Ballina

Autor: Shqipron Xhema

  • Ministria në Maqedoninë e Veriut, që iu referua Kosovës si “Kosovë e Metohi”, largon njoftimin

    Zëvendëskryeministri me prejardhje serbe, njëherazi edhe ministër për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Maqedoninë e Veriut, Ivan Stoilkoviq e ka tërhequr kumtesën ku Republikës së Kosovës i drejtohej me qasjen serbe, si “Kosova dhe Metohija”, e cila është në kundërshtim me Shkupin zyrtar, që e njeh pavarësinë e Kosovës që nga viti 2008 – shkruan media në Maqedoninë e Veriut, Portalb.mk.

    Zëvendëskryeministri Stoilkoviq ishte zotuar fillimisht se do të përmirësojë komunikimin zyrtar në raport me Kosovën, edhe pse personalisht për të mbetet termi “Kosova dhe Metohija”.

    Megjithatë, siç vërehet nga dita e mërkurë, më 29.01.2025, nga gjurmët në uebfaqen zyrtare të Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive shihet se kumtesa nuk është edituar, por është larguar e tëra, konkretisht nuk ka qasje në linkun ku figuronte ky njoftim.

    Nga Zyra e Zëvendëskryeministrit për Redaksinë e Portalb.mk nuk kanë sqaruar asgjë për këtë veprim, pavarësisht se janë kontaktuar disa herë.

    Kujtojmë se në një komunikatë lidhur me ngjarjen e kampit sportiv “Serbia po ju thërret” në Beograd ku morën pjesë rreth 50 fëmijë nga RMV-ja, të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Maqedoninë e Veriut, Republika e Kosovës prezantohej me emrin me të cilin i qaset shteti i Serbisë: “Kosova dhe Metohija”.

    Ky veprim i Stoilkoviqit hapi debat dhe pati reagime të shumta në opinion, nga analistët, partitë politike shqiptare në RMV. Nga Republika e Kosovës reagoi vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kurse, nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës e përcollën vetëm verbalisht indinjatën përmes Ambasadës në Shkup dhe duke u dërguar Notë autoriteteve në Maqedoninë e Veriut. Ambasada e Kosovës në Shkup dhe Qeveria e Kosovës nuk reaguan për këtë veprim, pavarësisht se Portalb.mk tentoi të marrë qëndrimin e tyre.

    Për këtë rast ka raportuar edhe KALLXO.com.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), për KALLXO.com, pati thënë se sa i përket këtij rasti kanë dërguar Notë te Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, përmes Ambasadës së Kosovës në Shkup.

    “MPJD, përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup, në lidhje me këtë rast ka komunikuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, ku është përcjellë verbalisht indinjata jonë, lidhur me një referencë të papranueshme për Republikën e Kosovës në një faqe zyrtare të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Po ashtu, Ambasada ka dorëzuar Notë, në të cilën përcillet qëndrimi i shtetit të Kosovës lidhur me këtë çështje.” – thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

    https://kallxo.com/lajm/fact-check-lajm/ministria-ne-maqedonine-e-veriut-i-referohet-kosoves-si-kosove-e-metohi-mpjd-shpreh-indinjate/

  • FSK-së i jepen në shfrytëzim 100 hektarë të Agjencisë së Pyjeve

    Qeveria e Kosovës ka vendosur që 100 hektarë pronë të Agjencisë së Pyjeve t’i jepen në shfrytëzim Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Vendimi u mor në mbledhjen e mbajtur më 31.01.2025.

    Prona është në lokacionin e Batllavës, Komuna e Podujevës, te vendi i quajtur Lumi i Surdullit dhe e evidentuar si pronë shoqërore.

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se kjo pronë do të ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve operacionale të Ushtrisë.

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në anën tjetër ka thënë se prona kërkohet me qëllim të arritjes së objektivave për investime afatgjata për interesa të veçanta në infrastrukturë.

    “Sipërfaqja e pronës që FSK merr në shfrytëzim është 100 mijë m2 apo 100 hektarë. Duke pasur parasysh rëndësinë që ka kjo pronë për zhvillimin dhe ngritjen e kapaciteteve operacionale të Ushtrisë, kërkoj aprovimin nga ju për dhënien në shfrytëzim të kësaj prone për Ministrinë e Mbrojtjes.” – ka thënë Maqedonci në mbledhjen e Qeverisë.

