Ballina

Autor: Kallxo

  • Raportohet se Izraeli nuk lejon mijëra palestinezë që të kthehen në veri të Gazës

    Izraeli bllokoi mijëra palestinezë që të ktheheshin në veri të Gazës, ndërsa akuzoi Hamasin se nuk ka respektuar marrëveshjen sa përket rendit të pengjeve që duheshin liruar. Autoritetet lokale thanë të dielën se forcat izraelite qëlluan mbi turma duke vrarë 2 persona dhe duke plagosur shtatë të tjerë.

    Sipas marrëveshjes së armëpushimit Izrael-Hamas, Izraeli të shtunën do duhej të fillonte t’i lejonte palestinezët të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Gazën veriore, në këmbë përmes të ashtuquajturit korridori Netzarim që përshkon mes për mes Gazën. Izraeli vendosi të mos e bëjë një gjë të tillë derisa Hamasi të lirojë një peng për të cilin Izraeli tha se supozohej të ishte liruar të shtunën. Hamasi nga ana e tij akuzoi Izraelin për shkelje të marrëveshjes.

    Në një tjetër zhvillim, Presidenti Donald Trump sugjeroi që pjesa më e madhe e popullsisë së Gazës duhet të zhvendoset përkohësisht diku tjetër, përfshirë në Egjipt dhe Jordani në mënyrë që të bëhet e mundur siç u shpreh ai “pastrimi” i të gjithë rajonit të shkatërruar nga lufta.

    Më herët, Egjipti, Jordania dhe vetë palestinezët kanë refuzuar një ide të tillë, pasi druhen se Izraeli mund të mos lejojë më kurrë kthimin e të zhvendosurve në Gazë./VOA

  • Partitë serbe në Kosovë raportojnë incidente, pretendojnë se janë “sulme politike”

    Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë e mbështetur nga Beogradi, njoftoi se persona të panjohur më 25 janar hodhën një koktej molotovi para shtëpisë familjare të aktivistes së saj, Aleksandra Popoviq, në Ranillug, një komunë me shumicë serbe në juglindje të Kosovës.

    Ky mjet shpërthyes, sipas Listës Serbe, e goditi makinën familjare të familjes Popoviqit, duke e “djegur plotësisht”.

    Më herët, Lëvizja Popullore Serbe njoftoi se persona të panjohur më 24 janar tentuan të djegin një billbord të saj në Moguillë, pranë Kllokotit, gjithashtu një komunë me shumicë serbe në rajonin e Gjilanit.

    Ky billbord ndodhej përballë shtëpisë familjare të Divna Andrews, kandidate për deputete në Kuvendin e Kosovës nga Lëvizja Popullore Serbe.

    Policia e Kosovës në rajonin e Gjilanit ka konfirmuar se të dyja incidentet janë raportuar dhe se rastet po hetohen.

    Lista Serbe dhe Lëvizja Popullore Serbe pretendojnë se këto incidente janë “sulme të motivuara politikisht”.

    “Pa dyshim që bëhet fjalë për një sulm të motivuar politikisht dhe përpjekje për të frikësuar anëtarët e këshillave zgjedhore të Listës Serbe, me qëllim që t’i pengojnë ata nga ndjekja dhe kontrolli i zgjedhjeve, në mënyrë që të favorizohen disa parti të tjera të preferuara nga Prishtina”, thuhet në deklaratën e Listës Serbe.

    Ndërkohë, Milija Bishevac nga Lëvizja Popullore Serbe ka bërë thirrje që komuniteti ndërkombëtar të reagojë lidhur me përpjekjen për djegien e billbordit të tyre, duke deklaruar se në këto kushte nuk mund të mbahen zgjedhje demokratike.

    “Nuk na keni frikësuar”, deklaruan nga kjo parti.

    Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt dhe, përveç Listës Serbe, në to marrin pjesë edhe pesë subjekte politike që përfaqësojnë komunitetin serb: Lëvizja Popullore Serbe, Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Partia e Serbëve të Kosovës, Demokracia Serbe dhe Nisma Qytetare Drejtësia Popullore.

    Megjithatë, për pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, mbështetjen e Beogradit e ka ekskluzivisht Lista Serbe, e cila bojkoton institucionet e Kosovës për më shumë se dy vjet në përputhje me vendimin për të braktisur institucionet në veri për shkak të insistimit të Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti për t’i ndaluar targat serbe.

    Lista Serbe i ka fituar mbi 90 për qind të votave në të gjitha zgjedhjet në të cilat ka marrë pjesë që nga formimi i saj në vitin 2013, por misioni vëzhgues i Bashkimit Evropian ka shkruar në raportet e tij më 2021 për “monopolin dhe frikësimin” nga kandidatët dhe aktivistët e kësaj partie./REL

  • Ekonomia e Kosovës: Shumë premtime, pak përparime

    Kur ka prezantuar programin e Qeverisë së tij në maj të vitit 2021, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë, mes tjerash, se potenciali i madh i prodhimit të ushqimit në Kosovë, duhet të shfrytëzohet jo vetëm për nevoja të brendshme, por edhe për të eksportuar.

