Ballina

Autor: Kallxo

  • Të shtënat për Vitin e Ri, goditet me predhë një banesë në Skenderaj

    Një person nga Skenderaj ka raportuar në Polici se më 01.01.2025 një predhë ka goditur banesën e tij.

    “Ankuesi ka raportuar se gjatë natës, dyshohet nga të shtënat për ndërrimin e mot-moteve një predhë i ka goditur xhamin e dritares së banesës së tij”, thuhet në raportin e Policisë, më 02.01.2025.

    Rasti po hetohet nga njësitet policore.

  • Veterani ushtarak që vrau 15 persona në Nju Orllins dyshohet se u inspirua nga IS-i

    Një veteran i ushtrisë amerikane, i cili i ka vrarë 15 persona pasi e ka përplasur kamionin kundrejt një turme njerëzish në Nju Orllins, ka publikuar video në rrjete sociale vetëm pak orë para sulmit, dhe ka thënë se është inspiruar nga grupi ekstremist Shteti Islamik (IS) me dëshirën për të vrarë, ka thënë presidenti amerikan, Joe Biden.

    Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka thënë se sulmin e 1 janarit është duke e hetuar si sulm terrorist dhe nuk beson që sulmuesi ka vepruar vetëm.

    Sulmuesi është vrarë nga policia sapo është larguar nga kamioni.

    Hetuesit kanë gjetur armë dhe atë që duket se është një pajisje shpërthyese e improvizuar në makinën e tij – në të cilën është gjendur edhe flamuri i IS-it.

    Presidenti Biden ka thënë se FBI-ja i ka gjetur videot e postuara nga sulmuesi në rrjetet sociale.

    Ai e ka përshkruar sulmin si “të neveritshëm” dhe “akt të urryer”.

    Sulmi i ka shndërruar festimet për Vitin e Ri në rrugën Burbon në një skenë makabre, me trupa të përgjakur dhe këmbësorë tjerë duke ikur me shpejtësi nëpër restorante për t’u strehuar.

    Përveç të vdekurve, mbi 30 persona tjerë janë plagosur.

    Ky sulm përbën shembullin më të fundit të përdorimit të një makine për të kryer dhunë në masë dhe është sulmi më vdekjeprurës në tokën amerikane që është inspiruar nga IS-i në vjetët e fundit.

    FBI-ja e ka identifikuar sulmuesin si Shamsud-Din Jabbar, 42-vjeçar, shtetas amerikan nga Teksasi, dhe ka thënë se po punon për të gjetur ndonjë lidhje të mundshme mes tij dhe organizatave terroriste.

    “Ne nuk besojmë se Jabbar është përgjegjësi i vetëm”, ka thënë agjentja speciale e FBI-së, Alethea Duncan, në një konferencë për media.

    Jabbar është thënë t’i jetë bashkuar ushtrisë amerikane më 2007, dhe ka shërbyer në sektorin për burime njerëzore dhe teknologji të informacionit, dhe ka qenë i angazhuar në Afganistan nga viti 2009 deri më 2010.

    Ai është larguar nga detyra në ushtri më 2020 me gradën rreshter shtabi./REL

  • Digjet një veturë në Vushtrri

    Një veturë është përfshirë nga zjarri në Vushtrri më 01.01.2025, në rrethana të panjohura.

    Siç njofton Policia, ankuesja ka raportuar se vetura ka qenë e parkuar në oborr.

    Zjarrfikësit kanë shuar zjarrin, ndërsa rasti është duke u hetuar nga njësitet policore.

  • Tentoi të pajiset rrejshëm me patentë shoferi të Kosovës, zbulohet nga organet kompetente

    Një person në Mitrovicë të Veriut është përpjekur të pajiset me patentë shoferi të Kosovës duke ofruar dokumente të rrejshme gjatë parashtrimit të kërkesës për konvertim të patentës së lëshuar nga autoritetet e Serbisë.

    “Pas verifikimit nga organet kompetente, ka rezultuar se dokumenti i paraqitur për konvertim nga i dyshuari nuk ka qenë i regjistruar fare”, raporton Policia e Kosovës më 02.01.2025.

    Rasti është duke u hetuar.

  • Vrasje në tentativë në Graqanicë

    Policia e Kosovës njofton se më 01.01.2025, dy persona janë sulmuar fizikisht në Graqanicë.

    Viktimat janë duke u trajtuar në QKUK.

    Sipas Policisë, ata dyshohet se janë sulmuar me thikë nga persona të panjohur.

    Rasti është duke u hetuar nga njësitet relevante policore.