    Ky Vendim u miratua me vota unanime në Qeveri.

    Në vitin e fundit të mandatit katërvjeçar “Qeveria Kurti 2” i ka ndarë 202.8 milionë euro për Forcën e Sigurisë së Kosovës, në kuadër të Ligjit për Buxhetin. Këto mjete u planifikuan për t’u shpenzuar për vitin 2025, me qëllim që Ushtria t’i kryejë detyrat me efikasitet të plotë.

  • Qeveria ndan mbi 2.6 milionë euro për specializantët e Mjekësisë nga Kosova, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi

    Qeveria e Kosovës ka miratuar Kërkesën për pagesë të 224 specializantëve me vetëfinancim, në vlerë prej 2.3 milionë euro, për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2025.

    Miratimi i Vendimit për ndarjen e këtyre mjeteve është bërë me propozim të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

    “Që të lehtësohet shkollimi i specializantëve, propozojmë pagesën e 2.3 milionëve për këta specializantë për periudhën janar-dhjetor 2025.” – deklaroi Vitia.

    Ai theksoi se është “punuar që të rritet numri i mjekëve” dhe se kjo masë do të ndikojë që të mbahen kuadrot shëndetësorë në Kosovë. Kjo sipas tij u mundëson edhe qytetarëve qasje më të lehtë dhe më cilësore në shërbimet shëndetësore.

    Tutje, Qeveria miratoi edhe Vendimin për pagesën e 30 specializantëve nga Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi, në shumën prej 316 mijë euro.

    Kryeministri Kurti tha me këtë rast se Qeveria e Kosovës ka “përkushtim për bashkatdhetarët”.

    “Mjekë tanë janë edhe bashkatdhetarët nga Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi. Për Luginën nuk mjafton vetëm rritje e buxhetit me nga 1 milion euro vit pas viti, por po përkujdesemi që kategori e profesione të ndryshme t’i përkrahim sipas mundësive e krahas edhe nevojës. Andaj, po e vazhdojmë mbështetjen edhe për 30 specializantë që vijnë nga vendet e rajonit, në vlerë prej 316 mijë euro – duke përfshirë pra specializantët nga Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi.” – ka deklaruar Kurti.

    Ndërsa, ministri Vitia tha se shkollimi specialistik për shqiptarët nga vendet e tjera lejohet me Vendim të Ministrisë së Shëndetësisë.

    “MSH ka pasur shumë takime me këta specializantë, për sfidat e tyre gjatë procesit të specializimit. Propozoj pagesën e 30 specializantëve me vetëfinancim, në shumë prej 316 mijë euro, nga data 01.01.2025 deri më 31.12.2025.” – deklaroi Vitia.

    Këto Vendime u morën gjatë mbledhjes së Qeverisë së mbajtur të premten, më 31.01.2025.

  • Qeveria e Kosovës ndan gjysmëmilioni euro për palestinezët në Gazë

    Qeveria e Kosovës, gjatë mbledhjes së mbajtur më 31.01.2025, ka miratuar ndarjen e 500 mijë eurove për Gazën.

    Kjo ndarje e mjeteve u bë me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se populli palestinez ka nevojë për mbështetje humanitare, si pasojë e luftës atje.

    “Qeveria do të ndajë gjysmëmilioni euro për ndihmë humanitare për qytetarët në Gazë. Në mënyrë që të mbijetojnë dhe të rindërtojnë vendin e tyre, ata kanë nevojë për ndihmë nga vendet e tjera.” – deklaroi Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë.

    Kryeministri Kurti bëri thirrje që armëpushimi aktual në Gazë të shfrytëzohet për arritje të paqes së qëndrueshme.

    Gëzimi i mijëra familjeve palestineze që u kthyen në shtëpi në Gazën veriore, pas armëpushimit me Izraelin, po kthehet në dëshpërim, teksa po përballen me realitetin e shtëpive të ftohta, të pabanueshme, të bombarduara, si dhe me mungesa të ashpra të ushqimeve – raporton Agjencia e lajmeve Reuters.