    Ai ka thënë se do të angazhohet në blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese për eksport, si dhe do t’i ndihmojë bizneset në gjetjen e tregjeve për eksport.

    Në kuadër të mbështetjes për to, ka thënë se Kosova do të themelojë edhe Bankën e saj Zhvillimore.

    “Ajo do të jetë mekanizëm për mbështetjen e sektorit privat dhe promovimin e investimeve. Ajo do të jetë komponenti kreditues, që do të financohet nga paratë publike dhe shitja e letrave të borxhit, duke investuar në degë të caktuara të industrisë, që krijojnë vende pune dhe përmirësojnë bilancin tregtar”, ka thënë Kurti në vitin 2021.

    Katër vjet më vonë, kjo bankë nuk është themeluar dhe bilanci tregtar nuk është se ka ndryshuar.

    Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe të Doganës së vendit tregojnë se në vitin 2021 vlera e eksporteve në Kosovë ka qenë 775.7 milionë euro, kurse e importeve 4.6 miliardë euro.

    Në vitin 2024, eksportet janë rritur në 990.2 milionë euro, por edhe importet në 6.3 miliardë euro.

    Kurti edhe në fushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit – në të cilat do të garojë për mandatin e dytë si kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje – bën premtime të ngjashme.

    “Do të ofrojmë mbështetje deri në një miliard euro për investime të mesme e të mëdha në ndërmarrjet prodhuese cep më cep Kosovës. Do ta shtojmë prodhimin, do ta shtojmë investimin, do ta mundësojmë riinvestimin dhe do ta rrisim eksportin”, ka thënë Kurti në një tubim me mbështetësit e tij në Gjakovë.

    Me këso premtimesh, mbështetësve u drejtohen edhe kundërkandidatët e tij.

    Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se do të ndajë mbi 6 miliardë euro për projekte kapitale dhe zhvillimore.

    “Ne nuk i ofendojmë bizneset private. Ne do t’i mbështesim bizneset private. Në qeverinë time, nuk do të ketë më pagesa të TVSH-së në kufi, por në brendi të Kosovës, pas shitjes së produkteve dhe jo përpara”, u ka thënë Hamza mbështetësve në Skenderaj.

    Për Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, bizneset krijojnë vende të reja të punës, eksportojnë dhe ulin deficitin e lartë tregtar. Është “paradoks i kohës”, sipas tij, që ato edhe sot e kësaj dite përballen me mungesë të energjisë elektrike.

    “Pas 9 shkurtit, Qeveria e Kosovës, qeveria e djathtë, bizneset i sheh si partner. Do të punojë me to dhe do ta bëjmë Kosovën me to”, ka thënë Abdixhiku gjatë një vizite në një kompani për konstruksione metalike.

    Këtë pikëpamje për bizneset, në disa tubime me mbështetës, e ka ndarë edhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

    “Duhet të dërgojmë sinjale të qarta se biznesi është partner. Bizneset janë vlerë e shtuar, krijojnë buxhet, krijojnë investime. Duhet t’i fuqizojmë sipërmarrësit tonë, jo vetëm të mëdhenjtë dhe jo vetëm do, por çdo sipërmarrës të Kosovës duhet ta kemi partner”, ka thënë Haradinaj para mbështetësve të tij në Rahovec.

    Secila prej këtyre partive, në periudha të ndryshme pas pavarësisë e këndej, ka qenë ose në krye të Qeverisë së Kosovës, ose partnere koalicioni. Subvencione për bizneset ka pasur aty-këtu.

    Në konferencën e fundvitit të kaluar me afaristë, Kurti ka thënë se, për tre vjet, u ka shpërndarë bizneseve 1.3 miliard euro në formë të granteve dhe programeve të tjera, për të forcuar konkurrencën e tyre në tregjet vendore e ndërkombëtare.

    Por, bilanci tregtar nuk është përmirësuar asnjëherë. Kosova çdo vit importon mesatarisht 5 miliardë euro mallra, nisur nga qepët, domatet e mollët deri te materialet ndërtimore, ndërsa eksporton në vlerën e më pak se 1 miliard eurove, kryesisht produkte të metalit dhe plastikës.

    Prodhuesit kosovarë ankohen vazhdimisht për Tatim të lartë mbi Vlerën e Shtuar, për ekonomi joformale, kamata të larta për kredi, mungesë infrastrukture, jostabilitet me rrymë e të tjera.

