Ballina

Autor: Naser Sertolli

  • Parashikimi i motit për javën e ardhshme

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paraparë që moti gjatë javës së ardhshme do të jetë stabil, me temperatura minimale që do të qëndrojnë nën zero, e me temperatura maksimale që do të arrijnë në 8 gradë celsius.

    Gjatë këtyre ditëve do të ketë ngrica, intervale me diell, vranësira, e riga shiu.

    Ky është moti për secilën ditë të javës sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës:

    E hënë, 20 janar 2025: Moti do të jetë kryesisht i qetë. Në viset e larta me rreze dielli, ndërsa në viset e ulëta kryesisht me mjegull dhe ngrica. Temperaturat minimale do të luhaten ndërmjet -5°C dhe -1°C, ndërsa maksimalet nga 2°C deri në 7°C . Do të fryjë erë nga verilindja me shpejtësi 1-2 m/s.

    E martë, 21 janar 2025: Moti mbetet kryesisht i vranët. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -5°C dhe -2°C, ndërsa ato maksimale do të variojnë nga 2°C deri në 6°C. Era do të jetë e lehtë nga drejtimi i verilindjes.

    E mërkurë, 22 janar 2025: Moti do të jetë kryesisht i vranët dhe me kushte për riga shiu. Temperaturat minimale priten të zbresin ndërmjet -3°C dhe -1°C, ndërsa maksimalet do të jenë nga 3°C deri në 5°C. Do të fryjë erë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-4m/s.

    E enjte, 23 janar 2025: Parashikohet mot i vranët, por me intervale të shkurtra me diell. Në mëngjes kushte për mjegull dhe ngrica. Temperaturat minimale do të lëvizin nga -3°C deri në -1°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 6°C deri në 8°C. Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1-4 m/s.

    E premte, 24 janar 2025: Moti do të jetë i vranët dhe me periudha të shkurtra me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin nga -2°C deri në 0°C, ndërsa maksimalet nga 5°C deri në 8°C. Do të fryjë erë e lehtë nga verilindja, me shpejtësi 1-2 m/s.

  • BE thirrje Malit të Zi të intensifikojë përpjekjet për të mbyllur kapitujt e negociatave deri në vitin 2026

    Komisioneria evropiane për Zgjerim, Marta Kos tha të enjten në Podgoricë, gjatë takimit me kryeministrin e Malit të Zi Milojko Spajiç, se “inkurajon Malin e Zi që të punojë edhe më shumë nëse dëshiron të mbyllë kapitujt e negociatave me BE-në deri në vitin 2026”.

    Ajo theksoi se “Mali i Zi ka mundësi t’i përfundojë negociatat gjatë mandatit të saj dhe se presidenti malazez Jakov Milatoviç dhe kryeministri Milojko Spajiç kanë konfirmuar se qytetarët e duan një gjë të tillë”.

    Zonja Kos tha se të gjithë aktorët politikë duhet të punojnë në përputhje me dëshirat e qytetarëve për hyrjen në BE.

    “Zgjerimi duhet të përfshijë të gjitha shtresat e shoqërisë, institucionet,” tha ajo.

    “Mali i Zi ka një mundësi historike dhe nuk ka kohë për të humbur. Unë kam besim tek ju që të më bëni krenar,” tha Komisionerja për Zgjerimin.

    Zonja Kos tha se mënyra më e mirë për të ecur përpara është përfshirja e opozitës dhe mbështetja e reformave dhe shtoi se duhet kuptuar gjithashtu se parlamenti është një vend për të diskutuar dallimet.

    “Pres që shumica në parlament të mbështesë reformat”, tha zonja Kos.

    Marta Kos shprehu ngushëllimet e saj për familjet e të vrarëve në tragjedinë në Cetinë me 1 janar dhe u uroi shërim të shpejtë të plagosurve.

    Kryeministri malazez Milojko Spajiç tha se vizita e Komisioneres Evropiane për Zgjerim, Marta Kos është një detyrim i madh për Malin e Zi të punojë edhe më shumë.

    “Është një nder i madh dhe një detyrim i madh për ne që t’i mbyllim kapitujt deri në vitin 2026. Ne duhet të fokusohemi në reformat që kërkojnë dhe kërkojnë një kompromis midis qeverisë dhe opozitës,” tha zoti Spajiç.