    Shumë prej tyre, sipas kësaj Agjencie, kanë nisur të ankohen për mungesën e ujit të rrjedhshëm – duke u detyruar të presin në radhë për orë të tëra për të mbushur enët plastike, sa për pirje a pastrim. Me shumicën e shtëpive që tani janë kthyer me rrënoja, aq sa syri mund të shohë, të kthyerit kanë pastruar çdo send të dobishëm që ka mbetur nga pronat e tyre, për të ngritur tenda të improvizuara.

    Marrëveshja për paqe mes Izraelit dhe Hamasit është arritur më 15.01.2025. Kjo Marrëveshje përfshin edhe lirimin e pengjeve të  marra nga Hamasi dhe lirimin e shumë të burgosurve palestinezë të cilët mbahen në burgjet izraelite.

    Më  07.01. 2023, Hamasi ndërmori një sulm vdekjeprurës në Izrael, duke vrarë 1.200 njerëz, kryesisht civilë dhe u rrëmbyen 250 persona.

    Izraeli u kundërpërgjigj me sulme të ashpra, duke shkaktuar mbi 46.000 palestinezë të vrarë dhe shkatërrime të madha në Gazë.

  • Dronë, helikopterë e “mbrojtje të mençur”: Planet e partive për sektorin e Sigurisë dhe Mbrojtjes

    Dronë e antidronë, helikopterë e municione, ngritje kazermash e “mbrojtje të mençur”, trajnime, digjitalizim e Vetting. Kush më shumë e kush më pak, secila prej partive dhe secili Koalicion që garon në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, premton investime në fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes.

    Gjatë fushatës zgjedhore që ka filluar më 11.01.2025, Lëvizja Vetëvendosje e cila po synon të fitojë Zgjedhjet dhe ta mbajë pushtetin edhe për një mandat katërvjecar ka premtuar për Policinë dhe institucionet e Sigurisë pajisje të specializuara dhe bashkëkohore, armatim adekuat, si dhe shkollim dhe trajnim të duhur.

    “Do të avancojmë Njësinë e Dronëve dhe Antidronëve për të forcuar mbikëqyrjen dhe gatishmërinë për t’u përballur me format e reja të rreziqeve të sigurisë – duke ndihmuar në hetime, mbrojtje dhe mbikëqyrje të kufirit, si dhe në rritjen e sigurisë publike në përgjithësi.” – thuhet në Programin e kësaj partie.

    Kufijtë sipas LVV-së do të jenë të sigurt dhe do të menaxhohen me teknologjitë më të avancuara. Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit thuhet se do të modernizohet për të garantuar siguri dhe për të lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe njerëzve e për të parandaluar aktivitetet kriminale.

    Për t’i përmbushur objektivat në këtë sektor, LVV premton një buxhet prej mbi 1 miliard eurosh në katër vjetët e ardhshme për Ushtrinë.

    Kjo parti zotohet edhe për funksionalizimin e Fabrikës së Municioneve dhe zhvillimin e industrisë ushtarake të Kosovës.

    Dronët ushtarakë ‘Made in Kosova’ janë premtim tjetër i LVV-së.

    1 mijë gra e vajza synohen që të rekrutohen si ushtarake.

    Një Njësi e Përbashkët me Forcat Ushtarake të Shqipërisë është synim tjetër i kësaj partie, e cila po ashtu synon fuqizimin e Ushtrisë me blerje të armatimit, stërvitjes dhe edukimit brenda vendit në bashkëpunim me vendet partnere.

    Programi i Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse do të zbatohet sipas tyre në tërë vendin, si dhe rezervistët do të kenë armatim dhe trajnim adekuat në rast të mobilizimit.

    Zotimet për digjitalizim të sektorit të Sigurisë

    Partia Demokratike e Kosovës e cila në këto Zgjedhje garon me Bedri Hamzën si kandidat për Kryeministër premton një kornizë gjithëpërfshirëse sigurie, që integron mbrojtjen kombëtare, sigurinë publike dhe parimet e sigurisë njerëzore.

    “Duke përqafuar teknologjitë më të fundit dhe strategjitë vizionare, ne do t’i adresojmë kërcënimet dhe sfidat e reja me masa inovative dhe adaptive që garantojnë sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve. Do ta digjitalizojmë mbarë sektorin e Sigurisë kombëtare dhe Mbrojtjes – duke integruar edhe Inteligjencën Artificiale për t’i rritur kapacitetet për vlerësimin e kërcënimeve në kohë reale dhe planifikimin efikas.” – thuhet në mes të tjerash në Programin zgjedhor të kësaj partie.