    Ramiz Gashi prej vitesh udhëheq kompaninë “Relux” jashtë Prishtinës, e cila merret me prodhimin e ngjyrave dhe të fasadave. Me mbi 40 të punësuar, ai thotë se kompania ka arritur të eksportojë në 11 vende të botës, përfshirë Gjermaninë, Francën, Britaninë e Qipron – të gjitha me forcat e veta.

    “Deri më tani, që sa vite operojmë… jo vetëm kjo Qeveria e tanishme që bën premtime shumë, por edhe të kaluarat që kanë bërë premtime të njëjta, asnjëra prej tyre nuk na ka dalë në ndihmë, pa marrë parasysh se çfarë kërkesash kemi pasur – ndoshta edhe një kërkesë sa më elementare”, thotë Gashi për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

    Gashi tregon se biznesi i tij, sa herë që bie shi, rrethohet nga uji, për shkak të infrastrukturës së dobët të kanalizimit përreth. Ky problem, sipas tij, e pengon punën e biznesit dhe do të duhej të zgjidhej me urgjencë.

    “Ne kemi bërë disa herë kërkesa, protesta e peticione, jo vetëm ne, por të gjitha bizneset që operojnë këtu, dhe të gjitha kanë hasur në veshë të shurdhër”, thotë Gashi.

    Ky biznesmen shpreh bindjen se mund të bëhet gjigant i madh eksportues dhe të ndikojë edhe në rregullimin e bilancit tregtar, nëse merr një dorë nga shteti.

    “Ne nuk kërkojmë që të na jepet diçka krejt falas, por të paktën të na mundësohet ndonjë kredi me kamatë më të favorshme dhe të kemi ndonjë lehtësirë. Këtë e presim nga qeveritë në ardhje”, thotë Gashi.

    Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se cilado parti që krijon Qeverinë, e ka mundësinë t’i realizojë premtimet ndaj bizneseve, nëse do që t’i trajtojë ato me seriozitet.

    Sipas tij, Kosova nuk e ka luksin për ta pasur borxhin publik në 17 për qind të bruto prodhimit të brendshëm, kur me ligji mund të shkojë deri në 40 për qind, dhe ta shfrytëzojë atë në favor të zhvillimit.

    “Vendim i parë i Qeverisë do të duhej të ishte përcaktimi i sektorëve konkurrues të Kosovës dhe të përqendrohet tek ata, t’i mbështesë, t’i subvencionojë, të marrë masa, qoftë administrative, qoftë në kuptimin e politikave fiskale apo të normave të interesit, në mënyrë që bizneset të prodhojnë sa më shumë, të eksportojnë sa më shumë dhe ta zbresin importin që e kemi kaq të lartë”, thotë Rafuna për Exposenë.

    Në mënyrë konkrete, ai numëron edhe tre hapa: reformën e Tatimit të Vlerës së Shtuar, lirimin e më shumë lëndëve të para dhe diplomacinë ekonomike. Rritja e prodhimit, e rrjedhimisht eksportit, pastaj është e garantuar.

    “Duke ia krijuar kushtet biznesit, ti përveçse e rrit atë biznes që e ke brenda Kosovës, motivon edhe ardhjen e investitorëve të huaj. Ne duhet ta kemi parasysh se Kosova nuk mund të zhvillohet e vetme dhe duke u mbyllur. Është urgjente për Kosovën që t’i bashkohet çdo iniciative që promovon tregun e hapur të importimit dhe eksportimit të produkteve”, thotë kryetari i OEK-ut.

    Lekë Musa, ekspert i ekonomisë dhe ish-drejtor i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, thotë se Kosova e ka të pamundur që ta zhvillojë secilën industri, por janë disa, si teknologjia informative, industria e drurit apo e frutave, që mund të shpërthejnë në tregjet e jashtme.

    “T’iu ndihmohet atyre duke u krijuar parakushte dhe politika stimuluese, por në radhë të parë t’iu hiqen barrierat që i pengojnë në baza ditore. Pastaj, ka mundësi për t’i ndihmuar edhe në përmirësimin e cilësisë, edhe në mbërritjen e standardeve që kërkohen në tregjet evropiane”, thotë Musa për Exposenë.

    Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2023 tregojnë se vendi i ka pasur 68.390 biznese aktive, në krahasim me 81.692 sa i ka pasur në vitin 2022.

    Bilanci tregtar pozitiv, sipas ekspertëve, e forcon ekonominë dhe siguron stabilitet financiar.

    Sipas një parashikimi të Bankës Botërore në tetor të vitit të kaluar, rritja ekonomike në Kosovë këtë vit do të jetë 3.9 për qind, nga 3.8 për qind sa ka qenë vitin e kaluar.