    Mali i Zi është vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që Marta Kos viziton në cilësinë e saj si Komisionere për Zgjerimin.

    Mali i Zi ka bërë përparimin më të madh në procesin e anëtarësimit në Ballkanin Perëndimor dhe shihet si anëtari i parë i ardhshëm i BE-së.

    Pas një vlerësimi pozitiv të standardeve kalimtare në fushat e shtetit të së drejtës, vendi ka dalë nga një ngërç shumëvjeçar në negociatat e anëtarësimit dhe po punon për të mbyllur të gjithë kapitujt në procesin e anëtarësimit./VOA

  • Netanyahu akuzon Hamasin se është tërhequr nga disa pjesë të marrëveshjes së armëpushimit

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu akuzoi sot Hamasin se ishte tërhequr nga disa pjesë të marrëveshjes së armëpushimit në Gazë dhe tha se kabineti i tij nuk do të mblidhet për të dhënë miratimin e nevojshëm derisa grupi militant të pranojë të gjithë elementët e marrëveshjes.

    Përmes një deklarate, zyra e kryeministrit Netanyahu tha se Hamasi po përpiqej të “siguronte lëshime të minutës së fundit”.

    Hamasi është shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe vende të tjera perëndimore.

    Armëpushimi me disa faza, që u njoftua të mërkurën pas negociatave për muaj të tërë, do të hyjë në fuqi të dielën nëse marrëveshja miratohet plotësisht.

    Ndërkohë sulmet izraelite në Rripin e Gazës kanë vrarë të paktën 72 vetë që kur u njoftua marrëveshja, sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore në Gazë. Palestinezët atje njoftuan për sulme të ashpra gjatë natës ndërsa banorët po festonin arritjen e marrëveshjes.

    Agjencitë e OKB-së thanë se janë gati të dërgojnë ndihma humanitare në rajon. Sipas Kombeve të Bashkuara të paktën 1.9 milionë nga 2.3 milionë banorët e Rripit të Gazës janë zhvendosur dhe 92 për qind e banesave janë shkatërruar.

    Presidenti izraelit Isaac Herzog ofroi mbështetjen e tij të fortë për armëpushimin pas shpalljes së marrëveshjes të mërkurën.

    Por një nga kundërshtarët kryesorë të marrëveshjes në qeveri, ministri i Financave Bezalel Smotrich, e cilësoi atë “një marrëveshje të keqe dhe të rrezikshme për sigurinë kombëtare të shtetit të Izraelit”./VOA

  • Fico e fton Zelenskyn për bisedime për transitin e gazit

    Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, e ka ftuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për bisedime për transitin e gazit, në mes të mosmarrëveshjeve lidhur me vendimin e Kievit për të ndalur dërgesat me gazin rus.

    Ukraina ndërpreu dërgesat e gazit për në Evropë në fillim të vitit, pas përfundimit të një marrëveshjeje për transit mes Kievit dhe Moskës. Me këtë vendim, Kievi po synon të ndalë të ardhurat nga energjia që Moska i përdor për të financuar pushtimin e Ukrainës, që ka nisur gati tre vjet më parë.

    Fico tha se vendimi ka ndikuar te Sllovakia, që gjendet në kufi me Ukrainën, përmes çmimeve më të larta të gazit dhe humbjes së tarifave për dërgimin e gazit më tej në Evropë. Ai tha se synon që të rinisin dërgesat.

    Fico tha në një letër të hapur drejtuar Zelenskyt, e cila u publikua nga zyra e tij, se një takim që do të mund të mbahej në Sllovaki pranë kufirit me Ukrainën dhe në të do të mund të diskutohej për zgjidhjet teknike për këtë çështje.

    “Një takim i tillë do të krijonte bazë të mirë për një diskutim të hapur lidhur me furnizimet me gaz për Sllovakinë dhe shtetet e tjera përmes territorit ukrainas”, tha Fico.

    Fico në të kaluarën ka thënë se është afër arritja e një marrëveshjeje që do të mundësonte vazhdimin e dërgesave të gazit përmes Ukrainës, duke ndryshuar paraprakisht pronësinë e gazit.