    Për planet e PDK-së për investime në Siguri dhe Mbrojtje ka folur në “Debat Përnime” Besa Kabashi-Ramaj.

    “Ne e parashohim që për ngritje të nivelit të mbrojtjes nga kërcënimet e jashtme dhe të brendshme të krijojmë pesë Regjimente, siç kemi planifikuar me partnerët tanë strategjikë SHBA-në dhe NATO-n.” – ka thënë ajo.

    Në lidhje me emergjencat civile, Kabashi-Ramaj ka thënë se PDK parasheh edhe ngritjen e Njësitit të Helikopterëve.

    PDK premton po ashtu investime dhe modernizime në infrastrukturën ushtarake, si dhe ngritjen e Gardës Kombëtare me strukturat e parapara dhe sigurimin e gatishmërisë së tyre.

    “Garda Kombëtare do të rritë gatishmërinë civile të Kosovës, duke bashkuar sektorët ushtarakë dhe civilë për t’iu përgjigjur më mirë kërcënimeve të jashtme dhe emergjencave të brendshme.” – thuhet tutje në këtë Program.

    Sigurim të plotë shëndetësor dhe jetësor për anëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policisë, AKI-së dhe zjarrfikësve është zotimi tjetër i dhënë nga PDK.

    “Do ta rrisim sigurinë publike, duke ristrukturuar Policinë bazuar në të dhënat e popullsisë dhe krimit, si dhe duke investuar në iniciativa për ngritjen e kapaciteteve. Nëpërmjet policimit në komunitet do të ndërtojmë besim dhe do ta nxisim ndërveprimin e rregullt midis Policisë dhe komuniteteve – duke inkurajuar bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit.” – premton PDK-ja.

    “Mbrojtja e mençur”

    Lidhja Demokratike e Kosovës në anën tjetër synon rritjen e partneritetit me NATO-n.

    Buxhetin për Ushtrinë e Kosovës LDK e planifikon përmes rritjes së tij në 2% të Bruto Produktit Vendor.

    Kjo parti planifikon edhe ristrukturimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    “Përbërja e Forcës në planin tonë parashihet të jetë me 6000 pjesëtarë aktivë (sot janë 4000 sosh), 3000 rezervë aktive dhe 20000 rezervë e përgjithshme.” – thuhet në Programin zgjedhor të LDK-së.

    Në kuadër të këtij Programi parashihet edhe edukimi dhe stërvitja e nxënësve të Shkollave të Mesme në fushën e Mbrojtjes.

    LDK premton ndërtimin e katër kazermave ushtarake për FSK-në.

    “Do të riorganizohen Kazermat aktuale, duke ia përshtatur misionit të FSK-së dhe do të rrisim numrin e Kazermave për 4 sosh në regjione të ndryshme të Kosovës. Në Prizren (ish-Kazerma e kontingjentit Gjerman të KFOR-it); në Gjinoc të Suharekës (Kazerma aktuale e KFOR-it); në Gjakovë (Aeroporti i Gjakovës) dhe në Podujevë. Shuma e gjithmbarshme e investimeve në këtë projekt, pra në përditësimin e Kazermave të tanishme dhe në ndërtimin e 4 Kazermave të reja do të jetë rreth 60 milionë euro.” – premton LDK.

    Krahas kësaj LDK planifikon edhe ndërtim të vendbanimeve për personelin ushtarak – duke ndërtuar lagje ushtarake, që do të jetë në shërbim të personelit ushtarak dhe familjeve të tyre.

    LDK parasheh Programe që pas pensionimit të pjesëtarëve të FSK-së, ata të integrohen në jetën civile.

    “Këtë do ta arrijë përmes: a) profilizimit dhe trajnimit të pjesëtarëve të FSK-së në fusha të veçanta dhe zhvillimin e tyre në fushat respektive gjatë karrierës ushtarake; b) ndryshimet ligjore që u mundësojnë pjesëtarëve të FSK-së angazhimin në të gjitha fushat e jetës publike – përfshirë edhe në FSK-në (si civil), e sidomos në fushën akademike dhe doktrinore edhe pas pensionimit.” – thuhet tutje në Programin e LDK-së.

