, Kabashi, Kerolli, Koca, Makolli, Myftari, Uka, Veliu, Xami dhe Koca si dhe Likoshani – Lagja: Avdulli, Gjeli, Hasani, Miftari, Neziri, Zukaj dhe Zymeri.

    Arsyeja: Krijimi i kushteve të punës pa tension, largimi i urave  të tensionit të mesëm.

    2.

    NS 110/10(20) [kV] Skenderaj

    Nga Dalja 10[kV] Qirezi do të ndërprehen këto nënstacione nga ora 08:30 deri 17:00

    1.NS 10/0.4[kV]Qirez Hyseni (kodi:74000004027)

    2.NS 10/0.4[kV]Likoshan-1 (kodi:74000004028)

    3.NS 10/0.4[kV]Likoshan-2 (kodi:74000004029)

    4.NS 10/0.4[kV]Gradicë-1(kodi:74000004030)

    5.NS 10/0.4[kV]Gradicë e Ulët-2(kodi:74000004031)

    6.NS 10/0.4[kV]Godancë (kodi:74000004032)

    7.NS 10/0.4[kV]Likoshan e Re (kodi:74000004033)

    8.NS 10/0.4[kV]Gradicë Bradiqët (kodi:74000004034)

    9.NS 10/0.4[kV]Fazliu-Gradicë (kodi:74000004036)

    10.NS 10/0.4[kV]Dervishi-Gradicë(kodi:74000004037)

    11.NS 10/0.4[kV]Gradice ( Sabri Fazliu)(kodi:74000004041)

    Vendet: Likoshani një pjesë, Qirez, Gradicë e ulët, Lagja Fazliu Graicë dhe lagjja Dervisholli Gradicë.

    Arsyeja: Projekte investive.

    Gjakovë

    Punime në projekte investive

    1.

    NS 35/10[kV] Gjakova I

    Nga Dalja 10[kV]Piskota do të ndërprehet

    NS 10/0.4[kV] TS 28 (Kodi:  80080008217)  nga ora 09:00 deri 17:00

    Vendet: Një pjesë e rr. Mark Lleshi në Gjakovë.

    Arsyeja: Projekte investive, vendosja e kabllove në trafostacion.

    Gjilan

    Punime të domosdoshme për siguri të sistemit

    1.

    Nga NS 110/10 [kV] Gjilan 5 do të ndërprehet:

    Dalja 10[kV] Spitali (kodi:  63000018)  prej orës 10:45 deri 11:00 dhe nga ora 15:45 deri 16:00

    Vendet: rrugët: Agim Ramadani (një pjesë), Arben Isufi (një pjesë), Bekim Berisha (një pjesë), Bahtir Jahiri, Idriz Seferi, 7 Shtatori (një pjesë), Fadil Jakupi (një pjesë), Ferizajt, Hasan Remniku, Kodra e Dëshmorëve, Lagjja e Malësisë, Lot Vaka (një pjesë), Murat Kryeziu, Naser Azemi (një pjesë), Nazim Budrika, pas Kosova-Petrollit (një pjesë), Qarkore (një pjesë), Ramadan Zeka, Ramiz Cërnica, Rizah Poliqka (një pjesë) dhe një pjesë e fshatit Livoç i Ulët.

    Arsyeja: Krijimi i kushteve të punës pa tension, largimi i siguresave të tensionit të mesëm.

    2.

    NS 110/10 [kV] Gjilan 5

    Nga  Dalja 10[kV] Spitali do të ndërprehen këto NS-a prej orës 10:45 deri në ora 16:00

    1.NS 10/0.4[kV] Emini (kodi:63000018072)

    2.NS 10/0.4[kV] Livoç-te shkolla(kodi:63000018074)

    3.NS 10/0.4[kV] Livoç i Ulët – Xhamia (kodi:63000018075)

    4.NS 10/0.4[kV] Livoç i Ulët – Robaqepësi(kodi:63000018076)

    5.NS 10/0.4[kV] Muhaxherët e Livoçit (kodi:63000018077)

    6.NS 10/0.4[kV] Shpk KEMI(kodi:63000018078)

    7.NS 10/0.4[kV] Livoqi i Ulët(DIFIDI) (kodi:63000018080)

    8.NS 10/0.4[kV] Livoqi i Ulët(te Restorani) (kodi:63000018082)

    9.NS 10/0.4[kV] Bllacët e reja(kodi:63000018083)

    10.NS 10/0.4[kV] Te OSCE-Blind (kodi:63000018086)

    11.NS 10/0.4[kV] Riza Trans-Betonjerka(kodi:63000018088)

    12.NS 10/0.4[kV] SH.P.K. “ASK FOODS”  Erton Sefedin Namoni(kodi:63000018437)

    13.NS 10/0.4[kV] Livoç i Ulët (kodi:63000018438)

    14.NS 10/0.4[kV] TS privat, ”Rino-Pack” dhe Faton Vebi Demaj (kodi:63000018470)

    Vendet: Livoç i Poshtëm dhe një pjesë e Gjilanit.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri- rritja e fuqisë së tranformatorit nga 630kVA ne 1000kVA dhe adaptimi i blindës nga ekipi i Inxhinieringut  TS-083 Bllacët.

