Ballina

Autor: Kallxo

  • Të paktën 54 të vrarë nga sulmet ajore izraelite në Rripin e Gazës

    Të paktën 54 persona u vranë nga sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës të enjten (01.01.2025), duke përfshirë tre fëmijë dhe dy oficerë të rangut të lartë të forcave policore të Hamasit, thanë zyrtarët palestinezë të shëndetësisë.

    Forcat izraelite goditën të enjten (01.01.2025) herët në një zonë humanitare të shpallur nga Izraeli, të njohur si Muwasi, ku qindra mijëra njerëz të zhvendosur janë të strehuar në tenda në dimrin e ftohtë dhe me shi. Në këtë sulm u vranë të paktën 11 njerëz, përfshirë gra dhe tre fëmijë.

    Në sulmet e tjerë në pjesën qendrore dhe veriore të Rripit të Gazës u vranë të paktën 43 palestinezë. Viktimat në një sulm në Gazën qendrore ishin anëtarë të komisioneve lokale që ndihmojnë në sigurimin e autokolonave të ndihmave, sipas punonjësve të Spitalit Martirët e Al-Aksës, ku u dërguan kufomat. Një gazetar i agjencisë së lajmeve Associated Press, i cili ndodhej në spital konfirmoi numrin e viktimave.

    Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga ushtria izraelite mbi sulmet e ditës së enjte (01.01.2025).

    Sipas të dhënave të Ministrisë së Shendëtësisë në Rripin e Gazës nga sulmet ajrore dhe tokësore izraelite, që filluan në tetor të vitit 2023, janë vrarë më shumë se 45 mijë njerëz, më shumë se gjysma e tyre, gra dhe fëmijë. Zyrtarët shëndetësorë në Rripin e Gazës nuk bëjnë dallim mes civilëve dhe militantëve të Hamasit në raportet e tyre mbi numrin e viktimave.

    Lufta filloi pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit në 07.10.2023. Sipas të dhënave izraelite gjatë sulmit u vranë 1200 vetë, kryesisht civilë dhe u morën peng 250 të tjerë. 100 pengje mbahen ende në Gazë dhe një e treta e tyre besohet se ka vdekur./VoA

  • Mjegulla e dendur anulon afër 50 fluturime për dy ditë në Aeroportin e Prishtinës

    Për shkak të mjegullës së dendur, në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” janë anuluar afër 50 fluturime gjatë dy ditëve të fundit, kurse në disa të tjera ka pasur vonesa. Për pasojë numri i qytetarëve që detyrohen të presin gjatë nuk është i vogël, por megjithatë disa prej tyre thonë se e mirëkuptojnë situatën. Instituti Hidrometeorologjik paralajmëron se mjegull do të ketë edhe gjatë ditës së nesërme (03.01.2025).

    Kolona të tilla janë të zakonshme në kryeqytet, por këtë të enjte (02.01.2025) ato janë bartur në hyrje të Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari”.

    Mërgimtarët e ardhur në Kosovë për festën e Vitit të Ri dëshirojnë të kthehen në vendet ku jetojnë, por këtë po e kanë problem shkaku i mjegullës së dendur që ka përfshirë Kosovën.

    Nga Aeroporti i thanë televizionit Dukagjini se këto dy ditë janë anuluar dhjetëra fluturime.

    “38 fluturime janë anuluar ditën e djeshme. Nga to disa janë divertuar në aeroportet fqinje. Sot janë anuluar 4 fluturime deri më tani. Dukshmëria ka qenë nën 50 metra, prandaj është pamundësuar realizimi i fluturimeve”.

    Qytetarët që largoheshin nga Kosova, ata që vinin në vendin tonë, dhe familjarët që i prisnin dhe përcillnin, kryesisht pajtoheshin me faktin se mund të ketë anulime ose vonesa të udhëtimeve.

    “Një fluturim i ka dështu, tash e ka nxjerrë tiketën prapë për knej.

    -Kur ka pas me arrite?

    -Në 12:30 ka pas me arritë këtu por tash duhet me pritë deri në 14:00-15:00”, ka thënë Sinan Ferizi, njëri nga udhëtarët që u ballafaqua më vonesa.

    “Tash jam tu shku, nuk e di deri të hyje brenda, të shohim.

