Ballina

Autor: Mediana Halili

  • Ajri i ndotur në Kosovë – IKSHKP me rekomandime

    Kosova, e veçanërisht Prishtina, është duke u përballur me nivele të larta të ndotjes së ajrit – ndotje kjo e cila po konsiderohet rrezik për shëndetin e qytetarëve, e sidomos për grupet e ndjeshme.

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) duke dhënë disa informata mbi ndotjen e ajrit ka bërë të ditur se, ditët e ftohta dhe rëniet e temperaturave mund ta vështirësojnë më shumë situatën, si pasojë e ngrohjes me lëndë djegëse të dëmshme.

    Për zvogëlimin e rrezikut nga ajri i ndotur IKSHPK ka rekomanduar që të reduktohen daljet në qytet, me theks të veçantë në mëngjes dhe mbrëmje, e sidomos personat që kanë sëmundje kronike të Sistemit kardiovaskular dhe respirator: fëmijët dhe shtatzënat.

    Instituti rekomandon që të qëndrohet në shtëpi dhe të mos hapen dritaret, ndërsa për personat që pashmangshëm duhet të dalin të përdorin maska mbrojtëse apo të mbulojnë gojën e hundën me shallë.

    “Të reduktohet pirja e duhanit jashtë, ku ka qarkullim të njerëzve, e domosdoshmërisht të ndalohet hapësirave të mbyllura – sikur e përcakton edhe vetë Ligji dhe në hapësira të banimit, punës, shkollave dhe spitaleve.” – ka rekomanduar, ndër të tjera, IKSHPK më 23.01.2025.

    Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH), të publikuara nga IKSHPK, tregojnë se mbi 500 mijë vdekje të parakohshme ndodhin çdo vit, si pasojë e ndotjes së ajrit në botë, ndërsa 9 nga 19 njerëz thithin ajër që tejkalon kufijtë e Udhëzuesit të OBSH-së.

  • AIP kërkon nga partitë politike mbrojtjen e të dhënave personale gjatë fushatës zgjedhore

    Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka kërkuar nga partitë politike mbrojtjen e të dhënave personale, në kohën e fushatës zgjedhore.

    AIP ka kërkuar që subjektet të mos ekspozojnë të dhënat personale gjatë komunikimit me qytetarë – siç janë mesazhet e thirrjet telefonike pa pëlqim paraprak.

    “Për të siguruar zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe njëkohësisht për të shmangur çdo veprim të Agjencisë kundrejt Partive Politike dhe subjekteve të përfshira në procesin e fushatës elektorale, Agjencia kërkon nga Partitë Politike zbatimin e detyrimeve ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve – duke mos ekspozuar të dhënat personale gjatë komunikimit nëpërmjet postës elektronike (e-mail), mesazhet (SMS) dhe thirrjet telefonike, pa pëlqim paraprak.” – thuhet në komunikatën e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

    AIP ka bërë të ditur se në vitet e fundit kanë pranuar ankesa nga qytetarët ndaj partive politike, për përdorimin e të dhënave të tyre personale në mënyrë të paautorizuar.

    “Agjencia ofron bashkëpunim me subjektet politike për të siguruar respektimin e së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe bën thirrje që çdo informacion personal i mbledhur gjatë procesit të regjistrimit të votuesve, për realizimin e komunikimit me qytetarët gjatë aktiviteteve të fushatës zgjedhore, të përdoret në përputhje me kërkesat ligjore.” – vazhdon njoftimi i AIP-së.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

    Për njё muaj partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

    Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

  • Kanosi viktimën e fajdesë duke i kërkuar të tërheqë deklaratën, arrestohet i dyshuari

    Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se, pas disa hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë arritur të arrestojnë në pikën kufitare në Merdarë një person, pasi i njëjti dyshohet se ka kanosur një viktimë të fajdesë.

    Në njoftim thuhet se i dyshuari e kishte kanosur viktimën përmes rrjetit social Facebook – duke i shkruar mesazhe me përmbajtje kërcënuese dhe duke kërkuar nga ai të tërhiqej nga deklarata në rastin e fajdesë.

    “I pandehuri i arrestuar dyshohet se më 06.12.2024 ka kanosur viktimën e fajdesë, përmes rrjetit social Facebook – duke i shkruar mesazhe me përmbajtje kërcënuese, duke kërkuar nga i njëjti që të tërhiqet nga deklarata në rastin e fajdesë që kjo Prokurori e ka nën hetim. I njëjti ka lidhje të afërta familjare me të dyshuarin, i cili gjendet në paraburgim për veprën penale ‘fajdeja’, nga Neni 331 sipas KPRK-së.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren.

    I arrestuari është nën masën e ndalimit 48-orësh, ndërsa Prokuroria ka bërë të ditur se do të parashtrojë kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një personi që dyshohet se mashtroi një shitëse në Ferizaj

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një personi, i cili po dyshohet se, më 09.03.2024, në Ferizaj ka kryer veprën penale: “mashtrimi”.

    Sipas njoftimit personi dyshohet se ka mashtruar shitësen, me një shumë të caktuar të parave.

    “Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, në bazë të autorizimit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj për publikimin e fotografive të personave në kërkim, lëshon kërkesë për bashkëpunim me qytetarët me qëllim identifikimin, vendndodhjen dhe kapjen e personit të dyshuar, mashkull, i cili dyshohet se më 09.03.2024 në rrugën ‘Ahmet Kaçiku’, në Ferizaj ka kryer veprën penale: ‘mashtrimi’, ku në një lokal ka mashtruar shitësen me një shumë të caktuar të parave.” – thuhet në njoftim.

    Policia ka kërkuar që kushdo nga qytetarët që ka ndonjë informacion rreth identitetit të të dyshuarit të lajmërojë Stacionin më të afërt të Policisë, apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” dhe në numrat kujdestarë: 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406.

    Foto: Policia e Kosovës

     

     

     

  • Presidentja Osmani uron Sekretarin amerikan të Shtetit: Kosova mezi pret të punojë me ju

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Sekretarin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Marco Rubio për marrjen e detyrës.

    Në “X” Osmani ka shkruar se Kosova mezi pret të punojë me Rubion, për të forcuar aleancën në mes dy shteteve e për të adresuar sfidat.

    “Kosova mezi pret të punojë me ju për të forcuar aleancën tonë të qëndrueshme, për të promovuar vlerat tona të përbashkëta dhe për të adresuar sfidat e kohës sonë së bashku. Në emër të popullit të Kosovës ju uroj suksese në këtë rol të rëndësishëm.” – ka shkruar presidentja Osmani, më 21.01.2025.

    Marco Rubion si Sekretar i Shtetit do të jetë Shefi i parë hispanik i diplomacisë amerikane.

    Mediat amerikane kanë raportuar gjatë ditëve të kaluara, se me këtë vendim Trump synon ndër të tjera ta ruajë votën hispanike, që sipas sondazheve ishte fort e rëndësishme në shtatë shtetet amerikane të fushëbetejës zgjedhore, që përcaktuan fitoren e tij kundrejt demokrates Kamala Harris.

    Rubio, i cili është i informuar me rrjedhat politike në Europë – përfshirë Ukrainën dhe Ballkanin – ishte përfshirë edhe në zhvillimet politike të Kosovës në raport me fqinjët dhe botën edhe gjatë Presidencës së parë të Trumpit, kur diskutohej mundësia e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    https://kallxo.com/lajm/donald-trump-e-konfirmon-marco-rubion-per-sekretar-shteti/