    Kjo parti parasheh edhe konceptin “Smart Defence” që parasheh ndihmë reciproke në mes të aleatëve dhe partnerëve në shumë drejtime të fushës së Sigurisë dhe Mbrojtjes.

    “Në marrëveshje me fqinjët e me shtetet mike do të zhvillojmë projekte ‘Smart Defence’. Me Shqipërinë mundet me u arrit Marrëveshja që certifikimi i pilotëve për helikopterë të bëhet në Qendrën e saj simulative. Kurse, mirëmbajtja e automjeteve taktike të prodhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të bëhet në Kosovë. Me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, me Kroacinë munden me u arritë Marrëveshje të përbashkëta për kontrollin e hapësirës ajrore.” – ka thënë Anton Quni në “Debat Përnime”.

    LDK parasheh edhe ngritjen e kapaciteteve për operacione ndërkombëtare – duke krijuar një Njësi Batalion të kombinuar për këto operacione. Kjo Njësi pritet të ketë jetëgjatësi 4-vjeçare, me rotacion. Ky aktivitet sipas LDK-së ka vlerësim fillestar prej rreth 12 milionë eurosh.

    “Direkt në NATO”

    Koalicioni AAK-NISMA-Intelektualët-Konservatorët si premtim kryesor për mbrojtjen e kanë anëtarësimin direkt në NATO.

    Ky anëtarësim pritet të bëhet përmes tri aspekteve kryesore: atij politik, ushtarak dhe ekonomik.

    “Politik: Forcimi i marrëdhënieve me institucionet euroatlantike; përmbushja e obligimeve në Dialog; konsolidimi i demokracisë në Kosovë; përmirësimi i marrëdhënieve me fqinjët. Ushtarak: Ngritja e kapaciteteve luftarake të Ushtrisë së Kosovës; zhvillimi i industrisë mbrojtëse; prodhimi i municioneve dhe pajisjeve të tjera ushtarake; përmirësimi i infrastrukturës ushtarake dhe mbrojtëse civile; rritja e kontributit të Kosovës në angazhimet e NATO-s. Ekonomik: Aktivizimi i resurseve të Kosovës për partneritet ekonomik me vendet e Aleancës.” – thuhet mes të tjerash në Programin e këtij Koalicioni.

    Sipas këtij Koalicioni anëtarësimi do të sjellë edhe zhvillim ekonomik, duke rritur vlerën e resurseve dhe potencialeve të vendit, si dhe do të inkurajojë investitorët e brendshëm dhe të jashtëm.

    “Ne e kemi në Programin tonë edhe sloganin i cili është ‘Direkt në NATO’. Dhe, qëllimisht e kemi bërë këtë, sepse konsiderojmë që pa siguri nuk ka asnjë zhvillim tjetër, që mund të jetë efikas për qytetarët e Kosovës dhe për vendin tonë.” – ka thënë në “Debat Përnime”, kandidati për Deputet nga AAK-ja, Ahmet Isufi.

    Koalicioni për Familjen në anën tjetër premton modernizimin e institucioneve të Sigurisë, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, si dhe përmirësimin e kushteve të jetesës dhe punës për të gjithë ata që kontribuojnë në fushën e Sigurisë.

    Ky Koalicion thotë se fokus do të ketë në intensifikimin e bashkëpunimit mes institucioneve të Sigurisë për të rritur kapacitetet e tyre.

    “Mbikëqyrja, ndërkaq, do të jetë sistematike dhe rigoroze, duke iu dhënë përparësi trajnimeve të rregullta e të avancuara, përmes bashkëpunimit e binjakëzimit me forcat policore dhe institucione të tjera të Sigurisë të shteteve të zhvilluara, që kanë standarde të larta dhe praktika të suksesshme.” – thuhet mes të tjerash në Programin e këtij Koalicioni.

    Reformimi i Policisë

    Koalicioni për Familjen premton edhe reformimin e Policisë së Kosovës.

    “Reforma në Policinë e Kosovës do të fillojë prej Vetting-ut, përkatësisht hetimit të së kaluarës për të gjithë pa përjashtim. Sipas Ligjit dihet se cilat pozita duhet t’i nënshtrohen këtij procesi. Dhe, në të njëjtën kohë, sigurimi jetësor. Ligji është në proces, andaj edhe këtë çështje do ta adresojmë dhe do angazhohemi që ky Ligj të kalojë.” – ka deklaruar në “Debat Përnime” kandidati për Deputet nga Koalicioni për Familjen, Bejtush Gashi.