    Në email nuk na ka ardhë diçka, ta shofim tash, edhe me pas nuk kemi çka bëjme duhet të presim”, ka shtuar Ferizi.

    “Po vonesa pati, kemi pas me fluturu në ora 08:00 dhe kemi fluturar në orën 11:00, në Cyrih nuk ka pas vonesa vetëm këtu shkaku i mjegullës”, ka thëne Smajl Mahmutaj, udhëtar.

    Në kohën kur televizioni ishte në ambientet e aeroportit, në monitorët udhëzues njoftohej për shtyrje të fluturimeve.

    Ora shënon të jetë 13:00, momentalisht nuk ka asnjë fluturim të anuluar kurse deri në këtë orë kanë qenë 4 të tillë, kurse nuk dihet nëse do ketë anulime të tjera të fluturimeve pasi që mjegulla në aeroportin e Prishtinës, vazhdon të jetë e dendur”.

    Ndërkaq, Besim Aliu nga Instituti Hidrometorologjik i Kosovës thotë kushtet e tilla atmosferike do të jenë edhe gjatë së premtes (03.01.2025).

    “Edhe nesër pra do të kemi mjegull, pastaj vranësira të dendura të cilat do të krijojnë kushte për reshje, mjegulla do të hiqet por prapë do të krijohet nuk do të thotë që është mjegulla e kësaj stine sepse jemi shumë herët”.

    Para disa javësh, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu tregoi se Qeveria ka investuar në një sistem të avancuar të aterimit, ku me këtë rast tha se anulimi i fluturimeve për shkak të mjegullës ka mbetur në histori.

    Ndërsa këtë të enjte (02.01.2025) pas anulimit të dhjetëra fluturimeve, Aliu ka thënë se fluturimet me pilotë të certifikuar për përdorimin e këtij sistemi kanë ateruar me sukses, ndërsa ato fluturime pa certifikimin e nevojshëm janë anuluar ose devijuar.

    Ky sistem sipas tij, mundëson aterime edhe në kushte të mjegullës së dendur, deri në dukshmëri minimale prej 50 metrash./Dukagjini

  • FBI: Autori i sulmit terrorist në New Orleans veproi i vetëm

    FBI-ja thotë se beson se autori i sulmit terrorist në New Orleans që shkaktoi vdekjen e 15 personave në ditën e Vitit të Ri, ka vepruar i vetëm.

    Autoritetet e deklaruan një gjë të tillë në një konferencë shtypi duke shtuar se nuk ka më rrezik për banorët e New Orleans. Më herë auroritetet po hetonin nëse autori, Shamsud-Din Jabbar, një shtetas amerikan nga Teksasi dhe ish-rezervist i ushtrisë që kishte shërbyer në Afganistan, kishte pasur bashkëpunëtorë në sulmin, që autoritetet thanë se ishte i paramenduar.

    FBI-ja tha se autori i dyshuar udhëtoi me makinë nga Houston për në New Orleans më 31.12.2024 dhe kishte postuar pesë video në Facebook midis orës 1:29 dhe 3:02 të mëngjesit të ditës së sulmit, ku shprehej se mbështeste ISIS-in, grupin militant islamik me luftëtarë në Irak dhe Siri.

    Në videon e parë, Jabbar shpjegon se ai kishte planifikuar më parë të sulmonte familjarë dhe miq të tij, por se ishte i shqetësuar se mbulimi i medias do të largonte vëmendjen nga “lufta midis besimtarëve dhe jobesimtarëve” – tha në një konferencë shtypi zëvendësdrejtori i FBI-së, Christopher Raia.

    Jabbar tha gjithashtu në video se ai ishte bashkuar me ISIS-in para verës së kaluar .

    “Ky ishte një akt terrorizmi” – tha Raia. “Ishte një veprim i paramenduar dhe një veprim djallëzor”.

    FBI-ja kishte konfirmuar më parë se Jabbar kishte një flamur të grupit ISIS-it në kamionin që përdori për të goditur turmën. Ai vdiq nga një këmbim zjarri me policinë.

    Të mërkurën (01.01.2025) në mbrëmje presidenti Joe Biden shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe tha se i dyshuari kishte bërë disa veprime vetëm disa orë para sulmit që linin të kuptonin ideologjinë e tij. Presidenti Biden tha se organet e zbatimit të ligjit dhe komuniteti i zbulimit po vazhdojnë të kërkojnë për ndonjë lidhje apo bashkëpunëtor tjetër dhe se hetimi vazhdon të jetë aktiv.