    Me popullsi relativisht të re, me tokë të përshtatshme për kultivimin e kulturave të ndryshme, me burime ujore e minerare, Kosova 1.6 milionëshe ka shpresë… por kjo shpresë merr formë vetëm kur qeveritë t’i zëvendësojnë premtimet me veprime – mundësisht përpara ciklit të ardhshëm zgjedhor./REL

  • Lideri autoritar bjellorus, Lukashenka synon mandatin e shtatë mes kritikave nga Perëndimi

    Bjellorusët dolën për të votuar të dielën në zgjedhje që pritet t’ia dhurojnë edhe një mandat tjetër pesëvjeçar presidentit autoritar Alyaksandr Lukashenka, i cili është mik i ngushtë i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

    Lufta e Rusisë në Ukrainë i ka bashkuar Lukashenkan dhe Putinin më shumë se kurrë më parë, pasi lideri autoritar ia ka ofruar Putinit vendin e vet si platformë për ta nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, ndërsa në vitin pasues u pajtua ta lejojë Moskën të vendosë armë taktike bërthamore në Bjellorusi.

    Kjo e ka bërë 70-vjeçarin Lukashenka – i cili është mënjanuar dhe sanksionuar nga Perëndimi edhe para së të niste lufta – edhe më shumë të izoluar.

    Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thanë para zgjedhjeve të dielën se votimi nuk mund të jetë i lirë dhe i drejtë, për shkak se mediat e pavarura janë të ndaluara në Bjellorusi dhe të gjitha figurat kryesore opozitare ose janë burgosur, ose janë detyruar të ikin nga vendi.

    “Kjo është fyerje e hapur ndaj demokracisë”, shkroi në rrjetet sociale shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, duke e përshkruar votimin si farsë.

    Udhëheqësja opozitare në mërgim, Sviatlana Tsikhanouskaya, tha se Lukashenka po e orkestron rizgjedhjen e tij si pjesë e një “rituali për diktatorët”.

    Lukashenka, dikur shef i fermës sovjetike, thotë se është populli ai që ka zgjedhur ta mbajë atë në pushtet që nga viti 1994.

    Ai u zotuar gjatë një tubimi të premten se të sjellë “drejtësi, siguri dhe një det me mundësi”.

    Ai përballet me katër kandidatë të tjerë, asnjëri prej të cilëve nuk ka bërë ndonjë sfidë apo kritikë serioze. Në përgjithësi, 6.9 milionë njerëz janë regjistruar për të votuar./REL

  • Propozimi i Donald Trump për situatën në Gaza

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, tregoi se kishte folur të shtunën me mbretin e Jordanisë për ndërtimin e mundshëm të banesave dhe zhvendosjen e më shumë se 1 milion palestinezëve nga Gaza në vendet fqinje.

    Siç raporton CNN, Trump tha se i kërkoi Abdullah II të Jordanisë, një partner kyç i SHBA-së në rajon, të pranonte më shumë palestinezë.

    “Unë i thashë atij se do të doja që ju të merrnit më shumë, sepse po shikoj të gjithë Rripin e Gazës tani dhe është një rrëmujë, është një rrëmujë e vërtetë,” u tha ai gazetarëve në bordin e Air Force One.

    Agjencia shtetërore e lajmeve e Jordanisë Petra raportoi telefonatën me Trump, por nuk përmendi zhvendosjen e palestinezëve.

    Sipas OKB-së, mbretëria tashmë është shtëpia e më shumë se 2.39 milionë refugjatëve palestinezë të regjistruar.

    Trump tha se do të donte që edhe Jordania edhe Egjipti – që kufizohet me enklavën e shkatërruar – të strehojnë njerëz dhe se ai do të fliste me presidentin egjiptian Abdel Fattah el-Sisi për këtë çështje të dielën.

    “Ju po flisni për një milion e gjysmë njerëz dhe ne thjesht e pastrojmë të gjithë këtë gjë”, tha Trump, duke shtuar se ka pasur konflikte shekullore në rajon.

    Ai vazhdoi: “Nuk e di, diçka duhet të ndodhë, por është një vend rrënimi tani. Pothuajse gjithçka është shkatërruar dhe njerëzit po vdesin atje, kështu që unë preferoj të përfshihem me disa nga kombet arabe dhe të ndërtoj banesa në një vend tjetër ku mendoj se ata mund të jetojnë në paqe për një ndryshim.”

    Presidenti, një ish-zhvillues pronash, tha se strehimi i mundshëm “mund të jetë i përkohshëm” ose “mund të jetë afatgjatë”.

    Me marrjen e detyrës këtë javë, Trump anuloi sanksionet e kohës së Bidenit kundër kolonëve izraelitë që konsideroheshin përgjegjës për dhunën vdekjeprurëse në Bregun Perëndimor të pushtuar. Kjo u mirëprit nga ministri i financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, i cili ka argumentuar fuqishëm që Izraeli të rivendosë vendbanimet hebraike në Gaza u braktis me urdhër të Izraelit në 2005.

    Përgatiti:Xheneta Murtezaj