Ballina

Autor: Naser Sertolli

  • Qeveria e përkohshme siriane do t’i rrisë 400% pagat në sektorin publik

    Ministri i Financave në Siri, Mohammed Abazeed, ka thënë të dielën se Qeveria e përkohshme do t’i rrisë pagat për 400 për qind në sektorin publik në muajin tjetër, pas kompletimit të ristrukturimeve nëpër ministri, me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe llogaridhënies.

    Kjo rritje, që besohet se do të kushtojë 127 milionë dollarë, do të financohet nga burimet ekzistuese shtetërore, si dhe një kombinim i ndihmës rajonale, investimeve të reja, dhe përpjekjeve për të pasur qasje sërish në asetet siriane të ngrira jashtë shtetit.

    “Ky është hapi i parë drejt zgjidhjeve emergjente në realitetin ekonomik aktual në shtetin tonë”, ka thënë Abazeed, për agjencinë e lajmeve Reuters.

    Ai ka thënë se pagat e këtij muaji do të dalin javën që vjen.

    Qeveria e përkohshme e Sirisë, në krye me liderin de facto, Ahmed al-Sharaa, është krijuar pas rrëzimit të regjimit brutal të Bashar al-Assadit, i cili ka qenë me dekada në pushtet.

    Regjimi i Assadit është rrëzuar nga grupi Tahrir al-Sham (HTS), pasi gati 14 vjetësh luftë civile, si pasojë e së cilës janë vrarë mbi 500.000 njerëz dhe janë zhvendosur miliona tjerë.

    HTS është organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Assadi dhe familja e tij janë në Rusi, pas azilit që u është miratuar direkt prej presidentit rus, Vladimir Putin./REL

  • Vdes ish-kryeministri grek Kostas Simitis

    Ish-kryeministri grek Kostas Simitis, i cili udhëhoqi vendin në procesin e kalimit tek monedha e përbashkët e Bashkimit Evropian euro në vitin 2001, vdiq të dielën në moshën 88-vjeçare në shtëpinë e tij verore në Peloponez.

    Zoti Simitis, një profesor i së drejtës dhe reformist, mori drejtimin e partisë socialiste PASOK në vitin 1996 dhe ishte kryeministër deri në vitin 2004.

    “Me trishtim dhe respekt, i jap lamtumirën Kostas Simitisit, një kundërshtar politik i denjë dhe fisnik, por edhe kryeministri që drejtoi Greqinë përmes zhvillimeve të mëdha kombëtare”, tha në një deklaratë kryeministri konservator grek, Kyriakos Mitsotakis.

    Qeveria shpalli katër ditë zie dhe njoftoi për një varrim shtetëror për të.

    Zoti Simitis ishte vlerësuar për reduktimin e shpenzimeve të tepërta të qeverisë, por kritikët thonë se ai nuk bëri sa ç’duhet për të luftuar në korrupsionin.

    Ish-kryeministri kishte qenë në rezidencën e tij verore pranë Athinës në Peloponez ditët e fundit. Ai u transferua pa ndjenja në spital herët në mëngjes ku u konfirmua vdekja e tij, tha drejtori i spitalit të Korinthit për mediat lokale.

    Ai la pas gruan dhe dy vajzat e tij.

    Gjatë qeverisjes së tij, zoti Simitis uli deficitin buxhetor dhe borxhin publik duke mundësuar kualifikimin e Athinës për t’u bërë pjesë e anëtarësimit në eurozonë.

    Në vitin 2012, tre vjet pasi shpërtheu kriza greke e borxhit, ai botoi një libër që kritikonte trajtimin e krizës nga politikanët grekë dhe të BE-së. Në një libër me këtë temë, ai akuzoi gjithashtu Komisionin Evropian se kishte mbyllur një sy ndaj shpenzimeve të tepërta nga pasardhësi i tij konservator./VOA

  • Serbia shqyrton mundësi për furnizimet me naftë e gaz pas sanksioneve të supozuara amerikane

    Qeveria e Serbisë e ka miratuar një vendim për themelim të një trupi koordinues për t’i garantuar furnizimet me gaz dhe naftë, pas vendosjes së sanksioneve potenciale amerikane në Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS), për shkak të pronësisë ruse.

    Në deklaratë është thënë se ky trup do të drejtojë dhe koordinojë punën dhe aktivitetet e grupeve punuese – njërit që vëzhgon aktivitetet e Thesarit amerikan, dhe tjetrit për negociata dhe marrëveshje për furnizimin e Serbisë me gaz natyror të Rusisë.

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i ka thënë Televizionit publik të Serbisë, RTS se pret që SHBA-ja t’i vendosë sanksione NIS-it më 10 apo 13 janar.

    Kompania shtetërore ruse, Gazprom Neft dhe kompania e saj amë, Gazprom kanë shumicën e aksioneve të NIS-it, 56.15 për qind, prej vitit 2008, ndërsa 29.87 për qind e kompanisë është nën pronësi të shtetit të Serbisë.

    Më 4 janar, Vuçiq ka thënë se nënsekretari amerikan për Rritje Ekonomike, Energji dhe Ambient, Jose Fernanez, i ka konfirmuar që SHBA-ja do t’i vendosë sanksionet NIS-it.

    Departamenti amerikan i Shtetit i ka thënë Radios Evropa e Lirë më 16 dhjetor se nuk konfirmon sanksionet, por “është i përkushtuar të pengojë gjenerimin e të hyrave të Rusisë, si dhe rrjetet e financimit që përdor Rusia për të mbështetur luftën kundër Ukrainës”.

    Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill ka thënë për RTS-në më 23 dhjetor se nuk është në dijeni për vendosje sanksionesh.

    Megjithatë, sipas tij, “ekzistojnë shqetësime” nëse NIS-i në duart ruse është duke ndihmuar disi në financim të luftës së Moskës në Ukrainë, dhe që këto çështje duhet të analizohen me kujdes.

    Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara e kanë futur Gazprom Neftin në listë të zezë më 2014, pasi Rusia pati aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë.

    Gazprom, ndërkaq, nuk është në listën e sanksioneve të Perëndimit.

    Pavarësisht përpjekjeve për t’i diversifikuar burimet e funrizimit – pas nisjes së luftës në Ukrainë – Serbia vazhdon të varet në masë të madhe nga burimet ruse të energjisë, dhe kjo varësi ka qenë një prej argumenteve kryesore të Beogradit zyrtar për të mos vendosur sanksione ndaj Moskës, me gjithë insistimin e Perëndimit./REL