    “Ai postoi video në mediat sociale duke treguar se ishte frymëzuar nga ISIS-i, duke shprehur dëshirën për të vrarë. Flamuri i ISIS-it u gjet në automjetin e tij, të cilin e kishte marrë me qira për të kryer këtë sulm. Në automjet janë gjetur edhe eksplozivë të mundshëm dhe aty pranë janë gjetur eksplozivë të tjerë” – tha ai.

    Hetuesit kishte gjetur armë dhe një mjet shpërthyes të improvizuar brenda automjetit. Po ashtu, në lagjen e njohur ku ndodhi shpërthimi, autoritetet kanë gjetur pajisje të tjera shpërthyese në një shtëpi në të cilën kishte rënë zjarr.

    Për 18 vjeçarin Zion Parsons, ishte hera e parë në Nju Orlins. Ai tha se skena dukej si zonë lufte.

    “Kishte trupa në gjithë rrugën. Të gjithë bërtisnin. Shihje dikë që po përpiqej të shpëtonte dikë tjetër, shikoje njerëz që qanin, pjesë trupash gjithandej. Ishte e dhimbshme të shihja një nga shoqet e mia të ngushta që u godit”, tha ai.

    Zona turistike e New Orleans vazhdon të jetë nën masa të rrepta sigurie.

    Sulmi në New Orleans është shembulli i fundit kur një automjet përdoret si armë për të kryer vrasje masive dhe sulmi më vdekjeprurës i frymëzuar nga ISIS në territorin e Shteteve të Bashkuara prej vitesh.

    Clara Broekart, një eksperte për grupet terroriste i tha Zërit të Amerikës se në vitin 2024 kishte pasur një rritje të ndjeshme në përpjekjet e frymëzuara nga ISIS globalisht, përfshirë në Shtetet e Bashkuara.

    “Ndonjëherë autori i mundshëm thjesht ishte frymëzuar nga ISIS-i, konsumonte propagandë nga Shteti Islamik dhe synonte të kryente një sulm në mbështetje të Shtetit Islamik. Por kemi parë edhe përpjekje kur persona me bazë në SHBA ishin në kontakt me rekrutuesit e ISIS-it në internet” – thotë ajo.

    FBI-ja thotë gjithashtu se nuk kishte lidhje mes sulmit në New Orleans dhe një shpërthimi në Las Vegas para hotelit Trump, ku personi brenda makinës gjeti vdekjen./VoA

  • Gjyqtari shqiptar që po rritet me hapa të mëdhenj në Itali: Synimi im është Serie A

    Në fushën e futbollit, gjyqtari është më shumë sesa vetëm një person i cili kujdeset që të respektohen rregullat e kësaj loje. Është dikush tek sytë e të cilit pasqyrohet çdo lëvizje e lojtarëve, çdo pasim dhe faull.

    Roli i tij në futboll është jetik, pasi garanton që ky sport të mbetet ashtu siç duhet të jetë: një spektakël i pastër dhe i drejtë.

    E kush më mirë se sa gjyqtari shqiptar Roland Bytyçi mund të na rrëfejë për vështirësitë dhe misionin që bart në vete ky profesion.

    Në një intervistë për Telegrafin, gjyqtari me prejardhje nga Suhareka rrëfen për përvojën e tij në Itali, më saktësisht në regjionin Emilia-Romagna në qytetin Reggio Emilia ku jeton dhe vepron.

    I pyetur se si nisi gjithçka, Bytyqi tha se inspirimi për t’u bërë gjyqtar i erdhi në moshën 22-vjeçare kur ai ishte aktiv si futbollist.

    “Kur isha në moshën 22-vjeçare, një mik i imi i ngushtë më tha përse nuk planifikon të bëhesh gjyqtar, sepse të shohë shumë në këtë profesion. Fillimisht nuk isha entuziast ndaj kësaj ideje, por pastaj përfundova kursin dhe mora licencën e referimit në federatën italiane të futbollit”, ka thënë Bytyqi fillimisht.

    Për gjyqtarin nga Suhareka ky është viti i pestë si gjyqtar profesional, por ai ende po tenton të ngjitet më lartë.