    Por, ai ka deklaruar se Zelensky kishte refuzuar zgjatjen e afatit për dërgesat e gazit përmes Ukrainës gjatë një samiti të Bashkimit Evropian të mbajtur dhjetorin e vitit të kaluar.

    Fico ka argumentuar se Evropa ka humbur miliarda euro nga rritja e çmimeve të gazit, që u shkaktuan nga mungesa e rreth 13.5 miliardë metra kub gaz që kaloi përmes Ukrainës vitin e kaluar, përfshirë 3 miliardë metra kub për konsum në Sllovaki./REL

  • Shefi i NATO-s pret që zgjedhjet në Kosovë të mos ndikojnë në destabilizim të situatës

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se aleanca ushtarake perëndimore është në kontakt me Kosovën dhe Serbinë që të sigurohet që të mos ketë destabilizim në Kosovë gjatë zgjedhjeve parlamentare.

    Rutte e ka quajtur situatën në Bosnje e Hercegovinë dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë si çështje kyçë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Këto deklarata ai i bëri më 13 janar gjatë një debati që u zhvillua në Komisionin për Politikë të Jashtme dhe Mbrojtjes në Parlamentin Evropian në Bruksel.

    “Natyrisht, i kemi disa shqetësime atje, sidomos për situatën në Bosnje e Hercegovinë, por edhe raportet mes Serbisë dhe Kosovës”, tha shefi i NATO-s.

    Ai shtoi se aleanca nuk do të lejojë të ketë ndonjë vakum të sigurisë, as në Bosnje e Hercegovinë, e as diku tjetër në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    “Gjithsesi, ne jemi në kontakt me Kosovën, por edhe me Serbinë, për të siguruar që zgjedhjet që do të zhvillohen më vonë në Kosovë në shkurt të mos çojnë deri te destabilizimi. Kjo është kyç. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor ne vërtetë duhet të mbetemi të angazhuar për së afërmi sepse është një fqinjësi kryesore për ne”, tha Rutte.

    Kosova do të mbajë zgjedhje të rregullta parlamentare më 9 shkurt.

    Mbajtja e votimeve po bëhet në kohën kur në dy vjetët e fundit tensionet kanë qenë të larta në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.

    Në shtator të vitit 2023, në veri të Kosovës një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter. Gjatë këmbimit të zjarrit që pasoi në Banjskë të Zveçanit, u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Përgjegjsinë për sulmin, që Kosova e konsideron terrorist, e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

    Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.

    Ndërkaq, në nëntor të vitit të kaluar ndodhi një shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok.

    Ky kanal furnizon me ujë disa komuna të Kosovës dhe uji i tij përdoret për ftohjen e termocentraleve.

    Kosova sërish fajësoi Serbinë për sulmin, por Beogradi mohoi përfshirjen dhe tha se do të hetojë rastin.

    Ndërkaq, gjatë debatit në PE, shefi i aleancës tha se në këto kohëra të rrezikshme është e domosdoshme që Bashkimi Evropian dhe NATO-ja të forcojnë bashkëpunimin.

    Sipas tij, Rusia po bën përpjekje që të destabilizojë vendet anëtare të aleancës dhe të bllokut evropian.

    “Jemi thellësisht të shqetësuar për sigurinë në Evropë. Nuk jemi në luftë, por nuk jemi as në paqe”, tha ai duke kërkuar që të rriten investimet në siguri dhe mbrojtje nga vendet anëtare.

    Sipas planit të mëhershëm, të gjitha vendet anëtare të aleancës duhet të investojnë në mbrojtje më së paku 2 për qind të Bruto Prodhimit Vendor. Edhe pse pajtimi për këtë ishte bërë para më shumë se dhjetë vjetësh, këtë synim ende nuk e kanë arritur të gjitha vendet anëtare, pavarësisht se që nga nisja e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, investimet në mbrojtje janë rritur.

    “Dy të tretat e vendeve anëtare të NATO-s tash shpenzojmë së paku 2 për qind të BPV-së për mbrojtje. Por, kjo nuk është as përafërsisht e mjaftueshme. Për një mbrojtje të duhur, duhet shumë më tepër”, theksoi shefi i NATO-s./REL