Ballina

Autor: Shqipron Xhema

  • Prishtina unifikon sistemin e transportit publik urban, privatët do të operojnë me çmime të njëjta si Trafiku Urban

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nga data 01.01.2025 operatorët privatë të transportit do të operojnë me të njëjtat kushte si Trafiku Urban.

    Sipas këtij njoftimi, qytetarët e Prishtinës tani kanë sistem të unifikuar të transportit publik urban, me bileta të integruara ditore, javore dhe mujore për të gjitha linjat.

    Komuna e Prishtinës ka publikuar edhe çmimin e biletave.

    Çmimet e biletave janë si më poshtë:
    • 0.50€ për një udhëtim të vetëm.
    • 0.80€ për biletën ditore (vlefshme për të gjitha linjat).
    • 4€ për biletën javore.
    • 12€ për biletën mujore për studentë.
    • 14€ për biletën mujore për punëtorë.
    Kategoritë e liruara nga pagesa për të gjitha linjat urbane janë:
    • Pensionistët
    • Policia
    • Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK)
    • Veteranët
    • Zjarrfikësit
    • Personat me aftësi të kufizuara
    • Nxënësit e shkollave fillore

  • Vdes Anton Berisha, ish-zv.ministër i Punëve të Jashtme dhe ish-ambasador i Kosovës në Slloveni

    Ka vdekur ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe ish-ambasadori i Kosovës në Slloveni, Anton Berisha.

    Njoftimin për vdekjen e Berishës e kanë bërë familjarët e tij.

    “Pas një sëmundjeje të shkurtër, u nda nga kjo jetë, duke lënë pas një boshllëk të paimagjinueshëm në zemrat tona” – thuhet në njoftim.

    Në njoftim thuhet se homazhet do të mbahen më 03.01.2025, nga ora 09:00 deri në orën 12:00, në Kishën Katolike “Shën Katarina” në Pejë.
    “Varrimi i tij do të bëhet më 03.01.2025, në orën 13:00, në varrezat katolike në Pejë” – përfundon njoftimi.

  • Presidenti Biden nderon 20 amerikanë me Medaljen Presidenciale të Qytetarisë

    Presidenti amerikan Joe Biden do t’u japë 20 amerikanëve nderimin e dytë më të lartë civil të vendit në një ceremoni që do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë të enjten.

    Në këtë grup përfshihen ligjvënësi Bennie Thompson dhe ish-ligjvënësja republikane Elizabeth Cheney, të cilët drejtuan hetimet e Kongresit për sulmin e 6 janarit të vitit 2021 në Kapitol. Sulmi i 6 janarit u bë nga një turmë e mbështetësve të zotit Donald Trump në përpjekje për të mos lejuar certifikimin e fitores së zotit Biden në zgjedhjet e vitit 2020.

    Presidenti i zgjedhur Trump, që fitoi zgjedhjet e vitit 2024 për një mandat të ri që fillon më 20 janar, ka thënë se zoti Thompson dhe zonja Cheney duhet të burgosen.

    Deklarata e Shtëpisë së Bardhë për të nderuarit e së enjtes thekson se republikania Cheney, “ngriti zërin e saj dhe u bë bashkë me palën kundërshtare në politikë për të mbrojtur vendin tonë dhe idealet mbi të cilat ne qëndrojmë: Lirinë. Dinjitetin dhe Integritetin”.

    E krijuar në vitin 1969, Medalja Presidenciale e Qytetarisë nderon shtetasit amerikanë“që kanë kryer vepra shembullore për vendin e tyre ose bashkëqytetarët e tyre”.

    “Presidenti Biden beson se këta amerikanë kanë të përbashkët integritetin dhe përkushtimin e tyre për t’u shërbyer të tjerëve. Vendi ynë është më i mirë për shkak të përkushtimit dhe sakrificës së tyre”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

    Në mesin e atyre që do të nderohen janë edhe Mary Bonauto dhe Evan Wolfson, të cilët u angazhuan për legalizimin e së drejtës për martesë mes personave të së njëjtës gjini në Shtetet e Bashkuara.

    Frank Butler është një tjetër fitues i medaljes për përpjekjet e tij për të përmirësuar teknikat e ndihmës së shpejtë për ushtarët e plagosur në fushën e betejës.

    Mitsuye Endo Tsutsumi do të nderohet për padinë e saj të suksesshme ligjore kundër burgosjes së japonezëve amerikanë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

    Presidenti Biden do të nderojë edhe zonjën Eleanor Smeal për punën e saj në udhëheqjen e protestave për të drejtat e grave dhe për paga të barabarta për gratë.

    Medalje do t’u jepen edhe ish ligjvënëses Carolyn McCarthy, si dhe një grupi ish-senatorësh: Bill Bradley, Chris Dodd, Nancy Kassebaum dhe Ted Kaufman.

    Në mesin e të nderuarve përfshihen edhe Diane Carlson Evans, themeluese e Fondacionit të Përkujtimit të Grave të Vietnamit, korrespondentin nga zonat e luftës Joseph Galloway, avokatin e të drejtave civile Louis Redding dhe fotografin Bobby Sager.

    Në këtë grup janë edhe gjykatësi Collins Seitz, themeluesi i Universitetit Fulbright të Vietnamit, Thomas Vallely, aktivisti i studimeve mbi kancerin e gjirit, Frances Visco dhe themeluesja e Fakulteti të Artit dhe Dizajnit në Savannah, Paula Wallace.
    Disa informacione për këtë artikull janë marrë nga agjencia e lajmeve ‘Associated Press’/VOA