    “Ndeshje pas ndeshje përfundova edhe vitin e pestë si gjyqtar profesional, duke ndarë drejtësinë në 65-70 ndeshje brenda vitit që nga kadetët U16 deri më sot në Ligën Promozione dhe Ecelenca, ku gjendet edhe Serie C”.

    Për Bytyçin synimi më i madh mbetet Serie A, objektiv për të cilin ai tha se duhet të ketë durim.

    “Me kalimin e kohës besoj që do ngritëm më lartë. Natyrisht, çdo gjyqtar objektivin kryesor e ka Serie A, por gjithmonë duhet durim dhe pasion dhe unë them se me punë gjithçka në jetë arrihet”.

    Ndonëse larg nga Kosova, Bytyçin nuk e ka penguar ky fakt që të mos i ndjekë zhvillimet në elitën e futbollit kosovar, ku tha se i shikon ndeshjet kohë pas kohe si dhe tregoi se me kë prej gjyqtarëve kosovarë mban kontakte.

    “Superligën e Kosovës e ndjekë shumë çdo vikend, i shikoj ndeshje pas ndeshje sepse futbolli në Kosovë po bëhet sport i vlerave dhe kampionëve”.

    “Kam respekt për punën që bën secili gjyqtar në Kosovë, por ai që më bën më së shumti përshtypje dhe shkëmbejë biseda me të është Genc Nuza”.

    Për fund Bytyçi tha se mundohet të marrë nga pak prej gjyqtarëve më të dalluar në botë, ku e përmendi Daniele Orsaton si person të cilin e ka pikë referimi dhe merr këshilla.

    “Unë shikoj shumë analiza të gjyqtarëve italianë, por edhe të huaj si ata anglezë dhe francezë. Kam shumë simpati për (Daniele) Orsaton, një gjyqtar tejet i dashur dhe i respektuar në Itali dhe jashtë vendit”.

    “Me Orsaton kam pasur fatin që të bisedojë edhe nga afër dhe këshilla e tij ndaj meje ishte të kem pasion, vullnet dhe sakrificë në çdo ndeshje”, përfundoi ai./Telegrafi.com

  • Kritika ndaj Arabisë Saudite për rritjen e numrit të dënimeve me vdekje

    Dy grupe për të drejta të njeriut e kanë kritikuar Arabinë Saudite për rritjen e numrit të dënimeve me vdekje, duke thënë se ky shtet ka kryer numrin më të madh të ekzekutimeve në vitin që lamë pas.

    Organizata Evropiane Saudite për të Drejta të Njeriut, e cila monitoron ekzekutimet në Arabinë Saudite, dhe organizata tjetër, Reprive, kanë thënë se shifrat janë në kundërshtim me tentimet e shtetit për të prezantuar veten si një vend më i hapur dhe tolerant.

    Arabia Saudite nën udhëheqësin de facto, princin e kurorës, Mohammed bin Salman, është duke shpenzuar para të mëdha në infrastrukturën për turistë, teksa tenton të diversifikojë ekonominë që i varet nga nafta.

    Sipas dy organizatave, Arabia Saudite ka dhënë urdhër për 345 ekzekutime më 2024.

    Sipas tyre, shifra vjetore e ekzekutimeve pothuajse është dyfishuar në krahasim me atë të vitit paraprak.

    “Këto vrasje shpërfaqin realitetin e Arabisë Saudite të Mohammed bin Salmanit”, ka thënë Jeed Basyouni, udhëheqës i organizatës Reprieve.

    “Sa ekzekutime konsiderohen tepër derisa të organizohet kampionati Kupa e Botës në Arabinë Saudite, më 2034? Sipas shifrës aktuale, duhet të shkojë në 3.000”, ka thënë ai.

    Arabia Saudite është një prej vendeve që urdhëron më së shumti dënime me vdekje.

    Vetëm Kina dhe Irani kanë ekzekutuar më shumë njerëz më 2023, sipas organizatës ndërkombëtare Amnesty International.

    Autoritetet saudite deklarojnë se dënimet me vdekje janë të domosdoshme për të mbajtur rendin publik dhe se ky dënim shfrytëzohet vetëm kur të jenë shterur të gjitha mundësitë tjera./REL