  • Grenell kërkon të dënohet ‘dhuna’ në protestat në Serbi, komuniteti i ‘X’ i thotë se janë më paqësoret në 30 vjetët e fundit

    Richard Grenell, i emëruar nga presidenti amerikan Donald Trump si emisar presidencial për misione të posaçme ka shpërndarë në rrjetin social “X” një video të protestave në Serbi.

    Grenell shkruan se është me rëndësi që të rritet zëri dhe ai të dëgjohet, por sipas tij “të gjithë duhet të dënojmë dhunën dhe të qëndrojmë në protesta paqësore” – shkruante ai më 25.01.2025.

    Megjithatë platforma “X” në të cilën ka shkruar Grenell jep mundësinë e shënimeve (notes) të komunitetit, përmes së cilës lexuesit mund t’i japin kontekst apo t’i demantojnë ngjarjet për të cilat publikojnë personalitete të ndryshme publike.

    Në këto shënime tek shkrimi i Grenellit, komuniteti e ka demantuar zyrtarin amerikan, teksa thotë se këto protesta janë më paqësoret në 30 vjetët e fundit.

    Komuniteti mes tjerash ka sqaruar se kërkesat e stduentëve në Serbi lidhen me aksidentin në Novi Sad vitin e kaluar dhe jo me marrjen e qeverisë.

    “Këto protesta kanë qenë më paqësoret në 30 vjetët e fundit në Serbi. E vetmja dhunë që ka ndodhur është bërë dhe frymëzuar nga Qeveria dhe Presidenti Vuçiq. Lista e kërkesave lidhet me një aksident që vrau 15 persona, jo me marrjen e Qeverisë” – thuhet në shënimet e komunitetit.

    Kurse Grenell ka kërkuar që protestat si proces demokratik të respektohen.

    “Ne nuk i mbështesim ata që minojnë sundimin e ligjit ose që marrin me forcë ndërtesat qeveritare” – ka shkruar tutje ai.

    Tutje ai thotë që nëse nuk duhet ligji apo lideri duhet të punohet që të ndërrohen por jo të përdoret dhuna.

    Studentët në Serbi përmes protestave nga nëntori i 2024-ës, po kërkojnë përgjegjësi institucionale pas vdekjes së 15 personave nga shembja e çatisë në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, më 01.11.2024.

    Ndërkohë në të gjithë Serbinë është mbajtur të premten (24.01.2025) një grevë e përgjithshme, teksa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar për themelimin e “lëvizjes për popullin dhe shtetin”.

    Greva e përgjithshme ose “mosbindja e përgjithshme civile”, siç e quajnë studentët ndryshe, nënkupton ndërprerje të plotë të punës dhe të çdo aktiviteti tjetër të përditshëm, si: shkuarja në dyqane apo restorante, kinema, teatër e të tjera.

    Në mbajtjen e grevës së përgjithshme, qytetarët janë ftuar nga studentët, të cilët për më shumë se dy muaj bllokojnë fakultetet, duke kërkuar përgjegjësi penale dhe politike për vdekjen e 15 personave në Novi Sad.

    Gjatë protestave, mediat kanë raportuar se një vajzë është lënduar kur një makinë ka goditur një grup studentësh dhe qytetarësh në Novi Beograd. Ajo është dërguar në një qendër të emergjencës për trajtim mjekësor.

    Radio Evropa e Lirë ka raportuar se kërkesat e studentëve për ndalimin e bllokadave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin e 1 nëntorit 2024.

    Ata gjithashtu kërkojnë që sulmuesit e demonstruesve nëpër Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale.

    Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.

    Autoritetet në Serbi pretendojnë se në organizimin e protestave të studentëve janë të përfshira shërbimet e huaja të inteligjencës dhe se mes studentëve ka “mercenarë të huaj”.

    Sipas tyre, këtë e dëshmon fakti se bllokadat e studentëve nuk ndalen, edhe pse kërkesat e tyre janë plotësuar – gjë që hidhet poshtë nga studentët.

    Edhe gjatë adresimit në Jagodinë, Vuçiq pretendoi, pa ofruar dëshmi, se Serbia po sulmohet “nga jashtë dhe brenda”.

    Përndryshe, Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Novi Sad ka ngritur aktakuzë kundër 13 personave në lidhje me shembjen vdekjeprurëse të strehës në Stacionin Hekurudhor të qytetit.

  • Aksident trafiku në magjistralen Ferizaj-Prishtinë, lëndohen katër persona

    Një aksident trafiku ka ndodhur në magjistralen Ferizaj-Prishtinë, përkatësisht në fshatin Prelez i Muhaxherëve të Ferizajt.

    Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë Rajonale të Ferizajt njofton se të lënduar kanë mbetur katër persona.

    Aksidenti ka ndodhur rreth orës 21:00 të 26.01.2025.

    “Në aksident janë përfshirë një autobus dhe tri vetura, të gjitha me targa vendore. Në vendngjarje menjëherë kanë dalë ekipet e policisë nga Njësia e Komunikacionit Rrugor, ndërsa hetuesit e aksidenteve kanë kryer ekzaminimin e plotë të vendit të ngjarjes” – deklaroi Veseli për KALLXO.com.

    Tutje ai thotë se të lënduarit janë dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj për trajtim mjekësor.

    Automjetet e përfshira kanë pësuar dëme materiale.

    “Për të gjitha veprimet e ndërmarra nga policia, është njoftuar prokurori i shtetit” – thotë Veseli.