Ballina

Autor: Shqipron Xhema

  • KPM njofton mediat me rregulloren e re për zgjedhjet – duhet të dorëzohet edhe çmimorja

    Komisioni i Pavarur i Mediave ka dalë me njoftim për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 09.02.2025. Ky institucion ka nxjerrë një rregullore për obligimet e ofruesve të shërbimeve mediale gjatë fushatës zgjedhore.

    Të gjithë ofruesit e shërbimeve mediale audio-vizuale njoftohen se gjatë fushatës dhe heshtjes zgjedhore duhet të vepronë në pajtueshmëri me legjislacionin e KPM-së.

    “OSHM-të (televizionet dhe radiot) të cilat vendosin të organizojnë programin e tyre gjatë fushatës zgjedhore do të deklarohen tek KPM nëse do të mbulojnë fushatën jo më larg se shtatë (7) ditë kalendarike para fillimit të fushatës zgjedhore (neni 6.2 i Rregullores KPM-2024/03)” – thuhet mes tjerash në njoftim.

    Tutje thuhet se këto institucione të licencuara nga KPM duhet të dorëzojnë ditarët për zgjedhjet, Ditarin A me terminet pa pagesë dhe Ditarin B me terminet me pagesë.

    “Ditarët plotësohen dhe dorëzohen në KPM të hënën e secilës javë për të raportuar për javën paraprake, sipas Nenit 11, paragrafi 3 i Rregullores KPM-2024/03” – thuhet tutje në njoftimin e KPM-së.

    Një javë para fillimit të fushatës zgjedhore, duhet që të dërgohet çmimorja e aplikuar gjatë zgjedhjeve.

  • Moti të premten

    Mot me diell dhe vranësira të dendura priten të premten, më 03.01.2025, sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.

    Mëngjesi pritet të jetë me ngrica dhe kushte për mjegull.

    Pasditja e 03.01.2025 mund të ketë vranësira të intensifikuara dhe reshje bore.

    IHMK njofton se temperaturat minimale do të jenë nga -5 deri në -2 gradë Celsius kurse maksimalet nga 3 deri në 6.

    Temperatura minimale -5 gradë Celsius pritet të jetë në Dragash kurse maksimalet pra 6 gradë Celsius pritet të jenë në Prizren, Gjakovë dhe Istog.

  • Liderët politikë shprehin ngushëllime për vdekjen e Anton Berishës

    Liderë politikë në Kosovë ka shprehur ngushëllime për vdekjen e ish-ambasadorit dhe ish-zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Anton Berisha.

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku përmes një telegrami ngushëllimi ka thënë se kontributi i Berishës në diplomaci dhe jo vetëm, do të mbetet trashëgimi për jetën politike e shoqërore.

    “Na preku thellë lajmi për humbjen e parakohshme të mikut tonë, ambasadorit, Anton Berisha” – shkroi Abdixhiku më 02.01.2025.

    Tutje ai thotë se humbja e Berishës është humbje edhe për trupën diplomatike dhe shërbimin e jashtëm të Kosovës.

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në shkrimin e tij për Berishën tha se është i prekur nga vdekja e papritur e Antonit.

    “Antoni dha kontribut të çmuar në proceset shtetndërtuese, veçanërisht në afirmimin e shtetit tonë në arenën ndërkombëtare. Ndaj dhimbjen me familjen Berisha, kolegët dhe miqtë! Antoni, u prehtë në paqe!” – shkroi Haradinaj në Facebook më 02.01.2025.

    Ngushëllime për miqve e familjarëve të të ndjerit u ka shprehur edhe i pari i AKR-së, Begjet Pacolli.

    “Sapo mora lajmin e trishtuar: paska ndërruar jetë ish-zëvendësministri i MPJ, Anton Berisha Ngushëllime me te sinqerta familjes dhe miqve të tij” – shkroi Pacolli.

    Berisha ka qenë zëvendësministr i Punëve të Jashtme dhe ambasador i Kosovës në Slloveni, Anton Berisha.

    Njoftimin për vdekjen e Berishës e kanë bërë familjarët e tij.

    “Pas një sëmundjeje të shkurtër, u nda nga kjo jetë, duke lënë pas një boshllëk të paimagjinueshëm në zemrat tona” – thuhet në njoftim.

    https://kallxo.com/lajm/vdes-anton-berisha-ish-zv-minister-i-puneve-te-jashtme-dhe-ish-ambasador-i-kosoves-ne-slloveni/

  • Aksidentohen dy automjete në Dubravë të Suharekës, lëndohen pesë persona

    Pesë persona kanë mbetur të lënduar në një aksident trafiku që ka ndodhur në fshatin Dubravë të Suharekës.

    Këtë e ka konfirmuar Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit.

    Shaqiri ka njoftuar se në këtë aksident janë përfshirë dy automjete.

    “Me datë 02.01.2025 rreth orës 16:00 është raportuar një aksident trafiku në fshatin Dubravë të Suharekës. Në aksident janë të përfshira dy automjete. Si pasojë e aksidentit janë shkaktuar dëme materiale dhe 5 persona kanë pësuar lëndime trupore” – ka thënë Bytyqi për KALLXO.com.

    Më tej ai ka thënë se Policia e trafikut kanë dalë në vendngjarje dhe kanë menaxhuar me aksidentin.

  • Largimi i bashkatdhetarëve pas festave, pritjet në pikat kufitare

    Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, janë krijuar kolona në disa pika kufitare për të dalë nga Kosova.

    Në pikën kufitare në Merdarë është krijuar kolonë 900 metra dhe pritje 110 deri 120 minuta.

    Kolona e krijuar në pikën kufitare në Dheun e Bardhë është 400 metra apo pritje deri në 50 minuta ndërsa pritja në hyrje është 20 minuta.

    Në Jarinjë kolona për dalje nga Kosova është 200 metra apo 30 deri 40 minuta sipas të dhënave të përditësuara më 02.02.2025, në ora 17:13.

    Në faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar përditëson në vazhdimësi fluksin nëpër 13 pikat e kalimit kufitar.

    Pritjet në pikat kufitare mund t’i shikoni në kohë reale KËTU.