    Programi i këtij Koalicioni sa i përket Policisë përfshin rritjen e pagave, përmirësimin e kushteve të punës, digjitalizimin e shërbimeve dhe zhvillimin e strukturave organizative për një reagim më të shpejtë dhe efikas.

    FSK-ja sipas Koalicionit për Familjen po ashtu do të transformohet përmes trajnimeve dhe investimeve në pajisje dhe në infrastrukturë.

    Gjithashtu parashihet rritja e integritetit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Kjo përmes garantimit të buxhetit dhe zhvillimit të kapaciteteve teknologjike për të luftuar kërcënimet kibernetike e terroriste.

    Tutje, ky Koalicion parasheh edhe zhvillimin e industrisë private të Sigurisë.

    “Kjo do të përfshijë licensimin e Kompanive të Sigurisë private dhe krijimin e kuadrit ligjor që do të sigurojë që këto Kompani të operojnë në përputhje me standardet etike e profesionale.” – thuhet tutje.

    Koalicioni për Familjen parasheh edhe krijimin e ekipeve të specializuara për siguri që monitorojnë dhe menaxhojnë rreziqet në kohë reale, si dhe investime në infrastrukturë të re dhe rezistente.

    Strategjia e Sigurisë

    Përmirësimi i sigurisë dhe mbrojtjes së vendit parashihet edhe në Strategjinë e Sigurisë së Kosovës 2022-2027.

    Në këtë Strategji parashihet riorganizimi i Policisë së Kosovës.

    “Do të rishikojë organizimin e saj të brendshëm, për të shfrytëzuar burimet njerëzore në mënyrë sa më efikase për të kryer detyrat e rregullta, të veçanta dhe të specializuara policore. Do të themelohet Policia Rezervë, e cila do të mund të angazhohet për ta ndihmuar Policinë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, në rrethana të jashtëzakonshme ose urgjente. Në Policinë e Kosovës do të investohet vazhdimisht në ngritjen dhe në zhvillimin e kapaciteteve, në furnizimin me pajisje të nevojshme për të kryer detyrat e saj operacionale, si dhe në kontrollimin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror.” – thuhet mes të tjerash në këtë Strategji.

    Në këtë Strategji flitet edhe për ngritjen e kapaciteteve të FSK-së, për synimin drejt anëtarësimit në NATO.

    “FSK vazhdon të ngritë dhe të zhvillojë aftësitë dhe kapacitetet luftarake për mbrojtjen e territorit, të mirëmbajë dhe të zhvillojë kapacitetet për mbështetje ushtarake për autoritetet civile, si dhe të kontribuojë në siguri përmes pjesëmarrjes në misione ushtarake jashtë vendit. FSK-ja zhvillon doktrinën, standardet dhe kapacitetet në linjë me ato të NATO-së dhe do të shtojë aktivitetet trajnuese dhe stërvitjet e përbashkëta me vendet e NATO-së, me qëllim të aftësimit për ndërveprim me forcat e armatosura të tyre.” – thuhet në Strategji.

    Në Strategji përmendet edhe synimi i Kosovës që të rritë buxhetin për mbrojtje në 2% të Bruto Produktit Vendor.

    “Republika e Kosovës do të vlerësojë mundësinë për zhvillimin e modeleve të përshtatshme të forcave rezerviste, si dhe atë të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, sipas praktikave bashkëkohore të shteteve perëndimore, në përputhje me rrethanat, kushtet dhe burimet vendore.” – thuhet po ashtu në këtë Strategji.

    Sipas Ligjit të Buxhetit Policia e Kosovës për vitin 2025 ka buxhet prej 152 milionë e 624 mijë e 469 euro.

    Bazuar në të njëjtin Ligj, buxheti për vitin 2025 për Forcën e Sigurisë së Kosovës është 202 milionë e 828 mijë e 715 euro, kurse i përgjithshmi për Ministrinë e Mbrojtjes ku hyn edhe FSK-ja është 207 milionë e 875 mijë e 243.